Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

URDHËR

“PËR

MARRJEN E MASAVE TË VEÇANTA NË PARANDALIMIN E PËRHAPJES SË INFEKSIONIT TË SHKAKTUAR NGA COVID-19”

Në zbatimi të nenit 7, pika 4 të ligjit Nr. 15/2016 “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”, si dhe udhëzimit të Institutit të Shëndetit Publik me qëllim parandalimin e përhapjes së infeksionit të shkaktuar COVID-19 në Republikën e Shqipërisë dhe mbrojtjen e shëndetit të popullatës, me propozim të Komitetit të Ekspertëve dhe Institutit të Shëndetit Publik:

URDHËROJ:

1. Mbylljen për publikun deri në datë 03/04/2020 të:
a. ambienteve që ofrojnë shërbim lokale nate;
b. të ambienteve të mbyllura të dedikuara për argëtimin e fëmijëve dhe të rinjtë, aktiviteteve në palestra, qendra sportive, pishina, qendra interneti, qendra kulturore dhe qendra argëtimi.

2. Ndalimin deri në datë 03/04/2020 të:
a. aktiviteteve sportive, sociale dhe kulturore;
b. ekskursioneve mësimore të organizuara prej institucioneve shkollore me destinacion brenda ose jashtë vendit;
c. procedurave të konkursit për punësim personeli, konkurse shkollimi dhe specializimi.

3. Gjatë ditës, aktivitetet e bareve, restoranteve, lokaleve të ofrojnë shërbim për klientët duke respektuar distancën prej së paku dy metrash ndërmjet tavolinave në vendet ulur, dhe në çdo rast të garantojnë distancën prej së paku një metër të njeriut nga njeriu.

4. Institucionet publike dhe private, të hartojnë sipas fushës së përgjegjësisë së tyre brenda datës 11.03.2020 një plan masash për sigurimin e ofrimit të shërbimeve prioritare, duke prioritizuar kategorinë e shërbimit kryesisht nëpërmjet ofrimit të shërbimit online, punës në distancë dhe vetëm në raste të domosdoshme të ofrojnë shërbimin nëpërmjet kontaktit fizik. Për shërbimet për të cilat nevojitet kontakti i drejtpërdrejtë me publikun institucionet duhet të pajisin punonjësit me mjete pune mbrojtëse me qëllim ruajtjen e shëndetit të tyre. Institucionet publike që ofrojnë shërbime pritjeje për publikun në sportel të marrin masa për të shfrytëzuar maksimalisht shërbimet online dhe platformën e-albania.

5. Për shërbimet publike për të cilat kërkohet kontakt të afërt me publikun është, institucionet duhet të pajisin punonjësit me mjete mbrojtëse , me qëllim ruajtjen e shëndetit të tyre.

6.Organet e shërbimit postar duhet të garantojnë vazhdimësinë e shërbimit dhe të hartojnë një plan masash për të kufizuar kontaktet e punonjësve me publikun dhe për të shmangur grumbullimin e publikut në sportele apo ambiente të tjera të brendshme.

7. Detyrohen të gjithë personat që kanë hyrë në Shqipëri nga zona me rrezik epidemiologjik të identifikuara si të tilla prej Organizatës Botërore te Shëndetësisë, të plotësojnë skedën e udhëtarit në pikat hyrëse kufitare dhe të vetëkarantinohen detyrimisht për një periudhë 14 ditore nga data e hyrjes në kufi.

8. Ngarkohet për zbatimin e këtij urdhri Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, Instituti i Shëndetit Publik, Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, njësite e qeverisjes lokale, institucionet publike dhe private të përfshira në këtë Urdhër.

12. Inspektorati Shtetëror Shëndetësor organizon punën me strukturat e Policisë së shtetit për zbatimin e këtij Urdhëri dhe merr masat administrative sipas legjislacionit në fuqi.

Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë dhe zbatohet deri në datë 03/04/2020.

 

MINISTRI
Ogerta Manastirliu

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.