Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 13 Dhjetor 2017:
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2017, MIRATUAR PËR MINISTRINË E MBROJTJES DHE MINISTRINË E BRENDSHME, PËR SHPËRBLIMIN E DISA PUNONJËSVE TË STRUKTURAVE NË FORCAT E ARMATOSURA DHE POLICINË E SHTETIT, TË ANGAZHUAR NË SITUATËN EMERGJENTE TË KRIJUAR NË DISA ZONA TË VENDIT NGA PËRMBYTJET
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.1998, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr. 8756, datë 26.3.2001, “Për emergjencat civile”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në buxhetin e miratuar për vitin 2017 të bëhet një shtesë fondi prej 63 290 000 (gjashtëdhjetë e tre milionë e dyqind e nëntëdhjetë mijë) lekësh për shpërblimin e punonjësve të disa strukturave në Forcat e Armatosura dhe Policinë e Shtetit, të angazhuar gjatë situatës emergjente të krijuar në disa zona të vendit si rezultat i përmbytjeve natyrore, si më poshtë vijon:
a) Ministrisë së Mbrojtjes, në programin buxhetor “Forcat e luftimit”, t’i shtohet fondi prej 56 690 000 (pesëdhjetë e gjashtë milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë mijë) lekësh, për shpërblimin e disa punonjësve të strukturave në Forcat e Armatosura;
b) Ministrisë së Brendshme, në programin buxhetor “Policia e Shtetit”, t’i shtohet fondi prej 6 600 000 (gjashtë milionë e gjashtëqind mijë) lekësh, për shpërblimin e disa punonjësve të Policisë së Shtetit.
2. Personeli i angazhuar në Ministrinë e Mbrojtjes të shpërblehet, si më poshtë vijon:
– 298 punonjës nga Forcat e Armatosura, në shumën 14 900 000 (katërmbëdhjetë milionë e nëntëqind mijë) lekësh;
– 1 560 punonjës nga Forcat e Armatosura, në shumën 31 200 000 (tridhjetë e një milionë e dyqind mijë) lekësh;
– 1 059 punonjës nga Forcat e Armatosura, në shumën 10 590 000 (dhjetë milionë e pesëqind e nëntëdhjetë mijë) lekësh.
3. Shpërblimi i punonjësve të angazhuar në strukturat e Policisë së Shtetit të bëhet, në masën 20 000 lekë/punonjës, për 330 punonjës dhe konkretisht:
– Për repartin special “Renea” dhe repartet e FNSH-ve Tiranë, Fier dhe Shkodër, 70 punonjës;
– Për Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, 60 punonjës;
– Për Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, 30 punonjës;
– Për Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, 30 punonjës;
– Për Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, 70 punonjës;
– Për Drejtorinë Vendore të Kufirit, Migracionit Vlorë dhe repartin “Delta Force”, 70 punonjës.
4. Listat përkatëse me emrat e punonjësve të strukturave të Forcave të Armatosura e të Policisë së Shtetit dhe masën e shpërblimit të miratohen përkatësisht nga ministri i Mbrojtjes e ministri i Brendshëm.
5. Shtesa e fondit, prej 63 290 000 (gjashtëdhjetë e tre milionë e dyqind e nëntëdhjetë mijë) lekësh, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.
6. Ngarkohen ministri i Mbrojtjes, ministri i Brendshëm dhe ministri i Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPËRBLIMIN E PENSIONISTËVE PËR FESTAT E FUNDVITIT, 2017
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpërblimin, në masën 3 000 (tre mijë) lekë, të personave, sipas kategorive të mëposhtme:
a) Personat që marrin pension pleqërie, pension invaliditeti, pension familjar dhe pension social, sipas ligjeve nr.4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, dhe nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
b) Personat që marrin pension, sipas ligjit nr.4976, datë 29.6.1972, “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, dhe sipas paragrafit të katërt, të nenit 96, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
c) Personat që marrin trajtim të veçantë financiar, sipas ligjit nr.8685, datë 22.6.2000, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, të ndryshuar, dhe personat, që përfitojnë trajtim të veçantë financiar, sipas ligjit nr.9179, datë 29.1.2004, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake”, të ndryshuar;
ç) Personat që marrin pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, sipas ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
d) Personat që marrin pension pleqërie, sipas ligjit nr.150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”;
dh) Personat që nuk përfitojnë pension, por që trajtohen vetëm me shpërblimin financiar si veteranë të LANC-it, sipas vendimit nr.190, datë 3.5.1995, të Këshillit të Ministrave, “Për zbatimin e ligjit nr.7874, datë 17.11.1994, “Për statusin e veteranit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar””, si dhe personat, të cilët marrin vetëm pension të posaçëm për merita të veçanta, sipas dispozitave të ligjit nr.4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”.
2. Të drejtën për të përfituar shpërblimin në masën e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, e kanë edhe ata persona që kanë datë të fillimit të pensionit, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
3. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të llogaritura në shumën 1 960 000 000 (një miliard e nëntëqind e gjashtëdhjetë milionë) lekë, të përballohen nga buxheti i sigurimeve shoqërore, i miratuar për vitin 2017, të cilat ndahen; 1 948 milionë lekë për dhënien e shpërblimeve, dhe 12 milionë lekë për pagesën e komisioneve të shërbimit për pagesën e shpërblimeve.
4. Shpërblimet të kalohen në llogaritë e pensionistëve në muajin dhjetor 2017 dhe të paguhen gjatë këtij muaji. Në rastet kur pagesat efektive nuk kryhen brenda muajit dhjetor 2017, ato të paguhen gjatë vitit të ardhshëm.
5. Procedura e pagesës dhe e administrimit të shpërblimit për pensionistët të realizohet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe “Posta Shqiptare”, sh.a.
6. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe “Posta Shqiptare”, sh.a. për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPËRBLIMIN E DISA KATEGORIVE TË VEÇANTA PËR FESTAT E FUNDVITIT, 2017
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të neneve 13 e 18, të ligjit nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përfituesit nga skema e ndihmës ekonomike dhe paaftësisë përfitojnë kompensimin financiar në masën 2 000 (dy mijë) lekë, të ndarë sipas këtyre kategorive:
a) Familje, të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike;
b) Familje, të cilat kanë në përbërje të tyre anëtarë me aftësi të kufizuara, të lindur ose të bërë të tillë, të cilët deklarohen të paaftë për punë me vendim të KMCAP-së, sipas pikës 3, të nenit 7, të ligjit nr.9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar;
c) Individë, përfitues të statusit sipas ligjit nr.8626, datë 22.6.2000, “Statusi i invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar;
ç) Individë, përfitues të statusit sipas ligjit nr.8098, datë 28.3.1996, “Për statusin e të verbrit”, të ndryshuar.
2. Efektet financiare, prej 293 400 000 (dyqind e nëntëdhjetë e tre milionë e katërqind mijë) lekësh, të përballohen, si më poshtë vijon:
a) 101 400 000 (njëqind e një milionë e katërqind mijë) lekë nga buxheti i Ministrisë së Drejtësisë, miratuar për vitin 2017, për zërin “Shpenzimet korrente”, të ndara sipas programeve, përkatësisht, 64 000 000 (gjashtëdhjetë e katër milionë) lekë, në programin buxhetor “Kthimi dhe kompensimi i pronave”; 15 400 000 (pesëmbëdhjetë milionë e katërqind mijë) lekë, në programin buxhetor “Shërbimi i provës”; dhe 22 000 000 (njëzet e dy milionë) lekë në programin buxhetor “Planifikimi, menaxhimi dhe administrimi”;
b) 16 000 000 (gjashtëmbëdhjetë milionë) lekë nga buxheti i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, miratuar për vitin 2017, për zërin “Shpenzime korrente”, të ndara sipas programeve, përkatësisht, 15 000 000 (pesëmbëdhjetë milionë) lekë, në programin buxhetor “Zhvillimi rural, duke mbështetur prodhimin bujqësor, blegtoral, agro-industrial dhe marketingun”, dhe 1 000 000 (një milion) lekë në programin buxhetor “Administrimi i ujërave”;
c) 176 000 000 (njëqind e shtatëdhjetë e gjashtë milionë) lekë nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2017.
3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministria e Drejtësisë për detajimin e fondeve sipas strukturës përkatëse buxhetore dhe përcaktimin e procedurës së dhënies së shpërblimeve.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KUOTAT FINANCIARE TË USHQIMIT NË MENSA E KONVIKTE, PËRCAKTIMIN E KRITEREVE PËR PËRFITIMIN E BURSAVE DHE PAGESAVE PËR NXËNËSIT E ARSIMIT PARAUNIVERSITAR NË INSTITUCIONET ARSIMORE PUBLIKE, PËR VITIN SHKOLLOR 2017- 2018
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 6, 19 dhe 28, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të pikës 2, të nenit 32, të ligjit nr.15/2017, “Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë”, të neneve 1 e 5, të ligjit nr.10289, datë 17.6.2010, “Për mënyrën e trajtimit ekonomik e financiar dhe për dhënie ndihme të menjëhershme familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që humbin jetën në krye apo për shkak të detyrës”, të nenit 2, të ligjit nr.7889, datë 14.12.1994, “Për statusin e invalidit”, të ndryshuar, të nenit 6, të ligjit nr.8153, datë 31.10.1996, “Për statusin e jetimit”, të ndryshuar, të nenit 8, të ligjit nr.8098, datë 28.3.1996, “Për statusin e të verbrit”, të ndryshuar, të nenit 8, të ligjit nr.8626, datë 22.6.2000, “Statusi i invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar, të nenit 32, të ligjit nr.9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar, si dhe të ligjit nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Nxënësit që ndjekin studimet në institucionet arsimore publike të arsimit parauniversitar mund të përfitojnë bursë dhe përfitime të tjera, të parashikuara në këtë vendim nga buxheti vjetor i miratuar për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.
2. Nxënësit që ndjekin arsimin parauniversitar me kohë të plotë përfitojnë bursë brenda kuotave dhe kritereve, si më poshtë vijon:
2.1 Sipas kriterit ekonomik:
a) Nxënësit e arsimit parauniversitar që vazhdojnë studimet në largësinë mbi 5 km nga vendbanimi i përhershëm i tyre e që plotësojnë kriterin ekonomik, sipas pasqyrës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
b) Nxënësit e arsimit parauniversitar që banojnë në zonat rurale, që nuk kanë shkollë 9-vjeçare brenda rrezes prej 5 km, që plotësojnë kriterin ekonomik, sipas pasqyrës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, dhe akomodohen në konvikte publike.
2.2 Sipas rezultateve të arritura:
Nxënësit e arsimit profesional që kanë mbaruar vitin shkollor pararendës me të gjitha notat 10 (dhjeta).
2.3 Jashtë kriterit ekonomik:
a) Nxënës që kanë përfituar statusin e jetimit;
b) Nxënës që kanë humbur kujdestarinë prindërore, me vendim gjykate të formës së prerë;
c) Nxënës që gëzojnë statusin ligjor të invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik;
ç) Nxënës që gëzojnë statusin ligjor që nuk shikojnë apo nuk dëgjojnë;
d) Nxënës fëmijë të personave që gëzojnë statusin e invalidit e që përfitojnë pension invaliditeti dhe nuk kanë të ardhura të tjera;
dh) Nxënës të komunitetit rom dhe egjiptian që regjistrohen dhe ndjekin arsimin e mesëm profesional;
e) Nxënës që janë identifikuar dhe trajtuar si viktima të trafikut të qenieve njerëzore dhe kanë humbur kujdesin prindëror;
ë) Nxënës fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës.
Në fillim të çdo viti shkollor, por jo më vonë se data 31 dhjetor 2017, për këto kategori nxënësish, Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Mbrojtjes dhe Shërbimi Informativ Shtetëror si dhe institucionet e përkujdesit social rezidencial publik duhet të dërgojnë në njësitë bazë të qeverisjes vendore përkatëse ku ndjekin studimet listën e nxënësve përfitues, sipas pikës 2.3, të këtij vendimi.
2.4 Sipas degëve parësore të zhvillimit ekonomik të vendit dhe vendbanimit të përhershëm, nxënësit që ndjekin me kohë të plotë arsimin profesional:
a) Në drejtimet mësimore: bujqësi, veterinari, pyje, ndërtim, peshkim, detari, gjeologji-miniera dhe shpim e shfrytëzim i vendburimeve të naftës dhe gazit.
b) Me vendbanim të përhershëm në zonat verilindore dhe juglindore të vendit: Dibër, Bulqizë, Mat, Kukës, Has, Tropojë, Pukë, Mirditë, Malësi e Madhe, Librazhd, Gramsh, Kolonjë, Përmet, Skrapar dhe Tepelenë.
3. Nxënësit e të gjitha kategorive të mësipërme nuk përfitojnë bursë ose humbasin të drejtën e përfitimit të saj, kur:
a) janë ndarë nga trungu familjar;
b) familjet e tyre ushtrojnë veprimtari private;
c) shpallen ngelës apo përsëritës dhe humbasin vitin shkollor për arsye të rezultateve jokaluese.
4. Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në konsultim me institucionet arsimore, hartojnë planin e shpërndarjes së bursave për nxënësit e arsimit parauniversitar dhe arsimit profesional, që ndjekin vitin e parë akademik 2017-2018 dhe ua dërgojnë njësive bazë të qeverisjes vendore, jo më vonë se data 31 dhjetor 2017.
4.1 Drejtorët e shkollave profesionale, për nxënësit që regjistrohen dhe ndjekin studimet me kohë të plotë në vitin e parë shkollor 2017-2018, sipas pikës 2.4, të këtij vendimi, u dërgojnë informacion njësive bazë të qeverisjes vendore, jo më vonë se data 20 dhjetor 2017.
5. Njësitë bazë të vetëqeverisjes vendore, bazuar në planin e përcaktuar për to, me vendim të këshillit bashkiak, miratojnë dhënien e bursave, sipas kritereve të përcaktuara në pikat 2.1, 2.2, 2.3 dhe 2.4, të këtij vendimi, duke u dhënë përparësi nxënësve nga shtresat, kategoritë sociale në nevojë, për trajtimin me bursë të plotë. Për kushte ekonomike të barabarta në trajtimin me bursë, prioritet kanë nxënëset vajza. Njësitë bazë të vetëqeverisjes vendore, në pamundësi trajtimi me bursë të plotë, brenda planit të miratuar, mund të trajtojnë/miratojnë për nxënësit dhe gjysmë burse.
5.1 Nxënësit e shkollave profesionale që ndjekin vitin e dytë në drejtimet mësimore: bujqësi, veterinari, pyje, ndërtim, peshkim, detari, gjeologji-miniera dhe shpim e shfrytëzim i vendburimeve të naftës dhe gazit, që kanë përfituar bursë në vitin e parë 2016-2017 dhe që nuk rezultojnë mbetës, përfitojnë bursë deri në përfundim të viteve të shkollimit.
5.2 Bursat e nxënësve për vitin e parë shqyrtohen dhe miratohen nga këshilli bashkiak, sipas vendbanimit të përhershëm të prindit/nxënësit, përfitues të bursës/kuotës ushqimore.
5.3 Bursat e nxënësve për vitin e dytë e lart rishqyrtohen dhe miratohen çdo vit, nga këshilli bashkiak, sipas vendndodhjes territoriale dhe administrative të shkollave profesionale apo konvikteve ku janë vendosur nxënësit, përfitues të bursës/kuotës ushqimore.
5.4 Njësitë bazë të vetëqeverisjes vendore, brenda numrit të përgjithshëm të bursave të dhëna për vitin akademik 2017-2018, mbështetur në numrin e nxënësve të regjistruar, vendosin për dhënien e bursave sipas vendndodhjes territoriale dhe administrative të shkollave profesionale dhe konvikteve në të cilat janë vendosur nxënësit.
6. Njësitë bazë të vetëqeverisjes vendore, detyrimisht duhet t’u dërgojnë zyrtarisht, jo më vonë se data 31 mars 2018, drejtorive të shkollave profesionale për arsimin profesional dhe drejtorive rajonale arsimore/zyrave arsimore, vendimet për dhënien e bursave, të shoqëruara me dokumentacionin përkatës. Njësitë e vetëqeverisjes vendore duhet të raportojnë, zyrtarisht, pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, çdo tre muaj, për fondet buxhetore të shpenzuara dhe numrin e nxënësve që trajtohen me kuota financiare të ushqimit në konvikte e bursa.
7. Të gjithë nxënësit/prindërit dhe drejtoritë e shkollave profesionale paraqesin/dërgojnë, zyrtarisht, në njësitë e qeverisjes vendore, kërkesat për miratimin e bursës, për nxënësit që përfitojnë bursë, sipas kritereve të përcaktuara në pikat 2.1, 2.2, 2.3 e 2.4, të këtij vendimi.
Nxënësit që kanë përfituar bursë vitin e parë, me vendim të këshillit bashkiak, ku ata kanë vendbanimin e përhershëm dhe nëse atyre nuk u ndryshojnë kriteret ekonomike dhe nuk rezultojnë mbetës e përfitojnë bursën deri në përfundim të viteve të shkollimit.
8. Gjatë periudhës së zhvillimit të praktikës mësimore, nxënësit që kanë përfituar bursë nga njësia bazë e qeverisjes vendore, e përfitojnë atë edhe gjatë periudhës së zhvillimit të praktikës profesionale. Bursa jepet në formën e kuotës ushqimore ose kuotës financiare drejtpërdrejt në llogarinë bankare të nxënësit/prindit, të çelur pranë bankave të nivelit të dytë.
8.1 Për nxënësit që kanë përfituar bursë për vitin shkollor 2017-2018, drejtorët e shkollave profesionale si dhe të shkollave të tjera të arsimit parauniversitar, dërgojnë zyrtarisht në datën 5 të çdo muaji, pranë njësive bazë të vetëqeverisjes vendore, informacion të detajuar për frekuentimin e shkollës/praktikës profesionale nga nxënësit që përfitojnë bursë.
9. Nxënësit që kanë përfituar statusin ligjor të jetimit, nxënësit e Institutit të Fëmijëve që nuk Dëgjojnë dhe të Institutit të Fëmijëve që nuk Shikojnë, përfitojnë çdo vit, falas, veshmbathje, libra dhe fletore, sipas pasqyrës nr.4, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Nxënësit e Institutit të Fëmijëve që nuk Dëgjojnë dhe të Institutit të Fëmijëve që nuk Shikojnë përjashtohen nga detyrimet e tarifave të shërbimeve të ndryshme që ofrojnë institucionet shtetërore.
9.1 Nxënësve që kanë përfituar statusin ligjor të jetimit, të invalidit paraplegjik, tetraplegjik, statusin ligjor të personave që nuk shikojnë, të personave që nuk dëgjojnë, u sigurohen falas akomodimi/fjetja, shërbimi shëndetësor, shërbimi dentar dhe medikamentet, pas paraqitjes së librezës, të kartës shëndetësore si dhe të epikrizës, nga qendra spitalore e rrethit.
9.2 Nxënësit jetimë që ndjekin studimet në institucionet publike të arsimit parauniversitar, trajtohen me pagesë suplementare edhe për periudhën e pushimeve verore, nga njësitë e qeverisjes vendore, sipas vendndodhjes territoriale.
9.3 Nxënësit e komunitetit rom dhe egjiptian që vazhdojnë studimet në shkollat e mesme profesionale përfitojnë, falas, veshmbathje, libra dhe fletore, sipas pasqyrës nr.4.
9.4 Fëmijët/nxënësit dhe mësuesit e institucioneve të arsimit special, me nevoja të veçanta psikosociale, pa konvikt, trajtohen me fonde të buxhetit të shtetit me një kuotë ushqimore (drekë), me vlerë deri në 150 (njëqind e pesëdhjetë) lekë në ditë, si dhe libra e fletore, sipas pasqyrës nr.4.
10. Fondet buxhetore për mbulimin e shpenzimeve për bursat si dhe numri i bursave për nxënësit administrohen nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, sipas vendndodhjes territoriale dhe administrative të konvikteve ku janë vendosur nxënësit konviktorë. Masa mujore e bursës u jepet nxënësve në formën e kuotës ushqimore në konvikt.
11. Nxënësve që përfitojnë bursë, të cilët nuk janë akomoduar në konvikte, për mungesë të akomodimit në konvikte, nxënësve që përfitojnë bursë sipas rezultateve të arritura, nxënësve që përfitojnë bursë jashtë kriterit ekonomik, si dhe nxënësve që ndjekin me kohë të plotë arsimin profesional në degët parësore të zhvillimit ekonomik të vendit, të cilët nuk janë akomoduar në konvikte, masa e miratuar e bursës mujore u paguhet nga njësia e vetëqeverisjes vendore çdo muaj pranë bankave të nivelit të dytë, në llogarinë bankare të nxënësve/prindërve.
12. Njësitë bazë të vetëqeverisjes vendore realizojnë pagesën e bursës për nxënësit përfitues, vetëm pasi drejtorët e shkollave profesionale konfirmojnë, zyrtarisht, brenda datës 5 të çdo muaji, pranë njësive të qeverisjes vendore, informacionin për ndjekjen/frekuentimin e shkollës për nxënësit që përfitojnë bursë.
13. Nxënësve që nuk frekuentojnë mësimin apo nuk ndjekin praktikën profesionale pa arsye ligjore apo shëndetësore u ndërpritet menjëherë bursa.
14. Masa e bursës për nxënësit jepet sipas pasqyrës nr.2, bashkëlidhur këtij vendimi, ndërsa kuota financiare ushqimore ditore jepet sipas pasqyrës nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
15. Ministria e Financave dhe Ekonomisë, për hyrjet e reja në vitin e parë, në sistemin arsimor publik që ndjekin shkollat profesionale, për të gjitha kategoritë e parashikuara në pikën 2, të këtij vendimi, për vitin e ri shkollor 2017-2018, të japë 2 100 (dy mijë e njëqind) bursa.
16. Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, për të gjitha kategoritë e nxënësve që ndjekin arsimin parauniversitar, të parashikuara në pikën 2, të këtij vendimi, pa përfshirë nxënësit që ndjekin shkollat profesionale, për vitin e ri shkollor 2017-2018, të japë 800 (tetëqind) bursa.
17. Efektet financiare, të vitit akademik 2017-2018, të përballohen nga fondet e buxhetit të shtetit, miratuar për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, për vitin 2017 dhe 2018.
18. Afati përfundimtar për shqyrtimin dhe miratimin e bursave nga njësitë bazë të qeverisjes vendore, për të gjitha kategoritë e shkollave, është data 31 mars 2018. Vendimet e këshillave të njësive të vetëqeverisjes vendore të miratuara jashtë këtij afati janë të pavlefshme.
19. Vendimet e njësive bazë të qeverisjes vendore bëhen publike në faqen zyrtare të institucionit për nxënësit, komunitetin, median dhe institucionet e tjera vendore apo qendrore.
20. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, njësitë bazë të vetëqeverisjes vendore, njësitë arsimore vendore (DAR/ZA), si dhe shkollat e arsimit të mesëm profesional për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
ZBATIMIN E MARRËVESHJES SË BASHKËPUNIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË GREQISË, PËR KËRKIMIN, ZHVARRIMIN, IDENTIFIKIMIN DHE VARRIMIN E USHTARAKËVE GREKË, TË RËNË NË SHQIPËRI GJATË LUFTËS GREKO-ITALIANE TË VITEVE 1940-1941, DHE PËR NDËRTIMIN E VENDPREHJES PËR TA, BRENDA TERRITORIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.10256, DATË 25.3.2010
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4 e 5, të marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë, për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941, dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, ratifikuar me ligjin nr.10256, datë 25.3.2010, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë të ndjekin procesin e shpronësimit të trojeve për ndërtimin e vendprehjeve të ushtarakëve grekë, të rënë gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941, të përcaktuar sipas marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë, për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941, dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta brenda territorit të Republikës Shqipërisë, ratifikuar me ligjin nr.10256, datë 25.3.2010, në bazë të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar.
2. Ministria e Mbrojtjes, në bashkërendim me Ministrinë e Brendshme, të ndërmarrë të gjitha procedurat ligjore për marrjen në administrim të trojeve për ndërtimin e vendprehjeve, sipas ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”.
3. Ministria e Brendshme, në bashkëpunim me bashkitë të cilat do të jenë pjesë e procesit të kërkimit, identifikimit, zhvarrimit dhe varrimit të eshtrave, të sigurojë të gjitha lejet për procesin, të përgatitë të gjithë dokumentacionin shoqërues, si dhe të marrë të gjitha masat për të bërë të mundur fillimin dhe vazhdimin e procesit në zbatim të marrëveshjes.
4. Prefekti i qarkut ku do të zhvillohen punimet e kërkimit, identifikimit, zhvarrimit dhe varrimit të eshtrave, në bashkëpunim me bashkitë përkatëse, të ofrojë të gjithë infrastrukturën e nevojshme për zbatimin e procesit të kërkimit, identifikimit, zhvarrim-varrimit në territoret e tyre.
5. Me urdhër të Kryeministrit, në zbatim të neneve 2, pika 5, dhe 4, shkronja “a”, të marrëveshjes, të përcaktohen ekspertët e palës shqiptare në Komitetin e Përbashkët të Ekspertëve Shqiptarë dhe Grekë për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e eshtrave, si dhe ekspertët në terren të palës shqiptare.
6. Ministritë dhe institucionet e tjera shtetërore, të përfaqësuara me ekspertë në Komitetin e Përbashkët në terren të përballojnë shpenzimet për realizimin e detyrave nga këto ekspertë, sipas legjislacionit në fuqi.
7. Ministria e Mbrojtjes, në zbatim të pikës 8, të nenit 1, të marrëveshjes, të organizojë, në bashkëpunim me palën greke, ceremonitë zyrtare në përkujtim të të rënëve në luftë, çdo vit, në datën 28 tetor.
8. Ministria e Financave dhe Ekonomisë të marrë masat e nevojshme për zbatimin e të gjitha procedurave të zhdoganimit dhe të përjashtimit nga detyrimet doganore sipas ligjit nr.10256, datë 25.3.2010.
9. Vendimi nr.496, datë 29.6.2011, i Këshillit të Ministrave, “Për zbatimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë, për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941, dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, ratifikuar me ligjin nr.10256, datë 25.3.2010”, shfuqizohet.
10. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Brendshme, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe prefektët e qarqeve ku do të zhvillohen punimet për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.712, DATË 13.7.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE TË KONKURRIMIT PUBLIK PËR TË DREJTËN E PESHKIMIT NË UJËRAT E BRENDSHME TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 52, të ligjit nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.712, datë 13.7.2013, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Shkronja “c”, e pikës 4, shfuqizohet.
2. Pikat 9 e 10 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“9. Numri i lejeve të peshkimit në zonat e bashkëmenaxhimit përcaktohet në planin e bashkëmenaxhimit. Ministri përgjegjës, pas konsultimit paraprak me institucionet shkencore të specializuara të fushës, përcakton numrin e lejeve dhe llojet e caktuara të peshkimit.
10. Në kategoritë ujore ku nuk funksionojnë OMP-të, sipas pikës 7, të këtij vendimi, subjektet e interesuara për zhvillimin e aktivitetit të peshkimit paraqesin në ministri një planbiznes të plotë për zhvillimin e veprimtarisë së synuar, duke përfshirë të dhëna personale të subjektit si, NIPT-i, ID-ja, numri i kontaktit, si dhe të dhëna për nivelin e investimit e të punësimit, duke konsideruar statusin mjedisor të zonës.”.
3. Pas pikës 10 shtohet pika 10/1, me këtë përmbajtje:
“10/1. Subjektet e interesuara, që dëshirojnë të ushtrojnë veprimtarinë e peshkimit në ujërat e brendshme, duhet të pajisen me leje peshkimi për ujërat e brendshme, e cila përfshihet në nënkategorinë “të gjitha përdorimet e tjera (peshkim në ujërat e brendshme, peshkim nga organizatat e bashkëmenaxhimit (OMP) dhe dhënien në administrim të lagunave dhe zonave të tjera ujore limitrofe)”, me kodin III.5.A.2.” .
4. Pika 11 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“11. Dokumentacioni i përcaktuar në pikën 10, të këtij vendimi, vlen për të gjitha subjektet e interesuara që paraqiten për konkurrim, sipas kategorive ujore të shpallura dhe llojit të aktivitetit, si më poshtë vijon:
– Për lagunat bregdetare, jo me dajlan;
– Për lumenjtë, bilance dhe stavnikë;
– Për peshkimin artizanal, me instalim stavniku në laguna dhe bregdet;
– Për lagunat bregdetare, me instalim dajlani;
– Për ujëmbledhësit e bujqësisë.”.
5. Pas pikës 11 shtohet pika 11/1, me këtë përmbajtje:
“11/1. Për ujëmbledhësit e bujqësisë, pas shpalljes së fituesit në procedurën e konkurrimit publik për të drejtën e peshkimit në këta ujëmbledhës, subjekti fitues lidh një aktmarrëveshje me bashkinë/drejtorinë e ujitjes dhe të kullimit, të cilat janë organet që administrojnë ujëmbledhësin, sipas aneksit 1, bashkëlidhur këtij vendimi.”.
6. Pas pikës 12 shtohet pikat 12/1, me këtë përmbajtje:
“12/1. Për ujëmbledhësit e bujqësisë, për të cilët nuk ka kërkesa për zhvillim aktiviteti, ministria njofton bashkinë/drejtorinë e ujitjes dhe të kullimit për shpalljen e konkurrimit publik për ujëmbledhësin përkatës. Në rastin kur institucioni që administron këtë ujëmbledhës nuk përgjigjet brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve për këtë njoftim, ministria shpall konkurrimin.”.
7. Pika 21 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“21. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe bashkitë për zbatimin e këtij vendimi.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË (PËRFITUESI), PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË, DHE KFW, FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR FINANCIMIN E SHËRBIMEVE TË EKSPERTËVE NDAJ PËRFITUESIT, NË KUADËR TË PROGRAMIT “REHABILITIMI I KONVIKTEVE TË UNIVERSITETIT TË TIRANËS SIPAS PARIMIT TË EFIÇENCËS SË ENERGJISË”, FINANCUAR NGA NJË FOND I VEÇANTË, DHËNË NGA QEVERIA GJERMANE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10 të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (Përfituesi), përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe KfW, Frankfurt am Main (KfW), për financimin e shërbimeve të ekspertëve ndaj përfituesit, në kuadër të programit “Rehabilitimi i konvikteve të Universitetit të Tiranës sipas parimit të efiҫencës së energjisë”, financuar nga një fond i veçantë, dhënë nga qeveria gjermane, në shumën prej 155 000.00 (njëqind e pesëdhjetë e pesë mijë pikë zero) eurosh, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË (PËRFITUESI), PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË DHE KFW FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR PROJEKTIN “PROGRAMI PËR REHABILITIMIN ME EFIÇENCË ENERGJETIKE TË KONVIKTEVE TË UNIVERSITETIT TË TIRANËS, SHQIPËRI”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 22, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (Përfituesi), përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), për projektin “Programi për rehabilitimin me efiçencë energjetike të konvikteve të Universitetit të Tiranës, Shqipëri”, me një grant në shumën prej 4 500 000.00 (katër milionë e pesëqind mijë) eurosh, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDËRMJET, KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIMIN TEKNIK 2017 PËR PROJEKTIN “ZHVILLIM I QËNDRUESHËM EKONOMIK DHE RAJONAL, NXITJA E PUNËSIMIT DHE ARSIMI PROFESIONAL” (SHTIM I DYTË FONDESH)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10 të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, mbi bashkëpunimin teknik 2017, për projektin “Zhvillim i qëndrueshëm ekonomik dhe rajonal, nxitja e punësimit dhe arsimi profesional” (shtim i dytë fondesh), sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË (PËRFITUESI), PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË DHE KFW FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR PROJEKTIN “PROGRAMI PËR REHABILITIMIN ME EFIÇENCË ENERGJETIKE TË KONVIKTEVE TË UNIVERSITETIT TË TIRANËS, SHQIPËRI, FAZA II”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 22, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (Përfituesi), përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), për projektin “Programi për rehabilitimin me efiçencë energjetike të konvikteve të Universitetit të Tiranës, Shqipëri, faza II”, me një grant në shumën prej 2 032 179.23 (dy milionë e tridhjetë e dy mijë e njëqind e shtatëdhjetë e nëntë pikë njëzet e tre) eurosh, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KOMISIONIT TË BASHKIMIT EVROPIAN PËR PROGRAMIN E VEPRIMIT IPA PËR VITIN 2016 PËR SHQIPËRINË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, si dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit të Bashkimit Evropian, për programin e veprimit IPA për vitin 2016 për Shqipërinë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË NDRYSHIMIT NR.1 TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KOMISIONIT TË BASHKIMIT EVROPIAN, NË LIDHJE ME PROGRAMIN VJETOR KOMBËTAR PËR SHQIPËRINË PËR VITIN 2015, NË KUADËR TË INSTRUMENTIT TË ASISTENCËS SË PARAANËTARËSIMIT (IPA II)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, si dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të ndryshimit nr.1 të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit të Bashkimit Evropian, në lidhje me programin vjetor kombëtar për Shqipërinë për vitin 2015, në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA II).
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
EMËRIMIN E KRYETARIT DHE TË ANËTARËVE TË KËSHILLIT DREJTUES TË AUTORITETIT TË AVIACIONIT CIVIL
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 5, të ligjit nr.10233, datë 11.2.2010, “Për Autoritetin e Aviacionit Civil”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Emërimin në detyrën e kryetarit dhe të anëtarëve të këshillit drejtues të Autoritetit të Aviacionit Civil, si më poshtë vijon:
– Z. Sandër Lleshi, kryetar;
– Znj. Brunilda Lilo, anëtar;
– Z. Hajrulla Çeku, anëtar;
– Z. Vladimir Avdiaj, anëtar;
– Znj. Etleva Kondi, anëtar.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.892, DATË 21.12.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E FUNKSIONEVE KORRESPONDUESE DHE KATEGORIZIMIN PËR GRADAT NË POLICINË E SHTETIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 61, të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në pikën 3, të vendimit nr.892, datë 21.12.2016, të Këshillit të Ministrave, fjalët “… deri në 1 vit…”, ndryshohen dhe bëhen “… deri në 2 vjet…”.
2. Ngarkohet Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË FONDI DHE NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.22, DATË 18.1.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2017, MIRATUAR PËR MINISTRINË E PUNËVE TË BRENDSHME, NGA FONDI REZERVË I BUXHETIT TË SHTETIT, PËR SHLYERJEN E DETYRIMEVE QË RRJEDHIN NGA ZBATIMI I VENDIMEVE GJYQËSORE PËR VIKTIMAT E NGJARJES SË 21 JANARIT 2011”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe ligjit nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ministrisë së Brendshme, në buxhetin e miratuar për vitin 2017, t’i shtohet fondi prej 129 672 594 (njëqind e njëzet e nëntë milionë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e dy mijë e pesëqind e nëntëdhjetë e katër) lekësh, nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, për shlyerjen e detyrimeve që rrjedhin nga zbatimi i vendimeve gjyqësore për viktimat e ngjarjes së 21 janarit 2011, sipas lidhjes nr.1/1, që i bashkëlidhet dhe është pjesë përbërëse e këtij vendimi.
2. Lidhja nr.1, bashkëlidhur vendimit nr.22, datë 18.1.2017, të Këshillit të Ministrave, zëvendësohet me lidhjen nr.1/1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Garda e Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES GRANT, NDËRMJET MINISTRISË SË SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE, NË EMËR TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, DHE FONDIT GLOBAL PËR TË LUFTUAR SIDA-N, TUBERKULOZIN DHE MALARIEN, PËR PROGRAMIN “PËRSHKALLËZIMI DHE SIGURIMI I QËNDRUESHMËRISË SË PËRGJIGJES KOMBËTARE NDAJ HIV/SIDA-S”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes grant, ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në emër të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, dhe Fondit Global për të Luftuar SIDA-n, Tuberkulozin dhe Malarien, për programin “Përshkallëzimi dhe sigurimi i qëndrueshmërisë së përgjigjes kombëtare ndaj HIV/SIDA-s”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.408, DATË 8.5.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DËMSHPËRBLIMIN PËR KAFSHËT E ELIMINUARA”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 49, të ligjit nr.10465, datë 29.9.2011, “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.408, datë 8.5.2013, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
1. Kudo në vendim, emërtimi “Drejtoria e Bujqësisë (DB)” zëvendësohet me “struktura përgjegjëse për veterinarinë në institucionin përkatës”.
2. Pika 8 riformulohet, me këtë përmbajtje:
“8. Procedura për dhënien e dëmshpërblimit për kafshët e eliminuara dhe të groposura, të cilat përmbushin kriteret e pikave 2 e 3, fillon brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga eliminimi dhe groposja e kafshës. Struktura përgjegjëse për veterinarinë, në institucionin përkatës, përgatit dosjen me kopjet e këtij dokumentacioni:
a) Pasaportën e kafshës që eliminohet dhe matrikullin individual të saj;
b) Procesverbalin e eliminimit dhe të groposjes, në përputhje me pikën 3, të këtij vendimi;
c) Sipas rastit, dokumentet veterinare për zbatimin e masave sanitaro-veterinare në fermë, të urdhëruara nga shërbimi veterinar, në bazë të të cilave është vendosur eliminimi dhe groposja e kafshës;
ç) Dokumentin që provon shitjen e produktit dhe çmimin, në rastet sipas pikës 13, i cili paraqitet nga pronari i kafshës.”.
3. Në pikën 9, fjalët “… pas marrjes së kërkesës dhe të dokumentacionit të kërkuar nga pronari i kafshës…”, hiqen.
4. Në pikën 11, fjalët “…kërkesës e të…” dhe fjalët “…përgatitet nga Drejtoria e Shërbimit Veterinar në ministri dhe…”, hiqen.
5. Në pikën 17, fjalët “… Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave…” zëvendësohen me fjalët “…Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural…”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.519, DATË 20.9.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E PËRBËRJES SË KËSHILLIT KOMBËTAR TË TERRITORIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “a”, të pikës 6, të nenit 6, të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Pika 5, e vendimit nr.519, datë 20.9.2017, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. Brenda 20 (njëzet) ditëve kalendarike nga dita e zhvillimit të mbledhjes, Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT) zbardh vendimet e Këshillit Kombëtar të Territorit, të cilat ua dërgon për nënshkrim Kryeministrit, në cilësinë e kryetarit të KKT-së, dhe ministrit të linjës për zhvillimin e propozuar.”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.725, DATË 2.9.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MËNYRËN E ORGANIZIMIT DHE TË FUNKSIONIMIT TË AGJENCISË SË ZHVILLIMIT TË TERRITORIT”
Në mbështetje të pikës 2, të nenit 100, të Kushtetutës dhe të nenit 7, të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.725, datë 2.9.2015, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:
1. Në pikën 1, të kreut I, “Dispozita të përgjithshme”, fjalët “…ministrit përgjegjës për zhvillimin urban, në vijim ministri…”, zëvendësohen me emërtimin “Kryeministrit”.
2. Në pikën 2, të kreut I, “Dispozita të përgjithshme”, në fjalinë e parë fjala “Ministri”, zëvendësohet me emërtimin “Kryeministri”. Ndërsa, në fjalinë e dytë emërtimi “Ministria e Zhvillimit Urban” zëvendësohet me “Kryeministria”.
3. Në pikën 1, të kreut II, “Organizimi dhe funksionimi i Agjencisë”, fjala “Ministrit”, zëvendësohet me emërtimin “Kryeministrit”.
4. Pika 2, e kreut II, “Organizimi dhe funksionimi i Agjencisë”, ndryshohet, me këtë përmbajtje:
“2. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Zhvillimit të Territorit emërohet, lirohet dhe shkarkohet nga detyra me urdhër të Kryeministrit, në përputhje me aktet ligjore në fuqi. Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm, i cili është, njëkohësisht, drejtor i një drejtorie, emërohet, lirohet dhe shkarkohet nga Drejtori i Përgjithshëm.”.
5. Në pikën 3, të kreut II, “Organizimi dhe funksionimi i Agjencisë”, fjala “Ministrit”, zëvendësohet me emërtimin “Kryeministrit”.
6. Në shkronjën “dh”, të pikës 1, të kreut III, “Përgjegjësitë dhe detyrat e Agjencisë”, fjalët “…regjistrin e integruar të territorit…”, zëvendësohen me “…sistemin elektronik të lejeve…”.
7. Në shkronjën “ë”, të pikës 1, të kreut III, “Përgjegjësitë dhe detyrat e Agjencisë”, fjalët “…regjistrit të integruar të territorit…”, zëvendësohen me “…sistemit elektronik të lejeve…”.
8. Në fund të shkronjës “f”, të pikës 1, të kreut III, “Përgjegjësitë dhe detyrat e Agjencisë”, shtohen fjalët “…dhe zhvillimin e territorit…”.
9. Në pikën 1, të kreut III, “Përgjegjësitë dhe detyrat e Agjencisë”, pas shkronjës “f”, shtohet shkronja “g”, me përmbajtje, si më poshtë vijon:
“g) përfaqësuar Këshillin Kombëtar të Territorit, në të gjitha çështjet objekt shqyrtimi gjyqësor, që kanë lidhje me vendimet e miratuara dhe procedurat e kryera nga Këshilli Kombëtar i Territorit.”.
II. Ngarkohet Agjencia e Zhvillimit të Territorit për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NGRITJEN E QENDRËS SË KOORDINIMIT KUNDËR EKSTREMIZMIT TË DHUNSHËM (QKEDH)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, të nenit 10, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin të Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ngritjen e Qendrës së Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm (në vijim QKEDH), si person juridik publik, buxhetor, në varësi të Kryeministrit, me seli në Tiranë.
2. QKEDH-ja ka stemën, logon dhe vulën zyrtare, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
3. Misioni i qendrës është zhvillimi i kapaciteteve të aktorëve të ndryshëm të përfshirë në veprimet kundër ekstremizmit të dhunshëm, ruajtja dhe promovimi i vlerave të tolerancës dhe të harmonisë fetare, mbrojtja e të drejtave të njeriut, shtetit të së drejtës dhe demokracisë, si dhe mbrojtja e shoqërisë shqiptare nga ekstremizmi i dhunshëm.
4. Për qëllime të këtij vendimi, do të gjejnë zbatim përkufizimet e përcaktuara në Strategjinë Kombëtare për Luftën kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe planin e veprimit të saj, miratuar me vendimin nr.930, datë 18.11.2015, të Këshillit të Ministrave.
5. QKEDH-ja ngarkohet me ushtrimin e kompetencave, si më poshtë vijon:
a) Bashkërendon, harton dhe monitoron projekte, aktivitete, politika, procedura për parandalimin, kundërradikalizmin dhe riintegrimin e shtetasve shqiptarë;
b) Koordinon në nivel kombëtar dhe lokal ndërhyrje në komunitetet në nevojë për rastet e radikalizmit dhe të ekstremizmit të dhunshëm;
c) Realizon dhe mbikëqyr projekte, aktivitete të iniciuara nga vetë qendra, apo në bashkëpunim me institucionet e tjera qendrore dhe/ose lokale, apo të iniciuara nga palët e treta/shoqëria civile;
ç) Harton procedura për parimet, terminologjinë dhe përkufizimet për trajnimet e punonjësve të linjës së parë por jo vetëm;
d) Kryen rishikimin e projekteve të secilit institucion, të parashikuara në Strategjinë Kombëtare kundër Ekstremimizmit të Dhunshëm dhe planit të veprimit të saj, kërkon raporte nga këto institucione dhe bashkëpunon për përmbushjen e përgjegjësive;
dh) Informon, të paktën një herë në gjashtë muaj, Kryeministrin, për çështjet e mësipërme.
6. Veprimtaria ekzekutive e QKEDH-së realizohet nga drejtori, i cili emërohet, lirohet dhe shkarkohet nga Kryeministri.
7. Drejtori i QKEDH-së ka këto detyra dhe përgjegjësi kryesore:
a) Përfaqëson qendrën në marrëdhënie me të tretët dhe drejton veprimtarinë e saj;
b) I propozon Kryeministrit rregulloren e brendshme të QKEDH-së;
c) Kontrollon dhe garanton përmbushjen e misionit dhe të objektivave të QKEDH-së, si dhe të detyrimeve që ka ky institucion;
ç) Është përgjegjës për administrimin teknik, organizativ, financiar e të burimeve njerëzore të QKEDH-së, në përputhje me legjislacionin në fuqi;
d) Autorizon personat që mund të përfaqësojnë QKEDH-në në mungesë të tij;
dh) Drejton dhe kontrollon veprimtarinë e QKEDH-së, duke nxjerrë urdhra, udhëzime dhe porosi, me shkrim ose verbale, të cilat janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga punonjësit e qendrës;
e) Nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me zyra homologe të vendeve të tjera ose me institucione shqiptare, kur këto janë të nevojshme, për përmbushjen e detyrimeve ligjore që ka QKEDH-ja, në fushën e radikalizmit dhe të ekstremizmit të dhunshëm;
ë) Emëron punonjësit, në përputhje me legjislacionin në fuqi;
f) Vendos për të gjitha çështjet e veprimtarisë së QKEDH-së, brenda kufijve të planit financiar dhe të dispozitave ligjore në fuqi;
g) Përgjigjet për ngritjen dhe funksionimin e sistemit të menaxhimit financiar dhe kontrollit në këtë institucion, në përputhje me legjislacionin në fuqi;
gj) Përgjigjet për të gjitha çështjet e administrimit të QKEDH-së dhe raporton pranë Kryeministrit.
Detyrat dhe kompetencat e detajuara të drejtorit përcaktohen në rregulloren e brendshme të qendrës.
8. Organizimi i brendshëm (struktura dhe organika) i QKEDH-së miratohet me urdhër të Kryeministrit.
9. Marrëdhëniet e punës për punonjësit e QKEDH-së funksionojnë mbi bazën e kontratave të punës me kohë të plotë dhe të pjesshme, në përputhje me rregullat e parashikuara në dispozitat përkatëse të Kodit të Punës të Republikës së Shqipërisë. Mënyra e testimit, e rekrutimit të punonjësve si dhe rregullat e disiplinës përcaktohen në rregulloren e brendshme.
10. Për realizimin e detyrave QKEDH-ja ka buxhetin e saj që krijohet nga:
a) buxheti i shtetit;
b) të ardhurat nga donatorët vendas a të huaj;
c) të ardhura të tjera të ligjshme.
11. Të gjitha donacionet ose të ardhurat e tjera të ligjshme që i vijnë qendrës, përdoren sipas rregullave dhe procedurave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë.
12. Rregullorja për metodat e brendshme të punës dhe për sjelljen e personelit të QKEDH-së, miratohet nga Kryeministri, me propozimin e drejtorit të qendrës.
13. Ngarkohet Qendra e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2018.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.