Gjatë ndalesës në Tepelenë, Kryeministri Edi Rama inspektoi disa investime të rëndësishme për rehabilitimin e infrastrukturës së qytetit, të harruara e të lënë në një gjendje të mjerueshme.
Me financim të qeverisë janë në përfundim punimet për rikonstruksionin e plotë të sheshit të qytetit dhe rrugës së Kalasë. Rreth 7000 m2 hapësirë janë rikonceptuar në zona pedonale dhe rekreacioni. Është bërë sistemimi i sheshit dhe veshja me pllaka guri, gjelbërimi dhe po punohet për sistemin e ndriçimit.
Rikualifikimi i sheshit të qytetit dhe rrugës hyrëse të Kalasë ndikon ndjeshëm në përmirësimin e lëvizjes, si dhe i jep kësaj hapësire publike një pamje të re e të harmonizuar me Kalanë e Tepelenës. Ky investim merr vlerë edhe më të madhe, pasi do t’u shërbejë edhe vizitorëve vendas e të huaj që vizitojnë qytetin e Tepelenës dhe Kalanë e njohur të Ali Pashës.
Një investim i rëndësishëm për qytetin është edhe rikonstruksioni i rrugës në hyrje të spitalit.
Po ashtu, Kryeministri inspektoi edhe punimet për rikonstruksionin e disa rrugëve në qytetin e Memaliajt, të financuara nga qeveria shqiptare.