Shqipëria po kalon një fazë transformimi të gjithanshëm, ku reformat strukturore, investimet strategjike dhe procesi i integrimit europian po ecin paralelisht për të ndërtuar një shtet më modern, më konkurrues dhe më afër standardeve të Bashkimit Europian. Nga infrastruktura, energjia dhe sektori i ujit, te shëndetësia, arsimi, inovacioni, zhvillimi ekonomik dhe forcimi i institucioneve, ndryshimet e viteve të fundit kanë krijuar baza të reja për rritje të qëndrueshme dhe përmirësim të cilësisë së jetës së qytetarëve.
* * *
Ndërtimi i shtetit të së drejtës funksional dhe i një qeverisjeje demokratike kërkon institucione transparente, llogaridhënëse dhe të aksesueshme për qytetarët. Përmes platformës e-Albania dhe zgjerimit të vazhdueshëm të shërbimeve, ku deri tani 95% e shërbimeve janë online, qytetarët dhe bizneset kanë sot akses të drejtpërdrejtë, të shpejtë dhe të barabartë në shërbimet publike, pa burokraci dhe pa ndërmjetës.
Ky transformim ka reduktuar hapësirat për korrupsion, ka rritur gjurmueshmërinë e proceseve administrative dhe ka forcuar transparencën në marrëdhënien mes qytetarit dhe shtetit. Reformat në drejtim të prokurimeve publike dhe dixhitalizimi i procedurave kanë sjellë standarde më të larta transparence dhe konkurrueshmërie, në përputhje me praktikat dhe legjislacionin e BE-së.