Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 15 Nëntor 2017
V E N D I M
PËR
DHËNIEN E MIRATIMIT PËR LIDHJEN E KONTRATËS SË QIRASË ME TARIFËN 1 EURO/KONTRATA, NDËRMJET MINISTRISË SË FINANCAVE DHE EKONOMISË, SI QIRADHËNËS DHE SHOQËRISË “NAIM TRAGAJ GROUP”, SH.P.K., SI QIRAMARRËS, PËR SIPËRFAQEN 40 000 M2 TË PASURISË “VASKAT E ISH–NDËRMARRJES SË RRITJES DHE ZËNIES SË PESHKUT”, SPITALLË, DURRËS, PJESË E PASURISË ME NR.147/16, ZONA KADASTRALE 8517, TË MINISTRISË SË BUJQËSISË DHE ZHVILLIMIT RURAL
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe në vijim të vendimit nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës dhe mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontratave të tjera të pasurisë shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1.Dhënien e miratimit për lidhjen e kontratës së qirasë me tarifën 1 euro/kontrata, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si qiradhënës, dhe shoqërisë “Naim Tragaj Group”, sh.p.k., si qiramarrës, për sipërfaqen 40 000 (dyzet mijë) m2, të pasurisë “Vaskat e ish-Ndërmarrjes së Rritjes dhe Zënies së Peshkut”, Spitallë, Durrës, pjesë e pasurisë me nr.147/16, zona kadastrale 8517, të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, për një periudhë 20-vjeçare, sipas genplanit dhe tekstit të kontratës bashkëlidhur këtij vendimi.
2.Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLORES PËR DEKLASIFIKIMIN DHE ZHVLERËSIMIN E INFORMACIONIT TË KLASIFIKUAR “SEKRET SHTETËROR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13, pika 6, 25 e 31, të ligjit nr.8457, datë 11.2.1999, “Për informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror””, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1.Miratimin e rregullores për deklasifikimin dhe zhvlerësimin e informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2.Vendimi nr.124, datë 15.3.2001, i Këshillit të Ministrave,“Për deklasifikimin e zhvlerësimin e informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror”, që ndodhet në rrjetin kombëtar të arkivave”, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË NDODHET NËN OBJEKTIN “KISHA E SHËN PIUT X”, ELBASAN, DHE PËR KALIMIN NË PRONËSI, PA SHPËRBLIM, TË SIPËRFAQES SË TRUALLIT KISHËS KATOLIKE SHQIPTARE, NË ZBATIM TË MARRËVESHJES SË LIDHUR NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE SELISË SË SHENJTË PËR RREGULLIMIN E MARRËDHËNIEVE TË NDËRSJELLA, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.8902, DATË 23.5.2002
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 8, të ligjit nr.8902, datë 23.5.2002, “Për ratifikimin e marrëveshjes së lidhur ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella”, të neneve 5, pika 1, 8, shkronja “dh”, dhe 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ligjit nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, të ndryshuar, të nenit 5, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, të neneve 3, shkronja “b”, dhe 4, shkronja “ç”, të ligjit nr.7980, datë 27.7.1995, “Për shitblerjen e trojeve”, të ndryshuar, dhe të neneve 761 e vijues, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1.Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që ndodhet nën objektin “Kisha e Shën Piut X”, Elbasan, dhe për kalimin në pronësi, pa shpërblim, të sipërfaqes së truallit Kishës Katolike Shqiptare, në zbatim të marrëveshjes së lidhur ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella, ratifikuar me ligjin nr.8902, datë 23.5.2002.
2.Shpronësimi të bëhet në favor të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
3.Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasurinë “tokë truall”, me sipërfaqe 5 000 m2, pjesë e pasurisë së paluajtshme me nr.28/28, volum 2, faqe 226, zona kadastrale nr.8525, Elbasan, me një vlerë të përgjithshme prej 70 960 000 (shtatëdhjetë milionë e nëntëqind e gjashtëdhjetë mijë) lekësh.
4.Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 70 960 000 (shtatëdhjetë milionë e nëntëqind e gjashtëdhjetë mijë) lekësh, të përballohet nga llogaria e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.
5.Shpenzimet procedurale të shpronësimit, në vlerën 2 000 000 (dy milionë) lekë, të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
6.Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.
7.Pronarët e pasurisë, për të cilët është bërë shënimi “Konfirmuar nga ZVRPP-ja”, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
8.Pas përfundimit të procedurave të shpronësimit të bëhet kalimi në pronësi, pa shpërblim, i pasurisë tokë truall, me sipërfaqe 5 000 m2, pjesë e pasurisë së paluajtshme me nr.28/28, volum 2, faqe 226, zona kadastrale nr.8525, Elbasan, në favor të Kishës Katolike Shqiptare, në zbatim të marrëveshjes së lidhur ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella, ratifikuar me ligjin nr.8902, datë 23.5.2002.
9.Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Elbasan të realizojnë regjistrimin e kësaj pasurie në favor të subjektit Kisha Katolike Shqiptare.
10.Ngarkohen Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Kisha Katolike Shqiptare, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Elbasan për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.1434, DATË 29.10.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I QENDRËS SË RE KOMBËTARE DISPEÇER, I ZYRAVE TË REJA TË OPERATORIT TË SISTEMIT TË TRANSMETIMIT (OST), SH.A., DHE I DISPEÇERISË QENDRORE KASHAR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 dhe 21 të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozim të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.1434, datë 29.10.2008, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1.Në listën e miratuar sipas pikës 1, shtohen pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, për interes publik, sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi.
2.Në pikën 3, sipërfaqja 20 935 (njëzet mijë e nëntëqind e tridhjetë e pesë) m2 ndryshon dhe bëhet 26 174 (njëzet e gjashtë mijë e njëqind e shtatëdhjetë e katër) m2.
3.Në pikat 3 dhe 4, vlera prej 52 487 020 (pesëdhjetë e dy milionë e katërqind e tetëdhjetë e shtatë mijë e njëzet) lekësh ndryshon dhe bëhet 54 834 092 (pesëdhjetë e katër milionë e tetëqind e tridhjetë e katër mijë e nëntëdhjetë e dy) lekë.
4.Shpronësimi, sipas pikës 1 të këtij vendimi, të fillojë brenda muajit nëntor 2017.
5.Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, OST, sh.a., dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
DHËNIEN E MIRATIMIT PËR LIDHJEN E KONTRATËS SË QIRASË ME TARIFËN 1 EURO/KONTRATA, NDËRMJET MINISTRISË SË FINANCAVE DHE EKONOMISË, SI QIRADHËNËS, DHE SHOQËRISË “AL ALTO GRADIMENTO”, SH.P.K., SI QIRAMARRËS, PËR PASURINË “SALLA S1, S2, S3 DHE S4, NË KATIN PËRDHES, NË GODINËN 4-KATËSHE, ME SIPËRFAQE TË PËRGJITHSHME, OBJEKT 865 M2, ME NR. PASURIE, PËRKATËSISHT, NR.1/1738-N3 DHE 1/1510, ZK.8513, DURRËS”, TË “NPV”, SH.A., DURRËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe në vijim të vendimit nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës dhe mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontratave të tjera të pasurisë shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1.Dhënien e miratimit për lidhjen e kontratës së qirasë me tarifën 1 euro/kontrata, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si qiradhënës, dhe shoqërisë “Al Alto Gradimento”, sh.p.k., si qiramarrës, për pasurinë “Salla S1, S2, S3 dhe S4, në katin përdhes, në godinën 4-katëshe, me sipërfaqe të përgjithshme, objekt 865 (tetëqind e gjashtëdhjetë e pesë) m2, me nr. pasurie, përkatësisht, nr.1/1738-N3 dhe 1/1510, ZK.8513, Durrës”, në përgjegjësi administrimi të “NPV”, sh.a., Durrës, për një periudhë 10 (dhjetë) vjeçare, sipas genplanit dhe tekstit të kontratës bashkëlidhur këtij vendimi.
2.Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe shoqëria “NPV”, sh.a., Durrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi me botimin në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
DHËNIEN E MIRATIMIT PËR LIDHJEN E KONTRATËS SË QIRASË ME TARIFËN 1 EURO/KONTRATA, NDËRMJET MINISTRISË SË FINANCAVE DHE EKONOMISË, SI QIRADHËNËS, DHE SHOQËRISË “ALBA COSMETIC 2014”, SH.P.K., SI QIRAMARRËS, PËR PASURINË “NDËRTESË 2 KATE, ME SIPËRFAQE NDËRTIMORE 600 M2 DHE SIPËRFAQE FUNKSIONALE 1 650 M2, NJËSI E ISH-NDËRMARRJES KIMIKE, DURRËS, PORTO-ROMANO, ZK.8517”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe në vijim të vendimit nr.54,datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës dhe mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontratave të tjera të pasurisë shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1.Dhënien e miratimit për lidhjen e kontratës së qirasë me tarifën 1 euro/kontrata, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si qiradhënës, dhe shoqërisë “Alba Cosmetic 2014”, sh.p.k., si qiramarrës, për pasurinë “Ndërtesë 2 kate, me sipërfaqe ndërtimore 600 (gjashtëqind) m2 dhe sipërfaqe funksionale 1 650 (një mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë) m2, njësi e ish-Ndërmarrjes Kimike, Durrës, Porto-Romano, ZK.8517”, në pronësi shtet, për një periudhë 20 (njëzet) vjeçare, sipas genplanit dhe tekstit të kontratës bashkëlidhur këtij vendimi.
2.Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi me botimin në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË TIRANË TË PASURISË NR.8/123, ZONA KADASTRALE 8330, ME EMËRTIMIN “INKUBATORI I BIZNESIT”, TIRANË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 3, shkronja “ç”, dhe 17 të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1.Kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë të pasurisë nr. 8/123, zona kadastrale 8330, me emërtimin “Inkubatori i biznesit”, Tiranë, sipas formularit bashkëlidhur këtij vendimi, me qëllim realizimin e funksioneve ekonomike.
2.Bashkisë Tiranë i ndalohet të ndryshojë destinacionin e pronës të përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi.
3.Ngarkohen Ministria e Brendshme, Bashkia Tiranë dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NDRYSHIMIT TË STATUSIT, NGA KATEGORIA “TOKË BUJQËSORE” NË “TOKË URBANE”, TRUALL, TË PASURISË ME NUMËR 476/3, ZONA KADASTRALE 1158, BASHKIA SHKODËR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “a”, të pikës 3, të nenit 11/1, të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1.Miratimin e ndryshimit të statusit, nga kategoria “tokë bujqësore” në “tokë urbane”, truall, të pasurisë me numër 476/3, zona kadastrale 1158, bashkia Shkodër, sipas certifikatës së pasurisë dhe hartës treguese, bashkëlidhur këtij vendimi.
2.Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, qarku Shkodër, të pasqyrojë në dokumentacionin kadastral (LN) ndryshimin, nga “tokë bujqësore” në “tokë urbane”, truall, të pasurisë me numër 476/3, zona kadastrale 1158, bashkia Shkodër.
3.Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Shkodër të bëjë ndryshimin e llojit të pasurive në certifikatat e pasurive, sipas të dhënave për pasurinë e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi.
4.Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Qarkut Shkodër dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Shkodër për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.