Kryeministri Edi Rama u takua sot në Bruksel me Presidentin e Këshillit Europian Donald Tusk. Në përfundim të takimit, Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti Tusk u prononcuan për mediat:
Kryeministri Edi Rama: Ishte kënaqësi që u takuam me presidentin e Këshillit Europian. E falenderova që na dha mundësinë e këtij takimi me gjithë të gjendurit në një ditë shumë intensive takimesh me kryeministren britanike. Po ashtu, dua t’i shpreh mirënjohjen që është një ndër mbështetësit më të mëdhenj të përafrimit të mëtejshëm të Ballkanit, por edhe të Shqipërisë me Bashkimin Europian.
Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk: Ju faleminderit shumë për vizitën tuaj. Pikësëpari, ju faleminderit për mirëkuptimin, i dashur Kryeministër, i dashur Edi.
Jam vërtet i lumtur t’ju shoh këtu, pasi siç e dini jemi në të njëjtën anë. Për mua është vërtet e rëndësishme që të jem me ju dhe me të gjithë miqtë e mi shqiptarë, sa më i hapur, i sinqertë dhe pozitiv të jetë e mundur.
Kjo nënkupton gjithashtu se bashkëpunimi ynë, bisedimet tona sot dhe në të ardhmen, ishin mbi bashkëpunimin e ardhshëm dhe të ardhmen evropiane.
Siç e dini, keni vetëm miq këtu në Bruksel, ndoshta jo në çdo kryeqytet, por të jeni i bindur që këtu në Këshillin Evropian mund të jeni të sigurt për mbështetjen tonë për përpjekjet tuaja. Dua të rikonfirmoj se ne e vlerësojmë vërtet procesin tuaj të thellë dhe mjaft të guximshëm të reformave.
Ju jeni një nga shembujt më të mirë në rajon të kësaj ambicieje evropiane dhe të kësaj ëndrre evropiane.
Ju faleminderit!