Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave 10 Shkurt 2016
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.238, DATË 23.3.2011, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPALLJEN E QENDRËS HISTORIKE TË QYTETIT TË KORÇËS DHE MIRATIMIN E RREGULLORES PËR ADMINISTRIMIN E SAJ”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 29, pika 4, e 53, pika 2, të ligjit nr.9048, datë 7.4.2003, “Për trashëgiminë kulturore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në rregulloren për administrimin e Qendrës Historike të qytetit të Korçës, miratuar me vendimin nr.238, datë 23.3.2011, të Këshillit të Ministrave, fjalia e fundit, e nenit 11, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Kriteret e shfrytëzimit të monumenteve të kulturës përfshirë, “Pazarin e Korçës”, përcaktohen nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, në përputhje me ligjin nr.9048, datë 7.4.2003, “Për trashëgiminë kulturore”, të ndryshuar. Aktivitetet që do të zhvillohen në to miratohen me vendim të Këshillit të Bashkisë Korçë, në bazë të këtyre kritereve.”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË HUASЁ, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE FONDIT TЁ KUVAJTIT PЁR ZHVILLIMIN EKONOMIK ARAB, PЁR FINANCIMIN E PROJEKTIT “REHABILITIMI I RRUGЁS SЁ LUMIT TЁ VLORЁS”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 26, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”, dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit të Kuvajtit për Zhvillimin Ekonomik Arab, për financimin e projektit “Rehabilitimi i rrugës së Lumit të Vlorës”, me një hua në shumën 12 000 000 (dymbëdhjetë milionë) dinarë kuvajtianë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KRITEREVE BAZË, TË SEKTORËVE QË DO TË MBËSHTETEN DHE TË MASËS SË PËRFITIMIT NGA FONDI I PROGRAMIT PËR BUJQËSINË DHE ZHVILLIMIN RURAL, PËR VITIN 2016
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 6, të ligjit nr.9817, datë 22.10.2007, “Për bujqësinë dhe zhvillimin rural”, dhe të ligjit nr.147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Fondi i miratuar në buxhetin e vitit 2016 për Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, zëri “Transfertë në buxhetet familjare”, për mbështetjen e prodhimit bujqësor, blegtoral dhe të agropërpunimit, të përdoret për:
a) investimet për rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve për të garantuar furnizimin e qëndrueshëm të tregut;
b) përmirësimin e teknologjisë së kultivimit dhe të mbrojtjes së bimëve;
c) prodhimin e perimeve në ambiente të mbrojtura;
ç) mbarështimin e blegtorisë, bletarisë dhe akuakulturës;
d) furnizimin e qëndrueshëm të tregut dhe rritjen e të ardhurave financiare për familjet e zonave rurale;
dh) nxitjen e kreditimit bankar e të investimeve në sektorin e përpunimit, ruajtjes dhe marketingut të produkteve bujqësore, blegtorale, shpendëve, akuakulturës, mjaltit dhe bimëve medicinale;
e) rritjen e mundësisë së fermerëve për mjete të mekanizuara;
ë) nxitjen e formalizimit, kooperimit dhe organizimit të shoqërive të bashkëpunimit bujqësor (SHBB).
2. Masat e mbështetjes dhe masa e përfitimit nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural, sipas rajonizimit të hartës bujqësore, e cila miratohet me udhëzim të përbashkët të ministrit të Financave dhe ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, në shkallë vendi, të jenë, si më poshtë vijon:
a) Mbështetje për përmirësimin e teknologjisë të kultivimit dhe mbrojtjes së bimëve, si:
i. përmirësimi i teknologjisë së mbjelljes së vreshtave me fidanë të kultivarëve autoktonë, në vlerën 600 000 (gjashtëqind mijë) lekë/ha dhe me fidanë të kultivarëve të tjerë, në vlerën 500 000 (pesëqind mijë) lekë/ha;
ii. përmirësimi i teknologjisë së mbjelljes së mollëve, dardhëve, kumbullave, qershive, pjeshkëve, nektarinave, fiqve, ftonjve, shegëve, kivit, luleshtrydhes dhe agrumeve, në vlerën 200 000 (dyqind mijë) lekë/ha;
iii. përmirësimi i teknologjisë së mbjelljes së arrave, lajthive dhe bajameve, në vlerën 200 000 (dyqind mijë) lekë/ha për format intensive të kultivimit;
iv. përmirësimi i teknologjisë së mbjelljes dhe kultivimit të bimëve medicinale e aromatike të kultivuara, si: lavanda, timus, rigon, rozmarinë, mëllagë e bardhë, mëllagë e zezë, valeriane, mollë e egër, tërfili i kuq, lule dielli (për petale), kokoçeli (lule ciani) dhe shafran (Crocus sativus), në vlerën 250 000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) lekë/ha;
v. mbështetja e fermave organike, në vlerën 80 000 (tetëdhjetë mijë) lekë/fermë të certifikuar;
vi. përmirësimi i teknikave të ujitjes nëpërmjet instalimit të ujitjes me pika në ullishte, vreshta, pemëtore, agrume, arrore dhe shegë (vetëm për format intensive të kultivimit të tyre), kundrejt faturës tatimore, por jo më shumë se 250 000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) lekë/ha, por financimi të bëhet për jo më pak se 0,5 ha dhe jo më shumë se 10 ha;
vii. mbrojtja e ullishteve nga dëmtimi i mizës së ullirit në bllok dhe sipas zonave prioritare të prodhimit, me fond limit jo më shumë se 35 000 (tridhjetë e pesë mijë) lekë/ha, përfshirë TVSH-në;
viii. mbrojtja e pemëve frutore nga fatkeqësitë natyrore (nga breshëri), përmes vendosjes së rrjetave për mbrojtje nga breshëri, me fond limit jo më shumë se 2 800 000 (dy milionë e tetëqind mijë) lekë/ha, përfshirë TVSH-në.
Sipërfaqja e mbjellë me kulturat e përshkruara sipas masave të përcaktuara në nënndarjet “i”-“iv”, të shkronjës “a”, të pikës 2, të këtij vendimi, duhet të jetë jo më e vogël se 0.2 ha dhe jo më e madhe se 10 ha.
b) Mbarështimi i blegtorisë, bletarisë dhe akuakulturës:
i. në vlerën 1 200 (një mijë e dyqind) lekë/krerë dele ose dhi të matrikulluara për fermat të cilët mbarështojnë jo më pak se 100 krerë, por financimi të bëhet për jo më shumë se 300 krerë;
ii. në vlerën 1 000 (një mijë) lekë/koshere bletë për fermerët me jo më pak se 50, por jo më shumë se 300 (treqind) koshere blete;
iii. mbështetja e sektorit të akuakulturës, në masën 25% të vlerës së rasatit, por jo më shumë se 300 000 (treqind mijë) lekë/fermë dhe 25% të vlerës së ushqimeve për peshkun nën kultivim, por jo më shumë se 200 000 (dyqind mijë) lekë/fermë, vërtetuar me faturë tatimore.
c) Furnizimi i qëndrueshëm i tregut dhe rritja e të ardhurave financiare për familjet e zonave rurale, si:
i. mbështetja për dorëzimin e prodhimit të frutave dhe perimeve në pikat e grumbullimit ose përpunimit, në masën 15% të vlerës së mallit të shitur, të vërtetuar me faturë tatimore, përfshirë vlerën e tatimit. Sasia e dorëzimit të jetë për jo më pak se 100 kv dhe jo më shumë se 400 kv për frutat dhe perimet, si dhe për jo më shumë se 400 kv për fasulen pllaqi;
ii. mbështetja në vlerën 10 (dhjetë) lekë/litër qumësht për fermat blegtorale që mbarështojnë jo më pak se 10 (dhjetë) krerë lopë qumështi të matrikulluara, por financimi të bëhet për jo më shumë se 25 krerë dhe për jo më shumë se 2 000 litra për lopë. Pagesa të bëhet kundrejt sasive të qumështit, e vërtetuar me faturë tatimore;
iii. mbështetja e fermave blegtorale që mbarështojnë në mënyrë ekstensive (regjim gjysëmstallor) lopë të matrikulluara, në vlerën 5 000 (pesë mijë) lekë/krerë, por financimi të bëhet për jo më pak se 10 krerë dhe për jo më shumë se 20 (njëzet) krerë.
iv. mbështetja për dorëzimin e prodhimit të midhjeve në qendrat e grumbullimit dhe/të përpunimit, në vlerën 10 (dhjetë) lekë/kg, të dorëzuar (të shitur) e të vërtetuar me faturë tatimore, por financimi të bëhet për jo më pak se 200 (dyqind) kv dhe jo më shumë se 1 000 (një mijë) kv në vit.
ç) Nxitja e investimeve dhe e kreditimit bankar në sektorin e bujqësisë, blegtorisë, shpendëve, bletarisë, akuakulturës dhe bimëve medicinale, si:
i. mbështetja, përmes subvencionit, në masën 70% të normës së interesit, për 7 (shtatë) vite radhazi, për kreditë deri në 30 000 000 (tridhjetë milionë) lekë, që do të merren për aktivitetet e mëposhtme:
– Ruajtjen dhe përpunimin e produkteve bujqësore, blegtorale, akuakulturës, shpendëve dhe bimëve medicinale;
– Mekanizimin e bujqësisë, blegtorisë, akuakulturës dhe bimëve medicinale;
– Ndërtimin e objekteve që do të shërbejnë për mbarështimin e kafshëve, shpendëve e të akuakulturës;
– Ndërtimin e serave për kultivimin e perimeve dhe prodhimin e fidanëve e të produkteve të tjera bujqësore.
ii. mbështetja e investimeve deri në 50% të vlerës së projektit, kundrejt faturës tatimore, përfshirë vlerën e tatimit, por jo më shumë se 20 000 000 (njëzet milionë) lekë për një subjekt, për:
– ngritje dhe/ose rikonstruksion ambientesh për grumbullim, përpunimin dhe ruajtje të produkteve bujqësore, blegtorale, produkteve të peshkimit e të akuakulturës, shpendëve dhe bimëve medicinale;
– ngritje dhe/ose rikonstruksion të ambienteve për mbarështim të kafshëve, shpendëve, peshkut dhe molusqeve;
– linja dhe/ose makineri dhe pajisje për standardizimin (paketim, mbushje, konservim, ambalazhim), tharje dhe/ose përpunim të prodhimeve bujqësore, blegtorale, mjaltit, bimëve medicinale, shpendëve, produkteve të peshkimit e të akuakulturës, si dhe mjeteve të specializuara të transporti për sektorët e sipërpërmendur;
– makineri dhe pajisje për mekanizimin dhe modernizimin e proceseve të punës në komplekset blegtorale të shpendëve e të akuakulturës.
iii. ndërtimi i serave për kultivimin e perimeve, prodhimin e fidanëve dhe produkteve të tjera bujqësore, në masën 50% të vlerës së investimit, përfshirë vlerën e tatimit, por jo më shumë se 1 000 000 (një milion) lekë për dynym, për sera me sipërfaqe minimumi 5 dynym dhe jo më shumë se 2 ha;
iv. mbështetja e investimeve deri në masën 60% të vlerës për traktorë dhe/ose agregate të tjera bujqësore për manovrim në nivel ferme, përfshirë vlerën e tatimit.
3. Përfitues për masat e mbështetjes dhe masën e përfitimit nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural do të jenë fermerë, personat fizikë, personat juridikë dhe shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor (SHBB).
4. Nga buxheti i miratuar i shpenzimeve operative të Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural të përdoret fondi me vlerë limit prej 35 000 000 (tridhjetë e pesë milionë) lekësh, për aktivitete informuese për publikun lidhur me masat e mbështetjes nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural, për vitin 2016.
5. Projektet e vlerësuara e të verifikuara ose të kontraktuara gjatë vitit 2015, të cilat janë shpallur fituese dhe nuk janë financuar plotësisht, për shkak të vonesave ligjore/administrative në përgatitjen e dokumentacionit përkatës nga autoritetet shtetërore (si lëshimi i lejes së ndërtimit dhe verifikimet e faturave nga autoriteti tatimor), të paguhen me fondet e vitit 2016, brenda tremujorit të parë të vitit 2016, por jo më shumë se fondi i alokuar prej 30 000 000 (tridhjetë milionë) lekësh.
6. Nga fondi i përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, të përdoret shuma 280 000 000 (dyqind e tetëdhjetë milionë) lekë për bashkëfinancim me projektet IPA. Përdorimi i këtyre fondeve realizohet sipas marrëveshjes operacionale të nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, AZHBR-së dhe GIZ.
7. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE NR.1657, DATË 24.12.2008; NR.100, DATË 27.1.2009; NR.286, DATË 18.3.2009; NR.450, DATË 6.5.2009; NR.611, DATË 11.6.2009; NR.677, DATË 18.6.2009; NR.706, DATË 23.6.2009; NR.805, DATË 22.7.2009; NR.1038, DATË 14.10.2009; NR.1134, DATË 18.11.2009; NR.1283, DATË 23.12.2009; NR.125, DATË 17.2.2010; NR.247, DATË 13.4.2010; NR.404, DATË 26.5.2010; NR.549, DATË 7.7.2010; NR.646, DATË 28.7.2010; NR.118, DATË 17.2.2011; NR.513, DATË 1.8.2012; NR.513, DATË 1.8.2012; NR.490, DATË 18.6.2013; NR.42, DATË 21.1.2015; NR.279, DATË 1.4.2015; NR.474, DATË 3.6.2015; NR.615 DATË 7.7.2015, PËR MIRATIMIN E KALIMIT TË PRONËSISË SË DISA PARCELAVE NDËRTIMORE, NË FAVOR TË POSEDUESVE TË OBJEKTEVE INFORMALE, TË NDRYSHUARA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 17, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, të shkronjës “ç”, të nenit 4, të ligjit nr.7980, datë 27.7.1995, “Për shitblerjen e trojeve”, të ndryshuar, dhe të nenit 163, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimet e Këshillit të Ministrave nr.1657, datë 24.12.2008; nr.100, datë 27.1.2009; nr.286, datë 18.3.2009; nr.450, datë 6.5.2009; nr.611, datë 11.6.2009; nr.677, datë 18.6.2009; nr.706, datë 23.6.2009; nr.805, datë 22.7.2009; nr.1038, datë 14.10.2009; nr.1134, datë 18.11.2009; nr.1283, datë 23.12.2009; nr.125, datë 17.2.2010; nr.247, datë 13.4.2010; nr.404, datë 26.5.2010; nr.549, datë 7.7.2010; nr.646, datë 28.7.2010; nr.118, datë 17.2.2011; nr.513, datë 1.8.2012; nr.490, datë 18.6.2013; nr.42, datë 21.1.2015; nr.279, datë 1.4.2015; nr.474, datë 3.6.2015; nr.615, datë 7.7.2015, të ndryshuara, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
1. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 157/239, 10/382, 10/357, 10/360, 10/342, 10/344, 10/323, 10/341, 10/365, 10/355, 10/334 e 1455/134 në drejtoritë e ALUIZNI-t Durrës, Shkodër dhe Tirana 5 janë sipas lidhjes B, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 303/35 në Drejtorinë e ALUIZNI-t Elbasan janë sipas lidhjes C, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 3/153 në Drejtorinë e ALUIZNI-t Elbasan janë sipas lidhjes E, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
4. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 4/257, 8511, 4/415 e 112/11 në drejtoritë e ALUIZNI-t Elbasan, Durrës dhe Tirana 1 janë sipas lidhjes F, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
5. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 7/590, 2/502 e 2/499 në Drejtorinë e ALUIZNI-t Tirana 1 janë sipas lidhjes G, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
6. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 3/191, 3/189, 8/904, 8/1265, 6/248, 14/170, 13/187, 13/188, 7/119, 25/135 e 24/193 në drejtoritë e ALUIZNI-t Tirana 1 dhe Elbasan janë sipas lidhjes H, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
7. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 400/454, 4/569, 2/515, 4/468, 2/373 e 4/413 në Drejtorinë e ALUIZNI-t Tirana 1 janë sipas lidhjes I, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
8. Gjenealitetet e poseduesve të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 3/361 e 7/259 në drejtoritë e ALUIZNI-t Tirana 1 dhe Elbasan janë sipas lidhjes J, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
9. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 436/142e 1/520 në Drejtorinë e ALUIZNI-t Tirana 1 janë sipas lidhjes K, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
10. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 17/218, 10/338, 23/78, 2/369 e 136/194 në drejtoritë e ALUIZNI-t Elbasan, Durrës, Tirana 2 dhe Tirana 1 janë sipas lidhjes L, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
11. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 4/501 në Drejtorinë e ALUIZNI-t Durrës janë sipas lidhjes M, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
12. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 9/469, 7/123, 3/121 e 6/786 në drejtoritë e ALUIZNI-t Tirana 1, Elbasan dhe Durrës janë sipas lidhjes N, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
13. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 9/541 e 8/685 në Drejtorinë e ALUIZNI-t Tirana 1 janë sipas lidhjes O, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
14. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 6/793, 14/30 e 3/155 në drejtoritë e ALUIZNI-t Durrës dhe Elbasan janë sipas lidhjes P, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
15. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 17/106, 1/83 e 5/814 në drejtoritë e ALUIZNI-t Durrës dhe Tirana 1 janë sipas lidhjes Q, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
16. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 9/446, 8/514, 7/421, 9/575, 19/253, 14/237, 9/95, 8/120 e 530/77 në drejtoritë e ALUIZNI-t Tirana 1, Elbasan dhe Tirana 5 janë sipas lidhjes R, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
17. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 1/539 e 3/515 në drejtoritë e ALUIZNI-t Tirana 1 dhe Korçë janë sipas lidhjes S, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
18. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 5/1338 e 29/181 në Drejtorinë e ALUIZNI-t Durrës janë sipas lidhjes V, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
19. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 7/252 në Drejtorinë e ALUIZNI-t Durrës janë sipas lidhjes AC, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
20. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 1/321 në Drejtorinë e ALUIZNI-t Durrës janë sipas lidhjes AH, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
21. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 8/657 në Drejtorinë e ALUIZNI-t Tirana 1 janë sipas lidhjes AI, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
22. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 5/324 në Drejtorinë e ALUIZNI-t Tirana 2 janë sipas lidhjes AJ, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
23. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 5/328 në Drejtorinë e ALUIZNI-t Tirana 2 janë sipas lidhjes AK, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
II. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PLANIT TË MOBILIZIMIT TË PËRGJITHSHËM OSE TË PJESSHËM TË BURIMEVE NJERËZORE E MATERIALE TË VENDIT GJATË PERIUDHËS PËR TË CILËN KËRKOHET VENDOSJA E MASAVE TË JASHTËZAKONSHME
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “c”, të nenit 11, të ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e planit të mobilizimit të përgjithshëm ose të pjesshëm të burimeve njerëzore e materiale të vendit gjatë periudhës për të cilën kërkohet vendosja e masave të jashtëzakonshme.
2. Mobilizimi ushtarak është detyrim ligjor i shtetasve për të siguruar plotësimin e njësive e të reparteve të strukturave ushtarake me personel gjatë periudhave në të cilat janë vendosur masa të jashtëzakonshme.
3. Mobilizimi kryhet në bazë të situatave të veçanta dhe nevojave të Forcave të Armatosura. Në rastet e mobilizimit të përgjithshëm ose të pjesshëm, thirren shtetasit sipas përcaktimit të bërë në ligjin nr.9047, datë 10.7.2003, “Për shërbimin ushtarak në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
4. Forcat rezervë, të cilat thirren gjatë mobilizimit të përgjithshëm ose të pjesshëm, janë pjesë e Forcave të Armatosura, të cilat janë të gatshme për pjesëmarrje gjatë gjendjeve në të cilat janë vendosur masa të jashtëzakonshme, si dhe për pjesëmarrje në misione/operacione në mbështetje të paqes, jashtë vendit.
5. Ministria e Mbrojtjes, për kapacitetet e domosdoshme të cilat nuk disponohen nga strukturat e saj apo të Forcave të Armatosura, mund të kontraktojë ose të marrë me qira mjete transporti, mjete xheniere dhe pajisje të tjera sipas nevojave. Angazhimi i tyre bëhet kundrejt pagesës së tarifave. Vlera e tarifave të zbatuara është ajo e përcaktuar nga vendimi përkatës i Këshillit të Ministrave për përcaktimin e tarifave për përdorim të përkohshëm nga organet shtetërore, në situatë emergjente, të çdo mjeti privat.
6. Ministria e Mbrojtjes, nëpërmjet Qendrës së Personel-Rekrutimit, harton listën e personelit rezervë që do të thirret gjatë gjendjeve në të cilat janë vendosur masa të jashtëzakonshme.
7. Lista emërore e personelit rezervë bëhet në bazë të nevojave të Forcave të Armatosura, sipas specialiteteve e funksioneve si dhe në bazë të organizimit të njësive të qeverisjes vendore.
8. Lista emërore e personelit në rezervë hartohet nga Qendra e Personel-Rekrutimit, në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, brenda muajit janar të çdo viti, e cila është jo më shumë se 25% e numrit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
9. Ministria e Mbrojtjes, nëpërmjet Qendrës së Personel-Rekrutimit, është përgjegjëse për mbajtjen dhe përditësimin e listës së personelit në rezervë që mund të aktivizohet gjatë gjendjeve në të cilat janë vendosur masa të jashtëzakonshme, në bazë të të dhënave që merr nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe njësitë e qeverisjes vendore.
10. Të gjithë ushtarakët në rezervë të Forcave të Armatosura detyrohen të raportojnë pranë Qendrës së Personel-Rekrutimit për ndryshimet e vendbanimit e të numrit të telefonit.
11. Ministria e Mbrojtjes, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për transportin, është përgjegjëse për mbajtjen dhe përditësimin e listës së mjeteve e të pajisjeve që do të aktivizohen gjatë gjendjeve në të cilat janë vendosur masa të jashtëzakonshme.
12. Ministria e Mbrojtjes identifikon dhe liston nevojat për mjete e pajisje si dhe nënshkruan marrëveshje ose kontrata huaje me subjektet private dhe kontrata huapërdorjeje me subjektet publike pronare të tyre, ku përcaktohen detyrimet e palëve. Pronarët e mjeteve e të pajisjeve janë të detyruar të njoftojnë strukturat përkatëse në Ministrinë e Mbrojtjes për rastet e ndryshimit të pronësisë ose gatishmërisë së mjeteve e të pajisjeve të tyre.
13. Autoritetet e porteve e të aeroporteve kombëtare civile, nëpërmjet ministrisë përgjegjëse për transportin, deklarojnë në janar dhe në korrik të çdo viti kapacitetet e infrastrukturës së tyre në Ministrinë e Mbrojtjes, si dhe krijojnë të gjitha hapësirat e lehtësirat e nevojshme për trupat e huaja (personelin e pajisjet e tyre) të cilat vijnë në kuadrin e ndihmave për përballimin e gjendjeve në të cilat janë vendosur masa të jashtëzakonshme.
14. Autoritetet e porteve e të aeroporteve kombëtare, si dhe institucionet e tjera që shërbejnë si kapacitete kombëtare caktojnë pikat e kontaktit (personelin koordinator), të cilat ia raportojnë Ministrisë së Mbrojtjes për përballimin e gjendjeve në të cilat janë vendosur masa të jashtëzakonshme.
15. Qendra e Personel-Rekrutimit, prefektët dhe njësitë e qeverisjes vendore marrin masa për njoftimin e shtetasve dhe zbatimin e shpejtë të planit të mobilizimit.
16. Organet e njësive të qeverisjes vendore dhe Policia e Shtetit, për rastet e mobilizimit të përgjithshëm ose të pjesshëm, sigurojnë paraqitjen e shtetasve që thirren në bazë të listës emërore të personelit, të dërguar nga Qendra e Personel – Rekrutimit.
17. Trajtimi financiar, material apo me kompensime të tjera të shtetasve që thirren për rastet e mobilizimit të përgjithshëm ose të pjesshëm do të jetë në përputhje me aktet ligjore e nënligjore të trajtimit të ushtarakëve aktivë të Forcave të Armatosura.
18. Trajnimi i personelit rezervist për kryerjen e misioneve e të detyrave bëhet në bazë të strukturave në të cilat do të angazhohen, mbi bazë vjetore dhe sipas fondeve të caktuara për Ministrinë e Mbrojtjes, në përputhje me kërkesat e ligjit nr.9047, datë 10.7.2003, “Për shërbimin ushtarak në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
19. Institucionet shëndetësore, private dhe publike, me kërkesë të Ministrisë së Mbrojtjes, mbajnë shtretër të lirë për trajtim mjekësor të personelit ushtarak pjesëmarrës në përballimin e gjendjeve në të cilat janë vendosur masa të jashtëzakonshme. Numri i shtretërve përcaktohet me marrëveshje mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Shëndetësisë.
Tarifat e rimbursimit për institucionet private caktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Shëndetësisë dhe ministrit të Mbrojtjes.
Rimbursimi i trajtimit mjekësor pranë institucioneve shëndetësore private të personelit ushtarak, pjesëmarrës në përballimin e gjendjeve në të cilat janë vendosur masa të jashtëzakonshme, përballohet rast pas rasti nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.
20. Forcat e Armatosura krijojnë rezerva materiale për nevojat e veta dhe për mbështetjen e forcave rezerviste të cilat thirren gjatë mobilizimit të përgjithshëm ose të pjesshëm.
21. Në rastet e mobilizimit të përgjithshëm ose të pjesshëm Ministria e Mbrojtjes i kërkon ministrit përgjegjës për rezervat materiale të shtetit informacion për gjendjen e rezervave materiale të shtetit dhe lëvrimin e tyre, sipas përcaktimeve të ligjit nr.9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat material të shtetit”.
22. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Ministria e Shëndetësisë dhe njësitë e qeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.663, DATË 17.7.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRATEGJISË NDËRSEKTORIALE TË LUFTËS KUNDËR KRIMIT TË ORGANIZUAR, TRAFIQEVE TË PALIGJSHME DHE TERRORIZMIT, 2013-2020, DHE PLANIT TË VEPRIMIT PËR VITET 2013-2016”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.663, datë 17.7.2013, të Këshillit të Ministrave, shtohet shtojca 2, me titull “Plani i veprimit për riintegrimin social-ekonomik të grave dhe vajzave, viktima të trafikimit të personave”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Financave, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË BERAT, TË PASURISË ME NR.2953, ME SIPËRFAQE 5 670 M2, NË ZONËN KADASTRALE 8505, BERAT, DHE PËR NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.834, DATË 21.11.2012, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM TË BASHKISË BERAT, TË QARKUT TË BERATIT” TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të neneve 3, 5, 7 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në pronësi të Bashkisë Berat, të pasurisë me nr.2953, me sipërfaqe 5 670 m2, me vendndodhje në zonën kadastrale 8505, Berat, sipas formularit bashkëlidhur këtij vendimi dhe pjesë përbërëse e tij, për t’u përdorur për zgjerimin e varrezave publike të qytetit Berat.
2. Prona e përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, t’i shtohet listës së inventarit të pronave të paluajtshme, që i bashkëlidhet vendimit nr.834, datë 21.11.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pronave të paluajtshme publike, që transferohen në pronësi ose në përdorim të Bashkisë Berat, të qarkut të Beratit”, të ndryshuar.
3. Bashkisë Berat i ndalohet të ndryshojë destinacionin e pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë atë ose t’ua japë në përdorim të tretëve.
4. Ngarkohen ministri i Punëve të Brendshme, kryetari i Bashkisë Berat dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR FUNKSIONIMIN E ZONAVE TË TEKNOLOGJISË DHE ZHVILLIMIT EKONOMIK”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 8, të ligjit nr.9789, datë 19.7.2007, “Për krijimin dhe funksionimin e zonave të teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullores “Për funksionimin e zonave të teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”, e cila i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Vendimi nr.860, datë 10.10.2007, i Këshillit të Ministrave “Për miratimin e rregullores së krijimit dhe të funksionimit të zonave ekonomike”, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.538, DATË 26.5.2009, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR LICENCAT DHE LEJET, QË TRAJTOHEN NGA APO NËPËRMJET QENDRËS KOMBËTARE TË LICENCIMIT (QKL) DHE DISA RREGULLIME TË TJERA NËNLIGJORE TË PËRBASHKËTA”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 15 e 36, të ligjit nr.10081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 2/1, të ligjit nr.9573, datë 3.7.2006, “Për autoriparimin, shitblerjen, depozitimin e mjeteve rrugore me motor, të rimorkiove dhe pjesëve të tyre të dala jashtë përdorimit ose të braktisura dhe për veprimtaritë që lidhen me to”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe të ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në aneksin 1, që i bashkëlidhet vendimit nr.538, datë 26.5.2009, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, fusha VII “Transporti”, kategoria VII.3 “Shërbime ekspertize dhe/ose profesionale të lidhura me transportin rrugor”, pas pikës 7 shtohet nënkategoria VII.3.B “Për autoriparimin, shitblerjen, depozitimin e mjeteve rrugore me motor, të rimorkiove dhe pjesëve të tyre të dala jashtë përdorimit ose të braktisura dhe për veprimtaritë që lidhen me to”, me këtë përmbajtje:
“1. Kategoria “Shërbime ekspertize dhe/ose profesionale të lidhura me transportin rrugor””, me kodin VII.3, përfshin licencën e nënkategorisë VII.3.B “Për autoriparimin, shitblerjen, depozitimin e mjeteve rrugore me motor, të rimorkiove dhe pjesëve të tyre të dala jashtë përdorimit ose të braktisura dhe për veprimtaritë që lidhen me to.
2. Veprimtaritë e nënkategorisë VII.3.B specifikohen në:
2.1. “Autoriparimi i mjeteve rrugore me motor dhe rimorkiove”, me kodin VII.3.B.1, ku përfshihen:
a) riparimi dhe mirëmbajtja e pjesëve mekanike dhe të motorit, të mjeteve rrugore me motor dhe rimorkiove;
b) riparimi dhe mirëmbajtja e karrocerisë së mjeteve rrugore me motor dhe rimorkiove;
c) riparimi dhe mirëmbajtja e impiantit elektrik të mjeteve rrugore me motor dhe rimorkiove;
ç) riparimi dhe mirëmbajtja e gomave të mjeteve rrugore me motor dhe rimorkiove;
d) blerja, shitja e mjeteve me motor dhe rimorkiove;
dh) mbledhja, depozitimi, shkatërrimi i mjeteve ose pjesëve të tyre të dala jashtë përdorimit apo të braktisura.
2.2. “Shitblerja e mjeteve rrugore me motor dhe/ose e rimorkiove të reja ose të përdorura”, me kodin VII.3.B.2, ku përfshihet shitblerja e mjeteve rrugore me motor dhe rimorkiove të tyre, të reja dhe/ose të përdorura, të autorizuara nga prodhuesi.
2.3. “Tregtimi i pjesëve të këmbimit të mjeteve rrugore me motor dhe/ose të rimorkiove”, me kodin VII.3.B.3, ku përfshihen:
a) tregtimi i pjesëve të këmbimit të mjeteve rrugore me motor dhe/ose të rimorkiove;
b) tregtimi i pjesëve të këmbimit të mjeteve rrugore me motor dhe/ose të rimorkiove, të autorizuara nga prodhuesi.
2.4. “Agjenci që trajtojnë praktikat e qarkullimit të mjeteve me motor dhe/ose të rimorkiove”, me kodin VII.3.B.4.
3. Licenca për veprimtaritë me kodin VII.3.B jepet për çdo vend të ushtrimit të aktivitetit.
4. Kriteret e posaçme të licencimit dhe llojet e dokumenteve provuese e shoqëruese për specifikimet me kodet VII.3.B.1 dhe VII.3.B.2 jepen në tabelën 1 më poshtë:
Tabela 1
Kriteret e posaçme Mbi çfarë faktorësh veprimtarie dhe/ose specifikash e specialitetesh aplikohen kriteret e posaçme Llojet e dokumenteve provuese lidhur me kriteret e posaçme
Përshtatshmëria e njohurive dhe eksperiencës së personelit. Drejtuesi teknik i përgjithshëm (sipas specifikimeve); a) Certifikatë për drejtuesin teknik të përgjithshëm;
b) Akte që provojnë marrëdhëniet e kërkuara të punës.
Përshtatshmëria e pajisjeve, teknologjisë dhe mjediseve me standardet e shërbimit. a) Mjediset;
b) Pajisjet; Sipas rastit: dokumente pronësie dhe /ose përdorimi, si dhe /ose dokumente që pasqyrojnë cilësitë e garancitë e këtyre faktorëve.
Përshtatshmëria e organizimit dhe rregullave të funksionimit. Rregullat e brendshme të përgjithshme. Rregullore të brendshme të funksionimit.
Besueshmëria financiare. Një sasi kapitali minimale dhe rezervë. Dokument që vërteton kënaqjen e këtij kriteri.
5. Kriteret e posaçme të licencimit si dhe llojet e dokumenteve provuese e shoqëruese për specifikimet me kodet VII.3.B.3 dhe VII.3.B.4 jepen në tabelën 2 më poshtë:
Tabela 2
Kriteret e posaçme Mbi çfarë faktorësh veprimtarie dhe/ose specifikash e specialitetesh aplikohen kriteret e posaçme Llojet e dokumenteve provuese lidhur me kriteret e posaçme
Përshtatshmëria e njohurive dhe eksperiencës së personelit. Drejtuesi teknik i përgjithshëm (sipas specifikimeve); a) Certifikatë për drejtuesin teknik të përgjithshëm;
b) Akte që provojnë marrëdhëniet e kërkuara të punës.
Përshtatshmëria e pajisjeve, teknologjisë dhe mjediseve me standardet e shërbimit. a) Mjediset;
b) Pajisjet. Sipas rastit: dokumente pronësie dhe/ose përdorimi, si dhe/ose dokumente që pasqyrojnë cilësitë e garancitë e këtyre faktorëve.
Përshtatshmëria e organizimit dhe rregullave të funksionimit. Rregullat e brendshme të përgjithshme. Rregullore të brendshme të funksionimit.
6. Licencimi i nënkategorisë B të veprimtarisë bëhet sipas grupit III.
7. Institucioni tjetër lidhur me këtë licencim është Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës.
8. Vendimi bazohet vetëm në dokumentet provuese të licencimit.
9. Afati i marrjes së këtij vendimi është 15 ditë.
10. Licenca për veprimtarinë e nënkategorisë VII.3.B ka afat 5-vjeçar.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Bahri Shaqiri emërohet zëvendësministër i Transportit dhe Infrastrukturës.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Znj. Adela Shera Karapici emërohet zëvendësministër i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Roni Telegrafi emërohet zëvendësministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
EMËRIMIN NË DETYRË TË PREFEKTIT TË QARKUT TË LEZHËS
Në mbështetje të neneve 100 e 114 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të ligjit nr.8927, datë 25.7.2002, “Për prefektin”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Eduard Ndreca emërohet prefekt i Qarkut të Lezhës.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.628, DATË 15.7.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE TEKNIKE TË PROJEKTIMIT DHE NDËRTIMIT TË RRUGËVE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 13, të ligjit nr.8378, datë 22.7.1998, “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të neneve 1, 4 e 18, të ligjit nr.8402, datë 10.9.1998, “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin e territorit”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Pas pikës 1, të vendimit nr.628, datë 15.7.2015, të Këshillit të Ministrave, shtohet pika 1.1, me këtë përmbajtje:
“1.1. Përjashtimisht, për projektet që, para hyrjes në fuqi të këtij vendimi, janë përfunduar, janë paraqitur për miratim apo janë miratuar termat e referencës, si dhe kur është kryer studimi i fizibilitetit, për projektimin dhe zbatimin e tyre deri në përfundim të zbatohen dispozitat e vendimit nr.68, datë 15.2.2001, të Këshillit të Ministrave, që kanë qenë në fuqi para hyrjes në fuqi të këtij vendimi.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.