Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 13 Janar 2022:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E KALENDARIT TË MENAXHIMIT TË SHPENZIMEVE PUBLIKE PËR VITIN 2022
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 22, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e kalendarit të menaxhimit të shpenzimeve publike për vitin 2022, sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, njësia përgjegjëse për planifikimin strategjik dhe zhvillimin, në Kryeministri, si dhe të gjitha njësitë e qeverisjes së përgjithshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2022.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KATEGORIVE TË NDËRTESAVE, QË PËRJASHTOHEN NGA DETYRIMI I PIKËS SË AKSESIT PËR INFRASTRUKTURËN E RRJETEVE TË KOMUNIKIMEVE ELEKTRONIKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 20, të ligjit nr.120/2016, “Për zhvillimin e rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë dhe sigurimin e së drejtës së kalimit”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përcaktimin e kategorive të ndërtesave, që përjashtohen nga detyrimi për të pasur pikë aksesi në godinë për infrastrukturën e rrjeteve të komunikimeve elektronike, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen autoritetet planifikuese qendrore dhe vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E KUADRIT MAKROEKONOMIK E FISKAL PËR PERIUDHËN 2023 – 2025
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 23 e 27, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e kuadrit makroekonomik e fiskal për periudhën 2023 – 2025, si dhe të lidhjeve nr.1, “Treguesit kryesorë makroekonomikë”, nr.2/1 e nr.2/2, “Treguesit fiskalë sipas buxhetit të konsoliduar”, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.135, DATË 7.3.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STATUTIT TË SHËRBIMIT SOCIAL SHTETËROR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, dhe të nenit 20, të ligjit nr.57/2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.135, datë 7.3.2018, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Fjalia e dytë, e kreut I, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Shërbimi Social Shtetëror ka si mision të sigurojë ofrimin cilësor të shërbimeve për çështjet e ndihmës ekonomike, të aftësisë së kufizuar dhe të shërbimeve të kujdesit shoqëror.”.
b) Në kreun II bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
i. Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. Marrëdhëniet e punës së drejtorit të Përgjithshëm, të nëpunësve dhe të punonjësve administrativë të Shërbimit Social Shtetëror, në nivel qendror e rajonal, rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës. Procedura e rekrutimit të drejtorit të Përgjithshëm dhe të nëpunësve kryhet sipas udhëzimit të ministrit përgjegjës për mbrojtjen sociale.”.
ii. Pas pikës 5 shtohen pikat 5/1 e 5/2, me këtë përmbajtje:
“5/1. Drejtori i Përgjithshëm i SHSSH-së emërohet me urdhër të ministrit përgjegjës për mbrojtjen sociale dhe duhet të plotësojë këto kritere:
a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
c) Të ketë diplomë të arsimit të lartë;
ç) Të mos jetë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
d) Të mos ketë konflikt interesi me detyrën, në përputhje me legjislacionin e konfliktit të interesave.
5/2. Drejtori i Përgjithshëm i SHSSH-së lirohet nga detyra kur:
a) plotësohet mosha për pensionin e plotë të pleqërisë;
b) dënohet me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
c) deklarohet i paaftë për punë nga komisioni kompetent mjekësor;
ç) gjendet në një situatë të konfliktit të vazhdueshëm të interesit;
d) jep dorëheqjen nga detyra;
dh) kryen shkelje të rënda gjatë kryerjes së detyrës.”.
2. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Shërbimi Social Shtetëror dhe Departamenti i Administratës Publike për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.590, DATË 4.9.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN E BAZËS TË TË DHËNAVE SHTETËRORE TË SISTEMIT INFORMATIK TË MENAXHIMIT TË NDIHMËS SË HUAJ (SIMNH)”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4, 7 e 8, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.590, datë 4.9.2019, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në shkronjën “b”, të pikës 3, fjalët “… njësisë përgjegjëse për zhvillimin dhe mirëqeverisjen, në Kryeministri …” zëvendësohen me emërtimin “Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës”.
2. Në shkronjën “c”, të pikës 6, fjalët “… njësisë përgjegjëse për sistemet e mirëqeverisjes, në Kryeministri …” zëvendësohen me emërtimin “Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës”.
3. Në shkronjën “a”, të pikës 8, fjalët “… ministria përgjegjëse për financat …” zëvendësohen me emërtimin “Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës”.
4. Shkronja “b”, e pikës 8, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“b) Institucionet, palë të interesuara, janë ministria përgjegjëse për financat, ministria përgjegjëse për Evropën, ministritë e linjës, Kryenegociatori për zhvillimin e negociatave të aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës dhe institucionet buxhetore të qeverisjes së përgjithshme.”.
5. Pas pikës 11 shtohet pika 11/1, me këtë përmbajtje:
“11/1. Sistemi Informatik i Menaxhimit të Ndihmës së Huaj, për krijimin e informacionit përkatës gjeohapësinor të të dhënave shtetërore të SIMNH-së ndërvepron me Gjeoportalin Kombëtar në administrim të Autoritetit Shtetëror të Informacionit Gjeohapësinor (ASIG), në përputhje me rregullat e legjislacionit në fuqi për informacionin gjeohapësinor.”.
6. Në shkronjën “ç”, të pikës 10, fjalët “… ministria përgjegjëse për financat …” zëvendësohen me emërtimin “Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës”.
II. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Kryeministria, Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës dhe Autoriteti Shtetëror i Informacionit Gjeohapësinor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K RY E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.775, DATË 5.9.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN, NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM, TË BASHKISË KAMZË, TË QARKUT TË TIRANËS”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3, 5 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në listën e inventarit bashkëlidhur vendimit nr.775, datë 5.9.2013, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Pronës me numër rendor 1637 i ndryshon sipërfaqja nga 500 000 (pesëqind mijë) m2 në 54 023 (pesëdhjetë e katër mijë e njëzet e tre) m2 dhe kjo pronë transferohet në pronësi të Bashkisë Kamzë, për Njësinë Administrative Kamzë, sipas formularit dhe planit të rilevimit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
b) Prona me numër rendor 1810, me sipërfaqe 17 237 (shtatëmbëdhjetë mijë e dyqind e tridhjetë e shtatë) m2, transferohet e shtohet në pronësi të Bashkisë Kamzë, për Njësinë Administrative Kamzë, sipas formularit dhe planit të rilevimit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Pronat e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, transferohen, në pronësi të Bashkisë Kamzë, për t’u përdorur në funksion të rindërtimit në Njësinë Administrative Kamzë, Bashkia Kamzë, për të prekurit nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019.
3. Bashkisë Kamzë i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të pasurive të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi.
4. Ngarkohen Bashkia Kamzë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
DHËNIEN ME QIRA, ME TARIFË TË REDUKTUAR, TË SALLËS SË KONFERENCAVE “A” DHE TË ZYRAVE ME NUMRAT 2, 3, 5, 6, 7, 12, 14, VERI, NË MJEDISET E PALLATIT TË KONGRESEVE, AGJENCISË PËR MEDIA DHE INFORMIM
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 8, të kreut III, të vendimit nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës e të mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë, apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien me qira, me tarifë të reduktuar, të sallës së konferencave “A” dhe të zyrave me numrat 2, 3, 5, 6, 7, 12, 14, veri, në mjediset e Pallatit të Kongreseve (në administrim të Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare), Agjencisë për Media dhe Informim, për ushtrimin e veprimtarisë së saj.
2. Tarifa e qirasë së sallës së konferencave “A” dhe të zyrave me numrat 2, 3, 5, 6, 7, 12, 14, veri është në masën ekuivalente të shpenzimeve për furnizimin me energji elektrike dhe ujë gjatë gjithë periudhës së dhënies me qira.
3. Ngarkohen Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare dhe Agjencia për Media dhe Informim për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “REHABILITIMI I FUSHËS SPORTIVE LAPRAKË”, TIRANË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rehabilitimi i fushës sportive Laprakë”, Tiranë.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Tiranë.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, në shumën e përgjithshme prej 155 595 496 (njëqind e pesëdhjetë e pesë milionë e pesëqind e nëntëdhjetë e pesë mijë e katërqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 155 595 496 (njëqind e pesëdhjetë e pesë milionë e pesëqind e nëntëdhjetë e pesë mijë e katërqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekësh, të përballohet nga buxheti i Bashkisë Tiranë.
5. Vlera për shpenzimet procedurale, prej 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekësh, të përballohet nga fondet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
6. Shpronësimi i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin për likuidim, certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë, si dhe hartën kadastrale në zyrat e Bashkisë Tiranë.
8. Bashkia Tiranë të kryejë procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Tiranë.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tirana Veri, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjë regjistrimin e kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Tiranë.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tirana Veri, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Tiranë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tirana Veri, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.290, DATË 11.4.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN E BAZËS TË TË DHËNAVE SHTETËRORE TË SISTEMIT INFORMATIK TË PLANIFIKIMIT TË INTEGRUAR (SIPI/IPSIS)”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4, 7 e 8, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.290, datë 11.4.2020, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Pas nënndarjes së parë “- Paketa Kombëtare e Projekteve Strategjike;”, të shkronjës “dh”, të pikës 3, shtohet nënndarja e dytë, me këtë përmbajtje:
“- Paketa Kombëtare e Projekteve;”.
2. Në shkronjën “c”, të pikës 4, fjalët “… ministrisë përgjegjëse për financat …” zëvendësohen me emërtimin “Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës”.
3. Në shkronjën “b”, të pikës 8, fjalët “… ministria përgjegjëse për financat …” zëvendësohen me emërtimin “Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës”.
4. Në pikën 10 dhe kudo në tekst, fjalët “… njësia përgjegjëse për sistemet e mirëqeverisjes në Kryeministri …” zëvendësohen me emërtimin “Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës”.
II. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Kryeministria dhe Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K RY E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN, NË PRONËSI TË BASHKISË DEVOLL, TË NJËSISË ADMINISTRATIVE MIRAS, TË PASURIVE 408/1 DHE 408/2, ME VENDNDODHJE NË ZONËN KADASTRALE 3129
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3 e 5, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Transferimin në pronësi të Bashkisë Devoll, të Njësisë Administrative Miras, të pasurive 408/1 dhe 408/2, me vendndodhje në zonën kadastrale 3129, sipas formularit, gjithsej 1 (një) fletë, dhe planrilevimeve, që i bashkëlidhen këtij vendimi, për t’u përdorur në fushën e bujqësisë.
2. Ngarkohen Bashkia Devoll dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË ELBASAN, PËR NJËSINË ADMINISTRATIVE ELBASAN, TË PASURISË 13/61, ME VENDNDODHJE NË ZONËN KADASTRALE 8525
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3, shkronja “j”, e 5, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Transferimin në pronësi të Bashkisë Elbasan, për Njësinë Administrative Elbasan, të pasurisë 13/61, të llojit “Truall dhe ndërtesë 5-katëshe”, me vendndodhje në zonën kadastrale 8525, sipas formularit, planimetrive dhe planit të rilevimit, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij, për t’u përdorur për interes vendor.
2. Ngarkohen Bashkia Elbasan dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