Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave 20 Janar 2016
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN E QENDRËS HISTORIKE TË FSHATIT VUNO DHE MIRATIMIN E RREGULLORES PËR ADMINISTRIMIN E SAJ E TË ZONËS SË MBROJTUR PËRRETH
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 3 e 4, të nenit 29, të ligjit nr.9048, datë 7.4.2003, “Për trashëgiminë kulturore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen e Qendrës Historike të fshatit Vuno, sipas hartës dhe koordinatave gjeografike, bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Miratimin e rregullores “Për administrimin e Qendrës Historike të fshatit Vuno dhe të Zonës së Mbrojtur përreth”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
3. Ngarkohen Ministria e Kulturës dhe Ministria e Zhvillimit Urban për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN E QENDRËS HISTORIKE TË QYTETIT TË HIMARËS DHE MIRATIMIN E RREGULLORES PËR ADMINISTRIMIN E SAJ E TË ZONËS SË MBROJTUR PËRRETH 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 3 e 4, të nenit 29, të ligjit nr.9048, datë 7.4.2003, “Për trashëgiminë kulturore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen e Qendrës Historike të qytetit të Himarës, sipas hartës dhe koordinatave gjeografike, bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Miratimin e rregullores “Për administrimin e Qendrës Historike të qytetit të Himarës dhe të Zonës së Mbrojtur përreth”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
3. Ngarkohen Ministria e Kulturës dhe Ministria e Zhvillimit Urban për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN E QENDRËS HISTORIKE TË FSHATIT DHËRMI  DHE MIRATIMIN E RREGULLORES PËR ADMINISTRIMIN E SAJ E TË ZONËS SË MBROJTUR PËRRETH
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 3 e 4, të nenit 29, të ligjit nr.9048, datë 7.4.2003, “Për trashëgiminë kulturore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen e Qendrës Historike të fshatit Dhërmi, sipas hartës dhe koordinatave gjeografike, bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Miratimin e rregullores “Për administrimin e Qendrës Historike të fshatit Dhërmi dhe të Zonës së Mbrojtur përreth”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
3. Ngarkohen Ministria e Kulturës dhe Ministria e Zhvillimit Urban për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” .
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E NUMRIT TË PUNONJËSVE ME KONTRATË TË PËRKOHSHME PËR VITIN 2016 NË NJËSITË E QEVERISJES QENDRORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 11, të ligjit nr.147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Numri i punonjësve dhe praktikantëve me kontratë të përkohshme për vitin 2016 në njësitë e qeverisjes qendrore është 1 723 veta, sipas lidhjeve nr.1 dhe nr.2, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Përjashtimisht, për punonjësit e Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI), Drejtorisë së Dëmshpërblimit të ish-të Përndjekurve Politikë, Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit dhe Pastrimit të Parave dhe për praktikantët e Programit Kombëtar të Praktikave të Punës, të paraqitur në lidhjen nr.2 të sipërpërmendur, nuk zbatohet pika 3, e vendimit nr.1703, datë 24.12.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për vendosjen e standardeve të shërbimeve dhe aktiviteteve sezonale/të përkohshme për ministritë dhe institucionet buxhetore”.
3. Përjashtimisht, pagesa për mjekët e kontraktuar të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë i referohet vendimit përkatës të pagave për sistemin shëndetësor dhe pagesa për punonjësit e kontraktuar për Qendrën e Transferimit të Teknologjisë, Agjencinë Kombëtare të Duhan- Cigareve dhe Entin Shtetëror të Farave dhe Fidanëve në Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, për shkak të veçorisë së punës, përllogaritet sipas volumit të punës së kryer dhe kjo pagesë kryhet sipas preventivit përkatës.
4. Përjashtimisht, punonjësit, të cilët merren me anketime të ndryshme të Institutit të Statistikave, instruktorët e qendrave të formimit profesional, si dhe mësuesit në dispozicion në arsimin parauniversitar dhe atë profesional, nuk përfshihen në këtë vendim. Miratimi i numrit të këtyre punonjësve, afatet kohore dhe specifikime të tjera për kontraktimin me kohë të pjesshme të tyre bëhen sipas udhëzimit të përbashkët të institucionit qendror përgjegjës dhe Ministrisë së Financave.
5. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi fillojnë pas hyrjes në fuqi të vendimit. Përjashtimisht, për pozicionet e kontraktuara për periudhën kohore vjetore, efektet financiare fillojnë në datën 1 janar 2016 dhe pagesa e muajit dhjetor kryhet në fund të këtij muaji, me fondet e miratuara për vitin 2016.
6. Efektet financiare për punonjësit e kontraktuar përballohen nga shpenzimet korente të miratuara në buxhetin përkatës të vitit 2016 të njësive të qeverisjes qendrore. Për punonjësit e kontraktuar sipas pikës 3, të vendimit, për punonjësit e Shtëpisë së Pushimit Durrës (të MPB-së), Shtëpisë së Pushimit të SHISH-it dhe Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, efektet financiare përballohen vetëm nga të ardhurat e vetë institucionit, për punonjësit e kontraktuar për ALUIZNI-n dhe qendrat e formimit profesional përballohen pjesërisht nga të ardhurat dhe pjesërisht nga fondet buxhetore të miratuara për vitin 2016.
7. Ngarkohen ministritë dhe institucionet sipas lidhjeve nr.1 dhe nr.2, të përmendura në pikën 1, të këtij vendimi, të depozitojnë pranë Ministrisë së Financave detajimin e numrit të punonjësve, kategorinë përkatëse të pagës dhe burimin e financimit të tyre.
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
            
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DHËNIEN NË PËRDORIM, PA SHPËRBLIM, TË NJË SIPËRFAQEJE PREJ 871 m², NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË AUTORITETIT SHTETËROR PËR INFORMACIONIN GJEOHAPËSINOR (ASIG), PROJEKTIT “INNOVATION HUB”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të neneve 901 e vijues të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien në përdorim, pa shpërblim, të sipërfaqes prej 871 (tetëqind e shtatëdhjetë e një) m², të mjediseve të katit të dytë të ndërtesës “Godina e Inovacionit”, me numër pasurie 1/12, zona kadastrale 8160, rruga “Papa Gjon Pali”, nr.3, në përgjegjësi administrimi të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), projektit “Innovation Hub” për një afat prej 3 vitesh, sipas planimetrisë dhënë në aneksin 4, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Autorizohet Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor që të lidhë aktmarrëveshje me projektin “Innovation Hub”, për marrjen përsipër nga ASIG-u të mbulimit të shpenzimeve për shërbimet e nevojshme, që i nevojiten projektit “Innovation Hub”, në këto ambiente.
3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike dhe Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.545, DATË 11.8.2011, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS DHE TË NIVELEVE TË PAGAVE TË NËPUNËSVE CIVILË/NËPUNËSVE, ZËVENDËSMINISTRIT DHE NËPUNËSVE TË KABINETEVE, NË KRYEMINISTRI, APARATET E MINISTRIVE TË LINJËS, ADMINISTRATËN E PRESIDENTIT, KUVENDIT,  KOMISIONIT QENDROR TË ZGJEDHJEVE, PROKURORINË E PËRGJITHSHME, DISA INSTITUCIONE TË PAVARURA, INSTITUCIONET NË VARËSI TË KRYEMINISTRIT, INSTITUCIONET NË VARËSI TË MINISTRAVE TË LINJËS DHE ADMINISTRATËN E PREFEKTIT”, TË NDRYSHUAR 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4/2, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, të nenit 7, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, të ligjit nr.9584, datë 17.7.2006, “Për pagat, strukturat dhe shpërblimet e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura të krijuara me ligj”, dhe të ligjit nr.147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike dhe ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në pikën 1/2, të vendimit nr.545, datë 11.8.2011, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të shtohen emërtesat: Agjencia Kombëtare për Zhvillimin Rajonal (AKZHR), Agjencia për Zhvillimin Rajonal me qendër në Shkodër, Agjencia për Zhvillimin Rajonal me qendër në Tiranë, Agjencia për Zhvillimin Rajonal me qendër në Korçë, Agjencia për Zhvillimin Rajonal me qendër në Vlorë, Agjencia për Zhvillimin Ekonomik Rajonal (AZHER).
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga fondet e miratuara për secilin institucion dhe të fillojnë nga data 1 janar 2016.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË BASHKËPUNIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE URDHRIT SOVRAN USHTARAK SPITALOR TË SHËN GJONIT TË JERUZALEMIT TË RHODES DHE MALTËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 6, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Urdhrit Sovran Ushtarak Spitalor të Shën Gjonit të Jeruzalemit të Rhodes dhe Maltës, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
FINANCIMIN E SHËRBIMEVE SHËNDETËSORE SPITALORE NGA SKEMA E DETYRUESHME E SIGURIMEVE TË KUJDESIT SHËNDETËSOR PËR VITIN 2016
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, dhe të nenit 10, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Financimin nga skema e detyrueshme e sigurimeve shëndetësore të paketës së shërbimeve të ofruara në spitalet publike, sipas listës së shërbimeve të dhënë në shtojcën nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Spitali është person juridik, publik, me buxhet të pavarur, me cilësinë e autoritetit kontraktor, i cili organizohet, administrohet dhe vepron sipas ligjit nr.9106, datë 17.7.2003, “Për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
3. Spitali e ushtron veprimtarinë në përputhje me standardet, treguesit e cilësisë e të performancës, protokollet e diagnozës dhe të trajtimit, të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë.
4. Buxheti për mbulimin e paketës së shërbimeve spitalore, sipas listës së shërbimeve që ofron çdo spital ndahet sipas shtojcës nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
5. Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor lidh kontratat me spitalet për financimin e paketave të shërbimeve shëndetësore, të ofruara prej tyre.
6. Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor financon paketën e shërbimeve spitalore të kontraktuara me metodën:
a) Buxhetim me zëra shpenzimesh për:
i. paga dhe shpenzime të tjera lidhur me pagën e personelit;
ii. kontribute për sigurime shëndetësore e shoqërore të personelit;
iii. mallra e shërbime të tjera.
b) Buxhetim global për pagesën e paketave të shërbimeve me çmime të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Buxhetimi global detajohet për cdo spital në zëra shpenzimesh me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
7. Spitali është përgjegjës për zbatimin e buxhetit të kontraktuar, sipas zërave të përcaktuar në buxhet.
8. Rishpërndarja e buxhetit midis spitaleve bëhet brenda një kufiri prej 3% të buxhetit të spitaleve, me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
9. Një fond jo më i madh se 20 për qind e buxhetit vjetor, i planifikuar për shërbimet spitalore, mbahet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për ta shpërndarë gjatë vitit, me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, për:
a) financimin e shërbimit spitalor gjatë vitit;
b) pagesat e paketave të shërbimeve të veçanta, të ofruara nga shërbimet spitalore, publike e jopublike, brenda e jashtë vendit, të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave;
c) pagesat për kujdes shëndetësor në institucione jopublike, brenda e jashtë vendit, sipas miratimit, rast pas rasti, me vendim të Këshillit të Ministrave;
ç) pagesat për kujdes shëndetësor, sipas marrëveshjeve ndërkombëtare të nënshkruara;
d) pagesa për referime të pacientëve në Spitalin Universitar të Traumës, në zbatim të sistemit të referimit, sipas tarifave të miratuara nga ministri i Shëndetësisë;
dh) pagesa të shërbimeve të kryera për llogari të spitaleve publike, nga operatorë të kontraktuar nga Ministria e Shëndetësisë sipas legjislacionit për partneritetin publik privat.
10. Shpenzimet kapitale për investimet në spitale mbulohen nga Ministria e Shëndetësisë. Spitalet mund të kryejnë investime, me miratimin e ministrit të Shëndetësisë, edhe nga burime të tjera.
11. Burime të tjera financimi për spitalet janë fondet e krijuara nga të ardhurat e realizuara gjatë veprimtarisë së tyre dhe nga dhurimet. Përdorimi i tyre bëhet totalisht nga vetë spitali, si pjesë e kostos së shërbimit, sipas udhëzimit të miratuar nga Këshilli Administrativ i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Këto të ardhura vlerësohen si të ardhura jashtë limitit.
12. Ministria e Shëndetësisë, për raste të vlerësuara nga ajo ose me kërkesë të autoriteteve kontraktuese (spitaleve), mund të zhvillojë procedura të përqendruara prokurimi për disa mallra, shërbime e investime.
13. Spitali zbaton sistemin e referimit dhe tarifat për shërbimet me pagesë, të miratuara nga ministri i Shëndetësisë.
14. Mënyra e pagesës dhe e shpërblimit të punës së punonjësve të spitaleve, që kanë lidhur kontratë me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, sipas këtij vendimi, përcaktohet me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
15. Ministria e Shëndetësisë auditon spitalin, nëpërmjet strukturës së saj audituese, për zbatimin e standardeve të miratuara prej saj, si dhe për mënyrën e përdorimit të buxhetit total të spitalit.
16. Fondi kontrollon dhe monitoron spitalin për buxhetin dhe aktivitetin vjetor sipas kushteve të përcaktuara në kontratën dypalëshe.
17. Marrëdhëniet juridike të punës në spitale rregullohen në përputhje me ligjin nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
18. Numri i përgjithshëm i punonjësve të spitaleve është 12 250 veta, nga të cilët 20 punonjës në Spitalin Universitar të Traumës, për Shërbimin Kombëtar të Urgjencës Mjekësore. Numri dhe struktura e punonjësve për çdo spital miratohet nga ministri i Shëndetësisë.
19. Për raste të veçanta të mungesës së mjekut specialist në shërbime të ndryshme të spitaleve rajonale e bashkiake, ministri i Shëndetësisë, brenda numrit të përgjithshëm të personelit spitalor, urdhëron kontraktimin, për një periudhë të caktuar, të mjekëve specialistë, sipas nevojave. Këta mjekë të specialiteteve të ndryshme, përveç pagës, trajtohen financiarisht me një bonus në masën                    100 000 (njëqind mijë) lekë në muaj. Ky bonus, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, trajtohet sipas shkronjës “e”, të pikës 2, të kreut II, të vendimit nr.77, datë 28.1.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për kontributet e detyrueshme dhe përfitimet nga sistemi i sigurimeve shoqërore dhe sigurimi i kujdesit shëndetësor”.
20. Mjekët e kontraktuar sipas pikës 19, të këtij vendimi, nuk e përfitojnë shpërblimin sipas shkronjave “a” dhe “b”, të pikës 9/1, të vendimit nr.555, datë 11.8.2011, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës dhe nivelit të pagave të punonjësve me arsim të lartë në sistemin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Spitalin Ushtarak Qendror Universitar, të punonjësve të infermieristikës në sistemin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe për trajtimin e mjekëve në strukturat e Forcave të Armatosura”, të ndryshuar.
21. Numri i pedagogëve me kontratë shërbimi për spitalet universitare miratohet nga ministri i Shëndetësisë. Pagesa e tyre bëhet nga buxheti i spitalit.
22. Financimi i institucioneve dhe i shërbimeve, të përcaktuara në shtojcën nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi, bëhet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, vetëm kundrejt shtesave përkatëse në buxhet, nga Ministria e Shëndetësisë.
23. Vendimi nr.932, datë 27.12.2014, i Këshillit të Ministrave, “Për financimin e shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor për vitin 2015”, i ndryshuar, shfuqizohet.
24. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Financave dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet
nga data 1 janar 2016.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E DOKUMENTIT TË POLITIKAVE STRATEGJIKE PËR MBROJTJEN E BIODIVERSITETIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 8, të  ligjit nr.9587, datë 20.7.2006, “Për mbrojtjen e biodiversitetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Dokumentit të Politikave Strategjike për Mbrojtjen e Biodiversitetit, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Mjedisit, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Ministria e Financave, Ministria e Arsimit dhe Sporteve, Ministria e Zhvillimit Urban, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Kulturës, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministria e Energjisë dhe Industrisë dhe Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.1555,  DATË 12.11.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE,  “PËR PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE TË REGJISTRIMIT DHE KRITEREVE TË VLERËSIMIT TË PRODUKTEVE PËR MBROJTJEN E BIMËVE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 22, të ligjit nr.9362, datë 24.3.2005, “Për shërbimin e mbrojtjes së bimëve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, ministrit të Shëndetësisë dhe ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.1555, datë 12.11.2008, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Në fund të pikës 5, të kreut I, shtohet pika 5.41, me këtë përmbajtje:
“5.41. “Prodhim i PMB-ve”, prodhimi dhe/ose ambalazhimi i tyre. Veprimtaria e prodhimit të PMB-ve përfshihet në kategorinë II.5.A.1. dhe licencohet sipas kushteve dhe procedurave të përcaktuara në ligjin nr.10081, datë 23.2.2009, “Për licencat, lejet dhe autorizimet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe vendimin nr.538, datë 26.5.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për licencat dhe lejet që trajtohen nga apo nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Licencimit (QKL) dhe disa rregullime të tjera nënligjore të përbashkëta”, të ndryshuar.”.
2. Në kreun II bëhen këto ndryshime:
a) Shkronja “a”, e pikës 2, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) Drejtuesi i strukturës përgjegjëse të mbrojtjes së bimëve në ministrinë që mbulon fushën e bujqësisë, i cili kryeson këtë komision.”.
b) Pika 2.3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2.3 Komisioni shërben si organ vendimmarrës, funksionimi i të cilit rregullohet me urdhër të ministrit, që mbulon fushën e bujqësisë. Kryetar i komisionit caktohet drejtuesi i SPMB-së.”.
c) Pika 7.1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“7.1 Është e regjistruar:
a) në një shtet anëtar të BE-së, kur aplikimi i regjistrimit të PMB-së bëhet vetëm për:
i. përdorim në sera;
ii. trajtim pas vjeljes së bimëve e të produkteve me origjinë bimore;
iii. trajtim të mjediseve bosh të mbyllura, si dhomave, magazinave etj.;
iv. trajtim të farave;
v. rastet kur ka funksion rodenticid ose moluskicid;
vi. rastet kur është me përmbajtje vajrash të bardha;
vii. rastet kur është me natyrë inorganike.
b) në një nga shtetet mesdhetare dhe ballkanike, anëtare të BE-së, si: Greqia, Qipro, Italia, Kroacia, Sllovenia, Franca, Spanja, Portugalia, Malta, Rumania dhe Bullgaria, kur aplikimi i regjistrimit të PMB-së bëhet për përdorime të tjera, përfshirë dhe ato sipas shkronjës “a”, më sipër.
3. Në kreun IV bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Nënndarja “ii”, e shkronjës “b”, të pikës 1, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“ii. Të dhënat që provojnë se PMB-ja është e regjistruar në një shtet anëtar të BE-së (Certifikatën e regjistrimit ose vërtetimin e lëshuar nga institucionet zyrtare kompetente dhe numrin e regjistrimit sipas adresës elektronike të shtetit që ka regjistruar PMB-në) si dhe etiketën përkatëse. Etiketa të jetë e përkthyer dhe në gjuhën shqipe.”.
b) Në fund të pikës 16 shtohen fjalët “…, ose vërtetohet se të dhënat e regjistrimit të PMB-së në një shtet anëtar të BE-së janë false ose të gabuara.”.
4. Në kreun V bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Dokumenti i regjistrimit të PMB-së përmban certifikatën e regjistrimit dhe etiketën e saj. Dokumenti i regjistrimit të PMB-së lëshohet nga kryetari i komisionit, jo më vonë se 30 (tridhjetë)  ditë nga data e  mbledhjes së KSHRPMB-së.
      Dokumenti i regjistrimit të PMB-së mbahet në tri kopje origjinale, nga të cilat njëra mbahet në arkivin e ministrisë që mbulon fushën e bujqësisë, njëra në arkvin e SPMB-së, ndërsa kopja tjetër i jepet aplikantit.”.
b) Në fund të fjalisë së parë të pikës 3 shtohen fjalët “.., ose figura të bimëve, pjesëve të bimëve, produkteve bimore, insekteve si dhe objekteve të tjera, të cilat tërheqin vëmendjen e njerëzve dhe sidomos të fëmijëve.”.
c) Pika 12 ndryshohet, si më poshtë vijon:
  “12. Çdo person fizik apo juridik i regjistruar në QKR dhe që kërkon të licencohet për prodhimin e PMB-ve duhet të plotësojë dokumentacionin si vijon:
a) Vetëdeklarimin për llojet (tipet) e formulimit të PMB-ve që do të prodhohen;
b) Planimetrinë në shkallën 1:100 me një përshkrim të detajuar të ambienteve si dhe të treguesve të destinacionit të përdorimit të tyre;
c)  Raportin teknik-përshkrues për:
                 i.   vendndodhjen e aktivitetit;
                 ii.  llojin e pajisjeve dhe të teknologjive të prodhimit;
                   iii. aparaturat (laboratorin) e kontrollit dhe të analizave (nëse   aktiviteti është vetëm prodhim dhe jo ambalazhim i PMB-ve);
                 iv. sistemet e sigurisë.
        ç) Certifikatën e drejtuesit teknik dhe aktin që vërteton   marrëdhëniet e kërkuara të punës.
12.1. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit verifikon plotësimin e dokumentacionit të përcaktuar në pikën 12, të certifikuar nga organet përkatëse kompetente për pajtueshmërinë e tyre me kërkesat sipas legjislacionit në fuqi.
12.2. Drejtuesi teknik:
         a) ushtron aktivitetin e tij bazuar në kontratën e punës me orar të plotë;
         b) duhet të zotërojë diplomë në një prej fushave: kimi, inxhinieri e teknologjisë, agronomi, nëse aktiviteti i tij është vetëm ambalazhim, dhe shkencat biologjike, nëse aktiviteti i tij përfshin PMB-të me natyrë biologjike;
        c)  ka për detyrë të ndjekë dhe të kontrollojë të gjitha fazat e procesit të prodhimit të PMB-ve.
12.3. Lejohet vetëm prodhimi i PMB-ve që janë të regjistruara në Republikën e Shqipërisë.
12.4. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit pezullon përkohësisht apo i propozon ministrit revokimin e licencës me kërkesë të  subjektit apo në rast se gjatë kontrollit rezulton se nuk plotësohen kërkesat sipas legjislacionit në fuqi.
 12.4.1. Kundër vendimit për pezullimin e përkohshëm të licencës mund të bëhet ankimim te titullari i AKU-së, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga data e marrjes së vendit. Titullari i AKU-së duhet të kthejë përgjigje brenda 15 (pesëmbëdhjetë)  ditëve nga data e marrjes së ankimimit. Kundër vendimit të titullarit të AKU-së ose kur ai nuk ka kthyer përgjigje brenda afatit të përcaktuar mund të bëhet ankimim në gjykatën administrative sipas legjislacionit në fuqi.
12.4.2. Kundër vendimit për revokimin e licencës mund të bëhet ankimim te ministri, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga data e marrjes së vendit. Ministri duhet të kthejë përgjigje brenda 15 (pesëmbëdhjetë)  ditëve nga data e marrjes së ankimimit. Kundër vendimit të ministrit ose kur ai nuk ka kthyer përgjigje brenda afatit të përcaktuar mund të bëhet ankimim në gjykatën administrative sipas legjislacionit në fuqi.”.
5. Pika 9, e kreut VI, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“9. Kur mbaron afati i regjistrimit tё njё PMB-je, mund tё kryhet rinovimi i regjistrimit (riregjistrimi) tё saj, nёse:
a) kjo kërkohet me shkrim nga aplikanti para përfundimit të afatit të regjistrimit;
b) aplikanti paraqet:
i. dokumentacionin me të dhënat e sigurisë së PMB-së (MSDS);
ii. të dhëna të tjera lidhur me etiketën e saj, nëse ka ndryshime nga regjistrimi i mëparshëm.
c) tё dhёnat e paraqitura nga aplikanti që provojnё vlefshmёrinё e regjistrimit nё njё vend tё BE-së, sipas përcaktimit në pikën 4, të këtij vendimi.
Rinovimi i regjistrimit kryhet me procedurё tё thjeshtё, me miratim nga KSHRPMB-ja.”.
II. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Ministria e   Shëndetësisë dhe Ministria e Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PLANIT KOMBËTAR TË VEPRIMIT PËR BURIMET E ENERGJISË SË RINOVUESHME 2015-2020
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 5, të ligjit nr.138/2013, “Për burimet e energjisë së rinovueshme”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
1. Miratimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Burimet e Energjisë së Rinovueshme 2015-2020, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohet Ministria e Energjisë dhe Industrisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.538, DATË 26.5.2009, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE “PËR LICENCAT DHE LEJET QË TRAJTOHEN NGA APO NËPËRMJET QENDRËS KOMBËTARE TË LICENCIMIT (QKL) DHE DISA RREGULLIME TË TJERA NËNLIGJORE TË PËRBASHKËTA”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 15 e 36, të ligjit nr.10 081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në aneksin 1, që i bashkëlidhet vendimit nr.538, datë 26.5.2009, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në shkronjën “b”, të pikës 2, të nënkategorisë VII.5, emërtimi “Për ushtrimin e veprimtarisë së tërheqjes së mbetjeve të ngurta dhe vajore në Portin Detar të Durrësit dhe në radën përkatëse, me kodin VII.5.2” zëvendësohet me emërtimin “Për ushtrimin e veprimtarisë së tërheqjes së mbetjeve të ngurta dhe vajore në Autoritetin Portual Durrës, Porto Romano dhe në radat e tyre përkatëse, me kodin VII.5.2”.
2. Në shkronjën “c”, të pikës 2, të nënkategorisë VII.5, emërtimi “Për ushtrimin e veprimtarisë së tërheqjes së mbetjeve të ngurta dhe vajore në portet detare të Vlorës, Shëngjinit, Sarandës dhe në radat përkatëse, me kodin VII.5.3” zëvendësohet me emërtimin “Për ushtrimin e veprimtarisë së tërheqjes së mbetjeve të ngurta dhe vajore në portet e tjera detare të Republikës së Shqipërisë dhe në radat e tyre, me kodin VII.5.3”.
3. Pas shkronjës “e”, të pikës 2, të nënkategorisë VII.5, shtohen shkronjat “ë” dhe “f”, me përmbajtjen, si më poshtë vijon:
“ë) “Për ushtrimin e veprimtarisë së ormexhimit”, me kodin VII.5.6;
  f) “Për ushtrimin e veprimtarisë së furnizimit me karburant, për konsum, të  anijeve në porte dhe në rada”, me kodin VII.5.7.”.
4. Pika 3, e nënkategorisë VII.5, ndryshon, me këtë përmbajtje:
“3. Licencat e nënkategorive VII.5.1, VII.5.2, VII.5.3, VII.5.4, VII.5.5, VII.5.6 dhe VII.5.7 trajtohen sipas grupit III. Dokumentet provuese e shoqëruese, që dorëzohen nga kërkuesi, kuptimi i llojit të veprimtarive, institucioni tjetër, procedura e shqyrtimit të kërkesës prej tij dhe afatet për t’iu përgjigjur QKL-së për një kërkesë që ka kaluar fazën e parë nga QKL-ja, për nënkategoritë VII.5.1, VII.5.2, VII.5.3, VII.5.4, VII.5.5, VII.5.6 dhe VII.5.7, janë ato respektive, të përcaktuara në ligjin nr.9251, datë 8.7.2004, “Kodi Detar i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.954, DATË 5.9.2012, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN E FONDIT TË EKONOMISË KREATIVE (ARTIZANATI)”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4, 5, 6, 7, 8 e 9, të ligjit nr.8957, datë 17.10.2002, “Për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.954, datë 5.9.2012, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
1. Paragrafi i fundit i pikës 4 riformulohet, si më poshtë vijon:
“Nuk përfitojnë nga ky fond sipërmarrjet të cilat kanë përfituar nga fonde të akorduara nga donatorët apo institucionet financiare ndërkombëtare për të njëjtin projekt.”.
2. Pika 5 riformulohet, si më poshtë vijon:
          “5. Projektet që përzgjidhen nga sektori i artizanatit mbulojnë fushat e mëposhtme:
Zhvillimin e produkteve të reja;
Blerjen e pajisjeve për nxitjen e prodhimit;
Marketingun e produktit;
ç) Kualifikimin dhe ndërtimin e kapaciteteve menaxheriale të ndërmarrjes
     aplikuese.”.
3. Shkronjat “ç” dhe “e”, të pikës 6, shfuqizohen.
4. Pika 7 shfuqizohet.
5. Emërtimi “Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës” zëvendësohet me “Ministri përgjegjës për ekonominë”.
 Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN E FONDIT SHQIPTAR TË KONKURRUESHMËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 6, shkronjat “a”, “b”, “c”, “d” dhe “e”, e 7, të ligjit nr.8957, datë 17.10.2002, “Për ndërmarrjet e vogla e të mesme”, të ndryshuar, të neneve 5, 7 e 8, të ligjit nr.10303, datë 15.7.2010, “Për krijimin dhe mënyrën e organizimit e të funksionimit të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA)”, dhe të ligjit nr.147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Krijimin e Fondit Shqiptar të Konkurrueshmërisë, me vlerë të përgjithshme 84 000 000 (tetëdhjetë e katër milionë) lekë, për periudhën 2016-2018. Vlera e fondit për secilin vit do të jetë 28 000 000 (njëzet e tetë milionë) lekë.
2. Fondi Shqiptar i Konkurrueshmërisë u jep ndihmë financiare të drejtpërdrejtë ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme deri në 70% të kostove të pranueshme, por jo më shumë se 1 400 000 (një milion e katërqind mijë) lekë.
    Në kostot e pranueshme që mund të bashkëfinancohen përfshihen kostot për:
a) përmirësim produkti, përfshirë ambalazhimin dhe etiketimin, certifikim produkti, vlerësim konformiteti dhe zbatim të sistemeve të menaxhimit të cilësisë;
b) pjesëmarrje në panaire jashtë vendit;
c) krijim faqeje interneti, zhvillim të tregtisë elektronike dhe promovim, publikim dhe hartim materialesh promovuese.
3. Përfitojnë nga Fondi Shqiptar i Konkurrueshmërisë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, që plotësojnë kushtet e mëposhtme:
a) Prodhojnë në Shqipëri produkte dhe/apo ofrojnë shërbime, të cilat tregtohen brenda dhe/apo jashtë vendit;
b) Kanë selinë e tyre brenda territorit të Republikës së Shqipërisë;
c) Kanë një strategji dhe plan marketingu;
ç) Janë në gjendje të financojnë 100 për qind të gjitha kostot e projektit, të propozuara para përfundimit të tij;
d) Kanë paguar të gjitha detyrimet e parashikuara nga legjislacioni tatimor dhe doganor.
4. Pagesa e subvencionit bëhet 50%, me miratimin e projektit, dhe 50%, në fund të zbatimit të tij. Pagesa në fund të projektit do të bëhet kundrejt faturave të shpenzimeve të kryera për vlerën e përgjithshme të projektit.
5. Ngarkohet Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) për menaxhimin e Fondit Shqiptar të Konkurrueshmërisë.
6. Procedurat e aplikimit dhe kriteret për përzgjedhjen e përfituesve përcaktohen në rregulloren e funksionimit të Fondit Shqiptar të Konkurrueshmërisë, e cila miratohet nga ministri përgjegjës për ekonominë.
7. Aplikuesit janë të detyruar të raportojnë periodikisht pranë AIDA-s lidhur me zhvillimin e projektit dhe qëllimin për të cilin është përfituar ky fond.
8. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i ministrisë përgjegjëse për ekonominë, e cila krijon një zë të veçantë për këtë qëllim, për llogari të AIDA-s.
9. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve për zbatimin e këtij vendimi.
    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M 
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, NGA KËSHILLI I MINISTRAVE, TË MEMORANDUMIT TË MIRËKUPTIMIT, NDËRMJET QEVERISË SË REPUBLIKËS SË TURQISË DHE SHTABIT SUPREM TË FUQIVE ALEATE NË EVROPË E SHTABIT TË KOMANDËS SUPREME ALEATE PËR TRANSFORMIMIN, NË LIDHJE ME MBËSHTETJEN E SHTETIT PRITËS PËR KRYERJEN E OPERACIONEVE/STËRVITJEVE TË NATO-S, DHE NOTËS SË PRANIMIT PËR T’U BËRË PJESË E KËTIJ MEMORANDUMI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, nga Këshilli i Ministrave, të memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet qeverisë së Republikës së Turqisë dhe Shtabit Suprem të Fuqive Aleate në Evropë e Shtabit të Komandës Supreme Aleate për Transformimin, në lidhje me mbështetjen e shtetit pritës për kryerjen e operacioneve/stërvitjeve të NATO-s, dhe notës së pranimit për t’u bërë pjesë e këtij memorandumi, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, NGA KËSHILLI I MINISTRAVE, TË MEMORANDUMIT TË MIRËKUPTIMIT, NDËRMJET QEVERISË SË REPUBLIKËS SË GREQISË DHE SHTABIT SUPREM TË FUQIVE ALEATE NË EVROPË, NË LIDHJE ME MBËSHTETJEN E SHTETIT  PRITËS PËR KRYERJEN E OPERACIONEVE/STËRVITJEVE TË NATO-S, DHE NOTËS SË PRANIMIT PËR T’U BËRË PJESË E KËTIJ MEMORANDUMI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, nga Këshilli i Ministrave, të memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet qeverisë së Republikës së Greqisë dhe Shtabit Suprem të Fuqive Aleate në Evropë, në lidhje me mbështetjen e shtetit pritës për kryerjen e operacioneve/stërvitjeve të NATO-s, dhe notës së pranimit për t’u bërë pjesë e këtij memorandumi, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2016, MIRATUAR PËR DREJTORINË E SHËRBIMEVE QEVERITARE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të ligjit nr.147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në buxhetin e vitit 2016, miratuar për Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare, programi “Shërbime qeveritare”, të shtohet fondi prej 178 636 736 (njëqind e shtatëdhjetë e tetë milionë e gjashtëqind e tridhjetë e gjashtë mijë e shtatëqind e tridhjetë e gjashtë) lekësh, për rikonstruksionin e pjesshëm të Pallatit të Kongreseve, në Tiranë, në kuadër të organizimit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, në datat 27-30 maj 2016, në Tiranë.
2. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit i vitit 2016.
3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare për zbatimin e këtij vendimi.
    Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Gëzim Musabelli emërohet zëvendësministër i Energjisë dhe Industrisë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
LIRIM DHE EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Z. Ilirjan Mustafaraj, zëvendësministër i Punëve të Brendshme, lirohet nga kjo detyrë.
2. Z. Ilir Marko emërohet zëvendësministër i Punëve të Brendshme.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.