Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 04 Nëntor 2020:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PLANIT TË MENAXHIMIT TË BASENIT UJOR DRIN – BUNË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “d”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e planit të menaxhimit të basenit ujor Drin – Bunë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Zbatimi i planit të menaxhimit të basenit ujor Drin – Bunë fillon në vitin 2021.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NDËRTIMIT TË CENTRALIT GJENERUES TË ENERGJISË ELEKTRIKE EOLIKE DHE VEPRAVE NDIHMËSE NË ZONËN E SEMANIT, FSHATI GRYKË, NJËSIA ADMINISTRATIVE TOPOJË, BASHKIA FIER, QARKU FIER, NGA SHOQËRIA “ALBANIAN GENERAL ELETRICITY”, SH.A.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 49, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.7/2017, datë 2.2.2017, “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike eolike dhe veprave ndihmëse në zonën e Semanit, fshati Grykë, Njësia Administrative Topojë, Bashkia Fier, Qarku Fier, nga shoqëria “Albanian General Eletricity”, sh.a., me elementet, si më poshtë vijon:
a) Emri i aplikuesit: “Albanian General Eletricity”, sh.a.;
b) Numri i identifikimit personal të zyrës së taksave NIPT/NUIS: L41706021V;
c) Tipi i centralit: Eolik;
ç) Kapaciteti i instaluar: 3 MW;
d) Numri i njësive gjeneruese të burimit gjenerues të energjisë dhe kapaciteti i tyre në MW: 1 (një) turbinë me kapacitet 3 MW;
dh) Afati i pritshëm i vënies në punë: Koha për ndërtimin dhe vënien në operim të parkut eolik do të jetë brenda 24 (njëzet e katër) muajve nga marrja e lejes së ndërtimit;
e) Vendndodhja e burimit gjenerues të energjisë: zona e Semanit, fshati Grykë, Njësia Administrative Topojë, Bashkia Fier, Qarku Fier;
ë) Afati i miratimit të ndërtimit: 48 (dyzet e tetë) muaj nga hyrja në fuqi e këtij miratimi;
f) Koordinatat e tokës, sipas aneksit 1 që i bashkëlidhet këtij vendimi;
g) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe institucione të tjera të autorizuara prej saj kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3- (tre) mujore, gjatë realizimit e vënies në punë, me synim që të verifikojë se ecuria e punimeve, cilësia dhe konformiteti të jenë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit e të dokumentacionit të projektit;
gj) Shoqëria “Albanian General Eletricity”, sh.a., ka detyrimin që:
i. të paraqesë periodikisht, çdo 3 (tre) muaj, pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, informacion për ecurinë e ndërtimit të centralit eolik;
ii. të respektojë kushtet e cituara në lejet, licencat e autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare;
iii. të ketë detyrimin e dorëzimit të sigurimit të kontratës, në masën jo më pak se 5 (pesë) % të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës ndërmjet shoqërisë “Albanian General Eletricity”, sh.a., dhe ministrisë. Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat e detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet, në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera, që lidhen me zbatimin e saj;
iv. t’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë, sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 (dy) % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare, “Albanian General Eletricity”, sh.a., duhet t’i derdhë tërësisht në buxhetin e shtetit;
v. të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.
2. Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
EMËRIMIN E DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË AGJENCISË SHTETËRORE PËR SHPRONËSIMIN
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të kreut III, të vendimit nr.395, datë 13.5.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e organizimit e të funksionimit të Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Erlis Hereni emërohet drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
NDIHMËN FINANCIARE TË DISA PREJ KATEGORIVE KRYESORE TË NDËRMARRJEVE, TË CILAT ZBATOJNË PROTOKOLLET E SIGURISË NË KUADËR TË PARANDALIMIT E TË KONTROLLIT TË PANDEMISË COVID-19
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të neneve 11 e 17, të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, dhe të pikës 5, të nenit 41, të ligjit nr.45/2019, “Për mbrojtjen civile”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ky vendim synon dhënien e ndihmës financiare për ndërmarrjet e kategorizuara të vogla dhe të mesme në sektorin e prodhimit (në vijim, “ndërmarrjet”), sipas nenit 4, të ligjit nr.8957, datë 17.10.2002, “Për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”, të ndryshuar, sipas kodeve REV 2 NACE, në aneksin nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ndihma financiare shtrihet për periudhën nëntor-dhjetor 2020 dhe u jepet ndërmarrjeve për të mbuluar një pjesë të shpenzimeve, për të zbatuar protokollet në kuadër të pandemisë COVID-19, bazuar në numrin e të punësuarve.
