Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 10 Nëntor 2021:
V E N D I M
PËR
EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Ardi Veliu emërohet zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
HAPJEN E INSTITUCIONIT TË ARSIMIT TË LARTË, JOPUBLIK, UNIVERSITETI “WESTERN BALKANS”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 18, 30 e 31, pika 1, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Hapjen e institucionit të arsimit të lartë, jopublik, universiteti “Western Balkans” (në vijim, universiteti “Western Balkans”), në emër të shoqërisë “Western Balkans University”, sh.p.k., i cili ushtron veprimtarinë në qytetin e Tiranës.
2. Universiteti “Western Balkans” organizohet në 3 (tri) fakultete:
a) Fakulteti i Mjekësisë Dentare;
b) Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike;
c) Fakulteti i Ekonomisë, Teknologjisë dhe Inovacionit.
3. Universiteti “Western Balkans” mund të ofrojë programe studimi në të gjitha ciklet e studimeve të arsimit të lartë, si edhe programe studimi me karakter profesional, sipas kuadrit ligjor në fuqi.
4. Universiteti “Western Balkans” e fillon veprimtarinë e tij vetëm pas nxjerrjes së urdhrit të ministrit përgjegjës për arsimin për fillimin e veprimtarisë akademike.
5. Universiteti “Western Balkans” duhet t’i nënshtrohet procesit të akreditimit institucional e të programeve të studimit brenda afateve të përcaktuara në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.
6. Statuti i universitetit “Western Balkans” miratohet me urdhër të ministrit përgjegjës për arsimin.
7. Ministria e Arsimit dhe Sportit ushtron kontroll periodik të ligjshmërisë në institucion, sipas kuadrit ligjor në fuqi.
8. Çdo ndryshim i njësive kryesore të universitetit “Western Balkans” miratohet me urdhër të ministrit përgjegjës për arsimin, sipas legjislacionit në fuqi.
9. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe shoqëria “Western Balkans University”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
HAPJEN E INSTITUCIONIT TË ARSIMIT TË LARTË, JOPUBLIK, KOLEGJI PROFESIONAL I LARTË GJERMAN I TEKNOLOGJISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 21, 30 e 31, pika 1, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Hapjen e institucionit të arsimit të lartë, jopublik, Kolegji Profesional i Lartë Gjerman i Teknologjisë, në emër të shoqërisë “Kolegji Profesional Gjerman i Teknologjisë”, sh.p.k., i cili e ushtron veprimtarinë në qytetin e Tiranës.
2. Kolegji Profesional i Lartë Gjerman i Teknologjisë organizohet në 3 (tre) departamente, si më poshtë vijon:
a) Departamenti i Mekanikës;
b) Departamenti Elektrik dhe i Teknologjisë së Informacionit;
c) Departamenti i Ndërtimit dhe Infrastrukturës.
3. Kolegji Profesional i Lartë Gjerman i Teknologjisë ofron programe të studimit sipas kuadrit ligjor në fuqi.
4. Kolegji Profesional i Lartë Gjerman i Teknologjisë e fillon veprimtarinë e tij vetëm pas nxjerrjes së urdhrit të ministrit përgjegjës për arsimin për fillimin e veprimtarisë.
5. Kolegji Profesional i Lartë Gjerman i Teknologjisë t’i nënshtrohet procesit të akreditimit institucional e të programeve të studimit, brenda afateve të përcaktuara në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.
6. Statuti i institucionit të arsimit të lartë, jopublik, Kolegji Profesional i Lartë Gjerman i Teknologjisë, miratohet me urdhër të ministrit përgjegjës për arsimin.
7. Ministria e Arsimit dhe Sportit ushtron kontroll periodik të ligjshmërisë në institucion, sipas kuadrit ligjor në fuqi.
8. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe shoqëria “Kolegji Profesional Gjerman i Teknologjisë”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DHËNIEN E MIRATIMIT PËR LIDHJEN E KONTRATËS PËR KALIMIN E PRONËS SHTETËRORE NË PRONË PRIVATE, NË FUNKSION TË PLANEVE TË PËRGJITHSHME VENDORE, NDËRMJET MINISTRISË SË FINANCAVE DHE EKONOMISË, SI SHITËS, DHE SHOQËRISË “BUILDING CONSTRUCTION”, SH.P.K., SI BLERËS, PËR PASURINË SHTETËRORE, QË NDODHET NË TIRANË, ZONA KADASTRALE 8270, E CILA PREK PASURITË NR.7/102, NR.8/657 E NR.8/682, ME SIPËRFAQE 2137 M2
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 2, të aktit normativ nr.4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, miratuar me ligjin nr.9967, datë 24.7.2008, të ndryshuar, dhe në vijim të pikës 7, të vendimit nr.807, datë 11.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve dhe të kushteve për kalimin e pronës shtetërore në pronë private, në funksion të planeve të përgjithshme vendore”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien e miratimit për lidhjen e kontratës për kalimin e pronës shtetërore në pronë private, në funksion të planeve të përgjithshme vendore (leje zhvillimore), ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si shitës, dhe shoqërisë “Building Construction”, sh.p.k., si blerës, për pasurinë shtetërore, që ndodhet në Tiranë, zona kadastrale 8270, e cila prek pasuritë nr.7/102, me sipërfaqe 1316 m2, nr.8/682, me sipërfaqe 215 m2, e nr.8/657, me sipërfaqe 606 m2, sipas planrilevimit dhe tekstit të projektkontratës, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KRITERET E EMËRIMIT, SHKAQET E LIRIMIT APO TË SHKARKIMIT, SI DHE SHPËRBLIMI I ANËTARËVE TË KOMISIONIT KOMBËTAR PËR AZILIN E REFUGJATËT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 78, të ligjit nr.10/2021, “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kryetari i Komisionit Kombëtar për Azilin dhe Refugjatët është nëpunës civil i kategorisë së lartë drejtuese (anëtar i TND-së) dhe propozohet nga ministri përgjegjës për çështjet e azilit.
2. Katër anëtarët e tjerë të Komisionit Kombëtar për Azilin dhe Refugjatët (në vijim, Komisioni) propozohen nga secili prej institucioneve: Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Arsimit dhe Sportit, si dhe Shërbimi Informativ i Shtetit e duhet të plotësojnë këto kritere:
a) Të jenë diplomuar në shkenca shoqërore;
b) Të jenë nëpunës civilë ose në pozicione ekuivalente jashtë shërbimit civil, të paktën, të nivelit të mesëm drejtues;
c) Të kenë eksperiencë profesionale jo më pak se 5 (pesë) vjet në administratën publike;
ç) Të pajisen me certifikatë sigurie, niveli “sekret”.
3. Anëtari i Komisionit lirohet nga detyra në rastet kur:
a) mbaron mandati;
b) jep dorëheqjen;
c) përfundon marrëdhënia e punës me institucionin që ai përfaqëson.
4. Anëtari i Komisionit shkarkohet nga detyra në rastet kur:
a) nuk merr pjesë pa arsye në mbledhjet e Komisionit për më shumë se 2 (dy) herë radhazi;
b) veprimet apo mosveprimet e tij kanë dëmtuar rëndë veprimtarinë e Komisionit;
c) nuk ruan konfidencialitetin e informacioneve ose i përdor ato për interesa personale;
ç) dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
d) ushtron veprimtarinë në kushtet e konfliktit të interesit.
5. Anëtarët e Komisionit të shpërblehen sipas vendimit të Këshillit të Ministrave për përcaktimin e masës së shpërblimit të anëtarëve të këshillave, bordeve ose të komisioneve të përhershme të njësive të qeverisjes qendrore.
6. Vendimi nr.206, datë 16.3.2016, i Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, përbërjen, organizimin dhe funksionimin e Komisionit Kombëtar për Azilin dhe Refugjatët”, shfuqizohet.
7. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Shërbimi Informativ i Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E LISTËS SË MALLRAVE USHTARAKE DHE TË LISTËS TË ARTIKUJVE E TEKNOLOGJIVE ME PËRDORIM TË DYFISHTË, OBJEKT I KONTROLLIT SHTETËROR TË TRANSFERIMEVE NDËRKOMBËTARE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe pikës 1, të nenit 10, të ligjit nr.46/2018, “Për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e listës së mallrave ushtarake dhe të listës të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë, përkatësisht, sipas shtojcave I e II, që i bashkëlidhen këtij vendimi, të cilat janë objekt i kontrollit shtetëror të transferimeve ndërkombëtare.
2. Vendimi nr.91, datë 27.2.2019, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së përditësuar të mallrave ushtarake dhe të listës të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë, objekt i kontrollit shtetëror të transferimeve ndërkombëtare”, shfuqizohet.
3. Ngarkohet Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.600, DATË 18.10.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKUALIFIKIMI URBAN I SHËTITORES “REPUBLIKA”, PATOS””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.600, datë 18.10.2017, të Këshillit të Ministrave, bëhet ndryshimi, si më poshtë vijon:
a) Të dhënat e nr. rendor 2, të tabelës bashkëlidhur vendimit, zëvendësohen me të dhënat sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i miratuar për Bashkinë Patos.
3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Patos, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MËNYRËN E ORGANIZIMIT E TË FUNKSIONIMIT TË KOMITETIT TË ETIKËS MJEKËSORE PËR PAJISJET MJEKËSORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4/1, të nenit 11, të ligjit nr.89/2014, “Për pajisjet mjekësore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Ky vendim përcakton kriteret për zgjedhjen e anëtarëve të Komitetit të Etikës Mjekësore për Pajisjet Mjekësore, si dhe mënyrën e organizimit e të funksionimit të tij.
II. ORGANIZIMI I KOMITETIT TË ETIKËS MJEKËSORE PËR PAJISJET MJEKËSORE
1. Komiteti i Etikës Mjekësore për Pajisjet Mjekësore është organ i pavarur, i përbërë nga profesionistë të shëndetit ose jo, me qëllim mbrojtjen e të drejtave, të sigurisë e të mirëqenies së personave të përfshirë në provat klinike të pajisjeve mjekësore dhe sigurojnë garanci publike të mbrojtjes së të drejtave nëpërmjet shprehjes së opinionit në protokolle të provave klinike, përshtatshmërinë e investiguesve, metodave dhe dokumentacionit të përdorur.
2. Komiteti i Etikës Mjekësore për Pajisjet Mjekësore ka në përbërje 7 (shtatë) anëtarë, si më poshtë vijon:
a) 2 (dy) inxhinierë elektronikë/elektrikë/biomjekësorë;
b) 1 (një) farmacist;
c) 1 (një) mjek specialist;
ç) 1 (një) jurist;
d) 1 (një) personalitet në fushën e shëndetësisë;
dh) 1 (një) psikolog.
3. Anëtarët e Komitetit të Etikës Mjekësore për Pajisjet Mjekësore e ushtrojnë këtë funksion për një mandat trevjeçar, me të drejtë përsëritjeje jo më shumë se 2 (dy) herë radhazi.
4. Anëtarët e Komitetit të Etikës Mjekësore për Pajisjet Mjekësore emërohen nga ministri përgjegjës për shëndetësinë pas plotësimit të kritereve në pikën 5, të këtij vendimi.
5. Anëtarët e Komitetit të Etikës Mjekësore për Pajisjet Mjekësore plotësojnë këto kritere:
a) Të jenë shtetas shqiptarë;
b) Të kenë njohuritë e nevojshme, të dokumentuara në fushën që ata përfaqësojnë;
c) Të kenë njohuritë e nevojshme dhe përvojë, të dokumentuara në fushën e pajisjeve mjekësore;
ç) Të mos kenë masë disiplinore në fuqi;
d) Të mos kenë qenë të dënuar më parë me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale.
6. Komiteti i Etikës Mjekësore për Pajisjet Mjekësore zgjedh kryetarin e zëvendëskryetarin.
7. Kryetari dhe zëvendëskryetari i Komitetit të Etikës Mjekësore për Pajisjet Mjekësore zgjidhen me votim të fshehtë, me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve.
8. Kryetari i Komitetit të Etikës Mjekësore për Pajisjet Mjekësore e ushtron këtë funksion me mandat trevjeçar dhe nuk mund ta kryejë këtë detyrë për më shumë se 2 (dy) mandate të njëpasnjëshme.
9. Mbledhja për zgjedhjen e kryetarit drejtohet nga anëtari më i vjetër në moshë.
10. Anëtarët e Komitetit të Etikës Mjekësore për Pajisjet Mjekësore shprehin interesin për t’u zgjedhur si kryetar apo zëvendëskryetar në mbledhjen e parë. Drejtuesi i mbledhjes garanton kohë të mjaftueshme dhe të barabartë për prezantimin e anëtarëve që kanë shprehur interesin.
11. Në rast se ka më shumë se një kandidat dhe gjatë votimit asnjëri prej tyre nuk merr shumicën e parashikuar të votave, bëhet një votim i ri dhe, pas këtij, vijohet me votimin mes kandidatëve që kanë marrë numrin më të madh të votave. Në përfundim të këtij votimi shpallet i zgjedhur kandidati që ka marrë shumicën e votave. Në rast se asnjë nga kandidatët nuk ka marrë shumicën e votave ose votat janë ndarë në mënyrë të barabartë, kryetari caktohet me short.
12. Kryetari i zgjedhur njofton ministrin përgjegjës për shëndetësinë.
13. Anëtarët e Komitetit të Etikës Mjekësore për Pajisjet Mjekësore ushtrojnë veprimtarinë e tyre kundrejt shpërblimit. Masa e shpërblimit për kryetarin dhe anëtarët përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, në përputhje me legjislacionin në fuqi për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve.
III. FUNKSIONIMI DHE VEPRIMTARIA E KOMITETIT TË ETIKËS MJEKËSORE PËR PAJISJET MJEKËSORE
1. Komiteti i Etikës Mjekësore për Pajisjet Mjekësore ushtron kompetencat e mëposhtme:
a) Mbron të drejtat, sigurinë dhe mirëqenien e personave të përfshirë në provat klinike të pajisjeve mjekësore;
b) Siguron garanci publike të mbrojtjes së të drejtave nëpërmjet shprehjes së opinionit në protokolle të provave klinike;
c) Siguron përshtatshmërinë e investiguesve, metodave dhe dokumentacionit të përdorur;
ç) Harton udhëzuesin për kryerjen e provave klinike të pajisjeve mjekësore dhe vlerësimin e vazhdueshëm të ecurisë, efikasitetit dhe efekteve anësore në shëndetin e pacientit dhe e paraqet atë për miratim te ministri përgjegjës për shëndetësinë. Udhëzuesi publikohet në faqen zyrtare të ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë;
d) Bën publike mënyrën e vlerësimit e të marrjes së vendimeve, si dhe kuorumin e nevojshëm për vlefshmërinë e mbledhjeve të tij;
dh) Miraton rregullat e sjelljes së anëtarëve të tij.
2. Kryetari i Komitetit të Etikës Mjekësore për Pajisjet Mjekësore ushtron këto funksione:
a) Përgatit, thërret dhe drejton mbledhjet e Komitetit;
b) Përfaqëson Komitetin e Etikës Mjekësore për Pajisjet Mjekësore në marrëdhënie me të tretët;
c) Siguron mbështetjen administrative, organizative dhe financiare të ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë për funksionimin e Komitetit;
ç) Siguron dokumentacionin e mbledhjes së Komitetit të Etikës Mjekësore për Pajisjet Mjekësore dhe mbajtjen e dokumentacionit në përputhje me legjislacionin për arkivat;
d) Nënshkruan vendimet dhe çdo akt tjetër që lidhet me ushtrimin e kompetencave të Komitetit të Etikës Mjekësore për Pajisjet Mjekësore, dhe shkresat e ndryshme për komunikimin e Komitetit me të tretët;
dh) Ushtron çdo detyrë tjetër të përcaktuar nga mbledhja e Komitetit të Etikës Mjekësore për Pajisjet Mjekësore.
3. Në pamundësi objektive a pengesë ligjore të kryetarit, këto funksione ushtrohen nga zëvendëskryetari.
4. Përcaktimi i çështjeve të rendit të ditës dhe caktimi i ditës së zhvillimit të mbledhjes së Komitetit të Etikës Mjekësore për Pajisjet Mjekësore bëhet nga kryetari, duke mbajtur parasysh mendimin e anëtarëve. Në rendin e ditës përfshihen edhe çështjet që mund të propozohen me shkrim nga secili prej anëtarëve të tjerë të Komitetit të Etikës Mjekësore për Pajisjet Mjekësore. Nëse dita e mbledhjes së Komitetit të Etikës Mjekësore për Pajisjet Mjekësore është paracaktuar në mbledhjen paraardhëse, njoftimi i anëtarit për çështje që duhet të përfshihen në rendin e ditës duhet të paraqitet jo më vonë se 3 (tre) ditë nga ajo e caktuar për zhvillimin e mbledhjes.
5. Komiteti i Etikës Mjekësore për Pajisjet Mjekësore mblidhet sa herë është i nevojshëm shqyrtimi i një çështjeje ose rasti, por jo më pak se 1 (një) herë në 3 (tre) muaj.
6. Mbledhja paraardhëse e Komitetit të Etikës Mjekësore për Pajisjet Mjekësore, përpara përfundimit të saj, diskuton e vendos, nëse e vlerëson të nevojshme, për rendin e ditës, ditën dhe kohën e zhvillimit të mbledhjes pasardhëse.
7. Nëse nuk është vendosur ndryshe nga mbledhja e mëparshme e Komitetit të Etikës Mjekësore për Pajisjet Mjekësore, mbi bazën e punës përgatitore dhe të propozimeve të tjera të anëtarëve, kryetari thërret mbledhjen e vendos rendin e ditës, datën dhe kohën e zhvillimit të saj.
8. Në pamundësi objektive, papajtueshmëri, konflikt interesi ose pengesë ligjore të kryetarit, veprimet përgatitore dhe thirrja e mbledhjes kryhen nga zëvendëskryetari.
9. Anëtarët e Komitetit të Etikës Mjekësore për Pajisjet Mjekësore nuk duhet të kenë konflikt interesi për çdo vendim që duhet të marrin dhe duhet të nënshkruajnë një deklaratë vjetore, nëpërmjet së cilës ata bien dakord për të mos u shprehur mbi ato prova klinike, për të cilat mund të jenë në konflikt interesi të drejtpërdrejtë ose të tërthortë.
10. Kuorumi i nevojshëm për vlefshmërinë e mbledhjeve të Komitetit të Etikës Mjekësore për Pajisjet Mjekësore, në çdo rast, duhet të jetë më shumë se gjysma e anëtarëve. Vendimet merren me shumicën e të pranishmëve me të drejtë vote. Në rastet kur rezultati i votimit është i barabartë, vota e kryetarit është vendimtare.
11. Komiteti i Etikës Mjekësore për Pajisjet Mjekësore, në ushtrimin e veprimtarisë së tij, ndihmohet nga një sekretariat teknik, përfaqësues nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë, i caktuar nga vetë Komiteti i Etikës Mjekësore për Pajisjet Mjekësore. Sekretariati teknik ka këto detyra:
a) Të administrojë të gjitha kërkesat drejtuar Komitetit të Etikës Mjekësore për Pajisjet Mjekësore;
b) Të mbajë procesverbalet e çdo mbledhjeje të Komitetit të Etikës Mjekësore për Pajisjet Mjekësore.
12. Anëtarët e Komitetit të Etikës Mjekësore për Pajisjet Mjekësore dhe stafi i sekretariatit teknik kanë detyrimin të respektojnë parimin e konfidencialitetit dhe detyrimet që rrjedhin nga legjislacioni për mbrojtjen e të dhënave personale edhe pas lënies së mandatit apo largimit nga detyra.
13. Në veprimtarinë e tij, Komiteti i Etikës Mjekësore për Pajisjet Mjekësore udhëhiqet nga parimet që rrjedhin nga Deklarata e Helsinkit, Konventa e Oviedos, standardet e praktikës së mirë klinike dhe udhëzimet e përditësuara të Agjencisë Evropiane për Vlerësimin e Produkteve Mjekësore. Të drejtat, siguria dhe mirëqenia e personave të përfshirë në provat klinike mbizotërojnë mbi interesat e shkencës dhe të shoqërisë.
IV. DISPOZITA TË FUNDIT
1. Ministri përgjegjës për shëndetësinë thërret mbledhjen e parë të Komitetit të Etikës Mjekësore për Pajisjet Mjekësore.
2. Ngarkohet ministria përgjegjëse për shëndetësinë për zbatimin e ndjekjen e këtij vendimi.
3. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
RISHPËRNDARJE FONDESH BRENDA PROGRAMEVE BUXHETORE TË VITIT 2021, MIRATUAR PËR MINISTRINË E BRENDSHME
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.1998, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në buxhetin e vitit 2021 bëhet rishpërndarja e fondeve brenda programeve buxhetore të miratuara për Ministrinë e Brendshme, si më poshtë vijon:
a) Për programin “Garda e Republikës”, në zërin “Shpenzime korrente”, të shtohet fondi 31 000 000 (tridhjetë e një milionë) lekë, për plotësimin e nevojave për shpenzime personeli dhe shpenzime të tjera, për shkak të ndryshimeve të strukturave të Gardës në numrin e personelit, numrin e mjeteve dhe personaliteteve për t’u marrë në ruajtje, si Organet e Vlerësimit Kalimtar, SPAK dhe BKH.
b) Fondi prej 31 000 000 (tridhjetë e një milionë) lekësh të përballohet nga pakësimi i buxhetit për programin “Gjendja Civile”, në zërin “Shpenzime korrente”, në shumën 21 00 000 (njëzet e një milionë) lekë, dhe në programin “Prefektura”, në zërin “Shpenzime korrente”, në shumën 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë.
2. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLIT TEKNIK “PËR PAJISJET MBROJTËSE PERSONALE (PMP) DHE PЁRCAKTIMIN E LISTЁS SË STANDARDEVE TË HARMONIZUARA ”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.10489, datë 15.12.2011, “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullit teknik “Për pajisjet mbrojtëse personale (PMP) dhe përcaktimin e listës së standardeve të harmonizuara”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Standardet e harmonizuara shqiptare, numrat dhe titujt e të cilave janë përshirë në listën bashkëlidhur këtij vendimi, shërbejnë si dokumente reference për prezumimin e konformitetit të PMP-së me kërkesat thelbësore të objektivave të shëndetit dhe sigurisë, të përcaktuara në rregullin teknik sipas pikës 1, të këtij vendimi.
3. Çdo PMP e vendosur në treg, para hyrjes në fuqi të këtij vendimi dhe në përputhje me vendimin nr.1053, datë 23.12.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullit teknik “Për pajisjet e mbrojtjes personale (PMP) dhe përcaktimin e listës së standardeve të harmonizuara”, nuk do të pengohet të bëhet e disponueshme në treg, pas hyrjes në fuqi të këtij rregulli. Certifikatat e lëshuara në përputhje me këtë vendim janë të vlefshme.
4. Vendimi nr.1053, datë 23.12.2015, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullit teknik “Për pajisjet e mbrojtjes personale (PMP) dhe përcaktimin e listës së standardeve të harmonizuara””, shfuqizohet.
5. Ngarkohet Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “PËRMIRËSIMI I FURNIZIMIT ME UJË TË PIJSHËM PËR QYTETIN E ROSKOVECIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Përmirësimi i furnizimit me ujë të pijshëm për qytetin e Roskovecit”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Roskovec.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, me një vlerë të përgjithshme prej 971 548.50 (nëntëqind e shtatëdhjetë e një mijë e pesëqind e dyzet e tetë pikë pesëdhjetë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 971 548.50 (nëntëqind e shtatëdhjetë e një mijë e pesëqind e dyzet e tetë pikë pesëdhjetë) lekësh, të përballohet nga buxheti i Bashkisë Roskovec.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga fondet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin për likuidim, certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë, si dhe hartën treguese të regjistrimit pranë Bashkisë Roskovec.
8. Bashkia Roskovec kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Roskovec.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Roskovec, fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe bëjnë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Roskovec.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Roskovec, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, pranë Këshillit të Qarkut Fier, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.382, DATË 27.6.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR VEPRIMTARINË E STANDARDIZIMIT””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 8, të ligjit nr.9870, datë 4.2.2008, “Për standardizimin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në rregulloren bashkëlidhur vendimit nr.382, datë 27.6.2018, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Në kreun I, “Dispozita të përgjithshme”, bëhen shtesat dhe një ndryshim, si më poshtë vijon:
a) Në fund të pikës 1, “Qëllimi”, shtohen fjalët “… dhe pjesëmarrjen e palëve të interesit në proceset e standardizimit.”.
b) Në pikën 2, “Përkufizime”, bëhet një ndryshim dhe një shtesë, si më poshtë vijon:
i. Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. “Shërbim” është çdo aktivitet ekonomik vetëpunësimi, i cili normalisht sigurohet për shpërblim, përfshirë aktivitete të karakterit:
– industrial;
– tregtar;
– zejtar;
– të profesionistëve.”.
ii. Pas pikës 5 shtohet pika 6, me këtë përmbajtje:
“6. “Standard” është një specifikim teknik, i miratuar nga një organ i njohur standardizimi, për zbatim të përsëritur ose të vazhdueshëm, përputhshmëria me të cilin nuk është e detyrueshme dhe që është një nga përcaktimet e mëposhtme:
a) “Standard ndërkombëtar”, një standard i miratuar nga një organ ndërkombëtar standardizimi;
b) “Standard evropian”, një standard i miratuar nga një organizatë evropiane standardizimi;
c) “Standard i harmonizuar”, një standard evropian i miratuar në bazë të një kërkese të bërë nga Komisioni Evropian për zbatimin e legjislacionit të harmonizuar të Bashkimit Evropian;
ç) “Standard kombëtar”, një standard i miratuar nga një organ kombëtar standardizimi.”.
2. Në kreun II, “Transparenca dhe pjesëmarrja e grupeve të interesit”, bëhet një ndryshim dhe një shtesë, si më poshtë vijon:
a) Nënpika 3.4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3.4. DPS-ja njofton organizatat e tjera të standardizimit në nivel rajonal dhe/ose ndërkombëtar për ekzistencën e programit të punës në përputhje me legjislacionin, rregulloret e brendshme dhe procedurat e saj në fuqi.”.
b) Pas nënpikës 6.1 shtohet nënpika 6.2, me këtë përmbajtje:
“6.2 Kundërshtitë zyrtare ndaj standardeve të harmonizuara
6.2.1. Kur autoritetet shqiptare, përfshirë DPS-në ose ministrinë përgjegjëse, konsiderojnë se një standard shqiptar i harmonizuar nuk përmbush plotësisht kërkesat që synon të mbulojë dhe që përcaktohen në legjislacionin përkatës (rregulloret teknike), Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrisë përgjegjëse për çështjet tregtare dhe/ose ekonomike, pas konsultimit me DPS-në, mund të anulojë referencën për këtë standard dhe ta heqë atë nga lista e botuar për standardet e referencës. Procedura do të kryhet në përputhje me detyrimet e autoriteteve shqiptare dhe me legjislacionin, rregulloret e brendshme dhe procedurat e DPS-së në fuqi.”.
3. Në kreun IV, “Financimi i standardizimit evropian”, bëhen disa shtesa dhe një ndryshim, si më poshtë vijon:
a) Në fund të të shkronjës “a”, të nënpikës 9.2, shtohen fjalët “… si dhe organizatat evropiane të grupeve të interesit, siç përcaktohen në shtojcën II të vendimit;”;
b) Në nënpikën 10.1, fjala “Qeveria …” zëvendësohet me “Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit …”.
c) Pas nënpikës 10.2 shtohet nënpika 10.3, me këtë përmbajtje:
“10.3 Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit dërgon një raport vjetor në organizmat evropianë të standardizimit, në përputhje me detyrimet e autoriteteve shqiptare dhe me legjislacionin, rregulloret e brendshme dhe procedurat e saj në fuqi. Raporti përmban informacione të hollësishme për sa vijon:
a) Transparencën e standardeve;
b) Pjesëmarrjen e palëve të interesuara në standardizimin shqiptar dhe evropian;
c) Financimet nga Bashkimi Evropian;
ç) Përfaqësimin e NVM-ve, organizatave të konsumatorëve dhe aktorëve mjedisorë e socialë në organet kombëtare të standardizimit;
d) Publikimin në faqen e internetit të DPS-së për lehtësirat e krijuara për NVM-të për përdorimin e standardeve dhe pjesëmarrjen e tyre në proceset e hartimit e adoptimit të standardeve;
dh) Përdorimin e specifikimeve teknike të TIK-ut në sistemin e standardizimit;
e) Bashkëpunimin ndërmjet organeve kombëtare të standardizimit dhe organizatave evropiane të standardizimit.”.
ç) Pas pikës 10, “Organet kombëtare të standardizimit”, shtohet pika 11, me këtë përmbajtje:
“11. Pjesëmarrja e palëve të interesuara në standardizimin shqiptar dhe evropian
11.1. DPS-ja zbaton qasjen e procedurave të mëposhtme në veprimtarinë kombëtare në fushën e standardizimit dhe bashkëpunon për zbatimin e saj në nivelin rajonal (evropian).
11.2. DPS-ja inkurajon e lehtëson përfaqësimin dhe pjesëmarrjen efektive të të gjithë aktorëve relevantë, përfshirë NVM-të, organizatat e konsumatorëve dhe palët e interesit mjedisor dhe social në aktivitetet e saj të standardizimit. Ajo e realizon këtë veçanërisht përmes organizatave evropiane të interesit, që marrin financime nga Bashkimi Evropian, në përputhje me këtë rregullore në nivelin e zhvillimit të politikave dhe në fazat vijuese të zhvillimit të standardeve evropiane ose çdo publikim tjetër për standardizimin evropian:
a) propozimin e pranimin e titujve të rinj të punës;
b) diskutimin teknik për propozimet;
c) paraqitjen e komenteve për draftet e përgatitura;
ç) rishikimin e standardeve ekzistuese evropiane ose të publikimeve të tjera të standardizimit evropian;
d) shpërndarjen e informacionit dhe rritjen e ndërgjegjësimit në nivel kombëtar për standardet evropiane të miratuara ose publikimet e standardizimit evropian.
11.3. DPS-ja bashkëpunon me autoritetet e mbikëqyrjes së tregut në rajon, objektet kërkimore të Komisionit Evropian dhe organizatat evropiane të interesit, që marrin financime nga Bashkimi Evropian, në përputhje me këtë rregullore, dhe lehtëson përfaqësimin, në nivelin teknik, të ndërmarrjeve, qendrave kërkimore, universiteteve dhe personave të tjerë juridikë (kur këta të fundit kanë marrë pjesë në projekte të kësaj fushe dhe që është financuar nga Bashkimi Evropian me programe shumëvjeçare në fushën e kërkimit, të inovacionit dhe zhvillimit teknologjik) në aktivitetet e standardizimit lidhur me një fushë në zhvillim me ndikime të rëndësishme teknologjike.”.
4. Kreu V, “Dispozita kalimtare”, riformulohet, si më poshtë vijon:
“Kreu V. DISPOZITA KALIMTARE
12. Periudhat e zbatimit të rregullores
12.1. Me përjashtim të pikës 7, pikat 1 deri në 11 zbatohen me hyrjen në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave, që miraton këtë rregullore.
12.2. Pika 7, e kësaj rregulloreje, zbatohet drejtpërdrejt me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.699, DATË 5.10.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “BY-PASS VLORË” (SHTESA)”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.699, datë 5.10.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Pikat 3, 4 dhe 5 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen, në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, “arë”, “kullotë”, “pyll”, “drurë frutorë” dhe “ullishte”, me një vlerë të përgjithshme prej 254 371 689 (dyqind e pesëdhjetë e katër milionë e treqind e shtatëdhjetë e një mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e nëntë) lekësh, si më poshtë vijon:
– Truall, me sipërfaqe 22 141 (njëzet e dy mijë e njëqind e dyzet e një) m 2, me vlerë 230 691 978 (dyqind e tridhjetë milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e një mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e tetë ) lekë;
– Arë, me sipërfaqe 55 316 (pesëdhjetë e pesë mijë e treqind e gjashtëmbëdhjetë) m2, me vlerë 11 284 464 (njëmbëdhjetë milionë e dyqind e tetëdhjetë e katër mijë e katërqind e gjashtëdhjetë e katër) lekë;
– Kullotë, me sipërfaqe 19 639 (nëntëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e tridhjetë e nëntë) m2, me vlerë 3 948 628 (tre milionë e nëntëqind e dyzet e tetë mijë e gjashtëqind e njëzet e tetë) lekë;
– Pyll, me sipërfaqe 4 187 (katër mijë e njëqind e tetëdhjetë e shtatë) m2, me vlerë 690 855 (gjashtëqind e nëntëdhjetë mijë e tetëqind e pesëdhjetë e pesë) lekë;
– Drurë frutorë, me vlerë 6 732 500 (gjashtë milionë e shtatëqind e tridhjetë e dy mijë e pesëqind) lekë;
– Ullishte, me sipërfaqe 5 016 (pesë mijë e gjashtëmbëdhjetë) m2, me vlerë 1 023 264 (një milion e njëzet e tre mijë e dyqind e gjashtëdhjetë e katër) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, për pasuritë e llojit “truall”, “arë”, “kullotë”, “pyll” “drurë frutorë” dhe “ullishte”, në shumën 254 371 689 (dyqind e pesëdhjetë e katër milionë e treqind e shtatëdhjetë e një mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e nëntë) lekë, të përballohet, si më poshtë vijon:
– 234 237 718 (dyqind e tridhjetë e katër milionë e dyqind e tridhjetë e shtatë mijë e shtatëqind e tetëmbëdhjetë) lekë, nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë;
– 11 589 579 (njëmbëdhjetë milionë e pesëqind e tetëdhjetë e nëntë mijë e pesëqind e shtatëdhjetë e nëntë) lekë, nga buxheti i vitit 2020, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë;
– 8 544 392 (tetë milionë e pesëqind e dyzet e katër mijë e treqind e nëntëdhjetë e dy) lekë, nga fondi i Autoritetit Rrugor Shqiptar.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 170 000 (njëqind e shtatëdhjetë mijë) lekë, të përballohen, si më poshtë vijon:
– 120 000 (njëqind e njëzet mijë) lekë, nga Autoriteti Rrugor Shqiptar;
– 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.”.
b) Pas tabelave bashkëlidhur vendimit shtohet tabela që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, si dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.893, DATË 17.12.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE TË ORGANIZIMIT DHE TË FUNKSIONIMIT TË KABINETEVE NDIHMËSE, TË ORGANIZIMIT TË BRENDSHËM TË INSTITUCIONEVE TË ADMINISTRATËS SHTETËRORE, SI DHE PËR PROCEDURAT E HOLLËSISHME PËR PËRGATITJEN, PROPOZIMIN, KONSULTIMIN DHE MIRATIMIN E ORGANIZIMIT TË BRENDSHËM”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 17, pika 2, 21, pika 5, dhe 29, pika 1, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pas pikës 29, të vendimit nr.893, datë 17.12.2014, të Këshillit të Ministrave, të shtohen pikat 29/1, 29/2, 29/3, 29/4 dhe 29/5, me këtë përmbajtje:
“29/1. Në institucione të sistemeve prioritare, sipas përcaktimit të Kryeministrit apo të Këshillit të Ministrave, në kuadër të miratimit të strukturës dhe organikës së tyre, krijohen qendrat e ekselencës, të dedikuara:
a) për të propozuar dhe/ose menaxhuar projekte apo iniciativa zhvillimore në fushat përkatëse;
b) për të kontribuar me njohuri dhe ekspertizë të posaçme të nevojshme për një periudhë të caktuar kohore në fushën që mbulon institucioni e për të cilën mungojnë kapacitetet e nevojshme në institucion.
29/2. Numri i pozicioneve të punës në qendrat e ekselencës, të krijuara si pjesë e strukturave dhe organikave të institucioneve të administratës shtetërore, sipas pikës 29/1, të këtij vendimi, të jetë jo më shumë se 5 (pesë).
29/3. Marrëdhëniet e punës së nëpunësve në qendrat e ekselencës të rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës.
29/4. Procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për punësim në qendrat e ekselencës menaxhohet nëpërmjet platformës “Gati për Shqipërinë” nga komisionet e krijuara përkatësisht pranë Kryeministrisë apo ministrive, që kanë në sistemin e tyre këto njësi organizative. Ky proces realizohet nëpërmjet një procedure konkurruese, e cila zhvillohet në 2 (dy) faza:
a) Aplikimi i kandidatëve nga brenda apo jashtë Shqipërisë:
i. me ide për projekte apo iniciativa zhvillimore në fusha të caktuara, në rastin e përcaktuar në shkronjën “a”, të pikës 29/1, të këtij vendimi;
ii. me ekspertizën e nevojshme në fushën për të cilën nevojitet ajo, në rastin e përcaktuar në shkronjën “b”, të pikës 29/1, të këtij vendimi.
b) Vlerësimi i kandidatëve, nëpërmjet intervistave me gojë, ku anëtarët e komisioneve përkatëse gjykojnë për:
i. përputhshmërinë më të mirë të projekteve apo iniciativave zhvillimore të propozuara nga kandidatët me objektivat strategjikë të institucionit përkatës;
ii. ekspertizën më të mirë në fushën, ku është e nevojshme të ofrohet ajo.
29/5. Emërimi i kandidatëve të përzgjedhur sipas pikës 29/4, të këtij vendimi, bëhet në njërin prej niveleve të ekspertëve në bazë të kritereve të mëposhtme:
a) Ekspert i kategorisë së parë – kandidati që ka të paktën 5 (pesë) vjet ekspertizë në fushën për të cilën ka konkurruar, të vërtetuar në kontratat përkatëse;
b) Ekspert i kategorisë së dytë – kandidati që ka deri në 5 (pesë) vjet ekspertizë në fushën për të cilën ka konkurruar, të vërtetuar në kontratat përkatëse.”.
2. Ngarkohen Departamenti i Administratës Publike dhe institucionet e administratës shtetërore për zbatim e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.586, DATË 30.8.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PUNËSIMIN E PËRKOHSHËM TË STUDENTËVE TË EKSELENCËS NË INSTITUCIONET E ADMINISTRATËS SHTETËRORE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pas pikës 2/1, të kreut III, të vendimit nr.586, datë 30.8.2019, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të shtohet pika 2/2, me këtë përmbajtje:
“2/2. Përjashtimisht për vitin 2021:
a) pozicionet e dedikuara për studentët e ekselencës për këtë vit të plotësohen nga kandidatët e përzgjedhur nëpërmjet platformës “Gati për Shqipërinë”, sipas së njëjtës metodologji të vlerësimit të kandidatëve të përcaktuar në pikat 1, shkronja “b”, dhe 2, të kreut II, të këtij vendimi;
b) Departamenti i Administratës Publike të zhvillojë procedurën e radhës së punësimit të përkohshëm të studentëve të ekselencës, sipas përcaktimeve të kreut II, të këtij vendimi, nëse në përfundim të procedurës së zhvilluar sipas shkronjës “a”, të kësaj pike, mbeten ende pozicione vakante të dedikuara për studentët e ekselencës.”.
2. Ngarkohen Departamenti i Administratës Publike dhe institucionet e administratës shtetërore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.1140, DATË 24.12.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRATEGJISË KUNDËR KRIMIT TË ORGANIZUAR DHE KRIMEVE TË RËNDA, 2021–2025, DHE PLANIN E VEPRIMIT 2021–2022”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.1140, datë 24.12.2020, të Këshillit të Ministrave, shtohet shtojca 1, me titull “Plani Kombëtar i Veprimit për Luftën kundër Trafikimit të Personave 2021-2023”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
TRAJTIMIN E VULLNETARËVE PËR ANGAZHIMIN E TYRE NË AKTIVITETE TË MBROJTJES CIVILE APO NË OPERACIONET E PARANDALIMIT E TË PËRBALLIMIT TË FATKEQËSIVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 38, të ligjit nr.45/2019, “Për mbrojtjen civile”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Trajtimin e vullnetarëve për angazhimin e tyre në aktivitete të mbrojtjes civile apo në operacionet e parandalimit e të përballimit të fatkeqësive për:
a) transportin:
i. në rast se vullnetari do të angazhohet në aktivitete të mbrojtjes civile apo në operacionet e parandalimit e të përballimit të fatkeqësive jashtë territorit të vendbanimit të tij të zakonshëm;
ii. kur transporti nuk realizohet nga vetë institucionet apo strukturat qendrore dhe vendore të mbrojtjes civile, pranë të cilave ofrohen vullnetarët, shpenzimet e transportit do të njihen kundrejt dokumentit tatimor përkatës, por jo më shumë se tarifa përkatëse, sipas distancës kilometrike të linjës, e miratuar në vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave për tarifat e transportit të udhëtarëve.
b) trajnimin, në rastet kur kryhet nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile;
c) ushqimin, sipas mënyrës së paracaktuar nga institucionet apo strukturat qendrore dhe vendore të mbrojtjes civile, pranë të cilave ofrohen vullnetarët, në varësi të situatës së krijuar, por jo më shumë se vlera prej 2 500 (dy mijë e pesëqind) lekësh në ditë;
ç) mjetet e nevojshme për kryerjen e vullnetarizmit, të cilat do t’i jepen vullnetarit në përdorim nga institucionet apo strukturat qendrore dhe vendore të mbrojtjes civile, pranë të cilave ato ofrohen;
d) akomodimin, i cili, në varësi të aktiviteteve të mbrojtjes civile apo operacioneve të parandalimit e të përballimit të fatkeqësive, do të kryhet:
i. në formën e kompensimit, kundrejt dokumentit tatimor përkatës, të paraqitur nga hoteli dhe të shoqëruar me faturën e printuar nga kasa elektronike fiskale, por jo më shumë se 3 000 (tre mijë) lekë për çdo natë;
ii. në tenda/çadra apo struktura të tjera të përshtatura për akomodim.
2. Sigurimi i jetës dhe i shëndetit për vullnetarët që angazhohen në aktivitete të mbrojtjes civile apo në operacionet e parandalimit e të përballimit të fatkeqësive bëhet sipas kontratës së lidhur me shoqërinë e sigurimit, të përzgjedhur sipas rregullave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për prokurimin publik nga institucioni apo struktura qendrore dhe vendore e mbrojtjes civile, përgjegjëse për parandalimin e përballimin e fatkeqësisë, sipas natyrës së saj. Ky sigurim mbulon shpenzimet për trajtimin e dëmtimeve që vijnë si rezultat i angazhimit në aktivitete të mbrojtjes civile apo në operacionet e parandalimit e të përballimit të fatkeqësive, si më poshtë vijon:
a) Vdekje si rezultat i dëmtimeve;
b) Paaftësi e përhershme ose aftësi e kufizuar, ose një lloj i caktuar dëmtimi si rezultat i një aksidenti gjatë kohëzgjatjes së vullnetarizmit;
c) Paaftësi e përkohshme si rezultat i një aksidenti gjatë kohëzgjatjes së vullnetarizmit dhe për shkak të tij;
ç) Paaftësi e përkohshme si rezultat i një sëmundjeje të pësuar gjatë kohëzgjatjes së vullnetarizmit dhe për shkak të saj;
d) Shërbime spitalore dhe/ose mjekësore në spitalet publike ose private brenda shtetit, kur mbulimet shëndetësore nuk ofrohen në spitalet publike të vendit.
3. Shuma e përcaktuar në kontratën e sigurimit për çdo punonjës të siguruar nuk mund të jetë më e ulët se 500 000 (pesëqind mijë) lekë.
4. Tarifa e primit të sigurimit përcaktohet në kontratën e sigurimit, por nuk mund të jetë më e ulët se 0.5 (zero pikë pesë) %.
5. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga fondi i miratuar i buxhetit të shtetit për mbrojtjen civile.
6. Ngarkohen Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe institucionet apo strukturat qendrore dhe vendore të mbrojtjes civile, pranë të cilave ofrohen vullnetarët, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA