Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Rama në konferencën e organizuar nga BERZH, ku u prezantua raporti vjetor mbi tranzicionin:

Kam pasur nderin dhe kënaqësinë që të asistoj në prezantimin e këtij Raporti, kur u bë publik në qendrën e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, në Londër, dhe besoj se pa e ekzagjeruar, edhe pse njohja ime e raporteve të institucioneve ndërkombëtare është shumë e kufizuar, është një raport absolutisht i shkëlqyer, për të gjithë ata që duan të kuptojnë më shumë dhe më thellë, tranzicionin dhe sfidat e vendeve që kanë kaluar apo kalojnë përmes tranzicionit.

I jam shumë mirënjohës, kryeekonomistit të BERZH, mikut tim Erik Berglöf, që erdhi në Tiranë jo vetëm për mbledhjen e pasdites së Këshillit Ekonomik Kombëtar, ku kemi nderin ta kemi një nga pjesëtarët dhe këshilltarët e vyer të Qeverisë shqiptare, por edhe për të paraqitur gjetje shumë interesante dhe të rëndësishme të këtij Raporti, që besoj i vlejnë politikbërësve, i vlejnë donatorëve, i vlejnë aktorëve të angazhuar në marrëdhëniet bilaterale.

“Këto janë periudha kur gjithë sistemet e vlerave bien, kur kulturat, ndoshta të ngelura larg në kohë e në hapësirë, zbulohen dhe rizbulohen. Janë periudha kur ka një tendencë për të imituar, më tepër sesa për të folur qartë dhe për të ndërvepruar”- Janë fjalët e një aktori të madh të tranzicionit të ish vendeve komuniste, Vaslav Havelit, i cili duke folur për tranzicionin, flet për  një të vërtetë që ne jo vetëm e kemi jetuar, por nënvizon dy fjalë kyçe që besoj se janë shumë të rëndësishme për çdo forcë dhe çdo vend që ka dëshirën dhe vullnetin t’i japë fund tranzicionit.

E para, është qartësi, domethënë vetëdije nga ku vjen dhe ku do të shkosh dhe kurajë për ta thënë atë që mbart vetëdija.

E dyta, është ndërveprim, sepse sfidat e tranzicionit janë aq të shumëfishta dhe aq të ndërlidhura, saqë nuk  mund të adresohen pa ndërveprim.

Këto besoj janë dy fjalë kyçe që sot e gjithë ditën, edhe në këtë event të pazakonshëm dhe shumë special, na ndihmojnë që të reflektojmë bashkërisht, të përpiqemi të flasim qartë mbi sfidat e tranzicionit dhe të shfrytëzojmë pjesëmarrjen shumë të vyer të një prej specialistëve më të njohur ndërkombëtarë të ekonomisë së tranzicionit.

Ne jemi shumë të vendosur t’i bëjmë të dyja, të flasim qartë dhe të ndërveprojmë intensivisht, qoftë brenda nesh, duke u përpjekur të kurojmë një sëmundje kronike të procesit qeverisës në Shqipëri, që është pikërisht mungesa e plotë e ndërveprimit të brendshëm, qoftë edhe mes nesh dhe organizatave ndërkombëtare apo partnerëve tanë politikë dhe ekonomikë, në mënyrë që përmes ndërveprimit t’i japim vetes instrumente reale dhe konkretë shumë efikase, për ta ndryshuar realitetin e përditshëm të Shqipërisë dhe për t’i dhënë fund një tranzicioni që, le të jemi të sinqertë me njëri-tjetrin, vazhdon jo vetëm në formën e një përpjekjeje për të integruar Shqipërinë në Bashkimin Evropian, duke i dhënë fund një faze të ndërmjetme mes përkatësisë së një bote që nuk ekziston më dhe përpjekjes për të hyrë në një botë ku ende nuk jemi, por edhe më e rëndësishme akoma, për t’i dhënë fund tranzicionit në kulturën tonë të komunikimit, në kulturën tonë të vendimmarrjes, në kulturën tonë të qeverisjes, duke folur qartë dhe duke ndërvepruar.

Në fakt, besoj se nuk e ekzagjeroj, në qoftë se them se njëri prej problemeve kryesore, në mos problemi më i madh i periudhës së tranzicionit në Shqipëri, nga pikëpamja subjektive e njerëzve, është pikërisht mungesa e ndërveprimit dhe kufizimi i jashtëzakonshëm që kemi mes sektorëve të jetës dhe mes gjithë instrumenteve në formën e institucioneve apo në formën e burimeve të të menduarit apo të financimit, që e kanë bërë jashtëzakonisht të fragmentuar procesin e qeverisjes në Shqipëri, jo vetëm si proces i qeverisë që qeveris, por si proces i qeverisjes së vetvetes dhe të gjithë sektorëve të ndryshëm nga qeveria dhe qeverisja tek shoqëria civile, që edhe ajo me siguri ka vuajtur në vazhdimësi mungesën e ndërveprimit të brendshëm dhe të ndërveprimit me të tjerët.

Nga ana tjetër është shumë e rëndësishme që ne të jemi shumë të qartë për çfarë duhet të përballojmë, në mënyrë që pastaj të jemi dhe shumë të qartë se si duhet ta përballojmë.

Ka dy elemente që besoj janë të qartë nga studimi;

I pari, ka të bëjë më vështirësinë e përkufizimit të asaj çfarë duam të arrijmë si shtet dhe shoqëri, – këtu s’bëhet fjalë për Shqipërinë, bëhet fjalë në tërësi për vendet dhe shoqëritë në tranzicion, – në një botë e cila ndryshon me shpejtësi të jashtëzakonshme dhe ku duhet adoptim dhe riadoptim po kaq i jashtëzakonshëm, veçanërisht për sa i përket marrëdhënieve gjithmonë e më komplekse të tregut.

E dyta, ka të bëjë me përkufizimin e rolit të shtetit në ekonomi, në marrëdhëniet e tij me sektorin privat, në pozicionimin e tij ndaj kohezionit social dhe konkurrencës, ndaj shoqërisë civile dhe në lidhje me funksionimin e brendshëm të vetë shtetit si një tërësi institucionesh dhe me performancën e secilit prej institucioneve. Duken si gjëra të thjeshta. Janë të thjeshta për t’u thënë, janë piketa që fare thjeshtë mund të vendosen në përpjekjen për të adresuar çështjet, por është e qartë në që 20 e kusur vite, drejt asaj që në fillim ne këtu në Shqipëri e quajtëm “Shqipëria si gjithë Evropa” dhe më pas e kaluam në “integrimi evropian i Shqipërisë”, nuk janë vendosur në mënyrë solide këto piketa dhe nuk është gjetur rruga e natyrshme e ndërveprimit të brendshëm.

Ngecja në tranzicion, që është titulli i “Raportit të Tranzicionit 2013”, që Erik do ta prezantojë me siguri në një formë të plotë për të gjithë, është në fakt një realitet që ne e ndjejmë, por që besoj, gjithmonë e më shumë për shkak të kompleksitetit të gjërave në kontinentin ku ne jetojmë, prek edhe të tjerët. Prek edhe ata të cilët nuk janë në tranzicion, por kanë të bëjnë me tranzicionin dhe me vendet në tranzicion, si një domosdoshmëri apo pamundësi për të bërë ndryshe. E, këtu, kam parasysh vendet e mëdha të Bashkimit Evropian me vendet e tjera të Bashkimit Evropian që sot janë vendosur në një shënjestër të diskutueshme, si Bullgaria dhe Rumania, dhe me vendet e tjera pastaj, si Shqipëria dhe fqinjët tanë rreth e rrotull, që nuk janë ende në Bashkimi Evropian. E gjitha kjo, le ta themi, krijon paqartësi dhe është një paqartësi që i ka prekur të gjithë, nuk është një paqartësi që mbetet e izoluar vetëm brenda nesh, si një rast tipik i tranzicionit të ngecur, të ngecur këtu dhe aty, të ngecur në tërësinë e funksionimit të një sistemit që nuk arrin dot të vihet në lëvizje si një tërësi mekanizmash në ndërveprim. Dhe pastaj Raporti është shumë i qartë në përshkrimin e forcave që nuk e lënë sistemin që të vihet i gjithi në lëvizje si një tërësi që ndërvepron.

Së fundi,  duke besuar që pastaj do të jetë më e lehtë për të shtjelluar gjerat pas prezantimit të Raportit, dua të them se ka vetëm një rrugë për t’i dhënë përgjigje pa humbur kohë gjithë kësaj problematike komplekse në një botë ku paqartësia shkon duke u rritur dhe kjo rrugë është për ne: Të modernizojmë!

Modernizim, modernizim, modernizim në çdo pjesë të sistemit dhe këmbëngulje për të modernizuar tërë sistemin si njësi. Modernizim që do të thotë instrumente të rinj dhe efikas kundër korrupsionit; që do të thotë instrumente të rinj dhe efikas për të rritur transparencën e jetës ekonomike dhe për t’i bërë transparente marrëdhëniet mes individëve dhe shtetit; modernizim për t’i dhënë kuptimin që kanë shërbimeve ndaj individit.

Në mbyllje, dua të kujtoj një mik shumë të shtrenjtë që shqiptarët e pranishëm, besoj nuk kanë nevojë që t’ua prezantoj, Isuf Vrionin, një ikonë të Shekullit XX të Shqipërisë, i cili në personazhin e vet, besoj, e mishëroi me jetën e tij të gjatë dhe të jashtëzakonshme gjithë rrugën e Shqipërisë së Shekullit XX. Në momentin e rënies së regjimit komunist, kur gjithë gjenerata jonë, gjenerata më e re, ishin të përfshirë në një entuziazëm dhe një ekzaltim i madh se kishte marrë fund makthi ynë dhe se tanimë ishim pjesë e Evropës, pasi kishim kaluar nga komunizmi në demokraci, Isuf Vrioni më ka thënë diçka që më ka shënjuar fort dhe më rikthehet vazhdimisht, në formën e një të vërtete gjithmonë e më drithëruese, për kohën kur është thënë dhe për vlerën që ka sot: “Shembja e komunizmit ka sjellë lirinë, por nuk ka sjellë demokracinë”. “Unë vetë jam i bindur, – tha ai, – se nuk do të jetoj aq gjatë sa për ta parë demokracinë të funksionojë në Shqipëri, por lutem që të paktën ti dhe gjenerata jote ta shikojnë, por mos e merrni për të sigurt që do ta shikoni”. Sepse ndryshimi mes lirisë dhe demokracisë është që liria i jep të gjithëve mundësi, por nuk i garanton marrëdhëniet mes individit dhe shtetit. Demokracia është ajo që i garanton marrëdhëniet mes individit dhe shtetit. Dhe për të arritur atë ditë, kur çdo individ do të jetë i garantuar në marrëdhëniet e tij me shtetin dhe shteti do të jetë garant i bashkëjetesës mes individëve, do të duhet një rrugë shumë e gjatë. Një rrugë shumë e gjatë që mund ta quajmë tranzicion dhe ngecja në tranzicion është pikërisht ngecja në përpjekjen për ta kthye gjithë potencialin e lirisë në një demokraci funksionale, që në bazën e vetë ka sigurinë e marrëdhënieve mes individit dhe shtetit, dhe shtetin si garant të ndërveprimit dhe të marrëdhënieve mes individëve.

Faleminderit!

***

Ka ardhur koha t’i përgjigjemi pyetjeve bazë, cilat janë avantazhet konkurruese ku duhet të mbështetmi, çfarë duhet të ndërtojmë, çfarë materialesh duhet të kemi që të ndërtojmë një shtëpi për të ardhmen?

Kryeministri Rama: Pyetja besoj shumë interesante dhe shumë e vlefshme, për të diskutuar mbi atë që duhet të bëjë Shqipëria. Unë besoj që raporti, të cilin sinqerisht ju inkurajoj ta lexoni, edhe pse në gojën time kjo duket pak herezi, sepse, përgjithësisht, unë nuk kam shumë kuriozitet dhe durim për të lexuar këto raportet ndërkombëtare, por në rastin konkret është një raport, i cili përmban absolutisht, informacion dhe orientime shumë të vlefshme për të kuptuar tranzicionin dhe për të kuptuar disa gjëra të thjeshta, por që fatkeqësisht kanë munguar.

Nga ana tjetër, unë do të doja të thosha që vendet nuk specializohen. Ideja se një vend duhet të specializohet në një fushë, për t’ia kaluar të tjerëve, është ideja më e gabuar e mundshme. Vendet diversifikohen dhe sa më shumë diverisfikohemi, aq më shumë kemi pastaj, në dorë, instrumente dhe mundësi.

Problemi ynë sot është identifikimi dhe zhvillimi i burimeve të rritjes. Ne kemi ardhur deri para pak kohe, me dy burime të rëndësishme rritjeje ekonomike që sot nuk i kemi më, dërgesat e emigrantëve të cilat kanë zënë një vend themelor në prodhimin tonë të brendshëm dhe bumi në ndërtime. Të dyja këto nuk vlejnë më si burime rritjeje ekonomike. Dërgesat e emigrantëve janë në rënie të vazhdueshme. Bumi i ndërtimeve është i tejkaluar.

Nga ana tjetër, me siguri, ne kemi një burim shumë të rëndësishëm rritjeje tek energjia, në rast se do të jemi në gjendje të zhvillojmë model të ri dhe demokratik, por njëkohësisht funksional, të tregut të energjisë; Tek nafta dhe mineralet, në rast se edhe aty do të jemi në gjendje të zhvillojmë një model të ri dhe demokratik të tregut dhe një ndarje të arsyeshme dhe transparente të të ardhurave mes publikut dhe privatit; Tek turizmi, në rast se do të jemi në gjendje të identifikojmë ashtu siç duhet, llojin e turizmit që do të zhvillojmë sipas zonave të caktuara dhe po ashtu, klientelën që synojmë të thithim, sepse përsa kohë kemi vazhduar me një model të zhvillimit të turizmit, të bazuar tek rrëmuja urbane dhe tek prurjet patriotike, atëherë është absolutisht e pamundur që të imagjinojmë që kjo mund të jetë e qëndrueshme. Sigurisht tek bujqësia ku na duhet një revolucion i mirëfilltë, në koncept dhe në qasje.

Por, nga ana tjetër, duke iu referuar diapozitivit të fundit, është absolutisht e domosdoshme që ne të bëjmë një kthesë radikale në marrëdhëniet me kapitalin njerëzor. Jemi vendi ku është investuar një para shumë e madhe për arsimimin, nga ana e familjeve. Jemi vendi me volumin më të madh të diplomave pavlerë. Klasifikimet e fundit të shkollave tona të larta janë drithëruese dhe pa as më të voglin dyshim do të shkojnë duke u bërë ende më drithëruese, në rast se ne nuk do t’i japim fund një rruge rrënimi të kapitalit njerëzor. Gjë që ne jemi shumë të vendosur ta bëjmë. Siç jemi të vendosur të hapim një rrugë të re, në të gjitha ato drejtime që unë thashë.

Nga ana tjetër është shumë e rëndësishme që ne të investojmë fuqishëm, në kapitalin njerëzor që administrata ka në dispozicion. Kemi filluar ta bëjmë këtë gjë. Do të kërkojmë ndihmë dhe mbështetje ndërkombëtare, për ta bërë ende më shumë dhe ende më mirë. Jemi të bindur që nga ky proces i trajnimit që, në fakt, sot është një kurs kundër analfabetizmit fiskal i administratës doganore, tatimore dhe i gjithë asaj pjese të administratës që ka të bëjë drejtpërdrejt me sipërmarrjen, ne do mund të hedhim një hap të rëndësishëm përpara, për një marrëdhënie të re me sipërmarrjen. Pa as më të voglin dyshim, tek marrëdhënia e re me sipërmarrjen dhe tek demokratizimi i ekonomisë qëndron një burim i pashfrytëzuar i yni, për të siguruar rritje ekonomike me punësim dhe jo rritje ekonomike pa punësim, siç e kemi pasur në një periudhë të gjatë kohe.

Ne kemi marrë përsipër të bëjmë diçka që është një sfidë shumë të madhe, që nuk na e kërkon njeri, për hir të së vërtetës, nuk na e kërkon Bashkimi Evropian, nuk na e kërkon procesi i integrimit në këtë fazë, por e kërkon domosdoshmëria t’i japim fund një epoke marrëdhëniesh brutale dhe krejtësisht antidemokratike dhe antievropiane me sipërmarrjen. Prandaj kemi vendosur njehsimin e Kodit tonë Doganor me Kodin e ri Doganor të Bashkimit Evropian, i cili në vetë BE-në ka hyrë në fuqi në vitin 2013. Ne do ta fusim Kodin e ri Doganor në fuqi në 1 janar 2015, i cili është tërësisht i njehsuar me Kodin e Bashkimit Evropian dhe do t’i japim fund një periudhë të bazuar tek Kodi i vitit 1992.

Por kjo që në dukje mund të jetë diçka e bukur, është në të njëjtën kohë, në përmbajtjen e vet, një sfidë fatale, në rast se ne nuk do të jemi në gjendje ta përballojmë atë që Kodi i Bashkimit Evropian ka në themelin e vet, raportin tërësisht të përmbysur nga sot, mes shtetit dhe sipërmarrjes, mes administratës dhe importuesve dhe eksportuese. Kodi i ri Doganor nuk është administrata që bën ditën dhe natën, por janë eksportuesit dhe importuesit arsyeja pse ekziston administrata. Që do të thotë një marrëdhënie tërësisht demokratike, me një lehtësi jashtëzakonisht më të madhe në procedura dhe  njëkohësisht, me një përgjegjësi jashtëzakonisht më të madhe mbi administratën, e cila përkthehet në një kosto marramendëse për shtetin, në rast se i bie në qafë padrejtësisht, siç ka bërë deri më sot, masivisht, biznesit. Për këtë arsye jemi në një proces trajnimi intensiv të administratës dhe do të vazhdojmë intesivisht, me strukturimin dhe konsolidimin e Akademisë Fiskale, që do të jetë një shkollë permanente që do të shoqërojë gjithë rrugëtimin e cilitdo që punon në administratën doganore e tatimore, për të qenë në lartësinë më të dëshiruar profesionale dhe për ta përballuar profesionalisht dhe jo harbutërisht, marrëdhënien me biznesin.

Me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim kemi nënshkruar një marrëveshje dhe po punojmë për klimën e biznesit, për të ndërhyrë në të gjitha ato pika ku kemi identifikuar probleme serioze dhe arsye, pse sipërmarrja nuk arrin dot të marrë në raport me iniciativat e veta dhe në raport me shtetin, atë që i takon për t’u zhvilluar dhe për t’u rritur.

Kemi disa të dhëna të mjaftueshme, për të besuar që, siç e tha edhe Eriku, kemi hyrë në një rrugë të re dhe të mbarë me marrëveshjen me FMN-në dhe me rritjen e performancës së administratës tatimore dhe doganore. Në gjashtë muajt e parë kemi 150 milionë dollarë më shumë të ardhura të  mbledhura, sesa në gjashtë muajt e të njëjtës periudhë të një viti më parë. Por gjëja më e rëndësishme për ne është që, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku zëri i tretë më i rëndësishëm i të ardhurave ishin gjobat ndaj biznesit, të cilat zinin praktikisht 10% të të ardhurave, ne nuk kemi gjoba. Kemi eliminuar praktikën e gjobave ndaj biznesit si burim të ardhurash. Sigurisht, gjoba administrative ka, por nuk janë burim të ardhurash, i identifikuar dhe i trajtuar si i tillë, siç ishte deri dje. Dhe kjo është shumë e rëndësishme për klimën e biznesit. Kjo është shumë e rëndësishme për demokratizimin e marrëdhënieve me biznesin dhe demokratizimin e ekonomisë.

Ne besojmë se me disa ndërhyrje që së shpejti do t’ia kalojmë Parlamentit, për të lehtësuar investimet dhe kryesisht investimet prodhuese dhe investimet në këto drejtime strategjike që unë përmenda, që kanë të bëjmë me burimet e reja të rritjes, kemi shumë besim që do kemi një rritje shumë të ndjeshme edhe të investimeve të huaja direkte. Do të kemi rrije të ndjeshme, që me siguri do të shoqërohet me rritje të ndjeshme të punësimit dhe padyshim, me rritje të ndjeshme të të ardhurave.

Kështu që, ne besojë se avantazhet tona janë praktikisht tek ato burime të pashfrytëzuara si duhet rritjeje, por, nga ana tjetër, ne besojmë se diferenca mes vendeve më të pasura dhe vendeve më pak të pasura dhe vendeve më të zhvilluara dhe vendeve më pak të zhvilluara nuk janë tek pasuritë natyrore, por është tek dija. Nuk janë më të pasura vendet që kanë më shumë pasuri, por vendet që dinë më shumë dhe nuk janë më të varfra vendet që kanë më pak pasuri, por vendet që dinë më pak. Investimi në dije dhe investimi në kapitalin njerëzor do të jetë një pjesë e pandashme e gjithë rrugës sonë, sepse ne jemi të bindur se është hendeku i dijes që e ka ndarë edhe Evropë në dysh, në vende të pasura dhe në vende të varfra, në vende që kanë një shpejtësi tjetër dhe në vende që kanë një shpejtësi tjetër. Është hendeku i dijes që e ka bërë Poloninë të hyjë në Bashkimin Evropian, më shpejt se Bullgaria dhe Rumania dhe që i bën vende si Shqipëria dhe rajoni që të kenë ende shumë rrugë për të bërë, në raport me ato që janë në rrugën e integrimit. Sa më shpejt, ne ta mbushim këtë hendek dijeje, aq më shumë do të shohim rritje ekonomike dhe rritje të mirëqenies.

Ka ndonjë plan qeveria për të tërhequr investitorët e huaj për të investuar në Shqipëri?

Kryeministri Rama: Besoj se thashë diçka, por mbase e pamjaftueshme. Po. Ne kemi një paketë të re, e cila shumë shpejt do të kthehet në paketë masash, qoftë të natyrës administrative, qoftë të natyrës ligjore, për të lehtësuar thithjen e investimeve të huaja.

Dëshiroj që të them që jemi në një fazë shumë inkurajuese sa i përket kërkesave dhe interesimit në të gjithë drejtimet që unë përmenda. Shohim një interesim në rritje lidhur me naftën dhe mineralet. Është e qartë se zbulimi i fundi ti naftës ka ndryshuar tërësisht lojën, në raport me të ardhmen tonë dhe në raport me këtë sektor, pasi është zbuluar një naftë e cilësisë më të lartë, onshore dhe ka pritshmëri të arsyeshme që bëhet fjalë për një rezervë të konsiderueshme, e gjitha për t’u eksploruar. Gjë që ka rritur në mënyrë eksponenciale vlerën e fushave të reja. Nga ana tjetër ka pritshmëri të arsyeshme për zbulime të reja edhe për gazin.

Sigurisht, ne kemi sfidën e modelit që duam për sektorin, se nuk mund të jetë modeli i derisotëm i grabitjes pa masë dhe pa skrupull të kësaj pasurie të madhe të shqiptarëve, nga e cila deri më sot, shqiptarët nuk kanë përfituar asgjë praktikisht.

Shohim interesim të madh në fushën e turizmit, por aty është edhe sfida më e vështirë, sepse boll është gabuar deri më sot, duke e rrënuar një pjesë të potencialit turistik të Shqipërisë, kudo ku është vënë dorë. Duhet që të jemi shumë të matur dhe  të vendosur për të krijuar modele cilësore të zhvillimit të turizmit dhe jo më, modele zhvillimi të nivelit më të ulët, që praktikisht rrënojnë potencialin turistik dhe nuk garantojnë asnjë lloj zhvillimi të qëndrueshëm të turizmit.

Kemi interesim po ashtu, në fushën e bujqësisë.

Për të gjithë këto arsye jemi duke bërë këtë paketë, ku një vend shumë të rëndësishëm zë manifaktura, e cila për në është një burim i jashtëzakonshëm punësimi dhe në konjukturën e sotme evropiane jemi vendi me avantazhin më të madh. Kemi analizuar avantazhet dhe jemi vendi me avantazhin më të madh në Evropë dhe madje sot, në këtë fushë, ne kemi një avantazh më të madh sesa vetë pjesa e Azisë, prej ku ka filluar interesim për t’u spostuar në rajonin tonë dhe posaçërisht në Shqipëri. Dhe për këtë arsye, në prill do të miratojmë një paketë të tërë ekskluzive masash, për të inkurajuar investimet në manifakturë dhe në gjithë pjesën e industrisë së lehtë prodhuese.

Besoj që po ashtu, konkursi ndërkombëtar që do të hapim në ditët në vijim, për rebranding të Shqipërisë do të jetë një instrument jashtëzakonisht i rëndësishëm. Kam parasysh këtu, shembullin  e Greqisë, e cila në kulmin e goditjes së imazhit të saj, me një proces rebrand-imi arriti që të ketë vitin e kaluar, një prurje në turizëm më të lartë sesa në vitet më të mira përpara krizës. Është krejtësisht e arsyeshme që kjo t’i dedikohet në një masë të konsiderueshme, gjithë procesit të rebrand-imit që u bë nga qeveria greke.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.