Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 06 Maj 2020:

V E N D I M

PËR

HAPJEN E KONSULLATËS SË PËRGJITHSHME TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË BEIRUT, REPUBLIKA E LIBANIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 21, të ligjit nr.23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Hapjen e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Beirut, Republika e Libanit.

2. Shpenzimet për hapjen e këtij posti konsullor të përballohen nga buxheti i vitit 2020, miratuar për Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

3. Ngarkohet Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES PËR MBËSHTETJE TEKNIKE, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE AGJENCISË SË MBËSHTETJES DHE PROKURIMIT TË NATO-S, PËR REALIZIMIN E PROJEKTEVE TË KUÇOVËS, TË FINANCUARA NGA PROGRAMI I INVESTIMEVE TË NATO-S PËR SIGURINË, VITET 2019-2022

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin, në parim, të marrëveshjes për mbështetje teknike, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë së Mbështetjes dhe Prokurimit të NATO-s, për realizimin e projekteve të Kuçovës, të financuara nga programi i investimeve të NATO-s për sigurinë, vitet 2019-2022, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

CAKTIMIN E MINISTRISË SË BUJQËSISË DHE ZHVILLIMIT RURAL SI AUTORITET KONTRAKTOR PËR REALIZIMIN E PROCEDURËS SË PROKURIMIT, ME OBJEKT “MBROJTJEN E GËSHTENJËS NGA PARAZITI GRERËZA GALEFORMUESE DRYOCOSMUS KURIPHILUS HYMENOPTERA CYNIPIDAE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 11, të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.105/2016, “Për mbrojtjen e bimëve”, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 10, të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe të ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Caktimin e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural si autoritet kontraktor për realizimin e procedurës së prokurimit publik me objekt “Mbrojtjen e gështenjës nga paraziti grerëza Galeformuese (Dryocosmus Kuriphilus Hymenoptera: Cynipidae)”.

2. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ngarkohet për lidhjen e kontratës objekt prokurimi dhe monitorimin e zbatimit të kontratës.

3. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, monitoron respektimin e kërkesave teknike trajtuese të vendosura në zbatim të këtij procesi.

4. Fondi për procedurën e prokurimit publik të përballohet nga buxheti i miratuar për vitin 2020, për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, nga zëri ‘Shpenzimi për mbrojtjen e bimëve”.
5. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.820, DATË 13.10.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË INSTITUCIONEVE TË VARËSISË TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË BUJQËSISË, USHQIMIT DHE MBROJTJES SË KONSUMATORIT”, TË NDRYSHUAR, SI DHE PËR NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.175, DATË 6.3.2012, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM TË BASHKISË LUSHNJË, TË QARKUT TË FIERIT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 10 e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, të shkronjës “dh”, të nenit 3, dhe nenit 5, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme publike e shtetërore, të institucioneve të varësisë, të cilat i kalojnë në administrim Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, bashkëlidhur vendimit nr.820, datë 13.10.2010, të Këshillit të Ministrave, hiqet numri rendor 231, fleta 56, prona me numër pasurie 4, e llojit “arë”, me sipërfaqe 43 915 m2, ndodhur në zonën kadastrale 8 572, Lushnjë (Plug), aktualisht në përdorim të Qendrës së Transferimit të Teknologjive Lushnjë.

2. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme publike shtetërore, brenda juridiksionit territorial dhe administrativ të Bashkisë Lushnjë, Qarku Fier, bashkëlidhur vendimit nr.175, datë 6.3.2012, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohet numri rendor 4 273, prona me numër pasurie 4, fleta 56, e llojit “arë”, me sipërfaqe 43 915 m2, e ndodhur në zonën kadastrale 8572, Lushnjë.

3. Prona me numër pasurie 4, fleta 56, e llojit “arë”, me sipërfaqe 43 915 m2, e ndodhur në zonën kadastrale 8572, Lushnjë, sipas formularit të inventarizimit dhe planvendosjes që i bashkëlidhen këtij vendimi, kalon në pronësi të Bashkisë Lushnjë, për t’u përdorur për zgjerimin e tregut të fruta-perimeve.

4. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Lushnjë dhe Bashkia Lushnjë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.47, DATË 22.1.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E NUMRIT TË PUNONJËSVE ME KONTRATË TË PËRKOHSHME, PËR VITIN 2020, NË NJËSITË E QEVERISJES QENDRORE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 12, të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

I. Në vendimin nr.47, datë 22.1.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Në pikën 1 numri i punonjësve me kontratë të përkohshme ndryshohet dhe bëhet 2 265 veta.

2. Në pikën 3, pas fjalëve “…1 (një) specialist në DPPPP …” shtohen fjalët “…14 (katërmbëdhjetë) specialistë të Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, …”.

3. Në lidhjen nr.1, të përmendur në pikën 1, të vendimit, bëhen këto ndryshime:

a) Në ndarjen “Gr.05 Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural”, nënndarja si më poshtë vijon:

AZHBR 14 Specialist 8 orë/ditë 4 muaj

zëvendësohet me këtë nënndarje:

AZHBR 14 Specialist 6 orë/ditë 1 maj deri 31 dhjetor

b) Në ndarjen “Gr.13, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale” periudha kohore për 35 punonjësit mjekë/infermierë/shoferë të Qendrës Kombëtare Urgjencës Mjekësore bëhet 6-mujore.

c) Në ndarjen “Gr.13, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale” shtohet nënndarja sipas tabelës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

II. Efektet financiare të këtij vendimi për 14 specialistët e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural fillojnë në datën 1 maj 2020 dhe përballohen nga buxheti i agjencisë.

III. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të bëjë detajimin e numrit të punonjësve me kontratë, periudhës kohore të punësimit dhe kategorisë përkatëse të pagës së tyre dhe ta depozitojë pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

IV. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.202, DATË 5.3.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT, MIRATUAR NË BUXHETIN E VITIT 2020, PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË BANESAVE INDIVIDUALE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 13, pika 3, 16, dhe 36, pika 1, shkronja “a”, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Në vendimin nr.202, datë 5.3.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:

a) Pikat 1 dhe 2 ndryshohen, si më poshtë vijon:

“1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 8 606 191 662 (tetë miliardë e gjashtëqind e gjashtë milionë e njëqind e nëntëdhjetë e një mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e dy) lekë pa TVSH, për financimin e rindërtimit të banesave individuale dhe ndërtimin e rikonstruksionin e infrastrukturës publike si dhe çdo ndërhyrje tjetër në funksion të rindërtimit të këtyre banesave.

2. Fondi i përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, t’u kalojë njësive zbatuese, sipas detajimit të mëposhtëm:

a) Fondit Shqiptar të Zhvillimit në masën 6 465 467 211 (gjashtë miliardë e katërqind e gjashtëdhjetë e pesë milionë e katërqind e gjashtëdhjetë e shtatë mijë e dyqind e njëmbëdhjetë) lekë pa TVSH, për financimin e rindërtimit të banesave individuale, brenda dhe jashtë zonave të reja për zhvillim, ndërtimin dhe rikonstruksionin e infrastrukturës publike si dhe çdo ndërhyrje tjetër në funksion të rindërtimit të banesave individuale, jashtë zonave të reja për zhvillim.

b) Bashkisë Tiranë i transferohet fondi në masën 2 140 724 451 (dy miliardë e njëqind e dyzet milionë e shtatëqind e njëzet e katër mijë e katërqind e pesëdhjetë e një) lekë pa TVSH, në formën e transfertës së pakushtëzuar, për financimin e rindërtimit të banesave individuale, brenda dhe jashtë zonave të reja për zhvillim, ndërtimin dhe rikonstruksionin e infrastrukturës publike si dhe çdo ndërhyrje tjetër në funksion të rindërtimit të banesave individuale, jashtë zonave të reja për zhvillim.”.

b) Pika 2.1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2.1 Përdorimi i fondit, i miratuar në buxhetin e vitit 2020, do të jetë 7 633 532 035 (shtatë miliardë e gjashtëqind e tridhjetë e tre milionë e pesëqind e tridhjetë e dy mijë e tridhjetë e pesë) lekë pa TVSH, nga të cilat:

a) Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në buxhetin e miratuar për vitin 2020, në zërin “Shpenzime kapitale me financim të brendshëm” të programit 06210 “Programe zhvillimi”, i shtohet fondi prej 5 733 483 882 (pesë miliardë e shtatëqind e tridhjetë e tre milionë e katërqind e tetëdhjetë e tre mijë e tetëqind e tetëdhjetë e dy) lekësh pa TVSH, për financimin e rindërtimit të banesave individuale, brenda dhe jashtë zonave të reja për zhvillim, ndërtimin dhe rikonstruksionin e infrastrukturës publike si dhe çdo ndërhyrje tjetër në funksion të rindërtimit të banesave individuale, jashtë zonave të reja për zhvillim.

