Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 14 Shkurt 2018:
V E N D I M
PËR
NGARKIMIN E AGJENCISË SË BLERJEVE TË PËRQENDRUARA PËR KRYERJEN E PROCEDURAVE TË PROKURIMIT PUBLIK, NË EMËR DHE PËR LLOGARI TË KRYEMINISTRISË, MINISTRIVE DHE INSTITUCIONEVE TË VARËSISË, PËR DISA MALLRA DHE SHËRBIME
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 11, të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, dhe të pikës 1, të nenit 2, të tekstit “Rregullat e prokurimit publik”, bashkëlidhur vendimit nr.914, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ngarkimin e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, si organ qendror blerës, për prokurimin e fondeve buxhetore, me vlerë mbi kufirin monetar të prokurimeve me vlera të vogla, në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, ministrive, institucioneve në varësi të Kryeministrit e të ministrave të linjës, për blerjen e mallrave dhe të shërbimeve, si më poshtë vijon:
1.1. Blerje automjetesh;
1.2. Blerje karburanti, përveç vajgurit Jet A1;
1.3. Blerje materialesh kancelarie;
1.4. Blerje orendish dhe pajisjesh për mobilim zyrash;
1.5. Blerje materialesh të ndryshme për pastrim;
1.6. Blerje uniformash dhe elementesh të tjera përbërëse të tyre;
1.7. Blerje këpucësh;
1.8. Blerje pjesësh këmbimi për automjete, për shërbimet profilaktike;
1.9. Blerje tonerash;
1.10. Sigurim automjetesh;
1.11. Shërbim gatimi dhe shpërndarje ushqimi;
1.12. Shërbim pastrimi;
1.13. Shërbim lyerjeje dhe mirëmbajtjeje ndërtesash;
1.14. Riparim dhe mirëmbajtje automjetesh;
1.15. Botime, printime dhe materiale shtypshkrimi;
1.16. Blerje materialesh të buta dhe veshmbathje;
1.17. Riparim, mirëmbajtjeje sistemi të ngrohje-ftohjejeve;
1.18. Mirëmbajtje impiantesh elektrike;
1.19. Blerje pajisjesh laboratorike, me përjashtim të atyre mjekësore;
1.20. Shërbime dezinfektimi;
1.21. Shërbim i ruajtjes dhe i sigurisë fizike;
1.22. Blerje artikujsh ushqimorë;
1.23. Blerje pajisjesh kondicionimi;
1.24. Shërbim gjelbërimi;
1.25. Shërbim mirëmbajtjeje rutinë dhe dimërore të rrugëve.
2. Përjashtimisht, lejohet:
2.1 Ministria e Mbrojtjes t’i realizojë vetë procedurat e prokurimit për:
a) blerje uniformash, veshmbathjesh dhe elementesh të tjera përbërëse të tyre;
b) blerje këpucësh.
2.2Ministria e Mbrojtjes dhe institucionet e saj të varësisë të realizojnë vetë procedurat e prokurimit me objekt “Riparim dhe mirëmbajtje automjetesh”.
3. Përjashtohen nga zbatimi i këtij vendimi përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Republikës së Shqipërisë, të akredituara jashtë vendit.
4. Lidhur me objektet e përmendura në pikat 1.6, 1.11, 1.13 dhe 1.19, të pikës 1, të këtij vendimi, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara do të qendërzojë/do të fillojë kryerjen e procedurave të prokurimit me paraqitjen e çdo kërkese të paraqitur nga autoritetet kontraktore.
5. Autoritetet kontraktore, institucionet e përmendura në pikën 1 të këtij vendimi, brenda 5 (pesë) ditëve nga hartimi i regjistrit të parashikimit të procedurave të prokurimit, të dërgojnë në Agjencinë e Blerjeve të Përqendruara, si organ qendror blerës të dhënat teknike e sasiore dhe fondin përkatës, për mallrat e shërbimet përkatëse.
Agjencia e Blerjeve të Përqendruara duhet të informojë Agjencinë e Prokurimit Publik në çdo rast kur konstaton mosrespektimin e afatit kohor të përcaktuar në këtë pikë.
6. Agjencia e Blerjeve të Përqendruara duhet të unifikojë specifikimet teknike për mallra dhe shërbime të të njëjtit lloj, në përputhje me standardet e miratuara, në bashkëpunim me specialistët e fushave të institucioneve përgjegjëse ose specialistë të jashtëm, vendas a të huaj, e të hartojë katalogët e standardeve, të cilët miratohen me udhëzim të ministrit të Brendshëm.
7. Agjencia e Blerjeve të Përqendruara duhet të prokurojë, nëpërmjet marrëveshjes kuadër, mallrat dhe shërbimet e vazhdueshme dhe të unifikuara. Kategoritë konkrete të mallrave dhe shërbimeve, të cilat do të prokurohen nëpërmjet marrëveshjes kuadër, përcaktohen sipas udhëzimeve të Agjencisë së Prokurimit Publik.
Në këtë rast, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara ka këto detyra dhe përgjegjësi:
a) Të zhvillojë procedurat e prokurimit deri në nënshkrimin e marrëveshjes kuadër;
b) Të përllogaritë fondin limit për mallrat dhe shërbimet që do të prokurohen. Në rastin kur si kriter vlerësimi i ofertës/ofertave fituese është çmimi për njësi, fondi limit do të jetë çmimi i përllogaritur për çdo artikull apo shërbim.
c) Të shqyrtojë ankesat e operatorëve ekonomikë deri në shpalljen e njoftimit të operatorëve të suksesshëm.
8. Në rastin kur Agjencia e Blerjeve të Përqendruara kryen procedura prokurimi për të lidhur kontratë dhe jo marrëveshje kuadër, ka këto detyra dhe përgjegjësi:
a) Të zhvillojë procedurat për prokurimin e përqendruar të këtyre mallrave dhe shërbimeve deri në shpalljen e fituesit;
b) Të bashkërendojë punën me autoritetet kontraktore për mbledhjen e përpunimin e të dhënave për prokurimet publike, që do të zhvillojë si organ qendror blerës;
c) Të verifikojë përputhshmërinë e kërkesave të dërguara nga autoritetet kontraktore me ligjin dhe standardet në fuqi;
ç) Të përllogaritë fondin limit për përcaktimin e të dhënave sasiore për mallrat dhe shërbimet, që do të prokurohen, para publikimit të tenderit. Në këto raste, organi qendror blerës vë në dijeni autoritetet kontraktore;
d) Të shqyrtojë ankesat e operatorëve ekonomikë deri në shpalljen e njoftimit të fituesit.
9. Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, në raste përjashtimore, mund të zhvillojë procedurë prokurimi edhe kur kërkohet nga një autoritet a një grup autoritetesh kontraktore, mallra a shërbime, që nuk janë përcaktuar në këtë vendim.
10. Agjencia e Blerjeve të Përqendruara në rast se autoritetet kontraktore kanë kërkesa, pasi është bërë publikimi i njoftimit të kontratës së prokurimit, verifikon arsyet e vonesës dhe shpall procedurën e re të prokurimit për këto kërkesa.
Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, duhet të informojë Agjencinë e Prokurimit Publik në çdo rast kur konstaton vonesa në paraqitjen e kërkesave nga autoritetet kontraktore, pas publikimit të njoftimit të kontratës.
11. Agjencia e Blerjeve të Përqendruara ka të drejtë të monitorojë në çdo kohë zbatimin e kontratave nga autoritetet kontraktore. Në përfundim të monitorimit harton një raport për korrektësinë dhe cilësinë e zbatimit të kontratës. Një kopje e këtij raporti i dërgohet Agjencisë së Prokurimit Publik.
12. Ngarkohet Agjencia e Prokurimit Publik të udhëzojë autoritetet kontraktore për zbatimin e këtij vendimi.
13. Agjencia e Blerjeve të Përqendruara planifikon dhe kryen procedurat e prokurimit për mallrat dhe shërbimet e mëposhtme, duke filluar nga data 1 janar 2019:
a) Riparim, mirëmbajtje e sistemit ngrohje-ftohje;
b) Riparim dhe mirëmbajtje automjetesh;
c) Mirëmbajtje impiantesh elektrike;
ç) Shërbim i ruajtjes dhe sigurisë fizike;
d) Blerje artikujsh ushqimorë;
dh) Blerje pajisjesh kondicionimi;
e) Shërbim gjelbërimi;
ë) Shërbim mirëmbajtjeje rutinë dhe dimërore të rrugëve.
14. Përjashtimisht, për vitin 2018, autoritetet kontraktore, institucionet e përmendura në pikën 1 të këtij vendimi, të dërgojnë në Agjencinë e Blerjeve të Përqendruara, si organ qendror blerës, të dhënat teknike e sasiore dhe fondin përkatës për mallrat dhe shërbimet përkatëse, brenda datës 28 shkurt 2018.
15. Vendimi nr.28, datë 14.1.2015, i Këshillit të Ministrave, “Për ngarkimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për kryerjen e procedurave të prokurimit publik, në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, ministrive dhe institucioneve të varësisë, për disa mallra e shërbime”, i ndryshuar, shfuqizohet.
16. Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Agjencia e Blerjeve të Përqendruara dhe institucionet e përmendura në pikën 1.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E BUXHETIT PËR AUTORITETIN E KOMUNIKIMEVE ELEKTRONIKE DHE POSTARE, PËR VITIN 2018
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 117, të ligjit nr.9918, datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë dhe ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e fondit të shpenzimeve të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), për vitin 2018, për shumën 388 700 000 (treqind e tetëdhjetë e tetë milionë e shtatëqind mijë) lekë, sipas pasqyrës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohet Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MODELIT TË FINANCIMIT TË INSTITUCIONEVE PUBLIKE TË ARSIMIT TË LARTË DHE KËRKIMIT SHKENCOR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 110, pika 2, 111, 112 e 113, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. TË PËRGJITHSHME
1. Financimi nga buxheti i shtetit i institucioneve publike të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor shpërndahet në formë granti, i përbërë nga:
a) granti i politikave të zhvillimit për institucionet publike të arsimit të lartë, i cili të jetë deri në 10% të totalit të grantit vjetor;
b) granti i mësimdhënies, i cili të jetë jo më pak se 85% të totalit të grantit vjetor;
c) granti i punës kërkimore-shkencore dhe i veprimtarive krijuese, i cili të jetë 5% deri në 10% të totalit të grantit vjetor.
2. Përdorimi i fondeve publike nga buxheti i shtetit për institucionet e arsimit të lartë bëhet në përputhje me kushtet dhe qëllimet e grantit të miratuar.
3. Fondet e përfituara në formë granti nga institucionet publike të arsimit të lartë dhe të papërdorura në fund të vitit financiar, në përputhje me rregullat dhe standardet e menaxhimit financiar publik, trashëgohen në vitin pasardhës.
4.Institucionet publike të arsimit të lartë, të cilat planifikojnë fonde për punën kërkimore-shkencore dhe veprimtaritë krijuese nga të ardhurat e tyre, në raport me parashikimin e bashkëfinancimit, kanë prioritet në përfitimin e fondeve grant nga buxheti i shtetit.
II. GRANTI I POLITIKAVE TË ZHVILLIMIT PËR INSTITUCIONET PUBLIKE TË ARSIMIT TË LARTË
1. Granti i politikave të zhvillimit për institucionet publike të arsimit të lartë përfshin, si më poshtë:
a) Fondin për mbështetjen e institucionit dhe të infrastrukturës akademike;
b) Fondin e projekteve konkurruese për zhvillimin e institucioneve publike të arsimit të lartë.
2. Fondi për mbështetjen e institucionit dhe infrastrukturës akademike shpërndahet mbi bazën e renditjes së institucioneve publike të arsimit të lartë, të kryer nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI).
3. Fondi i projekteve konkurruese për zhvillimin e institucioneve publike të arsimit të lartë shpërndahet mbi bazën e projekteve që paraqesin këta institucione, sipas kritereve të përcaktuara në strategjitë sektoriale dhe në ligjin vjetor të buxhetit.
4. Ministria përgjegjëse për arsimin miraton me udhëzim prioritetet, termat e shpërndarjes dhe formën e aplikimit për grantin.
5. Ministria përgjegjëse për arsimin miraton grantin e politikave të zhvillimit të institucioneve publike të arsimit të lartë, mbi bazën e aplikimit apo të prioriteteve strategjike të zhvillimit të vendit.
III. GRANTI I MËSIMDHËNIES
1. Granti i mësimdhënies përfshin:
a) fondin për institucionet publike të arsimit të lartë, në masën jo më pak se 90%;
b) fondin e mbështetjes studentore, në masën deri në 10% në vit.
2. Fondi institucional u shpërndahet institucioneve publike të arsimit të lartë, sipas një formule, në bazë të elementeve të mëposhtme:
a) Numrit të studentëve që ndjekin ciklin e parë të studimeve, një program të integruar të studimeve ose në një program të studimeve profesionale, në një vit akademik, të cilët konvertohen në njësi financimi. Financimi i IAL-ve do të kryhet me bazë studentin;
b) Koeficientëve të financimit, sipas programit të studimit të ndjekur, bazuar në koston mesatare për student, sipas shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
c) Koeficientit të prioriteteve ose financimit shtesë, në masën 5% për studentët që ndjekin programe prioritare, të përcaktuara në dokumentin e prioriteteve që ministri përgjegjës për arsimin miraton dhe shpall çdo vit sipas drejtimeve kryesore dhe në masën 10% për studentët që ndjekin programe studimi me karakter profesional;
ç) Shumës të të ardhurave nga tarifat e studimit të përllogaritura për çdo IAL, bazuar në numrin e studentëve të regjistruar dhe nivelin e tarifës tavan të shkollimit, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave për çdo program studimi për studentët që ndjekin ciklin e parë të studimeve, programet e integruara të studimeve, si dhe një program të studimeve profesionale;
d) Për një periudhë kalimtare dy deri tre vjet, në përllogaritjen e formulës/masës së financimit për institucionet publike të arsimit të lartë do të konsiderohet rivlerësimi/ekualizimi, bazuar në nevojat specifike të tyre.
3. Fondin e mbështetjes studentore deri në 10% të fondit vjetor të marrë në formë granti. Përdorimi i këtij fondi përfshin tri kategori financimi:
a) Bursat e studimit për studentët e shkëlqyer;
b) Bursat e studimit për studentët në programet e studimit që përbëjnë prioritet kombëtar;
c) Bursat e studimit për studentët që u përkasin shtresave sociale në nevojë.
4. Bursat e studimit për studentët e shkëlqyer u jepen studentëve me notë mesatare maksimale në hyrje, në rang vendi, pavarësisht nga programi i studimit dhe institucioni në të cilin ata kanë zgjedhur të ndjekin studimet. Studenti vazhdon të përfitojë nga ky grant nëse rezultatet e tij, gjatë të gjitha viteve të studimit, vazhdojnë të jenë të shkëlqyera.
5. Bursat e studimit për studentët që kanë zgjedhur të ndjekin programet e studimit në institucione publike të arsimit të lartë, që përbëjnë prioritet kombëtar, iu shpërndahen studentëve që studiojnë në fushat e përcaktuara si të tilla me vendim të Këshillit të Ministrave.
6. Bursat e studimit për studentët që u përkasin shtresave sociale në nevojë iu shpërndahen studentëve që janë shpallur fitues në institucionet publike të arsimit të lartë dhe plotësojnë kriteret për t’u konsideruar si studentë në nevojë, të përcaktuar si të tillë me vendim të Këshillit të Ministrave.
IV. GRANTI I PUNËS KËRKIMORE-SHKENCORE DHE VEPRIMTARIVE KRIJUESE
1. Granti i punës kërkimore-shkencore dhe veprimtarive krijuese përfshin fondet për kërkimin shkencor. Ky grant është i hapur për konkurrimin/aplikimin për të gjitha institucionet e arsimit të lartë të akredituara që zhvillojnë kërkim shkencor.
2. Institucionet e arsimit të lartë të llojit universitet dhe akademi aplikojnë për të përfituar nga ky grant dhe për financimin e studimeve të doktoratës.
3. Nga ky fond përjashtohet financimi i ngarkesës së pedagogëve për udhëheqjen e doktoratës.
4. Shpërndarja e fondeve të kësaj kategorie, të miratuara në formën e një granti të punës kërkimore-shkencore, realizohet nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI), mbi bazën e projekteve që institucionet paraqesin dhe duke mbajtur në konsideratë treguesit kryesorë për projektet kërkimore-shkencore dhe veprimtarinë krijuese të IAL-ve, të renditur, si më poshtë vijon:
a) Numrin e fakulteteve dhe departamenteve të IAL-ve;
b) Numrin e stafit akademik me titujt “Profesor”, “Profesor i asociuar”, me gradën shkencore “Doktor” dhe “Master”;
c) Numrin e programeve të studimit në ciklin e parë dhe numrin e programeve të studimit të akredituara në ciklin e dytë;
ç) Numrin total të studentëve në ciklin e parë “Bachelor”, ciklin e dytë “Master shkencor”, “Master profesional”, programet e interguara të studimit dhe ato të ciklit të tretë;
d) Numrin total të laboratorëve didaktikë të IAL-ve, të laboratorëve kërkimorë–shkencorë ekzistues të IAL-ve dhe numrin e laboratorëve kërkimorë–shkencorë ekzistues të akredituar të IAL-ve;
dh) Numrin e stafit ndihmës akademik që punon në laboratorët kërkimorë–shkencorë të IAL-ve dhe atyre që përdorin laboratorët kërkimorë–shkencorë;
e) Numrin total të studentëve të tri cikleve të studimit që përdorin laboratorët kërkimorë – shkencorë;
ë) Numrin e artikujve shkencorë të botuar në vitin akademik jashtë vendit nga stafi akademik i IAL-ve në revista me Impact Factor , të listës Tomson Reuters;
f) Numrin e artikujve shkencorë të botuar në vitin akademik brenda vendit në revista shkencore nga stafi akademik i IAL-ve, si autor/bashkëautor;
g) Numrin e monografive shkencore të botuara në vit brenda vendit nga stafi akademik i IAL-ve, autor/bashkëautor;
gj) Numrin e monografive shkencore të botuara në vit jashtë vendit nga stafi akademik i IAL-ve, autor/bashkëautor;
h) Numrin e konferencave dhe aktiviteteve shkencore të organizuara nga IAL-të në vitin akademik;
i) Numrin e stafit akademik të IAL-ve që ka marrë pjesë me referim e kumtesa shkencore në konferenca/seminare/kongrese shkencore, brenda dhe jashtë vendit, autor/bashkëautor;
j) Numrin e patentave të regjistruara nga stafi akademik i IAL-ve, në Drejtorinë e Përgjithshme të Patentave e Markave, në Shqipëri e jashtë, autor/bashkëautor;
k) Numrin e projekteve/kontratave kombëtare kërkimore–shkencore, të fituara e të zbatuara nga stafi akademik i IAL-ve;
l) Numrin e projekteve/kontratave ndërkombëtare kërkimore–shkencore të programeve të BE-së për kërkimin shkencor e inovacionin, ku stafi akademik i IAL-ve ka qenë pjesëmarrës, në rolin e drejtuesit të projektit dhe/ose të partnerit;
ll) Numrin e projekteve/kontratave ndërkombëtare kërkimore–shkencore në vit akademik, të karakterit të bashkëpunimit dypalësh IAL + universitet homolog jashtë vendit, ku stafi akademik i IAL-ve ka marrë pjesë;
m) Numrin e projekteve/kontratave ndërkombëtare kërkimore–shkencore IPA, ERASMUS në vit akademik, ku stafi akademik i IAL-ve ka qenë pjesëmarrës, në rolin e drejtuesit të projektit dhe/ose partnerit;
n) Numrin e projekteve/kontratave ndërkombëtare ERASMUS, IPA, si dhe projekteve të tjera ndërkombëtare, ku stafi akademik i IAL-ve ka qenë pjesëmarrës, në rolin e partnerit apo të drejtuesit të projektit;
nj) Numrin e çmimeve ndërkombëtare dhe kombëtare për veprimtari kërkimore–shkencore të marra nga stafi akademik i IAL-ve;
o) Numrin e bursave individuale që ka përfituar në vit akademik stafi akademik i IAL-ve për specializime afatgjata e afatshkurtra jashtë vendit;
p) Numrin e individëve, studentë e pedagogë të huaj, që kanë kryer mobilitet akademik në vitin akademik pranë IAL-ve dhe numrin e stafit akademik të IAL-ve që ka kryer mobilitet akademik në vitin akademik në universitete jashtë vendit;
q) Numrin e projekteve/kontratave të përbashkëta kërkimore me sektorin e biznesit nga stafi akademik i IAL-ve.
5. Vlerësimi i cilësisë së kërkimit shkencor përbën kriterin bazë të renditjes së institucioneve të kërkimit shkencor nga AKKSHI-ja dhe të përcaktimit të masës së financimit të përfituar nga Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë, për IAL-të publike. Institucionet e kërkimit shkencor marrin masa për vlerësimin dhe sigurimin e brendshëm të cilësisë, nëpërmjet njësisë përkatëse, përbërja dhe funksionimi i së cilës përcaktohen në statutin ose rregulloren e institucionit përkatës.
V. DISPOZITA TË FUNDIT
1. Zbatimi i skemës së financimit, sipas këtij vendimi, për institucionet publike të arsimit të lartë kryhet sipas udhëzimit të përbashkët të ministrit përgjegjës për financat dhe ministrit përgjegjës për arsimin.
2. Fondet e buxhetit të shtetit, të miratuara në formë transferte për “Shoqëritë e trajtimit të studentëve”, sh.a., në Tiranë dhe në rrethe, paguhen në llogarinë bankare të përfituesit nga struktura përgjegjëse për thesarin, me urdhër të njësisë së qeverisjes së përgjithshme dhënëse dhe me paraqitjen nga kjo e fundit të dokumenteve justifikuese të shpenzimit (situacion, fatura, listëpagesa etj).
3. Kompetencat dhe funksionet e AKFAL-it do të ushtrohen nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, deri në momentin e ushtrimit të plotë të funksioneve dhe të kompetencave nga AKFAL-i.
4. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe institucionet publike të arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË ZBATIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË, DHE AGJENCISË GJERMANE PËR BASHKËPUNIM NDËRKOMBËTAR (GIZ), PËR PROJEKTIN “KËSHILLIMI PËR MIGRACIONIN NË SHQIPËRI”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 22, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit tё Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së zbatimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), për projektin “Këshillimi për migracionin në Shqipëri”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN, ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AGJENCISË SË BLERJEVE TË PËRQENDRUARA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. KRIJIMI, ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I AGJENCISË SË BLERJEVE TË PËRQENDRUARA
1. Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, në vijim “Agjencia”, organizohet dhe funksionon si institucion qendror, person juridik publik, buxhetor, në varësi të ministrit të Brendshëm, në vijim ministri, me seli në Tiranë.
2. Agjencia, si organ qendror blerës, i autorizuar me vendim të Këshillit të Ministrave, ka si mision kryerjen e procedurave të prokurimit të fondeve buxhetore me vlerë mbi kufirin monetar të prokurimeve me vlera të vogla, në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, ministrive, institucioneve në varësi të Kryeministrit e të ministrave të linjës, për blerjen e mallrave dhe të shërbimeve të përcaktuara në aktin nënligjor përkatës.
3. Agjencia ka buxhetin e vet, i cili është pjesë e buxhetit të Ministrisë së Brendshme.
4. Agjencia ka stemën dhe vulën zyrtare. Stema përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë me shënimet: “Republika e Shqipërisë, Ministria e Brendshme, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara”, në përputhje me përcaktimet e vendimit të Këshillit të Ministrave për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës së Shqipërisë.
5. Agjencia drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e kësaj Agjencie dhe përgjigjet para ministrit.
6. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë emërohet, lirohet ose shkarkohet nga ministri.
7. Rregullorja për metodat e brendshme të punës dhe për sjelljen e personelit të Agjencisë miratohen nga ministri, me propozim të drejtorit të Përgjithshëm.
8. Shërbimet mbështetëse dhe ato të buxhetit e të financës për Agjencinë realizohen nga strukturat përgjegjëse për këto funksione në Ministrinë e Brendshme.
9. Struktura dhe organika e Agjencisë miratohen me urdhër të Kryeministrit, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.
10. Marrëdhëniet e punës së drejtorit të Përgjithshëm dhe të punonjësve të Agjencisë rregullohen sipas dispozitave të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
II. DETYRAT DHE PËRGJEGJËSITË E AGJENCISË
11. Agjencia kryen detyrat, si më poshtë vijon:
7.1. Në rastin kur kryen procedura prokurimi për të nënshkruar marrëveshje kuadër:
a) zhvillon procedurat e prokurimit deri në nënshkrimin e marrëveshjes kuadër;
b) përllogarit fondin limit për mallrat dhe shërbimet që do të prokurohen;
c) unifikon specifikimet teknike për mallra dhe shërbime të të njëjtit lloj, në përputhje me standardet e miratuara, në bashkëpunim me specialistët e fushave, të institucioneve përgjegjëse ose specialistë të jashtëm, vendas a të huaj, dhe harton katalogët e standardeve të cilët miratohen me udhëzim të ministrit;
ç) shqyrton ankesat e operatorëve ekonomikë deri në nënshkrimin e marrëveshjes kuadër;
d) në rast se autoritetet kontraktore kanë kërkesa për kryerjen e procedurës së prokurimit, pasi është bërë publikimi i njoftimit të kontratës së prokurimit, Agjencia verifikon arsyet e vonesës, shpall procedurën e re të prokurimit për këto kërkesa dhe njofton Agjencinë e Prokurimit Publik;
dh) monitoron, në çdo kohë, zbatimin e kontratave nga autoritetet kontraktore dhe për këtë qëllim harton një raport për korrektësinë dhe cilësinë e zbatimit të kontratës, një kopje e të cilit i dërgohet Agjencisë së Prokurimit Publik.
7.2 Në rastin kur Agjencia kryen procedura prokurimi për të lidhur kontratë, ka këto detyra dhe përgjegjësi:
a) Zhvillon procedurat e prokurimit të përqendruar të mallrave dhe të shërbimeve deri në shpalljen e fituesit;
b) Bashkërendon punën me autoritetet kontraktore për mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave për prokurimet publike që do të zhvillojë si organ qendror blerës;
c) Unifikon specifikimet teknike për mallra dhe shërbime të të njëjtit lloj, në përputhje me standardet e miratuara, në bashkëpunim me specialistët e fushave të institucioneve përgjegjëse ose specialistë të jashtëm, vendas a të huaj, dhe harton katalogët e standardeve, të cilët miratohen me udhëzim të ministrit;
ç) Verifikon përputhshmërinë e kërkesave të dërguara nga autoritetet kontraktore me ligjin dhe standardet në fuqi;
d) Përllogarit fondin limit për përcaktimin e të dhënave sasiore për mallrat dhe shërbimet që do të prokurohen, para publikimit të tenderit, dhe vë në dijeni autoritetet kontraktore;
dh) Shqyrton ankesat e operatorëve ekonomikë deri në shpalljen e njoftimit të fituesit;
e) Në rast se autoritetet kontraktore kanë kërkesa për kryerjen e procedurës së prokurimit, pasi është bërë publikimi i njoftimit të kontratës së prokurimit, Agjencia verifikon arsyet e vonesës, shpall procedurën e re të prokurimit për këto kërkesa dhe njofton Agjencinë e Prokurimit Publik;
ë) Monitoron në çdo kohë zbatimin e kontratave nga autoritetet kontraktore. Në përfundim të monitorimit harton një raport për korrektësinë dhe cilësinë e zbatimit të kontratës, një kopje e të cilit i dërgohet Agjencisë së Prokurimit Publik.
III. DISPOZITA TË FUNDIT
12. Për nëpunësit civilë aktualë të Drejtorisë së Përgjithshme të Prokurimeve të Përqendruara, në rastin e ristrukturimit të institucionit, zbatohen dispozitat e legjislacionit për nëpunësin civil.
13. Deri në fillimin e funksionimit të plotë të Agjencisë, sipas këtij vendimi, Drejtoria e Përgjithshme e Prokurimeve të Përqendruara vazhdon funksionimin e saj sipas strukturës dhe organikës së miratuar.
14. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Agjencia e Blerjeve të Përqendruara për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.597, DATË 1.7.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE DHE KËRKESAVE TË HOLLËSISHME PËR LIDHJEN E MARRËVESHJEVE VULLNETARE, NDËRMJET ORGANIZATAVE DHE GRUPEVE QË PËRFAQËSOJNË INTERESA TË CAKTUARA, GRUPEVE TË OPERATORËVE OSE OPERATORËVE INDIVIDUALË ME AUTORITETET PËRKATËSE PËR REALIZIMIN E NJË NIVELI MË TË LARTË MBROJTJEJE SESA AI I PËRCAKTUAR NË LEGJISLACIONIN E POSAÇËM PËR NJË PËRBËRËS MJEDISOR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 57, të ligjit nr.10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shkronja “a” e pikës 5, të vendimit nr.597, datë 1.7.2015, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) Të dhëna të përgjithshme të kërkuesit: emri i personit/ave fizik/ë a juridik/ë, adresa, numri unik i identifikimit të subjektit (NUIS), personi i kontaktit, informacion të të gjitha lejeve, licencave, autorizimeve dhe vendimeve me të cilat është i pajisur;”.
2. Ngarkohet Ministria e Turizmit dhe Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR. 892, DATË 21.12.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E FUNKSIONEVE KORRESPONDUESE DHE KATEGORIZIMIN PËR GRADAT NË POLICINË E SHTETIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 61, të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.892, datë 21.12.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, në lidhjen nr.1, “Tabela e funksioneve korresponduese dhe kategorizimi për çdo gradë”, numri limit për gradën “Drejtues i lartë” bëhet 7 dhe numri limit për gradën “Kryekomisar” bëhet 453.
2. Ngarkohet Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.914, DATË 29.12.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE TË PROKURIMIT PUBLIK”, TË NDRYSHUAR
Nё mbёshtetje tё nenit 100 tё Kushtetutёs dhe të nenit 75, të ligjit nr.9643, datё 20.11.2006, “Pёr prokurimin publik”, tё ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Kёshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në tekstin e rregullave të prokurimit publik, bashkëlidhur vendimit nr.914, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Në nënndarjen e parë, të shkronjës “a”, të pikës 1, të nenit 8 “Kufijtë monetarë”, shifra “1 200 000 000 (një miliard e dyqind milionë) lekë” zëvendësohet me “2 400 000 000 (dy miliardë e katërqind milionë) lekë”.
Neni 2
Shkronja “ç”, e pikës 8, të nenit 26 “Kontratat për punë publike”, shfuqizohet.
Neni 3
Pas shkronjës “c”, të pikës 4, të nenit 33 “Procedurë e hapur”, shtohet shkronja “c.1)”, me këtë përmbajtje:
“c.1) Në procedurën e hapur për kontratat e punëve publike, me fond limit nga 12 000 000 (dymbëdhjetë milionë) lekë deri 2 400 000 000 (dy miliardë e katërqind milionë) lekë, nuk do të aplikohet shkurtimi i këtij afati.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.372, DATË 18.5.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE TË KOMUNIKIMIT, KONSULTIMIT DYPALËSH DHE VENDIMMARRJES PËR LEJEN E MJEDISIT TË TIPIT A, PËR FUNKSIONIMIN E INSTALIMIT TË VENDOSUR NË TERRITORIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QË KA MUNDËSI REALE TË KRIJOJË EFEKTE NEGATIVE TË KONSIDERUESHME NË MJEDISIN E NJË SHTETI TJETËR OSE MENJËHERË PASI I KËRKOHET NGA KY SHTET”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 22, të ligjit nr.10448, datë 14.7.2011, “Për lejet e mjedisit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në tekstin e rregullave të komunikimit, konsultimit dypalësh dhe vendimmarrjes për lejen e mjedisit të tipit A, për funksionimin e instalimit të vendosur në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe që ka mundësi reale të krijojë efekte negative të konsiderueshme në mjedisin e një shteti tjetër ose menjëherë pasi i kërkohet nga ky shtet, bashkëlidhur vendimit nr.372, datë 18.5.2016, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Shkronjat “b” e “dh”, të pikës 2, shfuqizohen;
b) Pas pikës 2 shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:
“2/1 Dokumenti ‘Përmbledhja joteknike e raportit të vlerësimit të ndikimit në mjedis në nivel kombëtar ose ndërkufitar’ do të kërkohet gjatë këtij procesi, por ky dokument do të gjenerohet nga vetë ministria përgjegjëse për mjedisin dhe institucionet e saj të varësisë, të përfshira në këtë proces.”.
2. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Qendra Kombëtare e Biznesit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.383, DATË 19.5.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE TË SHPËRNDARJES SË FONDIT TË KOMPENSIMIT NË VLERË PËR PRONARËT E PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMET INFORMALE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 37, të ligjit nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, dhe të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.383, datë 19.5.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
1. Shkronja “d”, e pikës 6, shfuqizohet.
2. Kudo në tekstin e vendimit, emërtimi “Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave” zëvendësohet me “Agjencia e Trajtimit të Pronave”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.419, DATË 25.6.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E KËRKESAVE TË POSAÇME PËR SHQYRTIMIN E KËRKESAVE PËR LEJE MJEDISI TË TIPAVE A, B DHE C, PËR TRANSFERIMIN E LEJEVE NGA NJË SUBJEKT TE TJETRI, TË KUSHTEVE PËR LEJET RESPEKTIVE TË MJEDISIT, SI DHE RREGULLAVE TË HOLLËSISHME PËR SHQYRTIMIN E TYRE NGA AUTORITETET KOMPETENTE DERI NË LËSHIMIN E KËTYRE LEJEVE NGA QKL-JA”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 11, të ligjit nr.10448, datë 14.7.2011, “Për lejet e mjedisit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.419, datë 25.6.2014, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:
a) Në titull dhe kudo në vendim, emërtimi “Qendra Kombëtare e Licencimit” zëvendësohet me “Qendra Kombëtare e Biznesit” dhe shkurtimi “QKL” zëvendësohet me “QKB”;
b) Në kreun II bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
i. Shkronja “ç”, e pikës 1, shfuqizohet;
ii. Pas pikës 1, shtohet pika 1.1, me këtë përmbajtje:
“1.1. Dokumentet “Kopje të vendimit të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM) për vlerësimin e ndikimit në mjedis (VNM) paraprak ose kopje të deklaratës së ministrit për VNM-në e thelluar, të shoqëruar me raportin paraprak ose të thelluar të VNM-së, në rastet kur për instalimin është kryer procedura e vlerësimit të ndikimit në mjedis, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për VNM-në” do të kërkohen gjatë këtij procesi, por këto dokumente do të gjenerohen nga vetë ministria përgjegjëse për mjedisin dhe institucionet e saj të varësisë, të përfshira në këtë proces.”.
c) Në kreun III bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
i. Shkronja “ç”, e pikës 1, shfuqizohet;
ii. Pas pikës 1, shtohet pika 1.1, me këtë përmbajtje:
“1.1. Dokumentet “Kopje të vendimit të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM) për vlerësimin e ndikimit në mjedis (VNM) paraprak ose kopje të deklaratës së ministrit për VNM-në e thelluar, të shoqëruar me raportin paraprak ose të thelluar të VNM-së, në rastet kur për instalimin është kryer procedura e vlerësimit të ndikimit në mjedis, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për VNM-në” do të kërkohen gjatë këtij procesi, por këto dokumente do të gjenerohen nga vetë ministria përgjegjëse për mjedisin dhe institucionet e saj të varësisë, të përfshira në këtë proces.”.
ç) Në kreun VI bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
i. Shkronjat “b” e “dh”, të pikës 2, shfuqizohen.
ii. Pas pikës 2, shtohet pika 2.1, me këtë përmbajtje:
“2.1. Dokumenti “Përmbledhja joteknike e raportit të vlerësimit të ndikimit në mjedis në nivel kombëtar ose ndërkufitar, kur kërkohet procedura e VNM-së” do të kërkohet gjatë këtij procesi, por ky dokument do të gjenerohet nga vetë ministria përgjegjëse për mjedisin dhe institucionet e saj të varësisë, të përfshira në këtë proces.”.
d) Shkronjat “b” e “c”, të pikës 2, të kreut VII, shfuqizohen.
2. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Qendra Kombëtare e Biznesit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.641, DATË 1.10.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE PËR EKSPORTIN E MBETJEVE DHE KALIMIN TRANSIT TË MBETJEVE JO TË RREZIKSHME E TË MBETJEVE INERTE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 50 e 51, të ligjit nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.641, datë 1.10.2014 të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Shkronjat “b”, “c” dhe “ç”, të pikës 7, shfuqizohen.
2. Pas pikës 7 shtohet pika 7.1, me këtë përmbajtje:
“7.1. Ministria përgjegjëse për mjedisin, për çdo aplikim të bërë sipas përcaktimit në pikën 6, duhet të sigurojë vetë, nëpërmjet sistemit, këto dokumente:
a) Kopjen e regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) për objektin e veprimtarisë;
b) Kopjen e lejes së mjedisit të tipit A, B ose C, sipas përcaktimit në ligjin nr.10448, datë 14.7.2011, “Për lejet e mjedisit”, të ndryshuar;
c) Kopjen e licencës III.2.B, sipas vendimit nr.538, datë 26.5.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për licencat dhe lejet që trajtohen nga apo nëpërmjet QKL-së dhe disa rregullime të tjera nënligjore të përbashkëta”, të ndryshuar.”.
3. Shkronjat “b”, “c” dhe “ç”, të pikës 16, shfuqizohen.
4. Pas pikës 16 shtohet pika 16.1, me këtë përmbajtje:
“16.1. Ministria përgjegjëse për mjedisin, për çdo aplikim të bërë sipas përcaktimit në pikën 15, duhet të sigurojë vetë, nëpërmjet sistemit, këto dokumente:
a) Kopjen e regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) për objektin e veprimtarisë;
b) Kopjen e lejes së mjedisit të tipit A, B ose C, sipas përcaktimit në ligjin nr.10448, datë 14.7.2011, “Për lejet e mjedisit”, të ndryshuar;
c) Kopjen e licencës III.2.B, sipas vendimit nr.538, datë 26.5.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për licencat dhe lejet që trajtohen nga apo nëpërmjet QKL-së dhe disa rregullime të tjera nënligjore të përbashkëta”, të ndryshuar.”.
5. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, degët doganore, Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.686, DATË 29.7.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE, TË PËRGJEGJËSIVE E TË AFATEVE PËR ZHVILLIMIN E PROCEDURËS SË VLERËSIMIT TË NDIKIMIT NË MJEDIS (VNM) DHE PROCEDURËS SË TRANSFERIMIT TË VENDIMIT E DEKLARATËS MJEDISORE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 7, të ligjit nr.10440, datë 7.7.2011, “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pika 1.3 e kreut I, shkronja “dh” e pikës 10, të kreut II, shkronja “c” e pikës 1, dhe shkronja “c” e pikës 3, të kreut III, të vendimit nr.686, datë 29.7.2015, të Këshillit të Ministrave, shfuqizohen.
2. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.1039, DATË 4.12.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE,“PËR FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT KOMBËTAR TË PUNËS DHE PËR CAKTIMIN E PËRFAQËSUESVE TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE NË KËTË KËSHILL”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 200, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.1039, datë 4.12.2013, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Kudo në vendim, emërtimi “ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë” zëvendësohet me fjalët “… ministri përgjegjës për punën …”.
b) Në pikën 3, pas fjalëve “… në dispozicion të KKP-së …” shtohen “…, sipas kërkesës, …”.
c) Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. KKP-ja kryesohet nga ministri i Financave dhe Ekonomisë dhe ka në përbërje, si përfaqësues të Këshillit të Ministrave, këta anëtarë:
– Ministrin e Financave dhe Ekonomisë;
– Ministrin e Drejtësisë;
– Ministrin e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;
– Ministrin e Arsimit, Sportit dhe Rinisë;
– Ministrin e Turizmit dhe Mjedisit;
– Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë;
– Ministrin e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.
Përfaqësues, kandidatë të KKP-së, në mungesë të përfaqësuesve, anëtarë të Këshillit të Ministrave, janë zëvendësministrat përkatës.”.
ç) Në pikën 6, pas fjalës “… kryetarët …” shtohen fjalët “… e këtyre dy…”.
2. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për ndjekjen e zbatimit të këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PLANIT TË ZHVILLIMIT TË SEKTORIT TË GAZIT NATYROR NË SHQIPËRI DHE IDENTIFIKIMIN E PROJEKTEVE PRIORITARE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 1, 2 e 4, të nenit 5, të ligjit nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e planit të zhvillimit të sektorit të gazit natyror në Shqipëri dhe identifikimin e projekteve prioritare, të përgatitura nga konsulenti COWI-IPF, në kuadër të projektit “Masterplani i gazit natyror për Shqipërinë dhe identifikimi i projekteve prioritare në fushën e gazit natyror”, të financuar nga WBIF-ja (Kuadri i Investimeve të Ballkanit Perëndimor), sipas tekstit të dokumenteve përbërëse, që i bashkëlidhen këtij vendimi:
a) Masterplani i infrastrukturës së gazit për Shqipërinë, për të cilin është lëshuar deklarata mjedisore nr.1520/1prot., datë 27.3.2017, nga Ministria e Mjedisit;
b) Shqyrtimi institucional dhe raporti i vlerësimit organizativ dhe institucional;
c) Vlerësimi i kërkesës dhe burimeve të furnizimit me gaz natyror;
ç) Studimi për tarifat.
2. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, brenda muajit shtator 2018, të përgatitë dhe të paraqesë për shqyrtim e miratim në Këshillin Kombëtar të Territorit materialin “Masterplani i gazit natyror për Shqipërinë dhe identifikimi i projekteve prioritare në fushën e gazit natyror”.
3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ministritë e institucionet përgjegjëse, të përmendura në planin e zhvillimit të sektorit të gazit natyror në Shqipëri, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PROCEDURAT E KRYERJES SË KONTROLLIT DHE VENDOSJES SË SANKSIONEVE NGA AGJENCIA SHTETËRORE PËR TË DREJTAT DHE MBROJTJEN E FËMIJËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 69, të ligjit nr.18/2017, “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kontrolli i shkeljes të të drejtave të fëmijës, mospërmbushja e detyrimeve ligjore nga strukturat përkatëse të mbrojtjes së fëmijës dhe vendosja e sanksioneve, organizohen dhe kryhen nga Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës, në bazë të procedurave të përcaktuara në këtë vendim.
2. Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës fillon procedurën e kryerjes së kontrollit për raste të ndodhura, kur janë në dijeni apo kanë dyshime të argumentuara të shkeljes të të drejtave të fëmijës dhe të mospërmbushjes së detyrimeve ligjore nga strukturat përkatëse, në bazë të:
a) ankesës apo kërkesës së fëmijës së interesuar, prindit, kujdestarit ligjor, përfaqësuesit ligjor apo përfaqësuesit procedural të fëmijës;
b) çdo ankese, kërkese të ardhur apo të paraqitur, në mënyrë anonime ose jo, nga çdo person fizik apo juridik, publik apo privat.
3. Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës ka të drejtë të fillojë procedurën e kryerjes së kontrollit me nismën e vet, në rastet kur:
a) ka informacion, konstaton ose ka një dyshim të argumentuar se ka ndodhur një shkelje e të drejtave të fëmijës;
b) konstaton moszbatim të detyrimeve ligjore nga strukturat e përcaktuara dhe punonjësit përkatës gjatë kontrolleve për monitorimin e zbatimit të ligjit;
c) bëhen raste publike në organet e medias apo të shtypit.
4. Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës, me vënien në dijeni ose me marrjen e informacionit të ardhur, nis menjëherë procesin e verifikimit dhe të kontrollit.
5. Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës bashkëpunon me strukturat përkatëse shtetërore, organet e medias e të shtypit dhe, brenda kuadrit ligjor përkatës, me strukturat e policisë dhe të prokurorisë, për mbledhjen e informacionit dhe kryerjen e kontrollit.
6. Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës, në rastet e parashikuara në pikat 2 e 3, të këtij vendimi, edhe kur provat apo argumentet paraqiten me gojë, mban një procesverbal i cili nënshkruhet nga kryetari dhe dy punonjës të Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës.
7. Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës miraton dhe publikon në faqen e saj zyrtare elektronike formularin tip të ankesës/kërkesës. Agjencia ose një nga strukturat përgjegjëse për mbrojtjen e fëmijës asiston subjektet në plotësimin e formularit.
8. Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës ka të drejtë të refuzojë kërkesën/ankesën dhe fillimin e procedurës së kontrollit në rastet kur:
a) e njëjta çështje është në shqyrtim nga Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës ose për të është marrë një vendim i mëparshëm dhe nuk ka të dhëna të reja;
b) informacioni është i pabazuar në prova apo në dyshime të argumentuara ose nuk është i mjaftueshëm për të bërë të mundur një hetim;
c) paraqitet më vonë se tre vjet nga ndodhja e shkeljes ose më vonë se një vit nga marrja dijeni për këtë fakt.
9. Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës garanton interesin më të lartë të fëmijës në të gjitha procedurat e ndërmarra dhe ka për detyrë mbrojtjen e të dhënave personale të fëmijës, sipas legjislacionit në fuqi.
Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës respekton të drejtën e fëmijës për t’u dëgjuar dhe merr pëlqimin e fëmijës duke vlerësuar moshën dhe shkallën e pjekurisë së fëmijës së dëmtuar, të prindit, të kujdestarit ose të përfaqësuesit ligjor të fëmijës për fillimin e procedurës, në çdo rast kur fëmijët përfshihen drejtpërdrejt, përveç rasteve kur me gjithë mungesën e pëlqimit nga fëmija dhe personat e mësipërm përligjet ndërhyrja në interesin më të lartë të fëmijës.
10. Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës, brenda 8 (tetë) ditëve nga dita e marrjes së ankesës/kërkesës, njofton me shkrim subjektin kundër të cilit është paraqitur ankesa/kërkesa. Në rastet kur procedura administrative fillohet nga Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës njoftohen brenda 10 (dhjetë) ditëve të gjitha palët në proces për fillimin e veprimeve.
11. Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës i shqyrton ankesat, kërkesat dhe informacionet pa pagesë.
12. Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës verifikon faktet në çdo rast, sipas përcaktimeve të pikave 2 e 3, të këtij vendimi. Subjektet palë si dhe çdo person fizik, juridik, publik apo privat, institucione të administratës publike apo çdo strukturë e pushtetit vendor, të cilët kanë dijeni apo mund të ndihmojnë në procesin administrativ të shqyrtimit, kanë të drejtë të paraqesin informacione, dokumente, dëshmi apo prova të tjera në çdo fazë të kryerjes së kontrollit, deri në momentin e marrjes së vendimit.
Subjekti ndaj të cilit është paraqitur ankesë ka të drejtë që gjatë procedimit administrativ të pyetet dhe të mbrojë veten e tij, përfshirë edhe të drejtën për të paraqitur prova dhe për të thirrur dëshmitarë.
Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës kërkon paraqitjen e parashtrimeve me shkrim nga subjektet palë, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga dita e marrjes së njoftimit.
13. Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës, në çdo rast të shqyrtimit të ankesës, kërkesës apo kontrollit të iniciuar nga vetë ajo, ndjek procedurën e mëposhtme:
a) Kryen kontrolle dhe vizita në vend, duke gëzuar të drejtën e hyrjes në çdo zyrë të administratës publike qendrore e vendore, të personave fizikë ose juridikë privatë, si dhe këqyrjen e akteve dhe/ose të dokumenteve që kanë lidhje me çështjen në shqyrtim, duke respektuar kërkesat procedurale, sipas legjislacionit në fuqi;
b) Kërkon informacione, shpjegime apo çdo material që ka lidhje me çështjen nga çdo organ i administratës publike, qendrore e vendore, çdo person fizik ose juridik privat, që ka lidhje me çështjen, duke vendosur edhe afate për dërgimin e këtyre informacioneve, me përjashtim të rasteve kur informacioni, aktet dhe/ose dokumentet e kërkuara përbëjnë “sekret shtetëror” dhe/ose “sekret hetimor”;
c) Merr në pyetje çdo person, që, sipas saj, është i lidhur me çështjen në shqyrtim dhe mund të thërrasë të gjithë personat pa imunitet, me përjashtim të rasteve kur informacioni, aktet dhe/ose dokumentet e kërkuara përbëjnë “sekret shtetëror” dhe/ose “sekret hetimor”;
ç) Kërkon ekspertizat përkatëse nga ekspertë të palëve të treta;
d) Zhvillon një seancë dëgjimore me fëmijën, nëse fëmija pranon ose e kërkon një gjë të tillë vetë ose nëpërmjet prindit, kujdestarit, përfaqësuesit ligjor, duke konsideruar moshën dhe aftësinë e fëmijës për të kuptuar. Në këtë rast, fëmija pyetet, mundësisht, në prani të punonjësit të mbrojtjes së fëmijës ose të psikologut të caktuar në kuadër të menaxhimit të rastit. Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës nuk lejon konfrontimin e fëmijës me personin/subjektin ndaj të cilit është paraqitur ankesë;
dh) Konsideron deklaratën e dhënë nga fëmija te punonjësi i mbrojtjes së fëmijës në procesin e shqyrtimit të ankimit;
e) Zhvillon një seancë dëgjimore dhe fton palët e çdo person tjetër të interesuar, përpara marrjes së vendimit përfundimtar;
ë) Ndërmjetëson marrëveshje pajtimi mes ankuesit dhe personit kundër të cilit është paraqitur ankesa, duke u bazuar në interesin më të lartë të fëmijës.
14. Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës, brenda afatit të përcaktuar në pikën 12, të këtij vendimi, fillon procedurën e vendosjes së sanksionit për mospërmbushje të detyrimeve ligjore në rast se subjekti kundër të cilit është paraqitur ankesa nuk i paraqet parashtrimet e tij me shkrim.
15. Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës dokumenton në një relacion përmbledhës, i cili nënshkruhet nga kryetari, të gjitha veprimet e kryera në kuadër të verifikimit dhe të kontrollit të çdo ankese, kërkese apo të kontrollit të iniciuar nga vetë agjencia.
16. Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës dokumenton në procesverbal të gjitha veprimet e kryera në kuadër të verifikimit dhe të kontrollit të çdo ankese, kërkese për informacion apo të kontrollit të iniciuar nga vetë ajo dhe i pasqyron ato në një relacion përmbledhës lidhur me çështjen, i cili bëhet pjesë e dosjes përkatëse, e cila arkivohet.
17. Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës përfundon procedurat e parashikuara në pikën 13, të këtij vendimi, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga dita e marrjes së ankesës, kërkesës apo informacionit.
18. Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës në marrjen e vendimit bazohet në:
a) efektshmërinë e tij dhe rolin parandalues;
b) rrethanat e kryerjes së shkeljes;
c) faktin nëse kundërvajtësi rezulton i dënuar administrativisht edhe më parë;
ç) rëndësinë e kundërvajtjes;
d) pasojat që kanë ardhur nga veprimi apo mosveprimi.
19. Vendimi i kryetarit të Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës për të vendosur gjobë dhe/ose rregullime apo masa, merret ndaj:
a) organit të administratës publike qendrore ose strukturave të pushtetit vendor;
b) personit juridik publik ose privat;
c)personit në funksione publike;
ç) personit fizik, brenda personit juridik, publik ose privat.
20. Vendimi për përcaktimin e masës së gjobës nga kryetari Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës bazohet në:
a) natyrën dhe fushën e veprimit të shkeljes dhe ndikimin mbi viktimën apo fëmijën e rrezikuar;
b) rrethanat e rastit, formimin dhe edukimin e kryrësit të shkeljes;
c) përsëritjen e shkeljes dhe nëse, sipas saj, ka patur më shumë se një viktimë apo fëmijë të rrezikuar;
ç) nivelin e bashkëpunimit të personit fizik, juridik publik apo privat, institucionit të administratës publike, strukturave të pushtetit vendor, pas paraqitjes dhe gjatë shqyrtimit të ankesës.
21. Vendimi i kryetarit të Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës përmban:
a) identitetin e kundërvajtësit;
b) shpjegimin e përmbledhur të fakteve dhe të provave ku mbështetet vendimi;
c) shkeljen e kryer, duke referuar dispozitën ligjore ku mbështetet vendimi;
ç) urdhërimin për rregullimet apo masat që duhet të ndërmerren dhe/ose për vendosjen e gjobës;
d) cilësimin si titull ekzekutiv për masën e gjobës;
dh) të drejtën për ankim dhe afatin;
e) organin i cili ka nxjerrë aktin.
22. Vendimi i kryetarit të Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës hartohet në tri kopje, nga të cilat një kopje u dërgohet subjekteve të përcaktuara në pikën 19, të këtij vendimi, ndaj të cilave është vendosur gjoba, një kopje mbahet e protokolluar në arkivin e Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës dhe një kopje i dërgohet ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
23. Vendimi i kryetarit të Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës për vendosjen e gjobës u njoftohet palëve si dhe personit i cili ka paraqitur ankesë apo kërkesë dhe, në çdo rast, fëmijës, prindërve, kujdestarit apo përfaqësuesit të tij ligjor, brenda 8 (tetë) ditëve nga dita e marrjes së tij.
24. Kundër vendimit të Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës mund të bëhet ankim në gjykatën kompetente, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e njoftimit të vendimit.
25. Të ardhurat nga gjobat, të mbledhura në zbatim të dispozitave të këtij vendimi, kalojnë në buxhetin e shtetit.
26. Vendimi nr.264, datë 12.4.2012, i Këshillit të Ministrave, “Për procedurat e kryerjes së kontrollit dhe vendosjes së sanksionit nga Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës”, shfuqizohet.
27. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN E QENDRËS NDËRINSTITUCIONALE TË RRJETIT AKADEMIK SHQIPTAR (RASH)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 6, të ligjit nr.9704, datë 2.4.2007, “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë, për realizimin e një qendre shërbimesh dhe të një rrjeti telematik për universitetet”, dhe të neneve 96 e 129, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Riorganizimin e Qendrës Ndëruniversitare të Shërbimeve dhe Rrjetit Telematik (QNSHRRT) në Qendrën Ndërinstitucionale të Rrjetit Akademik Shqiptar (RASH), sipas marrëveshjes së krijimit ndërmjet universiteteve dhe Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Qendra Ndërinstitucionale e Rrjetit Akademik Shqiptar ka statusin e personit juridik publik dhe gëzon autonomi financiare, organizative dhe të përzgjedhjes së personelit. Fushat e kërkimit dhe objekti i veprimtarisë së Qendrës Ndërinstitucionale të Rrjetit Akademik Shqiptar të jenë për institucionet e arsimit të lartë dhe kërkimin shkencor.
3. Qëllimi i Qendrës Ndërinstitucionale të Rrjetit Akademik Shqiptar është:
a) zhvillimi dhe promovimi i projekteve të kërkim-zhvillimit dhe inovacionit në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK) për arsimin dhe shkencën;
b) krijimi i infrastrukturës për ngritjen e një qendre të përbashkët ndërdisiplinore kërkim-zhvillimi (TIK) nga IAL-të pjesëmarrëse apo palë të treta;
c) koordinimi i pjesëmarrjes së kërkuesve vendas në projektin evropian të kërkimit “GÉANT” dhe projekte të tjera në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK), pjesë përbërëse e programit kuadër evropian të kërkim-zhvillimit dhe inovacionit;
ç) zhvillimi i programeve software dhe ofrimi i shërbimeve përkatëse për ministrinë përgjegjëse për arsimin, agjencitë e varësisë për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, institucionet e arsimit të lartë, të kërkimit shkencor dhe inovacionit e për të gjithë anëtarësinë e RASH-it, si dhe për palë të treta.
4. Për realizimin e qëllimit të saj, Qendra Ndërinstitucionale e Rrjetit Akademik Shqiptar kryen veprimtaritë e mëposhtme:
a) Zhvillimin dhe ofrimin e sistemeve më të përparuara software për administrimin e procesit të aplikimit universitar, menaxhimin e proceseve akademiko-shkencore dhe administrative-universitare dhe platformave për formimin dhe testimit on-line për arsimin e lartë, në kuadër të rritjes së cilësisë në arsim dhe pjesëmarrjes në aktivitetet e kërkimit dhe të zhvillimit, të drejtuara nga komuniteti shkencor dhe arsimor ndërkombëtar;
b) Marrjen e masave të nevojshme të sigurisë dhe të ruajtjes së informacionit (back up) për bazat e të dhënave që krijon ose administron për llogari të IAL-ëve pjesëmarrëse, ministrisë përgjegjëse për arsimin dhe agjencive të varësisë për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor apo palëve të treta dhe ndërveprimi i këtyre bazave të të dhënave për të gjithë anëtarësinë e RASH-it;
c) Mbledhjen, përpunimin dhe publikimin e të dhënave për arsimin dhe kërkimin shkencor, për llogari të ministrisë përgjegjëse për arsimin, si një burim i të dhënave, i statistikave dhe i analizave;
ç) Zhvillimin dhe zgjerimin e rrjetit telematik kombëtar për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, duke i garantuar komunitetit arsimor, akademik dhe kërkimor shqiptar lidhjen ndërqytetëse, ndërkufitare, lidhjen me rrjetin evropian të arsimit dhe kërkimit “GÉANT” e ofrimin e shërbimeve të këtij rrjeti në Shqipëri, si dhe lidhjen me rrjetet botërore të arsimit dhe kërkimit;
d) Zhvillimin dhe ofrimin e shërbimeve të infrastrukturës “Cloud computing” dhe “Supercomputing” nëpërmjet Qendrës së të Dhënave për Arsimin dhe Shkencën (Datacenter) dhe çdo infrastrukture tjetër TIK të nevojshme për IAL-të dhe institucionet pjesëmarrëse;
dh) Promovimin e mobilitetit të maturantëve dhe studentëve përmes shkëmbimit të të dhënave të tyre elektronike, pjesë e rrjetit ndërkombëtar të “Deklaratës së Gronigenit”;
e) Pjesëmarrjen në rrjetin evropian të sistemeve informatike universitare “EUNIS”, në shërbim të zgjerimit të spektrit të shërbimeve TIK për anëtarësinë;
ë) Organizimin e veprimtarive mësimore dhe trajnuese, që finalizohen me lëshimin e certifikatës përkatëse.
5. Burimet e financimit të Qendrës Ndërinstitucionale të Rrjetit Akademik Shqiptar janë:
a) fondet, sipas marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë, për realizimin e një qendre shërbimesh dhe të rrjetit telematik për universitetet, të ratifikuar me ligjin nr.9704, datë 2.4.2007;
b) fondet nga buxheti i shtetit;
c) kontributi vjetor i anëtarësisë nga IAL-të dhe institucionet e tjera;
ç) kontributi vjetor i ministrisë përgjegjëse për arsimin, i agjencive dhe IAL-eve, sipas shërbimeve përkatëse të ofruara;
d) të ardhurat që krijohen nga shitja e shërbimeve të qendrës për institucione e ente publike, si dhe shërbime të tjera për të tretë;
dh) donacionet, subvencionet dhe kontribute të tjera;
e) të ardhura të tjera të ligjshme.
6. Qendra Ndërinstitucionale e Rrjetit Akademik Shqiptar do të vijojë të përdorë të gjitha asetet e luajtshme dhe të paluajtshme që disponon, si kontribut në natyrë i bashkëkrijuesit, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
7. Qendra Ndëruniversitare e Shërbimeve dhe Rrjetit Telematik (QNSHRRT) përfundon veprimtarinë e saj me zgjedhjen e organeve të reja drejtuese të Qendrës Ndërinstitucionale të Rrjetit Akademik Shqiptar. Zbatimi i marrëveshjes së ratifikuar me ligjin nr.9704, datë 2.4.2007, “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë për realizimin e një qendre shërbimesh dhe të një rrjeti telematik për universitetet”, deri në përfundimin e afatit të saj, i kalon Qendrës Ndërinstitucionale të Rrjetit Akademik Shqiptar.
8. Vendimi nr.236, datë 6.3.2009, i Këshillit të Ministrave, “Për krijimin e Qendra Ndëruniversitare të Shërbimeve dhe Rrjetit Telematik”, i ndryshuar, shfuqizohet.
9. Në listën 2, që i bashkëlidhet vendimit nr.673, datë 22.11.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për riorganizimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit”, emërtimi “Qendra Ndëruniversitare e Shërbimeve dhe e Rrjetit Telematik” hiqet.
10. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe universitetet krijuese të Qendrës Ndërinstitucionale të Rrjetit Akademik Shqiptar (RASH) për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I GODINËS SË RE 8-KATËSHE TË MJEKËSISË SË PËRGJITHSHME NË QENDRËN SPITALORE UNIVERSITARE “NËNË TEREZA”, TIRANË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i godinës së re 8-katëshe të mjekësisë së përgjithshme në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë”.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasurinë truall + objekt, me një vlerë të përgjithshme prej 9 006 734.98 (nëntë milionë e gjashtë mijë e shtatëqind e tridhjetë e katër pikë nëntëdhjetë e tetë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 9 006 734.98 (nëntë milionë e gjashtë mijë e shtatëqind e tridhjetë e katër pikë nëntëdhjetë e tetë) lekësh, dhe shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga të ardhurat e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë.
5. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.
6. Pronarët e përmendur në listën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë.
7. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.
8. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
9. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë dhe Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E KUSHTEVE DHE PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE PËR TRANSPORTIN RRUGOR TË NXËNËSVE TË ARSIMIT PARASHKOLLOR, PROFESIONAL PARAUNIVERSITAR DHE TË STUDENTËVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 24, të ligjit nr.8308, datë 18.3.1998, “Për transportet rrugore”, të ndryshuar, dhe të nenit 19, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, ministrit të Brendshëm dhe ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e kushteve dhe përcaktimin e rregullave për transportin rrugor të nxënësve të arsimit parashkollor, profesional parauniversitar dhe të studentëve, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Vendimi nr.1101, datë 28.12.2015, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kushteve dhe përcaktimin e rregullave për transportin rrugor të nxënësve të arsimit parashkollor parauniversitar dhe studentëve”, i ndryshuar, shfuqizohet.
3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Brendshme, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe njësitë e qeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA