Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, 10 dhjetor 2014
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E MËNYRËS SË MBLEDHJES DHE ADMINISTRIMIT TË TË ARDHURAVE PËR NDËRTIMET PA LEJE DHE VLERAVE TË ZBATUESHME PËR LEGALIZIM 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 32, pika 3, dhe 43, pika 2, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Të ardhurat për përballimin e shpenzimeve të evidentimit në terren dhe të  hartimit të dokumentacionit, për ndërtimet pa leje, të përbëhen nga:
a) 30 për qind e fondit të arkëtuar nga pagesa e parcelës ndërtimore;
b) të ardhurat e arkëtuara nga pagesa e tarifës së shërbimit, për ndërtimet pa leje me funksion social-ekonomik dhe të përzier, si dhe nga pagesa e penaliteteve, në masën e vlerësuar nga ALUIZNI, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
2. Tarifa e shërbimit për legalizim, për ndërtimet pa leje me funksion social-ekonomik, si dhe për objektet e dyta, në kuptim të nenit 25, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, është 8 000 (tetë mijë) lekë, për çdo kat të ndërtimit.
3. Për ndërtimet pa leje, me funksion të përzier, subjekti të paguajë tarifë shërbimi, në vlerën e përcaktuar në pikën 2, të këtij vendimi, vetëm për katin e shfrytëzuar për veprimtari social-ekonomike.
4. Pagesa e tarifës së shërbimit të kryhet brenda 45 ditëve, nga data e njoftimit me shkrim të ALUIZNI-t.
5. Taksa vendore e ndikimit në infrastrukturë, për ndërtimet e legalizuara, pavarësisht nga funksioni i tyre, të llogaritet, arkëtohet dhe administrohet nga njësitë e qeverisjes vendore, në përputhje me përcaktimet e ligjit nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar.
Për zbatimin e kësaj pike, drejtoritë e ALUIZNI-t, të vënë në dispozicion të njësive të qeverisjes vendore, në momentin e dërgimit për regjistrim në ZVRPP, të dhënat e ndërtimeve që pajisen me leje legalizimi.
6. Për llogaritjen e penalitetit të legalizimit të shtesave të subjektit ndërtues, sipas nenit 43, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” të ndryshuar, si çmim minimal fiskal të përdoret ai i parashikuar në tabelën nr.1, të miratuar me udhëzimin nr.2, datë 6.8.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kostos mesatare të ndërtimit të banesave nga Enti Kombëtar i Banesave, për vitin 2014”.
7. Për ndërtimet në zonat ku nuk ka çmim të përcaktuar, sipas pikës 6, të këtij vendimi, si dhe për ndërtimet në komuna, përllogaritja të kryhet në bazë të mesatares aritmetike të çmimeve në zonat kufitare.
8. Vendimet e Këshillit të Ministrave, nr.1180, datë 5.8.2008, “Për përcaktimin e vlerës së tarifës së shërbimit për legalizim dhe mbledhjen e administrimin e të ardhurave të procesit të legalizimit”, të ndryshuar, dhe nr.870, datë 27.12.2006, “Për koeficientin e shfrytëzimit të ndërtesës në legalizim, me destinacion social-ekonomik”, shfuqizohen.
9. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale dhe njësitë e qeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPËRBLIMIN E PRONARËVE PËR SIPËRFAQET TAKUESE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMET INFORMALE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 1 e 3, të nenit 15/1, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, dhe të neneve 3, shkronja “c”, e 5, pika 2, të ligjit nr.10239, datë 25.2.2010, “Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpërblimin e pronarëve për sipërfaqet takuese të pasurive të paluajtshme, pronë private, të zëna nga ndërtimet informale në qarqet e Tiranës, të Elbasanit, të Vlorës, të Korçës dhe të Lezhës.
2. Vlera e përgjithshme e kompensimit të jetë 256 161 718.23 (dyqind e pesëdhjetë e gjashtë milionë e njëqind e gjashtëdhjetë e një mijë e shtatëqind e tetëmbëdhjetë pikë njëzet e tre) lekë dhe sipërfaqja që shpronësohet të jetë 13 738.9 (trembëdhjetë mijë e shtatëqind e tridhjetë e tetë pikë nëntë) m², sipas tabelës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Zyrat përkatëse vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme të kryejnë ndryshimet përkatëse për këto pasuri në regjistrat e pasurive të paluajtshme.
4. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, zyrat përkatëse vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale për zbatimin e këtij vendimi.
    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PROCEDURAT E BASHKËPUNIMIT NË INSTITUCIONET E ADMINISTRATËS SHTETËRORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 24, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
KREU I
TË PËRGJITHSHME
1. Objekt i këtij vendimi është rregullimi i mënyrës së bashkëpunimit nëpërmjet kërkimit të të dhënave, informacionit, ndihmës së nevojshme, ngritjes së grupeve të përbashkëta të punës për hartimin e strategjive, politikave, akteve dhe krijimit të njësive të përbashkëta për të kryer detyra administrative ndërmjet institucioneve të administratës shtetërore me qëllim mirëfunksionimin e aparatit dhe veprimtarisë shtetërore, si edhe realizimin e detyrave administrative me shpejtësi, efikasitet dhe besueshmëri.
2. Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të administratës shtetërore realizohet në një nga format e parashikuara nga neni 24, i ligjit nr.90/2012, dhe sipas përcaktimeve të këtij vendimi.
3. Të gjitha institucionet e administratës shtetërore para, gjatë dhe në përfundim të procesit të bashkëpunimit janë të detyruara të japin ndihmën dhe kontributin e tyre me qëllim realizimin pa vonesa të funksioneve administrative dhe detyrave shtetërore.
4. Funksionarët, nëpunësit dhe punonjësit e administratës shtetërore, të cilët pengojnë procedurën e bashkëpunimit institucional, kanë përgjegjësi disiplinore sipas legjislacionit përkatës që rregullon marrëdhëniet e tyre të punës.
KREU II
PROCEDURA E BASHKËPUNIMIT INSTITUCIONAL PËR SIGURIMIN E TË DHËNAVE, INFORMACIONIT DHE NDIHMËS SË NEVOJSHME
1. Çdo institucion i administratës shtetërore ka të drejtë që, nëpërmjet kësaj procedure, të kërkojë nga institucionet e tjera të administratës shtetërore që t’i sigurohen të dhëna, informacione apo çdolloj ndihme tjetër, të cilat janë të nevojshme për realizimin e detyrave funksionale të tij.
2. Ky lloj bashkëpunimi mund të shfaqet në një nga format e mëposhtme:
a) Kryeministria dhe ministritë me institucionet e tyre të varësisë, njësitë e drejtpërdrejta të ofrimit të shërbimeve, agjencitë autonome dhe me administratën e prefektit;
b) Kryeministria me ministritë;
c)  Ministritë ndërmjet tyre;
ç)  Kryeministria me institucionet e varësisë, njësitë e drejtpërdrejta të ofrimit të shërbimeve apo agjencitë autonome, në varësi të ministrive;
d) Ministritë me institucionet e varësisë, njësitë e drejtpërdrejta të ofrimit të shërbimeve apo agjencitë autonome, në varësi të ministrive të tjera;
dh) Institucionet e varësisë, njësitë e drejtpërdrejta të ofrimit të shërbimeve, agjencitë autonome, brenda një sistemi ministror;
e) Intitucionet e varësisë, njësitë e drejtpërdrejta të ofrimit të shërbimeve, agjencitë autonome, që i përkasin sistemeve ministrore të ndryshme, si dhe me administratën e prefektit.
3. Në çdo moment kur një institucioni të administratës shtetërore i nevojiten, me qëllim realizimin e funksioneve të tij, të dhëna apo informacione që disponohen nga një institucion tjetër, ai ka të drejtë t’i drejtohet drejtpërdrejt atij institucioni.
4. Kërkesa në këtë rast duhet të përmbajë:
a) organin që bën kërkesën;
b) llojin e të dhënave, informacionit apo ndihmës që kërkohet në këto raste;
c) arsyet e një kërkese të tillë;
ç) argumentimin e urgjencës nëse ekziston;
d) nënshkrimin e titullarit të institucionit apo personit përgjegjës.
5. Institucioni pritës duhet të kthejë menjëherë përgjigje për kërkesën për bashkëpunim dhe kurdoherë brenda afateve të përcaktuara në këtë vendim.
6.  Afatet për kthimin e përgjigjeve janë, si më poshtë vijon:
a) Kur kërkesa bëhet nga Kryeministria apo institucionet, njësitë e drejtpërdrejta të ofrimit të shërbimeve apo agjencitë autonome, në varësi të saj, drejtuar cilitdo institucion, afati për kthimin e përgjigjes është deri në 3 (tri) ditë pune për kërkesat e klasifikuara si urgjente dhe 7 (shtatë) ditë pune për kërkesat e klasifikuara si të zakonshme.
b) Kur kërkesa bëhet nga ministritë, drejtuar Kryeministrisë dhe/apo institucioneve, njësive të drejtpërdrejta të ofrimit të shërbimeve apo agjencive autonome, në varësi të saj, afati për kthimin e përgjigjes është deri në 3 (tri) ditë pune për kërkesat e klasifikuara si urgjente dhe 9 (nëntë) ditë pune për kërkesat e klasifikuara si të zakonshme.
c) Kur kërkesa bëhet nga ministritë për institucionet, njësitë e drejtpërdrejta të ofrimit të shërbimeve apo agjencitë autonome, në varësi të tyre, afati për kthimin e përgjigjes është deri në 3 (tri) ditë pune për kërkesat e klasifikuara si urgjente dhe 7 (shtatë) ditë pune për kërkesat e klasifikuara si të zakonshme.
ç) Kur kërkesa bëhet nga ministritë drejtuar ministrive të tjera, afati për kthimin e përgjigjes është deri në 3 (tri) ditë pune për kërkesat e klasifikuara si urgjente dhe 9 (nëntë) ditë pune për kërkesat e klasifikuara si të zakonshme.
d) Kur kërkesa bëhet nga ministritë drejtuar institucioneve, njësive të drejtpërdrejta të ofrimit të shërbimeve apo agjencitë autonome, në varësi të ministrive të tjera, si dhe administratës së prefektit, afati për kthimin e përgjigjes është deri në 4 (katër) ditë pune për kërkesat e klasifikuara si urgjente dhe 10 (dhjetë) ditë pune për kërkesat e klasifikuara si të zakonshme.
dh) Kur kërkesa bëhet nga institucionet, njësitë e drejtpërdrejta të ofrimit të shërbimeve apo agjencitë autonome, në varësi të një ministrie, ose administrata e prefektit, drejtuar institucioneve, njësive të drejtpërdrejta të ofrimit të shërbimeve apo agjencive autonome, në varësi të ministrive të tjera, si dhe administratës së prefektit, afati për kthimin e përgjigjes është deri në 3 (tri) ditë pune për kërkesat e klasifikuara si urgjente dhe 12 (dymbëdhjetë) ditë pune për kërkesat e klasifikuara si të zakonshme.
7. Afati për kthimin e përgjigjeve fillon nga e nesërmja e protokollimit të tyre në regjistrin përkatës të institucionit, të cilit i kërkohet informacioni, dhe mbaron në ditën përkatëse sipas afateve përkatëse brenda orarit zyrtar të asaj dite.
8.  Institucioni pritës, për shkaqe me rëndësi dhe duke dhënë një përgjigje të arsyetuar, mund të shtyjë përgjigjen e tij përkatësisht sipas rastit deri në 3 (tri) ditë pune të tjera.
9. Në rastin kur kërkohen të dhëna, informacione apo ndihmë, për të cilat kërkohen njohuri të posaçme shkencore dhe mund të kërkohen ekzaminime apo eksperimente me karakter shkencor, afati për kthimin e përgjigjes nuk mund të jetë më shumë se 20 (njëzet) ditë pune.
10. Në rast se kërkesa ka të bëjë me të dhëna apo informacion të klasifikuar sekret shtetëror, veprohet sipas legjislacionit përkatës që rregullon këtë fushë.
   11. Kërkesat për bashkëpunim shqyrtohen nga institucioni pritës, sipas radhës së paraqitjes së tyre, me përjashtim të kërkesave për bashkëpunim që vijnë nga Kryeministria, të cilat kanë kurdoherë prioritet.
12. Në rast se përgjigjja nuk është plotë, institucioni dërgues ka të drejtë të kërkojë plotësimin e saj me të dhënat apo informacionin e duhur, duke specifikuar edhe afatin kohor për plotësimin e të metave.
13. Afati sipas pikës 12 nuk duhet të jetë më i vogël se 3 (tri) ditë pune dhe jo më shumë se 7 (shtatë) ditë pune.
14. Institucioni pritës mund të kundërshtojë kërkesën për bashkëpunim, nëse legjislacioni që rregullon fushën e veprimtarisë së tij dhe/apo legjislacioni i fushave të tjera të veçanta e pengon atë për dhënien e të dhënave, të informacionit apo të ndihmës së kërkuar.
15. Në rastin e parashikuar në pikën 14, të kreut II, të këtij vendimi, institucioni pritës, kurdoherë brenda afateve të përcaktuara në këtë vendim, duhet të kthejë një përgjigje zyrtare refuzuese, në të cilën të saktësohet baza ligjore dhe të jepen shpjegimet e nevojshme për refuzimin e kërkesës për bashkëpunim me institucionin kërkues.
16. Nëse institucioni kërkues nuk merr përgjigjen në kohë apo nuk është i bindur nga arsyet e refuzimit të institucionit pritës, ai ka të drejtë t’i drejtohet institucionit epror të institucionit pritës, kur ky i fundit është institucion varësie, duke i kërkuar detyrimin e organit vartës për të dhënë të dhënat, informacionin apo ndihmën e kërkuar, dhe, nëse vonesa ka shkaktuar pasoja në veprimtarinë e institucionit dërgues, edhe propozimin për fillimin e ecurisë disiplinore ndaj personave përgjegjës.
17. Kërkesa e përcaktuar në pikën 16, të kreut II, të këtij vendimi, përmban përveç elementeve të përcaktuara në pikën 4, të kreut II, të këtij vendimi, edhe një parashtrim të arsyeve të refuzimit të kërkesës për bashkëpunim, kur ato janë dhënë, si dhe argumentet se përse këto arsye nuk qëndrojnë. Kërkesës i bashkëlidhet edhe përgjigjja zyrtare refuzuese e institucionit pritës, nëse një përgjigje e tillë është dhënë.
18. Institucioni epror, në rast se kërkesa e institucionit kërkues i duket e bazuar, mund ta detyrojë institucionin e tij vartës për plotësimin e kërkesës për bashkëpunim ose ta zëvendësojë atë sipas parashikimeve të pikës 4, të nenit 23, të ligjit nr.90/2012.
19. Institucioni epror, në rast se kërkesa e institucionit dërgues i duket e pabazuar, kthen një përgjigje të arsyetuar.
20. Në rast se institucioni dërgues është institucion varësie, ai ka të drejtë t’i drejtohet institucionit të tij epror për të kërkuar zgjidhjen e mosmarrëveshjes së krijuar në këtë rast.
21. Në rastin e parashikuar në pikën 19, të kreut II, të këtij vendimi, nëse institucioni epror e konsideron të bazuar kërkesën e institucionit të tij vartës, i paraqet Kryeministrit kërkesën për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës, duke parashtruar rrethanat e faktit, si dhe të gjithë dokumentacionin shoqërues, përfshirë edhe korrespondencën përkatëse.
22. Kryeministri në këto raste vepron sipas parashikimeve të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, dhe Kodit të Procedurave Administrative.
KREU III
NGRITJA E GRUPEVE TË PËRBASHKËTA TË PUNËS
1. Grupet e përbashkëta të punës janë grupe me karakter të përkohshëm, të cilat ngrihen sipas rastit me urdhër të ministrit/ministrave apo Kryeministrit dhe kanë si qëllim hartimin e strategjive, politikave, studimeve ose projektakteve të veçanta për administrimin e zbatimit të projekteve të Këshillit të Ministrave.
2. Këshilli i Ministrave, në çdo rast kur harton një projekt, përcakton edhe ministrin përgjegjës për zbatimin e tij. Nëse në projekt përfshihet fusha e përgjegjësisë së disa ministrave, atëherë Këshilli i Ministrave përcakton ministrin kryesor përgjegjës.
3. Në rast se Këshilli i Ministrave nuk ka caktuar ministrin përgjegjës në momentin e hartimit të projektit, atëherë ministri përgjegjës zgjidhet sipas parashikimeve të pikës 3, të nenit 24, të ligjit nr.90/2012.
4.  Për realizimin e projektit të Këshillit të Ministrave, ministri përgjegjës, në rast se grupi i punës mund të krijohet me mjetet dhe personelin e ministrisë që ai drejton apo të institucioneve që janë në varësinë e tij, nxjerr urdhrin për ngritjen e grupit të përbashkët të punës.
5.  Në rastet kur projekti i Këshillit të Ministrave prek fushën e veprimtarisë, në përgjegjësi të disa ministrave dhe/apo të institucioneve në varësi të tyre, nxirret një urdhër i përbashkët i ministrave të përfshirë nën drejtimin e ministrit përgjegjës kryesor ose, sipas rastit, të Kryeministrit.
6.  Në këtë rast, nismën për miratimin e urdhrit të përbashkët e ka ministri përgjegjës kryesor dhe, kur nuk është përcaktuar, ministri që ka më afër fushën e veprimtarisë, për të cilën është hartuar projekti i Këshillit të Ministrave.
7. Në urdhrin e përcaktuar në pikat 4 dhe 5, të kreut III, të këtij vendimi, duhet të përcaktohen:
a)  qëllimi i ngritjes së grupit të përbashkët të punës;
b)  objekti i grupit të punës;
c)  struktura përkatëse pranë së cilës do të funksionojë grupi i punës;
ç)  numri i punonjësve që do të përfshihen në grupin e punës dhe ndarja e detyrave;
d)  vendimmarrja e grupit;
dh)   infrastruktura e nevojshme;
e)  mjetet financiare, nëse është e nevojshme;
ë)  afati, brenda të cilit grupi i punës duhet të realizojë detyrat e tij.
8. Në qëllimin e ngritjes së grupit të përbashkët tregohet në mënyrë të përmbledhur projekti i Këshillit të Ministrave dhe detyrat që duhet të realizojë grupi i përbashkët për realizimin e tij.
9.  Në objektin e grupit të punës tregohet në mënyrë konkrete detyra, për të cilën është ngritur grupi i punës, që mund të jetë hartimi i një strategjie, politike, studimi apo projektakti ose një kombinim i këtyre rasteve.
10. Në urdhrin për ngritjen e grupit të përbashkët të punës duhet të përcaktohet saktësisht struktura pranë së cilës ky grup do të mblidhet dhe do të funksionojë. Kjo strukturë është një njësi organizative pranë aparatit të Kryeministrisë, ministrive apo institucioneve të varësisë.
11. Në përzgjedhjen e strukturës sipas pikës 10, të kreut III, të këtij vendimi, duhet të merret në konsideratë aksesi i punonjësve që do të jenë pjesë e grupit, si dhe infrastruktura e nevojshme për realizimin e detyrave të tyre.
12. Në urdhrin për ngritjen e grupit të përbashkët të punës duhet të përcaktohen saktësisht numri i nëpunësve që do të marrin pjesë në të, profili, kualifikimi dhe cilësitë e nevojshme që duhet të kenë, si dhe, kur është rasti, ndarja e tyre për çdo institucion të përfshirë në këtë proces.
13. Në rastin kur kërkohet që pjesë e grupit të jenë edhe ekspertë të jashtëm, duhet që në urdhër të specifikohen arsyeja e marrjes së tyre, si dhe profili e kualifikimi që duhet të kenë.
14. Në këtë rast, në urdhër duhet të përcaktohet edhe drejtuesi i grupit të përbashkët ose institucioni që ka të drejtën e emërimit të tij.
15. Me miratimin e urdhrit, titullarët e institucioneve përkatëse të përfshira në këtë proces bëjnë caktimin e nëpunësve të tyre që do të jenë pjesë e grupit të përbashkët.
16. Caktimi i ekspertëve të jashtëm bëhet nga ministri përgjegjës kryesor.
17. Nëpunësit e caktuar duhet që menjëherë t’i bëjnë me dije titullarit të tyre nëse kanë konflikt interesi. Në të njëjtën mënyrë veprohet edhe nëse konflikti i interesit zbulohet më vonë.
18. Në rastin e përcaktuar nga pika 17, e kreut III, të këtij vendimi, ose në çdo rast tjetër pamundësie ligjore të nëpunësve të caktuar për të marrë pjesë në grupin e përbashkët, titullarët e institucioneve të përfaqësuara bëjnë zëvendësimet përkatëse.
19. Drejtuesi i grupit të përbashkët ka këto funksione:
a)  Përfaqëson dhe drejton grupin e përbashkët;
b) U kërkon institucioneve të tjera përgjegjëse shpjegime, relatime dhe verifikime administrative për çështje të fushës që ata mbulojnë dhe që i shërbejnë punës së grupit të përbashkët. Në këtë rast, zbatohen me analogji dispozitat e kreut II, të këtij vendimi;
c) Organizon dhe asiston në mbarëvajtjen e mbledhjeve të grupit të përbashkët;
ç) Ndjek procesin e vendimmarrjes së grupit të përbashkët, që nga paraqitja e projekteve për shqyrtim e deri sa ato marrin formë të plotë;
d) Përcakton detyrat për secilin prej anëtarëve të grupit të përbashkët dhe kontrollon zbatimin e tyre;
dh) Kryen çdo veprim tjetër të nevojshëm për realizimin e qëllimit, objektit dhe detyrave, për të cilat është ngritur grupi i përbashkët.
20. Mbledhjet e grupit janë të vlefshme kur në të marrin pjesë të pakëtn 2/3 e anëtarëve të grupit.
21. Për shkaqe të arsyeshme, kur mungon njëri prej anëtarëve të grupit, drejtuesi i tij mund të vendosë shtyrjen e mbledhjes për një datë tjetër.
22. Vendimet në grupin e punës merren me votim nominal dhe me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të grupit. Në rast të barazisë së votave, vota e kryetarit të grupit është përcaktuese.
23. Në urdhrin për ngritjen e grupit të përbashkët të punës duhet të përcaktohen saktësisht mjediset dhe mjetet e nevojshme materiale, të cilat do t’i shërbejnë grupit të përbashkët për realizimin e detyrave të tij funksionale. Në rast se janë përfshirë disa institucione, në urdhër përcaktohet përgjegjësia e çdo institucioni.
24. Në urdhrin për ngritjen e grupit të përbashkët të punës duhet të përcaktohen saktësisht mjetet buxhetore dhe financiare që duhet të mbulojnë veprimtarinë e tij, ku përfshihet, nëse ka, edhe pagesa e ekspertëve të jashtëm. Në rast se këto mjete nuk mbulohen nga buxhetet e institucioneve të përfshira ose nuk ishin parashikuar në fondet e tyre, atëherë përpara ngritjes së grupit kërkohet detyrimisht mendimi nga Ministria e Financave.
25. Ministria e Financave në bashkëpunim me institucionet e përfshira ndjek procedurat e nevojshme për shpërndarjen e fondeve, duke zbatuar legjislacionin përkatës për buxhetin e shtetit.
26. Në rast se mjetet financiare për grupin e përbashkët mbulohen nga një projekt i huaj, i dhënë nga organizma apo donatorë ndërkombëtarë, përdorimi i tyre bëhet në përputhje me marrëveshjen e arritur me këto subjekte, si edhe me legjislacionin përkatës për buxhetin e shtetit.
27. Në urdhrin për ngritjen e grupit të përbashkët të punës duhet të përcaktohen periudha kohore, brenda së cilës grupi i përbashkët i punës duhet të realizojë detyrat, dhe objekti për të cilin është krijuar.
28. Në urdhër duhet të përcaktohet, gjithashtu, dhe mënyra e arkivimit të dokumentacionit të prodhuar nga grupi i përbashkët me pushimin e ekzistencës së tij.
29. Të dhënat e sipërpërmendura mund të ndryshohen në çdo kohë, sipas rastit, nga minstri përgjegjës me urdhër apo ministrat e përfshirë me urdhër të përbashkët, duke përcaktuar qëllimin, objektin, afatin, personelin, infrastrukturën apo mjetet financiare të tjera, duke zbatuar në këtë rast kërkesat e pikave 7-25, të kreut III, të këtij vendimi.
KREU IV
KRIJIMI I NJËSIVE TË PËRBASHKËTA
1. Njësitë e përbashkëta janë njësi të krijuara midis disa institucioneve me karakter të përkohshëm apo të përhershëm, të cilat krijohen sipas rastit me urdhër të ministrit apo ministrave dhe kanë si qëllim realizimin e detyrave administrative, të cilat për nga natyra e tyre kërkojnë pjesëmarrjen e disa institucioneve.
2.  Njësitë e përbashkëta krijohen me personel dhe mjete nga institucione, të cilat janë në varësi të një ministri. Në këtë rast, urdhri për ngritjen e njësisë së përbashkët bëhet nga ministri përgjegjës që ka në varësi institucionet përkatëse.
3. Njësitë e përbashkëta mund të krijohen edhe midis ministrive apo institucioneve që janë në varësi të ministrave të ndryshëm. Në këtë rast, për krijimin e njësisë nxirret një urdhër i përbashkët i ministrave të përfshirë.
4. Nisma për ngritjen e njësisë mund të ndërmerret nga cilido institucion i cili ka interes në krijimin e tij.
5.  Në rastin kur njësia e përbashkët do të krijohet për institucionet që janë në varësi të një ministri të vetëm, nisma mund të merret nga vetë ministri kryesisht apo nga institucionet në varësi.
6.  Në rast se nisma merret nga institucionet në varësi, institucioni propozues duhet të paraqesë bashkë me propozimin edhe një relacion shoqërues, në të cilin të përcaktohen qëllimi i krijimit të njësisë së përbashkët, institucionet që do të përfshihen, detyrat administrative konkrete që do të realizohen bashkërisht, mënyra e realizimit të tyre, personeli i nevojshëm, mjetet financiare, infrastruktura e nevojshme dhe natyra e përkohshme apo e përhershme e njësisë.
7. Me marrjen e propozimit dhe relacionit shoqërues, ministri njofton nëpërmjet sekretarit të përgjithshëm, brenda 5 (pesë) ditëve pune, institucionet që propozohen të përfshihen.
8. Brenda 10 (dhjetë) ditëve pune, institucioni që propozohet të përfshihet në krijimin e njësisë së përbashkët duhet të kthejë përgjigje të argumentuar për pranimin ose jo të propozimit.
9. Brenda 10 (dhjetë) ditëve pune nga data e marrjes së përgjigjes sipas pikës 8, të këtij kreu, ministri vendos për krijimin ose jo të njësisë së përbashkët.
10. Në rastin e ngritjes së njësisë së përbashkët nga disa ministri apo nga institucione, që janë në varësi të ministrave të ndryshëm, propozimi mund të vijë nga vetë ministrat e interesuar kryesisht apo nga vetë institucionet.
11. Në rast se propozimi vjen nga një prej ministrave, atëherë ai shoqërohet me një relacion, i cili përmban të dhënat e përcaktuara në pikën 6, të    kreut IV, të këtij vendimi, dhe i drejtohet ministrit apo ministrave, strukturat e të cilëve, aparat ministrie apo institucione varësie, kërkohen të përfshihen në krijimin e njësisë së përbashkët.
12. Ministri apo ministrat e përfshirë duhet të përgjigjen brenda 10 (dhjetë) ditëve pune nga data e marrjes së propozimit.
13. Në rast se kërkohet që në këtë procedurë të përfshihen edhe institucionet e tyre të varësisë, afati i përgjigjes është deri në 15 (pesëmbëdhjetë) ditë pune, me qëllim që ministri, të cilit i është drejtuar propozimi, të marrë edhe mendimin e institucionit/institucioneve në varësi.
14. Në rast se propozimi vjen nga një institucion varësie, i cili kërkon të krijojë një njësi të përbashkët me një apo disa institucione në varësi të ministrave të tjerë, të ndyshëm nga ministri nën varësinë e të cilit ky institucion është, propozimi bashkë me relacionin shoqërues i dërgohet ministrit, në varësi të të cilit është institucioni propozues.
15. Institucioni i varësisë, në këtë rast, duhet që, brenda 5 (pesë) ditëve, të paraqesë propozimin te ministri, në varësinë e të cilit është.
16. Ministri që merr propozimin sipas pikës 15, të kreut IV, të këtij vendimi, vepron më pas me procedurën e propozimit të përcaktuar në pikën 11, të kreut IV, të këtij vendimi. Më pas, sipas rastit, zbatohen afatet e përcaktuara në pikat 12 dhe 13, të kreut IV, të këtij vendimi.
17. Në rastin e krijimit të njësisë së përbashkët sipas pikave 10-16, të kreut IV, të këtij vendimi, ministrat e përfshirë nxjerrin urdhrin e përbashkët.
18. Në raste të caktuara, nisma për krijimin e njësisë së përbashkët mund të merret edhe nga Kryeministri. Në këtë rast, propozimi shoqërohet me relacionin përkatës dhe u drejtohet ministrive që kërkohet të përfshihen. Ministritë janë të detyruara të japin përgjigje brenda 10 (dhjetë) ditëve pune.
19. Në rast mosmarrëveshjeje midis ministrave për krijimin e njësisë së përbashkët apo në rast të nismës së ndërmarrë nga Kryeministri, sipas pikës 18, të kreut IV, të këtij vendimi, njësia e përbashkët krijohet me urdhër të Kryeministrit.
20. Në urdhrin për krijimin e njësisë së përbashkët duhet të përcaktohen:
a) qëllimi i krijimit të njësisë të përbashkët;
b) objekti i njësisë së përbashkët/detyrat administrative;
c) struktura përkatëse pranë së cilës do të funksionojë njësia e përbashkët;
ç) numri i punonjësve që do të përfshihen në njësinë e përbashkët dhe ndarja e detyrave;
d) vendimmarrja e njësisë;
dh) infrastruktura e nevojshme;
e) mjetet financiare;
ë) natyra e njësisë, e përhershme apo e përkohshme, dhe, nëse është e përkohshme, afati brenda të cilit njësia duhet të realizojë detyrat e saj.
21. Në qëllimin e krijimit të njësisë së përbashkët tregohen në mënyrë të përmbledhur detyrat e përbashkëta që kërkohet të realizohen në këtë rast.
22. Në objektin e njësisë tregohen në mënyrë konkrete detyrat administrative, për të cilat është krijuar njësia dhe që mund të jenë inspektimi, kontrolli, sekuestrimi, konfiskimi, parandalimi, ndalimi dhe detyra të tjera të nevojshme për arritjen e qëllimit të përbashkët.
23. Në urdhrin për krijimin e njësisë së përbashkët duhet të përcaktohet struktura, pranë së cilës kjo njësi do të mblidhet dhe do të funksionojë. Kjo strukturë mund të jetë një njësi organizative pranë aparatit të Kryeministrisë, ministrive apo institucioneve të varësisë.
24. Në përzgjedhjen e strukturës sipas pikës 23, të kreut IV, të këtij vendimi, duhet të merren në konsideratë aksesi i punonjësve që do të jenë pjesë e njësisë, si dhe infrastruktura e nevojshme për realizimin e detyrave të tyre.
25. Në urdhrin për krijimin e njësisë së përbashkët duhet të përcaktohen numri i nëpunësve që do të marrin pjesë në të, profili, kualifikimi dhe cilësitë e nevojshme që duhet të kenë, si dhe, kur është rasti, ndarja e tyre për çdo institucion të përfshirë në këtë proces.
26. Në urdhër në këtë rast duhet të përcaktohet edhe drejtuesi i njësisë së përbashkët ose institucioni që ka të drejtën e emërimit të tij.
27. Me miratimin e urdhrit, titullarët e institucioneve përkatëse të përfshira në këtë proces bëjnë caktimet e nëpunësve të tyre që do të jenë pjesë e njësisë së përbashkët.
28. Nëpunësit e caktuar duhet që menjëherë të deklarojnë nëse kanë konflikt interesi. Konflikti i interesit deklarohet edhe në rastet kur ai lind gjatë ushtrimit të detyrës.
29. Në rastin e përcaktuar nga pika 29, e kreut IV, të këtij vendimi, ose në çdo rast tjetër pamundësie ligjore të nëpunësve të emëruar (të caktuar) për të marrë pjesë në njësinë  e përbashkët, titullarët e institucioneve emëruese bëjnë zëvendësimet përkatëse, brenda 2 (dy) ditëve pune.
30. Drejtuesi i njësisë së përbashkët ka këto funksione:
a) Përfaqëson dhe drejton njësinë e përbashkët;
b) U kërkon institucioneve të tjera përgjegjëse shpjegime, relatime dhe verifikime administrative për çështje të fushës që ata mbulojnë dhe që i shërbejnë punës së njësisë së përbashkët. Në këtë rast, zbatohen me analogji dispozitat e kreut II, të këtij vendimi;
c) Organizon dhe asiston në mbarëvajtjen e mbledhjeve të njësisë së përbashkët;
ç) Ndjek procesin e vendimmarrjes së njësisë së përbashkët dhe kujdeset për realizimin e detyrave administrative përkatëse;
d)  Përcakton detyrat për secilin prej anëtarëve të njësisë së përbashkët dhe kontrollon zbatimin e tyre;
dh) Kryen çdo veprim tjetër të nevojshëm për realizimin e qëllimit, objektit dhe detyrave për të cilin është krijuar njësia e përbashkët.
31. Njësitë e përbashkëta të përhershme funksionojnë si struktura ekzekutive/urdhërdhënëse, me qëllim realizimin dhe përmbushjen e detyrave administrative të përbashkëta të institucioneve të përfshira në këtë njësi.
32. Në urdhrin për ngritjen e grupit të përbashkët, autoritetet e përfshira duhet të delegojnë edhe kompetencat e nevojshme për vendimmarrjen e kësaj njësie.
33. Këto kompetenca i delegohen si rregull drejtuesit të njësisë së përbashkët.
34. Delegimi i kompetencave duhet të bëhet në përputhje me parashikimet përkatëse në Kodin e Procedurave Administrative dhe në ligjin nr.90/2012.
35. Në urdhrin për krijimin e njësisë së përbashkët duhet të përcaktohen saktësisht mjediset dhe mjetet e nevojshme materiale, të cilat do t’i shërbejnë njësisë së përbashkët për realizimin e detyrave të saj funksionale. Në rast se janë përfshirë disa institucione, në urdhër përcaktohet përgjegjësia e çdo institucioni.
36. Në urdhrin për krijimin e njësisë së përbashkët duhet të përcaktohen saktësisht mjetet buxhetore dhe financiare që duhet të mbulojnë veprimtarinë e saj. Në rast se këto mjete nuk mbulohen nga buxhetet e institucioneve të përfshira ose nuk ishin parashikuar në fondet e tyre, atëherë përpara ngritjes së njësisë kërkohet detyrimisht mendimi nga Ministria e Financave.
37. Ministria e Financave në bashkëpunim me institucionet e përfshira ndjek procedurat e nevojshme për shpërndarjen e fondeve duke zbatuar legjislacionin përkatës për buxhetin e shtetit.
38. Në urdhrin për krijimin e njësisë së përbashkët duhet të përcaktohet nëse kjo njësi do të ketë natyrë të përhershme apo të përkohshme.
39. Në rast se ngritja e njësisë përcaktohet që të jetë me afat, në urdhër përcaktohet periudha kohore, brenda së cilës njësia duhet të realizojë detyrat administrative dhe qëllimin për të cilin është krijuar.
40. Urdhri, gjithashtu, duhet të përcaktojë dhe mënyrën e arkivimit të dokumentacionit të prodhuar nga njësia e përbashkët me pushimin e ekzistencës së saj.
41. Të dhënat e mësipërme mund të ndryshohen në çdo kohë, sipas rastit, nga Kryeministri/ministri përgjegjës me urdhër apo ministrat e përfshirë me urdhër të përbashkët, duke përcaktuar qëllimin, objektin, afatin, personelin, infrastrukturën apo mjetet financiare të tjera, por duke zbatuar në çdo rast kërkesat e pikave 21-41, të kreut IV, të këtij vendimi.
42. Titullarët e institucioneve të përfshira në njësinë e përbashkët mblidhen çdo gjashtë muaj për t’u informuar nga drejtuesi i njësisë në lidhje me ecurinë e punës dhe realizimin e detyrave administrative që i janë ngarkuar.
43. Punonjësit e njësisë së përbashkët, çdo 6 (gjashtë) muaj, vlerësohen për ecurinë e tyre në punë në njësi. Ky vlerësim nuk ndikon në vlerësimin e tyre të përgjithshëm që bëhet sipas legjislacionit specifik që rregullon marrëdhënien e tyre të punës.
          Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
***
V E N D I M 
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDëRMJET KëSHILLIT Të MINISTRAVE Të REPUBLIKëS Së SHQIPëRISë DHE QEVERISË SË mALIT TË ZI, “PËR BASHKËPUNIMin EKONOMIK”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Malit të Zi, “Për bashkëpunimin ekonomik”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË MBRETËRISË SË SPANJËS, PËR SHKËMBIMIN DHE MBROJTJEN RECIPROKE TË INFORMACIONIT TË KLASIFIKUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Mbretërisë së Spanjës, për shkëmbimin dhe mbrojtjen reciproke të informacionit të klasifikuar, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.718, DATË 29.10.2004, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR LISTËN E PERSONAVE TË SHPALLUR SI FINANCUES TË TERRORIZMIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 14, pika 1, 18, pika 1, 25, pika 1 dhe 28, pika 1, të ligjit nr.157/2013, “Për masat kundër financimit të terrorizmit”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në listën e personave të shpallur si financues të terrorizmit, sipas rezolutave të Këshillit të Sigurimit (“Lista e OKB-së”), që i bashkëlidhet vendimit nr.718, datë 29.10.2004, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të bëhen shtesat, si më poshtë vijon:
Në listën e shkronjës “D”, “Lista e kompanive që i takojnë ose bashkëpunojnë me organizatën Al-Qaida”, shtohen individët e renditur në shkronjën “a”, të listës, “Lista e kompanive që i takojnë ose bashkëpunojnë me organizatën Al-Qaida”, që i bashkëlidhet këtij vendimi, sipas shtesave në listën e konsoliduar të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për personat që janë anëtarë, bashkëpunëtorë apo financues të organizatës Al-Qaida.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DHËNIEN NË PËRDORIM TË PËRKOHSHËM, PA SHPËRBLIM, NGA DREJTORIA E SHËRBIMIT TË TRUPIT DIPLOMATIK PËR MINISTRINË E PUNËVE TË JASHTME, TË PASURISË NR.1/586/5, ZONA KADASTRALE  NR.8380, TIRANË, PËR T’U PËRDORUR SI SELI E SEKRETARIATIT TË FONDIT TË BALLKANIT PERËNDIMOR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 12, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien në përdorim të përkohshëm, pa shpërblim, për një periudhë pesëvjeçare, dhjetor 2014 – dhjetor 2019, nga Drejtoria e Shërbimit të Trupit Diplomatik për Ministrinë e Punëve të Jashtme, të pasurisë nr.1/586/5, zona kadastrale  nr.8380, Tiranë, për t’u përdorur si seli e Sekretariatit të Fondit të Ballkanit Perëndimor.
2. Ministrisë së Punëve të Jashtme i ndalohet ta ndryshojë destinacionin e pasurisë së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë ose t’ua japë në përdorim të tretëve.
3. Me përfundimin e afatit pesëvjeçar, prona t’i kthehet Drejtorisë së Shërbimit të Trupit Diplomatik.
4. Shpenzimet për mobilimin, mirëmbajtjen dhe funksionimin e zyrave të selisë së Sekretariatit të Fondit të Ballkanit Perëndimor i ngarkohen Ministrisë së Punëve të Jashtme.
5. Ngarkohen Ministria e Punëve të Jashtme dhe Drejtoria e Shërbimit të Trupit Diplomatik për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA 
***
V E N D I M 
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR  “RRUGA TRANSBALLKANIKE”, VLORË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Rruga Transballkanike”, Vlorë.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë tokë “truall” dhe “objekte”, me vlerë të përgjithshme 4 830 220 (katër milionë e tetëqind e tridhjetë mijë e dyqind e njëzet) lekë, nga të cilat:
a) për tokë “truall” – 145.4 m2, me vlerën 1 206 820 (një milion e dyqind e gjashtë mijë e tetëqind e njëzet) lekë;
b) për “objekte” – 54 m2, me vlerën 3 623 400 (tre milionë e gjashtëqind e njëzet e tre mijë e katërqind) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 4 830 220 (katër milionë e tetëqind e tridhjetë mijë e dyqind e njëzet) lekësh të përballohet nga buxheti i miratuar për vitin 2014, (zëri shpronësimet), planifikuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
6. Likuidimi i pronarëve të fillojë pas çeljes së fondit, të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi.
7. Pronarët e listës, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilët është bërë shënimi “Konfirmuar ZVRPP”, të likuidohen, për efekt shpronësimi, pasi të dorëzojnë dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.
8. Autoriteti Rrugor Shqiptar të kryejë likuidimin e pronarëve, për efekt shpronësimi, në bazë të pikave 3, 4, 6, dhe 7, të këtij vendimi.
9. Brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit që do t’u vihet në dispozicion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe, me fillimin e procesit të likuidimit, të fillojë edhe procesi i kalimit të pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.
10. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së trupit të rrugës mbi hartat kadastrale si dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
11. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të  Paluajtshme Vlorë, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M      
PËR 
MIRATIMIN E “PROFILIT TË ZGJERUAR TË MIGRACIONIT PËR VITIN 2013”
Në zbatim të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 141, të ligjit nr.108/2013, “Për të huajt”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e “Profilit të zgjeruar të Migracionit për vitin 2013”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Financave, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Statistikave për publikimin e “Profilit të zgjeruar të Migracionit për vitin 2013” në faqet zyrtare.
          Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I 
EDI  RAMA 
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.697, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, DATË 22.10.2014, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “BY-PASS SHKOZET-PLEPA” (OBJEKTE)”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në tabelën e të shpronësuarve, sipas listës së miratuar me vendimin nr.697, datë 22.10.2014, të Këshillit të Ministrave, pas nënndarjes 11 shtohet nënndarja me numër rendor 12.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.173, DATË 26.3.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE BAZË TË SEKTORËVE QË DO TË MBËSHTETEN DHE TË MASËS SË PËRFITIMIT NGA FONDI I PROGRAMIT PËR BUJQËSINË DHE ZHVILLIMIN RURAL, PËR VITIN 2014”, TË  NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 3 e 7, të nenit 6, të ligjit nr.9817, datë 22.10.2007, “Për bujqësinë dhe zhvillimin rural”, dhe të     ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në pikën 4, të vendimit nr.173, datë 26.3.2014, të Këshillit të Ministrave, vlera prej “154 000 000 (njëqind e pesëdhjetë e katër milionë) lekë” ndryshohet dhe bëhet “49 100 000 (dyzet e nëntë milionë e njëqind mijë) lekë”.
2. Vlera prej 104 900 000 (njëqind e katër milionë e nëntëqind mijë) lekësh, e papërdorur si bashkëfinancim për projektin IPA 2011, të përdoret për mbështetjen e prodhimit bujqësor blektoral dhe agropërpunimit, në përputhje me vendimin nr.173, datë 26.3.2014, të Këshillit të Ministrave.
          Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 
***
V E N D I M
PËR
 DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.35, DATË 29.1.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E NUMRIT TË PUNONJËSVE ME KONTRATË TË PËRKOHSHME PËR VITIN 2014 NË NJËSITË E QEVERISJES QENDRORE”, TË NDRYSHUAR 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, dhe të nenit 11, të ligjit nr.185, datë 28.12.2012, “Për buxhetin e vitit 2014”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.35, datë 29.1.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
a) Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Numri i punonjësve me kontratë të përkohshme për vitin 2014 në njësitë e qeverisjes qendrore është 928 veta, sipas lidhjeve nr.1, nr.2, nr.3, nr.4, nr.5, nr.6, nr.7, nr.8 dhe nr.9, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.”.
b) Pas lidhjes nr.8, të vendimit në fuqi, shtohet lidhja nr.9, që i  bashkëlidhet këtij vendimi, ku detajohet ndarja e shtesës prej 17 punonjësish, të miratuar me këtë vendim.
2. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi përballohen nga shpenzimet korrente, të miratuara në buxhetin përkatës të institucioneve për vitin 2014.
3. Ngarkohet Ministria e Arsimit dhe Sportit të depozitojë pranë Ministrisë së Financave detajimin e numrit të punonjësve brenda kritereve të përcaktuara në vendimin nr.1703, datë 24.12.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për vendosjen e standardeve të shërbimeve dhe aktiviteteve sezonale/të përkohshme për ministritë dhe institucionet buxhetore”.
          Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
***
V E N D I M
PËR
KONTRIBUTIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, ME ARMATIM,   PËR MBRETËRINË E BASHKUAR TË BRITANISË SË MADHE DHE IRLANDËS SË VERIUT 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “d”, të nenit 11, të ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien e armatimit, pa shpërblim, Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, të hequr nga armatimi dhe përdorimi, që është i tepërt dhe jashtë nevojave të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si kontribut i Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, sipas llojit dhe sasisë, përcaktuar në listën nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
***
V E N D I M
PËR 
MIRATIMIN E RREGULLAVE TË HOLLËSISHME PËR FUNKSIONIMIN E KOMISIONEVE KËSHILLIMORE PËR DHËNIEN E MEDALJEVE DHE TITUJVE VENDORË TË NDERIT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 17, të ligjit nr.112/2013, “Për dekoratat, titujt e nderit, medaljet dhe titujt vendorë të nderit në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë,  Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e rregullave të hollësishme për funksionimin e komisioneve këshillimore për dhënien e medaljeve dhe titujve vendorë të nderit në Republikën e Shqipërisë.
KREU I
KRIJIMI I KOMISIONIT KËSHILLIMOR
1. Çdo autoritet, përgjegjës për dhënien e medaljeve ose titujve vendorë të nderit, sipas legjislacionit në fuqi për dhënien e dekoratave, titujve të nderit, medaljeve dhe titujve vendorë të nderit, krijon pranë tij një komision këshillimor, në vijim “komisioni”, të përbërë prej 5 (pesë) anëtarësh, prej të cilëve 3 (tre) anëtarë duhet të jenë punonjës në varësi të autoritetit përgjegjës dhe 2 (dy) anëtarë personalitete të jashtëm, që përzgjidhen mes njerëzve të shquar dhe që kanë dhënë kontribut në fushën përkatëse.
2. Komisioni ngrihet, me urdhër të titullarit të autoritetit përgjegjës, çdo fillim viti kalendarik. Për vitin 2014, komisioni të ngrihet pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
3. Komisioni funksionon si organ kolegjial, vendimmarrës, pranë autoritetit përgjegjës për dhënien e medaljeve apo titujve vendorë të nderit.
KREU II
ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I KOMISIONIT KËSHILLIMOR
1. Komisioni, në mbledhjen e tij të parë, zgjedh, me shumicë votash, kryetarin dhe sekretarin e tij.
2. Kryetari drejton mbledhjen, drejton diskutimet, siguron zbatimin e ligjit dhe marrjen e vendimeve të drejta.
3. Lajmërimet për thirrjen e mbledhjeve bëhen brenda 10 (dhjetë) ditëve, pas paraqitjes së kërkesës dhe, të paktën, 48 orë para datës së thirrjes së mbledhjes.
4. Lajmërimi për thirrjen e një mbledhjeje duhet të tregojë, në mënyrë të qartë dhe të detajuar, çështjet për të cilat do të diskutohet, orën dhe vendin e zhvillimit të mbledhjes.
5. Mbledhja është e vlefshme edhe kur nuk respektohen procedurat e parashikuara më sipër, vetëm në rast se në atë mbledhje marrin pjesë të gjithë anëtarët, të cilët, paraprakisht, miratojnë zhvillimin e mbledhjes.
6. Mbledhjet e komisionit zhvillohen kur janë të pranishëm shumica e anëtarëve të tij.
KREU III
VENDIMMARRJA DHE MËNYRA E VOTIMIT
1. Të gjitha propozimet për dhënien e medaljeve dhe titujve vendorë të nderit i dërgohen autoritetit përgjegjës për dhënien e tyre, i cili i përcjell për vlerësim në komisionin këshillimor.
2. Komisioni shpreh mendimin e vet edhe nëse nisma për dhënien e medaljeve ose titujve vendorë të nderit është ndërmarrë nga autoriteti përgjegjës për dhënien e tyre.
3. Komisioni nis punën me verifikimin e të gjitha elementeve, të kërkuara nga neni 18, i ligjit nr.112/2013, “Për dekoratat, titujt e nderit, medaljet dhe titujt vendorë të nderit në Republikën e Shqipërisë”, të aktit të propozimit.
4. Nëse propozimi nuk është i plotë, komisioni këshillimor kërkon, me shkrim, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve kalendarike, nga data e marrjes së propozimit, plotësimin e tij nga autoriteti propozues. Plotësimi i propozimit bëhet jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë kalendarike nga data e marrjes së njoftimit.
5. Nëse propozimi është i plotë, komisioni këshillimor paraqet mendimin e vet pranë autoritetit përgjegjës brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e marrjes së propozimit.
6. Komisioni, gjatë organizimit të punës, respekton afatet e përcaktuara në nenin 19, të ligjit nr.112/2013, “Për dekoratat, titujt e nderit, medaljet dhe titujt vendorë të nderit në Republikën e Shqipërisë”. Në çdo rast, procedurat për shqyrtimin e dhënies së një medaljeje ose titulli nderi nuk mund të zgjatin më shumë se 60 (gjashtëdhjetë) ditë kalendarike.
7. Komisioni shqyrton propozimet dhe merr vendimin me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm. Votimi është i hapur.
8. Anëtarët e komisionit, që janë të pranishëm në mbledhje, nuk mund të abstenojnë.
9. Kryetari i organit kolegjial voton i fundit.
10. Në çdo mbledhje mbahet një procesverbal, në të cilin pasqyrohen data dhe vendi i mbledhjes, anëtarët që marrin pjesë, çështjet që diskutohen,  vendimet e mara si dhe mënyra dhe rezultati i votimeve.
11. Procesverbali mbahet nga sekretari dhe duhet t’u paraqitet, për miratim dhe nënshkrim, të gjithë anëtarëve në fund të mbledhjes ose në fillim të mbledhjes pasardhëse.
12. Në rastet kur vetë organi e shikon të arsyeshme dhe mbledhja është e ndarë në seanca, procesverbali miratohet menjëherë pas përfundimit të seancës përkatëse.
13. Anëtarët mund të kërkojnë që të shënohet në procesverbal fakti dhe arsyet e votimit kundër një vendimi.
14. Procesi i shqyrtimit të propozimit mund të shtyhet apo të pezullohet përkohësisht, për rrethana të paparashikuara, që dëmtojnë reputacionin dhe vlerën e aktit të medaljes ose titullit vendor të nderit në opinionin publik, deri në sqarimin e këtyre rrethanave. Arsyet e shtyrjes apo të pezullimit, si dhe afati, pasqyrohen në procesverbal.
15. Kur propozimi për dhënien e medaljes apo titullit vendor të nderit nuk miratohet, komisioni njofton autoritetin propozues për mosmiratimin. Në çdo rast, vendimi i arsyetuar dhe procesverbali i mbledhjes i përcillen autoritetit përgjegjës për miratimin e propozimit.
16. Në rast se propozimi miratohet nga autoriteti përgjegjës, urdhri ose vendimi i dërgohet komisionit për përgatitjen e medaljeve, rrathëve të argjendtë dhe certifikatave përkatëse, në përputhje me parashikimet e legjislacionit në fuqi për dhënien e medaljeve dhe titujve vendorë të nderit.
17. Komisioni ndjek procedurën e përgatitjes së medaljeve, rrathëve të argjendtë dhe certifikatave përkatëse. Pas përgatitjes së tyre, komisioni njofton autoritetin propozues për organizimin e ceremonisë për dhënien e dekoratës, titullit të nderit, medaljes ose titullit vendor të nderit si dhe për programin, kohën dhe vendin ku do të zhvillohet ceremonia.
KREU IV
DISPOZITA TË FUNDIT
1. Ngarkohen autoritetet përgjegjëse, të parashikuara në ligjin nr.112/2013, “Për dekoratat, titujt e nderit, medaljet dhe titujt vendorë të nderit në Republikën e Shqipërisë”, për zbatimin e këtij vendimi.
2. Efektet financiare të këtij vendimi të përballohen nga buxheti i institucioneve përgjegjëse për dhënien e medaljeve ose titujve vendorë të nderit.
          Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PER
MIRATIMIN E LISTAVE TË TIPEVE TË HABITATEVE NATYRORE, BIMËVE, KAFSHËVE DHE SHPENDËVE ME INTERES PËR BASHKIMIN EVROPIAN
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 17/4, të ligjit nr.9587, datë 20.7.2006, “Për mbrojtjen e biodiversitetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e listave të tipeve të habitateve natyrore, bimëve, kafshëve dhe shpendëve, me interes për Bashkimin Evropian, sipas anekseve të mëposhtme, që i bashkëlidhen këtij vendimi:
a) Aneksi I: Tipet e habitateve natyrore me interes për Bashkimin Evropian, ruajtja e të cilave kërkon përcaktimin e zonave të veçanta të ruajtjes;
b) Aneksi II: Llojet e bimëve dhe kafshëve me interes për Bashkimin Evropian, ruajtja e të cilave kërkon përcaktimin e zonave të veçanta të ruajtjes;
c) Aneksi III: Lloje kafshësh dhe bimësh me interes për Bashkimin Evropian, në nevojë për mbrojtje strikte;
ç) Aneksi IV: Llojet e kafshëve dhe bimëve me interes për Bashkimin Evropian, kapja në gjendje të egër, shfrytëzimi i të cilave mund të jetë objekt i masave menaxhuese;
d) Aneksi V: Parimet për identifikimin e llojeve të shpendëve të egër që do të jenë objekt kërkimi për mbrojtjen dhe menaxhimin e shpendëve të egër.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
REDUKTIMIN DHE STABILIZIMIN E SHKARKIMEVE TË GAZEVE SERRË TË FLUORINUARA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “a”, të pikës 3, të nenit 20, të ligjit nr.10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Objektivi i këtij vendimi është të mbrojë mjedisin nëpërmjet reduktimit të shkarkimeve të gazeve serrë të fluorinuara.
2. Ky vendim përcakton rregullat dhe procedurat lidhur me:
a) parandalimin, kufizimin, përdorimin, rikuperimin dhe shkatërrimin e gazeve serrë të fluorinuara dhe masat që lidhen me to;
b) kushtet për hedhjen në treg të produkteve dhe pajisjeve specifike që përmbajnë ose funksionimi i të cilave bazohet në gazet serrë të fluorinuara;
c) kushtet për përdorimet specifike të gazeve serrë të fluorinuara.
3. Anekset, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij, janë:
a) Aneksi I: lista e gazeve serrë të fluorinuara, referuar në pikën 4.5, të kreut I;
b) Aneksi II: lista e gazeve të tjera serrë të fluorinuara për të cilët raportohet në përputhje me kreun V;
c) Aneksi III: ndalimet e vendosjes në treg, referuar kreut IV;
ç) Aneksi IV: metodat e llogaritjes së potencialit të ngrohjes globale të një përzierjeje;
d) Aneksi V: formati i raportimit të gazeve serrë të fluorinuara, referuar kreut V;
dh)  Aneksi VI: shpeshtësia e kontrollit të pajisjeve, referuar pikës 2.4, të kreut II.
4. Për qëllim të këtij vendimi, termat e përdorur në këtë vendim kanë të njëjtin kuptim me termat e përdorur në ligjin nr.10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, ndërsa termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
4.1. “Aerosol teknik”, një shpërndarës (bombul) aerosoli e përdorur në mirëmbajtjen, riparimin, pastrimin, testimin, dezinsektimin dhe prodhimin e produkteve e të pajisjeve, instalimin e pajisjeve dhe për përdorime të tjera.
4.2. “Cikli organik rankine”, një cikël që përmban gaze serrë të fluorinuara të kondensueshme që transformojnë nxehtësine nga një burim i nxehtë në energji për gjenerimin e energjisë elektrike apo energjisë mekanike.
4.3. “Çmontim”, nxjerrja nga përdorimi i një produkti apo i një pjese të pajisjes që përmban gaze serrë të fluorinuara.
4.4. “Feedstock/lëndë e parë”, çdo gaz serrë i fluorinuar ose një substancë e listuar në aneksin II, që i nënshtrohet transformimit kimik në një proces, gjatë të cilit ajo është transformuar plotësisht nga përbërja e saj origjinale dhe shkarkimet e saj janë të papërfillshme.
4.5. “Gaze serrë të fluorinuara”, në vijim “gazet-F” janë hidrofluorokarbonet (HFCs), perfluorokarbonet (PFCs) heksafluori i squfurit (SF6) dhe gaze të tjera serrë që përmbajnë fluor, të listuara në aneksin I, bashkëlidhur këtij vendimi, ose përzierjet që përmbajnë ndonjë prej këtyre substancave.
4.6. “Hidrofluorokarbon” ose “HFCs”, substancat e listuara në seksionin 1 të aneksit I, bashkëlidhur këtij vendimi, ose përzierjet që përmbajnë ndonjë prej këtyre substancave.
4.7. “Heksafluorid i squfurit ose “SF6”, substanca e listuar në seksionin 3 të aneksit I ose përzierjet që përmbajnë këtë substancë.
4.8. “Instalim”, bashkimi i dy ose më shumë pjesëve të pajisjeve apo qarqeve që përmbajnë ose që janë të projektuara të përmbajnë gaze serrë të fluorinuara, me synimin për të montuar një sistem në vendin ku do të operohet, që përfshin edhe grumbullimin e gazit të përçuesve të një sistemi për të plotësuar një qark pa marrë parasysh nevojën për të ngarkuar sistemin mbas montimit.
4.9. “Kamion frigoriferik”, një mjet motorik me një masë prej më shumë se 3,5 tonë që është projektuar dhe ndërtuar kryesisht për të transportuar mallra dhe është i pajisur me një njësi frigoriferike.
4.10. “Kontejner”, një produkt i cili është projektuar kryesisht për transportimin dhe ruajtjen e gazeve serrë të fluorinuara.
4.11. “Kontejner pa rimbushje”, një kontejner i cili nuk mund të rimbushet pa u përshtatur për këtë qëllim ose është vendosur në treg pa parashikuar rikthimin apo rimbushjen e tij.
4.12. “Kutia e shpejtësisë elektrike”, ndryshimi i pozicionit të pajisjeve dhe kombinimit të tyre me pajisjet e kontrollit, matjes, pajisjet mbrojtëse dhe rregulluese dhe montimi i mjeteve dhe pajisjeve të tilla të shoqëruara me ndërlidhjet, aksesorët, strukturat mbështetëse dhe mbyllëse, të destinuara për përdorim në lidhje me gjenerimin, transmetimin, shpërndarjen dhe transformimin e energjisë elektrike.
4.13. “Mirëmbajtje ose servis”, të gjitha aktivitetet, me përjashtim të rikuperimit dhe kontrollit të rrjedhjes, që përfshin ndarjen në qarqe, të cilat përmbajnë ose janë të projektuara të përmbajnë gaze serrë të fluorinuara, në veçanti furnizimi i sistemit me gaze serrë të fluorinuara, duke hequr një ose më shumë pjesë të qarkut a pajisjes, duke ribashkuar dy ose më shumë pjesë të qarkut ose të pajisjeve, si dhe riparimi i rrjedhjeve.
4.14. “Operator”, një person fizik ose juridik të cilit i është deleguar fuqia për funksionet teknike të produkteve dhe pajisjeve që mbulohen nga ky vendim.
4.15. “Pajisje e palëvizshme”, një pajisje që nuk lëviz gjatë funksionimit dhe përfshin pajisje të lëvizshme të dhomave të ajrit të kondicionuar.
4.16. “Pajisje e lëvizshme”, një pajisje në lëvizje gjatë operimit.
4.17. “Pajisjet e mbrojtjes nga zjarri”, pajisjet dhe sistemet e përdorura në parandalimin e zjarreve apo pajisjet e shuarjes me presion përfshirë fikëset e zjarrit.
4.18. “Pajisje ushtarake”, armët, municionet dhe materialet e luftës të destinuara posaçërisht për qëllime ushtarake, që janë të nevojshme për mbrojtjen e interesave thelbësorë të sigurisë së vendit.
4.19. “Paketa e sistemeve të centralizuara të ftohjes”, sisteme me dy ose më shumë kompresorë të cilët operojnë në mënyrë paralele, të cilët janë të lidhur me një ose shumë kondensorë të përbashkët dhe me një numër pajisjesh ftohëse, të tilla si vitrinat, banakët frigoriferikë, ngrirësit ose dhomat frigoriferike të ruajtjes.
4.20. “Perfluorokarbon” ose “PFCs”, substancat e listuara në seksionin 2 të aneksit I, bashkëlidhur këtij vendimi, ose përzierjet që përmbajnë ndonjë prej këtyre substancave.
4.21. “Përdorim”, përdorimi i gazeve serrë të fluorinuara gjatë prodhimit, mirëmbajtjes ose shërbimit, duke përfshirë rimbushjen e produkteve dhe pajisjeve ose në procese të tjera që i referohen këtij vendimi.
4.22. “Përdorim tregtar”, përdorimi për magazinimin, ekspozimin ose servirjen e produkteve për shitje te përdoruesi i fundit, në shitje me pakicë dhe në shërbimet e ushqimit.
4.23. “Përzierje”, një fluid (gaz i lëngshëm), i përbërë nga dy ose më shumë substanca, ku të paktën njëra prej tyre është një substancë e listuar në aneksin I ose në aneksin II, bashkëlidhur këtij vendimi.
4.24. “Potencial i ngrohjes globale” ose “PNG”, potenciali i ngrohjes së klimës nga një gaz serrë i fluorinuar në raport me atë të dioksidit të karbonit. Potenciali i ngrohjes globale (PNG) është llogaritur në terma të potencialit të ngrohjes së shkaktuar nga një kilogram gaz për një periudhë 100-vjeçare, krahasuar me atë të shkaktuar nga një kilogram CO2 për të njëjtën periudhë, sikurse përcaktohet në anekset I, II dhe IV ose në rastet e përzierjeve, e llogaritur në përputhje me përcaktimin në aneksin IV, bashkëlidhur këtij vendimi.
4.25. “Qarku primar i ftohjes të sistemeve kaskade”, qarku primar në sistemet indirekte me temperaturë mesatare ku kombinimi i dy ose më shumë qarqeve të veçanta të ftohjes janë të lidhura në seri të tilla që qarku primar absorbon/thith nxehtësinë e kondensimit të një qarku sekondar për një temperaturë mesatare.
4.26. “Riciklim”, ripërdorimi i një gazi serrë të fluorinuar, i rikuperuar më parë nëpërmjet nje procesi bazik pastrimi.
4.27. “Rigjenerim”, ripërpunimi i një gazi serrë të fluorinuar të rikuperuar në mënyrë që të plotësojë një standard specifik performance të një substancë të pastër, duke marrë në konsideratë qëllimin e përdorimit të tij.
4.28. “Rikuperim”, mbledhja dhe ruajtja e gazeve serrë të fluorinuara nga produktet, përfshirë kontejnerët dhe pajisjet gjatë mirëmbajtjes ose shërbimit apo përpara asgjësimit të produkteve ose pajisjes.
4.29. “Riparim”, restaurimi i produkteve të dëmtuara ose që rrjedhin apo pajisjes që përmban apo funksionimi i së cilës mbështetet në gaze serrë të fluorinuara, përfshirë një pjesë që përmban ose që është projektuar të përmbajë gaze të tilla.
4.30. “Rimorkio frigoriferike”, një makinë që është projektuar dhe ndërtuar për t’u tërhequr nga një kamion ose një traktor, kryesisht për të kryer transportin e mallrave dhe është e pajisur me një njësi frigoriferike.
4.31. “Sipërmarrës”, çdo person fizik ose juridik që:
a) prodhon, përdor, rikuperon, mbledh, riciklon, rigjeneron ose shkatërron gazet serrë të fluorinuara;
b) importon apo eksporton gazet serrë të fluorinuara ose produktet dhe pajisjet që përmbajnë këto gaze;
c) vendos në treg gazet serrë të fluorinuara ose produkte dhe pajisje që përmbajnë ose funksionet e të cilave mbështeten mbi këto gaze;
ç) instalon, kryen shërbime, mirëmban, riparon, kontrollon për rrjedhje ose çmonton/heq nga përdorimi pajisjet që përmbajnë, apo funksionimi i të cilave mbështetet mbi gazet serrë të fluorinuara;
d) është operatori i pajisjeve që përmbajnë apo funksionimi i të cilave mbështetet mbi gazet serrë të fluorinuara;
dh) prodhon, importon, eksporton, vendos në treg ose shkatërron gazet e listuara në aneksin II;
e) vendos në treg produkte ose pajisje që përmbajnë gazet e listuara në aneksin II.
4.32. “Sistem i mbyllur hermetikisht”, një pajisje në të cilën të gjitha pjesët që përmbajnë gaze serrë të fluorinuara janë të puthitura me saldim, ngjitje ose lidhje të ngjashme të përhershme të cilat mund të përfshijnë valvula të mbuluara dhe porta shërbimi të mbuluara, që lejojnë riparim të duhur ose asgjësim dhe të cilat kanë një shkallë rrjedhjeje të testuar në më pak se 3 gramë në vit nën një presion me të paktën një çerek të presionit maksimal të lejueshëm.
4.33. “Sistemet e veçanta të ndara të ajrit të kondicionuar”, sistemet për dhomat me ajër të kondicionuar të cilat përbëhen nga një njësi e jashtme dhe një njësi e brendshme të lidhura me tuba ftohjeje, të cilat kanë nevojë për instalimin në vendin e përdorimit.
4.34. “Sistemi i zbulimit të rrjedhjeve”, një pajisje mekanike, elektrike ose elektronike e kalibruar për të zbuluar rrjedhje të gazeve serrë të fluorinuara, e cila, kur i zbulon, sinjalizon operatorin.
4.35. “Substancë e virgjër”, një substancë e cila nuk ka qenë e përdorur më parë.
4.36. “Shkatërrim”, procesi, me anë të të cilit pothuajse të gjitha ose një pjesë e gazeve serrë të fluorinuara transformohen në mënyrë të përhershme ose zbërthehen në një ose më shumë substanca të qëndrueshme të cilat nuk janë më gaze serrë të fluorinuara.
4.37. “Shkumë me një komponent”, një përbërje shkume që përmbahet në një aerosol të vetëm në gjendje të lëngshme, e reaguar ose pjesërisht e reaguar, dhe që zgjerohet dhe mpikset kur del nga bombula me spraj.
4.38. “Ton të CO2 ekuivalent”, një sasi e gazeve serrë, e shprehur si prodhimi i peshës në metrik ton të gazeve serrë me potencialin e ngrohjes së tyre globale.
4.39. “Vendosje në treg”, furnizimi ose bërja e disponueshme për herë të parë në treg, me ose pa pagesë, ose përdorimi i produktit për qëllime të veta të prodhuesit, dhe përfshin edhe zhdoganimin për qarkullim në tregun shqiptar.
KREU II
PARANDALIMI DHE KONTROLLI
1. Parandalimi i shkarkimeve të gazeve serrë të fluorinuara
1.1. Ndalohet lëshimi i qëllimshëm i gazeve serrë të fluorinuara në atmosferë.
1.2. Operatorët e pajisjeve që përmbajnë gaze serrë të fluorinuara marrin masat teknike dhe ekonomike paraprake, nëpërmjet krijimit të regjimit  të kontrollit të rrjedhjeve nga pajisjet sipas kërkesave të parashikuara në këtë vendim, për të parandaluar dhe minimizuar lëshimin e paqëllimshëm (“rrjedhjet”) të këtyre gazeve.
1.3. Kur ndodh një rrjedhje e gazeve serrë të fluorinuara, operatori duhet të marrë masa të menjëhershme për riparimin e pajisjes.
1.4. Kur pajisja kontrollohet për rrjedhje sipas pikës 2.1, të këtij kreu, dhe pajisja është riparuar, operatori verifikon, brenda një muaji nga dita e riparimit, nëse riparimi ka qenë efektiv. Kontrolli dhe verifikimi bëhen nga person fizik i certifikuar.
1.5. Personat fizikë, që kryejnë detyrat e referuara në shkronjat “a” deri në “c”, të pikës 8.1, të këtij kreu, duhet të jenë të certifikuar në përputhje me pikën 8.3, të këtij kreu.
1.6. Operatorët duhet të garantojnë se sipërmarrësit e kontraktuar, që kryejnë instalimin, servisin, mirëmbajtjen, riparimin ose çmontimin e pajisjeve të listuara në shkronjat “a” deri “d”, të pikës 2.3, duhet të jenë të certifikuar në përputhje me pikën 8.5.
2. Kontrolli i rrjedhjeve
2.1. Operatorët e pajisjes, që përmban gaze serrë të fluorinuara në sasi prej 5 tonë CO2 ekuivalente ose më shumë dhe që nuk përfshihen në shkuma, sigurojnë që pajisja është kontrolluar për rrjedhjet.
2.2. Nuk i nënshtrohen kontrollit të rrjedhjes sipas pikës 2.1:
a) pajisja hermetikisht e mbyllur që përmban gaze serre të fluorinuara në sasi më të vogël se 10 tonë CO2 ekuivalente, me kusht që të jetë etiketuar si e mbyllur hermetikisht;
b) kutia elektrike e shpejtësisë nëse plotëson një nga kushtet e mëposhtme:
i. Ka një normë të testimit të rrjedhjes prej më pak se 0,1% në vit të përcaktuar në specifikimet teknike të prodhuesit dhe është i etiketuar si e tillë;
ii. Është e pajisur me një pajisje monitorimi të presionit ose densitetit;
iii. Përmban më pak se 6 kg gaze serrë të fluorinuara.
2.3. Pika 2.1 zbatohet për operatorët e pajisjeve që përmbajnë gaze serrë të fluorinuara, si më poshtë vijon:
Pajisje të palëvizshme ftohjeje;
a) Pajisje të palëvizshme të ajrit të kondicionuar;
b) Pompat e nxehtësisë të palëvizshme;
ç)  Pajisjet e palëvizshme të mbrojtjes nga zjarri;
c) Njësitë ftohëse në kamionët dhe rimorkiot frigoriferikë;
dh)  Kutia elektrike e shpejtësisë (electric switchgear);
d) Cikle organike rankine.
Për sa u përket pajisjeve të përmendura në shkronjat “a” deri “d”, të kësaj pike, kontrollet do të kryhen nga persona fizikë të certifikuar në përputhje me rregullat e parashikuara në pikën 8, të këtij kreu.
2.4. Kontrollet e rrjedhjes referuar pikës 2.1 kryen me shpeshtësinë e mëposhtme:
a) Për pajisje që përmban gazet serrë të fluorinuara në sasi prej 5 tonë CO2 ekuivalente ose më shumë, por më pak se 50 tonë CO2 ekuivalente: të paktën çdo 12 (dymbëdhjetë) muaj; ose kur një sistem zbulimi i rrjedhjeve është instaluar, të paktën çdo 24 (njëzet e katër) muaj;
b) Për pajisje që përmban gazet serrë të fluorinuara në sasi prej 50 tonë CO2 ekuivalente ose më shumë, por më pak se 500 tonë CO2 ekuivalente: të paktën çdo 6 (gjashtë) muaj ose, kur një sistem zbulimi i rrjedhjeve është instaluar, të paktën çdo 12 (dymbëdhjetë) muaj;
c) Për pajisje që përmban gazet serrë të fluorinuara në sasi prej 500 tonë CO2 ekuivalente ose më shumë: të paktën çdo 3 (tre) muaj ose kur një sistem zbulimi i rrjedhjeve është instaluar, të paktën çdo 6 (gjashtë) muaj.
Paraqitja tabelare e këtij procesi jepet në aneksin VI, bashkëlidhur këtij vendimi.
2.5. Detyrimet për kryerjen e kontrollit të rrjedhjeve sipas pikës 2.1 për pajisjet e mbrojtjes nga zjarri, referuar në shkronjën “ç”, të pikës 2.3,  konsiderohen të plotësuara kur janë plotësuar dy kushtet e mëposhtme:
a) Regjimi ekzistues i inspektimit plotëson standardet ISO 14520 apo EN 15.004;
b) Pajisja e mbrojtjes nga zjarri është inspektuar sa herë që kërkohet sipas pikës 2.4.
2.6. Kërkesat dhe metodat standarde të kontrollit të rrjedhjeve të gazeve serrë të florinuara nga pajisjet e përmendura në pikën 2.3 miratohen me udhëzim të përbashkët të ministrit dhe ministrit përgjegjës për ekonominë.
3.  Sistemi i zbulimit të rrjedhjeve
3.1. Operatorët e pajisjes së listuar në shkronjat “a” deri në “ç”, të pikës 2.3, që përmban gaze serrë të fluorinuara në sasi ekuivalente prej 500 tonë CO2 ose më shumë, sigurojnë që pajisja është e pajisur me sistemin e zbulimit të rrjedhjeve, i cili sinjalizon operatorin ose kompaninë e shërbimit për çdo rrjedhje.
3.2. Operatorët e pajisjes së listuar në shkronjat “dh” dhe “e”, të pikës 2.3, që përmban gaze serrë të fluorinuara në sasi ekuivalente prej 500 tonë CO2 ose më shumë të instaluar nga 1 janari 2020, sigurojnë që kjo pajisje është e pajisur me një sistem të zbulimit të rrjedhjeve, i cili sinjalizon operatorin ose kompaninë e shërbimit për ndonjë rrjedhje.
3.3. Operatorët e pajisjes së listuar në shkronjat “a” deri në “ç” dhe “e”, të pikës 2.3, të këtij kreu, që janë subjekt i pikave 3.1 dhe 3.2, kryejnë kontrollin të paktën një herë në çdo 12 (dymbëdhjetë) muaj të sistemeve të zbulimit të rrjedhjeve për të siguruar funksionimin e duhur të tyre.
3.4. Operatorët e pajisjes së listuar në shkronjën “dh”, të pikës 2.3, që janë subjekt i pikës 3.2, kryejnë kontrollin një herë në çdo 6 (gjashtë) vjet të sistemeve të zbulimit të rrjedhjeve për të siguruar funksionimin e duhur të tyre.
4. Mbajtja dhe ruajtja e të dhënave
4.1. Operatorët e pajisjes, për të cilën kërkohet kontrolli për rrjedhjet në përputhje me pikën 2.1, krijojnë dhe mbajnë të dhëna për çdo pjesë të kësaj pajisjeje duke specifikuar informacionin e mëposhtëm:
a) për sasinë dhe llojin e gazeve serrë të fluorinuara të instaluara;
b) për sasitë e gazeve serrë të fluorinuara që janë shtuar gjatë instalimit, mirëmbajtjes ose shërbimit ose për shkak të rrjedhjes;
c) nëse sasitë e instaluara të gazeve serrë të fluorinuara janë ricikluar apo rigjeneruar, përfshirë emrin dhe adresën e fabrikës/sipërmarrësit të riciklimit ose të rigjenerimit dhe, kur është e mundur, numrin e certifikatës;
ç)  për sasinë e rikuperuar të gazeve serrë të fluorinuara;
d) për gjenealitetet e sipërmarrësit, i cili ka instaluar, ka kryer shërbimet, mirëmbajtjen dhe, kur është e zbatueshme, ka riparuar apo ka nxjerrë jashtë përdorimit pajisjen, duke përfshirë, kur është e mundur, numrin e certifikatës së tij;
dh)  për datat e kryerjes dhe rezultatet e kontrolleve të kryera në bazë të pikave 2.1 deri 2.4;
e) nëse pajisja është nxjerrë jashtë përdorimit, masat e ndërmarra për rikuperimin dhe shkatërrimin e gazeve serrë të fluorinuara.
4.2. Operatorët e përmendur në pikën 4.1 mbajnë të dhënat për të paktën pesë vjet.
4.3. Për qëllim të pikës 1.2, të kreut IV, sipërmarrësit, që furnizojnë me gaze serrë të fluorinuara, duhet të mbajnë të dhënat përkatëse me informacionin e duhur për blerësit e gazeve serrë të fluorinuara, përfshirë edhe të dhënat për:
a) numrin e faturave të blerësve;
b) sasitë përkatëse të blera të gazeve serrë të fluorinuara.
4.4. Sipërmarrësit, që kryejnë shërbimet e përmendura në shkronjën “d”, të pikës 4.1, për operatorët duhet të mbajnë kopjet e të dhënave për të paktën pesë vjet.
4.5. Formati i ruajtjes të të dhënave të kontrollit nga rrjedhjet për operatorët sipas kërkesave të pikës 4.1 dhe për sipërmarrësit sipas kërkesave të pikës 4.3 miratohet me urdhër të ministrit.
4.6. Të dhënat e përmendura në pikën 4.1 për operatorët dhe të dhënat për sipërmarrësit që furnizojnë me gaze serrë të fluorinuara vihen në dispozicion të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, me kërkesë të saj. Nëse të dhënat e marra nga operatorët ose sipërmarrësit përmbajnë informacion mjedisor, Agjencia Kombëtare e Mjedisit i vë këto të dhëna në dispozicion të publikut, sipas legjislacionit në fuqi.
5. Shkarkimet e gazeve serrë të fluorinuara në lidhje me prodhimin
5.1. Prodhuesit e komponimeve të fluorinuara marrin të gjitha masat e nevojshme për të kufizuar sa më shumë të jetë e mundur shkarkimet e gazeve serrë të fluorinuara gjatë prodhimit, transportit dhe magazinimit, si edhe në rastet kur gazet serrë te fluorinuara janë prodhuar si nënprodukte.
5.2.  Pa rënë ndesh me pikën 1.1, të kreut IV, vendosja në treg e gazeve serrë të fluorinuara dhe gazeve të listuara në aneksin II ndalohet kur prodhuesit ose importuesit nuk kanë dokumentin ligjor që dëshmon kohën e vendosjes në treg dhe kur vërtetojnë se trifluorometani i prodhuar si një nënprodukt gjatë procesit të prodhimit, përfshirë prodhimin e lëndëve të para për prodhimin e tyre, është shkatërruar ose rikuperuar për përdorim të mëvonshëm, në përputhje me teknikat më të mira të disponueshme.
5.3. Kjo kërkesë do të zbatohet nga 11 qershori 2019.
6. Rikuperimi
6.1. Operatorët e pajisjeve të palëvizshme ose të njësive ftohëse (frigoriferike) të kamionave dhe rimorkiove frigoriferike, që përmbajnë gaze serrë të fluorinuara që nuk gjenden në shkuma, kryejnë rikuperimin e gazeve nëpërmjet personave fizikë që zotërojnë certifikatën përkatëse në përputhje me pikën 8, të këtij kreu, në mënyrë që këto gaze të riciklohen, të rigjenerohen ose të shkatërrohen.
       Këto detyrime zbatohen për operatorët e pajisjeve të mëposhtme:
a) Qarqet ftohëse të frigoriferëve të palëvizshëm, të pajisjeve stacionare me ajër të kondicionuar dhe pajisjeve stacionare të pompave të nxehtësisë;
b) Qarqet ftohëse të njësive frigoriferike të kamionave dhe trajlerave frigoriferikë;
c) Pajisjet stacionare (fikse) që përmbajnë tretësa me bazë gaze serrë të fluorinuara;
ç)  Pajisjet stacionare (fikse) për mbrojtjen nga zjarri;
d) Kutitë e shpejtësisë të stacioneve elektrike me tension të lartë.
6.2. Sipërmarrësi, që përdor një kontejner që përmban gaze serrë të fluorinuara, përpara asgjësimit të tij merr masa për rikuperimin e gazeve të mbetura për të garantuar më tej riciklimin, rigjenerimin ose shkatërrimin e tyre.
6.3. Operatorët e produkteve dhe pajisjeve që nuk listohen në pikën 6.1,  përfshirë pajisjet e lëvizshme që përmbajnë gaze serrë të fluorinuara, marrin masat për rikuperimin e gazeve, në bazë të teknikave më të mira të disponueshme nga personat e duhur fizikë të kualifikuar, në mënyrë që ato të riciklohen, të rigjenerohen ose të shkatërrohen.
7. Skemat e përgjegjësive të prodhuesit
7.1. Prodhuesi i gazeve serrë të fluorinuara apo/ose palët e treta që veprojnë në emër të tyre marrin masa që të financojnë të gjitha kostot, që rrjedhin për ngritjen dhe funksionimin e skemës së rikuperimit, riciklimit, rigjenerimit apo shkatërrimit të gazeve serrë të fluorinuara, individualisht apo në bashkëpunim ndërmjet tyre, brenda një afati prej 5 (pesë) vjetësh nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
7.2. Prodhuesit e pajisjeve dhe produkteve të gazeve serrë të fluorinuara ose palët e treta që veprojnë në emër të tyre:
a) sigurojnë që skema e rikuperimit, riciklimit, rigjenerimit apo shkatërrimit të gazeve serrë të fluorinuara realizohet nga persona fizikë apo sipërmarrje që zotërojnë certifikatën përkatëse në përputhje me pikën 8, të këtij kreu;
b) informojnë përdoruesit përfundimtarë dhe u japin mundësi të dorëzojnë në pika të afërta grumbullimi lehtësisht të aksesueshme prej tyre, siç janë pikat e shitjes së pajisjeve dhe produkteve përkatëse.
8. Trajnimi dhe certifikimi
8.1. Kërkesat minimale për programet e trajnimit, dëshmive të trajnimeve për personat fizikë, certifikimit për personat fizikë dhe sipërmarrësit si edhe sistemi i vlerësimit të tyre miratohen me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për mjedisin, ministrit përgjegjës për arsimin dhe ministrit përgjegjës për tregtinë. Trajnimit i nënshtrohen personat fizikë që kryejnë detyrat e mëposhtme:
a) Instalimin, servisin, mirëmbajtjen, riparimin ose nxjerrjen nga përdorimi të pajisjeve të listuara në shkronjat “a” deri “dh”, të pikës 2.3, të këtij kreu;
b) Kontrollin e rrjedhjeve të pajisjeve të përmendura në shkronjat “a” deri “d”, të pikës 2.3, siç parashikohet në pikën 2.1;
c) Rikuperimin e gazeve serrë të fluorinuara siç parashikohet në pikën 6.1.
 Këto kërkesa minimale specifikojnë për secilin lloj të pajisjeve aftësitë dhe njohuritë e nevojshme praktike e teorike.
8.2. Programet e trajnimit të parashikuara në pikën 8.1 mbulojnë çështjet e mëposhtme:
a) Rregulloret e aplikueshme dhe standardet teknike;
b) Parandalimin e shkarkimeve;
c) Rikuperimin e gazeve serrë të fluorinuara;
ç)  Trajtimin e sigurt të pajisjeve të llojit dhe madhësisë së përfshirë në certifikatë;
d) Informacion për teknologjitë përkatëse për të zëvendësuar ose për të zvogëluar përdorimin e gazeve serrë të fluorinuara dhe trajtimin e tyre të sigurt.
8.3. Certifikata për personat fizikë dhe sipërmarrësit si dhe dëshmia e kryerjes së trajnimit për personat fizikë lëshohet nga “organi i akredituar certifikues i personelit”, pasi i nënshtrohen testimit teorik dhe praktik të njohurive, në përputhje me kërkesat e referuara në pikën 8.1, të këtij kreu. Sistemi i vlerësimit përcaktohet në udhëzimin e përbashkët referuar pikës 8.1, të këtij kreu.
8.4. Përjashtohen nga testimi dhe pajisen me dëshmi të kryerjes së trajnimit personat fizikë, të cilët kryejnë detyrat e përcaktuara në pikën 8.1, vetëm për njësitë ftohëse në kamionët dhe rimorkiot frigoriferikë sipas shkronjës “d”, të pikës 2.3, të këtij kreu.
8.5. Sipërmarrësit certifikohen vetem nëse personeli i tij teknik (personat fizikë) është pajisur me certifikatë sipas përcaktimeve të pikës 8.3, të këtij kreu.
8.6. Deri në momentin e akreditimit si “organ/e certifikues/e të personelit”, certifikatat për personat fizikë dhe sipërmarrësit si edhe dëshmia e kryerjes së trajnimit për personat fizikë lëshohen nga institucione publike ose jopublike të licencuara sipas legjislacionit në fuqi për arsimin profesional dhe që plotësojnë minimalisht kushtet e mëposhtme:
a) Të kenë në dispozicion mjediset e duhura për trajnimin e personave fizikë;
b) Të kenë në dispozicion pajisjet demonstruese për trajnimin e personave fizikë;
c) Të kenë përvojë në fushën e trajnimeve referuar shkronjave “a”, “b” e “c”, të pikës 8.2, të këtij kreu, ose në fushën e mirëmbajtjes së pajisjeve të tjera elektrike dhe elektronike;
ç) Të kenë përvojë në fushën e testimit të njohurive teorike dhe praktike mbas përfundimit të programit të trajnimit nga personeli referuar shkronjave “a”, “b” e “c”, të pikës 8.2, të këtij kreu, ose në fushën e mirëmbajtjes së pajisjeve të tjera elektrike dhe elektronike;
d) Për kryerjen e çdo programi trajnimi referuar shkronjave “a” “b” dhe “c”, të pikës 8.2, të ketë të punësuar ose të kontraktuar të paktën katër persona që kanë përvojë në fushën e edukimit, trajnimit ose planifikimit të pajisjeve për programet përkatëse të trajnimit.
8.7. Modeli i certifikatave dhe dëshmisë miratohen me urdhër të ministrit.
8.8. Kostot e trajnimit të personave fizikë dhe sipërmarrësve mbulohen nga vetë personat fizikë për llogari të “organit të akredituar certifikues të personelit”.
8.9. Deri në krijimin e “organit të akredituar certifikues të personelit”, referuar në pikën 8.6, të këtij kreu, vlerësimi/testimi i njohurive teorike dhe praktike në përfundim të programit të trajnimit kryhet nga Komisioni i Vlerësimit, i cili ngrihet me urdhër të përbashkët të ministrit dhe ministrit përgjegjës për arsimin dhe ka në përbërje:
a)  përfaqësues nga personeli i institucionit publik ose jopublik që ka kryer trajnimin;
b) 1 (një) përfaqësues nga Ministria e Mjedisit, i cili mbulon çështjet e ndryshimeve klimatike;
c) 1 (një) përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, i cili mbulon çështjet e arsimit profesional.
8.10. Organi/et i/e akredituara, certifikues të personelit, sipas pikës 8.6, të këtij vendimi,:
a) ruan deri në 5 (pesë) vjet të dhënat e testeve teorike dhe praktike të kryera nga personat fizikë si dhe rezultatin e përgjithshëm të testit;
b) pranon që personat fizikët t’i nënshtrohen testimit teorik dhe praktik, edhe pa kryer programin e trajnimit;
c) dërgon 1 (një) herë në muaj në Ministrinë e Mjedisit listën e personave fizikë që kanë kryer me sukses testimin teorik dhe praktik, e cila duhet  të përmbajë emrin, mbiemrin, adresën, numrin e telefonit ose adresën e e-mailit, kategorinë e pajisjes për të cilën ka kryer testimin, datën e testimit si dhe numrin e regjistrimit të certifikatës;
ç)  njofton Ministrinë e Mjedisit për vendin dhe datën e kryerjes së testimit, 1 muaj përpara kryerjes së tij.
8.11. Agjencia Kombëtare e Akreditimit dërgon në Ministrinë e Mjedisit listën e “organeve të akredituara certifikuese të personelit” për gazet e fluorinuara si dhe përditësimin periodik të saj.
8.12. Ministria përgjegjëse për arsimin dërgon në Ministrinë e Mjedisit listën e institucioneve publike dhe jopublike të licencuara në fushën e pajisjeve elektrike dhe elektronike që mbulojnë edhe gazet serrë të fluorinuara.
8.13. Ministria e Mjedisit krijon dhe publikon regjistrin me të dhënat për:
a) certifikatat e lëshuara për personat fizikë dhe sipërmarrësit;
b) dëshmitë e kryerjes së trajnimeve të lëshuara për personat fizikë;
c) organin/et e/të akredituar/a certifikues/e të personelit”;
ç)  institucionet publike dhe jopublike të licencuara.
8.14. Modeli i regjistrit dhe mënyra e administrimit të tij miratohen me urdhër të ministrit.
KREU III
VENDOSJA NË TREG DHE KONTROLLI I PËRDORIMIT
1. Kufizimet për vendosjen në treg
1.1. Afatet kohore të ndalimit të vendosjes në treg të produkteve dhe pajisjeve të listuara në tabelën e aneksit III, bashkëlidhur këtij vendimi, do të përcaktohen brenda vitit 2018, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për tregtinë.
1.2.   Shitja dhe blerja e gazeve serrë të fluorinuara për qëllime të kryerjes së instalimit, shërbimeve, mirëmbajtjes ose riparimit të pajisjeve, që përmbajnë gaze serrë të fluorinuara ose funksionimi i të cilave mbështetet mbi ato gaze, kryhet vetem për personat fizikë ose juridikë të pajisur me certifikatë sipas pikës 8, të kreut II, të këtij vendimi. Për sipërmarrësit, që kryejnë vetëm transportin dhe shpërndarjen e gazeve serrë të fluorinuara, pajisja me certifikatë nuk është e detyrueshme.
1.3. Pajisjet e mbyllura jo hermetikisht të mbushura me gaze serrë të fluorinuara shiten për përdoruesit e fundit, vetëm kur ai dëshmon se instalimi i pajisjes do të kryhet nga një person fizik/sipërmarrës i certifikuar në përputhje me pikën 8, të kreut II, të këtij vendimi.
2. Kontrolli i përdorimit
2.1. Ndalohet përdorimi i hekzafluorit të squfurit:
a) në procesin e derdhjes së magnezit dhe në riciklimin e aliazheve të magnezit të derdhur. Për instalimet që përdorin një sasi të hekzafluorit të squfurit më pak se 850 kg në vit, në procesin e derdhjes së magnezit dhe në riciklimin e aliazheve të magnezit të derdhur, ky ndalim do të zbatohet nga 1 janari 2021;
b) në përmbushjen e gomave të makinave.
2.2. Afatet kohore për ndalimin e përdorimit të gazeve serrë të fluorinuara, me një potencial të ngrohjes globale prej 2 500 apo më shumë, për  shërbimin ose mirëmbajtjen e pajisjeve të ftohjes me një masë mbushjeje prej 40 tonë CO2 ekuivalente ose më shumë, do të përcaktohen brenda vitit 2019.
2.3. Përjashtohen nga ndalimet pajisjet ushtarake ose pajisjet e destinuara për aplikimet e projektuara për ftohjen e produkteve nën temperaturën                    – 50 °C.
2.4. Ndalimet e referuara në pikën 2.2, të këtij kreu, nuk zbatohen për kategoritë e mëposhtme të gazeve serrë të fluorinuara, deri në datën 1 janar 2030:
a) Gazet serrë të fluorinuara të rigjeneruara që kanë një potencial të ngrohjes globale prej 2500 ose më shumë, që përdoren për mirëmbajtjen ose shërbimin e pajisjeve ekzistuese ftohëse dhe të etiketuara në përputhje me pikën 3.6, të këtij kreu;
b) Gazet serrë të fluorinuara të ricikluara që kanë një potencial të ngrohjes globale prej 2500 ose me shumë, që përdoren për mirëmbajtjen ose shërbimin e pajisjeve ekzistuese ftohëse dhe që sigurojnë se janë rikuperuar nga pajisje të tilla. Gaze të tilla të ricikluara mund të përdoren vetëm nga sipërmarrësit të cilët kryejnë rikuperimin e tyre si pjesë e mirëmbajtjes ose shërbimit.
3. Etiketimi dhe informacioni për produktet dhe pajisjet
3.1. Produktet dhe pajisjet, që përmbajnë ose funksionimi i të cilave mbështetet mbi gazet serrë te fluorinuara, vendosen në treg vetëm nëse janë pajisur me etiketë. Kjo kërkesë zbatohet vetëm për:
a) pajisjet ftohëse frigoriferike;
b) pajisjet me ajër të kondicionuar;
c) pompat e nxehtësisë;
ç)  pajisjet e mbrojtjes nga zjarri;
d) kutinë e shpejtësisë elektrike;
dh)  aerosolet që përmbajnë gaze serrë të fluorinuara, me përjashtim të inhalatorëve me doza të përcaktuara për shpërndarjen e përbërësve farmaceutikë;
e) të gjithë kontejnerët e gazeve serrë të fluorinuara.
3.2. Etiketat e kërkuara, referuar pikës 3.1, të këtij kreu, duhet të tregojnë të dhënat e mëposhtme:
a) Një referencë që produkti ose pajisja përmban gaze serrë të fluorinuara ose që funksionimi i tyre mbështetet mbi gaze të tilla;
b) Emërtimi i pranuar  nga industria për gazet serrë të fluorinuara në fjalë ose, nëse nuk ka përcaktim të tillë, vendosja e emrit kimik;
c) Nga 1 janari 2020, sasinë e shprehur në peshë dhe në CO2 ekuivalente e gazeve serrë të fluorinuara, që përmbahen në produkt  apo pajisje, ose sasinë e gazeve serrë të fluorinuara, për të cilën pajisja është projektuar si edhe potencialin e ngrohjes globale të këtyre gazeve.
3.3. Etiketat e kërkuara sipas pikës 3.1, të këtij kreu, kur është e aplikueshme/zbatueshme duhet të tregojnë të dhënat e mëposhtme:
a) Një referencë që gazet serrë të fluorinuara përmbahen në pajisje hermetikisht të mbyllura;
b) Një referencë që kutia e shpejtësisë elektrike ka një normë të testimit për rrjedhje prej më pak se 0,1% në vit, të përcaktuar në specifikimet teknike të prodhuesit.
3.4. Etiketa duhet të jetë qartësisht e lexueshme, që nuk fshihet, në gjuhën shqipe dhe vendoset:
a) afër portave hyrëse ku kryhet mbushja ose rigjenerimi i gazeve-F;
b) në atë pjesë të produktit ose pajisjes që përmban gaze serrë të fluorinuara. Për sistemet e mbyllura hermetikisht, ato duhet të etiketohen si të tilla.
3.5. Shkumat dhe polyolet e parapërziera, që përmbajnë gaze serrë të fluorinuara, do të vendosen në treg vetëm nëse gazet serrë të fluorinuara janë identifikuar me një etiketë duke përdorur emërtimin e pranuar nga industria për gazet serrë të fluorinuara në fjalë ose, nëse nuk ka   përcaktim të tillë vendoset emri kimik. Etiketa duhet të tregojë në mënyrë të qartë se shkuma ose polyolet e parapërziera përmbajnë gaze serrë të fluorinuara. Në rastin e shtresave të polisteroleve, ky informacion deklarohet në mënyrë të qartë dhe të pashlyeshme në shtresë në gjuhën shqipe.
3.6. Gazet serrë të fluorinuara të rigjeneruara apo të ricikluara duhet të etiketohen me një tregues se substanca është rigjeneruar ose ricikluar, dhe të shoqërohen me informacionin për numrin e serisë dhe emrin e adresën e fabrikës/sipërmarrësit që ka kryer rigjenerimin ose riciklimin.
3.7. Gazet serrë të fluorinuara, të vendosura në treg për shkatërrim, duhet të etiketohen me një tregues se përmbajtja e kontejnerit duhet vetëm të shkatërrohet.
3.8. Gazet serrë të fluorinuara, që vendosen në treg për eksport të drejtpërdrejtë, të etiketohen me një tregues që përmbajtja e kontejnerit të eksportohet menjëherë.
3.9. Gazet serrë të fluorinuara, të vendosura në treg për përdorim në pajisjet ushtarake, etiketohen me një tregues që përmbajtja e kontejnerit përdoret vetëm për atë qëllim.
   3.10. Gazet serrë të fluorinuara, të vendosura në treg për gravurën e materialeve gjysmëpërçuese ose për pastrimin me avull kimikatesh të dhomave të depozitimit brenda sektorit të prodhimit të gjysmëpërçuesve, të etiketohen me një tregues se përmbajtja e kontejnerit mund të përdoret vetëm për këtë qëllim.
  3.11. Gazet serrë të fluorinuara, të vendosura në treg për përdorim si lëndë e parë/feedstock, të etiketohen me një tregues se përmbajtja e kontejnerit mund të përdoret vetëm si lëndë e parë/feedstock.
3.12. Gazet serrë të fluorinuara, të vendosura në treg për prodhimin e inhalatorëve për thithjen e dozave të përcaktuara të ilaçeve, për furnizimin e përbërësve farmaceutikë, të etiketohen me një tregues se përmbajtja e kontejnerit të përdoret vetëm për atë qëllim.
3.13. Informacioni i përmendur në pikat 3.2 dhe 3.5, të këtij kreu, përfshihet në manualet udhëzuese për produktet dhe pajisjet në fjalë.
3.14. Në rastin e produkteve dhe pajisjeve, që përmbajnë gaze serrë të fluorinuara me një potencial të ngrohjes globale prej 150 ose më shumë, ky informacion të përfshihet edhe në përshkrimet e përdorura për reklama.
3.15. Forma e etiketës dhe kërkesa shtesë për etiketimin e produkteve dhe pajisjeve që përmbajnë gaze serrë të fluorinuara përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit, ministrit përgjegjes për tregtinë dhe ministrit përgjegjës për industrinë.
KREU IV
RAPORTIMI
1. Raportimi për prodhimin, importin, eksportin përdorimin e lëndës së parë/feedstock dhe shkatërimin e substancave të listuara në anekset I dhe II
1.1. Që prej 31 marsit 2018 dhe çdo vit pasues, çdo prodhues, importues dhe eksportues, që prodhon, importon ose eksporton 1 metrik ton ose 100 tonë CO2 ekuivalent ose më shumë gaze serrë të fluorinuara dhe gazet e listuara në aneksin II, gjatë vitit pasardhës duhet të informojë Agjencinë Kombëtare të Mjedisit për të dhënat e specifikuara në aneksin V për secilën nga ato substanca për atë vit kalendarik.
1.2. Që prej 31 marsit 2018 dhe çdo vit pasues, çdo sipërmarrës, që shkatërron 1 metrik ton ose 1000 tonë CO2 ekuivalent ose më shumë gaze serrë të fluorinuara dhe gazet e listuara në aneksin II, gjatë vitit pasardhës duhet të informojë Agjencinë Kombëtare të Mjedisit për të dhënat e specifikuara në aneksin V për secilën nga ato substanca për atë vit kalendarik.
1.3.  Që prej 31 marsit  2018 dhe çdo vit pasues, çdo sipërmarrës, që përdor 1000 tonë CO2 ekuivalent ose më shumë gaze serrë të fluorinuara si lëndë të parë/feedstock gjatë vitit pasardhës duhet të informojë Agjencinë Kombëtare të Mjedisit për të dhënat e specifikuara në aneksin V për secilën nga ato substanca për atë vit kalendarik.
1.4. Që prej 31 marsit 2018 dhe çdo vit pasues, çdo sipërmarrës, që ka vendosur në treg 500 tonë CO2 ekuivalent ose më shumë gaze serrë të fluorinuara dhe gazet e listuara në aneksin II që gjenden në produkte ose pajisje, gjatë vitit pasardhës duhet të informojë Agjencinë Kombëtare të Mjedisit për të dhënat e specifikuara në aneksin V për secilën nga ato substanca për atë vit kalendarik.
2. Grumbullimi i të dhënave të shkarkimeve
2.1. Agjencia Kombëtare e Mjedisit ngre një bazë të dhënash në përputhje me të dhënat e ruajtura sipas pikës 4, të kreut II, për sektorët përkatës referuar në këtë vendim, me synim marrjen e të dhënave të shkarkimeve të gazeve serrë të fluorinuara.
2.2. Agjencia Kombëtare e Mjedisit përdor bazën e të dhënave referuar pikës 2.1, të kreut V, për hartimin e inventarit kombëtar të gazeve me efekt serrë.
KREU V
INSPEKTIMI
1. Mospërmbushja e kërkesave të këtij vendimi, kur nuk përbën vepër penale, përbën kundërvajtje administrative dhe ndëshkohet sipas nenit 69, pika 1/b, të ligjit nr.10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, për shkeljet, si më poshtë vijon:
a) Nga operatorët lidhur me:
i. lëshimin e qëllimshëm të gazeve serrë të fluorinuara në atmosferë gjatë instalimit, servisit, mirëmbajtjes, riparimit ose çmontimit të pajisjeve;
ii. lëshimin e qëllimshëm të gazeve serrë të fluorinuara në atmosferë gjatë rikuperimit, riciklimit dhe rigjenerimit të gazeve serrë të fluorinuara;
iii. moskryerjen e kontrollit për rrjedhje të pajisjeve të referuara në pikën 2.3, të kreut II, të këtij vendimi, nga persona të certifikuar;
iv. moskryerjen e kontrollit për rrjedhje të pajisjeve të referuara në pikën 2.3, të kreut II, të këtij vendimi, që përmbajnë gaze serrë të fluorinuara në sasi prej 5 tonë CO2 ekuivalente ose më shumë;
v. moskryerjen e kontrollit për rrjedhje të pajisjeve të referuara në pikën 2.3, të kreut II, me shpeshtësinë e përcaktuar në pikën 2.4, të kreut II, të këtij vendimi;
vi. mosplotësimin e kushteve të kontrollit të përcaktuara në pikën 2.5, të kreut II, të këtij vendimi, për pajisjet e palëvizshme të mbrojtjes nga zjarri;
vii. mospajisjen e pajisjeve të referuara në pikën 2.3, të kreut II, me sistemin e zbulimit të rrjedhjeve, në përputhje me kërkesat e përcaktuara në pikën 3, të kreut II, të këtij vendimi;
viii. mosmbajtjen e të dhënave të specifikuara në pikën 4.1, të kreut II, të këtij vendimi, për çdo pjesë të pajisjeve dhe mosruajtjen e tyre për të paktën 5 (pesë) vjet;
ix. mosvënien në dispozicion të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, me kërkesë të saj, të të dhënave të specifikuara në pikën 4.1, të kreut II, të këtij vendimi;
x. moskryerjen e rikuperimit të gazeve serrë të fluorinuara nga pajisjet e palëvizshme ose njësitë ftohëse (frigoriferike) të kamionave dhe rimorkiove frigoriferikë, që listohen në pikën 6.1, të kreut II, të këtij vendimi, nëpërmjet personave fizikë që zotërojnë certifikatën përkatëse;
xi. moskryerjen e rikuperimit të gazeve serrë të fluorinuara, nga produktet dhe pajisjet që nuk listohen në pikën 6.1, të kreut II, të këtij vendimi, në bazë të teknikave më të mira të disponueshme, nga personat e duhur fizikë të kualifikuar.
b) Nga sipërmarrësit:
i. që kryejnë instalimin, servisin, mirëmbajtjen, riparimin ose çmontimin e pajisjeve që përmbajnë gaze serrë të fluorinuara, me persona të pacertifikuar;
ii. për mosmbajtjen e të dhënave të specifikuara në pikën 4.1, të kreut II, të këtij vendimi, për çdo pjesë të pajisjeve dhe mosruajtjen e tyre për të paktën 5 (pesë) vjet;
iii. për mosvënien në dispozicion të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, me kërkesë të saj, të të dhënave të specifikuara në pikën 4.1, të kreut II, të këtij vendimi;
iv. për mosmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për të kufizuar shkarkimet e gazeve serrë të fluorinuara gjatë prodhimit, transportit dhe magazinimit, si dhe në rastet kur gazet serrë të fluorinuara janë prodhuar si nënprodukte;
v. për vendosjen në treg të gazeve serrë të fluorinuara dhe gazeve të listuara në aneksin II, të këtij vendimi, në kundërshtim me kërkesat  e përcaktuara në pikën 5.2, të kreut II, të këtij vendimi;
vi. për mosmarrjen e masave për rikuperimin e gazeve të mbetura kur përdor një kontejner që përmban gaze serrë të fluorinuara, përpara asgjësimit të tij;
vii. për mosmarrjen e masave për finacimin e të gjitha kostove, që rrjedhin për ngritjen dhe funksionimin e skemës së rikuperimit, riciklimit, rigjenerimit apo shkatërrimit të gazeve serrë të fluorinuara, brenda      5 (pesë) vjetësh nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
viii. për mosrealizimin e skemës së rikuperimit, riciklimit, rigjenerimit apo shkatërrimit të gazeve serrë të fluorinuara nga persona fizikë apo sipërrmarje që zotërojnë certifikatën përkatëse;
ix. për shitjen dhe blerjen e gazeve serrë të fluorinuara për qëllime të kryerjes së instalimit, shërbimeve, mirëmbajtjes ose riparimit të pajisjeve që përmbajnë gaze serrë të fluorinuara ose funksionimi i të cilave mbështetet mbi ato gaze ndaj personave fizikë ose juridikë të papajisur me certificatë;
x. për shitje të pajisjeve të mbyllura jo hermetikisht, të mbushura me gaze serrë të fluorinuara, për përdoruesit e fundit, kur ai nuk dëshmon se instalimi i pajisjes do të kryhet nga një person fizik/sipërmarrës i certifikuar;
xi. për përdorim të hekzafluorit të squfurit në procesin e derdhjes së magnezit dhe në riciklimin e aliazheve të magnezit të derdhur dhe për mbushjen e gomave të makinave;
xii. për vendosjen në treg të produkteve dhe pajisjeve të referuara në pikën 3.1, të kreut III, të këtij vendimi, të papajisura me etiketë;
xiii. për mosraportimin për prodhimin, importin, eksportin, përdorimin e lëndës së parë/feedstock dhe shkatërimin e substancave të listuara në anekset I dhe II, në përputhje me kërkesat e përcaktuara në pikën 1, të kreut V, të këtij vendimi.
2. Autoriteti kompetent për inspektimin dhe ndëshkimin e kundërvajtjeve administrative, sipas pikës 1, është Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave, përjashtuar nënndarjen “xii”, të shkronjës “b”, të pikës 1.
3. Inspektorati Shtetëror për Mbikëqyrjen e Tregut në ministrinë përgjegjëse për tregtinë është autoriteti përgjegjës për inspektimin e etiketës së produkteve dhe pajisjeve të importuara apo të prodhuara në vend, që përmbajnë gaze serrë të fluorinuara në përputhje me kërkesat e kreut III, pika 3, e ndëshkueshme sipas nënndarjes “xii”, të shkronjës “b”, të pikës 1, të këtij kreu.
4. Inspektorati Qendror Teknik, përgjegjës për sigurinë e pajisjeve dhe instalimeve elektrike dhe të pajisjeve nën presion, është autoriteti kompetent për kontrollin e pajisjeve të referuara në shkronjat “dh” e “e”, të pikës 2.3, të kreut II, të këtij vendimi, në përputhje me legjislacionin që garanton sigurinë e punës së pajisjeve nën presion dhe sigurinë e punës së pajisjeve dhe të instalimeve elektrike.
5. Autoriteti doganor është autoriteti kompetent për:
a) inspektimin e importit dhe eksportit të gazeve serrë të fluorinuara dhe produkteve ose pajisjeve që i përmbajnë ato;
b) raportimin, çdo datë 31 mars, pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit të të dhënave të ruajtura të vitit të mëparshëm kalendarik për importin dhe eksportin e gazeve serrë të fluorinuara dhe produktet që i përmbajnë ato, raportim i bërë nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave;
c) moszhdoganimin për gazet e fluorinuara ose produktet që i përmbajnë ato nëse gjejnë shkelje të kërkesave të përcaktuara në kreun III, pikat 1, 2, 3;
ç)  gazet apo produktet që nuk zhdoganohen për shkak të shkeljeve të kërkesave të përcaktuara në kreun III, pikat 1 e 2, e që kthehen mbrapsht në destinacionin nga kanë ardhur;
d) gazet apo produktet që nuk zhdoganohen për shkak të shkeljeve të kërkesave të përcaktuara në kreun III, pika 3, e që magazinohen deri në zbatimin  e kërkesave të etiketimit.
Gjatë kryerjes së inspektimeve në përputhje me parashikimet e këtij vendimi, autoritetet doganore mund të kërkojnë asistencën profesionale të Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave.
KREU VI
DISPOZITA PËRFUNDIMTARE
Ngarkohen Ministria e Mjedisit, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave, Inspektorati Qendror Teknik, Inspektorati Shtetëror për Mbikëqyrjen e Tregut dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2016.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D IM
PËR
HEQJEN NGA FONDI PYJOR DHE KULLOSOR TË SIPËRFAQEVE, NË EKONOMITË PYJORE “KRYEZI-BICAJ” DHE “MUNELLË”, QARKU SHKODËR, QË DO TË PËRDOREN NGA SHOQËRIA “BERALB”, SH.A., PËR AKTIVITET MINERAR DHE DEPOZITIM STERILESH
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 17, të ligjit nr.9385, datë 4.5.2005, “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit dhe të ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Sipërfaqja pyjore prej 19.2 (nëntëmbëdhjetë pikë dy) ha, pjesë e ekonomive pyjore “Kryezi-Bicaj” dhe “Munellë”, qarku Shkodër, nga e cila 12.5 (dymbëdhjetë pikë pesë) ha do të përdoren nga shoqëria “BERALB”, sh.a. për depozitimin e sterileve të dambës së fabrikës së pasurimit të bakrit, në Fushë-Arës, dhe 6.7 (gjashtë pikë shtatë) ha për shfrytëzimin e shkëmbinjve efuzivë, në objektin “Munellë”, të hiqet nga Fondi Pyjor dhe Kullosor dhe të çregjistrohet nga Kadastra Kombëtare e Pyjeve dhe Kullotave. Sipërfaqja, sipas ngastrave pyjore dhe kullosore, jepet në tabelën 1, bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Vlerat përkatëse të pakësimit në volum të lëndës drusore, produkteve të tjera pyjore, investimet e kryera në vite, në sipërfaqen, objekt i këtij vendimi, rrjeti rrugor, kanale vaditëse e ujësjellës, të paguhen nga shoqëria “BERALB”, sh.a., në bazë të vendimit nr.391, datë 21.6.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e tarifave në sektorin e pyjeve dhe kullotave”, të ndryshuar.
3. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, shoqëria “BERALB”, sh.a., brenda 3 (tre) viteve, duhet të pyllëzojë, me fondet e veta, 57.6 (pesëdhjetë e shtatë pikë gjashtë) ha sipërfaqe me drurë pyjorë, në territorin administrativ ku ushtron aktivitetin, sipas përcaktimit në marrëveshjen e lidhur ndërmjet saj dhe Ministrisë së Mjedisit.
4. Sipërfaqet pyjore, sipas pikës 1, të këtij vendimi, mbeten pronë publike e shtetit dhe regjistrohen në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë.
5. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi të bëhen ndryshimet përkatëse në regjistrin e Kadastrës Kombëtare të Pyjeve dhe Kullotave dhe në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme.
6. Shoqëria “BERALB”, sh.a., pas përfundimit të punimeve të parashikuara, është e detyruar të realizojë rehabilitimin mjedisor të sipërfaqeve pyjore, sipas përcaktimeve në lejen mjedisore.
7. Ngarkohen Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Ministria e Mjedisit, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe shoqëria “BERALB”, sh.a. për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.