Vendime të miratuara në mbledhjen e datës 5 mars 2014
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË HUAMARRJES PREJ 295 420 000 SDR, QË FONDI MONETAR NDËRKOMBËTAR I AKORDON SHQIPËRISË PËR PROGRAMIN 36 – MUJOR TË NDIHMËS (EFF)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 26, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe të ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të huamarrjes prej 295 420 000 (dyqind e nëntëdhjetë e pesë milionë e katërqind e njëzet mijë) SDR, që Fondi Monetar Ndërkombëtar i akordon Shqipërisë, për programin 36 – mujor të ndihmës (EFF), sipas dokumenteve bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË NUMRIN E PUNONJËSVE TË MIRATUAR PËR MINISTRINË E ZHVILLIMIT URBAN DHE TURIZMIT, PËR VITIN 2014
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 11, të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Numri i punonjësve të Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit bëhet, gjithsej, 647 veta.
2. Shtesa prej 30 punonjësish i kalon Agjencisë Kombëtare të Bregdetit dhe përballohet nga numri rezervë i Këshillit të Ministrave.
3. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E PROCEDURËS DISIPLINORE DHE TË RREGULLAVE PËR KRIJIMIN, PËRBËRJEN E VENDIMMARRJEN NË KOMISIONIN DISIPLINOR NË SHËRBIMIN CIVIL
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 59, pika 10, e 69, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe të ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Ky vendim ka për qëllim të përcaktojë procedurën disiplinore dhe rregullat për krijimin, përbërjen e vendimmarrjen në komisionin disiplinor në shërbimin civil.
KREU I
ORGANET DISIPLINORE
1. Organet disiplinore, sipas ligjit, janë: Komiteti Kombëtar i Përzgjedhjes, për anëtarët e TND-së (KKP); komisioni disiplinor (KD), për nëpunësit e tjerë, dhe eprori direkt.
2. Komisioni disiplinor, për institucionet e administratës shtetërore, përbëhet nga 5 (pesë) anëtarë dhe ka këtë përbërje:
a) Nëpunësin më të lartë civil të institucionit ku punon nëpunësi për të cilin ka nisur ecuria disiplinore, i cili kryeson komisionin;
b) Eprorin direkt të nëpunësit civil për të cilin ka nisur ecuria disiplinore;
c) Drejtuesin e njësisë së burimeve njerëzore të institucionit ku bën pjesë nëpunësi për të cilin ka nisur ecuria disiplinore;
ç) Një përfaqësues të DAP-it;
d) Nëpunësin më të vjetër civil të institucionit ku punon nëpunësi për të cilin ka nisur ecuria disiplinore.
3. Për institucionet e pavarura, bashkitë dhe qarqet, komisioni disiplinor përbëhet nga 5 (pesë) anëtarë dhe ka përbërjen e mëposhtme:
a) Nëpunësin më të lartë civil në atë institucion;
b) Eprorin direkt të nëpunësit civil për të cilin ka nisur ecuria disiplinore;
c) Drejtuesin e njësisë përgjegjëse për atë institucion;
ç) Nëpunësin më të vjetër civil të institucionit ku punon nëpunësi për të cilin ka nisur ecuria disiplinore;
d) Nëpunësin më të vjetër civil të njësisë ku punon nëpunësi për të cilin ka nisur ecuria disiplinore.
4. Për komunat, komisioni disiplinor përbëhet nga 3 (tre) anëtarë dhe ka këtë përbërje:
a) Nëpunësin më të lartë civil në atë institucion;
b) Drejtuesin e njësisë përgjegjëse për atë institucion;
c) Nëpunësin më të vjetër civil të institucionit ku punon nëpunësi për të cilin ka nisur ecuria disiplinore.
5. Komisioni disiplinor mblidhet, organizohet dhe funksionon në bazë të legjislacionit që rregullon organizimin dhe funksionimin e organeve kolegjiale.
6. Në rast të lindjes së nevojës së zëvendësimit të anëtarëve të KD-së, për arsye të pamundësisë apo pengesës ligjore, zbatohen dispozitat për zëvendësimin, të përcaktuara në Kodin e Procedurave Administrative.
7. Në rast se ecuria disiplinore zhvillohet për një nga anëtarët e KD-së, ai zëvendësohet nga titullari i institucionit me një tjetër nëpunës civil të institucionit.
KREU II
PROCEDURA DISIPLINORE
1. Me “procedurë disiplinore” do të kuptohet gjithë veprimtaria administrative që kryhet që nga momenti i konstatimit të një shkeljeje disiplinore, vënies në dijeni, me shkrim, të personit që pretendohet se ka kryer shkeljen, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga organi disiplinor.
2. Nëpunësit e institucionit, kur kanë dijeni apo dyshojnë për shkelje disiplinore të kryera nga nëpunës të tjerë të të njëjtit institucion duhet t’ia raportojnë atë, me shkrim, eprorit direkt të nëpunësit për të cilin pretendohet se ka kryer shkeljen.
3. Kur shkeljet janë konstatuar nga shtetas apo institucione jashtë strukturave të institucionit ku bën pjesë nëpunësi për të cilin pretendohet se ka kryer shkeljen, ato i raportohen zyrtarisht institucionit përkatës.
4. Ankesa/rekomandimi në lidhje me shkeljen disiplinore të pretenduar sipas pikave 2 dhe 3, të kreut II, të këtij vendimi, duhet të plotësojë këto kushte:
a) Të jetë me shkrim;
b) Të identifikojë nëpunësin civil, i cili pretendohet se ka kryer shkeljen disiplinore;
c) Të përcaktojë veprimin konkret, që pretendohet se përbën shkelje disiplinore dhe rrethanat e kryerjes së tij.
5. Kërkesat anonime nuk pranohen për shqyrtim.
6. Ankesa/rekomandimi i depozituar në institucion, sipas pikës 3, të kreut II, të këtij vendimi, i dërgohet eprorit direkt të nëpunësit të cilit i atribuohet shkelja.
7. Eprori direkt, në rastet kur vihet në dijeni të një pretendimi për shkelje disiplinore nëpërmjet ankesave nga publiku, e vlerëson paraprakisht atë.
8. Nëse informacioni i marrë nuk rezulton të ketë elemente që mund të klasifikohen si shkelje disiplinore, eprori direkt vendos të mos e fillojë ecurinë disiplinore.
9. Në rast se informacioni i marrë rezulton të ketë elemente të klasifikuara si shkelje disiplinore, eprori direkt bën klasifikimin e shkeljeve sipas pikës 1, të nenit 57, të ligjit nr.152/2013.
10. Në rast se shkelja klasifikohet në shkeljet e lehta, eprori direkt fillon ecurinë disiplinore. Në rast të kundërt eprori direkt i kërkon KD-së të fillojë ecurinë disiplinore.
11. Në rast se eprori direkt vihet në dijeni për një shkelje disiplinore nga subjektet e përcaktuara në shkronjën “b”, të pikës 4, të nenit 59, të ligjit nr.152/2013, eprori direkt fillon menjëherë ecurinë disiplinore ose, nëse nuk është kompetent për shqyrtimin e saj, ia përcjell informacionin KD-së.
12. Nëse shkelja që i atribuohet nëpunësit rezulton se nuk është klasifikuar drejt apo nuk është në juridiksionin lëndor të organit disiplinor që e ka marrë në shqyrtim kërkesën, atëherë ai vendos dërgimin me shkresë zyrtare pranë organit kompetent.
13. Në rastin e marrjes dijeni për një shkelje disiplinore, organi disiplinor fillon ecurinë disiplinore dhe njofton, me shkrim, nëpunësin përkatës:
a) për shkeljen disiplinore të pretenduar për të;
b) për të drejtën që ai ka për të paraqitur, me shkrim, sqarimet e tij rreth shkeljes së pretenduar dhe afatin deri kur duhet të paraqitet ky sqarim;
c) për të drejtën që ka për të inspektuar dosjen e procedimit, për t’u dëgjuar, ai vetë apo me përfaqësues ligjor, për të paraqitur dëshmitarë, për të paraqitur prova ose për të kërkuar marrjen e tyre;
ç) për datën kur do të shqyrtohet shkelja e pretenduar. Kjo datë nuk mund të caktohet më shpejt se 4 (katër) ditë dhe jo më vonë se 16 (gjashtëmbëdhjetë) ditë nga marrja e njoftimit nga nëpunësi.
14. Organi disiplinor heton kryesisht të gjitha faktet dhe vlerëson të gjitha rrethanat e ngjarjes që janë të nevojshme për marrjen e vendimit, si dhe mund të përdorë çdo mjet për të mbledhur prova, në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative, e, në veçanti, ai kryen veprimet e mëposhtme:
a) pyet ose merr deklarata nga dëshmitarët dhe verifikon faktet kundërshtuese;
b) rishikon dokumentacionin përkatës për mospërputhje, për fakte që mungojnë, data apo firma që janë hequr etj.;
c) shqyrton dosjen e nëpunësit;
ç) thërret nëpunësin për t’u njohur me variantin e tij të ngjarjeve apo të problemit;
d) verifikon praktikat dhe rastet e procedimeve disiplinore të mëparshme;
e) kryen çdo veprim tjetër të nevojshëm për verifikimin e ngjarjes.
15. Në përfundim të hetimit administrativ sipas pikës 14, të kreut II, të këtij vendimi, organi disiplinor i vë në dispozicion nëpunësit që po procedohet materialet e mbledhura gjatë këtij hetimi.
16. Në seancën dëgjimore nëpunësi paraqitet vetë ose cakton një përfaqësues, sipas ligjit. Në rast se mbas dy njoftimeve të njëpasnjëshme nëpunësi apo përfaqësuesi i tij nuk paraqiten, ecuria disiplinore vazhdon në mungesë.
17. Organi disiplinor, pasi shqyrton çështjen sipas pikave 13, 14 dhe 15 të këtij vendimi, dhe pasi ka dëgjuar nëpunësin përkatës ose përfaqësuesin e tij ligjor, apo vë në dukje, me shkrim, mosparaqitjen e tij, megjithëse nëpunësi ka marrë dijeni rregullisht, vendos marrjen e masës disiplinore ose ndërprerjen e ecurisë disiplinore.
18. Vendimi për ndërprerjen e ecurisë disiplinore merret nga organi disiplinor në rastet kur:
a) nuk ka shkelje disiplinore, siç ishte menduar;
b) rezulton se nëpunësi nuk ka kryer shkelje me faj;
c) veprimi nuk ka qenë ose nuk është kryer nga nëpunësi përkatës.
19. Vendimi përfundimtar i organit disiplinor përmban këto të dhëna:
a) organin që ka marrë vendimin;
b) identifikimin e nëpunësit ndaj të cilit është marrë masa;
c) masën e marrë;
ç) shkeljen faktike;
d) bazën ligjore;
dh) arsyetimin e vendimit dhe shpjegimin e fakteve që janë bërë shkas për marrjen e vendimit;
e) rastet e mëparshme të shkeljeve të ngjashme dhe të masave disiplinore të marra;
ë) një listë dhe kopje të të gjitha dokumenteve që mbështesin masën disiplinore të dhënë, nëse këto kërkohen nga nëpunësi nën procedim;
f) të drejtën që ka nëpunësi i ndëshkuar për t’u ankuar dhe afatet e ankimimit.
20. Një kopje e vendimit së bashku me materialet shoqëruese u jepen nga organi disiplinor nëpunësit dhe njësisë përgjegjëse, brenda 4 (katër) ditëve nga dhënia e tij. Kopja e vendimit bëhet pjesë e dosjes personale të tij.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
RIALOKIMIN E FONDEVE BUXHETORE NË NJËSITË E QEVERISJES QENDRORE PËR VITIN 2014
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 17, të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në buxhetin e vitit 2014, miratuar për Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, në programin “Planifikimi urban dhe strehimi”, në zërin “Shpenzime korrente”, shtohet fondi prej 70 000 000 (shtatëdhjetë milionë) lekësh.
2. Në buxhetin e vitit 2014, miratuar për Ministrinë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, në programin “Planifikimi, menaxhimi dhe administrimi”, në zërin “Shpenzime korrente”, shtohet fondi prej 10 000 000 (dhjetë milionë) lekësh.
3. Në buxhetin e vitit 2014, miratuar për Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, në programin “Planifikimi urban dhe strehimi”, kapitulli 05, “Nga të ardhurat e veta”, zëri “Shpenzime korrente”, fondi prej 100 000 000 (njëqind milionë) lekësh, rialokohet në kapitullin 01, “Çelje nga buxheti”, të po të njëjtit program dhe zë shpenzimi.
4. Në buxhetin e vitit 2014, miratuar për Ministrinë e Punëve të Jashtme, në programin “Aktiviteti diplomatik dhe konsullor”, në zërin “Shpenzime korrente”, pakësohet fondi prej 20 000 000 (njëzet milionë) lekësh.
5. Në buxhetin e vitit 2014, miratuar për Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, në zërin “Shpenzime korrente”, pakësohet fondi prej 3 000 000 (tre milionë) lekësh.
6. Në buxhetin e vitit 2014, miratuar për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, në programin “Veprimtaria telegrafike e ATSH-së”, në zërin “Shpenzime korrente”, pakësohet fondi prej 3 000 000 (tre milionë) lekësh.
7. Në buxhetin e vitit 2014, miratuar për Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit, në zërin “Shpenzime korrente”, pakësohet fondi prej 2 000 000 (dy milionë) lekësh.
8. Në buxhetin e vitit 2014, miratuar për Ministrinë e Financave, në programin “Planifikimi, menaxhimi dhe administrimi”, pakësohet fondi prej 6.5 000 000 (gjashtë pikë pesë milionë) lekësh, dhe në programin “Menaxhimi i shpenzimeve publike”, pakësohet fondi prej 6.5 000 000 (gjashtë pikë pesë milionë) lekësh, në zërin “Shpenzime korrente”.
9. Në buxhetin e vitit 2014, miratuar për Ministrinë e Punëve të Brendshme, në programin “Policia e Shtetit”, në zërin “Shpenzime korrente”, pakësohet fondi prej 13 000 000 (trembëdhjetë milionë) lekësh.
10. Në buxhetin e vitit 2014, miratuar për Ministrinë e Drejtësisë, në programin “Planifikimi, menaxhimi dhe administrimi”, në zërin “Shpenzime korrente”, pakësohet fondi prej 3 000 000 (tre milionë) lekësh.
11. Në buxhetin e vitit 2014, miratuar për Ministrinë e Mbrojtjes, në programin “Planifikimi, menaxhimi dhe administrimi”, pakësohet fondi prej 6.5 000 000 (gjashtë pikë pesë milionë) lekësh, dhe në programin “Mbështetja e luftimit”, pakësohet fondi prej 6.5 000 000 (gjashtë pikë pesë milionë) lekësh, në zërin “Shpenzime korrente”.
12. Në buxhetin e vitit 2014, miratuar për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, në programin “Arsimi i mesëm profesional”, në zërin “Shpenzime korrente”, pakësohet fondi prej 6 000 000 (gjashtë milionë) lekësh.
13. Në buxhetin e vitit 2014, miratuar për Ministrinë e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, në programin “Inspektimi në punë”, në zërin “Shpenzime korrente”, pakësohet fondi prej 4 000 000 (katër milionë) lekësh.
14. Ngarkohen institucionet e përcaktuara më lart dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KTHIMIN NË ATDHE TË ESHTRAVE TË PERSONALITETIT TË SHQUAR SHQIPTAR TË LETRAVE EKREM BEJ VLORA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kthimin në atdhe të eshtrave të personalitetit të shquar shqiptar të letrave Ekrem bej Vlora.
2. Ministria e Punëve të Jashtme, nëpërmjet misionit diplomatik të Republikës së Shqipërisë në Republikën Austriake, të organizojë procedurat e nevojshme ndërshtetërore për të sjellë në atdhe eshtrat e Ekrem bej Vlorës.
3. Ceremonia shtetërore e kthimit në atdhe të eshtrave të Ekrem bej Vlorës të organizohet menjëherë me kthimin e eshtrave.
4. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i miratuar për vitin 2014, për Ministrinë e Kulturës.
5. Ngarkohen Ministria e Kulturës dhe Ministria e Punëve të Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E STATUTIT TË FONDIT TË SIGURIMIT TË DETYRUESHËM TË KUJDESIT SHËNDETËSOR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 14, pika 1, 24, pika 1, shkronja “b”, e 41, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e statutit të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PROCEDURAT E EMËRIMIT, REKRUTIMIT, MENAXHIMIT DHE PËRFUNDIMIT TË MARRËDHËNIES NË SHËRBIMIN CIVIL TË NËPUNËSVE CIVILË TË NIVELIT TË LARTË DREJTUES DHE TË ANËTARËVE TË TND- SË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 28, pika 6, 29, pika 5, 30, pika 6, 31, pika 3, 32, pika 3, e 69, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe të ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Ky vendim përcakton rregullat për:
a) organizimin dhe funksionimin e Komisionit Kombëtar të Përzgjedhjes për TND-në;
b) rekrutimin e nëpunësve të TND-së nëpërmjet ASPA-s, ose drejtpërsëdrejti;
c) emërimin e anëtarëve të TND-së;
ç) pranimin e nëpunësve civilë të kategorisë së lartë drejtuese në institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore;
d) përfundimin e marrëdhënies në shërbimin civil për nëpunësit civilë të nivelit të lartë drejtues dhe anëtarët e TND-së.
KREU II
KOMISIONI KOMBËTAR I PËRZGJEDHJES PËR TND-NË (KKP)
1. Komisioni Kombëtar i Përzgjedhjes për TND-në ka në përbërje të tij 9 (nëntë) anëtarë, sipas përcaktimit të bërë në nenin 31, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”.
2. Përfaqësuesi nga DAP-i është, për shkak të detyrës, drejtori i DAP-it.
3. Drejtori i ASPA-s zgjedh dy përfaqësuesit për këtë institucion jashtë radhëve të nëpunësve të saj.
4. ASPA zgjedh përfaqësuesin e vet nga radhët e personave që plotësojnë këto kritere:
a) të ketë arsim të lartë të nivelit të dytë;
b) të ketë një përvojë pune për të paktën 5 (pesë) vjet në administratën publike në pozicione drejtuese, por jo funksione politike dhe në momentin e kandidimit të mos jetë nëpunës civil;
c) të mos ketë qenë anëtar i asnjë partie politike për të paktën 3 (tre) vitet e fundit nga data e kandidimit për anëtar të KKP;
ç) të mos ketë qenë i dënuar penalisht për kryerjen e një vepre penale;
d) të ketë cilësi të larta morale dhe profesionale;
dh) të mos ketë masa disiplinore në fuqi;
e) të mos jetë larguar nga shërbimi civil si rrjedhojë e masave disiplinore.
5. Drejtori i ASPA-s shpall hapjen e kësaj procedure në faqen zyrtare të internetit të institucionit. Kandidatët që duan të aplikojnë duhet të paraqesin brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve dokumentet e mëposhtme:
a) Diplomën e shkollës së lartë;
b) Jetëshkrimin (cv);
c) Vërtetimi nga punëdhënësi aktual apo ai i mëparshëm, ku të përcaktohet vjetërsia në punë dhe fakti nëse ka apo jo masa disiplinore;
ç) Dëshmi penaliteti;
d) Deklaratë personale që nuk ka qenë anëtar i një partie politike për 3 (tre) vitet e fundit;
dh) Vërtetim nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që nuk ka marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme apo vendore të zhvilluara në 3 (tre) vitet e fundit, nën siglën e një partie politike;
e) Për kandidatin e huaj dokumentet e mësipërme duhet të kenë vulën “Apostil”, ose të jenë të legalizuara sipas procedurave të zbatueshme dhe të jenë të përkthyera në gjuhën shqipe.
6. Drejtori i ASPA-s brenda 5 (pesë) ditëve nga depozitimi i dokumenteve emëron, me vendim të motivuar, kandidatët që do të shërbejnë si përfaqësues në KKP për një mandat 2-vjeçar.
7. Përfaqësuesi i TND-së zgjidhet me short të organizuar nga DAP-i, nga radhët e anëtarëve të TND-së. Ai qëndron në detyrë për një mandat 2-vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje të menjëhershme.
8. Personalitetet e pavaruara zgjidhen nga Këshilli i Ministrave midis personave që plotësojnë këto kritere:
a) të ketë mbaruar arsimin e lartë;
b) të ketë punuar për jo më pak se 5 (pesë) vjet në funksione publike në nivele drejtuese, ose të ketë qenë pjesë e personelit akademik të arsimit të lartë apo Akademisë së Shkencave, ose të ketë titull/gradë shkencore;
c) të mos ketë masë disiplinore në fuqi;
ç) të mos ketë qenë anëtar i partive politike për 3 (tre) vitet pararendëse nga data e kandidimit;
d) të mos ketë qenë i dënuar penalisht me vendim gjyqësor të formës së prerë;
dh) të mos jetë larguar nga shërbimi civil si rrjedhojë e masave disiplinore.
9. KKP-ja njofton 3 (tre) muaj përpara mbarimit të mandatit të njërit prej anëtarëve që vijnë nga personalitetet e pavarura, ministrin përgjegjës për administratën publike. Personat që shprehin vullnetin për të kandiduar depozitojnë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve, pranë ministrit përgjegjës për administratën publike, kërkesën dhe dokumentacionin shoqërues, i cili konsiston në:
a) Diplomën e shkollës së lartë;
b) Jetëshkrimin (cv);
c) Vërtetimin nga vendi aktual i punës ose ai i mëparshëm, ku të përcaktohet vjetërsia në punë dhe fakti nëse ka apo jo masa disiplinore;
ç) Vërtetimin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që nuk ka kandiduar në zgjedhje të përgjithshme apo vendore nën siglën e një partie politike në zgjedhjet që përfshijnë periudhën e 3 (tre) viteve të fundit;
d) Dëshminë e penalitetit;
dh) Deklaratën personale që nuk ka qenë anëtar i partive politike për 3(tre) vitet e fundit;
e) Deklaratën personale që nuk ka lidhje nepotike apo konflikt interesi me anëtarët e TND-së;
ë) Dokumentacionin tjetër shtesë, si tituj/gradë akademike, artikuj shkencorë, botime etj.
10. Ministri përgjegjës për administratën publike, pasi verifikon plotësimin e kritereve formale të kandidatëve, bën dëgjesa publike me të ftuar nga institucionet qendrore, shoqëria civile, bota akademike apo shoqatat e biznesit, me qëllim përzgjedhjen e kandidatëve.
11. Pas realizimit të procedurës së mësipërme, ministri përgjegjës për administratën publike brenda 20 (njëzet) ditëve nga depozitimi i dokumenteve, propozon në Këshillin e Ministrave kandidaturat e përzgjedhura nga procesi i parashikuar sipas pikës 10, të këtij vendimi.
12. Mandati i anëtarit të emëruar nga Këshilli i Ministrave fillon të nesërmen e ditës së përfundimit të mandatit të anëtarit për të cilin u zhvillua procedura e përzgjedhjes.
13. Në rast se asnjë prej kandidatëve nuk emërohet nga Këshilli i Ministrave, ministri përgjegjës për administratën publike shpall përsëri hapjen e procedurës së përzgjedhjes, sipas pikave 8, 9, 10 e 11, të këtij vendimi.
14. Në rast të mbarimit para kohe të mandatit të njërit prej anëtarëve që vijnë nga personalitetet e pavarura, ministri përgjegjës për administratën publike ndjek të njëjtën procedurë. Në këtë rast, afati i dorëzimit të kërkesës dhe dokumentacionit përkatës është 15 (pesëmbëdhjetë) ditë. Kandidati i emëruar nga Këshilli i Ministrave qëndron në detyrë deri në përfundimin e mandatit të paraardhësit të tij.
15. KKP-ja mblidhet, organizohet dhe funksionon me pjesëmarrjen e të paktën 2/3 e anëtarëve të tij. Mbledhjet e KKP-së thirren nga 1/3 e anëtarëve të tij. KKP-ja merr vendime me 2/3 e të gjithë anëtarëve, me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe në këtë vendim. Mbledhjet e KKP-së janë të mbyllura. Proceverbali i mbledhjes mbahet nga përfaqësuesi i sekretariatit teknik.
16. Rastet e papajtueshmërisë, pamundësisë dhe të konfliktit të interesit për anëtarët e KKP-së zgjidhen në bazë të parashikimeve të Kodit të Procedurave Administrative dhe legjislacionit në fuqi për konfliktin e interesit.
17. Në rastet e parashikuara në pikën 16, të këtij vendimi, për anëtarët e zgjedhur nga ASPA-ja dhe për personalitetet e shquara, KKP-ja njofton, përkatësisht, drejtorin e ASPA-s dhe ministrin përgjegjës për administratën publike. Këshilli i Ministrave dhe drejtori i ASPA-s, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga marrja e njoftimit, përzgjedhin anëtarin zëvendësues, duke përcaktuar në vendim funksionet dhe kohën brenda së cilës duhet t’i kryejë.
18. Në rastet e parashikuara në pikën 16, të këtij vendimi, përfaqësuesi i DAP-it dhe përfaqësuesi nga TND-ja zëvendësohen nga nëpunësi më i vjetër i institucionit të tyre, që vjen drejtpërdrejt pas tij në shkallën e hierarkisë së këtij institucioni.
19. KKP-ja mbështetet nga ana teknike nga administrata e DAP-it, e cila në këtë rast realizon funksionet e sekretariatit.
20. Anëtari i emëruar/zgjedhur nga Këshilli i Ministrave apo drejtori i ASPA-s në KKP, mund të shkarkohen respektivisht nga i njëjti organ në rastet kur:
a) kryen veprimtari në kundërshtim me dispozitat e ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, si edhe akteve nënligjore të dala në bazë dhe për zbatim të tij;
b) kryen sjellje dhe akte që diskreditojnë rëndë figurën dhe pozitën e tij si anëtar;
c) mungon pa arsye për më shumë se 2 (dy) herë radhazi në mbledhjet e KKP-së;
ç) është dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale.
21. Procedura e lirimit nga detyra për anëtarët që vijnë nga ASPA-ja dhe personalitetet e shquara, fillon nga KKP-ja. Komisioni Kombëtar i Përzgjedhjes (KKP) përgatit një raport dhe bashkë me komentet e personit të interesuar ia dërgon organit respektiv për vendim.
22. Anëtarët e KKP-së që zgjidhen nga ASPA dhe Këshilli i Ministrave paguhen 10 000 (dhjetë mijë) lekë në muaj dhe pagesa përballohet nga buxheti i DAP-it.
KREU III
KËRKESAT DHE KUSHTET E PRANIMIT NË TND DHE NË KATEGORINË E NIVELIT TË LARTË DREJTUES PËR INSTITUCIONET E PAVARURA DHE NJËSITË E QEVERISJES VENDORE
1. Kandidatët për anëtarë të TND/kategorinë e nivelit të lartë drejtues, përveç kërkesave të përgjithshme të parashikuara nga neni 21, i ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, duhet të plotësojnë edhe kërkesat specifike për kategorinë përkatëse, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave, për zotërimin e aftësive, njohurive dhe cilësive të përcaktuara në kuadrin e kompetencës, si dhe kushtet e pranimit të përcaktuara në vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave për përshkrimin dhe klasifikimin e pozicioneve të punës.
2. Ky kuadër kompetencash konsiston në këto cilësi:
a) Aftësi për të drejtuar dhe menaxhuar veprimet e ndryshme;
b) Aftësi komunikimi;
c) Aftësi të drejtimit strategjik;
ç) Ndërtim i marrëdhënieve ndërpersonale;
d) Efektivitet;
dh) Aftësi pune në grup;
e) Kuptim të gjerë të kompetencave ndërsektoriale;
ë) Njohuri mbi fenomenet sociale dhe ekonomike;
f) Besueshmëri;
g) Vizion;
gj) Të qenët krijues;
h) Integritet;
i) Njohuri për sistemin ligjor evropian.
KREU IV
PROCEDURAT E PRANIMIT NË TND NËPËRMJET ASPA-s
1. Pranimi në programin e formimit të thelluar për TND në ASPA bëhet nëpërmjet një konkursi kombëtar, i cili është i hapur për:
a) nëpunësit civilë të kategorisë së mesme drejtuese dhe që përbëjnë jo më pak se 80% të pranimeve;
b) çdo individ tjetër, që nuk është pjesë e shërbimit civil dhe që plotëson kërkesat specifike për pranimin në TND dhe që përbëjnë deri në 20% të pranimeve.
2. Procedura e pranimit realizohet në dy faza, në fazën paraprake të verifikimit të kritereve specifike, të përcaktuara sipas pikave 1 e 2, të kreut III, të këtij vendimi, dhe në fazën e konkurrimit.
3. Bazuar në planifikimin vjetor, të miratuar nga Këshilli i Ministrave, procedura e pranimit zhvillohet një herë në vit, sipas kohës së planifikuar nga DAP-i. Nëse është e nevojshme, për shkak të mosplotësimit të numrit të parashikuar sipas planit vjetor të kandidatëve fitues apo për shkak të nevojave të reja që mund të dalin si rezultat i krijimit të vendeve të lira në TND, një procedurë e re pranimi organizohet brenda një periudhe dymujore.
Faza e parë
4. Shpallja e procedurës së pranimit kryhet nga DAP-i në Portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit” dhe në faqen zyrtare të tij, të paktën 60 (gjashtëdhjetë) ditë përpara datës të parashikuar për zhvillimin e konkurrimit.
5. Shpallja mbahet në portal dhe në faqen zyrtare të DAP-it për gjithë kohën deri në emërimin përfundimtar.
6. Shpallja e konkursit kombëtar në Portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit” dhe në faqen zyrtare të DAP-it përmban të paktën këto të dhëna:
a) numrin e kandidatëve fitues që do të pranohen në ASPA;
b) përshkrimin përgjithësues të pozicionit të punës;
c) kriteret e përgjithshme;
ç) kërkesat specifike të pranimit;
d) dokumentacionin që do të paraqitet, mënyrën dhe procedurën e paraqitjes së kandidaturave;
dh) mënyrën e shqyrtimit dhe shpalljen e rezultateve të seleksionimit paraprak;
e) datën për paraqitjen e aplikimit;
ë) datën e zhvillimit të konkurrimit;
f) datën për shpalljen e rezultateve pas verifikimit paraprak;
g) datën për shpalljen e rezultateve për vlerësimin përfundimtar;
gj) mënyrën e vlerësimit dhe njohuritë, aftësitë apo cilësitë që do të vlerësohen në konkurrimin kombëtar;
h) mënyrën e njoftimit/komunikimit me aplikantët.
7. Aplikimi për konkursin kombëtar duhet të paraqitet brenda një periudhe të paktën 30 – ditore nga momenti fillestar i shpalljes në portal/faqen zyrtare të DAP-it.
8. Brenda 10 (dhjetë) ditëve nga përfundimi i afatit të përcaktuar në pikën 7, të këtij vendimi, DAP-i bën verifikimin paraprak të dosjeve të aplikantëve nëse plotësojnë kriteret specifike, të përcaktuara sipas pikave 1 e 2, të kreut III, të këtij vendimi. Në përfundim të këtij afati, DAP-i shpall në Portalin Kombëtar të Punësimit, në ambientet e tij dhe në ato të ASPA-s, listën e kandidatëve që plotësojnë këto kritere për t’iu nënshtruar konkursit kombëtar, duke i renditur ata sipas rendit alfabetik.
9. Kandidatët që nuk kanë plotësuar kriteret specifike, njoftohen nga DAP-i dhe kanë të drejtë të paraqiten pranë këtij Departamenti për t’u njohur me arsyet e moskualifikimit. Ata mund të ankohen në DAP brenda 5 (pesë) ditëve nga shpallja e listës, sipas pikës 8, të këtij vendimi. DAP-i duhet të kthejë përgjigje të arsyetuar brenda 2 (dy) ditëve pune.
10. Me përfundimin e shqyrtimit të ankesave, DAP-i ia përcjell KKP-së listën e kandidatëve që do t’i nënshtrohen procedurës së konkurrimit, të paktën 7 (shtatë) ditë kalendarike përpara datës së caktuar për zhvillimin e konkursit.
Faza e dytë
11. Faza e konkurrimit konsiston në:
a) Vlerësimin e jetëshkrimit (cv) të kandidatëve, që përfshin vlerësimin e arsimimit, eksperiencës dhe trajnimeve të lidhura me fushën, si dhe vlerësimet e arritjeve vjetore;
b) Testimi me shkrim;
c) Intervistën e strukturuar me gojë.
Testimi me shkrim dhe intervista me gojë synojnë vlerësimin e njohurive, aftësive dhe cilësive të lidhura me fushën e kompetencës. Vlerësimi bëhet nga KKP-ja.
12. Të paktën 2 (dy) ditë përpara zhvillimit të konkurrimit, KKP-ja përgatit pyetjet e testit me shkrim dhe me gojë, duke pasur në konsideratë fushat e njohurive dhe aftësive të përcaktuara në shpalljen për konkurrim.
13. Vlerësimi maksimal është 100 pikë. Vlerësimi i kandidatëve bëhet sipas një procedure që përfshin pikët maksimale për secilën nga fazat e mëposhtme:
a) vlerësimin e jetëshkrimit të kandidatëve, që përfshin në vlerësimin e arsimimit, eksperiencës dhe trajnimeve të lidhura me fushën, si dhe vlerësimet e arritjeve vjetore, 10 pikë;
b) testim me shkrim, 40 pikë;
c) intervistën e strukturuar me gojë, 50 pikë.
14. KKP-ja merr vendim për vlerësimin përfundimtar të kandidatëve sipas numrit të pikëve.
15. Secili prej anëtarëve jep vlerësimin e tij individual për secilin kandidat. Vlerësimi për secilin kandidat llogaritet si mesatare e pikëve të vendosura nga secili prej anëtarëve.
16. KKP-ja shpall listën e kandidatëve fitues të renditur me mbi 70 pikë dhe renditjen e tyre duke filluar nga ai me më shumë pikë.
17. Vendimi merret jo më vonë se 48 (dyzet e tetë) orë nga përfundimi i procedurës të konkurrimit. Lista e fituesve shpallet në Portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit” dhe në ambientet e DAP-it. Kandidatët që nuk janë shpallur fitues njoftohen nga DAP-i dhe kanë të drejtë të paraqiten pranë këtij Departamenti për t’u njohur me rezultatet e tyre.
18. Kandidatët me pikë të barabarta renditen sipas këtyre kritereve:
a) në rast se njëri prej kandidatëve përfshihet në kategorinë e personave me aftësi të kufizuar, atëherë ai përzgjidhet i pari në raport me kandidatin tjetër;
b) në rast se kandidatët janë të gjinive të ndryshme atëherë renditja bëhet duke u renditur i pari kandidati që i përket gjinisë më pak të përfaqësuar në TND;
c) në rast se nuk mund të aplikohet asnjëra nga alternativat e mësipërme, atëherë renditja e kandidatëve me pikë të barabarta bëhet nëpërmjet shortit.
19. Pa cenuar të drejtën e ankimit gjyqësor, sipas legjislacionit në fuqi, kandidatët kanë të drejtë që të ankohen me shkrim pranë KKP-së brenda 5 (pesë) ditëve nga shpallja e rezultatit, sipas pikës 17, të kreut IV, të këtij vendimi. KKP-ja merr vendim brenda 5 (pesë) ditëve dhe, kur është rasti, bën korrigjimin e listës së fituesve të shpallur sipas pikës 17, të kreut IV, të këtij vendimi. Vendimi dhe, kur është rasti, lista e korrigjuar, shpallet menjëherë në Portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit” dhe në ambientet e ASPA-s.
20. Kandidatët fitues të shpallur në listën përfundimtare të KKP-së pranohen të kryejnë programin e formimit të thelluar në ASPA. Ata nënshkruajnë një deklaratë, ku pranojnë që në rast tërheqjeje do të rimbursojnë të gjitha shpenzimet e kryera për trajnimin e tyre.
21. Të drejtat dhe detyrimet e kandidatëve gjatë periudhës së trajnimit rregullohen në vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave për trajnimet.
KREU V
PROCEDURA E PRANIMIT TË DREJTPËRDREJTË NË TND
1. Procedura e pranimit të drejtpërdrejtë në TND, e parashikuar nga neni 29, i ligjit nr.152/2013, zbatohet vetëm në këto raste:
a) deri në daljen e grupit të parë të anëtarëve të TND-së nga ASPA;
b) nëse prurjet me anëtarë të TND-së nga ASPA nuk janë të mjaftueshme.
2. Përdorimi i procedurës së pranimit të drejtpërdrejtë vendoset nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për administratën publike.
3. Një procedurë e caktuar për pranimin e drejtpërdrejtë në TND mund të jetë e hapur edhe për persona jashtë shërbimit civil, sipas përcaktimit të Këshillit të Ministrave, pas propozimit të ministrit përgjegjës për administratën publike.
4. Në këtë rast, Këshilli i Ministrave, përcakton shprehimisht, kriteret minimale të pranimit duke pasur parasysh kuadrin e kompetencës, si edhe numrin e pozicioneve që do të pranohen në përputhje me numrin total të pozicioneve, të miratuara në ligjin vjetor të buxhetit.
5. Për procedurën e drejtpërdrejtë të pranimit në TND zbatohen pikat 4-19, të kreut IV, të këtij vendimi.
KREU VI
EMËRIMI NË TND
1. ASPA i njofton DAP-it listën e fituesve dhe renditjen përkatëse të kandidatëve brenda 5 (pesë) ditëve pune, pas zhvillimit të provimit përfundimtar.
2. Kandidatët që përfundojnë formimin e thelluar me, të paktën, 70 pikë, emërohen nga DAP-i si nëpunës civilë të nivelit të lartë drejtues, anëtarë të TND-së, në bazë të renditjes në provimin përfundimtar të organizuar nga ASPA dhe brenda numrit të miratuar të pranimit në TND.
3. Në procedurën e pranimit të drejtpërdrejtë, KKP-ja njofton DAP-in për rezultatet e provimeve dhe renditjen e fituesve, brenda 5 ditëve pune nga nxjerrja e rezultatit të testimit.
4. Kandidatët e vlerësuar mbi pragun minimal të 70 pikëve, në procedurën e pranimit të drejtpërdrejtë në TND, sipas radhës së renditjes dhe brenda numrit të miratuar të pranimit në TND, sipas planit vjetor, emërohen nga DAP-i si nëpunës civilë të nivelit të lartë drejtues, anëtarë të TND-së, brenda 2 (dy) ditëve pune. Nëpunësit e emëruar nga DAP-i si nëpunës civilë të nivelit të lartë drejtues, anëtarë të TND-së, janë të detyruar të ndjekin programin e formimit të thelluar për anëtarët e TND-së, të organizuar nga ASPA.
KREU VII
CAKTIMI I ANËTARIT TË TND NË NJË POZICION TË RREGULLT
1. Një anëtar i TND-së mund të caktohet në një pozicion të rregullt në nivele të larta drejtuese, siç parashikohet në pikën 4, të nenit 19 të ligjit, ose mund të caktohet si koordinator i posaçëm.
2. Një pozicion i nivelit të lartë drejtues në administratën shtetërore mund të plotësohet vetëm nga anëtarët aktualë të TND-së. Çdo emërim në pozicionin e nivelit të lartë drejtues i bërë në kundërshtim me këtë parashikim është absolutisht i pavlefshëm.
3. Emërimi në një pozicion të rregullt apo si koordinator i posaçëm, në përputhje me pikën 1, të kreut VII, të këtij vendimi, bëhet nga DAP-i sipas kërkesës së titullarit të institucioneve respektive.
4. Titullari i institucioneve respektive sipas pikës 3, të këtij kreu, është:
a) Kryeministri, për çdo pozicion të rregullt në Kryeministri apo në institucionet e varësisë së Kryeministrit;
b) ministri, për çdo pozicion të rregullt në ministri apo në institucionet e varësisë së ministrit;
c) Kryeministri, zëvendëskryeministri apo ministrat respektive, për pozicionet e koordinatorit të posaçëm në grupet institucionale apo ndërinstitucionale, ose në projekte të posaçme që janë nën përgjegjësinë e tyre.
5. Lirimi i një anëtari të TND-së nga një pozicion i rregullt apo koordinator i posaçëm bëhet me të njëjtën procedurë të parashikuar në pikën 3, të kreut VII, të këtij vendimi.
6. Nëse nuk parashikohet ndryshe nga ky vendim, një anëtar i TND-së i liruar në përputhje me pikën 5, të këtij kreu, qëndron në pritje për t’u caktuar në një pozicion tjetër të rregullt apo si koordinator i posaçëm.
7. Një anëtar i TND-së mundet, gjithashtu, të emërohet në një pozicion të nivelit të mesëm drejtues ose në një nivel të lartë drejtues në një institucion të pavarur apo njësi të qeverisjes vendore.
8. Emërimi në një pozicion të nivelit të mesëm drejtues në administratën shtetërore, siç parashikohet në pikën 7, të kreut VII, të këtij vendimi, vendoset nga DAP-i, sipas kërkesës së institucioneve respektive dhe me pëlqimin paraprak të anëtarit të TND-së të përfshirë në këtë proces.
9. Emërimi në një pozicion të nivelit të lartë drejtues në një institucion të pavarur apo njësi të qeverisjes vendore, sipas pikës 7, të kreut VII, të këtij vendimi vendoset nga institucionet respektive, pas pëlqimit paraprak dhe me shkrim nga DAP-i.
10. Në rastin e parashikuar në pikën 9, të kreut VII, të këtij vendimi, DAP-i mund të japë pëlqimin ose të refuzojë kërkesën, në varësi të nevojave të TND-së dhe vetëm pasi ka marrë pëlqimin e anëtarit të TND-së të përfshirë në këtë proces.
11. Në rast nevoje të TND-së, mbështetur në kërkesën e titullarit të institucionit, parashikuar në pikën 4, të kreut VII, të këtij vendimi, emërimi në përputhje me pikat 8 dhe 9, të kreut VII, të këtij vendimi, përfundon dhe anëtari i TND-së caktohet në një pozicion të rregullt apo si koordinator i posaçëm.
12. Kohëzgjatja e shërbimit në një pozicion, sipas përcaktimit në pikën 7, të kreut VII, të këtij vendimi, konsiderohet si kohë shërbimi në një pozicion të rregullt për qëllimet e pikave 1, 2 e 3, të kreut VII, të këtij vendimi dhe të pikës 2, të nenit 66, të ligjit nr.152/2013.
13. Një anëtar i TND-së që emërohet në një pozicion të rregullt paguhet sipas pozicionit respektiv. Paga paguhet nga institucioni ku është caktuar.
14. Një anëtar i TND-së në pritje për t’u caktuar apo i caktuar si koordinator i posaçëm merr një pagë si më poshtë:
a) për dy vitet e para paguhet me pagën që i përket klasës më të ulët për kategorinë e nëpunësve të lartë drejtues;
b) nëse nuk emërohet në një pozicion të rregullt për, të paktën, 6 (gjashtë) muaj në dy vitet e para, do të marrë 50% të pagës që i përket klasës më të ulët për kategorinë e nëpunësve të lartë drejtues për dy vitet e ardhshme;
c) nëse nuk emërohet në një pozicion të rregullt për, të paktën, 8 (tetë) muaj në katër vitet e para, mbetet anëtar i TND-së pa pagë.
15. Paga në rastin e parashikuar në pikën 13, të kreut VII, të këtij vendimi, paguhet nga buxheti i Kryeministrisë.
16. Një anëtar i TND-së i emëruar në një pozicion të nivelit të mesëm drejtues në administratën shtetërore, ka pagën e pozicionit respektiv. Paga paguhet nga vetë institucioni.
17. Një anëtar i TND-së i emëruar në një pozicion të një niveli të lartë drejtues në institucionet e pavarura apo njësitë e qeverisjes vendore paguhet me pagën e pozicionit respektiv nga vetë institucioni.
KREU VIII
PROCEDURA E PRANIMIT NË KATEGORINË E NIVELIT TË LARTË DREJTUES PËR INSTITUCIONET E PAVARURA DHE NJËSITË E QEVERISJES VENDORE
1. Pranimi në kategorinë e nëpunësve civilë të nivelit të lartë drejtues në institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore bëhet me konkurrim të organizuar për një apo disa pozicione pune të lira dhe është i hapur vetëm për nëpunësit civilë të kategorisë së mesme drejtuese të shërbimit civil.
2. Procedura e pranimit organizohet nga njësia përgjegjëse e institucionit të pavarur/qeverisjes vendore dhe është e organizuar në dy faza, në fazën seleksionuese dhe në atë konkurruese.
3. Bazuar në planifikimin vjetor për institucionet e pavarura/njësitë e qeverisjes vendore, procedura e pranimit në kategorinë e lartë zhvillohet sipas nevojave të vetë institucionit.
Faza e parë
4. Shpallja e procedurës të konkurrimit dhe të gjithë hapat e tjerë bëhen në Portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit”, në faqen e tyre zyrtare, dhe në ambientet e tyre të brendshme, të paktën 60 (gjashtëdhjetë) ditë përpara datës të parashikuar për zhvillimin e konkurrimit.
5. Shpallja mbahet në Portal, faqen e internetit dhe në ambientet e brendshme për të gjithë kohën deri në shpalljen e fituesit.
6. Shpallja e përmendur më sipër përmban, të paktën, këto të dhëna:
a) pozicionin e punës për të cilin zhvillohet konkurrimi;
b) përshkrimin përgjithësues të pozicionit të punës;
c) kriteret e përgjithshme;
ç) kërkesat specifike të pranimit;
d) dokumentacionin që do të paraqitet, mënyrën dhe procedurën e paraqitjes të kandidaturave;
dh) mënyrën e shqyrtimit dhe shpalljen e rezultateve të seleksionimit paraprak;
e) datën për paraqitjen e aplikimit;
ë) datën e zhvillimit të konkurrimit;
f) datën për shpalljen e rezultateve pas verifikimit paraprak;
g) datën për shpalljen e rezultateve për vlerësimin përfundimtar;
gj) mënyrën e vlerësimit, njohuritë, aftësitë apo cilësitë që do të vlerësohen në konkurrimin kombëtar;
h) mënyrën e njoftimit/komunikimit me aplikantët.
7. Aplikimi për konkursin kombëtar duhet të paraqitet brenda një periudhe të paktën 30 – ditore nga shpallja për zhvillimin e konkurrimit.
8. Kandidatët duhet të paraqesin pranë institucionit të pavarur/njësisë së qeverisjes vendore dokumentacionin, sipas kërkesave të përcaktuara në shpallje.
9. Brenda 10 (dhjetë) ditëve nga përfundimi i afatit të përcaktuar në pikën 7, të kreut VIII, të këtij vendimi, njësia përgjegjëse për institucionin e pavarur/njësinë e qeverisjes vendore bën verifikimin paraprak të dosjeve të kandidatëve nëse plotësojnë kriteret specifike. Në përfundim të këtij afati, njësia përgjegjëse shpall në Portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit”, në faqen zyrtare në internet dhe në ambientet e përcaktuara nga njësia e qeversjes vendore listën e aplikuesve që plotësojnë kriteret specifike, për t’iu nënshtruar konkursit kombëtar, duke i renditur ata sipas rendit alfabetik.
10. Kandidatët që nuk janë shpallur të kualifikuar njoftohen nga njësia përgjegjëse dhe kanë të drejtë të paraqiten pranë saj, për t’u njohur me arsyet e moskualifikimit. Ata mund të ankohen brenda 5 (pesë) ditëve pune nga shpallja e listës sipas pikës 9, të kreut VIII, të këtij vendimi, në njësinë përgjegjëse. Njësia përgjegjëse duhet të kthejë përgjigje të arsyetuar brenda 2 (dy) ditëve pune e, kur është rasti, bën korrigjimin e listës dhe merr masa për publikimin e listës së korrigjuar.
Faza e dytë
11. Me përfundimin e shqyrtimit të ankesave, njësia përgjegjëse i përcjell Komitetit të Përhershëm të Pranimit (KPP) të institucionit të pavarur/njësisë së qeverisjes vendore listën e kandidatëve që do t’i nënshtrohen procedurës së konkurrimit.
12. Përbërja, organizimi dhe funksionimi i Komitetit të Përhershëm të Pranimit për institucionet e pavarura/njësitë e qeverisjes vendore rregullohen nga vendimi i Këshillit të Ministrave për rekrutimin e nëpunësve civilë të kategorisë ekzekutive, të ulët dhe të mesme drejtuese.
13. Njoftimet për procedurën e pranimit, që nga momenti i shpalljes së procedurës e deri në shpalljen e fituesit, bëhen në Portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit”, faqen zyrtare në internet të institucionit/njësisë së qeverisjes vendore dhe në ambientet e përcaktuara nga njësia e qeverisjes vendore.
14. KPP-ja për institucionet e pavarura/njësitë e qeverisjes vendore ndjek, më pas, procedurën e përcaktuar në pikat 4-19, të kreut IV, të këtij vendimi.
KREU IX
EMËRIMI I ANËTARËVE TË NIVELIT TË LARTË DREJTUES NË NJËSITË E QEVERISJES VENDORE DHE INSTITUCIONET E PAVARURA
1. Kandidatët e renditur të parët dhe mbi pragun minimal të 70 pikëve, në procedurën e pranimit në kategorinë e lartë drejtuese, organizuar nga institucionet e pavarura/njësitë e qeverisjes vendore, emërohen në nivelin e lartë drejtues në pozicionin përkatës për të cilin është zhvilluar procedura e pranimit.
2. KPP-ja për institucionet e pavarura/njësitë e qeverisjes vendore njofton brenda 5 (pesë) ditëve pune nga shpallja e rezultateve, njësinë përgjegjëse për fituesit dhe renditjen e tyre sipas pikëve. Njësia përgjegjëse, brenda 2 (dy) ditëve pune nga marrja dijeni, nxjerr aktin e emërimit, në bazë të propozimit për përzgjedhjen e kandidatit/kandidatëve nga eprori direkt.
KREU X
PËRFUNDIMI I MARRËDHËNIEVE NË SHËRBIMIN CIVIL
1. Anëtari i TND-së lirohet nga shërbimi civil kur nuk është caktuar në një pozicion të rregullt për, të paktën, 8 (tetë) muaj në një periudhë 5-vjeçare.
2. Konstatimi për kohëzgjatjen e përcaktuar në pikën 2, të nenit 66, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, bëhet nga DAP-i, i cili menjëherë bën aktin e lirimit.
3. Në rastet e tjera të lirimit, të përcaktuara nga ligji, njësia përgjegjëse njoftohet nga titullari apo organi përkatës. Me marrjen e njoftimit, njësia nxjerr aktin e lirimit.
KREU XI
DISPOZITAT TRANSITORE DHE TË FUNDIT
1. Përjashtimisht, në planin vjetor të pranimit në institucionet e administratës shtetërore, për vitin 2014, apo me vendim të veçantë, Këshilli i Ministrave përcakton numrin e anëtarëve të TND-së që do të pranohen drejtpërdrejt në TND, sipas procedurave të parashikuara në nenin 29, të ligjit nr.152/2013.
2. Për 5 (pesë) personalitetet e para të pavarura për anëtarë të KKP-së, procedura organizohet brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
3. Në mbledhjen e parë të KKP-së organizohet shorti për të përcaktuar radhën dhe mënyrën e zëvendësimit me rotacion të anëtarëve të parë, sipas përcaktimeve të bëra në pikën 2, të nenit 31, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”.
4. DAP-i/njësia përgjegjëse, deri në rregullimin e Portalit “Shërbimi Kombëtar i Punësimit” për pranimin në shërbimin civil, mund të përdorë çdo mjet tjetër që garanton njoftimin e aplikuesve, duke zbatuar rregullat mbi njoftimet sipas Kodit të Procedurave Administrative.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRMBAJTJEN, PROCEDURËN DHE ADMINISTRIMIN E DOSJEVE TË PERSONELIT E TË REGJISTRIT QENDROR TË PERSONELIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 17 e 69, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, dhe të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazën e të dhënave shtetërore”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe të ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
KREU I
DOSJA E PERSONELIT
1. Të gjitha institucionet e administratës shtetërore, institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore janë të detyruara të krijojnë dhe administrojnë dosjen e personelit të çdo të punësuari në institucionin e tyre.
2. Me “institucione të administratës shtetërore” kuptohen Kryeministria, aparatet e ministrive, institucionet në varësi të Kryeministrit ose të ministrave, degët territoriale, njësitë e drejtpërdrejta të ofrimit të shërbimeve, administrata e prefektit, si dhe agjencitë autonome, me përjashtim të institucioneve për të cilat, sipas ligjit të tyre të posaçëm, të dhënat e personelit konsiderohen konfidenciale.
3. Dosja e personelit është individuale dhe përmban të dhëna të karakterit teknik, profesional, masat disiplinore, të dhëna për vlerësimin periodik të rezultateve individuale në punë, si dhe të dhëna të tjera, sipas lidhjeve 1 e 2, bashkëlidhur këtij vendimi dhe pjesë përbërëse të tij.
4. Njësia e menaxhimit të burimeve njerëzore në çdo institucion përgjigjet për mbajtjen dhe sistemimin e dosjeve të personelit për çdo të punësuar.
5. Dosja e personelit ka karakter konfidencial. Personat që kanë të drejtë të njihen me këtë dosje janë:
a) Eprori direkt;
b) Nëpunësit e njësisë së menaxhimit të burimeve njerëzore që përgjigjen për mbajtjen dhe sistemimin e tyre;
c) Nëpunësi/punonjësi, të cilit i përket dosja;
ç) Komisioneri i Shërbimit Civil;
d) Departamenti i Administratës Publike;
dh) Sekretari i Përgjithshëm;
e) Titullari i Institucionit;
ë) si dhe institucione të tjera të ngarkuara nga ligji.
6. Nëpunësi/punonjësi është i detyruar t’u përgjigjet menjëherë kërkesave të njësisë së menaxhimit të burimeve njerëzore, për të gjitha të dhënat e përcaktuara në pikën 3, të kreut I, të këtij vendimi, si dhe të njoftojë menjëherë për ndryshimin e tyre.
7. Nëpunësi/punonjësi mban përgjegjësi për vërtetësinë e të dhënave që jep për plotësimin e dosjes së personelit.
8. Me ndërprerjen e marrëdhënieve të punës dosja personale i kthehet punëmarrësit dhe institucioni mban një kopje të saj.
KREU II
REGJISTRI QENDROR I PERSONELIT
1. Regjistri Qendror i Personelit krijohet dhe administrohet nga Departamenti i Administratës Publike.
2. Regjistri Qendror i Personelit është një bazë unike të dhënash elektronike, në të cilën ruhet, përpunohet dhe menaxhohet kryesisht informacioni për burimet njerëzore aktive në të gjitha institucionet e administratës shtetërore, institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore.
3. Në Regjistrin Qendror të Personelit reflektohen si të dhëna parësore të dhënat profesionale, të dhënat për marrëdhëniet e punës, arsimin, rekrutimin, trajnimin, pagat, sigurimet dhe përmbajtja e dosjes së personelit e çdo të punësuari në institucionet e administratës shtetërore, institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore.
4. Regjistri Qendror i Personelit përmban, gjithashtu, informacion për strukturën, organizimin dhe sistemin e pagave për të gjitha institucionet e administratës shtetërore, institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore.
5. Institucionet e administratës shtetërore kanë detyrimin të hedhin të dhënat parësore në Regjistrin Qendror të Personelit. Informacioni për strukturën, organikën dhe strukturën e vlerat e pagave hidhet në sistem nga Departamenti i Administratës Publike.
6. Institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore kanë detyrimin të hedhin të dhënat parësore, informacionin për strukturën dhe organikën e tyre në Regjistrin Qendror të Personelit. Të dhënat për strukturën dhe vlerat e pagave hidhen në sistem nga Departamenti i Administratës Publike.
7. Të dhënat dytësore, si elemente të dosjes së personelit, të cilat administrohen nga një tjetër bazë të dhënash shtetërore, plotësohen nëpërmjet ndërveprimit të Regjistrit Qendror të Personelit me të tjera baza shtetërore të dhënash elektronike, në përputhje me ligjet në fuqi për koordinimin e bazave të të dhënave shtetërore.
8. Baza e të dhënave të Regjistrit Qendror të Personelit ndërvepron me bazat e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Institutit të Sigurimeve Shëndetësore, Sistemin e Thesarit dhe Drejtorinë e Tatimeve në Ministrinë e Financave.
9. Regjistri Qendror i Personelit shërben si burim planifikimi dhe informacioni për pagat dhe pagesat e nëpunësve publikë, nëpërmjet ndërveprimit me Sistemin e Thesarit në Ministrinë e Financave.
10. Ministritë përgjegjëse/institucionet në varësi të tyre, për Arsimin dhe Sportin, Drejtësinë, Financat, Mbrojtjen, Punët e Brendshme, Punët e Jashtme, Sigurimet Shoqërore dhe Sigurimet e Kujdesit Shëndetësor ngarkohen me detyrimin dhe përgjegjësinë për të hedhur dhe përditësuar të dhëna specifike të nevojshme, për realizimin e funksioneve bazë të sistemit të Regjistrit Qendror të Personelit dhe plotësimin e operacioneve lidhur me planifikimin dhe pagesat.
11. Të gjitha institucionet e administratës shtetërore, institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore janë përgjegjëse për plotësimin dhe përditësimin e të dhënave të përcaktuara në pikat e mësipërme të këtij vendimi dhe sipas rregullave të përcaktuara në lidhjen 3, bashkëlidhur këtij vendimi dhe pjesë përbërëse e tij.
12. Departamenti i Administratës Publike është administratori i vetëm dhe fuqiplotë i Regjistrit Qendror të Personelit dhe përgjegjës i drejtpërdrejtë për strukturën e bazës së të dhënave, anën funksionale dhe operacionale.
13. Departamenti i Administratës Publike përfaqëson autoritetin e vetëm i cili përcakton të drejtat dhe kufizimet e operimit në bazën e të dhënave elektronike të Regjistrit Qendror të Personelit, nëpërmjet aplikimit të skemave të aksesit me nivele të shkallëzuara dhe hierarkike të administrimit të informacionit respektiv për të gjitha institucionet e tjera të administratës shtetërore, institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore.
14. Departamenti i Administratës Publike është përgjegjës për krjimin, operimin dhe mirëfunksionimin e të gjithë përdoruesve me privilegje aksesi të nivelit të parë të bazës së të dhënave elektronike të Regjistrit Qendror të Personelit dhe, po ashtu, miraton krijimin e përdoruesve dhe monitoron operacionet e të gjithë këtyre përdorueseve të tjerë me privilegje aksesi të nivelit dytë e më poshtë, sipas përcaktimeve të bëra në lidhjen 3, bashkëlidhur këtij vendimi dhe pjesë përbërëse e tij.
15. Institucionet e administratës shtetërore, institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore, rregullisht, përfaqësohen me një nivel aksesi të shkallës së parë dhe e ushtrojnë këtë të drejtë e detyrim nëpërmjet, të paktën, një përdoruesi me privilegjet përkatëse të nivelit të parë të administrimit, sipas përcaktimeve të bëra në lidhjen 3, bashkëlidhur këtij vendimi dhe pjesë përbërëse e tij.
16. Përdoruesit me privilegje administrative të nivelit të parë në institucionet e administratës shtetërore, institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore përcaktojnë dhe janë përgjegjës për veprimet respektive në bazën e të dhënave elektronike të Regjistrit Qendror të Personelit të përdoruesve me privilegje aksesi të nivelit të dytë e më poshtë, sipas përcaktimeve të bëra në lidhjen 3, bashkëlidhur këtij vendimi dhe pjesë përbërëse e tij.
17. Të gjithë përdoruesit në institucionet e administratës shtetërore, institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore kanë detyrimin të kujdesen për ruajtjen dhe konfidencialitetin e privilegjeve të aksesit në bazën e të dhënave elektronike të Regjistrit Qendror të Personelit dhe mbajnë përgjegjësi personale të drejtpërdrejtë në rast të shkeljes së rregullave, pakujdesisë apo keqpërdorimit të nivelit të tyre të aksesit.
18. Të gjithë përdoruesit në institucionet e administratës shtetërore, institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore kanë detyrimin të kujdesen për ruajtjen e të dhënave personale të nëpunësit, në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.
19. Nëpërmjet ministrit përgjegjës për administratën publike ose drejtpërdrejt Departamenti i Administratës Publike nxjerr udhëzime më të hollësishme në lidhje me elementet elektronike përbërëse, funksionet, përdorimin dhe administrimin e Regjistrit Qendror të Personelit, të cilat janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga institucionet të cilave u drejtohen.
20. Departamenti i Administratës Publike, gjatë hartimit të buxhetit vjetor, përgatit planin e nevojave vjetore për investimet, operimin dhe mirëmbajtjen e Regjistrit Qendror të Personelit, fonde të cilat përfshihen në projektbuxhetin e këtij departamenti.
KREU III
DISPOZITA TË FUNDIT
1. Institucioni, me rekomandimin e njësisë së menaxhimit të burimeve njerëzore, mund t’i kërkojë Departamentit të Administratës Publike që t’i shtojë dosjes së personelit elemente të tjera, që gjykohen të nevojshme për mirëfunksionimin dhe për specifikat e atij institucioni.
2. Departamenti i Administratës Publike ka detyrimin që të shqyrtojë kërkesat për ndryshimet në lidhjet përkatëse, bashkëlidhur këtij vendimi dhe, nëse i miraton, ia propozon ministrit përgjegjës për administratën publike këto ndryshime.
3. Departamenti i Administratës Publike ka detyrimin të përcaktojë formën dhe elementet elektronike të dosjes së personelit dhe periodikisht, të paktën një herë në vit, të analizojë ndryshimet e nevojën për ndryshime, me qëllim përmirësimin dhe përditësimin e të gjitha elementeve përbërëse të dosjes.
4. Një kopje e të gjitha akteve të miratuara nga Kryeministri dhe nga Këshilli i Ministrave, që prodhojnë efekte të lidhura me krijimin, bashkimin apo shkrirjen e institucioneve, miratimin e strukturave të pagave dhe organigramave të institucioneve, i dërgohet Departamentit të Administratës Publike, për efekt të pasqyrimit të ndryshimeve në Regjistrin Qendror të Personelit.
5. Ministri përgjegjës për administratën publike, me propozimin e Departamentit të Administratës Publike, miraton rregulloret e përdorimit dhe manualet e përdoruesve për Regjistrin Qendror të Personelit.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.545, DATË 11.8.2011, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS DHE TË NIVELEVE TË PAGAVE TË NËPUNËSVE CIVILË/NËPUNËSVE, ZËVENDËSMINISTRIT DHE NËPUNËSVE TË KABINETEVE, NË KRYEMINISTRI, APARATET E MINISTRIVE TË LINJËS, ADMINISTRATËN E PRESIDENTIT, KUVENDIT, KOMISIONIT QENDROR TË ZGJEDHJEVE, PROKURORINË E PËRGJITHSHME, DISA INSTITUCIONE TË PAVARURA, INSTITUCIONET NË VARËSI TË KRYEMINISTRIT, INSTITUCIONET NË VARËSI TË MINISTRAVE TË LINJËS DHE ADMINISTRATËN E PREFEKTIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4/2, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, të ligjit nr.9584, datë 17.7.2006, “Për pagat, strukturat dhe shpërblimet e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura të krijuara me ligj”, dhe të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.545, datë 11.8.2011, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:
I. Në pikën 1/3 bëhen këto ndryshime:
1. Në shkronjën “a”:
– emërtesa “Drejtoria e Përgjithshme e Inspektoriatit Shtetëror të Punës” zëvendësohet me “Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, në nivel qendror”;
– shtohet emërtesa “Agjencia Kombëtare e Bregdetit”.
2. Në shkronjën “b”:
– emërtesa “Inspektorati Kombëtar i Arsimit Parauniversitar” zëvendësohet me “Inspektoriati Shtetëror i Arsimit”;
– shtohet emërtesa “Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave”.
3. Në shkronjën “c”:
– emërtesa “Drejtoria e Shërbimeve të Midhjes dhe Peshkimit, Sarandë” zëvendësohet me “Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës;
– emërtesa “Agjencia e Mjedisit dhe Pyjeve”, zëvendësohet me “Agjencia Kombëtare e Mjedisit”.
II. Në lidhjen 3/1, emërtesa “Koordinator në Departamentin e Administratës Publike”, shfuqizohet.
III. Pas pikës 3 shtohet pika 3/1, me përmbajtjen, si më poshtë vijon:
“3/1. Kategoritë e pagave të pozicioneve të punës në Departamentin e Administratës Publike të jenë sipas lidhjes 3/2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.”.
IV. Në fund të pikës 6 shtohet një paragraf, me këtë përmbajtje:
“Titullari i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka të drejtë të ketë një këshilltar të jashtëm. Pagesa e tij mujore është sipas kategorisë III-a.”.
V. Lidhja nr.7/1 (pjesa I dhe II), që përmendet në pikën 11/1, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe titull, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
VI. Lidhja nr.9, që përmendet në pikën 13, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe titull, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga momenti i emërimit të nëpunësve.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR UNAZA E MADHE E TIRANËS (KOMUNA E PARISIT – RRUGA E KAVAJËS)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor Unaza e Madhe e Tiranës (Komuna e Parisit – Rruga e Kavajës).
2. Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për tokë, me vlerë 447 730 031 (katërqind e dyzet e shtatë milionë e shtatëqind e tridhjetë mijë e tridhjetë e një) lekë, për objekte, me vlerë 442 002 906 (katërqind e dyzet e dy milionë e dy mijë e nëntëqind e gjashtë) lekë, dhe për kultura bujqësore me vlerë 1 561 500 (një milion e pesëqind e gjashtëdhjetë e një mijë e pesëqind) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit për tokë, objekte dhe kultura bujqësore, është 891 294 437 (tetëqind e nëntëdhjetë e një milionë e dyqind e nëntëdhjetë e katër mijë e katërqind e tridhjetë e shtatë) lekë.
5. Shpenzimet procedurale të përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
6. Vlera e përgjithshme e shpronësimit për tokë, objekte dhe kultura bujqësore, prej 891 294 437 (tetëqind e nëntëdhjetë e një milionë e dyqind e nëntëdhjetë e katër mijë e katërqind e tridhjetë e shtatë) lekësh, të përballohet nga buxheti i miratuar për vitin 2014, për Autoritetin Rrugor Shqiptar.
7. Shpronësimi të fillojë në datën 10 mars 2014.
8. Pronarët e pasurive për të cilat është bërë shënimi “Konfirmuar nga ZVRPP-ja”, të likuidohen, për efekt shpronësimi, në bazë të dokumentacionit të plotë të pronësisë, që do të dorëzojnë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar. Të gjithë pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që janë në listat e shpronësimit, të likuidohen pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë nga ZVRPP-ja, Tiranë.
9. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës në hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit që do t’u vihet në dispozicion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe, me fillimin e procesit të likuidimit, të fillojë dhe procesi i kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.
10. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë, të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së trupit të rrugës në hartat kadastrale, si dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
11. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
STATUSIN E NËPUNËSVE DHE PUNONJËSVE AKTUALË QË PËRFITOJNË STATUSIN E NËPUNËSIT CIVIL SIPAS LIGJIT NR.152/2013, “PËR NËPUNËSIN CIVIL”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 8, të nenit 67, dhe të nenit 69, të ligjit nr.152/2013, datë 30.5.2013, “Për nëpunësin civil”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe të ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Kreu I
Statusi i anëtarëve të TND-Së në institucionet
e administratës shtetërore
e administratës shtetërore
1. “Nëpunësit civilë të nivelit të lartë drejtues”, në Kryeministri, aparatin e një ministrie, apo titullarët e institucioneve të varësisë së Kryeministrit apo ministrit, të pranuar në shërbimin civil sipas procedurave të ligjit nr.8549, datë 11.11.1999, “Statusi i nëpunësit civil”, janë, për shkak të ligjit, anëtarë të TND-së.
2. DAP-i verifikon procedurën e rekrutimit për nëpunësit, sipas pikës 1, kreut I, të këtij vendimi, dhe lëshon për çdo nëpunës aktin e deklarimit të statusit të punësimit sipas ligjit nr.152/2013, brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
3. Statusi, të drejtat dhe detyrimet e titullarëve të institucioneve në varësi të Kryeministrit apo ministrit, të cilët nuk janë rekrutuar sipas procedurave të ligjit nr.8549, datë 11.11.999, “Statusi i nëpunësit civil”, deri në përfundimin e procedurës së pranimit në TND, rregullohen sipas legjislacionit në bazë të të cilit ka lindur marrëdhënia e tyre e punës.
KREU II
1. “Nëpunës civilë”, sipas pikës 3, të nenit 67, janë të gjithë ata nëpunës që kryejnë funksione në shërbimin civil në momentin e fillimit të efekteve të ligjit nr.152/2013 dhe që janë rekrutuar sipas procedurave konkurruese, përcaktuar nga ligji nr.8549, datë 11.11.1999, “Statusi i nëpunësit civil”.
2. DAP-i, për institucionet e administratës shtetërore, apo njësia përgjegjëse, për institucionet e pavarura, bashkitë dhe qarqet, verifikon procedurën e rekrutimit dhe lëshon për çdo nëpunës aktin e deklarimit të statusit të punësimit, sipas ligjit nr.152/2013, brenda 90 (nëntëdhjetë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
KREU III
Statusi i punonjësve ekzistues në institucionet
e administratës shtetërore dhe komunat
1. “Punonjës ekzistues”, sipas pikës 3, të nenit 67, të ligjit nr.152/2013, që kryejnë funksione të shërbimit civil në institucionet e administratës shtetërore e komuna, dhe:
a) janë rekrutuar sipas procedurave të ngjashme me ato të përcaktuara nga ligji nr.8549, datë 11.11.1999, “Statusi i nëpunësit civil”, por që nuk e gëzojnë statusin e nëpunësit civil; apo
b) janë të punësuar në të njëjtin vend pune për një periudhë jo më të vogël se një vit
janë nëpunës civilë për shkak të ligjit.
2. “Punonjës ekzistues” që mbajnë një pozicion të konsideruar si pjesë të shërbimit civil, sipas ligjit nr.152/2013, në institucionet e administratës shtetërore e në komunë dhe që janë të punësuar në të njëjtin vend pune për një periudhë më pak se një vit, janë nëpunës civilë në periudhë prove. Periudha e provës fillon nga data e fillimit të efekteve të ligjit.
3. Në rastin e institucioneve të administratës shtetërore, njësitë e menaxhimit të burimeve njerëzore pranë çdo institucioni, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, dërgojnë në institucionin qendror nga varen listën e plotë të nëpunësve, së bashku me dosjen përkatëse, ku përfshihen akti i emërimit, kohëzgjatja e periudhës së punësimit, dokumentacioni që vërteton procedurën e marrjes në punë, si dhe dokumentet personale të punonjësve.
4. DAP-i, për institucionet e administratës shtetërore, brenda 90 (nëntëdhjetë) ditëve nga marrja e dokumentacionit të mësipërm, bën verifikimin, rast pas rasti, të plotësimit të kritereve të përcaktuara në pikat 1 dhe 2, të kreut III, të këtij vendimi, dhe në përfundim vendos:
a) deklarimin e statusit të punësimit;
b) kthimin e dokumentacionit për plotësim, duke përcaktuar edhe afatin brenda të cilit duhet të plotësohen mangësitë.
5. Në rastin e parashikuar në shkronjën “b” të pikës 4, të kreut III, të këtij vendimi, DAP-i bën deklarimin e statusit të punësimit brenda 10 (dhjetë) ditëve nga marrja e dokumenteve plotësuese.
6. Në rastin kur punonjësit nuk plotësojnë kriteret për të qenë nëpunës civilë, sipas ligjit nr.152/2013 dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, DAP-i njofton njësinë e menaxhimit të burimeve njerëzore të institucionit përkatës, sipas afateve të përcaktuara në pikat 4 dhe 5, të kreut III, të këtij vendimi.
Njësia e menaxhimit të burimeve njerëzore vendos përfundimin e marrëdhënies së punësimit për këta punonjës.
7. Në rastin e komunave, njësia përgjegjëse bën verifikimin, rast pas rasti, të plotësimit të kritereve të përcaktuara në pikat 1 dhe 2, të kreut III, të këtij vendimi, dhe lëshon për çdo punonjës, të përcaktuar sipas pikave 3 e 4, të nenit 67, të ligjit nr.152/2013, aktin e deklarimit të statusit të punësimit sipas ligjit, brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve, nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
Në rastin kur punonjësit nuk i plotësojnë kriteret për të qenë nëpunës civilë, sipas ligjit nr.152/2013 dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, njësia e menaxhimit të burimeve njerëzore vendos përfundimin e marrëdhënies së punësimit për këta punonjës.
KREU IV
DISPOZITA TRANSITORE
1. Procedura e deklarimit të statusit të punësimit përfundon jo më vonë se 120 (njëqind e njëzet ditë) ditë nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
2. Në rast se për shkaqe të arsyeshme, procedura nuk ka përfunduar brenda afatit të përcaktuar në pikën 1, të kreut IV, të këtij vendimi, DAP-i/njësia përgjegjëse ka të drejtën e shtyrjes së afatit një herë të vetme, jo më shumë se 30 (tridhjetë) ditë.
3. Çdo nëpunës civil/punonjës, ka të drejtën të kërkojë deklarimin e statusit të punësimit pranë DAP-it/njësisë përgjegjëse, pavarësisht procedurës së nisur nga njësia e menaxhimit të burimeve njerëzore të institucionit përkatës.
4. Nëpunësit civilë të cilët janë rekrutuar sipas procedurave konkurruese, parashikuar nga ligji nr.8549, datë 11.11.1999, “Statusi i nëpunësit civil”, dhe që janë në periudhë prove, vazhdojnë periudhën e provës sipas afateve të përcaktuara në këtë ligj.
5. Procedura e vlerësimit në përfundim të periudhës së provës, për këta nëpunës, bëhet sipas parashikimeve të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E STRATEGJISË KOMBËTARE TË MENAXHIMIT TË INTEGRUAR TË KUFIRIT E TË PLANIT TË VEPRIMIT, 2014 – 2020
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Strategjisë Kombëtare të Menaxhimit të Integruar të Kufirit e të planit të veprimit, 2014 – 2020, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Financave, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Integrimit Evropian, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministria e Mjedisit, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Kulturës, Ministria e Energjisë dhe Industrisë dhe Shërbimi Informativ i Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES ME SHKËMBIM NOTASH, ndËrmjet KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR PROJEKTIN “PROGRAMI I ARSIMIT DHE I FORMIMIT PROFESIONAL”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V e n d o s i:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes me shkëmbim notash, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për projektin “Programi i arsimit dhe i formimit profesional”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NGRITJEN, PËRBËRJEN DHE MËNYRËN E ORGANIZIMIT, TË FUNKSIONIMIT E TË SHPËRBLIMIT TË KOMISIONIT TË MBROJTJES NGA RREZATIMET
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 6, të ligjit nr.8025, datë 9.11.1995, “Për mbrojtjen nga rrezatimet jonizuese”, të ndryshuar, dhe të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.10469, datë 13.10.2011, “Për mbrojtjen nga rrezatimet jojonizuese”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ngritjen e Komisionit të Mbrojtjes nga Rrezatimet (në vijim KMRR), i cili kryesohet nga ministri i Shëndetësisë dhe ka në përbërje:
a) Një përfaqësues nga Instituti i Shëndetit Publik;
b) Një përfaqësues jurist nga Ministria e Shëndetësisë;
c) Një përfaqësues nga Instituti i Fizikës Bërthamore të Zbatuar;
ç) Një përfaqësues nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, me njohuri të thelluara për rrezatimet elektromagnetike, stacionet bazë, frekuencat e transmetimit;
d) Një ekspert në fushën e mbrojtjes nga rrezatimet jonizuese e jojonizuese;
dh) Një anëtar me njohuri të thelluara në fushën e fizikës, elektromagnetizmit dhe bashkëveprimit të rrezatimit jonizues me lëndën, i propozuar nga Zyra e Mbrojtjes nga Rrezatimet.
2. KMRR-ja, në varësi të problematikës që do të shqyrtohet në mbledhje, thërret ekspertë me njohuri të thelluara në fushën e legjislacionit për mbrojtjen nga rrezatimet, aplikimet e rrezatimeve jonizuese, për sigurinë fizike të burimeve radioaktive, rrezatimeve jojonizuese. Këta ekspertë propozohen nga Zyra e Mbrojtjes nga Rrezatimet dhe miratohen nga kryetari i Komisionit të Mbrojtjes nga Rrezatimet.
3. KMRR-ja është autoriteti kombëtar rregullator, i cili mbikëqyr dhe siguron zbatimin e ligjit nr.8025, datë 9.11.1995, “Për mbrojtjen nga rrezatimet jonizuese”, të ndryshuar, të ligjit nr.10469, datë 13.10.2011, “Për mbrojtjen nga rrezatimet jojonizuese”, dhe të akteve të tjera ligjore e nënligjore në fushën e mbrojtjes nga rrezatimet jonizuese dhe jojonizuese.
4. Kryetari i Zyrës së Mbrojtjes nga Rrezatimet është sekretar i Komisionit të Mbrojtjes nga Rrezatimet.
5. KMRR-ja mblidhet, si rregull, një herë në 2 (dy) muaj, sipas njoftimit të kryetarit dhe mbledhjet zhvillohen me jo më pak se 2/3 e anëtarëve. Njoftimi, ku përcaktohen rendi i ditës dhe materialet që do të diskutohen në mbledhje, u dërgohet anëtarëve të komisionit të paktën 7 (shtatë) ditë përpara datës së caktuar për mbledhje.
6. Kur një anëtar nuk merr pjesë në tri mbledhje radhazi, përjashtohet me vendim të kryetarit të Komisionit të Mbrojtjes nga Rrezatimet dhe zëvendësohet nga institucioni përkatës.
7. Mbledhjet e KMRR-së i drejton kryetari dhe, në mungesë të tij, vetë kryetari cakton një anëtar të komisionit për drejtimin e mbledhjes.
8. Procesverbali për çdo mbledhje mbahet nga personi i caktuar nga Zyra e Mbrojtjes nga Rrezatimet, i cili merr pjesë rregullisht në çdo mbledhje.
9. Mandati i anëtarëve të komisionit është katërvjeçar. Nëse institucioni përkatës nuk paraqet ndryshim, pas skadimit të afatit të mandatit, atëherë mandati i personit është i vlefshëm dhe për katër vite të tjera.
10. KMRR-ja miraton çdo vit raportin vjetor për sigurinë dhe sigurimin e burimeve të rrezatimit jonizues dhe jojonizues në Republikën e Shqipërisë, të përgatitur nga Zyra e Mbrojtjes nga Rrezatimet në bashkëpunim me institucione të tjera të fushës.
11. Shpërblimi për pjesëmarrje në mbledhje, për çdo anëtar dhe për sekretarin e Komisionit të Mbrojtjes nga Rrezatimi, bëhet sipas përcaktimeve të bëra në vendimin nr.418, datë 27.6.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e masës së shpërblimit të anëtarëve të këshillave, bordeve ose komisioneve të njësive të qeverisjes qendrore”.
12. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, mbulohen nga buxheti vjetor i miratuar për Ministrinë e Shëndetësisë.
13. Vendimi nr.510, datë 13.5.2009, i Këshillit të Ministrave, “Për ngritjen përbërjen, organizimin, funksionimin dhe mënyrën e shpërblimit të Komisionit të Mbrojtjes nga Rrezatimet”, shfuqizohet.
14. Ngarkohet Ministria e Shëndetësisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.