Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 2 Shtator 2020:
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN, ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AUTORITETIT KOMBËTAR TË VETERINARISË DHE MBROJTJES SË BIMËVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, dhe të nenit 128, të ligjit nr.10465 datë 29.9.2011, “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Krijimin, organizimin dhe funksionimin e Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, në vijim AKVMB, si person juridik publik buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për veterinarinë, në vijim ministri, me seli në Tiranë. AKVMB-ja financohet nga buxheti i shtetit dhe burime të tjera të ligjshme.
2. Misioni i AKVMB-së është të garantojë mbrojtjen e shëndetit dhe të mirëqenies së kafshëve, mbrojtjen e shëndetit publik në Republikën e Shqipërisë nga sëmundjet zoonotike të transmetueshme nga kafshët dhe mbrojtjen e bimëve, nëpërmjet drejtimit të veprimtarisë së kontrollit zyrtar dhe veprimtarive të tjera veterinare brenda fushës së përgjegjësisë, dhe ofrimit të shërbimit të mbrojtjes së bimëve nga dëmtuesit dhe sëmundjet.
3. AKVMB-ja e ushtron veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e vendit dhe ka fushë përgjegjësie shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve dhe shëndetin e bimëve.
II. PËRGJEGJËSITË FUNKSIONALE TË AUTORITETIT KOMBËTAR TË VETERINARISË DHE MBROJTJES SË BIMËVE
AKVMB-ja ka përgjegjësi:
a) të drejtojë shërbimin veterinar, brenda fushës së përgjegjësisë;
b) të organizojë punën për kryerjen e kontrolleve zyrtare dhe veprimtaritë e tjera veterinare;
c) të organizojë punën për ofrimin e kontrollit dhe shërbimit të mbrojtjes së bimëve nga dëmtuesit.
III. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I AUTORITETIT KOMBËTAR TË VETERINARISË DHE MBROJTJES SË BIMËVE
1. AKVMB-ja e shtrin veprimtarinë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe organizohet në:
a) nivel qendror, nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme;
b) nivel rajonal, nëpërmjet 4 (katër) drejtorive rajonale të veterinarisë dhe mbrojtjes së bimëve;
c) njësitë direkte të ofrimit të shërbimit veteriner.
2. Struktura dhe organika e AKVMB-së miratohen me urdhër të Kryeministrit, sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore, pas propozimit të ministrit përgjegjës për veterinarinë.
3. Shtrirja territoriale e njësive direkte të ofrimit të shërbimit veterinar miratohet me urdhër të ministrit, në bazë të kritereve të mëposhtme:
a) Numrit të fermave;
b) Njësive të gjedhit;
c) Largësisë së fermave dhe njësive të gjedhit nga njësitë e ofrimit të shërbimit.
4. Drejtoria e Përgjithshme për ushtrimin e kompetencave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për shërbimin veterinar dhe atë të mbrojtjes së bimëve kryen detyrat, si më poshtë vijon:
a) Analizon dhe zbërthen politikat, strategjitë e zhvillimit, programet në fushën shëndetit dhe mirëqenies së kafshëve dhe shëndetit të bimëve;
b) Vlerëson nevojat dhe problematikat e hasura në terren, përvetëson ekspertizën e nevojshme dhe miraton vetë ndërhyrjet e nevojshme në rast se është në kompetencë të saj apo bën propozimet përkatëse në ministrinë përgjegjëse për veterinarinë dhe mbrojtjen e bimëve;
c) Vë në funksionim, mban dhe përditëson regjistrat zyrtarë të parashikuar në legjislacionin në fuqi për shërbimin veterinar;
ç) Harton planet e punës për kryerjen e kontrolleve zyrtare dhe për ofrimin e shërbimeve veterinare, bazuar në programet e hartuara nga struktura përgjegjëse për veterinarinë në ministri;
d) Harton planet e punës për kryerjen e veprimtarisë së kontrollit dhe shërbimit të mbrojtjes së bimëve;
dh) Harton projektbuxhetin e AKVMB-së dhe e propozon atë në ministri;
e) Kontrakton në raste nevojash dhe emergjencash, në përputhje me urdhrat e ministrit, veterinerë privatë, teknikë veterinarë, klinika private dhe njësi të tjera të shërbimit privat veterinar;
ë) Administron pasuritë, burimet financiare dhe njerëzore të AKVMB-së;
f) Propozon në mënyrë të argumentuar, sipas kritereve të përcaktuara në këtë vendim, shtrirjen territorale të njësive direkte të ofrimit të shërbimit;
g) Ndjek zbatimin e detyrimeve ligjore nga drejtoritë rajonale, veterinerët zyrtarë, agronomët e mbrojtjes së bimëve dhe personelit mbështetës;
gj) Mbështet ministrinë me të dhëna, ekspertizë teknike dhe propozime në hartimin e politikave e të strategjive;
h) Raporton në strukturën përgjegjëse për veterinarinë, në mënyrë periodike dhe sa herë kërkohet;
i) Raporton në strukturën përgjegjëse për mbrojtjen e bimëve, në mënyrë periodike dhe sa herë kërkohet;
j) Bashkëpunon me institucione homologe dhe organizata joqeveritare, vendase dhe të huaja.
5. AKVMB-ja drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili përgjigjet përpara ministrit. Drejtori i Përgjithshëm, në përputhje me legjislacionin në fuqi, por pa u kufizuar, me qëllim sigurimin e drejtimit dhe administrimit efektiv të AKVMB-së, kryen detyrat, si më poshtë vijon:
a) Përfaqëson AKVMB-në në marrëdhënie me të tretët;
b) Miraton planet e punës afatmesme dhe afatgjata të Drejtorisë së Përgjithshme e të drejtorive rajonale;
c) Lidh kontratat e punës në përputhje me Kodin e Punës në Republikën e Shqipërisë, për nëpunësit/punonjësit, marrëdhëniet e punës të të cilëve rregullohen mbi bazën e këtij legjislacioni;
ç) Delegon kryerjen e detyrave të përcaktuara për periudhën dhe veprimtarinë që delegohet, për drejtorët rajonalë ose punonjësit e tjerë të drejtorive rajonale;
d) Autorizon publikimin e informacioneve për median, publikun dhe subjekte të tjera;
dh) Nxjerr urdhra dhe akte të brendshme, në përputhje me kuadrin rregullator, dhe për zbatimin e politikave, strategjive, programeve të miratuara;
e) Kryen detyra të tjera, të parashikuara në legjislacionin në fuqi.
6. Drejtor i Përgjithshëm emërohet nëse plotëson kriteret, si më poshtë:
a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
c) Të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse;
ç) Të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
d) Ndaj tij të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga puna, që nuk është shuar sipas legjislacionit në fuqi;
dh) Të ketë arsim të lartë, i diplomuar në mjekësi veterinare.
7. Drejtori i Përgjithshëm lirohet ose shkarkohet nga detyra kur:
a) plotësohet mosha për pensionin e plotë të pleqërisë;
b) dënohet me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
c) deklarohet i paaftë për punë nga komisioni kompetent mjekësor;
ç) gjendet në një situatë të konfliktit të vazhdueshëm të interesit;
d) jep dorëheqjen nga detyra;
dh) kryen shkelje të rënda gjatë kryerjes së detyrës;
8. Drejtoritë rajonale raportojnë te Drejtori i Përgjithshëm i AKVMB-së dhe kanë në përbërje të tyre edhe njësitë direkte të ofrimit të shërbimit veterinar. Drejtoritë rajonale drejtohen nga drejtorët rajonalë.
9. Drejtoritë rajonale e ushtrojnë veprimtarinë brenda juridiksionit të tyre dhe kryejnë detyrat, si më poshtë vijon:
a) Vlerësojnë nevojat dhe problematikat gjatë ofrimit të shërbimit veterinar dhe atij të mbrojtjes së bimëve dhe propozojnë zgjidhjen e tyre në Drejtorinë e Përgjithshme;
b) Planifikojnë nevojat për shërbimin veterinar dhe atë të mbrojtjes së bimëve në territorin që mbulojnë dhe ja paraqesin atë Drejtorisë së Përgjithshme;
c) Koordinojnë dhe monitorojnë ofrimin e shërbimit veterinar dhe atë të mbrojtjes së bimëve në territorin që mbulojnë;
ç) Hartojnë raporte për marrjen e kampioneve, materialeve patologjike dhe rezultateve të analizave për çdo rast dyshimi dhe konfirmimi të sëmundjes dhe i raportojnë periodikisht në Drejtorinë e Përgjithshme;
d) Hartojnë raporte periodike mbi situatën në lidhje me shkallën e infeksionit në bimë dhe produkte bimore;
dh) Detajojnë planet e punës të miratuara nga Drejtoria e Përgjithshme dhe kryejnë veprimtarinë ekzekutive të kontrollit e të shërbimit veterinar, në përputhje me aktet ligjore e nënligjore në fuqi;
e) Detajojnë planet e punës dhe kryejnë veprimtari ekzekutive të kontrollit e të shërbimit të mbrojtjes së bimëve, në përputhje me aktet ligjore e nënligjore në fuqi;
ë) Lëshojnë dokumente dhe certifikata, sipas parashikimeve ligjore, akteve nënligjore dhe autorizimeve të dhëna nga Drejtoria e Përgjithshme;
f) Kryejnë detyra të tjera të ngarkuara nga ligji dhe aktet nënligjore apo sipas urdhrave të Drejtorisë së Përgjithshme.
10. Ministri, me propozim të drejtorit të Përgjithshëm, miraton rregulloren që përcakton metodat e brendshme të punës dhe sjelljen e personelit të AKVMB-së.
11. Marrëdhëniet e punës së nëpunësve të Drejtorisë së Përgjithshme dhe të nëpunësve të drejtorive rajonale rregullohen sipas dispozitave të legjislacionit për nëpunësin civil. Marrëdhëniet e punës së punonjësve të njësive të ofrimit direkt të shërbimit dhe punonjësve të tjerë administrativë rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës.
12. Drejtoria e Përgjithshme e Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve ka stemën, logon dhe vulën e vetë zyrtare. Stema e Drejtorisë së Përgjithshme përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet “Republika e Shqipërisë, Ministria…. (emri i ministrisë përgjegjëse për veterinarinë dhe mbrojtjen e bimëve), Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, Drejtoria e Përgjithshme.”.
13. Drejtoritë rajonale të veterinarisë dhe mbrojtjes së bimëve kanë stemën, logon dhe vulën e tyre zyrtare. Stema e secilës drejtori rajonale përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet “Republika e Shqipërisë, Ministria…. (emri i ministrisë përgjegjëse për veterinarinë dhe mbrojtjen e bimëve), Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, Drejtoria Rajonale e Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve ….. (emri i qarkut/qytetit ku ka selinë drejtoria).”.
14. Vula e Drejtorisë së Përgjithshme të Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve dhe vula e secilës drejtori rajonale ka formën dhe elementet e përcaktaura në vendimin e Këshillit të Ministrave për rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare. Vulat prodhohen, administrohen dhe ruhen në përputhje me legjislacionin në fuqi.
15. Veterineri zyrtar në ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive sipas ligjit ka vulën e tij zyrtare, e cila ka shënimet “Republika e Shqipërisë, Ministria…. (emri i ministrisë përgjegjëse për veterinarinë dhe mbrojtjen e bimëve), Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, Drejtoria Rajonale e Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve ….. (emri i qarkut/qytetit ku ka selinë drejtoria), numri unik i veterinerit.”. Vula e veterinerit zyrtar prodhohet, administohet dhe ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
16. Shërbimi i mbrojtjes së bimëve në ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive sipas ligjit ka vulën e tij zyrtare, e cila ka shënimet: “Republika e Shqipërisë, Ministria…. (emri i ministrisë përgjegjëse për veterinarinë dhe mbrojtjen e bimëve), Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, Drejtoria Rajonale e Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, Shërbimi i Mbrojtjes së Bimëve … (emri i qarkut/qytetit ku ka selinë drejtoria)”. Vula e shërbimit të mbrojtjes së bimëve prodhohet, administohet dhe ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
IV. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
1. Deri në fillimin e funksionimit të plotë të Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, sipas këtij vendimi, agjencitë rajonale të veterinarisë dhe mbrojtjes së bimëve vazhdojnë funksionimin sipas strukturave aktuale.
2. Deri në fillimin e funksionimit të plotë të Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, veterinerët zyrtarë në varësi të bashkive, vazhdojnë funksionimin për aktivitetin e kontrollit në thertore dhe tregje.
3. Për nëpunësit civilë aktualë të agjencive rajonale të veterinarisë dhe mbrojtjes së bimëve zbatohen dispozitat e legjislacionit për nëpunësin civil në rastin e mbylljes dhe ristrukturimit të institucionit. Për punonjësit administrativë zbatohen dispozitat e Kodit të Punës.
4. Vendimi nr.146, datë 13.3.2018, i Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e agjencive rajonale të shërbimit veterinar dhe mbrojtjes së bimëve”, shfuqizohet.
5. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Departamenti i Administratës Publike për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.433, DATË 8.6.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR TRANSFERIMIN NË PRONËSI TË BASHKIVE TË PYJEVE DHE KULLOTAVE PUBLIKE SIPAS LISTAVE TË INVENTARIT DHE AKTUALISHT NË ADMINISTRIM TË MINISTRISË SË MJEDISIT E TË ISH-KOMUNAVE/BASHKIVE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 18, të ligjit nr.48/2016, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9385, datë 4.5.2005, “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”, të ndryshuar, dhe të nenit 9, të ligjit nr.49/2016, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9693, datë 19.3.2007, “Për fondin kullosor”, të ndryshuar”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.433, datë 8.6.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:
a) Në pikën 9, numri rendor “… 2 236 (dy mijë e dyqind e tridhjetë e gjashtë) …” zëvendësohet me “… 2 262 (dy mijë e dyqind e gjashtëdhjetë e dy) …”.
b) Në pikën 13, numri rendor “… 31 (tridhjetë e një) …” zëvendësohet me “… 26 (njëzet e gjashtë) …”.
c) Në pikën 14, numri rendor “… 711 (shtatëqind e njëmbëdhjetë) …” zëvendësohet me “… 666 (gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë) …”.
ç) Në pikën 15, numri rendor “… 3 283 (tre mijë e dyqind e tetëdhjetë e tre) …” zëvendësohet me “… 3 298 (tre mijë e dyqind e nëntëdhjetë e tetë) …”.
d) Në pikën 16, numri rendor “… 186 (njëqind e tetëdhjetë e gjashtë) …” zëvendësohet me “… 281 (dyqind e tetëdhjetë e një) …”.
dh)Në pikën 17, numri rendor “… 97 (nëntëdhjetë e shtatë) …” zëvendësohet me “… 114 (njëqind e katërmbëdhjetë) …”.
e) Në pikën 19, numri rendor “… 3 433 (tre mijë e katërqind e tridhjetë e tre) …” zëvendësohet me “… 3 553 (tre mijë e pesëqind e pesëdhjetë e tre) …”.
ë) Në pikën 20, numri rendor “… 1 534 (një mijë e pesëqind e tridhjetë e
katër) …” zëvendësohet me “… 1 554 (një mijë e pesëqind e pesëdhjetë e
katër) …”.
f) Në pikën 21, numri rendor “… 1 009 (një mijë e nëntë) …” zëvendësohet me “… 1 028 (një mijë e njëzet e tetë) …”.
g) Në pikën 23, numri rendor “… 27 (njëzet e shtatë) …” zëvendësohet me “… 42 (dyzet e dy) …”.
gj) Në pikën 24, numri rendor “… 26 (njëzet e gjashtë) …” zëvendësohet me
“… 24 (njëzet e katër) …”.
h) Në pikën 25, numri rendor “… 55 (pesëdhjetë e pesë) …” zëvendësohet me “… 58 (pesëdhjetë e tetë) …”.
i) Në pikën 26, numri rendor “… 52 (pesëdhjetë e dy) …” zëvendësohet me “… 41 (dyzet e një) …”.
j) Në pikën 27, numri rendor “… 638 (gjashtëqind e tridhjetë e tetë) …” zëvendësohet me “… 569 (pesëqind e gjashtëdhjetë e nëntë) …”.
k) Në pikën 41, numri rendor “… 3 152 (tre mijë e njëqind e pesëdhjetë e dy) …” zëvendësohet me “… 3 075 (tre mijë e shtatëdhjetë e pesë) …”.
l) Në pikën 42, numri rendor “… 1 242 (një mijë e dyqind e dyzet e dy) …” zëvendësohet me “… 1 209 (një mijë e dyqind e nëntë) …”.
ll) Në pikën 43, numri rendor “… 2 792 (dy mijë e shtatëqind e nëntëdhjetë e dy) …” zëvendësohet me “… 2 803 (dy mijë e tetëqind e tre) …”.
m) Në pikën 44, numri rendor “… 1 093 (një mijë e nëntëdhjetë e tre) …” zëvendësohet me “… 973 (nëntëqind e shtatëdhjetë e tre) …”.
n) Në pikën 45, numri rendor “… 4 672 (katër mijë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e dy) …” zëvendësohet me “… 4 559 (katër mijë e pesëqind e pesëdhjetë e nëntë) …”.
nj) Në pikën 46, numri rendor “… 722 (shtatëqind e njëzet e dy) …” zëvendësohet me “… 663 (gjashtëqind e gjashtëdhjetë e tre) …”.
o) Në pikën 47, numri rendor “… 3 216 (tre mijë e dyqind e gjashtëmbëdhjetë) …” zëvendësohet me “… 3 303 (tre mijë e treqind e tre) …”.
p) Në pikën 48, numri rendor “… 2 160 (dy mijë e njëqind e gjashtëdhjetë) …” zëvendësohet me “… 2 299 (dy mijë e dyqind e nëntëdhjetë e nëntë) …”.
q) Në pikën 49, numri rendor “… 1 340 (një mijë e treqind e dyzet) …” zëvendësohet me “… 1 460 (një mijë e katërqind e gjashtëdhjetë) …”.
r) Në pikën 51, numri rendor “… 3 571 (tre mijë e pesëqind e shtatëdhjetë e një) …” zëvendësohet me “… 4 031 (katër mijë e tridhjetë e një) …”.
rr) Në pikën 53, numri rendor “… 3 (tre) …” zëvendësohet me “… 7 (shtatë) …”.
s) Në pikën 57, numri rendor “… 500 (pesëqind) …” zëvendësohet me “… 485 (katërqind e tetëdhjetë e pesë) …”.
sh) Në pikën 59, numri rendor “… 19 (nëntëmbëdhjetë) …” zëvendësohet me “… 29 (njëzet e nëntë) …”.
t) Në pikën 60, numri rendor “… 125 (njëqind e njëzet e pesë) …”
zëvendësohet me “… 146 (njëqind e dyzet e gjashtë) …”.
th) Në pikën 62, numri rendor “… 351 (treqind e pesëdhjetë e një) …” zëvendësohet me “… 416 (katërqind e gjashtëmbëdhjetë) …”.
u) Në pikën 63, numri rendor “… 244 (dyqind e dyzet e katër) …” zëvendësohet me “… 278 (dyqind e shtatëdhjetë e tetë) …”.
2. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, shtojcat sipas pikave 9, 13, 14, 15, 16, 17, 19, 20, 21, 23, 24, 25, 26, 27, 41, 42, 43, 44, 45, 46, 47, 48, 49, 51, 53, 57, 59, 60, 62, 63 zëvendësohen me shtojcat me të njëjtin numër, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
3. Pas pikës 68 shtohen pikat 68/1 dhe 68/2, më këtë përmbajtje:
“68/1. Në rastet kur për parcelat pyjore/kullosore ka mospërputhje midis koordinatave digjitale me ato të terrenit, për pasuritë që ndodhen në zonat e mbrojtura, pasuritë të regjistrohen në ASHK vetëm pasi të merret dakordësia nga institucioni përgjegjës për administrimin e zonave e mbrojtura.
68/2. Sipërfaqet e transferuara në pronësi të bashkive, të cilat janë pjesë e fondit pyjor e kullosor publik, të përcaktuara për t’u përdorur për kompensim fizik, bazuar në vendimin nr.1077, datë 18.6.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin e fondit të kompensimit fizik nga fondi pyjor dhe kullosor”, nuk janë objekt i kalimit në pronësi, dhënies me qira apo i kontraktimit me të tretët nga bashkitë përkatëse. Këto sipërfaqe mbeten në dispozicion të Agjencisë së Trajtimit të Pronave për kompensim fizik.”.
4. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, bashkitë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MËNYRËN E KRIJIMIT, TË ORGANIZIMIT E TË FUNKSIONIMIT TË AGJENCISË KOMBËTARE TË RINISË (AKR)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 8, të ligjit nr.75/2019, “Për rininë”, dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Rinisë (në vijim AKR), si person juridik publik, buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për rininë, me seli në Tiranë.
2. AKR-ja financohet nga buxheti i shtetit dhe burime të tjera të ligjshme.
3. Misioni i AKR-së është garantimi i mbrojtjes dhe i promovimit të të drejtave të të rinjve, nëpërmjet mbështetjes për edukim joformal, ndërveprimit e aktivizimit të rinisë dhe financimit të veprimtarive rinore, në zbatim të politikave shtetërore në fushën e rinisë.
4. AKR-ja e ushtron veprimtarinë e saj në këto fusha përgjegjësie:
a) Mbështetjen për edukim joformal;
b) Ndërveprimin dhe aktivizmin e rinisë;
c) Financimin e veprimtarive rinore.
II. PËRGJEGJËSITË FUNKSIONALE TË AKR-SË
1. AKR-ja ka përgjegjësi të organizojë veprimtarinë për:
a) realizimin e funksioneve që lidhen me mbështetjen, nxitjen dhe promovimin e të drejtave të të rinjve;
b) sigurimin e kushteve për rritjen e ndërgjegjësimit dhe mbështetjen e të rinjve nga subjekte vendase ose të huaja;
c) nxitjen dhe zhvillimin e dialogut të strukturuar për përfshirjen e sa më shumë palëve, me synim fuqizimin e pozitës së të rinjve në shoqëri;
ç) krijimin e mekanizmave për zhvillimin dhe nxitjen e politikave rinore, si dhe marrjen e vendimeve profesionale, cilësore e të pavarura, në përzgjedhjen e programeve dhe projekteve të financuara nga buxheti i shtetit.
III. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I AKR-SË
1. AKR-ja e shtrin veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe organizohet në nivel qendror.
2. AKR-ja drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon dhe drejton veprimtarinë e institucionit dhe e përfaqëson atë në marrëdhënie me të tretët. Drejtori i Përgjithshëm përgjigjet para ministrit përgjegjës për rininë. Drejtori emërohet në detyrë dhe lirohet nga ministri përgjegjës për rininë.
3. Struktura dhe organika e AKR-së miratohen me urdhër të Kryeministrit, sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.
4. AKR-ja kryen detyrat, si më poshtë vijon:
a) Zbaton politikat dhe programet për të rinjtë;
b) Planifikon, zbaton dhe raporton mbi shpenzimin e fondeve të akorduara nga ministria përgjegjëse për rininë dhe fondeve të tjera të siguruara;
c) Harton dhe konsulton me Këshillin Kombëtar të Rinisë e grupet e interesit programin vjetor të financimit dhe skemën e shpërndarjes së pjesës së fondit grant, të dedikuar për rininë, që do të përdoret për financimin e projekteve rinore;
ç) Propozon për miratim te ministria përgjegjëse për rininë programin vjetor të financimit dhe skemën e shpërndarjes së pjesës së fondit grant, të dedikuar për rininë, që do të përdoret për financimin e projekteve rinore;
d) Harton, miraton dhe publikon thirrjet për projektpropozime drejtuar organizatave rinore dhe/ose për të rinjtë;
dh) Ndjek dhe zhvillon veprimtari rinore, kulturore, artistike, letrare, sportive, të mbrojtjes së mjedisit dhe edukimin joformal, si dhe në fusha të tjera që inkurajojnë zhvillimin e të rinjve, në zbatim të politikave dhe programeve të miratuara nga ministria përgjegjëse për rininë;
e) Organizon takime, konferenca, fushata ndërgjegjësuese për përfshirjen e rinisë në jetën sociale, punësim e vendimmarrje;
ë) Jep informacion ndaj të rinjve dhe/ose organizatave rinore për thirrjet për aplikime në projekte rinore të organizatave të ndryshme jofitimprurëse, që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në vendin tonë dhe atyre ndërkombëtare;
f) Ofron trajnime teknike për organizatat rinore dhe/ose për të rinjtë për aplikim për projekte ndërkombëtare;
g) Jep certifikatat e vlerësimit për pjesëmarrje të të rinjve në kurse trajnimi dhe veprimtari rinore;
gj) Ofron shërbimin e ngritjes se kapaciteteve rinore pranë njësive të vetëqeverisjes vendore;
h) Ofron shërbime të ndryshme komunitare, nëpërmjet sigurimit të pjesëmarrjes aktive të të rinjve për përmirësimin e jetës shoqërore në komunitetet e tyre;
i) Hyn në marrëdhënie kontraktore me çdo organizatë rinore dhe/ose për të rinjtë, vendase apo të huaj, që financon apo financohet;
j) Monitoron zbatimin e projekteve, që kanë përfituar mbështetje financiare;
k) Bashkëpunon me organizma, institucione, donatorë dhe subjekte të tjera, vendase dhe të huaja, për prezantimin dhe zbatimin e politikave, programeve dhe veprimtarive rinore;
l) Mbështet ngritjen e kapaciteteve të njësive dhe strukturave në nivel qendror dhe vendor për edukimin, ndërveprimin dhe aktivizmin e të rinjve;
ll) Krijon, administron dhe mirëmban bazën e aksesueshme të të dhënave për rininë, si dhe realizon ndërveprimin e bazës të të dhënave me bazat e tjera të informacionit, sipas legjislacionit në fuqi;
m) Siguron financime nëpërmjet aplikimit në projekte kombëtare dhe ndërkombëtare, të cilat transferohen mbi bazë vjetore në rastet kur miratohet një projekt shumëvjeçar;
n) Mbledh, administron dhe analizon të dhënat mbi situatën e të rinjve në bashkëpunim me institucionet e tjera dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore;
nj) Raporton, në mënyrë periodike, pranë ministrisë përgjegjëse për rininë, për situatën e të rinjve;
o) Mbikëqyr veprimtarinë rinore dhe të punës me të rinjtë nga organizatat rinore dhe organizatat për të rinjtë, që përfitojnë mbështetje nga fondi grant i dedikuar për rininë, nga buxheti i shtetit;
p) Publikon në fund të vitit kalendarik raportin e veprimtarisë së institucionit dhe në mënyrë periodike raporte për situatën e të rinjve.
5. Rregullorja që përcakton metodat e brendshme të punës dhe sjelljen e personelit të AKR-së miratohet nga ministri, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm.
6. Marrëdhëniet e punës së drejtorit të Përgjithshëm dhe të punonjësve të AKR-së rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës. Pranimi dhe lirimi nga detyra i punonjësve bëhet nëpërmjet procedurave të konkurrimit të hapur, mbi bazën e rregullores së brendshme për organizimin dhe funksionimin e AKR-së.
7. AKR-ja ka stemën, logon dhe vulën e saj zyrtare. Stema përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet “Republika e Shqipërisë, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Agjencia Kombëtare e Rinisë”, në përputhje me përcaktimet e vendimit të Këshillit të Ministrave për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës së Shqipërisë.
8. Vula e AKR-së ka formën dhe elementet e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për rregullat e prodhimit, të administrimit, të kontrollit dhe të ruajtjes së vulave. Vula prodhohet, administrohet dhe ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
IV. DISPOZITAT KALIMTARE DHE TË FUNDIT
1. Deri në fillimin e funksionimit të plotë të AKR-së, sipas këtij vendimi, strukturat aktuale shtetërore për rininë vazhdojnë funksionimin e tyre sipas strukturave dhe organikave të miratuara.
2. Numri i punonjësve dhe buxheti i planifikuar për Shërbimin Kombëtar për Rininë si dhe të gjitha asetet e tij i kalojnë Agjencisë Kombëtare të Rinisë.
3. Vendimi nr.377, datë 11.6.2014, i Këshillit të Ministrave, “Për krijimin dhe mënyrën e organizimit e të funksionimit të Shërbimit Kombëtar për Rininë”, shfuqizohet.
4. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Departamenti i Administratës Publike për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLAVE TEKNIKE E TË KRITEREVE TË SIGURISË, PJESA E TETË, PËR KËRKESAT MINIMALE TË PROJEKTIMIT TEKNIK, NDËRTIMIT DHE OPERIMIT TË SISTEMEVE TË TRANSMETIMIT E TË SHPËRNDARJES SË GAZIT NATYROR, TË INSTALIMEVE TË GNL-SË, HAPËSIRAVE TË DEPOZITIMIT DHE TË LINJAVE DIREKTE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 10, të ligjit nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullave teknike e të kritereve të sigurisë, pjesa e tetë, për kërkesat minimale të projektimit teknik, ndërtimit dhe operimit të sistemeve të transmetimit e të shpërndarjes së gazit natyror, të instalimeve të GNL-së, hapësirave të depozitimit dhe të linjave direkte, për operimin e sigurt të sistemeve të gazit natyror, sipas teksteve bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Në pjesën e tetë të rregullave teknike për industrinë e gazit përfshihen rregulla teknike për sistemin e transmetimit e shpërndarjes, referuar kodeve të praktikave në vazhdim, si më poshtë vijon:
a) Rregullat teknike për industrinë e gazit, kodi i praktikave G 463, korrik 2016, “Linjat e gazit të presionit të lartë, me tuba çeliku për presion operimi mbi 16 bar; Ndërtimi”, i përditësuar;
b) Rregullat teknike për industrinë e gazit, kodi i praktikave G 469, korrik 2019, “Metodat e testimit nën presion për transmetimin dhe shpërndarjen e gazit”, i përditësuar;
c) Rregullat teknike për industrinë e gazit, kodi i praktikave G 499, gusht 2015, “Parangrohja e gazit natyror në impiantet e gazit”, i përditësuar;
ç) Udhëzuesi teknik për industrinë e gazit, kodi i praktikave G 466-1, maj 2018, “Linjat e gazit prej tubash çeliku për një presion operimi më të madh se 16 bar; operimi dhe mirëmbajtja”, i përditësuar;
d) Rregullat teknike për industrinë e gazit, kodi i praktikave G 488, prill 2012, “Impiantet për matjen e cilësisë së gazit: projektimi, ndërtimi, operimi”;
dh) Rregullat teknike për industrinë e gazit, kodi i praktikave G 491, korrik 2010, “Stacionet e rregullimit të presionit të gazit për presionet hyrëse deri në e përfshirë 100 bar: projektimi, fabrikimi, instalimi, testimi, komisionimi dhe operimi”;
e) Rregullat teknike për industrinë e gazit, kodi i praktikave G492, janar 2004, “Stacionet e matjes së gazit për një presion operimi deri në e përfshirë 100 bar: projektimi, fabrikimi, ndërtimi, testimi, komisionimi, operimi dhe mirëmbajtja”;
ë) Rregullat teknike për industrinë e gazit, kodi i praktikave G 497, janar 2008, “Stacionet e kompresorëve”;
f) Rregullat teknike për industrinë e gazit, kodi i praktikave G 497-B1, qershor 2009, suplementi 1 “Zonat me rrezik shpërthimi në stacionet e kompresorëve”.
3. Vendimi nr.1030, datë 27.11.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave teknike e të kritereve të sigurisë, pjesa e parë, për kërkesat minimale të projektimit teknik, ndërtimit dhe operimit të sistemeve të transmetimit e të shpërndarjes të gazit natyror, të instalimeve të GNL-së, hapësirave të depozitimit dhe të linjave direkte”, shfuqizohet.
4. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit dhe Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLAVE TEKNIKE E TË KRITEREVE TË SIGURISË, PJESA E NËNTË, PËR KËRKESAT MINIMALE TË PROJEKTIMIT TEKNIK, NDËRTIMIT DHE OPERIMIT TË SISTEMEVE TË TRANSMETIMIT E TË SHPËRNDARJES SË GAZIT NATYROR, TË INSTALIMEVE TË GNL-SË, HAPËSIRAVE TË DEPOZITIMIT DHE TË LINJAVE DIREKTE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 10, të ligjit nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullave teknike e të kritereve të sigurisë, pjesa e nëntë, për kërkesat minimale të projektimit teknik, ndërtimit dhe operimit të sistemeve të transmetimit e të shpërndarjes së gazit natyror, të instalimeve të GNL-së, hapësirave të depozitimit dhe të linjave direkte, për operimin e sigurt të sistemeve të gazit natyror, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Në pjesën e nëntë të rregullave teknike për industrinë e gazit përfshihet rregulli teknik për instalimet e gazit, referuar kodit të praktikave, si më poshtë vijon:
– Rregullat teknike për industrinë e gazit, kodi i praktikave G 600, shtator 2018, “Rregulli teknik për instalimet e gazit”.
3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit dhe Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË LETËRMARRËVESHJES NDRYSHUESE TЁ MARRЁVESHJES SË HUAS, NDЁRMJET REPUBLIKЁS SЁ SHQIPЁRISЁ DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR PROJEKTIN “PËR PËRMIRËSIMIN E SISTEMIT TË SHËNDETËSISË”, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.57/2015
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 12 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të letërmarrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin “Për përmirësimin e sistemit të shëndetësisë”, ratifikuar me ligjin nr.57/2015, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
VE NDIM
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.277, DATË 18.6.1997, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRFITIMET NGA STATUSI I TË VERBRIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 17, të ligjit nr.8098, datë 28.3.1996, “Për statusin e të verbrit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Fjalia e parë, e pikës 4, të vendimit nr.277, datë 18.6.1997, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Masa e përfitimit për shkak të verbërisë është 12 092 (dymbëdhjetë mijë e nëntëdhjetë e dy) lekë në muaj dhe kjo masë indeksohet çdo vit nga Shërbimi Social Shtetëror, në bazë të indeksit të çmimeve të konsumit.”.
2. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Shërbimi Social Shtetëror për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 shtator 2020.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
LIRIM DHE EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Etjen Xhafaj, zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, lirohet nga kjo detyrë dhe emërohet zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA KËSHILLI I MINISTRAVE, KOSOVËS, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E INTEGRIMIT EVROPIAN, DHE KOMISIONIT EVROPIAN, PËR PROGRAMIN E VEPRIMIT TË BASHKËPUNIMIT NDËRKUFITAR IPA II, SHQIPËRI-KOSOVË 2014-2020, ALOKIMET PËR VITIN 2019
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave, Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Integrimit Evropian, dhe Komisionit Evropian, për programin e bashkëpunimit ndërkufitar IPA II, Shqipëri-Kosovë 2014-2020, alokimet për vitin 2019, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendImi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA KËSHILLI I MINISTRAVE, MALIT TË ZI, PËRFAQËSUAR NGA ZYRA E INTEGRIMIT EVROPIAN, DHE KOMISIONIT EVROPIAN, PËR PROGRAMIN E VEPRIMIT TË BASHKËPUNIMIT NDËRKUFITAR IPA II, MAL I ZI-SHQIPËRI 2014-2020, ALOKIMET PËR VITIN 2019
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave, Malit të Zi, përfaqësuar nga Zyra e Integrimit Evropian, dhe Komisionit Evropian, për programin e bashkëpunimit ndërkufitar IPA II, Mal i Zi-Shqipëri 2014-2020, alokimet për vitin 2019, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË BASHKËPUNIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE FONDACIONIT “FUNDJAVË NDRYSHE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 20, të ligjit nr.97/2019, “Për miratimin e aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore””, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe fondacionit “Fundjavë ndryshe”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Autorizimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje.
3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
PROCEDURAT E ORGANIZIMIT DHE TË FUNKSIONIMIT TË KOMISIONIT PËR SHQYRTIMIN E MASAVE ADMINISTRATIVE NË MINISTRINË PËRGJEGJËSE PËR VETERINARINË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 135, të ligjit nr.10465, datë 21.9.2011, “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. ORGANIZIMI DHE PËRBËRJA E KOMISIONIT TË SHQYRTIMIT TË MASAVE ADMINISTRATIVE TË MARRA NGA SHËRBIMI VETERINAR SHTETËROR
1. Pranë ministrisë përgjegjëse për veterinarinë funksionon komisioni për shqyrtimin e masave administrative të marra nga veterineri zyrtar i kontrollit, këtu e në vijim Komisioni.
2. Komisioni shqyrton ankimet kundër masave administrative të marra nga veterineri zyrtar gjatë kryerjes së kontrollit zyrtar.
3. Komisioni përbëhet nga 5 (pesë) anëtarë të emëruar nga ministri përgjegjës për veterinarinë, si më poshtë vijon:
a) Një nga nëpunësit e trupës civile të nivelit të lartë drejtues në ministri, kryetar;
b) Një përfaqësues nga njësia përgjegjëse për çështjet juridike në ministri, anëtar;
c) Një përfaqësues nga struktura përgjegjëse për veterinarinë në ministri, anëtar;
d) Dy përfaqësues nga shërbimi veterinar rajonal i veterinarisë.
4. Kryetari dhe anëtarët emërohen me afat 3-vjeçar.
5. Kryetari dhe anëtarët lirohen nga ministri kur:
a) largohen nga detyra për shkak të dorëheqjes, me masë displinore ose një arsye tjetër;
b) mungon për jo më pak se 3 (tre) mbledhje në vijimësi;
c) ka pamundësi shëndetësore dhe fizike, që e bëjnë të paaftë të ushtrojë detyrën për më shumë se 60 (gjashtëdhjetë) ditë;
ç) konstatohet se ka ushtruar vendimmarrje në kushtet e konfliktit të interesit ose të pengesës ligjore;
d) dënohet me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale të kryer me dashje;
dh) pezullohet nga detyra në ministri, drejtorinë qendrore ose në drejtorinë rajonale;
e) mbaron mandati.
6. Anëtarët zëvendësues qëndrojnë në detyrë për pjesën e mbetur të mandatit të anëtarit që zëvendësojnë.
7. Në funksionimin e tij, Komisioni mbështetet nga sekretariati teknik. Sekretariati përbëhet nga 3 (tre) nëpunës të autoritetit kompetent përgjegjës për drejtimin e shërbimit veteriner në nivel qendror dhe caktohen nga ministri, pas propozimit të drejtuesit të këtij autoriteti.
II. DETYRAT E KOMISIONIT DHE TË SEKRETARIATIT
1. Kryetari i Komisionit ka detyrimet dhe kryen detyrat, si më poshtë vijon:
a) Cakton datën si dhe rendin e ditës së çdo mbledhjeje;
b) Cakton çështjet që merren në shqyrtim jashtë rendit të ditës, sipas kërkesës së arsyetuar të ankuesit;
c) Drejton zhvillimin e mbledhjeve të Komisionit;
ç) Organizon dhe mbikëqyr veprimtarinë e sekretariatit të Komisionit;
d) Raporton për ecurinë e veprimtarisë pranë ministrit;
dh) Deklaron për kushtet e konfliktit të interesit ose pengesa ligjore për një çështje të caktuar, para fillimit të shqyrtimit të ankesës përkatëse;
e) Ruan konfidencialitetin e informacionit të marrë gjatë ushtrimit të funksioneve të tij;
ë) Nënshkruan vendimet në përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurave Administrative.
2. Anëtarët e Komisionit kanë detyrimet dhe kryejnë detyrat, si më poshtë vijon:
a) Marrin pjesë rregullisht në mbledhje dhe, në rast mungese, njoftojnë kryetarin për mungesën si dhe për arsyen e mungesës;
b) Deklarojnë për kushtet e konfliktit të interesit ose pengesa ligjore për një çështje të caktuar, para fillimit të shqyrtimit të ankesës përkatëse;
c) Ruajnë konfidencialitetin e informacionit të marrë gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre;
ç) Nënshkruajnë procesverbalet e mbledhjes së Komisionit.
3. Sekretariati teknik kryen detyrat, si më poshtë vijon:
a) Merr në dorëzim dhe administron ankimet që janë objekt i shqyrtimit të Komisionit si dhe dokumentacionin;
b) Njofton kryetarin e Komisionit për çdo ankimim të paraqitur;
c) Njofton anëtarët për datën dhe orën e mbledhjes, rendin e ditës, kopje të ankesave, sipas orientimeve të kryetarit;
ç) Njofton ankimuesin për ditën, orën dhe vendin e zhvillimit të mbledhjes;
d) Relaton çështjet që janë për shqyrtim, mban dhe harton procesverbalin e mbledhjes, i cili përfshin dhe dispozitivin e vendimit për çdo ankim;
dh) Zbardh vendimin e arsyetuar, të marrë në mbledhjen e Komisionit, dhe ia njofton të gjitha palëve brenda 10 (dhjetë) ditëve nga nënshkrimi;
e) Dorëzon në arkiv-protokoll të ministrisë vendimin dhe kopjen origjinale të dosjes për çdo ankim dhe një kopje vendimi dhe një kopje të dosjes për çdo ankim, të njësuar me origjinalin, si dhe në Drejtorinë Qendrore të Shërbimit Veterinar Rajonal, kopje të vendimit dhe dosjes së çdo ankimi.
4. Anëtarët e Komisionit dhe sekretariati ruajnë konfidencialitetin e diskutimeve, të dokumenteve dhe çdo informacion që u vihet në dispozicion, sipas legjislacionit në fuqi për ruajtjen e të dhënave personale dhe interesin tregtar të ankuesve. Anëtarët e sekretariatit kryejnë veprimtarinë e tyre duke shmangur konfliktin e interesit dhe nënshkruajnë deklaratë që nuk janë në kushte konflikti interesi për çdo ankim të shqyrtuar.
5. Ministri vendos ndryshimin e kryetarit dhe të anëtarëve dhe, nëse këta të fundit nuk marrin pjesë në asnjë nga mbledhjet e bordit për një periudhë vijuese 3-mujore, ndërpriten marrëdhëniet e punës me institucionin përkatës ose humbin statusin e nëpunësit të trupës së nivelit të lartë drejtues, dhe emëron anëtarin zëvendësues për pjesën e mbetur të mandatit.
III. PROCEDURA E ZHVILLIMIT TË MBLEDHJEVE
1. Komisioni mblidhet të paktën 1 (një) herë në muaj. Komisioni nuk mblidhet në rast se nuk ka ankesa.
2. Mbledhjet janë të vlefshme nëse janë të pranishëm 4 (katër) anëtarë të Komisionit. Kur kuorumi nuk arrihet, mbledhja shtyhet dhe mbahet brenda 5 (pesë) ditëve.
3. Komisioni merr në shqyrtim ankesat sipas radhës së paraqitjes së tyre.
4. Sekretariati njofton nëpërmjet postës elektronike anëtarët për datën, orën dhe agjendën paraprake të mbledhjes si dhe kopje të ankimeve që janë në rend dite, të paktën 5 (pesë) ditë para ditës së mbledhjes. Dokumentacioni i dosjes për çdo ankesë tërhiqet nga anëtarët në sektorin e protokollit në ministri.
5. Sekretariati njofton ankuesin të paktën 5 (pesë) ditë para datës së mbledhjes, i cili mund të paraqesë shpjegime shtesë ose prova të reja të cilat bëhen pjesë e ankimit të paraqitur.
6. Me kërkesën e ankuesit, kryetarit të Komisionit ose njërit prej anëtarëve, në mbledhje paraqitet veterineri zyrtar i kontrollit ose grupi i veterinerëve zyrtarë të kontrollit, që kanë marrë masën objekt ankimi.
7. Vendimet merren me shumicën e thjeshtë të votave të anëtarëve prezent në mbledhje. Nëse nga votimi votat pro dhe kundër janë të njëjta vendos vota e kryetarit të Komisionit. Komisioni merr vendime vetëm për ankesa të cilat janë përfshirë në rendin e ditës së mbledhjes dhe në votim marrim pjesë vetëm kryetari dhe anëtarët e Komisionit.
8. Për çdo mbledhje mbahet një procesverbal me shkrim, i cili përmban një përmbledhje të të gjithë procesit, duke përfshirë por pa u kufizuar, datën dhe vendin e mbledhjes, rendin e ditës, anëtarët e Komisionit prezent, subjektet pjesëmarrëse dhe përfaqësuesit e tyre, qëndrimet e anëtarëve dhe votimin e secilit, dispozitivin e çdo vendimi. Procesverbali mbahet nga sekretariati dhe nënshkruhet nga kryetari, anëtarët prezent në mbledhje dhe anëtarët e sekretariatit teknik.
9. Procedura për zhvillimin e mbledhjes së Komisionit është, si më poshtë vijon:
a) Mbledhja çelet nga kryetari, i cili prezanton rendin e ditës dhe kërkesën për ndryshimin e rendit të ditës;
b) Ankimet shqyrtohen sipas radhës së miratuar të rendit të ditës. Për çdo shqyrtim thirret në mbledhje përfaqësuesi ligjor i ankuesit ose përfaqësuesi me autorizim/prokurë. Ankimi relatohet nga anëtari i sekretariatit, i caktuar nga kryetari, dhe përfshin por pa u kufizuar çështje që lidhen me rrethanat e kontrollit dhe marrjes së masës administrative të ankimuar, masën e marrë, afatin e paraqitjes së ankesës, elemente të tjera të ankesës dhe një shpjegim të përgjithshëm të dokumentacionit shoqërues të ankesës.
10. Përfaqësuesi ligjor i ankuesit ose përfaqësuesi me autorizim/prokurë mund të japë shpjegime para dhënies së vendimit. Çështja shqyrtohet dhe në mungesë të përfaqësuesit të ankuesit.
11. Pas shqyrtimit, Komisioni merr vendim pa prezencën e ankuesit. Kryetari fton anëtarët të votojnë, ndërsa kryetari voton i fundit. Votimi është i hapur në të gjitha rastet.
12. Komisioni, pas shqyrtimit të ankimit, vendos:
a) lënien në fuqi të masës objekt ankimi dhe rrëzimin e ankimit kur është i pambështetur ose i paraqitur jashtë afatit;
b) anulimin ose shfuqizimin e masës objekt ankimi, duke pranuar tërësisht ankimin;
c) ndryshimin pjesërisht të masës objekt ankimi, duke pranuar pjesërisht ankimin;
ç) pushimin e shqyrtimit të ankesës.
13. Vendimi i zbardhur përmban, por pa u kufizuar, elementet, si më poshtë vijon:
a) Përbërjen e Komisionit, vendin dhe orën e marrjes së vendimit;
b) Ankuesin;
c) Vendimin e ankimuar;
ç) Bazën ligjore të ankimit dhe objektin;
d) Çështje që lidhen me juridiksionin, kompetencën, afatin e ankimit;
dh) Pjesën shpjeguese të ankimit;
e) Shpjegimet mbi vendimmarrjen e organit për të cilin paraqitet ankimi;
ë) Arsyetimin e vendimit;
f) Bazën ligjore të marrjes së vendimit;
g) Dispozitivin;
gj) Shpenzimet procedurale;
h) Afatin e ankimit dhe gjykatën kompetente ku paraqitet ankimi.
14. Procedura e zhvillimit të mbledhjeve të Komisionit rregullohet nga parashikimet e Kodit të Procedurave Administrative dhe të ligjit nr.8480, datë 27.5.1999, “Për funksionimin e organeve kolegjiale të administratës shtetërore dhe enteve publike”.
IV. DISPOZITA TË FUNDIT
1. Kryetari dhe anëtarët e Komisionit përfitojnë një shpërblim sipas përcaktimeve të vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave për masën e shpërblimit të këshillave, bordeve ose komisioneve të njësive të qeverisjes qendrore.
2. Ngarkohet Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 15 shtator 2020.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NDRYSHIMIT TË STATUSIT, NGA KATEGORIA E RESURSIT “TOKË BUJQËSORE” NË “TOKË URBANE”, TRUALL, PËR PASURITË ME NUMËR 324/4 DHE 324/7, ZONA KADASTRALE 2726 DHE NUMËR 327/1, 327/2 DHE 327/3, ZONA KADASTRALE 3319, BASHKIA VORË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 11/1, të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e ndryshimit të statusit, nga kategoria e resursit “tokë bujqësore” në “tokë urbane”, truall, për pasuritë me numër 324/4 dhe 324/7, zona kadastrale 2726, dhe numër 327/1, 327/2 dhe 327/3, zona kadastrale 3319, Bashkia Vorë, sipas certifikatës së pronësisë të pasurisë, hartës treguese dhe sipërfaqes së përcaktuar në lejen zhvillimore, bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës, Qarku Tiranë, të pasqyrojë në dokumentacionin kadastral (LN) ndryshimin e resursit, nga “tokë bujqësore” në “tokë urbane”, truall, për sipërfaqen ndërtimore prej 1 262.8 (një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë e dy pikë tetë) m2, të pasurive me numër 324/4 dhe 324/7, zona kadastrale 2726, dhe pasurive me numër 327/1, 327/2 dhe 327/3, zona kadastrale 3319, Bashkia Vorë.
3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, këshilli i Qarkut Tiranë dhe Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.201, DATË 11.4.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “REHABILITIMI I QENDRËS SË QYTETIT FUSHË-ARRËS’”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.201, datë 11.4.2018, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:
a) Në pikën 3, vlera e përgjithshme e shpronësimit, për pasuritë e llojit “njësi”, “apartament” dhe “ndërtesë”, nga 12 004 549 (dymbëdhjetë milionë e katër mijë e pesëqind e dyzet e nëntë) lekë, ndryshon dhe bëhet 15 121 806 (pesëmbëdhjetë milionë e njëqind e njëzet e një mijë e tetëqind e gjashtë) lekë.
b) Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 15 121 806 (pesëmbëdhjetë milionë e njëqind e njëzet e një mijë e tetëqind e gjashtë) lekësh, përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.”.
c) Në tabelën bashkëlidhur vendimit ndryshohen të dhënat e pasqyruara në numrat rendorë 12 dhe 13, si dhe shtohen numrat rendorë 14, 15, 16, 17, 18 dhe 19, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Shpenzimet procedurale, me vlerë 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
3. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë 3 (tre) muaj pas datës së hyrjes në fuqi të tij.
4. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Bashkia Fushë-Arrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA KËSHILLI I MINISTRAVE, REPUBLIKËS SË MAQEDONISË SË VERIUT, PËRFAQËSUAR NGA SEKRETARIATI PËR ÇËSHTJET EVROPIANE DHE KOMISIONIT EVROPIAN, PËR PROGRAMIN E VEPRIMIT TË BASHKËPUNIMIT NDËRKUFITAR IPA II, MAQEDONI E VERIUT-SHQIPËRI 2014-2020, ALOKIMET PËR VITIN 2019
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave, Republikës së Maqedonisë së Veriut, përfaqësuar nga Sekretariati për Çështjet Evropiane dhe Komisionit Evropian, për programin e bashkëpunimit ndërkufitar IPA II, Maqedoni e Veriut-Shqipëri 2014-2020, alokimet për vitin 2019, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.54, DATË 5.2.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, TË PROCEDURËS E TË MËNYRËS SË DHËNIES ME QIRA, ENFITEOZË APO KONTRATA TË TJERA TË PASURISË SHTETËRORE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të aktit normativ nr.4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, të miratuar me ligjin nr.9967, datë 24.7.2008, të ndryshuar, dhe të neneve 784 e 801, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
1. Në kreun III “Tarifa dhe vlera dysheme për pasuritë shtetërore që jepen me qira ose enfiteozë” bëhen këto ndryshime:
a) Shkronja “a”, e pikës 1, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) Për ndërtesat, të cilat quhen të tilla sipas përcaktimeve në aktet ligjore e nënligjore në fuqi, në fushën e planifikimit të territorit, tarifa dysheme e qirasë mujore për metër katror është 0.3% e vlerës mesatare të shitblerjes së banesave, e përcaktuar në udhëzimin përkatës të Këshillit të Ministrave, për miratimin e kostos mesatare të ndërtimit të banesave, nga Enti Kombëtar i Banesave, në fuqi në momentin e dhënies me qira apo enfiteozë të pasurise shtetërore. Shembujt e zbatimit do të prashikohen në udhëzimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, i cili do të miratohet brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.”.
b) Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Kur jepet me qira ose enfiteozë trualli i lirë, tarifa dysheme e qirasë mujore është sipas aneksit C, bashkëlidhur këtij vendimi.”.
c) Pika 9 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“9. Për tunelet dhe vendstrehimet që jepen me qira, tarifa dysheme e qirasë mujore, e përcaktuar në shkronjën “a”, të pikës 1, të këtij kreu, pjesëtohet me 5.”.
2. Tabela A “Tarifat dysheme të qirasë mujore për ndërtesat sipas qarqeve”, shfuqizohet.
3. Dispozitat e këtij vendimi zbatohen për procedurat e shpallura pas hyrjes së tij në fuqi.
II. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MËNYRËN E ORGANIZIMIT DHE TË FUNKSIONIMIT TË INSTITUTIT TË MJEKËSISË LIGJORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, dhe të neneve 6 e 18/3, të ligjit nr.8678, datë 14.5.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Organizimin dhe funksionimin e Institutit të Mjekësisë Ligjore, si person juridik publik, buxhetor, në varësi të ministrit të Drejtësisë (këtu në vijim ministri), me seli në Tiranë.
2. Instituti i Mjekësisë Ligjore financohet nga buxheti i shtetit, tarifat dhe të ardhurat e tjera që krijohen nga kryerja e veprimtarisë së tij, burime të tjera të lejuara e të njohura nga legjislacioni në fuqi, si donacione vendase dhe të huaja, si dhe çdo e ardhur tjetër e ligjshme. Instituti i Mjekësisë Ligjore ka buxhetin e vet, si zë i veçantë në buxhetin e Ministrisë së Drejtësisë.
3. Misioni i Institutit të Mjekësisë Ligjore është të mbështesë organet e drejtësisë si dhe institucionet e tjera publike për zgjidhjen e çështjeve hetimore dhe gjyqësore, me karakter mjekësor e biologjik, në veprimtarinë kriminale dhe konfliktet civile, nëpërmjet ofrimit të shërbimeve që përfshihen në funksionet administrative që i janë deleguar nëpërmjet këtij vendimi.
4. Instituti i Mjekësisë Ligjore e ushtron veprimtarinë e tij në të gjithë territorin e vendit, në këto fusha përgjegjësie:
a) Ekspertimin mjeko-ligjor, toksikologo-ligjor, biologjiko-ligjor dhe psikiatro-ligjor, sipas parashikimeve në legjislacionin në fuqi;
b) Sigurimin e cilësisë së shërbimit të ekspertimit të përmendur në shkronjën “a”, të kësaj pike;
c) Kualifikimin e vazhdueshëm të ekspertëve mjeko-ligjorë, toksikologo-ligjorë, biologo-ligjorë, antroplogo-ligjorë, si dhe të nëpunësve të tjerë e specialistëve, veprimtaria e të cilëve lidhet me këto fusha.
II. PËRGJEGJËSITË FUNKSIONALE TË INSTITUTIT TË MJEKËSISË LIGJORE
5. Instituti i Mjekësisë Ligjore ka përgjegjësi të organizojë:
a) punën për kryerjen e ekspertimeve mjeko-ligjore, toksikologo-ligjore, biologjiko-ligjore dhe psikiatro-ligjore;
b) punën për kryerjen e veprimtarive kërkimore shkencore në fushën e mjekësisë ligjore;
c) punën për sigurimin e kualifikimit të vazhdueshëm të ekspertëve mjeko-ligjorë, toksikologo-ligjorë, biologo-ligjorë, antroplogo-ligjorë, si dhe të nëpunësve të tjerë e specialistëve, veprimtaria e të cilëve lidhet me këto fusha;
ç) dhe të drejtojë veprimtarinë e shërbimeve të ekspertimit mjeko-ligjor në Republikën e Shqipërisë.
III. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I INSTITUTIT TË MJEKËSISË LIGJORE
6. Instituti i Mjekësisë Ligjore e shtrin veprimtarinë e tij në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Ai organizohet në nivel qendror dhe cakton përfaqësues për ushtrimin e funksioneve pranë çdo gjykate apeli.
7. Instituti i Mjekësisë Ligjore drejtohet nga drejtori, i cili organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e institucionit dhe përgjigjet përpara ministrit.
8. Instituti i Mjekësisë Ligjore kryen detyrat, si më poshtë vijon:
a) Kryen ekspertime mjeko-ligjore, toksikologo-ligjore, biologjiko-ligjore dhe psikiatro-ligjore, si dhe veprime të tjera, sipas rasteve dhe procedurave të parashikuara në Kodin e Procedurës Civile, Kodin e Procedurës Penale dhe në ligje të tjera të posaçme;
b) Kryen veprimtari kërkimore-shkencore për zbulimin dhe zbatimin e metodave bashkëkohore në fushën e mjekësisë ligjore;
c) Përgatit dhe realizon kualifikimin e vazhdueshëm të ekspertëve mjeko-ligjorë, toksikologo-ligjorë, biologo-ligjorë, antropologo-ligjorë, si dhe të nëpunësve të tjerë apo specialistëve, veprimtaria e të cilëve lidhet me këto fusha.
9. Instituti i Mjekësisë Ligjore kryen ekspertime sipas kërkesës ose vendimit të oficerit të policisë gjyqësore, prokurorit ose gjyqtarit si dhe Avokatit të Popullit, për çështjet që shqyrtohen prej tyre sipas legjislacionit në fuqi. Instituti i Mjekësisë Ligjore, sipas ligjit, kryen ekspertime mjeko-ligjore edhe me kërkesën e palëve në procesin civil, të subjekteve të procedimit penal dhe të personave të tjerë juridikë publikë, kundrejt pagesës së shpenzimeve dhe të tarifave përkatëse, sipas përcaktimit të pikës 10, të këtij vendimi.
10. Ekspertimi që kryhet me kërkesë të palëve në një proces civil, të subjekteve të procedimit penal, të ndryshëm nga gjykata, prokurori ose Policia Gjyqësore si dhe të personave të tjerë juridikë publikë kryhet kundrejt pagesës së tarifave. Lloji dhe masa e tarifës për çdo veprim që kryhet nga Instituti i Mjekësisë Ligjore miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, pas propozimit të ministrit që mbulon çështjet e drejtësisë dhe ministrit që mbulon çështjet e financave.
11. Instituti i Mjekësisë Ligjore, me qëllim përmbushjen e misionit dhe të përgjegjësive të tij, bashkërendon veprimtarinë me:
a) institucionet shëndetësore për parandalimin e veprave penale që rrezikojnë jetën dhe shëndetin e pacientëve;
b) institucionet homologe ndërkombëtare;
c) institucione të tjera të administratës publike.
12. Struktura dhe organika e Institutit të Mjekësisë Ligjore miratohen me urdhër të Kryeministrit, sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.
13. Rregullat për metodat e brendshme të punës dhe sjelljen e personelit miratohen nga ministri, me propozim të drejtorit të Institutit të Mjekësisë Ligjore.
14. Marrëdhëniet e punës të drejtorit dhe të nëpunësve të Institutit të Mjekësisë Ligjore rregullohen në bazë të dispozitave të legjislacionit për nëpunësit civilë. Marrëdhëniet e punës së punonjësve administrativë rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës.
15. Marrëdhëniet ndërmjet Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe institucioneve të tjera të administratës publike rregullohen me udhëzim të përbashkët të ministrit dhe titullarit përkatës, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
16. Marrëdhëniet e Institutit të Mjekësisë Ligjore me Policinë Gjyqësore, gjykatën dhe personat rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, Kodit të Procedurës Civile, si dhe të akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.
17. Instituti i Mjekësisë Ligjore ka stemën, logon dhe vulën zyrtare. Stema përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë me shënimet “Republika e Shqipërisë, Ministria e Drejtësisë, Instituti i Mjekësisë Ligjore”, në përputhje me përcaktimet e vendimit të Këshillit të Ministrave për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës së Shqipërisë.
18. Vula e Institutit të Mjekësisë Ligjore ka formën dhe elementet e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për rregullat e prodhimit, administrimit, të kontrollit dhe të ruajtjes së vulave zyrtare. Vula prodhohet, administrohet dhe ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
IV. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
19. Vendimi nr.120, datë 27.2.2003, i Këshillit të Ministrave, “Për krijimin e Institutit të Mjekësisë Ligjore”, shfuqizohet.
20. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE