Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e 65 vjetorit të Universitetit Bujqësor të Tiranës:

 

Parafytyroni për një moment sikur profesor Mentor Përmeti të ngjallej e të vinte sot këtu, çfarë do të mendonte duke parë këtë kampus; a do t’ju përqafonte i lumtur që ajo që ai themeloi është zhvilluar më tutje, apo do t’ju mallkonte të gjithëve, që ku u katandis ëndrra e tij.

Natyrisht që kur them “do t’ju”, nuk kam parasysh thjesht ju, njerëzit e këtij universiteti, por kam parasysh gjithë ne. E njëjta gjë, besoj, do të ndodhte edhe sikur të ngjallej Eqerem Çabej e të vizitonte Akademinë e Shkencave. E njëjta gjë do ndodhte sikur të ngjalleshin themeluesit e shumë fakulteteve të tjera e t’i vizitonin ato, mbas 20 e kusur vitesh rrënim i vazhdueshëm.

E nëse është e vërtetë ajo që thotë një shkrimtar anglez, Gilbert Chesterton, – “Qartësimi është shpirti që në shoqëri, një brez ia trashëgon tjetrit”, – atëherë besoj se mund të thuhet me plotë gojën, në këtë 65 vjetor, që periudha e tretë, kjo e 20 e kusur viteve të fundit ka qenë periudha që i është vrarë shpirti i asaj që ishte ëndrra që ngriti këtu në këtë zonë, një qendër ekselence. Një qendër që, edhe në kushte krejt të pafavorshme për shkak të një sistemi që izoloi Shqipërinë, – siç e tha dhe rektori – me dinjitet dhe pa asnjë inferioritet mund të përballej dhe mund të ndërvepronte me qendra ekselence në gjithë botën.

Sot, padyshim që sfida është t’i rikthejmë këtij universiteti, shpirtin dhe fytyrën. Nga një territor ku e vetmja gjë që bie në sy fort është zaptimi e rrënimi, në një territor ku duhet të bjerë në sy ajo që është edhe mrekullia vetë e gjithë kësaj ndërmarrjeje njerëzish, mrekullia e natyrës, mrekullia e prodhimit që krijon bazën jetike për vazhdimësinë e një shoqërie dhe një populli të tërë, ushqimit.

Në këtë universitet, vitet e lavdishme kanë ikur, por kanë lënë pas një eksperiencë të jashtëzakonshme dhe vlera shkencore dhe didaktike të jashtëzakonshme. E mbi të gjitha kanë lënë pas njerëz, të cilët janë sot ende këtu dhe që janë baza mbi të cilën ne sëbashku mund të ndërtojmë gjithë rrugën e rilindjes së këtij universiteti.

Nuk e di a ishte një perceptim i gabuar i imi, apo kam të drejtë, nëse them që pëshpërimat që u kthyen dalëngadalë në zhurmë, kur rektori prezantoi masterplanin, ishin shprehje e mosbesimit, natyrshëm, që gjithë ato pamje prej parajse mund të kthehen në realitet këtu në këtë zonë, që është territor i pushtuar. Ju siguroj që ato pamje mund të kthehen në realitet dhe ju jap fjalën që sëbashku, ato pamje do t’i kthejmë në realitet.

Padyshim që për t’i kthyer ato pamje në realitet, e para duhen ndarë delet nga “pushtuesit”. Kur erdha një pasdite për ta vizituar universitetin, me rektorin, isha i bindur që për interesin e madh të këtij vendi, për interesin e qeverisë që unë drejtoj e po ashtu për interesin e universitetit është e domosdoshme që ne ta shikojmë zhvillimin e mëtejshëm të bujqësisë, të blegtorisë e zhvillimit rural në tërësi, si një zhvillim që nuk mund të pasqyrojë ambicien tonë, nëse ky universitet nuk bëhet qendra e gravitetit të atij zhvillimi.

Nuk mund ta çojmë përpara Shqipërinë në sektorin e fshatit, duke u bazuar tek drejtoritë e bujqësisë. Ne mund ta çojmë përpara Shqipërinë në sektorin e fshatit, duke e vendosur këtu gravitetin e zhvillimit, që nga kompaktësia e vizionit të qeverisë me vizionin e njerëzve që dinë se çfarë është zhvillimi rural dhe që njohin në detaje këtë proces, në aspektin didaktik dhe tek ai shkencor. E kemi të pamundur t’i lejojmë vetes luksin që gjithë këtë dije të madhe që është në kokat tuaja ta lëmë jashtë dyerve të hapësirës ku jo vetëm përpunojmë politikat tona, por mbi të gjitha ku na duhet të mbështesim politikat tona në terrenin konkret.

E ma merr mendja se në frymën e reformës së Arsimit të Lartë dhe me vendosmëri për të ndërtuar një urë shumë solide bashkëpunimi mes qeverisë, Ministrisë së Bujqësisë e Zhvillimit Rural dhe këtij universiteti, ne mund të synojmë në një kohë të shpejtë, – rektori tha vitin 2030, por mua nuk ma merr mendja se vetë personalisht kam durim deri në 2030-n dhe këtu ka plotë të tjerë që do të donin që kjo të ndodhte shumë më shpejt, – për të vendosur në këtë universitet, në themel, procesin që lidh dijen me tregun e për t’i dhënë një transformim rrënjësor praktikës që përmban gjithë procesi i mësimdhënies dhe i mësimnxënies, nga një praktikë e mbyllur tek libri, në një praktikë ku vetë studenti është jo vetëm objekt i mësimdhënies, por dhe subjekt i një procesi që duhet të shtrihet në territor. Duhet të shtrihet në territorin e kampusit, duhet shtrihet në territorin e vendit.

Universiteti i është nënshtruar një procesi akreditimi nga agjencia britanike, që ne kemi kontraktuar për të bërë akreditimin e universiteteve. Shpresoj shumë që nga ky proces akreditimi, universiteti t’ia dalë me sukses që të akreditohet e kështu, i akredituar të jetë një bazë e rëndësishme për të zhvilluar gjithë planet dhe masterplanin strategjik, të paraqitur këtu nga rektori.

Nga ana tjetër, besoj edhe ju bini dakord me mua, në rekrutimet e këtij viti ka një rritje të cilësisë, për shkak të reformës. Reformë që riktheu dinjitetin e maturës shtetërore, duke e shndërruar nga një proces banal administrimi, në një proces me standard të unifikuar cilësie dhe në anën tjetër, zbatimi i platformës hyrëse në arsimin e lartë, që garanton transparencë e që vendos meritën si instrumentin bazë për të vazhduar studimet e larta.

Këtu shoh një numër të madh njerëzish të shkencës, të cilët kanë kaluar më parë eksperiencën e të shkuarit në universitet. Dua t’ju çoj pak mbrapa në kohë, kur secili nga ju ka qenë tek dyert e universiteti, mbasi ka mbaruar shkollën e mesme. A ju kujtohet që ndonjëri me mesataren 6-të të pretendonte të hynte në universitet; A mbani mend ndonjë me 7-të, që t’i shkonte në mendje se mund të hynte në universitet; A e keni parasysh se çfarë hiqnin ata me mesatare 8-të, që të mund të hapnin një derë për të hyrë në universitet?

Tani, a e kuptoni se çfarë na ka ndodhur në 25 vjet, që diskutojmë stresin e atyre me 5.1, të cilët nuk po hyjnë dot në universitet. Na janë mërzitur ngelësit e na janë shqetësuar prindërit dhe një ankth i madh e ka përfshirë shoqërinë se ata me 5.1 nuk marrin dot diplomë për t’u bërë inxhinierë, juristë e profesorë. Ky është kiameti që na ka ndodhur. Ndërkohë që ne jemi të vetëdijshëm që mesatarja 6, që sot konsiderohet një tavan që pengon liritë e të drejtat e njeriut, është një nivel qesharak në raport me ambicien tonë, por është vetëm fillimi i një procesi që duhet ta rikthejë plotësisht rrugën drejt dyerve të universitetit në një rrugë të atyre që e meritojnë të hynë në universitet.

E ndërkohë duhet të konsolidojë edhe rrugën tjetër, të atyre që nuk kanë nevojë të shkojnë me çdo kusht në universitet, sepse mbi të gjitha bëhen viktimat e zgjedhjes së gabuar, për shkak se nuk janë për atë punë, por duhet të synojnë arsimin profesional dhe të ndërtojnë një jetë dinjitoze si njerëz të zanatit e të profesionit. Sepse nuk është vetëm Universiteti Bujqësor, vendi ku secili që lidhet me sferën e zhvillimit të fshatit, bujqësisë e të blegtorisë duhet të vijë, por duhet të jenë dhe shkollat profesionale për teknikët e mesëm. Për ata, të cilët janë një kategori e pazëvendësueshme dhe e patjetërsueshme që ne e kemi zhdukur komplet nga faqja e dheut, duke ua bërë njerëzve në territor të pamundur që të kenë një asistencë minimale teknike në çdo zonë të vendit.

Patjetër që në këtë proces qëllimi është jo thjesht që studentët të hynë në shkollë e të marrin dije brenda katër mureve, por që universiteti të kthehet në një faktor dhe aktor në rrugën e zhvillimit dhe në konkurrencën e tregut. Kush më shumë e kush më mirë se çdo universitet tjetër në Shqipëri, për shkak të natyrës së vet, mund ta bëjë rolin e aktorit dhe faktorit në rrugën kombëtare të zhvillimit të sektorit, por edhe në treg; Kush më shumë sesa Universiteti Bujqësor mund të përfitojë para; Kush më shumë sesa pedagogët e Universitetit Bujqësor mund të rrisin shpërblimin për punën e tyre shkencore, për arsye se ky është një universitet që për natyrë është i lidhur me prodhimin.

Ky është një universitet që në kohëra të tjera prodhonte, shiste, fitonte, pavarësisht se të ardhurat nuk administroheshin nga vetë universiteti, për shkak të atij sistemi që ishte. Ndërkohe që sot, me reformën e Arsimit të Lartë, një nga shtyllat themelore që e transformon universitetin është mundësia për të qenë aktor në treg.

Sa konsulenca bën Universiteti Bujqësor për qeverinë shqiptare? Zero! Sa duhet të bëjë? Të gjitha!

Sa përfshihen pedagogët e universitetit, dijetarët e universitetit, departamentet e universitetit, për të asistuar qeverinë shqiptare në të gjithë zinxhirin e rrugës së politikave të zhvillimit që kanë të bëjnë me këtë universitet? Zero!

E për çfarë duhet që paratë e konsulencave, paratë e asistencave, paratë e bashkëpunimeve t’i marrin specialistë të huaj, që vijnë dhe shpesh herë hyjnë e dalin ashtu, pa u parë dhe pa u kuptuar dhe lënë mbrapa ca raporte dhe ca studime që nuk i duhen as dreqit. Pse kjo mos të bëhet këtu?! Pse fakultetet, departamentet, grupet e punës shkencore këtu mos të jenë mbështetja jonë e parë dhe kryesore për implementimin e çdo politike? Pse mos të jetë Universiteti Bujqësor, bashkëpunëtori jonë më i ngushtë për të përcjellë në çdo zonë ku ka zhvillim bujqësor e blegtoral, dije dhe mbi të gjitha, atë emancipim të domosdoshëm, pa të cilin ne nuk e zhvillojmë dot në mënyrë intensive kudo fshatin, bujqësinë e blegtorinë.

Të gjitha këto “pse” nuk kanë në fakt një përgjigje, ose më saktë e kanë përgjigjen tek sistemi që ne e shembëm me reformën dhe mund të marrin përgjigje pozitive, nëse shfrytëzohet ky sistem që ne kemi ngritur, që universitetit i jep autonomi shumë të fortë dhe i krijon kushtet që të mos jetë vetëm me syrin nga studenti, por bashkë me studentin të jetë një aktor me syrin nga tregu.

Pse të mos të marrin këtu shërbime konsulence, sipërmarrësit në bujqësi dhe  blegtori? Pse mos të vijnë këtu e të marrin asistencë, fermerët? Gjithçka duke e paguar, jo falas. Pse mos të jetë ky territor, vendi ku mund të shikosh jo masterplanin e vitit 2030 , por si do jetë bujqësia e 2030-s në Shqipëri? Për këdo që do të shikojë si do jetë Shqipëria e vitit 2030, të futet në këtë territor dhe ta gjejë këtu, Shqipërinë rurale të 2030-ës, me të gjitha planet, me të gjitha projektet dhe me të gjitha eksperimentet, që presim të kthehen në produkt masiv, apo të implementohen në territor në të gjithë ato nivele dhe aspekte që janë të përshkruara në organigramën e universitetit, e cila është vërtet fantastike për nga horizonti i problemeve që trajton për zhvillimin rural.

Dikush nga ju mund të thotë se këto fjalë duken goxha të qëlluara për 65 vjetorin, por se kemi 25 vjet që na kanë zaptuar. Zaptuesit do ikin nga universiteti, që të gjithë. Çdo godinë, çdo ngrehinë që nuk i takon universitetit do shembet dhe çdo person, çdo familje që nuk ka lidhje me universitetin do largohet. Ky territor do bëhet atdheu i ekselencës shqiptare të zhvillimit rural. Sigurisht, me të gjitha mjetet ligjore, demokratike, por pa humbur kohë. Sepse kohë është humbur 25 vjet dhe jo vetëm është humbur. Do kishte qenë gjysma e të keqes, sikur të kishte ndaluar koha dhe këtu të ishin vënë çelësat e të mos kishte ndërhyrë njeri. Por këtu, 25 vjet janë përdorur për ta shkatërruar totalisht, jo për ta lënë siç ishte. Kur më përcolli rektori, pashë nja 5 a 6 dele atje, që kishin mbetur nga ato të eksperimenteve. Më shumë kishte makina sesa dele. Vetura që vinin aty bashkë me delet dhe i ngatërronin rrugën njëri-tjetrit.

E kemi parë e diskutuar me rektorin disa herë, e kemi debatuar masterplanin dhe do fillojmë paralelisht çlirimin nga “pushtuesit” dhe rindërtimin. Ju mund të qeshni, por për Universitetin Bujqësor jeni përpara 29 nëntorit. Nuk ju ka ardhur ende 29 nëntori, jeni të rrethuar, jeni të pushtuar dhe punoni për llogari të familjeve tuaja, por për fat të keq nuk ju jepet mundësia që të punoni për llogari të atdheut tonë të përbashkët dhe kjo është gjëja që ne duhet të bëjmë sëbashku.

Nëse ju ndihmon një ëmbëlsirë në fund të këtij fjalimi të hidhur, unë do t’ju thosha që do t’ju rrisim rrogat. Por nëse për pedagogët e matematikës apo ata të letërsisë, rroga është gjithçka, për pedagogët e Universitetit Bujqësor, rroga duhet të jetë vetëm baza. Sepse ky universitet i ka të gjitha mundësitë që të bëhet një nga ndërmarrjet më fitimprurëse në Shqipëri, jo për qëllime fitimi, por për t’i marrë paratë dhe për t’i futur qoftë për të stimuluar stafet, qoftë për të stimuluar kërkimin shkencor.

Atje, jashtë mureve të këtij territori të pushtuar ka dhjetëra mijëra njerëz që kanë nevojë për ju. Ka një Shqipëri të tërë që ka nevojë për ju, një popull të tërë në fshat, të cilin ju mund të ndihmoni, aq sa nuk e ndihmon dot as qeveria, as ministria, as drejtoritë bujqësore e askush tjetër. Duhet vetëm që puna e këtij universiteti të organizohet me këtë qëllim dhe studentët duhet të ndjehen njerëzit më të privilegjuar në Shqipëri. Nuk e them kot që jam në këtë universitet, sepse ky është një universitet që kur e mbaron, mund të ngelesh i papunë vetëm në qoftë se nuk do të punosh. Nuk ka shans që me dijet e marra këtu dhe nëse rruga e dijes kombinohet me rrugën e fshatit, nëse puna në auditor kombinohet me praktikën pranë një fshatari që ka nevojë të dëgjojë se përse nuk duhet t’i bjerë gjatë, por ka një rrugë më të shkurtër, atëherë pa diskutim, çdo student i këtij universiteti, nesër i ka disa rrugë, jo një të vetme, për të jetuar me punë të ndershme.

Së bashku, jam i bindur ne mund të mos bëjmë gjithçka që sot kemi të drejtën të ëndërrojmë për këtë universitet në një kohë të shkurtër, por brenda një kohe të shkurtër, ju do vini këtu, njësoj si ata që dolën nga shtëpitë pas 29 nëntorit.

Shumë faleminderit!

 

***

Universiteti Bujqësor i Tiranës shënon 65 vjetorin e themelimit të tij. Në kremtimin e këtij eventi në ambientet e UBT u prezantua nga rektori Bahri Musabelliu, edhe masterplani për ristrukturimin e këtij universiteti deri në vitin 2030.

Profesor Musabelliu vlerësoi punën e bërë nga UBT në këtë rrugëtim, ndërsa nënvizoi se synimi është që universiteti të mos ngelet thjesht në funksionin e tij akademik, por të shërbejë si një mundësi konsulence për politikat zhvillimore të fshatit dhe fermerë. “Universiteti jonë sot renditet i dyti në Shqipëri për numrin e projekteve të fituara në kuadrin e projekteve europiane të mësimit dhe kërkimit. Universiteti Bujqësor po diversifikon diplomat në përputhje me kërkesat e tregut të punës”, – u shpreh prof. Musabelliu.

Masterplani i vitit 2030 parashikon zgjerimin e kampusit universitar me godina të reja dhe modernizimin e atyre ekzistuese, do të ofrojë kushtet e praktikës në terren, ambiente didaktike e parqe për studentët.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.