b) Bashkisë Tiranë i transferohet fondi në masën 1 900 048 153 (një miliard e nëntëqind milionë e dyzet e tetë mijë e njëqind e pesëdhjetë e tre) lekë pa TVSH, në formën e transfertës së pakushtëzuar, për financimin e rindërtimit të banesave individuale, brenda dhe jashtë zonave të reja për zhvillim, ndërtimin dhe rikonstruksionin e infrastrukturës publike si dhe çdo ndërhyrje tjetër në funksion të rindërtimit të banesave individuale, jashtë zonave të reja për zhvillim.

2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.221, DATË 26.4.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AGJENCISË SË MENAXHIMIT TË BURIMEVE UJORE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 1, shkronja “b”, e 11, pika 3, të ligjit nr.111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

I. Në vendimin nr.221, datë 26.4.2018, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Në pikën 4, të kreut III, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

a) Fjalia e dytë, e shkronjës “d”, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Pranon kërkesat dhe shqyrton dokumentacionin tekniko-ligjor të paraqitur nga subjektet fizike dhe juridike që kërkojnë miratim, në parim, për nisjen e një procedure koncesioni, për leje, për autorizim për përdorim burimi ujor, për veprimtari ndërtimore në brigje, për veprimtari në shtratin e burimit ujor dhe shkarkime të lëngshme, si dhe bën propozimet përkatëse në Këshillin Kombëtar të Ujit ose në Këshillin e Basenit Ujor, sipas kompetencave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për miratimin e veprimtarisë përkatëse.”;

b) Pas shkronjës “dh” shtohet shkronja “dh/1”, me këtë përmbajtje:
“dh/1. I propozon KKU-së dhe/ose KBU-së rishikimin, pezullimin, shfuqizimin ose anulimin e lejeve, autorizimeve;”.

2. Në shkronjën “a”, të pikës 5, të kreut III, bëhen këto ndryshime:

a) Nënndarja “ii” shfuqizohet;
b) Nënndarja “iii” ndryshohet, si më poshtë vijon:

“iii. I propozon KBU-së rishikimin, shfuqizimin ose anulimin e vendimeve, që nuk kanë të bëjnë me dhënien e lejeve dhe të autorizimeve;”.

II. Ngarkohen Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, këshillat e baseneve ujore dhe zyrat e administrimit të baseneve ujore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.268, DATË 6.4.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT KOMBËTAR TË UJIT””

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “a”, të pikës 1, të nenit 8, të ligjit nr.111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Në rregulloren “Për funksionimin e Këshillit Kombëtar të Ujit”, bashkëlidhur vendimit nr.268, datë 6.4.2016, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Kudo në përmbajtjen e rregullores, emërtimet:

a) “Sekretariati Teknik” dhe “Sekretariati Teknik i Këshillit Kombëtar të Ujit” zëvendësohen me “AMBU”;
b) “Sekretari Kombëtar i Ujit” zëvendësohet me “Drejtori i Përgjithshëm i AMBU-së”;
c) “ministri propozues” zëvendësohet me “propozuesi”.

2. Në nenin 3 bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:

a) Pas pikës 1 shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:

“1/1. “AMBU”, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore.”;

b) Pikat 9 dhe 11 shfuqizohen.

3. Në nenin 8 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

a) Në pikën 1, pas fjalës “… ministrisë …” shtohen fjalët “… dhe AMBU-së …”.

b) Në pikën 2, përpara fjalëve “Ministri përgjegjës …” shtohen fjalët “Kur projektakti është hartuar nga ministritë …”.

c) Në pikën 3, pas fjalisë së parë shtohet fjalia e dytë, me këtë përmbajtje:

“Nëse, pas mbarimit të afatit të sipërpërmendur, mendimi i kërkuar nuk është dhënë, do të konsiderohet se ministri përkatës është dakord dhe pa vërejtje për projektaktin.”.

4. Në pikën 1, të nenit 9, pas fjalëve “… ndërmjet ministrive …” shtohen fjalët “… ose me AMBU-në …”.

5. Në pikën 1, të nenit 10, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

a) Në fjalinë e parë, pas fjalëve “… ministri përgjegjës për fushën e veprimtarisë shtetërore …” shtohen fjalët “… ose nga AMBU-ja …”.

b) Fjalia e dytë shfuqizohet.

6. Pika 1, e nenit 11, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Subjekti i interesuar paraqet kërkesën nëpërmjet sistemit elektronik të lejeve e autorizimeve për përdorim burimi ujor, për marrjen e lejes ose të autorizimit, në rastet kur miratimi i tyre është kompetencë e Këshillit Kombëtar të Ujit.”.

7. Pas pikës 1, të nenit 14, shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:

“1/1. AMBU-ja u dërgon për mendim, nëpërmjet sistemit elektronik të lejeve e autorizimeve për përdorim burimi ujor, kërkesat për leje dhe autorizim institucioneve që përfaqësohen me anëtarë në KKU dhe institucioneve të tjera, që janë pjesë e bashkërendimit institucional në këtë proces.”.

8. Shkronjat “c” dhe “ç”, të nenit 26, ndryshohen, si më poshtë vijon:

“c) shtyrjen për një shqyrtim të mëvonshëm;
ç) mosmiratimin.”.

9. Pika 4, e nenit 27, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“4. Procesverbali nënshkruhet nga stenografi dhe drejtori i Përgjithshëm i AMBU-së.”.

10. Në nenin 32, pas fjalëve “… ministri përgjegjës.” shtohen fjalët “… ose Kryeministri.”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.307, DATË 16.4.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT, PËR FINANCIMIN E RIKONSTRUKSIONIT DHE NDËRTIMIT TË INFRASTRUKTURËS PUBLIKE, NË FUNKSION TË RINDËRTIMIT TË BANESAVE INDIVIDUALE DHE CAKTIMIN E FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT SI NJËSI ZBATUESE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 16 dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Pikat 1, 2 dhe 3, të vendimit nr.307, datë 16.4.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohen, si më poshtë vijon:

“1. Përdorimin e fondit të rindërtimit në masën 12 385 386 283 (dymbëdhjetë miliardë e treqind e tetëdhjetë e pesë milionë e treqind e tetëdhjetë e gjashtë mijë e dyqind e tetëdhjetë e tre) lekë pa TVSH, për financimin e ndërtimit dhe të rikonstruksionit të infrastrukturës publike në zonat e reja të shpallura për zhvillim, në bashkitë Tiranë, Durrës, Kavajë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Shijak e Vorë.

2. Fondi i përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, t’u kalojë njësive zbatuese, sipas detajimit të mëposhtëm:

a) Fondit Shqiptar të Zhvillimit në masën 3 975 401 851 (tre miliardë e nëntëqind e shtatëdhjetë e pesë milionë e katërqind e një mijë e tetëqind e pesëdhjetë e një) lekë pa TVSH, për financimin e ndërtimit dhe të rikonstruksionit të infrastrukturës publike në zonat e reja të shpallura për zhvillim, në bashkitë Durrës, Kavajë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Shijak e Vorë.

b) Bashkisë Tiranë në masën 8 409 984 432 (tetë miliardë e katërqind e nëntë milionë e nëntëqind e tetëdhjetë e katër mijë e katërqind e tridhjetë e dy) lekë pa TVSH, për financimin e ndërtimit dhe të rikonstruksionit të infrastrukturës publike në zonat e reja të shpallura për zhvillim, në Bashkinë Tiranë.

3. Përdorimi i fondit, i miratur në buxhetin e vitit 2020, do të jetë në masën 1 102 887 111 (një miliard e njëqind e dy milionë e tetëqind e tetëdhjetë e shtatë mijë e njëqind e njëmbëdhjetë) lekë pa TVSH, nga të cilat:

a) Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në buxhetin e miratuar për vitin 2020, në zërin “Shpenzime kapitale me financim të brendshëm”, të programit 06210 “Programe zhvillimi”, i shtohet fondi në masën 795 080 370 (shtatëqind e nëntëdhjetë e pesë milionë e tetëdhjetë mijë e treqind e shtatëdhjetë) lekë pa TVSH, për financimin e ndërtimit dhe të rikonstruksionit të infrastrukturës publike në zonat e reja të shpallura për zhvillim, në bashkitë Tiranë, Durrës, Kavajë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Shijak e Vorë.

b) Bashkisë Tiranë i transferohet fondi në masën 307 806 741 (treqind e shtatë milionë e tetëqind e gjashtë mijë e shtatëqind e dyzet e një) lekë pa TVSH, në formën e transfertës së pakushtëzuar, për financimin e ndërtimit dhe të rikonstruksionit të infrastrukturës publike në zonat e reja të shpallura për zhvillim, në Bashkinë Tiranë.”.

2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia e Tiranës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

SHEMBJEN E TRE OBJEKTEVE TË DHËNA ME QIRA ME KONTRATËN E QIRASË NR.2604 REP., NR.727 KOL., DATË 14.10.2019, ME TARIFËN 1/EURO KONTRATA, NDRYSHUAR ME ANEKSKONTRATËN NR.479 REP., NR.189 KOL., DATË 28.2.2020, TË LIDHUR NDËRMJET MINISTRISË SË FINANCAVE DHE EKONOMISË, SI QIRADHËNËS, DHE SHOQËRISË “MTSC”, SH.P.K., SI QIRAMARRËS, NË ADMINISTRIM TË NDËRMARRJES INDUSTRIALE NR.1, TIRANË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të aktit normativ me fuqinë e ligjit nr.4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, miratuar me ligjin nr.9967, datë 24.7.2008, të ndryshuar, dhe të pikës 7, kreut VIII, të vendimit nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës dhe mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontratave të tjera të pasurisë shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Shembjen e tre objekteve me emërtimet “Objekti nr.1” 2 kat, “Objekti nr.2” 1 kat, “Objekti nr.3” 1 kat, me sipërfaqe totale ndërtimore 2497.04 m2, të dhëna me qira me kontratën e qirasë nr.2604 rep., nr.727 kol., datë 14.10.2019, me tarifën 1/euro kontrata, ndryshuar me anekskontratën nr.479 rep., nr.189 kol., datë 28.2.2020, të lidhur ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si qiradhënës, dhe shoqërisë “MTSC”, sh.p.k., si qiramarrës, miratuar me vendimet e Këshillit të Ministrave, nr.642, datë 2.10.2019 dhe nr.157, datë 19.2.2020, për pronën nr.19, me emërtim “Ish-Ndërmarrje Metalike ‘Tirana’” (Reparti i Orëve), me nr.pasurie 7/649, me sipërfaqe të përgjithshme të marrë me qira 4894.10 m2, prej nga sipërfaqe totale e truallit 4021.50 m2, nga të cilat sipërfaqe funksionale 2397.06 m2 dhe sipërfaqe ndërtimore 2497.04 m2, zona kadastrale 8220, në administrim të Ndërmarrjes Industriale nr.1, Tiranë, sipas tabelës nr.1 që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ndërmarrja Industriale nr.1 Tiranë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

SHEMBJEN E TETË OBJEKTEVE TË DHËNA ME QIRA ME KONTRATËN E QIRASË NR.1823 REP., NR.867 KOL., DATË 13.9.2019, ME TARIFËN 1/EURO KONTRATA, TË LIDHUR NDËRMJET MINISTRISË SË FINANCAVE DHE EKONOMISË, SI QIRADHËNËS, DHE SHOQËRISË “ROZAFA”, SH.P.K., SI QIRAMARRËS, NË ADMINISTRIM TË MINISTRISË SË MBROJTJES

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të aktit normativ me fuqinë e ligjit nr.4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, miratuar me ligjin nr.9967, datë 24.7.2008, të ndryshuar, dhe në vijim të pikës 7, kreut VIII, të vendimit nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës dhe mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontratave të tjera të pasurisë shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Shembjen e tetë objekteve me emërtimet nr.1 “Depo”, nr.2 “Depo”, nr.3 “Depo”, nr.4 “Depo”, nr.5 “Depo”, nr.6 “Truprojë”, nr.7 “Objekt rrënojë”, nr.8 “Banjo”, me sipërfaqe totale ndërtimore 4.185.48 m2, të dhëna me qira me kontratën e qirasë nr.1823 rep., nr.867 kol., datë 13.9.2019, me tarifën 1/euro kontata, të lidhur ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si qiradhënës, dhe shoqërisë “Rozafa”, sh.p.k., si qiramarrës, pjesë të pasurisë për pronën nr.338, me emërtim “Ish-reparti ushtarak nr.5012/20”, me vendndodhje në Çekrez, Gramsh, me sipërfaqe të përgjithshme 28 960 m², nga ku sipërfaqe ndërtimore 4185.48 m2 dhe sipërfaqe funksionale 24 774.52 m2, me nr.pasurie 257/1, zona kadastrale 2167, në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes, sipas tabelës për nxjerrjen jashtë përdorimit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

DHËNIE SHPËRBLIMI PËR PERSONELIN QË SHËRBEN NË INSTITUCIONET E PËRKUJDESJES SHOQËRORE REZIDENCIALE PUBLIKE, QË JANË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË SHËRBIMIT SOCIAL SHTETËROR DHE TË BASHKIVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Dhënien e një shpërblimi në masën 55 000 (pesëdhjetë e pesë mijë) lekë, për personelin që shërben në institucionet e përkujdesjes shoqërore rezidenciale publike, që janë në përgjegjësi administrimi të Shërbimit Social Shtetëror dhe të bashkive, të angazhuar në shërbimin ndaj përfituesve të sistemuar në këto institucione deri në përfundim të epidemisë së shkaktuar nga infeksioni COVID-19.

2. Shpërblimin e përfiton personeli që shërben në institucionet e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, dhe që është caktuar nga drejtuesi i institucionit për të punuar përtej kushteve normale të punës, me qëllim parandalimin e infektimit nga COVID-19 të përfituesve të shërbimeve të përkujdesjes shoqërore rezidenciale publike, sipas një grafiku të dakordësuar ndërmjet tyre.

3. Lista emërore e personelit, përfshirë ditët e angazhimit, sipas pikave 1 dhe 2, të këtij vendimi, miratohet çdo muaj me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Social Shtetëror.

4. Fondi për shpërblimin e personelit të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2020.

5. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Shërbimi Social Shtetëror dhe bashkitë përkatëse për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.277, DATË 6.4.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E GARANCISË SHTETËRORE TË HUAS ME BANKAT E NIVELIT TË DYTË PËR PAGAT E TREGTARËVE OSE SHOQËRIVE TREGTARE, AKTIVITETI I TË CILAVE ËSHTË PREKUR NGA VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, NË KUADËR TË MENAXHIMIT TË SITUATËS SË KRIJUAR NGA COVID-19, SI DHE PËR PËRCAKTIMIN E KUSHTEVE E TË KRITEREVE TË MARRËVESHJES SË GARANCISË DHE MARRËVESHJES SË MIRËKUPTIMIT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 3 e 38, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 57, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

 

1. Në tekstin e marrëveshjes tip (të garancisë) bashkëlidhur vendimit nr.277, datë 6.4.2020, të Këshillit të Ministrave, bëhen shtesat dhe ndryshimet, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Shtesat dhe ndryshimet, sipas pikës 1, të reflektohen në marrëveshjet e garancisë që janë lidhur me bankat e nivelit të dytë, përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

TRANSFERIMIN E PRONËSISË SË 100% TË AKSIONEVE TË SHOQËRISË “TRAJTIMI I STUDENTËVE”, SH.A., ELBASAN, NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË TE BASHKIA ELBASAN

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit nr.7926, datë 20.4.1995, “Për transformimin e ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare”, të ndryshuar, të neneve 3 e 4, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Transferimin e pronësisë së 100% të aksioneve të shoqërisë “Trajtimi i studentëve”, sh.a., Elbasan, nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë te Bashkia Elbasan, me të gjitha të drejtat dhe detyrimet në momentin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Brendshme dhe Bashkia Elbasan për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

TRANSFERIMIN E PRONËSISË SË 100% TË AKSIONEVE TË SHOQËRISË “TRAJTIMI I STUDENTËVE”, SH.A., GJIROKASTËR, NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË TE BASHKIA GJIROKASTËR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit nr.7926, datë 20.4.1995, “Për transformimin e ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare”, të ndryshuar, të neneve 3 e 4, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Transferimin e pronësisë së 100% të aksioneve të shoqërisë “Trajtimi i studentëve”, sh.a., Gjirokastër, nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë te Bashkia Gjirokastër me të gjitha të drejtat dhe detyrimet në momentin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Brendshme dhe Bashkia Gjirokastër për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.