Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave 25 Nëntor 2015
V E N D I M
PËR 
MIRATIMIN  E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË EMIRATEVE TË BASHKUARA ARABE, PËR NXITJEN DHE MBROJTJEN E INVESTIMEVE 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 17 e 23, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, për nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI  
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, TË PROCEDURAVE DHE TË FORMULARIT TË LEJES SË LEGALIZIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 28, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I: 
1. Leja e legalizimit miratohet për ndërtimin informal, që është kualifikuar për legalizim, në përputhje me përcaktimet e vendimit nr.280, datë 1.4.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, procedurave e dokumentacionit të zbatueshëm për të kualifikuar ndërtimet pa leje, shtesat anësore dhe/ose në lartësi, në ndërtimet me leje”.
2. Drejtoria e varësisë së ALUIZNI-t miraton lejen e legalizimit brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga momenti i kualifikimit të ndërtimit informal (data e vendimit të kualifikimit).
3. Leja e legalizimit miratohet për subjektin përfitues, që është sipas rastit aplikuesi për legalizim ose/dhe personi të cilit i janë njohur të drejta mbi ndërtimin pa leje nëpërmjet:
a) veprimeve juridiko-civile (kontratë për kalimin e së drejtës për të legalizuar ndërtimin), trashëgimisë ose me anë të deklaratës së aplikuesit për njohjen e të drejtave mbi ndërtimin;
b) vendimit gjyqësor të formës së prerë.
Dokumentacioni sipas shkronjës “a” dorëzohet nga subjektet përpara përfundimit të procedurave administrative të miratimit të lejes së legalizimit.
4. Për shtesat informale, kur ndërtimi kryesor (ndërtimi me leje) është tjetërsuar apo nuk është në pronësi të aplikuesit për legalizim, për miratimin e lejes së legalizimit zbatohen përcaktimet e pikës 11, të vendimit nr.280, datë 1.4.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, procedurave e dokumentacionit të zbatueshëm për të kualifikuar ndërtimet pa leje, shtesat anësore dhe/ose në lartësi, në ndërtime me leje”.
5. Brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e miratimit, leja e legalizimit, e shoqëruar nga dokumentacioni teknik, i dorëzohet ose i dërgohet në rrugë postare subjektit përfitues.
6. Për ndërtimet informale, që i nënshtrohen procedurës së kalimit të së drejtës së pronësisë, leja e legalizimit miratohet përpara kryerjes së këtyre procedurave dhe i dorëzohet subjektit përfitues, së bashku me dokumentacionin shoqërues.
7. Afatet dhe procedurat në zbatim të pikës 6 rregullohen me vendim të Këshillit të Ministrave, në përputhje me shkronjën “d”, të pikës 1, të nenit 17, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar.
8. Pezullimi i procedurave administrative dhe i miratimit të lejes së legalizimit bëhet vetëm në rastet kur:
a) për ndërtimet informale dhe shtesat anësore/në lartësi plotësohen kushtet e nenit 26, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, për ato shqyrtime gjyqësore që kanë si objekt mosmarrëveshjet për të drejtën e pronësisë mbi vetë ndërtimin/shtesën apo mbi parcelën ndërtimore;
b) për shtesat anësore/në lartësi plotësohen kushtet e nenit 40, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, kur nga gjykata është vendosur masë sigurimi padie, në kuadër të shqyrtimit të mosmarrëveshjeve midis subjekteve aplikuese dhe pronarit të truallit privat dhe/ose kufitar.
9. Lista e subjekteve përfituese të lejeve të legalizimit, shoqëruar me të dhënat e pasurive (adresa, zona kadastrale, numri i pasurisë), afishohet në ambientet e ALUIZNI-t dhe pranë njësisë së qeverisjes vendore, si dhe publikohet në:
a) Buletinin e Njoftimeve Zyrtare;
b) Faqen zyrtare të internetit të ALUIZNI-t.
10. Subjektet e interesuara, në përputhje me afatet e përcaktuara në dispozitat e Kodit të Procedurave Administrative, kanë të drejtë të paraqesin ankim administrativ për lejen e legalizimit apo kur drejtoria e ALUIZNI-t nuk e miraton atë brenda afatit të përcaktuar në këtë vendim, në Drejtorinë e Përgjithshme të ALUIZNI-t.
11. Për rastet kur punonjësit e niveleve drejtuese në drejtorinë e varësisë së ALUIZNI-t gjenden në kushtet e konfliktit të interesit, leja e legalizimit miratohet nga Drejtoria e Përgjithshme e ALUIZNI-t, në përputhje me kriteret dhe procedurat e përcaktuara në këtë vendim.
12. Formulari i lejes së legalizimit shoqërohet nga planvendosja (genplani) e nga planimetria dhe aty përcaktohen:
a) lloji dhe funksioni i objektit që legalizohet;
b) subjekti përfitues i lejes së legalizimit;
c) gjendja ndërtimore dhe vendndodhja e objektit;
ç) pronësia mbi truallin etj.
13. Paraqitja skematike dhe mënyra e plotësimit të lejes së legalizimit miratohen me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të ALUIZNI-t.
14. Vendimi nr.411, datë 19.5.2010, i Këshillit të Ministrave, “Për kriteret, procedurat dhe tipin e formularit të lejes së legalizimit”, i ndryshuar, shfuqizohet.
15. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban dhe Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale për zbatimin e këtij vendimi.
    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË VENDIMIT TË KOMISIONIT TË PËRBASHKËT TË MARRËVESHJES SË TREGTISË SË LIRË TË EVROPËS QENDRORE, PËR AMENDIMIN E VENDIMIT TË KOMISIONIT TË PËRBASHKËT TË MARRËVESHJES SË TREGTISË SË LIRË TË EVROPËS QENDRORE 3/2013, NË LIDHJE ME ANEKSIN 4, TË MARRËVESHJES SË TREGTISË SË LIRË TË EVROPËS QENDRORE (CEFTA 2006), PROTOKOLLI PËR PËRKUFIZIMIN E KONCEPTIT TË “PRODUKTEVE TË ORIGJINËS” DHE METODAVE TË BASHKËPUNIMIT ADMINISTRATIV, TË REFERUARA NË NENIN 14, PARAGRAFËT 1 E 3
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të vendimit të Komisionit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, për amendimin e vendimit të Komisionit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore 3/2013, në lidhje me aneksin 4, të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA 2006), protokolli për përkufizimin e konceptit të “produkteve të origjinës” dhe metodave të bashkëpunimit administrativ, të referuara në nenin 14, paragrafët 1 e 3, sipas tekstit dhe aneksit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI 
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.283, DATË 1.4.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E TIPAVE, RREGULLAVE, KRITEREVE DHE PROCEDURAVE PËR NDËRTIMIN E OBJEKTEVE PËR PRODHIMIN, RUAJTJEN DHE PËRPUNIMIN E PRODUKTEVE BUJQËSORE DHE BLEGTORALE NË TOKË BUJQËSORE”,  TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 5/2 e 5/4, të nenit 11/1, të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave të administrimit dhe mbrojtjes së tokës”, të ndryshuar, dhe të nenit 8, të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe të ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Pika 1, e kreut IV, të vendimit nr.283, datë 1.4.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE NR.611, DATË 11.6.2009; NR.677, DATË 18.6.2009; NR.706, DATË 23.6.2009; NR.805, DATË 22.7.2009; NR.1038, DATË 14.10.2009; NR.247, DATË 13.4.2010; NR.549, DATË 7.7.2010; NR.646, DATË 28.7.2010; NR.118, DATË 17.2.2011; NR.61, DATË 23.1.2013; NR.345, DATË 24.4.2013; NR.686, DATË 16.8.2013; NR.42, DATË 21.1.2015; NR.474, DATË 3.6.2015, PËR MIRATIMIN E KALIMIT TË PRONËSISË SË DISA PARCELAVE NDËRTIMORE NË FAVOR TË POSEDUESVE TË OBJEKTEVE INFORMALE, TË NDRYSHUARA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 17, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, të shkronjës “ç”, të nenit 4, të ligjit nr.7980, datë 27.7.1995, “Për shitblerjen e trojeve”, të ndryshuar, dhe të nenit 163, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimet e Këshillit të Ministrave nr.611, datë 11.6.2009; nr.677, datë 18.6.2009; nr.706, datë 23.6.2009; nr.805, datë 22.7.2009; nr.1038, datë 14.10.2009; nr.247, datë 13.4.2010; nr.549, datë 7.7.2010; nr.646, datë 28.7.2010; nr.118, datë 17.2.2011; nr.61, datë 23.1.2013; nr.345, datë 24.4.2013; nr.686, datë 16.8.2013; nr.42, datë 21.1.2015; nr.474, datë 3.6.2015, të ndryshuara,bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
a) Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 13/118, 3/489, 3/486, 3/490, 3/491, 305/166, 11/333 e 20/209 në drejtoritë e ALUIZNI-t Tirana 1 dhe Kukës të jenë, sipas lidhjes G, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
b) Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 8/1079, 440/776, 5/427 e 6/926 në Drejtorinë e ALUIZNI-t Tirana 1 të jenë, sipas lidhjes H, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
c) Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 8/355, 13/659 e 400/671 në Drejtorinë e ALUIZNI-t Tirana 1 të jenë, sipas lidhjes I, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
 ç)  Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 178/41, 4/353, 4/198 e 7/704 në Drejtorinë e ALUIZNI-t Tirana 1 të jenë, sipas lidhjes J, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
d) Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 433/160, 1/534, 433/260 e 436/95 në Drejtorinë e ALUIZNI-t Tirana 1 të jenë, sipas lidhjes K, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
dh) Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 9/207, 24/235 e 25/315 në Drejtorinë e ALUIZNI-t Elbasan të jenë, sipas lidhjes O, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
e) Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 1/511, 10/317 e 3/301 në drejtoritë e ALUIZNI-t Elbasan dhe Tirana 1 të jenë, sipas lidhjes Q, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
ë)  Gjenealitetet e poseduesve të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 1/1087 e 3/114 në Drejtorinë e ALUIZNI-t Tirana 1 të jenë, sipas lidhjes R, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
f) Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 178/28, 26/111 e 3/707 në drejtoritë e ALUIZNI-t Tirana 1, Kukës dhe Korçë të jenë, sipas lidhjes S, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
g) Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 1/458 në Drejtorinë e ALUIZNI-t Elbasan të jenë, sipas lidhjes Z, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
gj) Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 1/97 e 2/480 në Drejtorinë e ALUIZNI-t Elbasan të jenë, sipas lidhjes AA, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
h) Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 3/1063 e 3/1057 në Drejtorinë e ALUIZNI-t Korçë të jenë, sipas lidhjes AE, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
i) Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 101/100 në Drejtorinë e ALUIZNI-t Tirana 4 të jenë, sipas lidhjes AH, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
j) Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 101/55/1 në Drejtorinë e ALUIZNI-t Tirana 4 të jenë sipas lidhjes AJ, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË GRANTIT NR.TF019164, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM (IBRD), QË VEPRON SI ADMINISTRATORE E FONDEVE GRANT, TË SIGURUARA NGA FEDERATA RUSE, NË KUADËR TË FONDIT TË MIRËBESIMIT PËR MENAXHIMIN E FINANCAVE PUBLIKE PËR EVROPËN DHE AZINË QENDRORE, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT “PËRMIRËSIMI I KONTROLLIT TË PAJTUESHMËRISË DHE RRITJA E TRANSPARENCËS NË PROKURIMIN PUBLIK NË SHQIPËRI”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 17 e 23, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes së grantit nr.TF019164, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), që vepron si Administratore e fondeve grant, të siguruara nga Federata Ruse, në kuadër të Fondit të Mirëbesimit për Menaxhimin e Financave Publike për Evropën dhe Azinë Qendrore, për financimin e projektit “Përmirësimi i kontrollit të pajtueshmërisë dhe rritja e transparencës në prokurimin publik në Shqipëri”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI  
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “SHTIMI I SIPËRFAQES SË VARREZAVE PUBLIKE NË QYTETIN E VLORËS”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ligjit nr.160/2014, “Për buxhetin e vitit 2015”, të ndryshuar, dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Shtimi i sipërfaqes së varrezave publike në qytetin e Vlorës”.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Vlorë.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë “tokë bujqësore” dhe “ullishte”, me një vlerë të përgjithshme prej 2 753 800 (dy milionë e shtatëqind e pesëdhjetë e tre mijë e tetëqind) lekësh.
4. Vlera totale e shpronësimit, prej 2 753 800 (dy milionë e shtatëqind e pesëdhjetë e tre mijë e tetëqind) lekësh, të përballohet nga buxheti i Bashkisë Vlorë.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2015, miratuar për Ministrinë e Zhvillimit Urban.
6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.
7. Pronarët e listës që i bashkëlidhen këtij vendimi të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Bashkisë Vlorë.
8. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë, brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Vlorë, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit, të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.
9. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit si dhe kalimi i pronësisë, për pasuritë e shpronësuara.
10. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Zhvillimit Urban, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Bashkia Vlorë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.