Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 10 Shkurt 2021:
V E N D I M
PËR
EKZEKUTIMIN E VENDIMIT TË GJYKATËS EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT, DATË 4.8.2020, PËR ÇËSHTJEN “TËRSHANA KUNDËR SHQIPËRISË” (PËR KËRKESËN NR.48756/14)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 46 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ratifikuar me ligjin nr.8137, datë 31.7.1996, “Për ratifikimin e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë’’, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 4.8.2020, për çështjen “Tërshana kundër Shqipërisë” (për kërkesën nr.48756/14), përfundimtar në datën 4.11.2020, në shumën 12 000 (dymbëdhjetë mijë) euro sa i takon dëmit jopasuror dhe 2 720 euro (dy mijë e shtatëqind e njëzet) euro lidhur me kostot e shpenzimet, plus çdo taksë që mund të jetë e aplikueshme.
2. Vlerat e përcaktuara si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, të konvertohen në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës ku depozitohet shuma, në datën e kryerjes së pagesës.
3. Vlerat e përcaktuara si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, të depozitohen në njërën nga bankat e nivelit të dytë, në emër të kërkueses Dhurata Tërshana, në vlerën që shteti shqiptar detyrohet, sipas vendimit përfundimtar të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 4.11.2020.
4. Pagimi i shumës së depozituar, sipas përcaktimeve të pikës 3, të këtij vendimi, në favor të kërkueses Dhurata Tërshana, të bëhet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, pas paraqitjes së dokumentacionit të nevojshëm ligjor për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit, brenda afatit 3-mujor nga dita kur vendimi i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut është bërë përfundimtar.
5. Mbi shumën e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, duke filluar nga data 5.2.2021, deri në datën e ekzekutimit të këtij vendimi, të paguhen interesa të thjeshta, të barabarta me kursin marzhinal të huas së Bankës Qendrore Evropiane, gjatë periudhës së mospagimit, plus tre për qind.
6. Efekti financiar i parashikuar në pikën 1, këtij vendimi, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.
7. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES PËR NDRYSHIMIN DHE RIVENDOSJEN E MARRËVESHJES NR.1 NË LIDHJE ME MARRËVESHJEN E BASHKËPUNIMIT TË DATËS 11 JANAR 2016, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E BUJQËSISË DHE ZHVILLIMIT RURAL, MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË, MINISTRIA E TURIZMIT DHE MJEDISIT, DHE BANKËS EVROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR LEHTËSIMIN E MBËSHTETJES SË AGROBIZNESIT DHE SEKTORIT TË TURIZMIT, BERZH – SHQIPËRI, LLOGARI BASHKËPUNIMI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes për ndryshimin dhe rivendosjen e marrëveshjes nr.1 në lidhje me marrëveshjen e bashkëpunimit të datës 11 janar 2016, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, në lidhje me lehtësimin e mbështetjes së agrobiznesit dhe sektorit të turizmit, BERZH – Shqipëri, llogari bashkëpunimi, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE ME SHKËMBIM LETRASH, TЁ MARRЁVESHJES SË HUAS, NDЁRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKЁS SЁ SHQIPЁRISЁ DHE FONDIT ABU DHABI PËR ZHVILLIM, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT “NDËRTIMI I BULEVARDIT VERIOR DHE REHABILITIMI I LUMIT TË TIRANËS”, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.150/2013
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 12, 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim letrash, të marrëveshjes së huas, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Abu Dhabi për Zhvillim, për financimin e projektit “Ndërtimi i bulevardit verior dhe rehabilitimi i Lumit të Tiranës”, ratifikuar me ligjin nr.150/2013, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.221, DATË 12.3.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR EMËRIMIN E KRYETARIT DHE TË ANËTARËVE TË KËSHILLIT DREJTUES TË AUTORITETIT TË AVIACIONIT CIVIL”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 5, të ligjit nr.10233, datë 11.2.2010, “Për Autoritetin e Aviacionit Civil”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në pikën 1, të vendimit nr.221, datë 12.3.2020, të Këshillit të Ministrave, z. Artan Shkreli zëvendësohet me z. Etjen Xhafaj.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.199, DATË 10.4.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRYETARIT DHE EMËRIMIN E ANËTARËVE, PËRFAQËSUES TË PUSHTETIT QENDROR, NË KËSHILLIN DREJTUES TË FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.10130, datë 11.5.2009, “Për Fondin Shqiptar të Zhvillimit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në pikën 2, të vendimit nr.199, datë 10.4.2019, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
1. Znj. Belinda Ikonomi, zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë, zëvendësohet me znj. Adela Xhemali, zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë.
2. Z. Artan Shkreli, zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, zëvendësohet me z. Hantin Bonati, zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLAVE TEKNIKE TË PROJEKTIMIT E TË NDËRTIMIT PËR FURNIZIMIN ME UJË DHE KANALIZIMIN
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 12, të ligjit nr.8102, datë 28.3.1996, “Për kuadrin rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe të largimit dhe përpunimit të ujërave të ndotura”, të ndryshuar, dhe të nenit 18, të ligjit nr.8402, datë 10.9.1998, “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullave teknike të projektimit e të ndërtimit për furnizimin me ujë dhe kanalizimin (RT2018), pjesa I, “Sistemet e furnizimit me ujë jashtë dhe brenda ndërtesave së bashku me elementet plotësuese të tyre, stacionet e pompave, pompat, rezervuarët dhe trajtimi i ujit të pijshëm”, dhe pjesa II, “Sistemet e kanalizimit jashtë dhe brenda ndërtesave së bashku me elementet plotësuese të tyre, kanalet dhe sistemet e tubacioneve, pusetat, stacionet e ujërave të shiut, stacionet e pompimit të ujërave të ndotura dhe trajtimi i tyre”, sipas teksteve që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Në lidhjen nr.2, bashkëlidhur vendimit nr.68, datë 15.2.2001, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e standardeve dhe të kushteve teknike të projektimit dhe të zbatimit të punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar, në “Kushtet teknike të projektimit” shfuqizohen pikat me numër rendor 10, 11 (KTP 10-78; KTP 11-78) dhe në “Kushtet teknike të zbatimit” shfuqizohen pikat me numër rendor 29, 30 (KTZ 25-81, KTZ 28-81).
3. Enti Rregullator i Ujit të përditësojë në vazhdimësi Rregullin Teknik të Projektimit dhe Ndërtimit për Furnizimin me Ujë dhe Kanalizimin (RT2018).
4. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Enti Rregullator i Ujit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA PROJEKTI “RIKUALIFIKIMI I RRUGËS “20 JANARI”, BASHKIA DIVJAKË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga projekti “Rikualifikimi i rrugës “20 Janari”, Bashkia Divjakë”.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Divjakë.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit tokë “arë”, “truall” dhe “ndërtesë”, me vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 496 943.79 (katërqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e nëntëqind e dyzet e tre pikë shtatëdhjetë e nëntë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 496 943.79 (katërqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e nëntëqind e dyzet e tre pikë shtatëdhjetë e nëntë) lekësh, të përballohet nga buxheti i Bashkisë Divjakë.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
7. Pronarët e pasqyruar në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë, si dhe hartën treguese të regjistrimit pranë Bashkisë Divjakë.
8. Bashkia Divjakë të kryejë procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Divjakë.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Divjakë, në bashkëpunim me Bashkinë Divjakë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë në favor të Bashkisë Divjakë.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Divjakë, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasurinë e shpronësuar, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të Bashkisë Divjakë.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Divjakë dhe Bashkia Divjakë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA PROJEKTI “RIKONSTRUKSIONI I RRUGËS LALAR – MBYET”, NJËSIA ADMINISTRATIVE PORTËZ, BASHKIA FIER
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga projekti “Rikonstruksioni i rrugës Lalar – Mbyet”, njësia administrative Portëz, Bashkia Fier.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Fier.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, në shumën e përgjithshme prej 570 818 (pesëqind e shtatëdhjetë mijë e tetëqind e tetëmbëdhjetë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 570 818 (pesëqind e shtatëdhjetë mijë e tetëqind e tetëmbëdhjetë) lekësh, të përballohet nga buxheti i Bashkisë Fier.
5. Vlera për shpenzimet procedurale, në shumën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohet nga fondet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, do të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin për likuidim, certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë, si dhe hartën treguese të regjistrimit në zyrat e Bashkisë Fier.
8. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Fier, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuarm dhe të bëjnë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Fier.
9. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit.
10. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Fier, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Fier për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE