Vendime të miratuara në mbledhjen e datës 2 prill 2014
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E MËNYRËS SË REALIZIMIT TË KONTROLLIT MJEKËSOR BAZË PËR SHTETASIT E MOSHËS 40-65 VJEÇ
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 12, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kontrolli mjekësor bazë është një program kombëtar që synon depistimin e popullatës për faktorët e rrezikut dhe sëmundjet prevalente me qëllim kujdesin për shëndetin, parandalimin e sëmundjeve dhe komplikacioneve, zbulimin e hershëm të çrregullimeve, mjekimin në fazat e hershme dhe përmirësimin e kulturës shëndetësore.
2. Të gjithë shtetasit e grupmoshës 40-65 vjeç me qëndrim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë, përfitojnë pa pagesë nga programi kombëtar i kontrollit mjekësor bazë. Identifikimi i shtetasve të grupmoshës 40-65 vjeç me qëndrim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë realizohet nga të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të regjistrit elektronik, që administrohet nga mjekët e përgjithshëm të qendrave shëndetësore.
3. Paketa e kontrollit mjekësor bazë përfshin këta komponentë:
a) Vlerësim, këshillim, trajtim dhe ndjekje për faktorët e stilit të jetesës:
i. Puna që kryen apo ka kryer;
ii. Ushqyerja;
iii. Konsumimi i duhanit;
iv. Konsumimi i alkoolit;
v. Niveli i stresit dhe depresionit.
b) Matje, vlerësim, këshillim, referim dhe ndjekje e parametrave fiziologjikë:
i. Tensioni arterial;
ii. Pesha trupore;
iii. Aktiviteti i zemrës.
c) Matje, vlerësim, këshillim, trajtim, referim dhe ndjekje e parametrave biokimikë:
i. Formula e gjakut;
ii. Hb, HCT, MCV, MCH, MCHC;
iii. Kolesteroli total, HDL kolesterol, LDL kolesterol, trigliceride;
iv. Glicemia;
v. Feçe për gjak okult;
vi. Albuminuria, prania e qelizave, cilindrave, kristaleve në urinë;
vii. Bilirubinë totale dhe direkte, transaminaza (SGPT, SGOT).
4. Ministria e Shëndetësisë harton protokollet e realizimit të çdo komponenti të paketës së kontrollit mjekësor bazë dhe udhëzuesin e kritereve e të lëvizjes së shtetasve në sistemin shëndetësor për përfitimin e këtij kontrolli.
5. Ministria e Shëndetësisë miraton institucionet shëndetësore ku do të realizohen pjesë të ndryshme të paketës së kontrollit mjekësor bazë, duke garantuar mbulesën e plotë të grupmoshës së përcaktuar në pikën 2, të këtij vendimi, bazuar në popullsinë e zonës së mbulimit, distancat e infrastrukturën, si dhe disponueshmërinë e shpërndarjen e personelit mjekësor e atij mbështetës.
6. Mjeku i familjes/qendra shëndetësore pranë të cilit janë regjistruar shtetasit që përfitojnë të drejtën për kontroll mjekësor bazë sipas këtij vendimi, njofton shtetasit për kryerjen e këtij kontrolli periodik vjetor, sipas një grafiku të bazuar në muajin e lindjes.
7. Fondi i Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor lidh kontratën për financimin e shërbimit të kontrollit mjekësor bazë me operatorë të përzgjedhur sipas dispozitave të ligjit nr.125/2013, “Për koncensionet dhe partneritetin publik privat”. Kontrata duhet të rregullojë e të përcaktojë, në mënyrë të hollësishme, formën e dhënies së këtij shërbimi dhe mënyrën e pagesës së tij.
8. Informacioni i gjeneruar nga programi i kontrollit mjekësor bazë, bazuar në formularin përkatës, i cili miratohet me urdhër të ministrit të Shëndetësisë, përbën Regjistrin Kombëtar të Kontrollit Mjekësor Bazë, të vendosur në Institutin e Shëndetit Publik. Mënyra e grumbullimit, përpunimit, analizës dhe diseminimit, si dhe aksesit në të dhënat e Regjistrit të Kontrollit Mjekësor Bazë përcaktohen me udhëzim të ministrit të Shëndetësisë.
9. Programi i kontrollit mjekësor bazë fillon të zbatohet brenda vitit 2014.
10. Ministria e Shëndetësisë përcakton mesazhin, mjetet e identifikimit, planin, kanalet e komunikimit, shtrirjen dhe kohëzgjatjen e fushatës së informimit dhe komunikimit për pjesëmarrjen e popullatës në programin e kontrollit mjekësor bazë.
11. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Fondin e Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor.
12. Ngarkohen Ministria e Shëndetësise, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Fondi i Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor dhe Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES SHTESË TË FINANCIMIT DHE PROJEKTIT, TË NËNSHKRUAR MË 13 DHJETOR 2007, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE E UJËSJELLËS – KANALIZIME SHKODËR, DHE KFW FRANKFURT AM MAIN, PËR FINANCIMIN E PROGRAMIT “MBROJTJA MJEDISORE E LIQENIT TË SHKODRËS”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 17 e 23, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes shtesë të financimit dhe projektit, të nënshkruar më 13 dhjetor 2007, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave e Ujësjellës – Kanalizime Shkodër, dhe KfW Frankfurt am Main, për financimin e programit “Mbrojtja mjedisore e liqenit të Shkodrës”, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E AUTORIZIMIT PËR NDËRTIMIN DHE SHFRYTËZIMIN E CENTRALIT ELEKTRIK FOTOVOLTAIK TË SHOQËRISË “UKKO” SH.A.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 34/1, tё ligjit nr.9072, datё 22.5.2003, “Pёr sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, dhe të vendimit nr.1701, datё 17.12.2008, të Këshillit të Ministrave, “Pёr procedurat e dhënies sё autorizimeve pёr ndërtimin e objekteve tё reja gjeneruese tё energjisë, qё nuk janë objekt koncesioni”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e autorizimit për ndërtimin dhe shfrytëzimin e centralit elektrik fotovoltaik të shoqërisë “UKKO”, sh.a., sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohet Ministria e Energjisë dhe Industrisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E REKOMANDIMEVE NË LUFTËN KUNDËR KRIMINALITETIT
PËR VITIN 2014
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 54, pika 1, të ligjit nr.8737, datë 12.2.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rekomandimeve në luftën kundër kriminalitetit për vitin 2014, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohet ministri i Drejtësisë t’i përcjellë menjëherë Prokurorit të Përgjithshëm rekomandimet e miratuara.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.199, DATË 11.1.2012, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MASËN E FINANCIMIT, KRITERET DHE PROCEDURAT E ZBATIMIT TË PROGRAMIT TË NXITJES SË PUNËSIMIT TË PUNËKËRKUESVE TË PAPUNË QË HYJNË PËR HERË TË PARË NË PUNË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 4 dhe 8, të ligjit nr.7995, datë 20.9.1995, “Për nxitjen e punësimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.199, datë 11.1.2012, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në titullin e vendimit, fjalët “… që hyjnë për herë të parë në punë …” zëvendësohen me “… të rinj …”.
2. Kudo në vendim, emërtimet “Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta” dhe “Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës” zëvendësohen përkatësisht me “Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë…” dhe “Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes”.
3. Pika 1 riformulohet, si më poshtë vijon:
“1. Përfitues të këtij programi janë punëkërkues të rinj nga mosha 16 – 30 vjeç. Zyra përkatëse e punësimit financon:
a) punëdhënësin, me një financim mujor në masën deri në 100 për qind të kontributeve të sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore (pjesë e kontributit të punëdhënësit), me kusht që kohëzgjatja e kontratës së punës të mos jetë më e shkurtër se një vit. Ky financim bëhet nga zyra e punësimit në drejtorinë rajonale të sigurimeve shoqërore, sipas procedurave përkatëse;
b) punëmarrësin e përfshirë sipas këtij programi, me katër paga në masën 100 për qind të pagës minimale në shkallë vendi, në muajt e pestë e të gjashtë dhe në muajt e njëmbëdhjetë e të dymbëdhjetë të kontratës, ndërsa për muajt e tjerë financon punëdhënësi.
