Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, 22 tetor 2014
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E SPECIFIKIMEVE TË MEDALJEVE E TË CERTIFIKATAVE QË JEP MINISTRI I MBROJTJES
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 2, 11, e 26, pika 1, të ligjit nr.112/2013, “Për dekoratat, titujt e nderit, medaljet dhe titujt vendorë të nderit në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e specifikimeve të medaljeve e të certifikatave që jep ministri i Mbrojtjes, si më poshtë vijon:
a) “Medalja e nderit” u jepet ushtarakëve aktivë dhe në rezervë të Forcave të Armatosura për trimëri, guxim dhe kontribut të spikatur, duke rrezikuar jetën mbi dhe përtej asaj çfarë kërkon detyra. Specifikimet për “Medaljen e nderit” dhe forma e saj jepen në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
b) “Medalja e mirënjohjes” u jepet ushtarakëve aktivë, në rezervë, në lirim ose në pension, personelit civil dhe ushtarakëve të reparteve të Forcave të Armatosura brenda dhe jashtë vendit. Kjo medalje u jepet edhe ushtarakëve të huaj, të cilët kanë dhënë një kontribut të veçantë në shërbim të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Specifikimet për “Medaljen e mirënjohjes” dhe forma  e saj jepen në lidhjen nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
c) Medalja “Në shërbim të atdheut” u jepet të gjithë ushtarakëve aktivë ose në rezervë dhe personelit civil të Forcave të Armatosura, që shërben në kohë lufte për mbrojtjen e atdheut. Specifikimet për medaljen “Në shërbim të atdheut” dhe forma e saj jepen në lidhjen nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
ç) Medalja “Për shërbime të shquara” u jepet ushtarakëve aktivë dhe personelit civil të Forcave të Armatosura, që janë dalluar, në kohë paqeje, për shërbime të merituara në detyrat me përgjegjësi të lartë. Specifikimet për medaljen “Për shërbime të shquara” dhe forma e saj jepen në lidhjen nr.4, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
d) Medalja “Për shërbime të larta” i jepet personelit civil të Forcave të Armatosura për arritje të veçanta në kryerjen e detyrave të tyre për një periudhë jo më pak se 5 (pesë) vjet. Specifikimet për medaljen “Për shërbime të larta” dhe forma e saj jepen në lidhjen nr.5, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Dhënia e medaljeve shoqërohet me certifikatë, formati i së cilës është letër A4 (210 mm x 297 mm), 160 g/m2, me fushë me stemën e institucionit, me kornizë me shirit anash. Specifikimet për certifikatën shoqëruese të medaljes jepen në lidhjen nr.6, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Ministri i Mbrojtjes i jep medaljet kryesisht ose me propozimin e titullarëve të institucioneve në varësi të tij apo Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
4. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Mbrojtjes.
5. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
          Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.35, DATË 29.1.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E NUMRIT TË PUNONJËSVE ME KONTRATË TË PËRKOHSHME PËR VITIN 2014 NË NJËSITË E QEVERISJES QENDRORE”, TË NDRYSHUAR 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 11, të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.35, datë 29.1.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Numri i punonjësve me kontratë të përkohshme për vitin 2014 në njësitë e qeverisjes qendrore është 907 veta, sipas lidhjeve nr.1, nr.2, nr.3, nr.4, nr.5 e nr.6, që i bashkëlidhen vendimit në fuqi dhe janë pjesë përbërëse të tij, dhe sipas lidhjes nr.7, që shtohet e që i bashkëlidhet këtij vendimi, e cila detajon ndarjen e shtesës prej 20 punonjësish, të miratuar me këtë vendim.”.
b) Periudha kohore e përcaktuar për punonjësit e ALUIZNI-t në lidhjen nr.5, të përmendur në pikën 1, të vendimit, bëhet “1.7.2014 – 30.12.2014”.
c) Emërtesa “punonjës protokolli/arkivist” për Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, e përcaktuar në lidhjen nr.1, të përmendur në pikën 1, të vendimit, bëhet “Specialist protokolli/arkivi”.
2. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi përballohen nga shpenzimet korrente të miratuara në buxhetin përkatës të institucioneve për vitin 2014.
3. Ngarkohen ministritë dhe institucionet buxhetore, sipas lidhjes nr.7, të përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, të depozitojnë pranë Ministrisë së Financave detajimin e numrit të punonjësve brenda kritereve të përcaktuara në vendimin nr.1703, datë 24.12.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për vendosjen e standardeve të shërbimeve dhe aktiviteteve sezonale/të përkohshme për ministritë dhe institucionet buxhetore”.
          Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M  
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.545, DATË 11.8.2011, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS DHE TË NIVELEVE TË PAGAVE TË NËPUNËSVE CIVILË/NËPUNËSVE, ZËVENDËSMINISTRIT DHE NËPUNËSVE TË KABINETEVE, NË KRYEMINISTRI, APARATET E MINISTRIVE TË LINJËS, ADMINISTRATËN E PRESIDENTIT, KUVENDIT,  KOMISIONIT QENDROR TË ZGJEDHJEVE, PROKURORINË E PËRGJITHSHME, DISA INSTITUCIONE TË PAVARURA, INSTITUCIONET NË VARËSI TË KRYEMINISTRIT, INSTITUCIONET NË VARËSI TË MINISTRAVE TË LINJËS DHE ADMINISTRATËN E PREFEKTIT”, TË NDRYSHUAR 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4/2, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, të nenit 7, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ligjit nr.9584, datë 17.7.2006, “Për pagat, strukturat dhe shpërblimet e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura të krijuara me ligj”, dhe të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike dhe ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.545, datë 11.8.2011, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
a) Në pikën 1/3 bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:
i. Në fund të shkronjës “a” shtohet emërtesa “Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes”.
ii. Në shkronjën “b” bëhen ndryshimi dhe shtesa, si më poshtë vijon:
– Shfuqizohet emërtesa “Shërbimi Informativ Ushtarak”;
– Shtohet emërtesa “Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Kombëtar për Rininë”.
b) Pas pikës 10/10 shtohet pika 10/11, me këtë përmbajtje:
“10/11. Kategoritë e pagave të pozicioneve civile të punës së nëpunësve për emërtesat “Specialist” deri në “Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm” në Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, të jenë sipas lidhjes nr.6/11, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.”.
c) Pika 11/3 shfuqizohet.
ç) Lidhja nr.9, që përmendet në pikën 13, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe titull, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Efektet financiare të këtij vendimi, për vitin 2014, të përballohen nga fondet e miratuara për secilin institucion për vitin 2014.
          Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga momenti i emërimit të nëpunësve.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR 
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.228, DATË 29.2.2012, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR TIRANË – ELBASAN”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të   ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.228, datë 29.2.2012, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Pikat 3, 4 dhe 5 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për sipërfaqen tokë bujqësore dhe truall prej 620 006 (gjashtëqind e njëzet mijë e gjashtë) m², me vlerë të përgjithshme 208 317 929.2 (dyqind e tetë milionë e treqind e shtatëmbëdhjetë mijë e nëntëqind e njëzet e nëntë pikë dy) lekë, për objekte me vlerë 157 232 702 (njëqind e pesëdhjetë e shtatë milionë e dyqind e tridhjetë e dy mijë e shtatëqind e dy) lekë, me një vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 365 550 631.2 (treqind e gjashtëdhjetë e pesë milionë e pesëqind e pesëdhjetë mijë e gjashtëqind e tridhjetë e një pikë dy) lekësh.
4. Shpenzimet procedurale, në vlerën 10 637 500 (dhjetë milionë e  gjashtëqind e tridhjetë e shtatë mijë e pesëqind) lekë, të përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
5. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 365 550 631.2 (treqind e gjashtëdhjetë e pesë milionë e pesëqind e pesëdhjetë mijë e gjashtëqind e tridhjetë e një pikë dy) lekësh të përballohet, si më poshtë:
a) 214 557 515 (dyqind e katërmbëdhjetë milionë e pesëqind e pesëdhjetë e shtatë mijë e pesëqind e pesëmbëdhjetë) lekë, nga “Llogaria e veçantë” e Ministrisë së Financave, pranë Bankës së Shqipërisë, “Fondi i Shpronësimeve”.
b) 124 300 000 (njëqind e njëzet e katër milionë e treqind mijë) lekë, nga zëri “Investime”, miratuar për Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, për vitin 2012.
c) 26 693 116.2 (njëzet e gjashtë milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e tre mijë e njëqind e gjashtëmbëdhjetë pikë dy) lekë, të përballohen nga buxheti i shtetit për vitin 2014 (zëri shpronësimet), planifikuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar.
 2. Në tabelën e të  shpronësuarve,  bashkëlidhur vendimit, shtohen listat që i
    bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “BY-PASS DURRËS”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “By-pass Durrës”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për tokë “truall” dhe “arë”, me vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 213 274 868 (dyqind e trembëdhjetë milionë e dyqind e shtatëdhjetë e katër mijë e tetëqind e gjashtëdhjetë e tetë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 213 274 868 (dyqind e trembëdhjetë milionë e dyqind e shtatëdhjetë e katër mijë e tetëqind e gjashtëdhjetë e tetë) lekësh të përballohet nga buxheti i vitit 2014,                     zëri “Shpronësimet”, planifikuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 1 560 000 (një milion e pesëqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
6. Likuidimi i pronarëve të fillojë pas çeljes së fondit të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi.
7. Pronarët e pasurive, për të cilat është bërë shënimi “Konfirmuar nga  ZVRPP-ja”, të likuidohen, për efekt shpronësimi, në bazë të dokumentacionit të plotë të pronësisë që do të dorëzojnë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.
8. Autoriteti Rrugor Shqiptar të kryejë likuidimet, për efekt shpronësimi, në bazë të pikave 4, 5, 6 dhe 7, të këtij vendimi.
9. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës në hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit, që do t’u vihet në dispozicion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, dhe me fillimin e procesit të likuidimit të fillojë dhe procesi i kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.
10. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së trupit të rrugës në hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
11. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës për zbatimin e këtij  vendimi.
          Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “URA E MATIT, BURREL”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 dhe 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Ura e Matit, Burrel”.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për tokë arë, truall dhe objekte, me vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 2 084 835 (dy milionë e tetëdhjetë e katër mijë e tetëqind e tridhjetë e pesë) lekësh.
4. Vlera totale e shpronësimit prej 2 084 835 (dy milionë e tetëdhjetë e katër mijë e tetëqind e tridhjetë e pesë) lekësh të përballohet nga buxheti i vitit 2014 (zëri shpronësimet), planifikuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 140 500 (njëqind e dyzet mijë e pesëqind) lekë, të përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
6. Likuidimi i pronarëve të fillojë pas çeljes së fondit të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi.
7. Pronarët e pasurive, për të cilat është bërë shënimi “Konfirmuar nga ZVRPP”, të likuidohen, për efekt shpronësimi, në bazë të dokumentacionit të plotë të pronësisë që do të dorëzojnë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.
8. Autoriteti Rrugor Shqiptar të kryejë likuidimet, për efekt shpronësimi, në bazë të pikave 4, 5, 6 dhe 7, të këtij vendimi.
9. Brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Mat, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit që do t’u vihet në dispozicion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe, me fillimin e procesit të likuidimit, të fillojë dhe procesi i kalimit të pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.
10. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Mat të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së trupit të rrugës mbi hartat kadastrale si dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
11. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Mat  për zbatimin e këtij vendimi.
         Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “BY-PASS SHKOZET-PLEPA” (OBJEKTE)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 dhe 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit  rrugor “By-Pass Shkozet-Plepa” (objekte).
2. Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për objekte me vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 41 805 500 (dyzet e një milionë e tetëqind e pesë mijë e pesëqind) lekësh.
4. Vlera totale e shpronësimit prej 41 805 500 (dyzet e një milionë e tetëqind e pesë mijë e pesëqind) lekësh të përballohet nga buxheti i vitit 2014, zëri shpronësime, planifikuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 113 000 (njëqind e trembëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
6. Likuidimi i pronarëve të fillojë pas çeljes së fondit të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi.
7. Pronarët e pasurive, për të cilat është bërë shënimi “Konfirmuar nga ZVRPP”, të likuidohen, për efekt shpronësimi, në bazë të dokumentacionit të plotë të pronësisë që do të dorëzojnë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.
8. Autoriteti Rrugor Shqiptar të kryejë likuidimet, për efekt shpronësimi, në bazë të pikave 4, 5, 6 dhe 7, të këtij vendimi.
9. Brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit që do t’u vihet në dispozicion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe, me fillimin e procesit të likuidimit, të fillojë dhe procesi i kalimit të pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.
10. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së trupit të rrugës mbi hartat kadastrale si dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
11. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës për zbatimin e këtij vendimi.
          Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.744, DATË 5.9.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KUOTAT E PRANIMIT    DHE TARIFAT E SHKOLLIMIT NË INSTITUCIONET PUBLIKE                  TË ARSIMIT TË LARTË PËR CIKLIN E DYTË TË STUDIMEVE ME KOHË TË PLOTË, “MASTER PROFESIONAL” DHE “MASTER  I SHKENCAVE”/“MASTER I ARTEVE TË BUKURA”, PËR VITIN AKADEMIK 2013 – 2014”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 34 e 75, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1.  Në tabelën nr.1, bashkëlidhur vendimit nr.744, datë 5.9.2013, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
a) Hiqet kolona “Tarifa totale për 90 kredite (në lekë)”;
b) Programi i studimit me numër ID 41 ndryshohet në: “Mësuesi për arsimin e mesëm të lartë në “Gjuhë – Letërsi”, me profil minor në “Arte””;
c) Programi i studimit me numër ID 42 ndryshohet në: “Mësuesi për arsimin e mesëm të ulët në “Gjuhë – Letërsi”, me profil minor në “Sporte””;
ç)  Programi i studimit me numër ID 43 ndryshohet në: “Mësuesi për arsimin e mesëm të lartë në “Gjuhë angleze”, me profil minor në “Arte””;
d) Programi i studimit me numër ID 46 ndryshohet në: “Mësuesi për arsimin e mesëm në “Shkenca sociale””;
 dh) Programi i studimit me numër ID 47 ndryshohet në: “Mësuesi për arsimin e mesëm të ulët në “Matematikë – Fizikë”, me profil minor në “Informatikë””.
2. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Agjencia Publike e Akreditimit të Arsimit të Lartë, Agjencia Kombëtare e Provimeve dhe institucionet publike të arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.
          Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRJASHTIMIN OSE REDUKTIMIN NGA TARIFA VJETORE E SHKOLLIMIT E STUDENTËVE QË NDJEKIN PROGRAMET E STUDIMEVE ME KOHË TË PLOTË TË CIKLIT TË PARË, PROGRAMET E STUDIMEVE JOUNIVERSITARE, PROFESIONALE, PROGRAMET E INTEGRUARA TË STUDIMEVE TË CIKLIT TË DYTË, SI DHE PROGRAMET E STUDIMEVE TË CIKLIT TË DYTË “MASTER PROFESIONAL” DHE “MASTER I SHKENCAVE”/“MASTER I ARTEVE TË BUKURA” NË INSTITUCIONET PUBLIKE TË ARSIMIT TË LARTË, PËR VITIN AKADEMIK 2014 – 2015
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 75, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.8098, datë 28.3.1996, “Për statusin e të verbrit”, të ndryshuar, të ligjit nr.8626, datë 22.6.2000, “Për statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar, të ligjit nr.7889, datë 14.12.1994, “Për statusin e invalidit”, të ndryshuar, të ligjit nr.7748, datë 29.7.1993, “Për statusin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga sistemi komunist”, të ndryshuar, të ligjit nr.10289, datë 17.6.2010, “Për mënyrën e trajtimit ekonomik e financiar dhe për dhënie ndihme të menjëhershme familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe të Policisë së Burgjeve, që humbin jetën në krye apo për shkak të detyrës”, dhe të ligjit nr.8153, datë 31.10.1996, “Për statusin e jetimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përjashtohen nga tarifa vjetore e shkollimit studentët, që ndjekin ciklin e parë të studimeve “Bachelor”, programet e studimeve jouniversitare profesionale dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë “Master i Shkencave”, me formë studimi me kohë të plotë, në institucionet publike të arsimit të lartë dhe që vijnë nga këto shtresa sociale, si:
a) personat që nuk shikojnë/dëgjojnë;
b) invalidët e punës dhe fëmijët e tyre;
c) invalidët;
ç)  invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë dhe fëmijët e tyre;
d) jetimët;
dh) romët;
e) ballkano – egjiptianët;
ë) personi, njëri nga prindërit e të cilit është ndarë nga jeta, dhe familja, në këtë rast, përfiton ndihmë ekonomike nga njësia përkatëse e qeverisjes vendore;
f) ish-të dënuarit dhe të përndjekurit politikë nga sistemi komunist ose fëmijët me prindër të dënuar politikë me heqje lirie;
g) fëmijët e policëve dhe të ushtarakëve të Forcave të Armatosura që kanë humbur jetën ose janë plagosur për shkak të detyrës;
gj)  të prekurit nga HIV/AIDS.
2. Paguajnë 50% të tarifës vjetore të shkollimit studentët, që ndjekin ciklin e dytë të studimeve “Master Profesional” ose “Master i Shkencave”/ “Master i Arteve të Bukura”, me formë studimi me kohë të plotë, në institucionet publike të arsimit të lartë dhe që vijnë nga shtresat sociale, si:
a) personat që nuk shikojnë/dëgjojnë;
b) invalidët e punës dhe fëmijët e tyre;
c) invalidët;
ç)  invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë dhe fëmijët e tyre;
d) jetimët;
dh)  romët;
e) ballkano – egjiptianët;
ë) personi, njëri nga prindërit e të cilit është ndarë nga jeta, dhe familja, në këtë rast, përfiton ndihmë ekonomike nga njësia përkatëse e qeverisjes vendore;
f) ish-të dënuarit dhe të përndjekurit politikë nga sistemi komunist ose fëmijët me prindër të dënuar politikë me heqje lirie;
g) fëmijët e policëve dhe të ushtarakëve të Forcave të Armatosura që kanë humbur jetën ose janë plagosur për shkak të detyrës;
gj) të prekurit nga HIV/AIDS.
3. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe institucionet publike të arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.
          Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
HEQJEN E MASËS SË PEZULLIMIT TË VEPRIMTARISË SHKOLLËS PRIVATE TË ARSIMIT TË LARTË “LOGOS” 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 45, pika 4, e 63,  pika 4, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Heqjen e masës së pezullimit të veprimtarisë shkollës private të arsimit të lartë “Logos”.
2. Shkolla private e arsimit të lartë “Logos” vijon veprimtarinë me të gjitha të drejtat dhe detyrimet që burojnë nga ligji dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.
3.Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe shkolla private e arsimit të lartë “Logos” për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN E QENDRËS SË OFRIMIT TË SHËRBIMEVE PUBLIKE TË INTEGRUARA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, dhe të neneve 10 e 11, të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Krijimin e Qendrës së Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara, si institucion juridik publik, në varësi të ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, me seli në Tiranë.
2. Qendra e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (Albanian Delivery Integrated Services Agency), në vazhdim ADISA, ka si mision të veprimtarisë:
a) ofrimin e shërbimeve publike nëpërmjet ngritjes dhe administrimit të qendrave të shërbimeve publike të integruara me një ndalesë (one-stop-shop);
b) aplikimin e modelit të ri të ofrimit të integruar të shërbimeve
publike me qytetarin në qendër.
3. Qendra e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara ka këto funksione administrative dhe përgjegjësi specifike:
a) Lëvron shërbimet në sportele të integruara për qytetarët, nëpërmjet marrëveshjeve apo koordinimit të proceseve me institucionet përgjegjëse;
b) Aplikon instrumente të ndryshme monitoruese për të siguruar cilësinë e lëvrimit të shërbimeve ndaj qytetarit;
c) Merr pjesë në hartimin e procedurave dhe standardeve për sportelet pritëse të qytetarëve (front office) dhe zyrave mbështetëse (back office), përgjegjëse për përpunimin e të dhënave dhe finalizimin e shërbimeve publike në qendrat e shërbimeve publike të integruara me një ndalesë;
ç) Zhvillon trajnime të vazhdueshme në përputhje me standardet e përcaktuara në shkronjën “c”.
4. ADISA organizohet dhe funksionon në nivel qendror nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Qendrës së Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara dhe në nivel vendor nëpërmjet qendrave të shërbimeve publike të integruara me një ndalesë. Struktura e kësaj qendre miratohet nga Kryeministri.
5. ADISA financohet nga buxheti i shtetit dhe nga burime të tjera, të ligjshme.
6. ADISA drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e kësaj qendre dhe raporton para ministrit përgjegjës për inovacionin dhe administratën publike.
7. Drejtori i Përgjithshëm i ADISA-s emërohet, lirohet ose shkarkohet me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit përgjegjës për inovacionin dhe administratën publike.
8. Përjashtimisht për vitin 2014, ADISA-s i shtohen 3 (tre) punonjës. Ky numër përballohet nga numri rezervë i Këshillit të Ministrave.
9. Në grupin e institucioneve të tjera qeveritare (Gr 87) në programin “Shërbime të tjera”, shtohet fondi prej 700 000 (shtatëqind mijë) lekësh në zërin “Shpenzime korrente” për ADISA-n, për vitin 2014.
10. Në buxhetin e miratuar për vitin 2014, për Kryeministrinë, pakësohet fondi prej 700 000 (shtatëqind mijë) lekësh, në zërin “Shpenzime korrente”, në programin “Planifikim, menaxhim dhe administrim”.
11. Ngarkohen Kryeministria, ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.