Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 19 Maj 2021: 

 

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E DËMSHPËRBLIMIT FINANCIAR PËR ISH-TË DËNUARIT POLITIKË TË REGJIMIT KOMUNIST

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 9 e 10, të ligjit nr.9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e dëmshpërblimit financiar për ish-të dënuarit politikë të dënuar me burgim, izolim në hetuesi, izolim në institucion mjekësor apo mjekësor psikiatrik, sipas listës së përcaktuar në aneksin A, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Miratimin e dëmshpërblimit financiar për ish-të dënuarit politikë të dënuar me dënim kapital ose të ekzekutuar pa gjyq, sipas listës së përcaktuar në aneksin B, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

3. Shpërndarja e masës së dëmshpërblimit për ish-të dënuarit politikë kryhet me këste, sipas kritereve dhe kufijve të përcaktuar në nenin 12, të ligjit nr.9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar.

4. Shuma e llogaritur transferohet në një llogari të posaçme në Bankën e Shqipërisë. Pagesa e dëmshpërblimit për secilin përfitues bëhet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në llogaritë personale të tyre, të hapura në bankat e nivelit të dytë, sipas përcaktimeve të ligjit nr.9831, datë 12.11.2017, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar.

5. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.20, DATË 20.1.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR FINANCIMIN E SHËRBIMEVE SHËNDETËSORE SPITALORE NGA SKEMA E DETYRUESHME E SIGURIMEVE TË KUJDESIT SHËNDETËSOR PËR VITIN 2021”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, dhe të nenit 10, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shtojca nr.2, bashkëlidhur vendimit nr.20, datë 20.1.2021, të Këshillit të Ministrave, zëvendësohet me shtojcën nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i miratuar për spitalet për vitin 2021.

3. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.710, DATË 21.8.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN DHE FUNKSIONIMIN E SISTEMEVE TË RUAJTJES SË INFORMACIONIT, VAZHDUESHMËRISË SË PUNËS DHE MARRËVESHJEVE TË NIVELIT TË SHËRBIMIT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, dhe të pikës 3, të nenit 21, të ligjit nr.10273, datë 29.4.2010. “Për dokumentin elektronik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në shkronjën “a”, të pikës 2, të vendimit nr.710, datë 21.8.2013, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, fjalët “… jo më e shkurtër se 4 (katër) vjet.”, zëvendësohen me “… jo më e shkurtër se 2 (dy) vjet.”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.95, DATË 4.2.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PROCEDURAT PËR VLERËSIMIN E KËRCËNIMIT TË RREZIKUT PËR JETËN DHE PAJISJEN ME AUTORIZIM TË POSAÇËM PËR MBAJTJE ARME”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 30, të ligjit nr.74/2014, “Për armët”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.95, datë 4.2.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Shkronja “a”, e pikës 4, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“a) Kërkesa e personit, që kërcënohet për shkak të aktivitetit shtetëror ose rrethanave personale të veçanta për pajisjen me autorizim të posaçëm për mbajtje arme, e cila bëhet on-line, në portalin unik qeveritar e-Albania dhe duhet të përmbajë:

– gjenealitetet e plota të personit (emër, atësi, mbiemër, datëlindje);
– adresën e banimit;
– numrin e kontaktit;
– arsyen për të cilën kërkon të pajiset me autorizim të posaçëm;”.

2. Pas pikës 4 shtohet pika 4/1, me këtë përmbajtje:

“4/1 Në zbatim të ligjit nr.74/2014, “Për armët”, të ndryshuar, personi, përveç dokumenteve të dorëzuara on-line, duhet të kryejë paraprakisht procedurat përkatëse për të siguruar dhe dorëzuar fizikisht dhe origjinale në komisariatin e policisë ku ka vendbanimin, jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë nga momenti i plotësimit on-line të kërkesës, edhe dokumentet e mëposhtme:

– Raportin mjeko-ligjor lëshuar nga autoriteti përkatës, brenda 6 muajve të fundit, që vërteton se është i aftë nga ana mendore dhe fizike;
– Dëshminë e aftësimit teorik-praktik për përdorimin e armës.”.

3. Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“5. Këto dokumente, të administruara në komisariatin e policisë, brenda 5 (pesë) ditëve pune, dërgohen për t’u regjistruar në drejtorinë vendore të policisë, e cila, pasi bën vlerësimin dhe shpreh mendimin mbi dokumentacionin e dërguar nga komisariati i policisë, e përcjell atë për shqyrtim në Komisionin Qendror në Policinë e Shtetit.”.

4. Pika 6 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“6. Rrethana personale të veçanta konsiderohen ato kur, për shkak të detyrës, rrethanave të rastit ose flagrancës, personi ka dijeni për kryerjen e veprës penale, është lehtësisht i identifikueshëm nga autorët e veprës penale dhe për këtë shkak i rrezikohet jeta.”.

5. Pika 7 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“7. Komisioni shqyrton dokumentacionin e paraqitur nga drejtoria vendore/rajonale e policisë ku ka vendbanimin personi i kërcënuar për shkak të aktivitetit shtetëror ose rrethanave personale të veçanta dhe merr vendim për lëshimin e autorizimit brenda 10 (dhjetë) ditëve nga paraqitja e kërkesës.”.

6. Pika 10 shfuqizohet.

7. Pika 11 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“11. Afati i vlefshmërisë së autorizimit të posaçëm për mbajtje arme bazohet në vlerësimin e ekzistencës së kërcënimit dhe rrezikut për jetën, vlerësim i cili kryhet të paktën çdo 1 (një) vit.”.

8. Pas pikës 11 shtohen pikat 11/1 dhe 11/2, me këtë përmbajtje:

“11/1 3 (tre) muaj përpara përfundimit të afatit të autorizimit të posaçëm, shtetasi ka të drejtë të paraqesë kërkesë për rivlerësimin e ekzistencës së kërcënimit dhe rrezikut për jetën, me qëllim rinovimin e autorizimit. Për rinovimin e autorizimit shtetasi duhet të ndjekë të njëjtat procedura, si në rastin e pajisjes me autorizim të posaçëm, për herë të parë.

11/2 Në rast se Komisioni nuk vendos për rinovimin e autorizimit të posaçëm, në zbatim të nenit 42, të ligjit nr.74/2014, “Për armët”, të ndryshuar, personit i pushon vetiu e drejta për mbajtjen e armës dhe detyrohet që, brenda 3 (tri) ditëve, ta dorëzojë në organin përgjegjës të Policisë së Shtetit që ka për detyrë administrimin e armës.

Pas dorëzimit të armës në organin përgjegjës të Policisë së Shtetit që ka për detyrë administrimin e armës, personi ka të drejtë:

a) të ndjekë procedurën për tjetërsimin (shitjen) e armës sipas nenit 39, të ligjit nr.74/2014, “Për armët”, të ndryshuar;
b) të kërkojë autorizim për mbajtje arme në vendbanim. Në këtë rast ndiqen procedurat, rregullat dhe afatet për vlerësimin e përmbushjes së kritereve për pajisjen me autorizim për mbajtje arme në vendbanim.”.

9. Pika 16 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“16. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.281, DATË 1.4.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR VËNIEN NË DISPOZICION TË SHOQËRISË TRANS ADRIATIC PIPELINE AG (TAP AG), NËPËRMJET MARRJES NË PËRDORIM TË SIPËRFAQEVE TË TOKAVE SHTETËRORE QË PREKEN NGA NDËRTIMI I RRUGËVE HYRËSE TË PROJEKTIT TË GAZSJELLËSIT TRANS ADRIATIK (PROJEKTI TAP)”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 3, 5, 7 e 8, të shtojcës 1, pjesa e parë e marrëveshjes me qeverinë e vendit pritës, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave dhe Trans Adriatic Pipeline AG, lidhur me projektin e Gazsjellësit Trans Adriatik (projekti TAP), ratifikuar me ligjin nr.116/2013, “Për ratifikimin e marrëveshjes me qeverinë e vendit pritës, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave dhe Trans Adriatic Pipeline AG, lidhur me projektin e Gazsjellësit Trans Adriatik (projekti TAP)”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.281, datë 1.4.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:

a) Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2. Marrja në përdorim prej shoqërisë TAP AG e sipërfaqeve të tokës shtetërore, që preken nga ndërtimi i rrugëve hyrëse të projektit të Gazsjellësit Trans Adriatik (projekti TAP) të bëhet, si më poshtë vijon:

a) Tokat shtetërore publike të kategorizuara si truall, pyje, kullota dhe tokat shtetërore publike bujqësore, me sipërfaqe të përgjithshme 338 633 (treqind e tridhjetë e tetë mijë e gjashtëqind e tridhjetë e tre) m2, të përcaktuara në shtojcën 1.1.1 bashkëlidhur këtij vendimi, të merren në përdorim;
b) Tokat shtetërore që gjenden në shtretërit dhe brigjet e lumenjve, të përrenjve apo të rrjedhave të tjera ujore, liqeneve dhe rezervuarëve natyrorë ose artificialë, toka e kategorizuar rrugë automobilistike, tokë e kategorizuar shkëmbore, më sipërfaqen e përgjithshme 515 140 (pesëqind e pesëmbëdhjetë mijë e njëqind e dyzet) m2, të përcaktuara në shtojcën 2.1 bashkëlidhur këtij vendimi, të vihen në dispozicion të shoqërisë TAP AG, nëpërmjet këtij vendimi, pa kompensim.

b) Pika 6 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“6. Sipërfaqja totale e tokës shtetërore, që do të vendoset në dispozicion të shoqërisë TAP AG, sipas formës së përdorimit të përcaktuar në pikën 2, të këtij vendimi, është 853 773 (tetëqind e pesëdhjetë e tre mijë e shtatëqind e shtatëdhjetë e tre) m2 dhe përfshihet në territorin administrativ të njësive të qeverisjes vendore, si më poshtë vijon:

a) Në territorin administrativ të Njësisë Administrative Drenovë, Bashkia Korçë, Qarku Korçë, bëjnë pjesë:

i. sipërfaqja tokë bujqësore (arë, pemëtore, ullishte, vresht) prej 32 (tridhjetë e dy) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 20 672 (njëzet mijë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e dy lekë) lekësh;
ii. sipërfaqja ujore (përrua dhe kanal etj.) prej 138 (njëqind e tridhjetë e tetë) m2;
iii. sipërfaqja rrugë automobilistike prej 655 (gjashtëqind e pesëdhjetë e pesë) m2.

b) Në territorin administrativ të Bashkisë Korçë, Qarku Korçë, bën pjesë sipërfaqja truall prej 229 (dyqind e njëzet e nëntë) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 69 215.25 (gjashtëdhjetë e nëntë mijë e dyqind e pesëmbëdhjetë pikë njëzet e pesë) lekësh;

c) Në territorin administrativ të Njësisë Administrative Qendër Bulgarec, Bashkia Korçë, Qarku Korçë, bëjnë pjesë:

i. sipërfaqja truall prej 1 335 (një mijë e treqind e tridhjetë e pesë) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 2 053 400 (dy milionë e pesëdhjetë e tre mijë e katërqind) lekësh;
ii. sipërfaqja tokë bujqësore (arë, pemëtore, ullishte, vresht) prej 3 263 (tre mijë e dyqind e gjashtëdhjetë e tre) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 951 376.25 (nëntëqind e pesëdhjetë e një mijë e treqind e shtatëdhjetë e gjashtë pikë njëzet e pesë) lekësh;
iii. sipërfaqja shkëmbore prej 156 (njëqind e pesëdhjetë e gjashtë) m2;
iv. sipërfaqja ujore (përrua dhe kanal etj.) prej 19 926 (nëntëmbëdhjetë mijë e nëntëqind e njëzet e gjashtë) m2;
v. sipërfaqja rrugë automobilistike prej 23 847 (njëzet e tre mijë e tetëqind e dyzet e shtatë) m2;

ç) Në territorin administrativ të Njësisë Administrative Mollaj, Bashkia Korçë, Qarku Korçë, bëjnë pjesë:

i. sipërfaqja tokë bujqësore (arë, pemëtore, ullishte, vresht) prej 1 716 (një mijë e shtatëqind e gjashtëmbëdhjetë) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 336 000 (treqind e tridhjetë e gjashtë mijë) lekësh;
ii. sipërfaqja fond kullosor (sipas zërave kadastralë) prej 1 473 (një mijë e katërqind e shtatëdhjetë e tre) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 392 000 (treqind e nëntëdhjetë e dy mijë) lekësh;
iii. sipërfaqja ujore (përrua dhe kanal etj.) prej 11 745 (njëmbëdhjetë mijë e shtatëqind e dyzet e pesë) m2;
iv. sipërfaqja rrugë automobilistike prej 12 539 (dymbëdhjetë mijë e pesëqind e tridhjetë e nëntë) m2.

d) Në territorin administrativ të Njësisë Administrative Vithkuq, Bashkia Korçë, Qarku Korçë, bëjnë pjesë:

i. sipërfaqja tokë bujqësore (arë, pemëtore, ullishte, vresht) prej 7 253 (shtatë mijë e dyqind e pesëdhjetë e tre) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 1 358 793 (një milion e treqind e pesëdhjetë e tetë mijë e shtatëqind e nëntëdhjetë e tre) lekësh;
ii. sipërfaqja fond pyjor (sipas zërave kadastralë) prej 9 940 (nëntë mijë e nëntëqind e dyzet) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 562 177.01 (pesëqind e gjashtëdhjetë e dy mijë e njëqind e shtatëdhjetë e shtatë pikë zero një) lekësh;
iii. sipërfaqja fond kullosor (sipas zërave kadastralë) prej 160 (njëqind e gjashtëdhjetë) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 84 156 (tetëdhjetë e katër mijë e njëqind e pesëdhjetë e gjashtë) lekësh;
iv. sipërfaqja shkëmbore prej 28 044 (njëzet e tetë mijë e dyzet e katër) m2;
v. sipërfaqja ujore (përrua dhe kanal etj.) prej 24 117 (njëzet e katër mijë e njëqind e shtatëmbëdhjetë) m2;
vi. sipërfaqja rrugë automobilistike prej 31 937 (tridhjetë e një mijë e nëntëqind e tridhjetë e shtatë) m2.

dh) Në territorin administrativ të Njësisë Administrative Voskop, Bashkia Korçë, Qarku Korçë, bëjnë pjesë:

i. sipërfaqja tokë bujqësore (arë, pemëtore, ullishte, vresht) prej 2 016 (dy mijë e gjashtëmbëdhjetë) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 414 004.50 (katërqind e katërmbëdhjetë mijë e katër pikë pesëdhjetë) lekësh;
ii. sipërfaqja ujore (përrua dhe kanal etj.) prej 103 (njëqind e tre) m2;
iii. sipërfaqja rrugë automobilistike prej 287 (dyqind e tetëdhjetë e shtatë) m2.

e) Në territorin administrativ të Bashkisë Berat, Qarku Berat, bëjnë pjesë:

i. sipërfaqja tokë bujqësore (arë, pemëtore, ullishte, vresht) prej 9 463 (nëntë mijë e katërqind e gjashtëdhjetë e tre) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 2 439 585.25 (dy milionë e katërqind e tridhjetë e nëntë mijë e pesëqind e tetëdhjetë e pesë pikë njëzet e pesë) lekësh;
ii. sipërfaqja fond pyjor (sipas zërave kadastralë) prej 2 218 (dy mijë e dyqind e tetëmbëdhjetë) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 144 524.48 (njëqind e dyzet e katër mijë e pesëqind e njëzet e katër pikë dyzet e tetë) lekësh;
iii. sipërfaqja shkëmbore prej 347 (treqind e dyzet e shtatë) m2;
iv. sipërfaqja ujore (përrua dhe kanal etj.) prej 605 (gjashtëqind e pesë) m2;
v. sipërfaqja rrugë automobilistike prej 16 262 (gjashtëmbëdhjetë mijë e dyqind e gjashtëdhjetë e dy) m2.

ë) Në territorin administrativ të Bashkisë Poliçan, Qarku Berat, bëjnë pjesë:

i. sipërfaqja tokë bujqësore (arë, pemëtore, ullishte, vresht) prej 4 885 (katër mijë e tetëqind e pesëdhjetë e pesë) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 319 743.58 (treqind e nëntëmbëdhjetë mijë e shtatëqind e dyzet e tre pikë pesëdhjetë e tetë) lekësh;
ii. sipërfaqja fond pyjor (sipas zërave kadastralë) prej 7 334 (shtatë mijë e treqind e tridhjetë e katër) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 355 875.50 (treqind e pesëdhjetë e pesë mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e pesë pikë pesëdhjetë) lekësh;
iii. sipërfaqja fond kullosor (sipas zërave kadastralë) prej 1 194 (një mijë e njëqind e nëntëdhjetë e katër) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 81 385.75 (tetëdhjetë e një mijë e treqind e tetëdhjetë e pesë pikë shtatëdhjetë e pesë) lekësh;
iv. sipërfaqja shkëmbore prej 1 183 (një mijë e njëqind e tetëdhjetë e tre) m2;
v. sipërfaqja ujore (përrua dhe kanal etj.) prej 1 713 (një mijë e shtatëqind e trembëdhjetë) m2;
vi. sipërfaqja rrugë automobilistike prej 11 104 (njëmbëdhjetë mijë e njëqind e katër) m2.

f) Në territorin administrativ të Bashkisë Ura Vajgurore, Qarku Berat, bëjnë pjesë:

i. sipërfaqja ujore (përrua dhe kanal etj.) prej 11 (njëmbëdhjetë) m2;
ii. sipërfaqja rrugë automobilistike prej 41 (dyzet e një) m2.

g) Në territorin administrativ të Bashkisë Skrapar, Qarku Berat, bëjnë pjesë:

i. sipërfaqja truall prej 816 (tetëqind e gjashtëmbëdhjetë) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 532 536 (pesëqind e tridhjetë e dy mijë e pesëqind e tridhjetë e gjashtë) lekësh;
ii. sipërfaqja tokë bujqësore (arë, pemëtore, ullishte, vresht) prej 11 680 (njëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 2 229 645.99 (dy milionë e dyqind e njëzet e nëntë mijë e gjashtëqind e dyzet e pesë pikë nëntëdhjetë e nëntë) lekësh;
iii. sipërfaqja fond pyjor (sipas zërave kadastralë) prej 6 060 (gjashtë mijë e gjashtëdhjetë) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 844 537.34 (tetëqind e dyzet e katër mijë e pesëqind e tridhjetë e shtatë pikë tridhjetë e katër) lekë;
iv. sipërfaqja fond kullosor (sipas zërave kadastralë) prej 6 258 (gjashtë mijë e dyqind e pesëdhjetë e tetë) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 1 029 599 (një milion e njëzet e nëntë mijë e pesëqind e nëntëdhjetë e nëntë) lekësh;
v. sipërfaqja shkëmbore prej 3 656 (tre mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë e gjashtë) m2;
vi. sipërfaqja ujore (përrua dhe kanal etj.) prej 592 (pesëqind e nëntëdhjetë e dy) m2;
vii. sipërfaqja rrugë automobilistike prej 7 051 (shtatë mijë e pesëdhjetë e një) m2.

gj) Në territorin administrativ të Njësisë Administrative Bogovë, Bashkia Skrapar, Qarku Berat, bën pjesë sipërfaqja fond pyjor (sipas zërave kadastralë) prej 235 (dyqind e tridhjetë e pesë) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 56 000 (pesëdhjetë e gjashtë mijë) lekësh;

h) Në territorin administrativ të Njësisë Administrative Qendër Skrapar, Bashkia Skrapar, Qarku Berat, bëjnë pjesë:

i. sipërfaqja tokë bujqësore (arë, pemëtore, ullishte, vresht) prej 5 650 (pesë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 1 034 184.63 (një milion e tridhjetë e katër mijë e njëqind e tetëdhjetë e katër pikë gjashtëdhjetë e tre) lekësh;
ii. sipërfaqja fond kullosor (sipas zërave kadastralë) prej 19 393 (nëntëmbëdhjetë mijë e treqind e nëntëdhjetë e tre) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 1 648 978.25 (një milion e gjashtëqind e dyzet e tetë mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e tetë pikë njëzet e pesë) lekësh;
iii. sipërfaqja shkëmbore prej 4 259 (katër mijë e dyqind e pesëdhjetë e nëntë) m2;
iv. sipërfaqja ujore (përrua dhe kanal etj.) prej 22 046 (njëzet e dy mijë e dyzet e gjashtë) m2;
v. sipërfaqja rrugë automobilistike prej 2 136 (dy mijë e njëqind e tridhjetë e gjashtë) m2.

i) Në territorin administrativ të Njësisë Administrative Potom, Bashkia Skrapar, Qarku Berat, bëjnë pjesë:

i. sipërfaqja tokë bujqësore (arë, pemëtore, ullishte, vresht) prej 13 987 (trembëdhjetë mijë e nëntëqind e tetëdhjetë e shtatë) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 1 482 501.54 (një milion e katërqind e tetëdhjetë e dy mijë e pesëqind e një pikë pesëdhjetë e katër) lekësh;
ii. sipërfaqja fond pyjor (sipas zërave kadastralë) prej 10 646 (dhjetë mijë e gjashtëqind e dyzet e gjashtë) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 645 883 (gjashtëqind e dyzet e pesë mijë e tetëqind e tetëdhjetë e tre) lekësh;
iii. sipërfaqja fond kullosor (sipas zërave kadastralë) prej 48 626 (dyzet e tetë mijë e gjashtëqind e njëzet e gjashtë) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 3 704 875.45 (tre milionë e shtatëqind e katër mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e pesë pikë dyzet e pesë) lekësh;
iv. sipërfaqja shkëmbore prej 1 482 (një mijë e katërqind e tetëdhjetë e dy) m2;
v. sipërfaqja ujore (përrua dhe kanal etj.) prej 2 512 (dy mijë e pesëqind e dymbëdhjetë) m2;
vi. sipërfaqja rrugë automobilistike prej 24 013 (njëzet e katër mijë e trembëdhjetë) m2.

j) Në territorin administrativ të Njësisë Administrative Vendreshë, Bashkia Skrapar, Qarku Berat, bëjnë pjesë:

i. sipërfaqja tokë bujqësore (arë, pemëtore, ullishte, vresht) prej 2 150 (dy mijë e njëqind e pesëdhjetë) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 784 000.00 (shtatëqind e tetëdhjetë e katër mijë) lekësh;
ii. sipërfaqja fond pyjor (sipas zërave kadastralë) prej 6 006 (gjashtë mijë e gjashtë) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 775 683.33 (shtatëqind e shtatëdhjetë e pesë mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e tre pikë tridhjetë e tre) lekësh;
iii. sipërfaqja fond kullosor (sipas zërave kadastralë) prej 275 (dyqind e shtatëdhjetë e pesë) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 112 000.00 (njëqind e dymbëdhjetë mijë) lekësh;
iv. sipërfaqja shkëmbore prej 7 196 (shtatë mijë e njëqind e nëntëdhjetë e gjashtë) m2;
v. sipërfaqja ujore (përrua dhe kanal etj.) prej 4 687 (katër mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e shtatë) m2;
vi. sipërfaqja rrugë automobilistike prej 9 264 (nëntë mijë e dyqind e gjashtëdhjetë e katër) m2.

k) Në territorin administrativ të Njësisë Administrative Poshnje, Bashkia Ura Vajgurore, Qarku Berat, bëjnë pjesë:

i. sipërfaqja tokë bujqësore (arë, pemëtore, ullishte, vresht) prej 828 (tetëqind e njëzet e tetë) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 504 000.00 (pesëqind e katër mijë) lekësh;
ii. sipërfaqja fond kullosor (sipas zërave kadastralë) prej 2 206 (dy mijë e dyqind e gjashtë) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 612 343.75 (gjashtëqind e dymbëdhjetë mijë e treqind e dyzet e tre pikë shtatëdhjetë e pesë) lekësh;
iii. sipërfaqja ujore (përrua dhe kanal etj.) prej 95 (nëntëdhjetë e pesë) m2;
iv. sipërfaqja rrugë automobilistike prej 10 125 (dhjetë mijë e njëqind e njëzet e pesë) m2.

l) Në territorin administrativ të Njësisë Administrative Kutalli, Bashkia Ura Vajgurore, Qarku Berat, bën pjesë sipërfaqja tokë bujqësore (arë, pemëtore, ullishte, vresht) prej 15 (pesëmbëdhjetë) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 56 000 (pesëdhjetë e gjashtë mijë) lekësh;

ll) Në territorin administrativ të Njësisë Administrative Vërtop, Bashkia Poliçan, Qarku Berat, bëjnë pjesë:

i. sipërfaqja truall prej 1 824 (një mijë e tetëqind e njëzet e katër) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 756 522.25 (shtatëqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë e pesëqind e njëzet e dy pikë njëzet e pesë) lekësh;
ii. sipërfaqja tokë bujqësore (arë, pemëtore, ullishte, vresht) prej 35 555 (tridhjetë e pesë mijë e pesëqind e pesëdhjetë e pesë) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 10 133 008.14 (dhjetë milionë e njëqind e tridhjetë e tre mijë e tetë pikë katërmbëdhjetë) lekësh;
iii. sipërfaqja fond pyjor (sipas zërave kadastralë) prej 68 972 (gjashtëdhjetë e tetë mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e dy) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 8 559 157.21 (tetë milionë e pesëqind e pesëdhjetë e nëntë mijë e njëqind e pesëdhjetë e shtatë pikë njëzet e një) lekësh;
iv. sipërfaqja fond kullosor (sipas zërave kadastralë) prej 27 922 (njëzet e shtatë mijë e nëntëqind e njëzet e dy) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 5 096 322.50 (pesë milionë e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e treqind e njëzet e dy pikë pesëdhjetë) lekësh;
v. sipërfaqja ujore (përrua dhe kanal etj.) prej 63 164 (gjashtëdhjetë e tre mijë e njëqind e gjashtëdhjetë e katër) m2;
vi. sipërfaqja rrugë automobilistike prej 60 249 (gjashtëdhjetë mijë e dyqind e dyzet e nëntë) m2.

m) Në territorin administrativ të Bashkisë Devoll, Qarku Korçë, bën pjesë sipërfaqja rrugë automobilistike prej 80 (tetëdhjetë) m2;

n) Në territorin administrativ të Njësisë Administrative Mbrostar, Bashkia Fier, Qarku Fier, bëjnë pjesë:

i. sipërfaqja tokë bujqësore (arë, pemëtore, ullishte, vresht) prej 1 401 (një mijë e katërqind e një) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 630 561 (gjashtëqind e tridhjetë mijë e pesëqind e gjashtëdhjetë e një) lekësh;
ii. sipërfaqja shkëmbore prej 267 (dyqind e gjashtëdhjetë e shtatë) m2;
iii. sipërfaqja ujore (përrua dhe kanal etj.) prej 24 562 (njëzet e katër mijë e pesëqind e gjashtëdhjetë e dy) m2;
iv. sipërfaqja rrugë automobilistike prej 20 134 (njëzet mijë e njëqind e tridhjetë e katër) m2.

nj) Në territorin administrativ të Bashkisë Roskovec, Qarku Fier, bëjnë pjesë:

i. sipërfaqja tokë bujqësore (arë) prej 1 (një) m² me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 828.00 (tetëqind e njëzet e tetë) lekësh;
ii. sipërfaqja ujore (përrua dhe kanal etj.) prej 76 (shtatëdhjetë e gjashtë) m2;
iii. sipërfaqja rrugë automobilistike prej 338 (treqind e tridhjetë e tetë) m2.

o) Në territorin administrativ të Njësisë Administrative Otllak, Bashkia Berat, Qarku Berat, bëjnë pjesë:

i. sipërfaqja tokë bujqësore (arë) prej 14 728 (katërmbëdhjetë mijë e shtatëqind e njëzet e tetë) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 12 194 784.00 (dymbëdhjetë milionë e njëqind e nëntëdhjetë e katër mijë e shtatëqind e tetëdhjetë e katër) lekësh;
ii. sipërfaqja ujore (përrua dhe kanal etj.) prej 60 117 (gjashtëdhjetë mijë e njëqind e shtatëmbëdhjetë) m2;
iii. sipërfaqja tokë pa frut prej 2 306 (dy mijë e treqind e gjashtë) m2.

p) Në territorin administrativ të Njësisë Administrative Topojë, Bashkia Fier, Qarku Fier, bëjnë pjesë:

i. sipërfaqja tokë bujqësore (arë) prej 888 (tetëqind e tetëdhjetë e tetë) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 544 582 (pesëqind e dyzet e katër mijë e pesëqind e tetëdhjetë e dy) lekësh;
ii. sipërfaqe tokë ranishte prej 120 (njëqind e njëzet) m²;
iii. sipërfaqja ujore (përrua dhe kanal etj.) prej 330 (treqind e tridhjetë) m2;
iv. sipërfaqja tokë rrugë automobilistike prej 200 (dyqind) m2.”.

c) Shtojca 1.1, “Lista e pronave shtetërore të prekura nga projekti TAP, që do të merren me qira me kompensim”, dhe shtojca 2.1, “Lista e pronave të prekura nga projekti TAP, që do të merren në përdorim pa kompensim”, bashkëlidhur vendimit, ndryshojnë respektivisht sipas shtojcës 1.1.1, “Lista e pronave shtetërore të prekura nga projekti TAP, që do të merren me qira me kompensim”, dhe shtojcës 2.1.1, “ Lista e pronave të prekura nga projekti TAP, që do të merren në përdorim pa kompensim”, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

2. Detyrimi financiar i shoqërisë TAP AG dhe i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë ndaj njëra-tjetrës, në zbatim të këtij vendimi, është 0 (zero) lekë.

3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, drejtoritë rajonale të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe njësitë e qeverisjes vendore, ku kalon rrjeti i rrugëve, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.555, DATË 11.8.2011, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS DHE TË NIVELEVE TË PAGAVE TË PUNONJËSVE TË PERSONELIT MJEKËSOR, TË PUNONJËSVE ME ARSIM TË LARTË DHE TË PUNONJËSVE TË PERSONELIT TEKNIK TË SHKENCAVE MJEKËSORE, NË SISTEMIN E MINISTRISË PËRGJEGJËSE PËR SHËNDETËSINË, NË NJËSINË MJEKËSORE USHTARAKE PRANË SPITALIT UNIVERSITAR TË TRAUMËS, NË STRUKTURAT E TJERA TË FORCAVE TË ARMATOSURA DHE NË INSTITUCIONET E EKZEKUTIMIT TË VENDIMEVE PENALE DHE SPITALIN PËRKATËS”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

1. Në vendimin nr.555, datë 11.8.2011, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa e ndryshime:

a) Në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 2, pas fjalëve “ … në strukturat shëndetësore universitare … ” shtohen fjalët “ … në spitalet e nivelit terciar …”.

b) Lidhja 1/AP, që përmendet në shkronjën “a”, të pikës 2, dhe kreu 1/1, që përmendet në shkronjën “b”, të pikës 2, zëvendësohen përkatësisht me lidhjen 1/AP “Struktura dhe nivelet e pagave për punonjësit e administrimit të përgjithshëm nga “specialist” deri në “titullar institucioni” në struktura shëndetësore universitare, në spitalet e nivelit terciar, në spitalet rajonale, spitalet psikiatrike dhe spitalet bashkiake” dhe kreun 1/1 “Struktura dhe nivelet e pagave për personelin mjekësor në strukturat shëndetësore universitare, në spitalet e nivelit terciar dhe në Njësinë Mjekësore Ushtarake pranë Spitalit Universitar të Traumës”, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.

c) Kreu 2.1, i lidhjes nr. 2, që përmendet në pikën 2, zëvendësohet me kreun me të njëjtin numër dhe me titull “Struktura dhe nivelet e pagave për personelin teknik të shkencave mjekësore në strukturat shëndetësore universitare e në spitalet e nivelit terciar dhe personelin teknik të shkencave mjekësore, civilë, në Njësinë Mjekësore Ushtarake pranë Spitalit Universitar të Traumës”, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

ç) Në pikën 13, pas fjalëve “… kërkimore-shkencore …” shtohen fjalët “ … si dhe në spitalin rajonal “Memorial” Fier …”.

d) Pas pikës 19 shtohet pika 20, me këtë përmbajtje:

“20. Për një periudhë transitore, (3-vjeçare) të funksionimit të spitalit rajonal “Memorial” në Fier, në bashkëpunim me personat e caktuar nga Ministria e Shëndetësisë Turke, pagat e punonjësve turq, të personelit të administrimit të përgjithshëm, të personelit mjekësor dhe të personelit teknik të shkencave mjekësore, të jenë të njëjta me pagat e çdo pozicioni respektiv pune, sipas lidhjes nr.1/AP, lidhjes nr.1 (Kreu 1.1) dhe lidhjes nr.2 (Kreu 2.1) të këtij vendimi.
Përveç pagës sipas lidhjeve përkatëse si më sipër, punonjësit turq të personelit të administrimit të përgjithshëm, të personelit mjekësor dhe të personelit teknik të shkencave mjekësore do të përfitojnë edhe një shpërblim mujor, në masën e përcaktuar në lidhjen nr.10, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.”.

2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për vitin 2021, për spitalin rajonal “Memorial” në Fier, përballohen nga fondet e miratuara për Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe fillojnë nga data e emërimit të punonjësve në detyrë.

3. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË TURIZMIT DHE MJEDISIT TË PRONËS SË PALUAJTSHME, ME SIPËRFAQE PREJ 10 000 M2, E LLOJIT TRUALL, NDODHUR NË ZONËN KADASTRALE 8561, ME NUMËR PASURIE 1/911, NË PRONËSI TË BASHKISË KORÇË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 12, 13, 14 e 15, shkronja “c”, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të pikës 3, të nenit 34, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të pronës së paluajtshme, me sipërfaqe prej 10 000 (dhjetë mijë) m2, e llojit truall, ndodhur në zonën kadastrale 8561, me numër pasurie 1/911, sipas planvendosjes bashkëlidhur këtij vendimi, me qëllim përdorimin e saj për zhvillimin e projekteve të investimit në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit.

2. Sipërfaqja prej 10 000 (dhjetë mijë) m2, e llojit truall, ndodhur në zonën kadastrale 8561, me numër pasurie 1/911, e përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, të hiqet nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme në pronësi të Bashkisë Korçë.

3. Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të pronës të paluajtshme, të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi.
4. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Bashkia Korçë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E PROJEKTIT PILOT “PËR MASAT PËR NXITJEN E TË NXËNIT, TË VIJUESHMËRISË DHE PËRPARIMIT TË NXËNËSVE TË SHKOLLËS 9-VJEÇARE “NAIM FRASHËRI” KORÇË, PËR VITIN SHKOLLOR 2021-2022”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e 243 (dyqind e dyzet e tre) bursave/kuotave ushqimore për nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Naim Frashëri” Korçë, për vitin shkollor 2021-2022.

2. Vlera e bursës/kuotës ushqimore ditore është 76 (shtatëdhjetë e gjashtë) lekë në ditë për nxënës, për mbulimin e kostos ushqimore. Vlera e bursës/kuotës ushqimore, që do t’u ofrohet nxënësve në mjediset e shkollës, në formën e shërbimit ushqimor ditor, të paketuar për çdo nxënës, për 170 (njëqind e shtatëdhjetë) ditë mësimore, jepet sipas aneksit nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

3. Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Korçë-Pustec, në fillim të vitit shkollor, të dërgojë në njësinë e vetëqeverisjes vendore, Bashkia Korçë, listën emërore të nxënësve që ndjekin mësimin në këtë institucion arsimor parauniversitar, përfitues të bursës/kuotës ushqimore. Lista emërore detajohet sipas klasave, nga klasa e parë deri në klasën e nëntë. Një kopje e kësaj liste dërgohet në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, si dhe në Drejtorinë Rajonale të Arsimit Parauniversitar Korçë.
4. Fondet publike për mbulimin e shpenzimeve për bursat/kuotat ushqimore, me qëllim zbatimin e këtij vendimi, rialokohen nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë për Bashkinë Korçë dhe administrohen nga kjo bashki.

5. Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Korçë-Pustec dhe drejtoria e shkollës 9-vjeçare “Naim Frashëri” Korçë organizojnë aktivitete ekstrakurrikulare, me qëllim nxitjen e të nxënit, të vijueshmërisë dhe përparimit të nxënësve të kësaj shkolle. Këto aktivitete organizohen në përputhje me udhëzimin nr.30, datë 12.9.2018, të ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, “Për numrin e nxënësve për klasë dhe normat e punës mësimore në institucionet e arsimit parauniversitar”, të ndryshuar.

6. Efektet financiare mbulohen nga buxheti vjetor i miratuar për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, në programin buxhetor të arsimit bazë.

7. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Bashkia Korçë, Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar Korçë, Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Korçë-Pustec dhe shkolla 9-vjeçare “Naim Frashëri” Korçë për zbatimin e këtij vendimi

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË PROTOKOLLIT PËR NDYSHIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET PALËVE TË KONVENTËS PËR BASHKËPUNIM POLICOR TË EVROPËS JUGLINDORE, PËR SHKËMBIMIN E AUTOMATIZUAR TË TË DHËNAVE TË ADN-SË, DAKTILOSKOPIKE DHE TË DHËNAVE TË REGJISTRIMIT TË AUTOMJETEVE, TË RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.13/2019

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të protokollit për ndryshimin e marrëveshjes, ndërmjet palëve të Konventës për Bashkëpunim Policor të Evropës Juglindore, për shkëmbimin e automatizuar të të dhënave të ADN-së, daktiloskopike dhe të dhënave të regjistrimit të automjeteve, të ratifikuar me ligjin nr.13/2019, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E PROTOKOLLIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË TURQISË, PËR TRAJNIMIN DHE BASHKËPUNIMIN NË FUSHËN E SHËNDETЁSISË USHTARAKE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e protokollit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë, për trajnimin dhe bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë ushtarake, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E RREGULLAVE TË PROKURIMIT PUBLIK

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 7, pika 2, 13, pika 1, shkronja “a”, 14, pika 3, 17, pikat 1 dhe 2, 21, pika 4, 23, shkronjat “c” dhe “gj”, 33, pika 2, 34, pika 2, 35, pika 3, 41, pika 2, 42, pikat 1 dhe 3, shkronja “a”, 43, pikat 1 dhe 4, shkronja “a”, 44, pika 1, 50, pikat 2 dhe 7, 54, pika 1, 56, pika 4, 57, pikat 1 dhe 2, shkronja “c”, 58, pika 2, 71, pikat 1 dhe 2, shkronja “c”, 72, pika 1, 74, pika 1, 78, pika 3, 82, pikat 1 dhe 5, 111, pika 1, 116, pika 4, 124, pika 6, 131, pika 2, e 132, pika 2, të ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e rregullave të prokurimit publik, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Agjencia e Prokurimit Publik, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të hartojë dhe të miratojë dokumentet standarde të tenderit.

3. Vendimi nr.914, datë 29.12.2014, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar, shfuqizohet.

4. Ngarkohen autoritetet dhe entet kontraktore, të përcaktuara në nenin 21, të ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”, për zbatimin e rregullave të miratuara me këtë vendim.

Ky vendim hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I SPITALIT RAJONAL “MEMORIAL” NË FIER”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i spitalit rajonal “Memorial” në Fier”.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen, në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “tokë arë” dhe “drufrutorë/kultura bujqësore”, me një vlerë të përgjithshme prej 20 892 266 (njëzet milionë e tetëqind e nëntëdhjetë e dy mijë e dyqind e gjashtëdhjetë e gjashtë) lekësh.

4. Masa e shpërblimit për pronarët që shpronësohen, prej 20 892 266 (njëzet milionë e tetëqind e nëntëdhjetë e dy mijë e dyqind e gjashtëdhjetë e gjashtë) lekësh, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

5. Vlera e shpenzimeve të procedurës, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohet nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.

8. Agjencia Shtetërore për Shpronësimin të kryejë procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, të nisë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit dhe kalimi i pronësive në favor të shtetit për pasuritë e shpronësuara.

12. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, si dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Fier për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E MIRATUAR PËR VITIN 2021, PËR MINISTRINË E FINANCAVE DHE EKONOMISË, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT “PËRMIRËSIMI I MODULIT TË MENAXHIMIT TË KONTROLLIT TË FATURIMIT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 17, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2021, në zërin “Shpenzime kapitale me financim të brendshëm”, llogaria ekonomike 231, në programin buxhetor 01140 “Menaxhimi i të ardhurave tatimore”, i shtohet fondi prej 220 858 088 (dyqind e njëzet milionë e tetëqind e pesëdhjetë e tetë mijë e tetëdhjetë e tetë) lekësh, për projektin “Përmirësimi i modulit të menaxhimit të kontrollit të faturimit”.

2. Efekti financiar, i përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2021.

3. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E FLAMURIT, STEMËS, UNIFORMËS, SI DHE NGJYRËS E SHENJAVE NË MJETET E POLICISË SË BURGJEVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 27, të ligjit nr.80/2020, “Për Policinë e Burgjeve”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e flamurit dhe stemës së Policisë së Burgjeve, sipas aneksit nr.1 që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Miratimin uniformës së Policisë së Burgjeve, sipas specifikimeve përkatëse në aneksin nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

3. Llojet e uniformës së punonjësve të Policisë së Burgjeve janë:

a) Uniforma për punonjësit e rolit të mesëm e të lartë;
b) Uniforma për punonjësit e rolit bazë;
c) Uniforma për punonjësit e grupit të shoqërimit, forcave operacionale dhe strukturës së posaçme.

4. Miratimin e ngjyrave dhe shenjave në mjetet e Policisë së Burgjeve, sipas aneksit nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

5. Përdorimi i shenjave identifikuese për Policinë e Burgjeve dhe mjetet e tyre ka si qëllim:

a) identifikimin e punonjësit të Policisë së Burgjeve dhe mjeteve të tyre në nivel qendror, në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, si dhe gjatë transferimeve e shoqërimeve të personave të burgosur;
b) krijimin e kushteve lehtësuese në kryerjen e detyrave në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale dhe jashtë saj gjatë ushtrimit të veprimtarisë;
c) dallimin e punonjësve të Policisë së Burgjeve nga struktura të tjera me uniformë, në bazë të shenjave dalluese që mbahen në uniformë;
ç) rritjen e ndjenjës së përgjegjësisë morale dhe integritetit shoqëror të punonjësit të policisë, në ruajtjen e etikës, dinjitetit dhe figurës së tij;
d) përdorimin në mënyrë të njëjtë dhe të rregullt, gjatë ushtrimit të veprimtarisë, brenda dhe jashtë institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale.

6. Vendimi nr.463, datë 6.5.2009, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e ngjyrës, të uniformës dhe të shenjave në mjetet e Policisë së Burgjeve”, shfuqizohet.

7. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE 

 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.