Punëdhënësit, persona juridikë apo fizikë, kanë të drejtë të kërkojnë të përfshijnë në program:
i. deri në 100 për qind të numrit aktual mesatar të të siguruarve në tre muajt e fundit, në rast se kanë deri në 50 punonjës;
ii. deri në 50 për qind të numrit aktual mesatar të të siguruarve në tre muajt e fundit, në rast se kanë mbi 50 punonjës.”.
4. Në fund të pikës 2 shtohet fjalia, me këtë përmbajtje
“Publikimi i programit bëhet, gjithashtu, me të gjitha mjetet e mundshme elektronike dhe joelektronike.”
5. Në pikën 3 hiqen fjalët “… verifikuar nga Inspektorati i Punës …”.
6. Në pikën 4 bëhen këto shtesa:
a) Në përmbajtjen e shkronjave “a” dhe “d” pas fjalës “… juridik …” shtohen “… dhe fizik …”.
b) Në fund të nënndarjes “v”, të shkronjës “dh” shtohet nënndarja “vi”, me këtë përmbajtje:
“vi. akte të inspektimit në punë, të kryera nga Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore.”.
7. Pika 6 riformulohet, si më poshtë vijon:
“ 6. Punëdhënësit mund të aplikojnë për programin në mënyrë elektronike apo pranë zyrave të punësimit.”.
8. Në pikën 10, pas fjalës “… organizimit …” shtohen fjalët “… vlerësimit të projekteve …”.
9. Pika 11 riformulohet, si më poshtë vijon:
“11. Komisionet e miratimit të projekteve në zyrën rajonale të punësimit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Kombëtar të Punësimit vendosin miratimin ose jo të projektit brenda 10 (dhjetë) ditëve pune.”.
10. Në pikën 17 hiqen fjalët “… në bashkëpunim me inspektoratin rajonal/vendor të punës …”.
11. Në pikën 18, pas fjalës “… punëdhënësi …” hiqen “… dhe vlerësimit të Inspektoratit të Punës për shkaqet e zgjidhjes së kontratës …”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E SIMBOLIT TË SHËRBIMIT KOMBËTAR TË PUNËSIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.7995, datë 20.9.1995, “Për nxitjen e punësimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
1. Miratimin e simbolit të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, sipas konfiguracionit të aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Vendimi nr.118, datë 4.4.2002, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e simbolit të Shërbimit Kombëtar të Punësimit”, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.804, DATË 21.11.2007, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES SË PERSONELIT TË POLICISË SË SHTETIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 49 e 52, të ligjit nr.9749, datë 4.6.2007, “Për Policinë e Shtetit”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në rregulloren e Policisë së Shtetit, miratuar me vendimin nr.804, datë 21.11.2007, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në nenin 14, bëhen ndryshimet dhe shtesa e mëposhtme:
a) Pikat 2 dhe 3 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“2. Rezultatet e testit me shkrim shpallen brenda të njëjtës ditë, kur zhvillohet testimi. Aplikantët që kanë marrë 50% të pikëve të përcaktuara për testin me shkrim njoftohen për të vazhduar procesin e testimit. Rezultatet e testit me shkrim ruhen në dosjen e aplikantit dhe përbëjnë 50% të rezultatit të përgjithshëm të tij.
3. Aplikantët që nuk arrijnë 50% të pikëve të nevojshme të testit me shkrim kanë të drejtë të riaplikojnë për t’u pranuar në Polici me shpalljen e radhës së vendeve të lira.”.
b) Pas pikës 3 shtohet pika 4, me këtë përmbajtje:
“4. Nëse për aplikantët që u përkasin minoriteteve, nga pikët e grumbulluara në testimin me shkrim nuk arrihet kuota prej minimalisht 2%, sipas nenit 19, do të njoftohen për të vazhduar procesin e testimit kandidatët e tjerë, sipas rendit zbritës, pavarësisht pikëve të testimit me shkrim.”.
2. Pas pikës 4, të nenit 19, shtohet pika 5, me këtë përmbajtje:
“5. Minimalisht 2 % e kandidatëve që pranohen në Polici të jenë nga minoritetet. Kur në listën respektive nuk ka kandidatë të mjaftueshëm për të plotësuar këtë kuotë, deri në plotësimin e saj kandidatët do të pranohen bazuar në listën e rezultateve të arritura sipas rendit zbritës, pavarësisht rezultatit të përgjithshëm të aplikantit.”.
3. Ngarkohet Ministria e Punëve të Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E MASËS SË FINANCIMIT, NGA BUXHETI I VITIT 2014, PËR BASHKËSITË FETARE TRADICIONALE QË KANË NËNSHKRUAR MARRËVESHJE ME KËSHILLIN E MINISTRAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 4 e 6, të ligjit nr.10140, datë 15.5.2009, “Për financimin nga buxheti i shtetit të bashkësive fetare tradicionale që kanë nënshkruar marrëveshje me Këshillin e Ministrave”, të nenit 5, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të ligjit nr.185/2013, datë 30.12.2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Masa e financimit prej 108 900 000 (njëqind e tetë milionë e nëntëqind mijë) lekësh, nga buxheti i shtetit i vitit 2014, i miratuar për të mbështetur financiarisht bashkësitë fetare, përdoret sipas ndarjes së mëposhtme:
a) Komuniteti Mysliman i Shqipërisë përfiton shumën 31 416 000 (tridhjetë e një milionë e katërqind e gjashtëmbëdhjetë mijë) lekë, të ndarë përkatësisht:
i. 11 748 000 (njëmbëdhjetë milionë e shtatëqind e dyzet e tetë mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 89 punonjës të administratës;
ii. 19 668 000 (nëntëmbëdhjetë milionë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e tetë mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 149 punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.
b) Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë përfiton shumën 25 872 000 (njëzet e pesë milionë e tetëqind e shtatëdhjetë e dy mijë) lekë, të ndarë përkatësisht:
i. 20 592 000 (njëzet milionë e pesëqind e nëntëdhjetë e dy mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 156 punonjës të administratës;
ii. 5 280 000 (pesë milionë e dyqind e tetëdhjetë mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 40 punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.
c) Kisha Katolike në Shqipëri përfiton shumën 25 872 000 (njëzet e pesë milionë e tetëqind e shtatëdhjetë e dy mijë) lekë, të ndarë:
i. 5 676 000 (pesë milionë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 43 punonjës të administratës;
ii. 20 196 000 (njëzet milionë e njëqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 153 punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.
ç) Kryegjyshata Botërore Bektashiane përfiton shumën 25 740 000 (njëzet e pesë milionë e shtatëqind e dyzet mijë) lekë, të ndarë:
i. 3 696 000 (tre milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë) lekë, për financimin deri në gjysmën e pagës minimale buxhetore për 28 punonjës të administratës;
ii. 15 044 000 (pesëmbëdhjetë milionë e dyzet e katër mijë) lekë, për ndërtimin e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane (Odeonit);
iii. 7 000 000 (shtatë milionë) lekë, për shkak të pozitës së veçantë, si Kryegjyshatë Botërore me qendër në Tiranë dhe të shtrirjes së veprimtarisë së saj jashtë vendit, që do të përdoret për të mbuluar plotësisht ose pjesërisht kërkesëpreventivat e paraqitur prej saj në kërkesën e vitit 2014, sipas dokumentacionit financiar të paraqitur për kryerjen e veprimtarive të parashtruara.
2. Kalimi i fondit të bëhet brenda muajit prill të vitit 2014.
3. Ngarkohen Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Financave dhe Komiteti Shtetëror për Kultet për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.27, DATË 11.1.2012, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PROGRAMIN E NXITJES SË PUNËSIMIT TË FEMRAVE NGA GRUPET E VEÇANTA”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 8, të ligjit nr.7995, datë 20.9.1995, “Për nxitjen e punësimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.27, datë 11.1.2012, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Kudo në vendim, emërtimi “Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta….” zëvendësohet me “Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë…” dhe emërtimi “Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës” zëvendësohet me “Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes”.
2. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Përfitues të këtij programi janë femrat punëkërkuese nga grupet e veçanta, të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi. Zyra përkatëse e punësimit financon:
a) punëdhënësin, me një financim mujor në masën deri në 100 për qind të kontributeve të sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore (pjesë e kontributit të punëdhënësit), me kusht që kohëzgjatja e kontratës së punës të mos jetë më e shkurtër se një vit. Ky financim bëhet nga zyra e punësimit në drejtorinë rajonale të sigurimeve shoqërore, sipas procedurave përkatëse;
b) punëmarrësin e përfshirë sipas këtij programi, deri në katër paga, në masën 100 për qind të pagës minimale në shkallë vendi, në muajt e pestë e të gjashtë dhe në muajt e njëmbëdhjetë e të dymbëdhjetë të kontratës, ndërsa për muajt e tjerë financon punëdhënësi.
Punëdhënësit, persona juridikë apo fizikë, kanë të drejtë të kërkojnë të përfshijnë në program:
i. deri në 100 për qind të numrit aktual mesatar të të siguruarve në tre muajt e fundit, në rast se kanë deri në 50 punonjës;
ii. deri në 50 për qind të numrit aktual mesatar të të siguruarve në tre muajt e fundit, në rast se kanë mbi 50 punonjës.”.
3. Në pikën 3 hiqen fjalët “… verifikuar nga Inspektorati i Punës …”.
4. Në fund të pikës 4 shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Publikimi i programit bëhet, gjithashtu, me të gjitha mjetet e mundshme elektronike dhe joelektronike.”.
5. Në pikën 5 bëhen këto ndryshime:
a) Në shkronjat “a” dhe “d” pas fjalës “ … juridik …” shtohen “…dhe fizik…”.
b) Pas nënndarjes “v” të shkronjës “dh” shtohet nënndarja “vi”, me këtë përmbajtje:
“vi. akte të inspektimit në punë, të kryera nga Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore.”.
6. Pika 7 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“7.Punëdhënësit mund të aplikojnë për programin në mënyrë elektronike apo pranë zyrave të punësimit.”.
7. Në pikën 10, pas fjalës “…. organizimit …” shtohen “…, vlerësimit të projekteve…”.
8. Në paragrafin e dytë të pikës 15 hiqen fjalët “… në bashkëpunim me inspektoriatin rajonal/vendor të punës…”.
9. Në fund të pikës 16 hiqen fjalët “… dhe vlerësimit të Inspektoratit Shtetëror të Punës për shkaqet e zgjidhjes së kontratës …”.
10. Pika 11 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“11. Komisionet e miratimit të projekteve në zyrën rajonale të punësimit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Kombëtar të Punësimit vendosin miratimin ose jo të projektit brenda 10 (dhjetë) ditëve pune.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.47, DATË 16.1.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PROGRAMIN E NXITJES SË PUNËSIMIT, NËPËRMJET FORMIMIT NË PUNË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4, 8, 11 e 12, të ligjit nr.7995, datë 20.9.1995, “Për nxitjen e punësimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.47 datë 16.1.2008, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Kudo në vendim, emërtimet “Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta” dhe “Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës” të zëvendësohen përkatësisht me “Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë” dhe me “Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes”.
2. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Përfitues të këtij programi janë punëkërkues të papunë të cilët do të përfitojnë trajnim nëpërmjet punës. Zyra përkatëse e punësimit financon:
a) deri në 70 për qind të tarifave me bazë koston e trajnimit, për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme;
b) deri në 50 për qind të tarifave me bazë koston e trajnimit, për ndërmarrjet e mëdha;
c) kursantin, punëkërkuesin e papunë, të përfshirë në këtë program, sipas masës së parashikuar në pikën 7, të këtij vendimi”.
3. Në fjalinë e parë të pikës 6, fjalët “… kostoja e trajnimit …” zëvendësohen me “… tarifat me bazë koston e trajnimit ….”.
4. Në fund të pikës 8 shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Publikimi i programit bëhet, gjithashtu, me të gjitha mjetet e mundshme elektronike dhe joelektronike.”.
5. Në shkronjën “a”, të pikës 9, hiqen fjalët “… të verifikuara nga Inspektorati i Punës…”.
6. Në pikën 10 bëhen këto ndryshime:
a) Në shkronjën “a”, pas fjalës “…juridik…” shtohet “… dhe fizik …”;
b) Në shkronjën “e”, pas nënndarjes “v” shtohet nënndarja “vi”, me këtë përmbajtje:
“vi. akte të inspektimit në punë, të kryera nga Inspektorati Shtetëror i Punës.”.
7. Pika 12 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“12. Punëdhënësit mund të aplikojnë për programin në mënyrë elektronike apo pranë zyrave të punësimit.”.
8. Në paragrafin e dytë, të pikës 15, pas fjalës “…organizimit…” shtohen fjalët “… vlerësimit të projekteve …”.
9. Pika 16 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“16. Komisionet e miratimit të projekteve në zyrën rajonale të punësimit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Kombëtar të Punësimit vendosin miratimin ose jo të projektit brenda 10 (dhjetë) ditëve pune.”.
10. Në paragrafin e parë të pikës 17 hiqen fjalët “… për një periudhë, të paktën, tremujore …”.
11. Në paragrafin e dytë të pikës 21 hiqen fjalët “… në bashkëpunim me inspektoratin rajonal/vendor të punës …”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
SHFUQIZIMIN E VENDIMIT NR.725, DATË 23.12.2000, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR REGJIMIN E TRANZITIMIT TË DUHANEVE DHE CIGAREVE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr.8449, datë 27.1.1999, “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Shfuqizimin e vendimit nr.725, datë 23.12.2000, të Këshillit të Ministrave, “Për regjimin e tranzitimit të duhaneve dhe cigareve”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.873, DATË 27.12.2006, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MASËN E FINANCIMIT, KRITERET DHE PROCEDURAT E ZBATIMIT TË PROGRAMEVE TË PRAKTIKAVE PROFESIONALE PËR PUNËKËRKUESIT E PAPUNË QË KANË MBARUAR ARSIMIN E LARTË, BRENDA APO JASHTË VENDIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4 e 8, të ligjit nr.7995, datë 20.9.1995, “Për nxitjen e punësimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.873, datë 27.12.2006, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Kudo në vendim, emërtimet “Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta” dhe “Ministria e Arsimit dhe Shkencës” zëvendësohen përkatësisht me “Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë” dhe “Ministria e Arsimit dhe Sportit”.
2. Në pikën 1 shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:
“Zyra përkatëse e punësimit bën njoftimin në Buletinin e Njoftimeve Publike, çdo vit, për fondin e vënë në dispozicion dhe kriteret e përfitimit nga ky program. Publikimi i programit bëhet gjithashtu me të gjitha mjetet e mundshme elektronike dhe joelektronike.”.
3. Në pikën 2, fjala “… listat …” zëvendësohet me “… numrin …”.
4. Në pikën 6 hiqen fjalët “… në raport me personelin e administratës, sipas skemës: për çdo 50 veta personel 1 praktikant …”.
5. Pikat 7 dhe 8 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“7. Punëdhënësit mund të aplikojnë për programin në mënyrë elektronike apo pranë zyrave të punësimit.
8. Punëdhënësi lëshon një vlerësim pune për periudhën e praktikës profesionale dhe njofton zyrën e punësimit për përfundimin e programit.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.48, DATË 16.1.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PROGRAMIN E NXITJES SË PUNËSIMIT TË PUNËKËRKUESVE TË PAPUNË NË VËSHTIRËSI”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4 e 8, të ligjit nr.7995, datë 20.9.1995, “Për nxitjen e punësimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.48, datë 16.1.2008, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Kudo në vendim, emërtimet “Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta” dhe “Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës” zëvendësohen përkatësisht me “Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë” dhe “Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes”.
2. Pika 1 riformulohet, si më poshtë vijon:
“1. Përfitues të këtij programi janë punëkërkuesit e papunë në vështirësi, të përcaktuar në pikën 3, të këtij vendimi. Zyra përkatëse e punësimit financon:
a) punëdhënësin, me një financim mujor në masën deri në 100 për qind të kontributeve të sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore (pjesë e kontributit të punëdhënësit), me kusht që kohëzgjatja e kontratës së punës të mos jetë më e shkurtër se një vit.
Ky financim bëhet nga zyra e punësimit në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, sipas procedurave përkatëse;
b) punëmarrësin e përfshirë në këtë program, deri në katër paga, në masën 100 për qind të pagës minimale në shkallë vendi, në muajin e pestë e të gjashtë dhe në muajin e njëmbëdhjetë e të dymbëdhjetë të kontratës, ndërsa për muajt e tjerë financon punëdhënësi.
Punëdhënësit, persona juridikë apo fizikë, kanë të drejtë të kërkojnë të përfshijnë në program:
i. deri në 100 për qind të numrit aktual mesatar të të siguruarve në tre muajt e fundit, në rast se kanë deri në 50 punonjës;
ii. deri në 50 për qind të numrit aktual mesatar të të siguruarve në tre muajt e fundit, në rast se kanë mbi 50 punonjës.”.
3. Në fund të pikës 5 shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Publikimi i programit bëhet, gjithashtu, me të gjitha mjetet e mundshme elektronike dhe joelektronike.”.
4. Në pikën 6 hiqen fjalët “… verifikuar nga Inspektorati i Punës …”.
5. Në pikën 7 bëhen këto ndryshime:
a) Në shkronjat “a” dhe “d”, pas fjalës “… juridik …” shtohen “… dhe fizik …”.
b) Pas nënndarjes “v”, të shkronjës “dh”, shtohet nënndarja “vi”, me këtë përmbajtje:
“vi. akte të inspektimit në punë, të kryera nga Inspektorati Shtetëror i Punës dhe i Shërbimeve Shoqërore.”.
6. Pika 9 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“9. Punëdhënësit mund të aplikojnë për programin në mënyrë elektronike apo pranë zyrave të punësimit.”.
7. Në paragrafin e dytë, të pikës 12, pas fjalës “… organizimit …” shtohen fjalët “… vlerësimit të projekteve …”.
8. Pika 13 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“13. Komisionet e miratimit të projekteve në zyrën rajonale të punësimit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Kombëtar të Punësimit vendosin miratimin ose jo të projektit brenda 10 (dhjetë) ditëve pune.”.
9. Në pikën 14 hiqen fjalët “… për një periudhë të paktën tremujore …”.
10. Në paragrafin e dytë, të pikës 16, hiqen fjalët “… në bashkëpunim me inspektoratin rajonal/vendor të punës …”.
11. Paragrafi i parë, i pikës 17, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Në rastet kur punëkërkuesi, si punëmarrës, pjesëmarrës në këtë program, largohet përpara afatit të përcaktuar në kontratë, për shkaqe të arsyeshme, zëvendësimi bëhet nga zyra përkatëse e regjistrimit pas njoftimit nga punëdhënësi.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.42, DATË 17.1.1998, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STATUTIT TË SHËRBIMIT KOMBËTAR TË PUNËSIMIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 17, tëligjit nr.7995, datë 20.9.1995, “Për nxitjen e punësimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Neni 12 i statutit të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, miratuar me vendimin nr.42, datë 17.1.1998, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 12
Këshilli Administrativ Trepalësh është organi më i lartë vendimmarrës i Shërbimit Kombëtar të Punësimit. Ai përbëhet nga 9 anëtarë dhe kryesohet nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Anëtarët e tjerë janë përfaqësues të Ministrisë së Financave, Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Inspektoratit Shtetëror të Punës, Institutit të Sigurimeve Shoqërore, organizatave më të përfaqësuara të punëmarrësve në këshill, me dy anëtarë, dhe të organizatave më të përfaqësuara të punëdhënësve në këtë këshill, me dy anëtarë. Mandati i anëtarëve të këtij këshilli është trevjeçar dhe miratimi i emërimit të këtyre anëtarëve bëhet nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Përfaqësuesit e institucioneve shtetërore duhet të jenë në nivel zëvendësministri ose drejtori drejtorie. Shpërblimi për pjesëmarrjen në mbledhjet e këshillit bëhet sipas legjislacionit në fuqi. Këshilli ushtron veprimtarinë e tij sipas rregullores së funksionimit të tij.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BASHKIMIT EVROPIAN, PËR PJESËMARRJEN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË PROGRAMIN
“KONKURRENCA E NDËRMARRJEVE DHE NDËRMARRJEVE TË VOGLA E TË MESME (COSME), 2014 – 2020”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës të Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin “Konkurrenca e ndërmarrjeve dhe ndërmarrjeve të vogla e të mesme (COSME)”, 2014 – 2020, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.