Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, 29 tetor 2014
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË GRANTIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE BANKËS EVROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, SI ADMINISTRATOR I FONDEVE GRANT TË SIGURUARA NGA BERZH-I, NGA BURIMET E VETA, NËN FONDIN E VEÇANTË TË AKSIONARËVE, PËR STRATEGJINË E TAKSIMIT RRUGOR NË SHQIPËRI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës dhe ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si administrator i fondeve grant të siguruara nga BERZH-i, nga burimet e veta, nën fondin e veçantë të aksionarëve, për strategjinë e taksimit rrugor në Shqipëri, me një grant në shumën 149 117 euro, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË GRANTIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE BANKËS EVROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, SI ADMINISTRATOR I FONDEVE GRANT, TË SIGURUARA NGA QEVERI TË VENDEVE TË NDRYSHME, NËN FONDIN E VEÇANTË TË AKSIONARËVE TË BERZH-IT, PËR PLANIN E QËNDRUESHËM TË TRANSPORTIT NË SHQIPËRI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës dhe ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si administrator i fondeve grant, të siguruara nga qeveri të vendeve të ndryshme, nën fondin e veçantë të aksionarëve të BERZH-it, për planin e qëndrueshëm të transportit në Shqipëri, me një grant në shumën 289 383 euro, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MEMORANDUMIT TË MIRËKUPTIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË SHTETIT TË KUVAJTIT, PËR BASHKËPUNIMIN NË FUSHËN E MBROJTJES SË MJEDISIT, RUAJTJES SË BURIMEVE NATYRORE DHE ZHVILLIMIT TË QËNDRUESHËM
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shtetit të Kuvajtit, për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes së mjedisit, ruajtjes së burimeve natyrore dhe zhvillimit të qëndrueshëm, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E STRATEGJISË NDËRSEKTORIALE PËR ZHVILLIMIN RURAL DHE BUJQËSOR 2014 – 2020
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të ligjit nr.9817, datë 22.10.2007, “Për bujqësinë dhe zhvillimin rural”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Strategjisë Ndërsektoriale për Zhvillimin Rural dhe Bujqësor 2014 – 2020, sipas dokumentit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohet Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KUOTAT FINANCIARE TË USHQIMIT NË MENSA E KONVIKTE, BURSAT E SHTETIT DHE PAGESAT E NXËNËSVE E TË STUDENTËVE NË INSTITUCIONET ARSIMORE PUBLIKE, PËR VITIN SHKOLLOR 2014 – 2015
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 6, 19 e 28, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të nenit 57, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të neneve 1 e 5, të ligjit nr.10289, datë 17.6.2010, “Për mënyrën e trajtimit ekonomik e financiar dhe për dhënie ndihme të menjëhershme familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që humbin jetën në krye apo për shkak të detyrës”, të nenit 29, të ligjit nr.8872, datë 29.3.2002, “Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.7889, datë 14.12.1994, “Për statusin e invalidit”, të ndryshuar, të ligjit nr.8153, datë 31.10.1996, “Për statusin e jetimit”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit dhe ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Nxënësit që ndjekin studimet në institucionet arsimore publike dhe studentët që ndjekin një program studimi të ciklit të parë, me kohë të plotë, në institucionet arsimore publike, mund të përfitojnë bursë dhe përfitime të tjera, të parashikuara në këtë vendim, nga buxheti vjetor i miratuar për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit (MAS) dhe Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë (MMSR).
2. Përfitojnë bursë nxënësit dhe studentët brenda kuotave dhe këtyre kritereve:
2.1 Sipas kriterit ekonomik (nxënës/studentë)
a) Nxënësit/studentët që vazhdojnë studimet në largësinë mbi 5 km nga vendbanimi i tyre dhe plotësojnë kriterin ekonomik, sipas pasqyrës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
b) Nxënësit që banojnë në fshat, që nuk kanë shkollë 9-vjeçare brenda rrezes prej 5 km e që akomodohen në konvikte publike;
c) Nxënësit/studentët që kanë përfituar statusin e jetimit dhe që plotësojnë kriterin ekonomik;
ç) Nxënësit/studentët që kanë humbur kujdestarinë prindërore, me vendim gjykate të formës së prerë, dhe që plotësojnë kriterin ekonomik;
d) Secili nga studentët bashkëshort me fëmijë, që plotëson kriterin ekonomik dhe që akomodohet në konvikt publik;
dh) Fëmijët, nxënës apo studentë, që gëzojnë statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik dhe që plotësojnë kriterin ekonomik.
2.2 Sipas rezultateve të arritura (nxënës/studentë)
a) Nxënësit e arsimit profesional që kanë mbaruar vitin shkollor pararendës me të gjitha notat 10 (dhjeta);
b) Nxënësit që vazhdojnë studimet në shkollat profesionale në drejtimet mësimore: Bujqësi, Veterinari, Pyje, Ndërtim, Peshkim, Gjeologji-Miniera dhe Shpim e Shfrytëzim i vendburimeve të naftës dhe gazit, në vitet e dyta e lart, dhe që kanë mbaruar vitin akademik pararendës me notën mesatare mbi 8 (tetë);
c) Studentët e regjistruar në vitin e parë të shkollës së lartë, që janë shpallur nga MAS më të mirët e Maturës Shtetërore, sipas renditjes në listën e vlerësimit, të realizuar nga Agjencia Kombëtare e Provimeve. Për vitin akademik 2014-2015, numri i tyre do të jetë 25 (njëzet e pesë) studentë. Kjo kategori studentësh përfiton bursë kur ata vazhdojnë studimet në institucionet e arsimit të lartë publik dhe vetëm për vitin akademik 2014-2015;
ç) Studentët që kanë përfunduar vitin akademik pararendës me të gjitha notat 10 (dhjeta);
d) Studentët që vazhdojnë studimet në programet e studimit
Matematikë dhe Fizikë, në vitin e dytë e lart, dhe kanë mbaruar vitin akademik pararendës me notën mesatare mbi 8 (tetë).
2.3 Jashtë kriterit ekonomik (nxënës/studentë)
Fëmijët e punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës.
Në fillim të çdo viti akademik, (por jo më vonë se data 15 dhjetor 2014), Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Mbrojtjes dhe Shërbimi Informativ Shtetëror duhet të dërgojnë në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë listën edhe për këtë kategori nxënësish/studentësh.
2.4 Sipas degëve parësore të zhvillimit ekonomik të vendit (nxënës)
a) Nxënësit e shkollave profesionale që ndjekin drejtimet mësimore: Bujqësi, Veterinari, Pyje, Ndërtim, Peshkim, Gjeologji-Miniera dhe Shpim e Shfrytëzim i vendburimeve të naftës dhe gazit;
b) Nxënësit e shkollave profesionale me vendbanim të përhershëm në zonat Verilindore dhe Juglindore të vendit: Dibër, Bulqizë, Mat, Kukës, Has, Tropojë, Pukë, Mirditë, Malësi e Madhe, Librazhd, Gramsh, Kolonjë, Përmet, Pogradec, Skrapar dhe Tepelenë.
3. Nxënësit dhe studentët e të gjitha kategorive të mësipërme nuk përfitojnë bursë, ose humbasin të drejtën e përfitimit të saj, kur:
a) janë ndarë nga trungu familjar;
b) familjet e tyre ushtrojnë veprimtari private;
c) vazhdojnë studimet në një program të dytë studimi;
ç) shpallen ngelës dhe humbasin vitin shkollor për arsye të rezultateve jokaluese.
4. Ministria e Arsimit dhe Sportit harton planin e shpërndarjes së bursave për drejtoritë arsimore rajonale (DAR) dhe zyrat arsimore (ZA), për studentët që regjistrohen dhe ndjekin vitin e parë akademik 2014-2015, sipas kuotave të miratuara (për studentë). DAR/ZA-të, pas këshillimit me njësitë bazë të qeverisjes vendore, hartojnë planin e shpërndarjes së bursave dhe e dërgojnë atë në njësitë bazë të qeverisjes vendore (bashki/komunë), në përshtatje me kërkesat e paraqitura paraprakisht prej tyre, për kategoritë sipas pikës 2.1, të këtij vendimi.
5. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, pas këshillimit me njësitë bazë të qeverisjes vendore ku ndodhen shkollat profesionale, harton planin e shpërndarjes së bursave për nxënësit e shkollave profesionale që regjistrohen dhe ndjekin vitin e parë akademik 2014-2015 dhe ua dërgon për miratim njësive bazë të qeverisjes vendore (bashki/komunë), në përputhje me vendndodhjen territoriale të shkollës profesionale.
6. Njësitë bazë të qeverisjes vendore, bazuar në planin e përcaktuar për to, vendosin, me këshillat e tyre, dhënien e bursave, sipas kritereve të përcaktuara në pikat 2.1, 2.2, 2.3 dhe 2.4, të këtij vendimi, duke u dhënë përparësi nxënësve/studentëve nga shtresat sociale në nevojë, për trajtimin me bursë të plotë, për kushte të barabarta në trajtimin me bursë, prioritet kanë nxënëset vajza. Njësitë bazë të qeverisjes vendore, në pamundësi trajtimi me bursë të plotë, brenda planit të miratuar, mund të trajtojnë/ miratojnë dhe 1/2 (gjysmë) burse.
6.1 Njësitë bazë të qeverisjes vendore, detyrimisht, duhet t’u dërgojnë zyrtarisht, jo më vonë se data 31.12.2014, institucioneve publike të arsimit të lartë, njësive bazë të qeverisjes vendore, drejtorive arsimore rajonale apo zyrave arsimore përkatëse vendimet për dhënien e bursave, të shoqëruara me dokumentacionin përkatës.
6.2 DAR/ZA-të duhet të dërgojnë pranë institucioneve të arsimit të lartë, si dhe bashkive/komunave që menaxhojnë konviktet, listën emërore të nxënësve dhe të studentëve përfitues të bursës, së bashku me vendimet origjinale të këshillave të bashkive dhe të këshillave të komunave. Një kopje e listës emërore të nxënësve dhe studentëve të trajtuar me bursë dërgohet edhe në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, jo më vonë se data 15 Janar 2015.
6.3 DAR/ZA-të dhe Drejtoritë e Shkollave Profesionale, për nxënësit që regjistrohen dhe vazhdojnë studimet në vitin e parë shkollor 2014-2015, në degët: Bujqësi, Veterinari, Pyjore, Ndërtim, Peshkim, Gjeologji-Miniera dhe Shpim e Shfrytëzim i vendburimeve të naftës dhe gazit, u dërgojnë informacion njësive bazë të qeverisjes vendore jo më vonë se data 30.10.2014.
6.4 Njësitë bazë të qeverisjes vendore vendosin për dhënien e bursave, sipas vendndodhjes territoriale dhe administrative të shkollave profesionale dhe konvikteve në të cilat janë vendosur nxënësit, mbështetur në numrin e nxënësve të regjistruar në këto degë, brenda numrit të përgjithshëm të bursave të dhëna për vitin akademik 2014-2015. Njësitë arsimore vendore DAR/ZA dhe Drejtoritë e Shkollave Profesionale menjëherë, me mbarimin e regjistrimit në këto degë, dërgojnë informacion në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit (MAS) dhe Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë (MMSR).
7. Bursat e nxënësve, për vitin e dytë e lart, rishqyrtohen dhe miratohen çdo vit, nga këshilli i bashkisë/komunës, sipas vendndodhjes territoriale dhe administrative të shkollave profesionale dhe konvikteve ku janë vendosur nxënësit përfitues të bursës/kuotës ushqimore.
Drejtoritë Arsimore Rajonale/Drejtoritë e Shkollave Profesionale paraqesin/dërgojnë zyrtarisht, në njësitë vendore, kërkesat për miratim burse për nxënësit që përfitojnë bursë sipas pikave 2.2, shkronja “a”, 2.2, shkronja “b” dhe 2.2, shkronja “c”, të këtij vendimi.
Nxënësit që kanë përfituar bursë vitin e parë, me vendim të këshillit të bashkisë/komunës ku ata kanë vendbanimin e përhershëm, e marrin këtë bursë deri në përfundim të viteve të shkollimit, nëse atyre nuk u ndryshojnë kriteret ekonomike dhe nuk rezultojnë mbetës.
Nxënësit e viteve të III-ta të shkollave të mesme “Nazmi Rushiti”, Dibër dhe “Havzi Nela”, Kukës, të cilët transferojnë programet e nivelit të dytë në shkollat e mesme profesionale Shkodër, (pra nga njësitë vendore Bashkia Peshkopi dhe Bashkia Kukës në njësinë vendore Bashkia Shkodër), njëkohësisht transferojnë, zyrtarisht, në Bashkinë Shkodër, numrin e bursave (listën e nxënësve) që kanë përfituar bursë për vitin shkollor 2014-2015.
Për nxënësit e tjerë të viteve të III-ta të shkollave së mesme “Nazmi Rushiti”, Dibër dhe “Havzi Nela”, Kukës, që plotësojnë kriteret ekonomike dhe kriterin e largësisë nga vendbanimi, sipas pikës 2.1, kërkesat e tyre shqyrtohen dhe trajtohen me bursë nga njësia e qeverisjes vendore Bashkia Shkodër.
7.1 Nxënësit që kanë përfituar bursë e përfitojnë atë edhe gjatë periudhës së zhvillimit të praktikës profesionale. Bursa jepet në formën e kuotës ushqimore, nga njësia bazë e qeverisjes vendore gjatë periudhës së zhvillimit të praktikës mësimore.
Nxënësve të klasës së 13-të të shkollave profesionale, të drejtimit Termohidraulikë, për periudhën e zhvillimit të praktikës profesionale, të miratuar për vitin akademik 2014-2015, që nuk kanë përfituar bursë me vendim të këshillave të njësive të qeverisjes vendore, u akordohet/miratohet bursë nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, mbështetur në kërkesën e Drejtorisë Arsimore Rajonale.
Bursat e akorduara/miratuara nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë u dërgohen zyrtarisht njësive bazë të qeverisjes vendore, sipas vendndodhjes territoriale dhe administrative të konvikteve ku janë vendosur nxënësit që zhvillojnë praktikën profesionale. Nxënësit e përfitojnë bursën në formën e kuotës ushqimore.
Drejtorët e shkollave profesionale e social-kulturore dërgojnë zyrtarisht, çdo muaj, pranë njësive bazë të qeverisjes vendore, informacion për frekuentimin e shkollës/praktikës profesionale, për nxënësit që përfitojnë bursë.
8. Bursat e studentëve, për vitin e II-të e lart, rishqyrtohen dhe miratohen çdo vit nga institucionet publike të arsimit të lartë. Studentët e vitit II e lart, që nuk kanë përfituar bursë dhe plotësojnë kriterin ekonomik, mund të përfitojnë bursë brenda numrit të planit të bursave, të përcaktuara sipas këtij vendimi.
Numri i bursave për këtë kategori studentësh dhe për studentët që përfitojnë bursë, sipas pikës 2.2, është deri në 150 (njëqind e pesëdhjetë), në shkallë vendi, brenda numrit të përgjithshëm të bursave të dhëna për vitin akademik 2014-2015. Institucionet publike të arsimit të lartë paraqesin në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit kërkesat për studentët që përfitojnë bursë sipas pikave 2.2, shkronja “ç”, 2.2 shkronja “d”, dhe 2.2 shkronja “dh”, të këtij vendimi.
MAS-i harton planin e shpërndarjes dhe e dërgon për ekzekutim në institucionet publike të arsimit të lartë. Studentët, të cilë kanë përfituar bursë vitin e parë, me vendim të këshillit të bashkisë/komunës ku kanë vendbanimin e përhershëm, e marrin këtë bursë deri në përfundim të viteve të shkollimit, nëse atyre nuk u ndryshojnë kriteret ekonomike dhe nuk rezultojnë mbetës.
9. Nga plani i bursave të miratuara për vitin akademik 2014-2015 bashkisë së Tiranës i jepen deri në 10 (dhjetë) bursa për studentët të cilët, pavarësisht nga kriteri i vendbanimit apo kritereve ekonomike, kanë statusin ligjor të jetimit si dhe statusin invalid paraplegjik apo tetraplegjik, ndërsa bashkive të tjera, të cilat në vendndodhjen e tyre territoriale kanë institucione të arsimit të lartë publik, për këtë kategori studentësh, u jepen deri në 3 (tri) bursa.
10. Nxënësit dhe studentët që kanë përfituar statusin ligjor të jetimit, nxënësit e Institutit të Fëmijëve që nuk Dëgjojnë dhe të Institutit të Fëmijëve që nuk Shikojnë përfitojnë falas veshmbathje, libra dhe fletore, sipas pasqyrës nr.6, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Nxënësit e Institutit të Fëmijëve që nuk Dëgjojnë dhe të Institutit të Fëmijëve që nuk Shikojnë përjashtohen nga detyrimet e tarifave të shërbimeve të ndryshme që ofrojnë shkollat.
10.1 Nxënësve dhe studentëve që kanë përfituar statusin ligjor të jetimit u sigurohen falas, nga fondet e shkollave përkatëse, shërbimi shëndetësor, shërbimi dentar dhe medikamentet, pas paraqitjes së librezës, të kartës shëndetësore si dhe të epikrizës, nga qendra spitalore e rrethit.
10.2 Nxënësit jetimë, që vazhdojnë shkollat e mesme ose institucionet publike të arsimit të lartë, trajtohen me pagesë suplementare edhe për periudhën e pushimeve verore, që përcaktohet nga Këshilli i Ministrave, si dhe vetëm një vit, kur humbasin vitin shkollor, për arsye të rezultateve jo kaluese, nga njësitë e qeverisjes vendore, sipas vendndodhjes territoriale.
10.3 Fëmijët/nxënësit dhe mësuesit e institucioneve të arsimit special, me nevoja të veçanta psiko-sociale, pa konvikt, trajtohen falas nga shteti, me një kuotë ushqimore (drekë), me vlerë deri në 150 (njëqind e pesëdhjetë) lekë në ditë.
11. Fondet buxhetore për mbulimin e shpenzimeve për bursat, si dhe numri i bursave për studentët, administrohen nga institucionet publike të arsimit të lartë. Bursa përllogaritet si shpenzim mesatar, lekë në ditë, dhe paguhet çdo muaj me kalim në numrin e llogarisë bankare të çdo studenti. Drejtuesit e fakulteteve dërgojnë zyrtarisht, çdo muaj, pranë njësive/departamentit të financës, frekuentimin e shkollës për studentët që përfitojnë bursë.
11.1 Fondet buxhetore për mbulimin e shpenzimeve për bursat, si dhe numri i bursave për nxënësit, administrohen nga bashkia/komuna, sipas vendndodhjes territoriale dhe administrative të konvikteve ku janë vendosur nxënësit konviktorë. Masa mujore e bursës u jepet nxënësve në formën e kuotës ushqimore, në konvikt.
11.2 Nxënësve që përfitojnë bursë jashtë kriterit ekonomik, sipas rezultateve të arritura, sipas degëve parësore për zhvillimin e ekonomisë si dhe nxënësve që përfitojnë bursë jashtë kriterit ekonomik, të cilët janë akomoduar ose jo në konvikte, masa e miratuar e bursës mujore u paguhet, çdo muaj, nga bashkia/komuna, në llogarinë bankare të nxënësit/prindit përfitues, pranë bankave të nivelit të dytë apo në zyrat e Postës Shqiptare. Drejtorët e shkollave profesionale e social-kulturore dërgojnë zyrtarisht, çdo muaj, pranë njësive bazë të qeverisjes vendore, informacion mbi ndjekjen/frekuentimin e shkollës për nxënësit që përfitojnë bursë.
12. Niveli/masa e bursës për nxënësit dhe studentët jepet sipas pasqyrave nr.2 e nr.3 dhe kuota financiare ushqimore ditore jepet sipas pasqyrave nr. 4 e nr.5, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
13. Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, për vitin e ri akademik 2014-2015, të japë 1850 (një mijë e tetëqind e pesëdhjetë) bursa për nxënësit dhe 1800 (një mijë e tetëqind) bursa për studentët, për hyrjet e reja në vitin e parë në sistemin arsimor publik, për të gjitha kategoritë e parashikuara në pikën 2, të këtij vendimi.
14. Efektet financiare të vitit akademik 2014-2015 të përballohen nga fondet e buxhetit të shtetit, miratuar për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për vitin 2014, për pjesën e vitit 2014 si dhe nga fondet e buxhetit të shtetit që do të miratohet për vitin 2015, për pjesën e vitit 2015.
15. Afati përfundimtar për shqyrtimin dhe miratimin e bursave, për vitet e para, është data 31 dhjetor 2014, për të gjitha kategoritë e shkollave, ndërsa për vitin e dytë e lart është data 15 nëntor 2014. Vendimet e miratuara nga këshillat bashkiake apo këshillat e komunës, jashtë këtij afati, janë të pavlefshme.
16. Ministri i Arsimit dhe Sportit dhe ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, për raste të veçanta, kur vendimet e këshillave të njësive bazë të qeverisjes vendore janë miratuar brenda afatit të përcaktuar në pikën 14, të këtij vendimi, por dërgohen jashtë afatit të përcaktuar, kanë të drejtë të shqyrtojnë dhe të rivendosin në afat përfitimin e bursës për nxënësin/studentin.
17. Vendimet e njësive bazë të qeverisjes vendore dhe ato të institucioneve publike të arsimit të lartë bëhen publike për komunitetin, median dhe institucionet e tjera vendore apo qendrore.
18. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, njësitë arsimore vendore (DAR/ZA-të), institucionet publike të arsimit të lartë dhe njësitë bazë të qeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR ADMINISTRIMIN DHE FUNKSIONIMIN E VARREZAVE NË TERRITORIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 3/d, të ligjit nr.9220, datë 15.4.2004, “Për administrimin e shërbimit të varrimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullores “Për administrimin dhe funksionimin e varrezave në territorin e Republikës së Shqipërisë”, sipas tekstit bashkëlidhur vendimit.
2. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit dhe njësitë bazë të qeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLORES TEKNIKE “PËR PROJEKTIMIN DHE NDËRTIMIN E VARREZAVE NË TERRITORIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 1 e 2, të nenit 3/d, të ligjit nr.9220, datë 15.4.2004, “Për administrimin e shërbimit të varrimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullores teknike “Për projektimin dhe ndërtimin e varrezave në territorin e Republikës së Shqipërisë”, sipas tekstit bashkëlidhur vendimit.
2. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit dhe njësitë bazë të qeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E KALIMIT TË PRONËSISË SË DISA PARCELAVE NDËRTIMORE NË FAVOR TË POSEDUESVE TË OBJEKTEVE INFORMALE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 17, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, të shkronjës “ç”, të nenit 4, të ligjit nr.7980, datë 27.7.1995, “Për shitblerjen e trojeve”, të ndryshuar, dhe të nenit 163, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e kalimit të së drejtës së pronësisë mbi parcelën e ndërtimit pa leje poseduesve të sipërfaqeve maksimale të parcelave ndërtimore, sipas listës emërore dhe evidencës që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Numri i parcelave ndërtimore dhe sipërfaqja e përgjithshme e truallit për secilin qark janë, si më poshtë vijon:
a) Qarku Berat, 19 (nëntëmbëdhjetë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 4 927,3 (katër mijë e nëntëqind e njëzet e shtatë presje tre) m².
b) Qarku Elbasan, 50 (pesëdhjetë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 13 953,1 (trembëdhjetë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e tre presje një) m².
c) Qarku Fier, 111 (njëqind e njëmbëdhjetë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 38 251,3 (tridhjetë e tetë mijë e dyqind e pesëdhjetë e një presje tre) m².
ç) Qarku Gjirokastër, 20 (njëzet) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 6 985,7 (gjashtë mijë e nëntëqind e tetëdhjetë e pesë presje shtatë) m².
d) Qarku Korçë, 6 (gjashtë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 1 536 (një mijë e pesëqind e tridhjetë e gjashtë) m².
dh) Qarku Kukës, 25 (njëzet e pesë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 3 277, 27 ( tre mijë e dyqind e shtatëdhjetë e shtatë presje njëzet e shtatë) m².
e) Qarku Lezhë, 19 (nëntëmbëdhjetë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 5 880 (pesë mijë e tetëqind e tetëdhjetë) m².
ë) Qarku Shkodër, 84 (tetëdhjetë e katër) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 30 626 (tridhjetë mijë e gjashtëqind e njëzet e gjashtë) m².
f) Qarku Vlorë, 44 (dyzet e katër) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 14 227 (katërmbëdhjetë mijë e dyqind e njëzet e shtatë) m².
g) Qarku Tiranë, 102 (njëqind e dy) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 30 221,8 (tridhjetë mijë e dyqind e njëzet e një presje tetë) m².
3. Ngarkohet Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale për lidhjen e kontratave të kalimit të së drejtës së pronësisë për parcelat ndërtimore sipas neneve 83 dhe 750, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
4. Deri në momentin e regjistrimit të ndërtimit të legalizuar, zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme të mos kryejnë ndryshime të gjendjes juridike të pasurive të listuara në këtë vendim.
5. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Ministria e Drejtësisë, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, si dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR LIBRAZHD – QAFA E STUDNËS (LOTI 2)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, dhe të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor Librazhd – Qafa e Studnës (loti 2).
2. Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për: tokë “arë” dhe “truall”, në vlerën 3 934 243 (tre milionë e nëntëqind e tridhjetë e katër mijë e dyqind e dyzet e tre) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 3 934 243 (tre milionë e nëntëqind e tridhjetë e katër mijë e dyqind e dyzet e tre) lekësh të përballohet nga buxheti i shtetit i vitit 2014, zëri “Detyrimet e prapambetura (detyrimet e infrastrukturës)”.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
6. Likuidimi i pronarëve të fillojë pas çeljes së fondit të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi.
7. Pronarët e pasurive, për të cilat është bërë shënimi “Konfirmuar nga ZVRPP-ja”, të likuidohen, për efekt shpronësimi, në bazë të dokumentacionit të plotë të pronësisë që do të dorëzojnë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.
8. Autoriteti Rrugor Shqiptar të kryejë likuidimet, për efekt shpronësimi, në bazë të pikave 3, 4, 5 dhe 6, të këtij vendimi.
9. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Librazhd e Elbasan, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës në hartat kadastrale sipas planimetrisë së shpronësimit, që do t’u vihet në dispozicion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, dhe me fillimin e procesit të likuidimit të fillojë dhe procesi i kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.
10. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Librazhd e Elbasan të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së trupit të rrugës në hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
11. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Librazhd e Elbasan për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVETË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR KUKËS-KRUMË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 dhe 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor Kukës-Krumë.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e mëposhtme:
a) për sipërfaqet tokë “arë” dhe “truall”, me sipërfaqe 3 325.5 (tre mijë e treqind e njëzet e pesë pikë pesë) m2, me vlerë 2 873 883.5 (dy milionë e tetëqind e shtatëdhjetë e tre mijë e tetëqind e tetëdhjetë e tre pikë pesë) lekë, nga të cilat:
i. tokë arë, me sipërfaqe 2 393 (dy mijë e treqind e nëntëdhjetë e tre) m2, me vlerë 338 416 (treqind e tridhjetë e tetë mijë e katërqind e gjashtëmbëdhjetë) lekë;
ii. tokë truall, me sipërfaqe 932.5 (nëntëqind e tridhjetë e dy pikë pesë) m2, me vlerë 2 535 467.5 (dy milionë e pesëqind e tridhjetë e pesë mijë e katërqind e gjashtëdhjetë e shtatë pikë pesë) lekë.
b) për objekte, me vlerë 15 306 452 (pesëmbëdhjetë milionë e treqind e gjashtë mijë e katërqind e pesëdhjetë e dy) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit për pasuritë arë, truall dhe objekte prej 18 180 335.5 (tetëmbëdhjetë milionë e njëqind e tetëdhjetë mijë e treqind e tridhjetë e pesë pikë pesë) lekësh të përballohet nga buxheti i miratuar për vitin 2014, zëri “Shpronësime”, planifikuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 122 000 (njëqind e njëzet e dy mijë) lekë, të përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
6. Likuidimi i pronarëve të fillojë pas çeljes së fondit të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi.
7. Pronarët e listës që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilët është bërë shënimi “Konfirmuar ZVRPP”, të likuidohen, për efekt shpronësimi, pasi të dorëzojnë dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.
8. Pronarët e listës që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilët është bërë shënimi “Rikonfirmim”, të likuidohen, për efekt shpronësimi, pasi të dorëzojnë dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.
9. Pronarët e listës që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilët është bërë shënimi “Leje ndërtimi”, të likuidohen, për efekt shpronësimi, pasi të dorëzojnë dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.
10. Autoriteti Rrugor Shqiptar të kryejë likuidimin e pronarëve, për efekt shpronësimi, në bazë të pikave 4, 5, 6, 7, 8 dhe 9, të këtij vendimi.
11. Brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Krumë, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit që do t’u vihet në dispozicion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe, me fillimin e procesit të likuidimit, të fillojë edhe procesi i kalimit të pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.
12. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Krumë të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së trupit të rrugës mbi hartat kadastrale si dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
13. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Krumë, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MANUALIT TË TARIFAVE PËR SHËRBIME NË PLANIFIKIM TERRITORI, PROJEKTIM, MBIKËQYRJE DHE KOLAUDIM
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 18, të ligjit nr.8402, datë 10.9.1998, “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e manualit të tarifave për shërbime në planifikim territori, projektim, mbikëqyrje dhe kolaudim, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Vendimi nr.444, datë 5.9.1994, i Këshillit të Ministrave, “Për tarifat e studimit, drejtimit, mbikëqyrjes dhe kolaudimit të veprave të ndërtimit”, shfuqizohet.
3. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit dhe të gjitha ministritë e institucionet, që investojnë fonde publike në vepra ndërtimi, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KUOTAT E TRANSFERIMIT TË STUDIMEVE DHE TARIFAT E SHKOLLIMIT PËR STUDENTËT, QË TRANSFEROJNË STUDIMET NGA INSTITUCIONET PRIVATE TË ARSIMIT TË LARTË, TË CILAVE U ËSHTË HEQUR LICENCA, NË INSTITUCIONET PUBLIKE TË ARSIMIT TË LARTË, NË VITIN AKADEMIK 2014 – 2015
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 24, 26, 34, 35 e 75, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Studentët, që ndiqnin studimet në institucionet private të arsimit të lartë, të cilave u është hequr licenca, mund të transferojnë studimet e tyre në institucionet publike të arsimit të lartë në një program studimi të njëjtë apo të ngjashëm me atë që ndiqnin në institucionet nga ku transferohen.
2. Kuotat e pranimit në institucionet publike të arsimit të lartë, në vitin akademik 2014 – 2015, për transferimin e studimeve nga institucionet private të arsimit të lartë, të cilave u është hequr licenca, janë të ndara, si më poshtë vijon:
a) Kuota për transferim në programet e studimit të ciklit të parë dhe programet e integruara të ciklit të dytë 2 800;
b) Kuota për transferim në programet e studimit të ciklit të dytë “Master i Shkencave” apo
“Master i Arteve të Bukura” 281;
c) Kuota për transferim në programet e studimit të ciklit të dytë “Master Profesional” 162;
3. Kuotat e përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi, shpërndahen sipas tabelave nr.1, nr.2 dhe nr.3, përkatësisht, për programet e studimeve të ciklit të parë, programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë dhe programet e studimeve të ciklit të dytë, me kohë të plotë, bashkëlidhur këtij vendimi.
4. Tarifa vjetore e shkollimit përcaktohet në tabelat nr.1, nr.2 dhe nr.3, bashkëlidhur këtij vendimi.
5. Pagesa e tarifës për të gjitha programet e studimit bëhet me këste të përcaktuara nga institucioni publik i arsimit të lartë. Kësti i parë parashikon pagesën në masën 30% të tarifës totale dhe paguhet menjëherë me regjistrimin e studentit në programin përkatës të studimit.
6. Studentët e huaj transferojnë studimet pas plotësimit të kushteve dhe kritereve ligjore për ndjekjen e studimeve në Republikën e Shqipërisë, të cilat bëhen publike pranë institucionit të arsimit të lartë ku kërkojnë të transferojnë studimet.
7. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Agjencia Kombëtare e Provimeve dhe institucionet publike të arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.668, DATË 15.10.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KUOTAT E PRANIMIT DHE TARIFAT E SHKOLLIMIT NË INSTITUCIONET PUBLIKE TË ARSIMIT TË LARTË PËR PROGRAMET E STUDIMEVE TË CIKLIT TË DYTË ME KOHË TË PLOTË, “MASTER PROFESIONAL” DHE “MASTER I SHKENCAVE” APO “MASTER I ARTEVE TË BUKURA”, PËR VITIN AKADEMIK 2014 – 2015”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 34, 36 e 75, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.8098, datë 28.3.1996, “Për statusin e të verbrit”, të ndryshuar, ligjit nr.8626, datë 22.6.2000, “Për statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar, të ligjit nr.7889, datë 14.12.1994, “Për statusin e invalidit”, të ndryshuar, të ligjit nr.8153, datë 31.10.1996, “Për statusin e jetimit”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.10289, datë 17.6.2010, “Për mënyrën e trajtimit ekonomik e financiar dhe për dhënie ndihme të menjëhershme familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe të Policisë së Burgjeve, që humbin jetën në krye ose për shkak të detyrës”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.668, datë 15.10.2014, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Paragrafi i parë, i pikës 1, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Kuotat e përgjithshme të pranimit në institucionet publike të arsimit të lartë për vitin akademik 2014-2015, në programet e studimeve të ciklit të dytë me kohë të plotë, “Master Profesional”, janë 7 223 (shtatë mijë e dyqind e njëzet e tre) kuota gjithsej, të ndara, si më poshtë vijon:”.
2. Shkronja “a”, e pikës 1, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) Kuotat për pranimet e reja 7073”.
3. Shkronja “a”, e pikës 2, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) Kuotat e pranimit për kandidatët brenda territorit të vendit 6653”.
4. Pas shtojcës 1 shtohet shtojca 1/1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
5. Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. Kuotat e pranimit në programet e studimeve të ciklit të dytë me kohë të plotë, “Master Profesional” dhe “Master i Shkencave” apo “Master i Arteve të Bukura”, të parashikuara, përkatësisht, në shkronjat “a”, të pikave 2 dhe 4, të këtij vendimi, të ndara sipas programeve të studimit në institucionet publike të arsimit të lartë, pasqyrohen përkatësisht në tabelat nr.1, nr.1/1 dhe nr.2, bashkëlidhur këtij vendimi.”.
6. Pika 9 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“9. Studentët transferojnë studimet nga një program i ngjashëm studimi i mëparshëm “Master Profesional” në një program tjetër studimi “Master Profesional” apo nga një program studimi “Master i Shkencave” ose “Master i Arteve të Bukura” në një program tjetër studimi “Master i Shkencave” apo “Master i Arteve të Bukura”, në institucionet publike të arsimit të lartë, duke iu nënshtruar tarifës për kredit të programit të studimit, në të cilin ata kanë kërkuar të transferojnë studimet, të përcaktuar në tabelat nr.1, nr. 1/1 dhe nr.2, bashkëlidhur këtij vendimi.”.
7. Pika 14 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“14.Studentët që aplikojnë në institucionet publike të arsimit të lartë për të vazhduar studimet në një program studimi të ciklit të dytë, me kohë të plotë, “Master Profesional” dhe “Master i Shkencave”/“Master i Arteve të Bukura”, për vitin akademik 2014-2015, përzgjidhen në bazë të kritereve të vendosura nga vetë këto institucione.”.
8. Pika 17 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“17. Tarifat e shkollimit për kredit për studentët, që do të regjistrohen në vitin e parë, për të gjitha programet e studimeve të ciklit të dytë me kohë të plotë, “Master Profesional” dhe “Master i Shkencave” apo “Master i Arteve te Bukura”, në vitin akademik 2014 – 2015, pasqyrohen përkatësisht në tabelat nr.1, nr. 1/1 dhe nr.2, bashkëlidhur këtij vendimi.”.
9. Pika 20 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“20. Studentët, që transferojnë studimet në një program studimi të ciklit të dytë me kohë të plotë, “Master Profesional” dhe “Master i Shkencave” apo “Master i Arteve të Bukura”, në institucionet publike të arsimit të lartë, i nënshtrohen tarifës për kredit për program të dytë studimi, sipas tabelave nr.1, nr. 1/1 dhe nr.2, bashkëlidhur këtij vendimi, për lëndët e mbetura në programin e studimit përkatës, në të cilin ata kanë kërkuar të transferojnë studimet.”.
II. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Agjencia Kombëtare e Provimeve dhe institucionet publike të arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
HEQJEN E MASËS SË PEZULLIMIT TË VEPRIMTARISË DISA INSTITUCIONEVE PRIVATE TË ARSIMIT TË LARTË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 45, pika 4, e 63, pika 4, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Heqjen e masës së pezullimit të veprimtarisë disa institucioneve private të arsimit të lartë:
a) Shkolla e Lartë “Instituti Kanadez i Teknologjisë”;
b) Universiteti “Aldent”;
c) Akademia Profesionale e Biznesit;
ç) Shkolla private e arsimit të lartë “Pavarësia”;
d) “ISSAT”;
dh) Shkolla e Lartë “Wisdom University”.
2. Institucionet private të arsimit të lartë, të përmendura në pikën 1, të këtij vendimi, të vijojnë veprimtarinë akademike me të gjitha të drejtat dhe detyrimet që burojnë nga ligji për arsimin e lartë dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.
3. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe institucionet private të arsimit të lartë, të përmendura në pikën 1, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
AGJENCINË KOMBËTARE TË SHOQËRISË SË INFORMACIONIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, më poshtë AKSHI, është institucion publik qendror, person juridik, me seli në Tiranë, dhe financohet nga buxheti i shtetit e të ardhura të tjera të ligjshme.
AKSHI ka objekt të veprimtarisë:
a) ofrimin e shërbimeve të përqendruara on-line për qytetarët përmes teknologjisë së informacionit e komunikimit (TIK) për qeverisjen elektronike;
b) zbatimin e politikave e të strategjive për zhvillimin e sektorit të shoqërisë së informacionit (më poshtë SHI) dhe në veçanti të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (më poshtë TIK);
c) bashkërendimin e programeve në fushën e SHI-së dhe në veçanti të TIK-ut;
ç) nxitjen e investimeve në fushën e SHI-së;
d) promovimin e teknologjive të reja në fushën e SHI-së;
dh) dhënien e kontributit në edukimin dhe nxitjen e përdorimit të TIK-ut nga publiku.
AKSHI ka këto detyra dhe përgjegjësi specifike:
a) Bashkërendon planin e veprimit të strategjisë së shoqërisë së informacionit për ofrimin e shërbimeve on-line të administratës publike.
b) Ofron shërbimet e përqendruara të TIK-ut për administratën publike, përfshirë shërbimet e autentifikimit dhe nënshkrimit elektronik.
c) Përcakton standardet e TIK-ut, bazuar në standardet ndërkombëtare dhe evropiane, të adoptuara, që do të ndiqen nga administrata shtetërore. Këto standarde botohen në Buletinin e Njoftimeve Publike.
ç) Bashkërendon projektet në fushën e SHI-së, që zbatohen në të gjitha institucionet publike.
d) Me qëllim zbatimin efektiv dhe bashkërendimin e projekteve në fushën e TIK-ut, organet dhe institucionet e administratës shtetërore:
i. për projektet ekzistuese dhe/ose të reja për sistemet e TIK-ut që ata duhet të projektojnë, të zhvillojnë dhe/ose të hostojnë, kërkojnë nga AKSHI projektimin dhe zbatimin e tyre, përfshirë aplikacionet dhe pajisjet TIK, mirëmbajtjen, si dhe ofrimin e trajnimeve përkatëse për to;
ii. në të gjitha rastet e tjera, marrin mendimin e AKSHI-t për:
· specifikimet teknike të prokurimeve, të realizuara me fonde të buxhetit të shtetit, hua dhe/ose grante të dhëna nga donatorë;
· procedurat që kanë lidhje me pojektpropozime/projekte të ndryshme, dhurata apo ndihma materiale.
AKSHI jep mendim brenda afatit prej 20 ditësh pune nga data e marrjes së dokumentacionit të sipërpërmendur.
dh) Zhvillon, administron dhe mirëmban infrastrukturën e shërbimeve të qeverisjes elektronike, e cila përbëhet nga:
– Portali unik qeveritar e-albania, platforma qeveritare e ndërveprimit për ofrimin e shërbimeve të qeverisjes elektronike, sipas tipologjisë: qeveri – qeveri, qeveri – qytetar, qeveri – biznes;
– Regjistri Kombëtar i Shërbimeve Qeveritare on-line;
– Regjistri Kombëtar i Bazave të të Dhënave Shtetërore;
– Qendra e të dhënave qeveritare (Datacenter-in qeveritar);
– Qendra e rivendosjes dhe/ose vazhdueshmërisë së punës së datacenter-it qeveritar, në rast fatkeqësie (Disaster Recovery Center);
– Qendra e vazhdueshmërisë së punës (“Business Continuity Center”, BCC) dhe qendra e ruajtjes së informacionit (Back-up Center) me qëllim mundësimin e ofrimit të shërbimeve pa ndërprerje 24 orë në 24 orë për 7 ditë të javës;
– Rrjeti qeveritar (Govnet);
– Çelësi publik dhe menaxhimi i certifikatave digjitale për administratën publike. Me garancinë financiare si institucion qeveritar, AKSHI siguron pajtueshmërinë me nenin 19, të ligjit nr.9880, datë 25.2.2008, “Për nënshkrimin elektronik;
– Sistemi i administrimit të dokumentit elektronik, përfshirë protokollin dhe arkivin elektronik.
e) Rregullon dhe koordinon bazat e të dhënave shtetërore në përputhje me përcaktimet e ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, dhe të akteve nënligjore në zbatim të tij.
ë) Merr pjesë në hartimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillimin e Shoqërisë së Informacionit dhe bashkërendon punën për zbatimin e saj.
f) Merr pjesë në hartimin e dokumentit të politikës së zhvillimit në fushën e komunikimeve elektronike dhe postare.
g) Merr pjesë në përgatitjen e bazës ligjore për zhvillimin e SHI-së dhe të TIK-ut.
gj) Ndihmon në hartimin e ndryshimeve dhe përmirësimin e kuadrit ligjor
dhe nënligjor në fushën e komunikimeve elektronike dhe postare.
h) Mbështet dhe bashkërendon projektet për digjitalizimin e bazës ligjore, të dokumentacionit, të arkivave, të bibliotekave etj.
i) Nxit dhe mbështet zhvillimin e biznesit on-line (e-bussiness).
j) Nxit dhe mbështet politika për zhvillimin e infrastrukturës së TIK-ut dhe të investimeve private në këtë fushë.
k) Promovon përhapjen e internetit dhe aksesin e publikut në shërbimet on-line.
l) Promovon dhe mbështet rritjen e aftësive për përdorimin e kompjuterit dhe të internetit nga qytetarët.
ll) Bashkëpunon në fushën e SHI-së me institucione të tjera shtetërore dhe ndërkombëtare, shoqërinë civile dhe sektorin privat.
m) Mbështet ministrin përgjegjës për komunikimet elektronike dhe postare në hartimin e praktikave sipas ligjit për komunikimin elektronik dhe postar si dhe bashkërendon veprimtarinë e përgatit praktikat në kuadër të detyrimeve, konventave dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, dypalëshe dhe shumëpalëshe, në fushën e komunikimeve elektronike dhe postare.
Ministria përgjegjëse për investimet, gjatë planifikimit të projektbuxhetit të shtetit, duhet të marrë mendimin e AKSHI-t, i cili është organ teknik – këshillimor i institucioneve të përmendura në shkronjën “ç”, të pikës 4, të këtij vendimi, për kërkesat e tyre, për financimin me fonde buxhetore të projekteve në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.
AKSHI drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e kësaj agjencie.
Drejtori i Përgjithshëm i AKSHI-t emërohet, lirohet ose shkarkohet me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit përgjegjës për teknologjinë e informacionit dhe komunikimit.
Marrëdhëniet e punës së punonjësve të kësaj agjencie rregullohen me Kodin e Punës.
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, e krijuar me vendimin nr.248, datë 27.4.2007, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit”, të ndryshuar, vazhdon funksionimin me miratimin e këtij vendimi.
Struktura dhe organika e AKSHI-it, të miratuara sipas vendimit nr.248, datë 27.4.2007, të Këshillit të Ministrave, mbeten në fuqi deri në miratimin e strukturës dhe organikës së re sipas këtij vendimi.
Drejtori i Përgjithshëm i AKSHI-t, i emëruar sipas vendimit nr.248, datë 27.4.2007, të Këshillit të Ministrave, vazhdon detyrën me miratimin e këtij vendimi.
Vendimi nr.248, datë 27.4.2007, i Këshillit të Ministrave, “Për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit”, të ndryshuar, shfuqizohet.
Ngarkohen Kryeministria, ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Ministria e Financave dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes për zbatimin e këtij vendimi.
Në lidhjen nr.1, që përmendet në pikën 3, të vendimit nr.142, datë 12.3.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përshkrimin dhe klasifikimin e pozicioneve të punës në institucionet e administratës shtetërore dhe institucionet e pavarura”, ndarja me numër rendor 18 shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.