Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 10 Nëntor 2017

 

 

V E N D I M

PËR

 

EMËRIMIN E DREJTORIT EKZEKUTIV TË AUTORITETIT TË AVIACIONIT CIVIL

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 12 të ligjit nr.10233, datë 11.2.2010, “Për Autoritetin e Aviacionit Civil”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Emërimin e z. Krislen Keri, drejtor ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Civil.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

 

MIRATIMIN, SI STRUKTURË SHËNDETËSORE UNIVERSITARE, TË SPITALIT UNIVERSITAR OBSTETRIK GJINEKOLOGJIK “KOÇO GLIOZHENI”, TIRANË

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 28, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e Spitalit Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Koço Gliozheni”, si strukturë shëndetësore universitare e profilizuar, e cila realizon funksione diagnostikuese e trajtuese në përmbushje të ofrimit të kujdesit shëndetësor terciar, si pjesë e ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, si dhe funksione mësimore e kërkimore-shkencore për të realizuar formimin universitar të specialistëve të shëndetësisë, si pjesë e Universitetit të Mjekësisë Tiranë.

2. Mënyra e funksionimit të Spitalit Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Koço Gliozheni”, Tiranë , si strukturë shëndetësore universitare, përcaktohet  në statutin e tij, i cili miratohet me urdhër të përbashkët të ministrit përgjegjës për arsimin dhe ministrit përgjegjës për shëndetësinë.

3. Departamentet përkatëse të Universitetit të Mjekësisë Tiranë, që përbëhen nga shërbime në bazë specialiteti, propozojnë fushat e mësimdhënies e të kërkimit shkencor për shërbimet shëndetësore universitare, që ofron Spitali Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Koço Gliozheni”, Tiranë, të cilat miratohen me urdhër të përbashkët të ministrit përgjegjës për shëndetësinë dhe ministrit përgjegjës për arsimin.

4. Në vendimin nr.70, datë 15.2.2001 të Këshillit të Ministrave, “Për statusin e spitaleve universitare”, të ndryshuar, të gjitha dispozitat që i referohen Spitalit Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Koço Gliozheni”, Tiranë, shfuqizohen.

5. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Spitali Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Koço Gliozheni”, Tiranë, dhe Universiteti i Mjekësisë Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

 

MIRATIMIN, SI STRUKTURË SHËNDETËSORE UNIVERSITARE, TË SPITALIT UNIVERSITAR OBSTETRIK GJINEKOLOGJIK “MBRETËRESHA GERALDINË”, TIRANË

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 28, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin, si strukturë shëndetësore universitare e profilizuar të Spitalit, Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, Tiranë, i cili realizon funksione diagnostikuese e trajtuese në përmbushje të ofrimit të kujdesit shëndetësor terciar, si pjesë e ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, si dhe funksione mësimore e kërkimore-shkencore për të realizuar formimin universitar të specialistëve të shëndetësisë, si pjesë e Universitetit të Mjekësisë Tiranë.

2. Mënyra e funksionimit të Spitalit Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, Tiranë, si strukturë shëndetësore universitare, përcaktohet në statutin e tij, i cili miratohet me urdhër të përbashkët të ministrit përgjegjës për arsimin dhe ministrit përgjegjës për shëndetësinë.

3. Departamentet përkatëse të Universitetit të Mjekësisë Tiranë, që përbëhen nga shërbime në bazë specialiteti, propozojnë fushat e mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor për shërbimet shëndetësore universitare, që ofron Spitali Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, Tiranë, të cilat miratohen me urdhër të përbashkët të ministrit përgjegjës për shëndetësinë dhe ministrit përgjegjës për arsimin.

4. Në vendimin nr.70, datë 15.2.2001, të Këshillit të Ministrave, “Për statusin e spitaleve universitare”, të ndryshuar, të gjitha dispozitat që i referohen Spitalit Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, Tiranë, shfuqizohen.

5. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Universiteti i Mjekësisë Tiranë dhe Spitali Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

 

DHËNIE MENDIMI KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PËR PROJEKTLIGJIN JOQEVERITAR “PËR STATUSIN E MINATORIT”

 

Në mbështetje të neneve 82, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Dhënien e mendimit Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për projektligjin  joqeveritar “Për statusin e minatorit”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

 

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.103, DATË 4.2.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN DHE MËNYRËN E ORGANIZIMIT E TË FUNKSIONIMIT TË INSPEKTORATIT SHTETËROR TË MJEDISIT DHE PYJEVE”, TË NDRYSHUAR

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, dhe të neneve 11 e 51, pika 3, të ligjit nr.10433, datë 16.6.2011, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Në vendimin nr.103, datë 4.2.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet e mëposhtme:

a) Në titull dhe kudo në përmbajtje të vendimit, emërtimi “Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve” dhe shkurtimi “ISHMP” zëvendësohen, përkatësisht, me “Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave” dhe “ISHMPU”;

b) Kudo në përmbajtje të vendimit, emërtimet “Ministria e Mjedisit” dhe “Ministri i Mjedisit” zëvendësohen me “Ministria që mbulon fushën e mjedisit” dhe “Ministri përgjegjës për mjedisin”;

c) Kudo në përmbajtje të vendimit, fjalët “… në fushën e mjedisit dhe pyjeve …” zëvendësohen me “… në fushën e mjedisit, pyjeve dhe ujërave …”;

ç) Pikat 1, 2 dhe 3, të kreut II, ndryshohen, si më poshtë vijon:

“1. ISHMPU-ja ka për mision garantimin e respektimit të kërkesave ligjore në fushën e mbrojtjes nga kundërvajtjet administrative të mjedisit, pyjeve dhe ujërave.

2. ISHMPU-ja është përgjegjëse për të gjitha funksionet e inspektimit që lidhen me dënimet ndaj kundërvajtjeve administrative në fushën përkatëse, në përputhje me përgjegjësitë e ministrisë përgjegjëse për mjedisin.

3. Përveç sa parashikohet në pikën 2, të këtij kreu, ISHMPU-ja është përgjegjëse për çdo funksion apo kompetencë tjetër, të përcaktuar nga legjislacioni në fuqi për inspektoratin shtetëror që mbulon fushën e mjedisit, lidhur me kundërvajtjet administrative.”.

d) Në kreun III bëhen këto ndryshime:

i. Shkronjat “dh” dhe “e”, të pikës 3, ndryshohen, si më poshtë vijon:

“dh) siguron zbatimin dhe kontrollin e zbatimit të akteve ligjore e nënligjore që rregullojnë veprimtarinë në fushën e inspektimit të mjedisit, pyjeve dhe ujërave lidhur me dënimin e kundërvajtjeve administrative;

e) ushtron çdo funksion tjetër, të përcaktuar në ligje të tjera të posaçme, që kanë të bëjnë me mbrojtjen e mjedisit nga kundërvajtjet administrative.”.

ii. Në pikën 7, pas fjalisë “- drejtorin përgjegjës për inspektimin e pyjeve” shtohet fjalia “- drejtorin përgjegjës për inspektimin e ujërave”;

dh) Pika 3, e kreut V, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. Ata nëpunës aktualë të Inspektoratit Shtetëror të Ujërave (ISHU), që kryejnë funksionet e inspektimit për dënimin e kundërvajtjeve administrative në fushën e ujit, transferohen pranë Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave, si pjesë e Drejtorisë për Inspektimin e Kundërvajtjeve Ujore, në përputhje me detajimin e organizimit brenda numrit dhe pozicioneve të organikës së miratuar sipas urdhrit përkatës të Kryeministrit.”.

2. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, shfuqizohen vendimi nr.386,  datë 6.5.2015, i Këshillit të Ministrave, “Për krijimin dhe mënyrën e organizimit e të funksionimit të Inspektoratit Shtetëror të Ujërave”, si dhe çdo dispozitë apo akt nënligjor, që vjen në kundërshtim me këtë vendim.

3. Për efekt të këtij shfuqizimi, nëpunësit e tjerë të mbetur në ISHU të transferohen pranë agjencive të baseneve (siç do të detajohet me urdhrin përkatës të Kryeministrit), me qëllim ushtrimin e funksionit kontrollues të lejeve dhe zbatimit të tyre në nivel baseni, në përputhje me ligjin nr.111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, në koordinim me Këshillin Kombëtar të Ujit dhe Sekretariatin Teknik pranë tij, si dhe këshillat e baseneve.

4. Ngarkohen Kryeministria, ministri i Turizmit dhe Mjedisit dhe Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

 

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.953, DATË 29.12.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DISPOZITAT ZBATUESE TË LIGJIT NR.92/2014, “PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 159, të ligjit nr.92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Në vendimin nr.953, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:

 

Neni 1

Në nenin 8 bëhen këto ndryshime:

1. Pika 3 riformulohet, me këtë përmbajtje:

“3. Lista e makinerive dhe pajisjeve, që janë drejtpërdrejt të lidhura me investimin dhe makineritë bujqësore, është përcaktuar në anekset 1 dhe 2, që i bashkëlidhen këtij vendimi. Lista e kodeve të aneksit 2 aplikohet për importet e subjekteve me aktivitet peshkimi, përfituese të përjashtimit nga taksa e qarkullimit, taksa e karbonit dhe akciza për gazoilin, sipas përcaktimeve në udhëzimin nr.18, datë 15.6.2015, “Për procedurat dhe kriteret e furnizimit të anijeve të peshkimit me karburant (gazoil), me përjashtim nga taksa e qarkullimit, taksa e karbonit dhe akciza.”.”.

2. Shkronja “b”, e pikës 4.2, shfuqizohet dhe në fund të kësaj pike shtohet paragrafi me këtë përmbajtje:

“Autoriteti doganor e plotëson dokumentacionin e mësipërm me kopje të ekstraktit të Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), ku të jetë specifikuar se aktiviteti ekonomik është në fushën e përpunimit aktiv. Gjithashtu, verifikimi nëse ka ose jo autorizimin e lëshuar nga autoriteti doganor si tatimpagues në regjimin e përpunimit aktiv kryhet brenda strukturave doganore.”.

3. Shkronja “b”, e pikës 4.3, shfuqizohet dhe në fund të kësaj pike shtohet paragrafi me këtë përmbajtje:

“Autoriteti doganor e plotëson dokumentacionin e mësipërm me kopje të ekstraktit të QKB-së, ku të jetë specifikuar se aktiviteti ekonomik është në fushën e agrobiznesit.”.

4. Shkronjat “b” dhe “c”, të pikës 4.4, shfuqizohen dhe në fund të kësaj pike shtohet paragrafi me këtë përmbajtje:

“Autoriteti doganor e plotëson dokumentacionin e mësipërm me vërtetimin nga Drejtoria Rajonale Tatimore se importuesi është person i tatueshëm, që i nënshtrohet regjimit të biznesit (ndërmarrjeve) të vogël dhe ushtron aktivitet prodhues, si dhe me kopje të ekstraktit të QKB-së.”.

5. Në pikën 4.5, paragrafi i tretë, që fillon me fjalët “…Në rastin e tatimpaguesve të tjerë…”, shkronjat “b” dhe “c” shfuqizohen dhe në fund të kësaj pike shtohet paragrafi me këtë përmbajtje:

“Autoriteti doganor e plotëson dokumentacionin e mësipërm me vërtetimin nga Drejtoria Rajonale Tatimore se importuesi është person i tatueshëm si dhe me kopje të ekstraktit të QKB-së.”.

 

Neni 2

Në nenin 11 bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:

 

1. Pika 1 ndryshon, me këtë përmbajtje:

“1. Në zbatim të nenit 117, të ligjit, kufiri minimal i regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar është qarkullimi prej 2 000 000 (dy milionë) lekësh në një vit kalendarik, përveç rasteve të përcaktuara në pikat 2 dhe 3, të këtij neni.”.

2. Në pikën 2, fjalët “… si dhe kryejnë veprimtari ekonomike në fushën e hotelerisë… ”, hiqen.

3. Pas pikës 2 shtohet pika 3 me këtë përmbajtje:

“3. Kufiri minimal i regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar, për prodhuesit bujqësorë që i nënshtrohen regjimit të veçantë, skema e kompensimit të prodhuesve bujqësorë, është qarkullimi prej 5 000 000  (pesë milionë) lekësh në një vit kalendarik.”.

 

Neni 3

Pas nenit 11 shtohet neni 11/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 11/1

Kushtet, kriteret dhe procedurat për zbatimin e shkallës së reduktuar për furnizimin e shërbimit të akomodimit në strukturat akomoduese

1. Në zbatim të pikës 3, të nenit 49, të ligjit, shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar, e cila aplikohet për furnizimin e shërbimit të akomodimit në strukturat akomoduese, sipas kategorive të përcaktuara në legjislacionin e fushës së turizmit, është 6 për qind.

Për qëllime të zbatimit të shkallës së reduktuar të TVSH-së, me termin “furnizim i shërbimit të akomodimit” nënkuptohet furnizimi i shërbimit të fjetjes në strukturat akomoduese, sipas legjislacionit për turizmin, pa përfshirë furnizimin e ushqimit apo çdo furnizim tjetër, të ofruar nga këto struktura. Përjashtimisht, “furnizimi i shërbimit të akomodimit” nënkupton, përveç shërbimit të fjetjes, edhe furnizimin e ushqimit (mëngjesit), në rastet kur struktura akomoduese e ofron mëngjesin brenda çmimit të furnizimit të shërbimit të fjetjes.

Personi i tatueshëm, i cili ushtron veprimtari në fushën e akomodimit në strukturat akomoduese, sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës për turizmin, evidenton veçmas në faturë furnizimin e shërbimit të akomodimit, për të cilin aplikon shkallën e reduktuar të TVSH-së, në masën 6 për qind. Për çdo furnizim tjetër të tatueshëm, të ofruar në strukturat akomoduese, personi i tatueshëm aplikon shkallën standarde të TVSH-së, 20 për qind, sipas përcaktimeve në ligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë.

Personat e tatueshëm, që aplikojnë shkallën e reduktuar të TVSH-së sipas këtij neni, janë personat që ushtrojnë vetëm veprimtari ekonomike në fushën e strukturave akomoduese, sipas legjislacionit të fushës për turizmin. Nëse personi i tatueshëm ushtron edhe veprimtari të tjera, përveç asaj në fushën e strukturave akomoduese, atëherë duhet të jetë i regjistruar si person i tatueshëm më vete, për qëllime të veprimtarisë në fushën e strukturave akomoduese.

Aplikimi i shkallës së reduktuar të TVSH-së nuk kufizon të drejtën e zbritjes së TVSH-së. Zbritja e TVSH-së lind dhe ushtrohet në përputhje me përcaktimet e ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë.

2. Në përputhje me pikën 1, të këtij neni, me qëllim aplikimin e shkallës së reduktuar të TVSH-së, personat e tatueshëm, të cilët, përveç veprimtarisë në fushën e strukturave akomoduese, kryejnë edhe veprimtari të tjera, regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Biznesit si persona të tatueshëm më vete, duke riorganizuar ose jo veprimtarinë e tyre ekonomike, siç përcaktohet në ligjin nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.”.

 

Neni 4

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”, me përjashtim të pikës 1, të nenit 2, të këtij vendimi, e cila hyn në fuqi në datën 1 prill 2018.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

 

ANGAZHIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS  SË SHQIPËRISË PËR RUAJTJEN E BESIMIT NË STATISTIKA

 

Në mbështetje të pikës 1, të nenit 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Angazhimin e Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për ruajtjen e besimit në statistika, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

 

MIRATIMIN, SI STRUKTURË SHËNDETËSORE UNIVERSITARE, TË SPITALIT UNIVERSITAR “SHEFQET NDROQI”, TIRANË

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 28, të  ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin, si strukturë shëndetësore universitare e përgjithshme, të Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi”, Tiranë, i cili realizon funksione diagnostikuese e trajtuese në përmbushje të ofrimit të kujdesit shëndetësor terciar, si pjesë e ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, si dhe funksione mësimore e kërkimore-shkencore për të realizuar formimin universitar të specialistëve të shëndetësisë, si pjesë e Universitetit të Mjekësisë Tiranë.

2. Mënyra e funksionimit të Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi”, Tiranë, si strukturë shëndetësore universitare, përcaktohet në statutin e tij, i cili miratohet me urdhër të përbashkët të ministrit përgjegjës për arsimin dhe ministrit përgjegjës për shëndetësinë.

3. Departamentet përkatëse të Universitetit të Mjekësisë Tiranë, që përbëhen nga shërbime në bazë specialiteti, propozojnë fushat e mësimdhënies dhe të  kërkimit shkencor për shërbimet shëndetësore universitare, që ofron Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi”, Tiranë, të cilat miratohen me urdhër të përbashkët të ministrit përgjegjës për shëndetësinë dhe ministrit përgjegjës për arsimin.

4.  Në vendimin nr.70, datë 15.2.2001, të Këshillit të Ministrave, “Për statusin e spitaleve universitare”, të ndryshuar, të gjitha dispozitat që i referohen Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi”, Tiranë, shfuqizohen.

5. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Universiteti i Mjekësisë Tiranë dhe Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi”, Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

 

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKUALIFIKIM I QENDRËS SË QYTETIT, LOTI 1”, CËRRIK

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, si dhe të nenit 5, pika 1, 20 dhe 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikualifikim i qendrës së qytetit, loti 1”, Cërrik.

2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Cërrik.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë sipërfaqe tokë “truall” dhe objekt shërbimi, me një vlerë të përgjithshme prej 2 996 124 (dy milionë e nëntëqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e njëqind e njëzet e katër) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 2 996 124 (dy milionë e nëntëqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e njëqind e njëzet e katër) lekësh, do të përballohet nga buxheti i Bashkisë Cërrik.

Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2017, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

5. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.

6. Pronarët e listës, që i bashkëlidhet këtij vendimi, do të kompensohen për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Bashkisë Cërrik.

7. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Elbasan, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Cërrik, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit, mbi hartën treguese të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.

8. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Elbasan, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin që të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit, si dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.

9. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Elbasan dhe Bashkia Cërrik për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

 

MIRATIMIN, SI STRUKTURË SHËNDETËSORE UNIVERSITARE, TË SPITALIT UNIVERSITAR TË TRAUMËS

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 28, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e Spitalit Universitar të Traumës, si strukturë shëndetësore universitare e përgjithshme, e cila realizon funksione diagnostikuese e trajtuese në përmbushje të ofrimit të kujdesit shëndetësor terciar, si pjesë e ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, si dhe funksione mësimore e kërkimore-shkencore për të realizuar formimin universitar të specialistëve të shëndetësisë, si pjesë e Universitetit të Mjekësisë Tiranë.

2. Mënyra e funksionimit të Spitalit Universitar të Traumës, si strukturë shëndetësore universitare,  përcaktohen në statutin e tij, i cili miratohet me urdhër të përbashkët të ministrit përgjegjës për arsimin dhe ministrit përgjegjës për shëndetësinë.

3. Departamentet përkatëse të Universitetit të Mjekësisë Tiranë, që përbëhen nga shërbime në bazë specialiteti, propozojnë fushat e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor për shërbimet shëndetësore universitare, që ofron Spitali Universitar  i Traumës, të cilat miratohen me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë dhe ministrit përgjegjës për arsimin.

4. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Mbrojtjes, Universiteti i Mjekësisë Tiranë, si dhe Spitali Universitar i Traumës për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

 

MIRATIMIN, SI STRUKTURË SHËNDETËSORE UNIVERSITARE, TË QENDRËS SPITALORE UNIVERSITARE “NËNË TEREZA”

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 28, të  ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, si strukturë shëndetësore universitare e përgjithshme, e cila realizon funksione diagnostikuese e trajtuese në përmbushje të ofrimit të kujdesit shëndetësor terciar, si pjesë e ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, si dhe funksione mësimore e kërkimore-shkencore për të realizuar formimin universitar të specialistëve të shëndetësisë, si pjesë e Universitetit të Mjekësisë Tiranë.

2. Mënyra e funksionimit të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, si strukturë shëndetësore universitare, përcaktohet në statutin e saj, i cili miratohet me urdhër të përbashkët të ministrit përgjegjës për arsimin dhe ministrit përgjegjës për shëndetësinë.

3. Departamentet përkatëse të Universitetit të Mjekësisë Tiranë, që përbëhen nga shërbime në bazë specialiteti, propozojnë fushat e mësimdhënies e të kërkimit shkencor për shërbimet shëndetësore universitare, që ofron Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, të cilat miratohen me urdhër të përbashkët të ministrit përgjegjës për shëndetësinë dhe ministrit përgjegjës për arsimin.

4. Në vendimin nr.70, datë 15.2.2001, të Këshillit të Ministrave, “Për statusin e spitaleve universitare”, të ndryshuar, të gjitha dispozitat, që i referohen Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, shfuqizohen.

5. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Universiteti i Mjekësisë Tiranë dhe Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA 

 

Vendim shtesë i Këshillit të MInistrave –Kodi Doganor

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.