Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, 3 shtator 2014
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.845, DATË 27.9.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E FUSHËS SË PËRGJEGJËSISË SHTETËRORE TË MINISTRISË SË MIRËQENIES SOCIALE DHE RINISË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në kreun III, të vendimit nr.845, datë 27.9.2013, të Këshillit të Ministrave, pas pikës 13 shtohet pika 14, me këtë përmbajtje:
“14. Marrjen e masave dhe ndjekjen e çështjeve që kanë të bëjnë me integrimin në jetën e shoqërisë shqiptare të ish-të përndjekurve politikë nga regjimi komunist.”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SLLOVENISË, MBI AKTIVITETIN FITIMPRURËS TË PERSONAVE TË VARUR TË ANËTARËVE TË MISIONEVE DIPLOMATIKE DHE ZYRAVE KONSULLORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 17 e 23, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Sllovenisë, mbi aktivitetin fitimprurës të personave të varur të anëtarëve të misioneve diplomatike dhe zyrave konsullore, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR PUNËSIMIN FITIMPRURËS TË ANËTARËVE TË FAMILJES SË MISIONIT DIPLOMATIK OSE POSTIT KONSULLOR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 17 e 23, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për punësimin fitimprurës të anëtarëve të familjes së misionit diplomatik, ose postit konsullor, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2014, MIRATUAR PËR MINISTRINË E PUNËVE TË BRENDSHME, PËR PROGRAMIN “SHËRBIMI I GJENDJES CIVILE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.1998, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ministrisë së Punëve të Brendshme, në buxhetin e miratuar për vitin 2014, në programin “Shërbimi i Gjendjes Civile”, t’i shtohet fondi 7 000 000 (shtatë milionë) lekë, për mbulimin e shpenzimeve të shërbimit të konsulencës së projektit “Ndërtimi i sistemit të ruajtjes së informacionit dhe vazhdueshmërisë së punës së Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile”.
2. Ky fond të përballohet nga fondi i kontingjencës për vitin 2014.
3. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA ZGJERIMI I VARREZAVE EKZISTUESE TË QYTETIT, NDËRTIMI I NYJES SË RRETHRROTULLIMIT LUZ, SI DHE MBROJTJA NGA PËRMBYTJET E LUMIT ZEZË, TË BASHKISË SË FUSHË – KRUJËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga zgjerimi i varrezave ekzistuese të qytetit, ndërtimi i nyjes së rrethrrotullimit Luz, si dhe mbrojtja nga përmbytjet e lumit Zezë, të bashkisë së Fushë – Krujës, sipas tabelave që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të bashkisë së Fushë-Krujës dhe pasuritë, përkatësisht, 2000 (dy mijë) m² tokë bujqësore, për zgjerimin e varrezave ekzistuese të qytetit, 5 731 (pesë mijë e shtatëqind e tridhjetë e një) m² tokë bujqësore, për ndërtimin e nyjes së rrethrrotullimit Luz, dhe 30 (tridhjetë) m² tokë bujqësore e 2 (dy) m2 sipërfaqe ndërtese, për mbrojtjen nga përmbytjet e lumit Zezë, të bashkisë Fushë – Krujë, regjistrohen në emër të kësaj bashkie.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, në shumat, si më poshtë vijon:
a) 1 072 000 (një milion e shtatëdhjetë e dy mijë) lekë, për zgjerimin e varrezave ekzistuese të qytetit;
b) 2 601 874 (dy milionë e gjashtëqind e një mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e katër) lekë, për ndërtimin e nyjes së rrethrrotullimit Luz;
c) 227 460 (dyqind e njëzet e shtatë mijë e katërqind e gjashtëdhjetë) lekë, për mbrojtjen nga përmbytjet e lumit Zezë, të bashkisë së Fushë – Krujës.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 3 901 334 (tre milionë e nëntëqind e një mijë e treqind e tridhjetë e katër) lekësh, të përballohet nga të ardhurat e bashkisë së Fushë-Krujës, planifikuar në buxhetin e saj.
5. Shpenzimet procedurale të përballohen nga bashkia e Fushë-Krujës.
6. Afati i përfundimit të procedurës së shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
7. Afati i përfundimit të punimeve të objektit në bashkinë e Fushë-Krujës të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga kjo bashki.
8. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe bashkia e Fushë-Krujës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
DHËNIEN NË PËRDORIM TË PËRKOHSHËM, NGA MINISTRIA E MBROJTJES MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, TË OBJEKTIT NR.42, ME EMËRTIM “INSTITUTI I STUDIMEVE DHE PROJEKTIMEVE TË MBROJTJES”, PËR SHKOLLËN SHQIPTARE TË ADMINISTRATËS PUBLIKE, DHE SHFUQIZIMIN E VENDIMIT NR.786, DATË 14.11.2012, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, 10 e 12, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave.
V E N D O S I:
1. Dhënien në përdorim të përkohshëm, për një periudhë 40-vjeçare, të objektit nr.42, me emërtim “Instituti i Studimeve dhe Projektimeve të Mbrojtjes”, nga Ministria e Mbrojtjes Ministrisë së Punëve të Brendshme, për Shkollën Shqiptare të Administratës Publike, sipas formularit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ministrisë së Punëve të Brendshme i ndalohet ta ndryshojë destinacionin e pronës, të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë ose t’ua japë në përdorim të tretëve. Në rast përfundimi të veprimtarisë së Shkollës Shqiptare të Administratës Publike, para afatit të përcaktuar në këtë vendim, objekti dhe trualli funksional t’i kthehen Ministrisë së Mbrojtjes.
3. Objekti nr.36, me emërtim “Ish-Kolegji Turk”, dhe trualli funksional, pjesë e pronës nr.12, me emërtim “Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes”, Tiranë, me sipërfaqe të përgjithshme 7 594 (shtatë mijë e pesëqind e nëntëdhjetë e katër) m2, t’i kthehen në përdorim Ministrisë së Mbrojtjes.
4. Vendimi nr.786, datë 14.11.2012, i Këshillit të Ministrave, “Për dhënien në përdorim të përkohshëm, nga Ministria e Mbrojtjes Ministrisë së Brendshme, të mjediseve të objektit nr.36, me emërtim “Ish-Kolegji Turk”, dhe të truallit funksional, pjesë e pronës nr.12, me emërtim “Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes”, Tiranë, me sipërfaqen e përgjithshme 7 594 (shtatë mijë e pesëqind e nëntëdhjetë e katër) m2, për Shkollën Shqiptare të Administratës Publike”, shfuqizohet.
5. Ngarkohen ministri i Punëve të Brendshme, ministri i Mbrojtjes dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë të ndjekin procedurat e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.250, DATË 24.4.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË RENDIT PUBLIK”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, 10, 12 e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Heqjen nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, bashkëlidhur vendimit nr.250, datë 24.4.2003, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të disa objekteve të ndodhura në pronën me emërtim “Qendra e Formimit Policor, Sauk – Tiranë”, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, sipas formularëve bashkëlidhur.
Lista me 7 (shtatë) objekte, që i bashkëlidhet këtij vendimi, përbëhet nga 1 (një) fletë.
2. Ngarkohen ministri i Punëve të Brendshme, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë të ndjekin procedurat e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.848, DATË 21.10.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I LINJËS 400 kV, TIRANË 2 – ELBASAN 2, QARKU I ELBASANIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.848, datë 21.10.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
1. Pikat 3 dhe 4 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në lekë, në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse të kompensimit, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për sipërfaqen e përgjithshme 5853.7 (pesë mijë e tetëqind e pesëdhjetë e tre pikë shtatë) m², vlerësuar në shumën e përgjithshme prej 139 296 599.9 (njëqind e tridhjetë e nëntë milionë e dyqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e pesëqind e nëntëdhjetë e nëntë pikë nëntë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 139 296 599.9 (njëqind e tridhjetë e nëntë milionë e dyqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e pesëqind e nëntëdhjetë e nëntë pikë nëntë) lekësh, të përballohet nga fondet e “OST” sh.a.-së.”.
2. Në tabelën e të shpronësuarve, bashkëlidhur vendimit, bëhen këto ndryshime:
· Sipërfaqja për t’u shpronësuar, e pronës nr.34/1/5, e përcaktuar në nënndarjen nr.32, bëhet 362.9 m2.
· Sipërfaqja për t’u shpronësuar, e pronës nr.545/4/2, e përcaktuar në nënndarjen nr.29, bëhet 208.1 m2.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.1196, DATË 3.12.2009, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR SHKODËR – HANI I HOTIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.1196, datë 3.12.2009, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
1. Pikat 3, 4 dhe 5 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për sipërfaqen 7 818 (shtatë mijë e tetëqind e tetëmbëdhetë) m², tokë truall, me vlerë 21 534 765 (njëzet e një milionë e pesëqind e tridhjetë e katër mijë e shtatëqind e gjashtëdhjetë e pesë) lekë, për sipërfaqen 81 503 (tetëdhjetë e një mijë e pesëqind e tre) m², tokë arë, me vlerë 22 199 412 (njëzet e dy milionë e njëqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e katërqind e dymbëdhjetë) lekë dhe për sipërfaqen 3 253 (tre mijë e dyqind e pesëdhjetë e tre) m2, tokë pemëtore, me vlerë 647 347 (gjashtëqind e dyzet e shtatë mijë e treqind e dyzet e shtatë) lekë.
Vlera e përgjithshme e shpronësimit është 44 381 524 (dyzet e katër milionë e treqind e tetëdhjetë e një mijë e pesëqind e njëzet e katër) lekë.
4. Shpenzimet procedurale, në shumën 2 140 000 (dy milionë e njëqind e dyzet mijë) lekë, të përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
5. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, sipas pikës 3, të këtij vendimi, të përballohet përkatësisht:
a) Vlera 40 452 866 (dyzet milionë e katërqind e pesëdhjetë e dy mijë e tetëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë) lekë, nga llogaria e veçantë e Ministrisë së Financave, në Bankën e Shqipërisë, “Fondi i shpronësimeve”;
b) Vlera 3 928 658 (tre milionë e nëntëqind e njëzet e tetë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë e tetë) lekë nga buxheti i vitit 2014, zëri “Detyrimet e prapambetura (detyrimet e infrastrukturës)”.
2. Në tabelën e të shpronësuarve, bashkëlidhur vendimit, të dhënat në nënndarjet nr.153, nr.234, nr.276, nr.311, nr.317 dhe nr.322, ndryshohen sipas tabelave që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.827, DATË 11.6.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR HAPJEN, PRANË UNIVERSITETIT “ALEKSANDËR MOISIU”, DURRËS, TË FAKULTETIT TË STUDIMEVE TË INTEGRUARA ME PRAKTIKËN (FASTIP) DHE PËR MËNYRËN E FUNKSIONIMIT TË TIJ NË PERIUDHËN KALIMTARE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 8, 9, 41 dhe 42, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në pikën 2 të vendimit nr.827, datë 11.6.2008, të Këshillit të Ministrave, afati nga “…6 vjet (2008 – 2014)…” bëhet “… 7 vjet (2008 – 2015) … ”.
2. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË HUASË, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT PËR RIMËKËMBJEN E SEKTORIT TË ENERGJISË ELEKTRIKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, dhe të nenit 26, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe të ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit për rimëkëmbjen e sektorit të energjisë elektrike, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.