Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

V E N D I M

PËR

 

CAKTIMIN E DATAVE 9 DERI 14 JANAR 2017, DITË PUSHIMI PËR PRINDIN KUJDESTAR TË FËMIJËVE TË MITUR

 

Në mbështetje të neneve 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Caktimin e datave 9 deri 14 janar 2017, ditë pushimi për njërin nga prindërit kujdestarë të fëmijëve, që frekuentojnë/ndjekin ose jo çerdhet, arsimin parashkollor dhe arsimin fillor, që janë nëpunës civilë dhe punonjës të tjerë të administratës publike, të nivelit qendror dhe vendor, si dhe në institucionet e tjera shtetërore.

2. Për shkak të mbylljes së çerdheve dhe institucioneve arsimore, në vijim të  masave parandaluese të Ministrisë së Shëndetësisë, si pasojë e motit të ftohtë, jo të zakonshëm, që pritet të vijë dhe të gjendjes gripale në vend, iu bëjmë thirrje të gjithë punëdhënësve privatë që të gjejnë mundësitë për trajtimin me pushim të punëmarrësve të tyre, sipas pikës 1, të këtij vendimi.

3. Ngarkohen institucionet e administratës shtetërore për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.