Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 15 Nëntor 2023:

 

V E N D I M
PËR

KOMPENSIMIN FINANCIAR TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, QË PREKEN NGA NDËRTIMET E LEGALIZUARA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese, të zëna nga ndërtimet e legalizuara në drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Lezhë, Gjirokastër, Tiranë Veri, Tiranë Jug, Tiranë Rurale 1, Lushnjë, Tiranë Rurale 2, Kamzë – Vorë, Elbasan, Durrës, Shkodër, Kavajë dhe Vlorë.

2. Vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është 597 179 907,97 (pesëqind e nëntëdhjetë e shtatë milionë e njëqind e shtatëdhjetë e nëntë mijë e nëntëqind e shtatë presje nëntëdhjetë e shtatë) lekë, për sipërfaqen 61 739,8 (gjashtëdhjetë e një mijë e shtatëqind e tridhjetë e nëntë presje tetë) m², sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

3. Për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet e legalizuara, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë me numrat rendorë, sipas kolonës nr.14, të shtojcës nr.1, përkatësisht: nr.1, nr.3, nr.4, nr.5, nr.8, nr.14, nr.17, nr.19, nr.33, nr.35, nr.43, nr.46, nr.53, nr.54, nr.55, nr.56, nr.59, nr.69, nr.70, nr.80, nr.82, nr.88, nr.89, nr.90, nr.91, nr.92, nr.94, nr.97, nr.98 nr.106, nr.109, nr.125, nr.126, nr.131, nr.164, nr.165, nr.166, nr.167, nr.168, nr.179, nr.180, nr.181, nr.185, nr.210, nr.230, nr.231, nr.263, nr.249, nr.255, nr.268, nr.272, nr.275 dhe nr.276, sipas seksionit të veçantë (kolona 19) të shtojcës nr.1, shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, sipas pikave 3 e 4, të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.

4. Të ardhurat që arkëtohen nga drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si rrjedhojë e kalimit të pronësisë nëpërmjet shitjes së parcelës ndërtimore, si për pasuritë shtetërore, edhe për pasuritë e të tretëve, në favor të objekteve informale që legalizohen, përdoren për kompensimin e pronarëve.

5. Drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Lezhë, Gjirokastër, Tiranë Veri, Tiranë Jug, Tiranë Rurale 1, Lushnjë, Tiranë Rurale 2, Kamzë – Vorë, Elbasan, Durrës, Shkodër, Kavajë dhe Vlorë të kryejnë ndryshimet përkatëse për këto pasuri në regjistrat e pasurive të paluajtshme.

6. Ngarkohen Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.381, DATË 29.6.2023, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR HAPJEN E PROCEDURËS SË PRANIMIT NË KATEGORINË E ULËT DHE TË MESME DREJTUESE EDHE PËR KANDIDATË TË TJERË JASHTË SHËRBIMIT CIVIL, PËR VITIN 2023”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 26, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.381, datë 29.6.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për hapjen e procedurës së pranimit në kategorinë e ulët dhe të mesme drejtuese edhe për kandidatë të tjerë jashtë shërbimit civil, për vitin 2023”, pika 11, e kreut I, të lidhjes 1, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“11. Koordinator në sektorin (zyrën) e menaxhimit pranë Sekretarit të Përgjithshëm, në Kryeministri.”.

2. Ngarkohen Kryeministria dhe Departamenti i Administratës Publike për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

DEKLARIMIN PASURI KULTURORE E PALUAJTSHME E ZONËS ARKEOLOGJIKE “A” TË GRADISHTËS SË SELCËS, BASHKIA POGRADEC, MIRATIMIN E ZONIMIT DHE PLANIT PËR RUAJTJEN, MBROJTJEN DHE ADMINISTRIMIN E SAJ

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjave “a” dhe “ç”, të pikës 3, të nenit 9, dhe të nënndarjes “iv”, të shkronjës “b”, të pikës 3, të nenit 53, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Deklarimin pasuri kulturore e paluajtshme e zonës arkeologjike “A” të Gradishtës së Selcës, Bashkia Pogradec.

2. Miratimin e zonifikimit të zonës arkeologjike “A” të Gradishtës së Selcës, Bashkia Pogradec, sipas koordinatave dhe hartave në KRGJSH, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

3. Miratimin e planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e kësaj zone, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

4. Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për regjistrimin e këtij vendimi në hartat kadastrale, në përputhje me ligjin nr.111/2018, “Për kadastrën”, dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.

5. Ngarkohet Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor të publikojë hartën e zonës arkeologjike “A” të Gradishtës së Selcës në Gjeoportalin Kombëtar.
6. Vendimi nr.788, datë 29.9.2010, i Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e zonës arkeologjike “A” të Gradishtës së Selcës, Rrethi i Pogradecit, dhe miratimin e rregullores së administrimit”, shfuqizohet.

7. Ngarkohen Ministria e Kulturës, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkia Pogradec për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “REHABILITIMI URBAN I NJËSISË ADMINISTRATIVE GJINAR, ZONA KADASTRALE 1742”, BASHKIA ELBASAN

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rehabilitimi urban i njësisë administrative Gjinar, zona kadastrale 1742”, Bashkia Elbasan.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Elbasan.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, “pyll” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 4 229 904.04 (katër milionë e dyqind e njëzet e nëntë mijë e nëntëqind e katër pikë zero katër) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 4 229 904.04 (katër milionë e dyqind e njëzet e nëntë mijë e nëntëqind e katër pikë zero katër) lekësh, përballohet nga Bashkia Elbasan.

5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Bashkia Elbasan.

6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Elbasan.

8. Bashkia Elbasan kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Elbasan.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Elbasan, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Elbasan për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të aktit të kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Elbasan për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Elbasan, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Elbasan, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.