Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Takimin e IV-t Ministerial të Platformës për Arsim dhe Trajnim të Ballkanit Perëndimor:

Do të doja të flisja në anglisht, pasi preferoj ta bëj këtë gjë kur ka europianë në tryezën e rrumbullakët dhe ndjehem më mirë me këtë anglishten time jo aq të mirë, sesa me shqipen time të mirë. Kjo për dy arsye; Së pari, sepse në përgjithësi nuk i besojmë përkthyesve dhe së dyti, marrëdhënia jonë me Europën është një marrëdhënie që ka humbur në përkthim shumë shpesh dhe jam i sigurt që miqtë e mi nga Ballkani janë dakord me mua në këtë pikë të dytë.

Po i tregoja Drejtorit të Përgjithshëm, përpara se të vinim këtu në takim, sesa shumë e ndjenë njerëzit rëndësinë e arsimit, edhe kur ata vuajnë në shumë aspekte të ndryshme.

Një nga shembujt që më ka lënë më shumë përshtypje ishte gjatë fushatës dy vjet më parë, kur unë shkova në një fshat shumë të izoluar e të varfër. Aty banorët kishin nevojë për pothuajse çdo gjë. Ishte një fshat i izoluar tërësisht gjatë dimrit, për shkak se mungonte ura që e lidhte fshatin. Kështu që, njerëzit nuk mund të kalonin në anën tjetër të lumit, pasi lumi bëhej i rrezikshëm dhe nuk kalohej.

Përpara se të filloja të flisja kryeplaku i komunitetit më tha ‘keni për t’i fituar këto zgjedhje, por para se të filloni të na bëni premtime nga më të ndryshmet duhet ta dini se ne e dimë që ka shumë probleme në vend, ka shumë prioritete. Edhe me vullnetin tuaj më të mirë, asgjë nuk ka për të ndryshuar këtu, për ne, sepse radha jonë ka për të ardhur shumë vonë. Kështu që mos na premto asgjë më mirë, por vetëm një gjë, një mësues të anglishtes për fëmijët tanë.’

Më ka bërë vërtet përshtypje kjo gjë! Edhe sepse, po e përsëris, ata nuk kishin asgjë në atë fshat.

Ua tregova këtë histori disa miqve të mi dhe disa kolegëve të mi, që ishin dhe janë deputetë dhe disa prej tyre më konfirmuam faktin se kjo ka qenë një kërkesë dhe prioritet i lartë edhe në vende të tjera, ku njerëzit ndjeheshin të izoluar dhe pa shpresë përsa i përket ndonjë ndryshimi të mundshëm në jetën e tyre Brenda për brenda kufijve të komuniteteve dhe të territorit të tyre.

Ka qenë një mesazh shumë i fortë, por dhe një episod prekës për atë sesa shumë e kuptojnë njerëzit rëndësinë për të ndihmuar fëmijët e tyre, që të tejkalojnë ato vështirësi që kanë qenë të pamundura në të shkuarën për t’u tejkaluar, për arsye nga më të ndryshmet. Në këtë aspekt, ajo që kemi bërë përsa i përket arsimit është bazuar tek fakti që ne besojmë se duhet të ndihmojmë brezin e së ardhmes që të jetë më mirë dhe të ketë një sistem më të besueshëm. Por, natyrisht, ashtu siç e dini ju të gjithë, siç e dinë të gjithë ministrat e Arsimit, kjo gjë është më lehtë të thuhet, sesa në fakt të bëhet.

Unë besoj se është fantastike që ne kemi mundësinë që të jetojmë në një epokë të re për rajonin tonë. Kemi mundësinë të përdorim instrumente bashkëpunimi, të cilat nuk i kanë pasur paraardhësit tanë, qoftë edhe pak kohë më parë. Po çështja është, a mund t’ia dalim mbanë vetëm. Me gjithë dashamirësinë e mundshme, me gjithë vullnetin e mirë, a mundet ndonjë nga vendet tona në rajon që t’ia dalë mbanë i vetëm, në një situatë që nuk është më e mira jashtë hapësirës në të cilën jetojmë të gjithë sëbashku.

Edhe një herë diçka nuk funksion për ne. Sepse më së fundi arritëm paqen mes nesh dhe tani që ne jemi të gatshëm për të qenë në drejtimin e duhur, nuk është Europa në rrugën e duhur. Kur ishte Europa në rrugën e duhur, ne ishim në atë të gabuarën. Është ky fati ynë, që të jetojmë me këtë kontradiktë, por për arsye të mungesës së burimeve, për arsye të një tradite të vjetër që është e rëndësishme në shoqërinë tonë dhe për arsye të një papunësie të madhe tek të rinjtë, ne e shohim veten në një situatë të rrezikshme. Po ashtu, edhe për shkak të kërcënimeve me të cilat përballen shoqëritë tona. Kërcënime që kanë të bëjnë me rënien e besimit në Europë, sidomos tek të rinjtë, në vende me një potencial të madh të nacionalizmit, i cili rritet pikërisht aty ku përgjigjet kundrejt papunësisë dhe varfërisë nuk janë bindëse dhe së fundi, islamit radikal. Pra, këto janë kërcënime, të cilat nuk e bëjnë të lehtë të ardhmen, apo atë si e parashikojmë ne të ardhmen dhe na vë të gjithëve në një situatë të vështirë përsa i përket vendimeve të duhura të rrugës së duhur për të ardhmen.

Kështu që, prezumimi im i parë është që, natyrisht, ne, secili prej vendeve tona, nuk mund t’ia dalim vetëm. Ndaj jam shumë i kënaqur që Europa është e interesuar për të ndërtuar gjykata, që flitet për sundimin e ligjit nga njëri mëngjes tek tjetri. Kjo është gjë shumë e mirë. Natyrisht që, jam akoma më i kënaqur, kur dëgjoj që sektori i energjisë është i rëndësishëm, infrastruktura, bashkëpunimi rajonal po ashtu. Por nuk jam fare i kënaqur, kur shoh që arsimi nuk duket gjëkundi në këtë marrëdhënie. Prandaj, pyetja ime është shumë e thjeshtë; edhe sikur ne të përmirësojmë rrugët, të përmirësojmë sistemin e energjisë, të përmirësojmë në përgjithësi infrastrukturën e komunikimit, si do të duket ky brez tjetër i europianëve që po rritet në vendet tona, pra, ata persona që në fund të fundit do t’i përdorin këto të mira? Sepse kemi parë vende me infrastrukturë të mirë, por që janë vende aspak demokratike, aspak të hapura, aspak të gatshme të përqafojnë parimet dhe vlerat, të cilat ne i quajmë europiane.

E fillova me fjalën e kryeplakut dhe tani do të vazhdoj me një tjetër të moshuar, në një tjetër fshat, po aq të largët. I cili më ka thënë se arsimi është gjithnjë i pari, por që në fakt mbetet i fundit. Sepse problemi me arsimin është se çfarëdolloj gjëje që planifikohet nuk i jep frytet brenda një mandati të caktuar qeverisës. Në veçanti politika sot, jo vetëm në Ballkan, por edhe në Bruksel, kujdeset më pak për të ardhmen sesa i përket atij mandati që mund të ketë. Edhe në këtë pjesë, ne duhet të përpiqemi që të ndihmojmë njëri-tjetrin edhe kur vjen puna për t’i kërkuar Europës që të tregohet më e zgjuar përsa i përket nevojave për arsimin dhe nevojës për një brez më të ri dhe kërcënimit që në rast se nuk mendojmë sot, për atë sesi do të rritet ky brez i ri dhe se çfarë do të bëjë ky brez në të ardhmen.

Fatkeqësisht shikojmë edhe diçka tjetër. Europa duket gjithnjë e më pak strategjike dhe faktori i tretë që përfaqëson edhe burimin e kërcënimeve duket gjithnjë edhe më shumë strategjik në atë që bën. Në rast se duam që t’i hedhim sytë drejt të ardhmes, atëherë nuk është e lehtë dhe nuk është diçka të cilën mund ta marrim të mirëqenë.

Unë gjithnjë përpiqem të kujtoj atë që më ka thënë Ricardo Hausmann: “Vendet nuk ndryshojnë nga ato që kanë, por nga ato që dinë”. Me pak fjalë, ndryshimi ka të bëjë me njohuritë, me dijet. Ne mund të biem dakord ose jo, po vendet e mëdha anëtare të BE-së, si Gjermania etj, është e qartë që vazhdimësia, ecuria, progresi i tyre bazohet në njohuri të forta dhe të shëndosha dhe tek kapaciteti për të investuar tek dija dhe njohuritë, si dhe tek kapaciteti për të rritur horizontin e njohurive në vend.

Kjo nuk është diçka të cilën ne mund të themi që e bëjmë edhe në vendet tona këtu, në këtë rajon dhe në këtë tryezë të rrumbullakët. Ndaj ne na duhet që të jemi shumë të qartë përsa i përket reformave që kërkohen me çfarëdolloj kostoje politike. Kemi një detyrim të qartë kundrejt jo vetëm brezit të ardhshëm, fëmijëve tanë, por edhe për ne vetë si individë, – duke menduar gjithnjë, që ne do të jetojmë pak më gjatë, edhe si pjesë e karrierës sonë politike, – për të qenë shumë të fortë dhe shumë të angazhuar, me vullnet të plotë, për reforma të vërteta.

Këtë jemi përpjekur ta bëjmë në Shqipëri. Këtë do ta bëjmë deri në fund të mandatit tonë, pa marrë parasysh votat që ne do të mbledhim, apo që nuk do të na jepen.

Ne kemi ndërmarrë hapa shumë të rëndësishëm. Jam shumë krenar që t’ju them sot, se jam vërtet me fat të madh që punoj me një ministre që udhëheq reformat me bindje të thellë, por dhe me një talent të veçantë, me talentin për të diskutuar dhe komunikuar me të gjithë palët e interesuara, me të gjithë aktorët, në një proces dialogu pa kërkuar konsensusin mediokër, -i cili ka kaq vite që na mban të zhytur në baltë, – por me sinqeritet për ato që na nevojiten dhe për çfarë do të bëjmë në të ardhmen.

Gjetëm një sistem që ishte tërësisht i thyer, që nga niveli më lartë deri tek niveli më i ulët; Universitete të cilat ishin fabrika prodhimi diplomash, për shitje. Ne kemi mbyllur 18 prej tyre. Njerëzit e kanë kuptuar, pavarësisht se nuk ishte e lehtë për mijëra studentë, të cilët ishin angazhuar me energjitë e tyre, me paratë e prindërve të tyre duke i paguar këto universitete. Gjithsesi, efekti ka qenë shumë pozitiv. Ishte një përpjekje që të shëronte sistemin.

Ndërkohë, na duhet të shikojmë edhe një problem tjetër, dallimin ose boshllëkun ndërmjet universiteteve publike dhe private në vend. Publiku është parë gjithnjë si i privilegjuar, ndërsa privati është parë, ose menduar si, ndoshta jo i dorës së dytë, por me një prani të pakëndshme. Kjo e ka bërë publikun dembel, të korruptuar, jo konkurrent. Nga ana tjetër, kjo e ka bërë privatin shumë agresiv, duke u përpjekur të jetë gjithë kohën një sektor për përfitime dhe me përfitime.

Ajo që ne kemi dashur të bëjmë dhe kemi bërë me këtë legjislacion të ri është që të kishim një parim shumë të qartë në bazë që; nuk ka arsim shtetëror apo privat, por ka arsim publik që financohet nga shteti ose privati dhe nuk ka arsim për të nxjerrë përfitime. Ne mendojmë që kjo është qasja e duhur për të pasur një universitet publik më konkurrues dhe po ashtu, një sektor privat në arsim, i cili është dhe komplementar.

Nga ana tjetër, ne gjithashtu kemi dashur dhe kemi nxitur shumë që t’i japim universiteteve më shumë autonomi, por gjithashtu u kemi dhënë atyre edhe mundësinë për të qenë të përgjegjshëm dhe llogaridhënës. Sepse autonomia ishte bërë një hapësirë për mungesë të plotë të llogaridhënies dhe ka qenë një arsim i lartë që nuk bazohej tek performanca.

Kemi pasur një situatë të tmerrshme edhe në sistemin parauniversitar, sepse aty ka pasur korrupsion të shkallës më të madhe në marrjen në punë të mësuesve dhe në largimin nga puna. Po ashtu, edhe një shkallë shumë të lartë të paaftësisë në një numër shumë të madh mësuesish, të cilët nuk jepnin llogari për atë çfarë bënin, por të cilët e kishin përfituar punën me korrupsion. Kur flas për korrupsion, jo vetëm me dhënien e ryshfeteve, por edhe politik partiak.

Ne përdorëm një mundësi tjetër. Kemi krijuar testin kombëtar të mësuesve, i cili krijoi një sistem vlerësimi për mësuesit, si dhe krijoi një bazë online me kreditet e fituara nga çdo mësues, që kërkon të punësohet në sistem. Me pikët e tyre dhe në çdo rast që ka një nevojë të tillë, departamentet në rajone të ndryshme marrin në punë personat nga kjo listë, në bazë të rankimit. Pra, nuk mund të anashkalojmë rankimin dhe të themi jo, sepse ky që është më poshtë është më i mirë se ky që është renditur më lart në listë, apo që ky person do të merret në punë, sepse është me partinë tonë, apo se ka paguar më shumë para.

Një tjetër aspekt i përpjekjes sonë është përsa i përket teksteve dhe kam besim se ne do të arrijmë të bëjmë ndryshime të mëdha. Në të shkuarën kemi bërë një reformë, që ishte trendi ndoshta, për altertekste dhe pastaj kemi përfunduar me qindra e qindra tekste shkollore, të cilat nuk ishin të duhurat. Për shembull, kemi pasur episode të tilla ku në të njëjtën rrugë, në anë të ndryshme të saj kemi pasur dy shkolla, që kishin data të ndryshme për Ditën Kombëtare të Çlirimit, sepse tekstet që u përzgjodhën në këtë treg të lirë ishin shkruar nga historianë të ndryshëm, të cilët kishin mendime të ndryshme për atë se kur ishte çliruar Shqipëria. Pra, nga i njëjti komunitet, fëmijët kishin dy data të ndryshme të çlirimit të Shqipërisë.

Ky është thjesht një shembull nga mijëra shembuj që mund të flasim për tekstet shkollore. Tani, ne po e ndryshojmë situatën tërësisht. Së pari, kemi bërë një proces votimi ku mësuesit kanë hedhur votën e tyre për tekstet. Kemi bërë një përzgjedhje të parë të një sasie shumë të madhe tekstesh shkollore, të cilat kanë dalë jashtë përdorimit, sepse nuk morën përqindjet e duhura të votës që duhet të merrte një tekst që të qëndronte në sistem.

Së dyti, do të prezantojmë tre opsione nga jashtë, nga Oxford, Pearson dhe Cambridge. Unë besoj fort që, ne mund të bëjmë punë të mirë në historinë dhe në gjeografinë e Shqipërisë, në gjuhën e në letërsinë shqipe, por nuk mendoj se duhet të presim që të kemi shkencëtarët më të mirë të mundshëm të Europës, që të hartojnë tekstet. Kështu që, ne i marrim direkt nga burimi. Për ne, fëmijët nuk janë specie laboratorike, të cilët përdoren për potencialet tona shkencore. Në fund të fundit, ne po kërkojmë që të bëhemi shtet anëtar i Bashkimit Europian, pjesë e Familjes Europiane dhe nuk shoh gjë të keqe në transformimin e sistemit arsimor në një sistem që bazohet mbi tekstet më të mira që mund të gjenden në Europë.

Ky është kuadri i situatës në të cilën ne gjendemi. Nuk do të dëshiroja që të bëja një fjalim të gjatë, apo të jem i ndërlikuar. Unë kam qenë profesor, por nuk kam master. Në Shqipëri kemi numrin më të madhe të doktorëve të shkencës dhe masterave, sepse këto kanë qenë në shitje për shumë e shumë vite.

Kështu që, do ta përmbyll me një episod tjetër;

Zakonisht merrja taksi pasmesnate. Është një zakon personal që kur kam qenë kryetar i bashkisë, me anë të të cilit unë shikoja si ishte situata. Çdo 3-4 muaj hipja në taksi dhe i thosha taksistit jepi taksisë dhe thjesht më trego. Dhe taksisti, për një apo dy orë nëpër Tiranë më tregonte çdo gjë. Kështu, ti mund të marrësh vesh çdo gjë. Ato gjëra që nuk t’i thotë Komisioni Europian në vlerësimet e tij, Banka Botërore në studimet e saj për korrupsionin, apo të gjitha OJQ-të e ndryshme që na tregojnë se ku jemi, thjesht i merr nga taksisti për dy orë.

Para disa vitesh fillova të shqetësohesha, sepse nuk gjeja ndonjë taksist pa diplomë dhe të gjithë ishin bërë juristë. Një ditë dikush më tha “e di që ti nuk pranon të të sjell nëpër Tiranë pa para, por sot është dita ime, pasi po festoj, sepse kam mbaruar masterin në juridik”. I thashë, po doktoraturën?. Mu përgjigj se do ta mendonte njëherë. Si ia bën, ku e gjen kohën, e pyeta dhe ai më tha “Nuk është punë kohe. Unë thjesht kam rënë dakord me pronarin e universitet që t’ia çoj fëmijët në shkollë e më pas t’ia sjell në shtëpi dhe gruan kur ka nevojë të bëjë pazar dhe kaq mjafton”.

Ky ishte sistemi i këtyre universiteteve, të cilat prodhuan në Shqipëri një sasi të madhe juristësh, që mendoj se është sasia më e madhe e juristëve për metër katror në Europë.

Rruga është e vështirë dhe e gjatë, por unë besoj se ka ardhur koha që ne të bashkëpunojmë më shumë me njëri-tjetrin në rajon për arsimin. Jam i sigurt që ne po hasim edhe probleme të përbashkëta. Po shikojmë se kemi edhe përvoja të përbashkëta, sepse për shekuj ne kemi luftuar kundër njëri-tjetrit, sepse jemi të njëjtë. Prandaj na duhet që të bashkëpunojmë dhe në të njëjtën kohë na duhet që të kemi një zë të përbashkët përsa i përket miqve dhe partnerëve tanë europianë, në mënyrë që të tregojmë e të flasim sa më shumë për arsimin, sepse nuk mund t’ia dalim të vetëm. Ky do ishte iluzion.

Reformave më të mira në letër nuk iu garantohet zbatimi, në rast se mungon jo vetëm vullneti, por edhe burimet përkatëse. Për shumë vite, ne kemi qenë një rajon që ka prodhuar shumë strategjira, reforma, që për sasi faqesh do të ketë qenë më e larta. Kjo është një teknikë, të cilën e kemi mësuar tashmë, por realiteti është krejtësisht ndryshe. Po të shkoni në çfarëdolloj biblioteke të parlamenteve tona, në Serbi, në Shqipëri, në Mal të Zi, aty do të shikoni vende që i bie të jenë të gatshme për anëtarësim, por realiteti është krejtësisht ndryshe. Që të përkojë legjislacioni me realitetin na duhet në mënyrë të konsiderueshme më shumë vëmendje dhe ndihmë nga Europa. Të gjithë e kemi kuptuar që Europa ka këtë virtyt, që i përkushton para vendeve dhe i merr prej një sektori të caktuar. Nuk kam gjë kundër kësaj, por shpresoj që këto para të mund të përdoren më mirë në rritjen e kapaciteteve dhe së pari e mbi të gjitha, në arsim. Pa arsimin ne kemi për ta parë veten në një situatë jo të mirë shumë shpejt dhe pastaj ka për të qenë tepër vonë.

Faleminderit!

 

***

Ministeriali i Ballkanit Perëndimor për Arsim dhe Trajnim, iniciativë e Bashkimit Europian për të zgjeruar bashkëpunim rajonal në fushën e arsimit zhvilloi takimin e katërt, në Vlorë, në një tryezë të përbashkët me pjesëmarrjen e ministrave të arsimit nga Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia

Qëllimi i Ministerialit të Ballkanit Perëndimor për Arsim dhe Trajnim është të ndihmojë këto vende me reformat e arsimit dhe trajnimit, si dhe të rrisë bashkëpunimin rajonal. Takimet vjetore, të cilat kryesohen nga Drejtori i Përgjithshëm i Arsimit dhe Kulturës pranë Komisionit Europian, synojnë të identifikojnë fushat ku nevojitet bashkëpunimi ose asistenca rajonale. Prioritet aktual i këtij takimi të katërt mes ministrave të Ballkanit ishte arsimi i lartë.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.