3. Skema jep ndihmë financiare të drejtpërdrejtë për ndërmarrjet, që të mbulojë një pjesë të shpenzimeve, për të zbatuar protokollet në kuadër të pandemisë COVID-19, bazuar në numrin e të punësuarve.
4. Skema mbështetëse llogaritet e jepet për ndërmarrjet, të punësuarit e të cilave figurojnë në listëpagesat e përditësuara të tatimpaguesit, për muajin qershor 2020, të dorëzuara përpara datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
5. Ndërmarrja për çdo të punësuar në më tepër se një listëpagesë përfiton vetëm një herë ndihmën financiare, sipas këtij vendimi. Në rastet kur i punësuari është në më tepër se një listëpagesë dhe kontributet paguhen nga të dyja ndërmarrjet, ndihmën financiare e merr ndërmarrja, e cila aplikon e para. Ndërmarrja që nuk aplikon e para, nuk e përfiton ndihmën financiare vetëm për të punësuarin që është në më tepër se në një listëpagesë. Nuk konsiderohen të punësuar individët e deklaruar me 0 (zero) lekë në listëpagesë.
6. Ndërmarrjeve u jepet si ndihmë financiare një shumë fikse, në masën 4 000 (katër mijë) lekë për çdo punonjës, e llogaritur për dymujorin nëntor-dhjetor 2020, respektivisht 2 000 (dy mijë) lekë për çdo muaj.
7. Nuk përfitojnë nga ndihma financiare ndërmarrjet, të cilat nuk rezultojnë aktive në datën e hyrjes në fuqi të vendimit e që nuk kanë dorëzuar deklaratë vjetore për vitin 2019 (tatim i fitimit ose tatim i thjeshtuar mbi fitimin).
8. Aplikimi për përfitimin e ndihmës financiare kryhet nga ana e ndërmarrjeve në sistemim e-filling, duke deklaruar:
a) NIPT-in e përfituesit;
b) numrin total të punonjësve për të cilët përfiton subjekti;
c) bankën, ku përfituesi ka llogarinë rrjedhëse bankare;
ç) IBAN-in e llogarisë bankare.
9. Me qëllim shmangien e abuzimit, strukturat e administratës tatimore, duke përdorur analizën e riskut, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e aplikimit, mund të kryejnë edhe verifikime të ndërmarrjeve përfituese, nëse përmbushen kriteret. Lista e ndërmarrjeve përfituese publikohet në website-in e administratës tatimore.
10. Në zbatim të legjislacionit ekzistues, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i paraqet Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit (strukturës përgjegjëse për thesarin në degë) dokumentacionin përkatës për kryerjen e pagesave të detajuara, sipas bankave të nivelit të dytë, të cilat i informon për listën/listat e ndërmarrjeve përfituese të skemës mbështetëse, me të dhënat e mëposhtme:
a) NIPT-in e përfituesit;
b) Numrin total të punonjësve për të cilët përfiton subjekti;
c) Bankën, ku përfituesi ka llogarinë rrjedhëse bankare;
ç) IBAN-in e llogarisë bankare.
11. Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit, në zbatim të procedurave ekzistuese, menjëherë, me paraqitjen e urdhërshpenzimit nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, kryen pagesat në total për çdo bankë të nivelit të dytë dhe kjo e fundit, bazuar në listën përmbledhëse të mësipërme të paraqitur nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, kryen transfertat në llogaritë bankare të ndërmarrjeve përfituese sipas këtij vendimi.
12. Ndihma financiare për ndërmarrjet përfituese mbulon periudhën nëntor-dhjetor 2020 dhe përfitohet vetëm një herë si shumë e vetme.
13. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, deri në masën 187 092 000 (njëqind e tetëdhjetë e shtatë milionë e nëntëdhjetë e dy mijë) lekë, përballohen nga zëri “Nxitja e punësimit”, në programin 10550, “Tregu i punës”, në buxhetin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, miratuar për vitin 2020.
14. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.349, DATË 12.6.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E MASAVE MBËSHTETËSE PËR NXITJEN E PËRDORIMIT TË ENERGJISË ELEKTRIKE NGA BURIMET E RINOVUESHME TË DIELLIT DHE ERËS, SI DHE TË PROCEDURAVE PËR PËRZGJEDHJEN E PROJEKTEVE PËR PËRFITIMIN E TYRE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 1 e 2, të nenit 8, të ligjit nr.7/2017, “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.349, datë 12.6.2018, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në kreun I bëhen këto ndryshime:
a) Shkronja “k”, e pikës 3, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“k) “Tarifa tavan”, është tarifa tavan për procedurën konkurruese që përcaktohet nga ministri, duke u bazuar në tarifën e miratuar nga ERE për të njëjtën teknologji, llojin dhe kapacitetin e impiantit, koston e investimit të teknologjisë së ngjashme, si dhe tarifave të rezultuara në ankande për kapacitete të ngjashme në Shqipëri dhe vende të tjera.”;
b) Pas shkronjës “l”, të pikës 3, shtohen shkronjat “ll”, “m”, “n” dhe “nj”, me këtë përmbajtje:
“ll) “Kontrata për zhvillimin e projektit”, është kontrata për zhvillimin e projektit, e lidhur ndërmjet ofertuesit të përzgjedhur dhe autoritetit kontraktor.
m) “Marrëveshja përfundimtare”, marrëveshja e nënshkruar nga autoriteti kontraktor, ofertuesi i përzgjedhur dhe shoqëria e projektit, që konfirmon përmbushjen e gjitha kushteve të përcaktuara në kontratën për zhvillimin e projektit dhe që e bën efektive.
n) “Procedura konkurruese me vendndodhje të përcaktuar”, është procedura konkurruese e organizuar sipas rregullave të parashikuara në krerët II dhe III, të këtij vendimi, që mundëson dhënien e masave mbështetëse për impiante diellore dhe/ose nga era (eolike), me vendndodhje dhe kapacitet të instaluar, të përcaktuar nga autoriteti kontraktor.
nj) “Procedura konkurruese me vendndodhje të papërcaktuar”, është procedura konkurruese e organizuar sipas rregullave të parashikuara në kreun III/1, të këtij vendimi, që mundëson dhënien e masave mbështetëse për impiante diellore me kapacitet të instaluar nga 5 MW deri në 10 MW dhe/ose pa kufizim kapaciteti për impiante nga era (eolike), me vendndodhje të propozuar nga ofertuesi.”.
c) Shkronja “b”, e pikës 5, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“b) Në rastin e procedurës konkurruese me vendndodhje të përcaktuar, kalimin në administrim të autoritetit kontraktor të pasurive të paluajtshme për realizimin dhe shfrytëzimin e projektit dhe vënien e tyre në dispozicion të shoqërisë së projektit për të gjithë kohëzgjatjen e tij, pa pagesë.”.
2. Pas kreut III shtohet kreu III/I, me këtë përmbajtje:
“KREU III/1
ZHVILLIMI I PROCESIT KONKURRUES PËR PËRZGJEDHJEN E PROJEKTEVE ME PROCEDURË KONKURRUESE ME VENDNDODHJE TË PAPËRCAKTUAR
1. Ministri autorizon fillimin e procesit konkurrues për përzgjedhjen e projekteve me procedurë konkurruese me vendndodhje të papërcaktuar, duke përcaktuar të dhënat, si më poshtë vijon:
a) Kapacitetin total, në përputhje me Planin Kombëtar të Veprimit për Burimet e Rinovueshme, që mund të ofrohet në këtë procedurë të posaçme konkurruese;
b) Kapacitetin e instaluar që mund të ketë çdo projekt që do të përfitojë masat mbështetëse, të cilat, për projektet fotovoltaike nuk mund të jenë më të vogla se 5 MW dhe më të mëdha se 10 MW;
c) Llojin e teknologjisë së projekteve;
ç) Operatorin përgjegjës të ngarkuar me detyrimin e shërbimit publik për blerjen e energjisë;
d) Dokumentet e nevojshme për zhvillimin e procesit konkurrues;
dh) Kriteret e vlerësimit të ofertave;
e) Kërkesat për caktimin e vendndodhjes së projektit.
3. Ministri mund të përcaktojë të organizojë procedurën konkurruese me një fazë ose me dy faza, në përputhje me kërkesat e mëposhtme:
a) Në procesin me një fazë, komisioni i posaçëm harton dhe publikon të gjitha dokumentet e procedurës konkurruese në një fazë;
b) Në procesin me dy faza, komisioni përcakton listën e dokumenteve për fazën e kërkesave kualifikuese, që përfshijnë kërkesat teknike dhe financiare për parakualifikimin e ofertuesve. Në fazën e dytë komisioni përcakton kërkesat për fazën e propozimit, gjatë së cilës ofertuesit e parakualifikuar në fazën e parë do të ftohen për të paraqitur propozimin e detajuar teknik dhe financiar, në përputhje me kriteret e përcaktuara nga komisioni.
3. Ministri ngre komisionin e posaçëm, i cili ka këto kompetenca:
a) Harton dokumentet e procesit konkurrues, që specifikojnë mënyrën e zhvillimit të procesit konkurrues për përfitimin e masave mbështetëse;
b) Harton kritere të veçanta të aplikimit, parakualifikimit dhe të kualifikimit, bazuar në përcaktimet e pikës 6, të kreut II;
c) Harton metodologjinë e vlerësimit të ofertave, e cila është pjesë e dokumenteve të procesit konkurrues;
ç) Vlerëson ofertat e ofertuesve bazuar në kriteret e parakualifikimit, kualifikimit dhe vlerësimit të ofertës;
d) Harton raportin përfundimtar të vlerësimit dhe e paraqet për miratim pranë ministrit;
dh) Çdo funksion tjetër bazuar në parashikimet e këtij vendimi.
4. Dokumentet e procesit të posaçëm konkurrues, ndër të tjera, përmbajnë, si më poshtë vijon:
a) Ftesën për ofertë, e cila bëhet publike dhe publikohet së paku në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare, si dhe në faqen e internetit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë;
b) Udhëzuesin për pjesëmarrës në proces;
c) Sigurimin e ofertës, i cili lëshohet nga një institucion bankar apo financiar i besueshëm, në vlerën dhe formatin e parashikuar në dokumentet e procesit konkurrues;
ç) Afatin e vlefshmërisë së ofertës;
d) Pagesën e tarifës së pjesëmarrjes në proces;
dh) Kriteret bazë të aplikimit, parakualifikimit dhe të kualifikimit;
e) Kriteret e vlerësimit të ofertave;
ë) Afatin e paraqitjes së ofertave, i cili në çdo rast nuk do të jetë më pak se 30 (tridhjetë) ditë;
f) Çdo dokument tjetër që do të vlerësohet nga komisioni i posaçëm në përmbushje të kritereve të kualifikimit;
g) Detyrimin që për një procedurë konkurruese, i njëjti subjekt nuk mund të sjellë më shumë se një ofertë.
5. Dokumentet e procesit konkurrues duhet të përfshijnë edhe që:
a) tarifa e ofertuar nga subjektet duhet të jetë në euro/MWh dhe të jetë e nivelizuar dhe e pandryshuar për një periudhë deri në 15 (pesëmbëdhjetë) vjet;
b) tarifa e ofertuar nga subjektet nuk duhet të jetë më e lartë se tarifa tavan e përcaktuar nga ministri.
6. Për të siguruar që ofertuesit kanë kapacitetin e nevojshëm për realizimin e projektit, komisioni i posaçëm do të bazohet në kriteret bazë të aplikimit dhe të kualifikimit, në të cilat, ndër të tjera, përfshihen:
a) Kriteret ligjore:
i. Në rast të bashkimit të shoqërive, ofertat e dorëzuara duhet të shoqërohen me një marrëveshje të përbashkët të ofertimit ndërmjet anëtarëve të bashkimit;
ii. Vërtetime për shlyerjen e detyrimeve tatimore, pagesën e sigurimeve shoqërore dhe që shoqëria nuk është në proces falimentimi dhe/ose likuidimi;
iii. Shoqëria apo bashkimi i shoqërive, si dhe drejtuesit e shoqërisë ofertuese ose e ndonjë prej shoqërive pjesëmarrëse në bashkimin e shoqërive ofertuese nuk duhet të jenë në ndjekje penale ose të jenë dënuar me një vendim të formës së prerë;
b) Kriteret financiare:
i. Çdo dokumentacion i nevojshëm që vërteton gjendjen financiare të kompanisë dhe provon aftësinë e saj financiare për të realizuar projektin, sipas dokumenteve të procesit konkurrues;
ii. Pasqyrat financiare, të audituara nga audituesit e licencuar, të tri viteve të fundit të veprimtarisë dhe të depozituara në organet tatimore ose, kur shoqëria ka më pak se tre vjet që është krijuar, për periudhën e ekzistencës së saj, si dhe çdo dokumentacion tjetër financiar që provon aftësitë financiare për të realizuar projektin e propozuar, shoqëruar prej vërtetimit të licencës së audituesit.
c) Kriteret teknike:
i. Shoqëria ofertuese ose bashkimi i shoqërive ofertuese duhet të provojnë vetë ose me anë të një marrëdhënieje bashkëpunimi përvojë në të shkuarën për realizimin dhe/ose shfrytëzimin e centraleve të prodhimit të energjisë elektrike prej burimeve të rinovueshme, në përputhje me dokumentet e procesit konkurrues;
ii. Në varësi të teknologjisë së përzgjedhur, modulet e paneleve diellore apo të turbinave eolike, inverterat dhe komponentët e tjerë elektrikë dhe elektro-mekanikë, si dhe lidhjet elektrike dhe ndërfaqësimet software dhe hardware të jenë në përputhje me kërkesat e rrjetit, si dhe të sigurojnë ofrimin e të dhënave reale metrike diellore dhe/ose eolike lidhur me prodhimin e pritshëm vjetor të energjisë;
iii. Aparaturat duhet të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare, si dhe kriteret e veçanta të përcaktuara nga komisioni i posaçëm.
ç) Kritere të tjera të vlerësimit të ofertës:
i. Ofertuesit duhet të ofrojnë një tarifë të nivelizuar 15-vjeçare në euro/MWh, e cila do të jetë pjesë e kritereve të vlerësimit;
ii. Ofertuesit duhet që në momentin e aplikimit të kenë paraqitur dokumentacionin ligjor, në përputhje me dispozitat e Kodit Civil, që provon marrëdhënien afatgjatë mbi tokën/pasurinë që do të përdoret për ndërtimin dhe operimin e burimit gjenerues;
iii. Ofertuesi duhet të paraqesë propozimin për lidhjen me rrjetin, duke deklaruar se do të mbulojë me fondet e saj çdo kosto për ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme për lidhjen e rrjetit deri në pikën e autorizuar nga operatori i rrjetit.
d) Kritere për përcaktimin e vendndodhjes:
Vendndodhja e propozuar duhet të jetë në tokë të pafrytshme ose toka që janë jo të kategorizuara si të frytshme.
7. Të drejtën për të aplikuar e ka çdo shoqëri ose bashkim shoqërish ofertuese që paguan tarifën e pjesëmarrjes në procesin konkurrues, sipas kushteve të specifikuara në dokumentet e procesit konkurrues.
8. Ofertat e ofertuesve do të vlerësohen sipas kritereve të kualifikimit të ofertës të përcaktuara në pikën 5, të këtij kreu, bazuar në një metodologji të vlerësimit të ofertave, të përbërë me pikë të ndara sipas secilit kriter, që është pjesë e dokumenteve të procesit konkurrues.
9. Metodologjia e vlerësimit të ofertave duhet të parashikojë që çmimi i ofruar nga subjektet për blerjen e energjisë të zërë së paku 50% të pikëve.
10. Për secilin prej kritereve të vlerësimit, ofertuesit duhet të sigurojnë dokumentet e nevojshme, sipas përcaktimeve në dokumentet e procesit konkurrues.
11. Kur kapaciteti i përbashkët i ofertave që përmbushin kriteret e kualifikimit, sipas këtij vendimi, është më i ulët sesa kapaciteti i ofruar nga ministria, komisoni i posaçëm shpall të gjithë ofertuesit që përmbushin kriteret e kualifikimit si ofertues të përzgjedhur.
12. Kur kapaciteti i përbashkët i ofertave që përmbushin kriteret e kualifikimit është më i lartë sesa kapaciteti i ofruar nga ministria, komisioni i posaçëm bën përllogaritjen e pikëve për ofertuesit dhe renditjen e tyre sipas rezultatit më të lartë, duke shpallur edhe ofertuesit e përzgjedhur.
13. Në përfundim të vlerësimit të ofertave, komisioni i posaçëm paraqet për miratim pranë ministrit raportin përfundimtar të vlerësimit.
14. Ministri autorizon negociimin dhe nënshkrimin e kontratës për zhvillimin e projektit me ofertuesit e përzgjedhur, që përmban të gjitha elementet për zbatimin e suksesshëm të projektit.
15. Ofertuesi i përzgjedhur duhet të formojë një shoqëri për projektin për të hyrë në marrëveshje përfundimtare, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.
16. Para nënshkrimit të marrëveshjes përfundimtare, ofertuesi i përzgjedhur/shoqëria e projektit duhet të paraqesë garancinë e kontratës, sipas përcaktimeve të dokumenteve të procesit konkurrues.
17. Ofertuesi i përzgjedhur duhet të garantojë respektimin e rregullave të tregut, si dhe të kërkesave teknike të rrjetit dhe balancimit të ngarkesës në Shqipëri.
II. Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT TEK AGJENCIA SHTETËRORE E KADASTRËS TË NJË PJESE TË PASURIVE NR.23/69, NR. 23/70 E NR.23/270, NDODHUR NË ZONËN KADASTRALE 2315, DHE PËR NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.448, DATË 16.6.2005, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI ZYRËS QENDRORE TË REGJISTRIMIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, shkronja “c”, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin e përgjegjësisë së administrimit tek Agjencia Shtetërore e Kadastrës të truallit 232.06 (dyqind e tridhjetë e dy pikë zero gjashtë) m2, pjesë e pasurisë nr.23/69, zona kadastrale 2315, të truallit 389 (treqind e tetëdhjetë e nëntë) m2, pjesë e pasurisë nr.23/70, zona kadastrale 2315, dhe të truallit 93.5 (nëntëdhjetë e tre pikë pesë) m2, pjesë e pasurisë nr.23/270, zona kadastrale 2315, sipas hartës kadastrale, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Kalimin në përgjegjësi administrimi të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës të sipërfaqes 262.78 (dyqind e gjashtëdhjetë e dy pikë shtatëdhjetë e tetë) m2, në katin përdhes, dhe të sipërfaqes 262.78 (dyqind e gjashtëdhjetë e dy pikë shtatëdhjetë e tetë) m2, në katin e parë, të pasurisë nr.23/70, zona kadastrale 2315, sipas formularit dhe planimetrive, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
3. Pronat e përcaktuara në pikat 1 e 2, të këtij vendimi, i shtohen listës së pronave të paluajtshme shtetërore, bashkëlidhur vendimit nr.448, datë 16.6.2005, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme, shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme”, të ndryshuar.
4. Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLAVE TEKNIKE E TË KRITEREVE TË SIGURISË, PJESA E GJASHTË, PËR KËRKESAT MINIMALE TË PROJEKTIMIT TEKNIK, TË NDËRTIMIT DHE TË OPERIMIT TË SISTEMEVE TË TRANSMETIMIT E TË SHPËRNDARJES SË GAZIT NATYROR, TË INSTALIMEVE TË GNL-SË, TË HAPËSIRAVE TË DEPOZITIMIT DHE TË LINJAVE DIREKTE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 10, të ligjit nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullave teknike e të kritereve të sigurisë, pjesa e gjashtë, për kërkesat minimale të projektimit teknik, të ndërtimit dhe të operimit të sistemeve të transmetimit e të shpërndarjes së gazit natyror, të instalimeve të GNL-së, të hapësirave të depozitimit dhe të linjave direkte, për operimin e sigurt të sistemeve të gazit natyror, sipas teksteve bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Në pjesën e gjashtë të rregullave teknike për industrinë e gazit të përfshihen rregulla për sistemin e transmetimit e shpërndarjes, referuar kodeve të praktikave në vazhdim, si më poshtë vijon:
a) Rregullat teknike për industrinë e gazit, kodi i praktikave G 465-1(A), maj 2019 “Inspektimi i linjave të tubacioneve të gazit me një presion operimi deri në 16 bar.”;
b) Rregullat teknike për industrinë e gazit, udhëzuesi teknik G 465-3, maj 2019 “Rrjedhjet në tubacionet e gazit në rrjetet e shpërndarjes të gazit – Lokalizimi, klasifikimi, trajtimi i rrjedhjeve.”;
c) Rregullat teknike për industrinë e gazit, udhëzuesi teknik G 465-4, maj 2019 “Teknologjia e pajisjeve për inspektimin e rrjedhjeve të linjave të gazsjellësit dhe të instalimeve të impianteve të gazit.”;
ç) Rregullat teknike për industrinë e gazit, kodi i praktikave G 614-1, tetor 2014 “Linjat e tubacioneve të gazit në natyrë, në zonat industriale mbas pikës së shpërndarjes, projektimi, instalimi, testimi dhe vënia në punë.”;
d) Rregullat teknike për industrinë e gazit, kodi i praktikave G 614-2, tetor 2014 “Linjat e gazit të instaluara mbi tokë, në ambientet e zonës industriale, pas pikës së shpërndarjes; operimi dhe mirëmbajtja.”;
dh) Rregullat teknike për industrinë e gazit, kodi i praktikave G 685, nëntor 2008 “Faturimi i gazit.”;
e) Rregullat teknike për industrinë e gazit, kodi i praktikave G 685-B1, qershor 2010 “Suplementi nr.1 i kodit të praktikave G 685 “Faturimi i gazit”; Aplikimi i kërkesave të kodit G 685 nga aktorët e tregut për proceset e biznesit dhe ndryshimit të furnitorëve (GeLIGas) në pikat e matjeve me ngarkesë standard.”;
ë) Rregullat teknike për industrinë e gazit, kodi i praktikave GË 28-B1, prill 2018 “Vlerësimi i rrezikut të korrozionit të shkaktuar nga rryma alternative në linjat e tubacioneve prej çeliku me mbrojtje katodike dhe masat mbrojtëse; shtojca 1: Kriteret e modifikuara për tensionin e alternuar dhe potencialin On.”;
f) Rregullat teknike për industrinë e gazit, kodi i praktikave GË 330, nëntor 2000, “Saldatorët për polietilenin (PE); Programi i trajnimit dhe i testimit, Saldimi i tubave dhe komponentëve të tubacioneve prej polietileni (PE 80, PE 100 dhe PE-Xa) për linjat e gazit dhe ujit; Instruksionet e trajnimit dhe testimit”.
3. Gjatë zbatimit të rregullave teknike për industrinë e gazit, të përmendura në pikën 2, të këtij vendimi, të zbatohen rregullat dhe kriteret e parashikuara në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e mjedisit dhe të biodiversitetit.
4. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.546, DATË 11.8.2011, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E PAGAVE DHE SHTESAVE MBI PAGË TË PUNONJËSVE TË PËRFAQËSIVE DIPLOMATIKE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË SHTETET E HUAJA, TË ATASHEVE USHTARAKË TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE PERSONELIT CIVIL TË MINISTRISË SË MBROJTJES QË SHËRBEJNË NË PËRFAQËSITË USHTARAKE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PRANË NATO-S, NË ORGANIZATAT NDËRKOMBËTARE DHE NË SHTABET USHTARAKE NDËRKOMBËTARE, TË PUNONJËSVE SHQIPTARË PËR KOHËN QË SHËRBEJNË SI NËPUNËS NDËRLIDHËS PRANË QENDRËS SECI, TË PUNONJËSVE SHQIPTARË PËR KOHËN QË SHËRBEJNË SI OFICERË KONTAKTI, PRANË MINISTRIVE TË BRENDSHME HOMOLOGE TË SHTETEVE TË NDRYSHME TË ATASHUAR NË PËRFAQËSITË DIPLOMATIKE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE TË PUNONJËSVE TË SEKRETARIATIT TË MINISTRISË PËRGJEGJËSE PËR BUJQËSINË DHE ZHVILLIMIN RURAL PËR KOHËN QË SHËRBEJNË SI PËRFAQËSUES TË KËSAJ MINISTRIE PRANË MISIONIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË BRUKSEL”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, të ligjit nr.23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, të ligjit nr.9210, datë 23.3.2004, “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, të ligjit nr.113/2018, “Për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëpunimin, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Eurojust”, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.546, datë 11.8.2011, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen shtesat, me këtë përmbajtje:
a) Në fund të titullit të vendimit shtohen fjalët “… dhe prokurori i sistemit të prokurorisë për kohën që shërben si prokuror ndërlidhës pranë Eurojust, në Hagë, Holandë …”.
b) Pas pikës 1/5 shtohet pika 1/6, me këtë përmbajtje:
“1/6. Prokurori i sistemit të prokurorisë për kohën që shërben si prokuror ndërlidhës pranë Eurojust, në Hagë, Holandë.”.
c) Pas pikës 6/1 shtohen pikat 6/2, 6/3 dhe 6/4, me këtë përmbajtje:
“6/2. Paga mujore e punonjësit të përcaktuar sipas pikës 1/6, të këtij vendimi, përbëhet nga elementet, si më poshtë vijon:
a) “Paga bazë mujore”, e cila është paga mujore bruto e pozicionit që prokurori ka mbajtur në momentin e komandimit si prokuror ndërlidhës; dhe
b) “Shtesa e përfaqësimit” në masën 40%, që llogaritet mbi “pagën bazë mujore”, të përcaktuar sipas shkronjës “a”, të kësaj pike.
6/3. Përveç pagës mujore, të përcaktuar sipas pikës 6/2, të këtij vendimi, ky punonjës përfiton edhe kompensimin për koston e jetesës, në masën 230 (dyqind e tridhjetë) euro.
6/4. Për punonjësin e përcaktuar sipas pikës 1/6, të këtij vendimi, trajtimi me pagë dhe kompensimi për koston e jetesës, sipas këtij vendimi, fillon nga data e fillimit të detyrës së tij pranë Eurojust.”.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të fillojnë nga data e fillimit të detyrës së prokurorit ndërlidhës pranë Eurojust dhe, për vitin 2020, të përballohen nga fondet e miratuara për sistemin e prokurorisë, për këtë vit.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NDRYSHIMIT TË STATUSIT, NGA KATEGORIA E RESURSIT “TOKË BUJQËSORE” NË “TOKË URBANE”, TRUALL, TË NJË SIPËRFAQEJE, NË PASURINË ME NUMËR 760, ZONA KADASTRALE 3694 , BASHKIA BULQIZË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5/2, të nenit 11/1, të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e ndryshimit të statusit, nga kategoria e resursit “tokë bujqësore” në “tokë urbane”, truall, për sipërfaqen prej 1200 (një mijë e dyqind) m2, pjesë e pasurisë me numër 760, zona kadastrale 3694, Bashkia Bulqizë, sipas certifikatës së pasurisë, hartës treguese dhe lidhjes nr.1, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës, Qarku Dibër, të pasqyrojë në dokumentacionin kadastral (LN) ndryshimin e resursit, nga “tokë bujqësore” në “tokë urbane”, për sipërfaqen ndërtimore, sipas lidhjes nr.1, të pasurisë me numër 760, zona kadastrale 3694, Bashkia Bulqizë.
3. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Qarkut Dibër dhe Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Bulqizë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E STRATEGJISË KOMBËTARE PËR PROKURIMIN PUBLIK 2020-2023 DHE TË PLANIT TË VEPRIMIT PËR ZBATIMIN E SAJ
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Strategjisë Kombëtare për Prokurimin Publik 2020-2023 dhe të planit të veprimit për zbatimin e saj, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia e Prokurimit Publik, Komisioni i Prokurimit Publik, Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Departamenti i Administratës Publike dhe Shkolla Shqiptare e Administratës Publike për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN NË PRONËSI TË KËSHILLIT TË QARKUT KUKËS TË NJË PJESE TË PASURISË NR.23/70, NDODHUR NË ZONËN KADASTRALE 2315
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, shkronja “c”, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të neneve 3, 5, 7 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave te paluajtshme të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Transferimin në pronësi të Këshillit të Qarkut Kukës të sipërfaqes 23.92 (njëzet e tre pikë nëntëdhjetë e dy) m2, të katit përdhes, të sipërfaqes 262.78 (dyqind e gjashtëdhjetë e dy pikë shtatëdhjetë e tetë) m2, të katit të dytë dhe të sipërfaqes 105.91 (njëqind e pesë pikë nëntëdhjetë e një) m2, të katit të tretë, pjesë të pasurisë nr.23/70, zona kadastrale 2315, sipas formularit dhe planimetrive që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Këshillit të Qarkut Kukës i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të pronës të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë ose t’ua japë në përdorim të tretëve.
3. Ngarkohen Këshilli i Qarkut Kukës dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË KUKËS TË NJËSIVE TAKUESE, PJESË TË PASURISË NR.25/9, ZONA KADASTRALE 2315, DHE PËR DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.167, DATË 10.3.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM TË BASHKISË KUKËS, TË QARKUT TË KUKËSIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, shkronja “c”, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të neneve 3 e 5, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në listën e inventarit bashkëlidhur vendimit nr.167, datë 10.3.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, përmasat e pronës me emërtimin “Bashkia” zëvendësohen sipas planrilevimit dhe planimetrive që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Transferimin në pronësi nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës te Bashkia Kukës të njësisë, me sipërfaqe 255 (dyqind e pesëdhjetë e pesë) m2, në katin përdhes, pjesë të pasurisë nr.25/9, zona kadastrale 2315, sipas formularit dhe planimetrisë që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
3. Kalimin në pronësi të Bashkisë Kukës të njësisë me sipërfaqe 558 (pesëqind e pesëdhjetë e tetë) m2, në katin e tretë, pjesë të pasurisë nr.25/9, zona kadastrale 2315, sipas formularit dhe planimetrisë, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
4. Pronat e përcaktuara në pikat 2 dhe 3, të këtij vendimi, i shtohen listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.167, datë 10.3.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar.
5. Prona e përcaktuar në pikën 2, të këtij vendimi, hiqet nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, bashkëlidhur vendimit nr.448, datë 16.6.2005, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme, shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme”, të ndryshuar.
6. Ngarkohen Bashkia Kukës, Këshilli i Qarkut Kukës dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE