Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 20 shtator 2017
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E KLASIFIKIMIT TË PRODUKTEVE TË KONSUMIT SIPAS QËLLIMIT (COICOP)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 12/2, të ligjit nr.9180, datë 5.2.2004, “Për statistikat zyrtare”, të ndryshuar, dhe në vijim të pikës 7, të vendimit nr.426, datë 15.5.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për ngritjen, funksionimin dhe detyrat e Komisionit Kombëtar për Nomenklaturën”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e zbatimit të klasifikimit të produkteve të konsumit sipas qëllimit (COICOP), sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Klasifikimi i produkteve të konsumit sipas qëllimit, e njohur shkurtimisht si “COICOP”, zbatohet për mbledhjen, klasifikimin dhe publikimin e të dhënave statistikore zyrtare.
3. Klasifikimi i produkteve të konsumit sipas qëllimit zbatohet nga agjencitë statistikore, ministritë e linjës, institucionet qendrore dhe vendore, personat fizikë dhe juridikë, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
4. Kodet statistikore të klasifikimit të produkteve të konsumit sipas qëllimit, të përdorura deri para hyrjes në fuqi të këtij vendimi, zëvendësohen me kodet e parashikuara në klasifikimin e produkteve të konsumit sipas qëllimit (COICOP) bashkëlidhur këtij vendimi.
5. Instituti i Statistikave dhe agjencitë e tjera statistikore kryejnë përditësimin e informacionit statistikor zyrtar, duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
6. Ngarkohen institucionet dhe subjektet e përmendura në pikën 3, për marrjen e masave përgatitore për zbatimin e klasifikimit të produkteve të konsumit sipas qëllimit, brenda gjashtë muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PROCEDURËS PËR PËRZGJEDHJEN E KANDIDATURAVE PËR KRYETAR DHE ANËTARË TË KOMISIONIT TË PROKURIMIT PUBLIK
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 10, të nenit 19/2, të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I: 
1. Miratimin e procedurës për përzgjedhjen e kandidaturave për kryetar dhe anëtarë të Komisionit të Prokurimit Publik për garantimin e profesionalizmit e të transparencës gjatë përzgjedhjes, mbështetur në kritere profesionale, për të përmbushur detyrat e përcaktuara në ligjin për prokurimin publik.
2. Përzgjedhja e kandidaturave për kryetar dhe anëtarë të Komisionit të Prokurimit Publik kryhet nëpërmjet zbatimit të procedurave të hapura të konkurrimit, në përputhje me parashikimet e këtij vendimi.
3. Procedura përzgjedhëse për kandidaturat për kryetar dhe anëtarë të Komisionit të Prokurimit Publik zhvillohet nën përgjegjësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, sipas përcaktimeve të këtij vendimi dhe në përputhje me pikën 3, të nenit 19/2, të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar.
4. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave ngre një komision ad-hoc, të përbërë nga 3 anëtarë, nga të cilët një përfaqësues i Kryeministrisë, një përfaqësues i Departamentit të Administratës Publike dhe një përfaqësues i Fakultetit të Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës.
5. Anëtari i komisionit ad-hoc zgjidhet midis personave që plotëson këto kritere:
a) Të ketë mbaruar arsimin e lartë;
b) Për anëtarin përfaqësues të Kryeministrisë dhe të Departamentit të Administratës Publike, të ketë punuar për jo më pak se 5 (pesë) vjet në nivel të mesëm drejtues dhe/ose të ketë njohuri në fushën e prokurimeve;
c) Për anëtarin përfaqësues të Fakultetit të Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës, të ketë jo më pak se 5 (pesë) vjet përvojë pune dhe të ketë titull/gradë shkencore;
ç) Të mos ketë masë disiplinore në fuqi;
d) Të mos ketë qenë anëtar i partive politike për 3 (tre) vitet pararendëse nga data e emërimit;
dh) Të mos ketë qenë i dënuar penalisht me vendim gjyqësor të formës së prerë;
 e) Të mos jetë larguar nga shërbimi civil si rrjedhojë e masave disiplinore.
6. Thirrja për aplikim publikohet në faqen e internetit të Kryeministrisë, në Buletinin e Njoftimeve Publike dhe të paktën dy herë në 2 gazeta me tirazhin më të lartë dhe ajo përmban:
a) kriteret e përgjithshme që duhet të përmbushin kandidaturat, sipas parashikimeve të nenit 19/3, të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006;
b) listën e dokumenteve që duhen paraqitur;
c) afatin e fundit dhe adresën ku duhet të paraqiten aplikimet;
ç) datën për shpalljen e rezultateve pas vlerësimit të dosjes;
d) datën për shpalljen e rezultateve për vlerësimin përfundimtar;
dh) mënyrën e njoftimit/komunikimit me aplikantët.
7. Komisioni ad-hoc i përzgjedhjes bën vlerësimin e kandidaturave të paraqitura brenda 30 (tridhjetë) ditëve kalendarike nga data e mbylljes së aplikimeve, bazuar në jetëshkrimin e kandidatëve dhe intervistën e tyre me gojë. Nëse numri i kandidaturave të paraqitura është i lartë, atëherë vlerësimi i tyre nga komisioni mund të zgjatet, por jo më shumë se 20 (njëzet) ditë kalendarike.
8. Fillimisht, komisioni ad-hoc i përzgjedhjes bën vlerësimin e dosjeve të aplikantëve, për të parë nëse ato plotësojnë kriteret e përcaktuara nga neni 19/3, i ligjit nr.9643, datë 20.11.2006, të ndryshuar. Në përfundim të procesit të vlerësimit, komisioni ad-hoc përgatit listën me emrat e kandidatëve që nuk plotësojnë kriteret për t’u emëruar dhe i njofton ata brenda 2 (dy) ditëve.
9. Komisioni ad-hoc i përzgjedhjes vazhdon me vlerësimin e kandidatëve që plotësojnë kriteret e përcaktuara në nenin 19/3, të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006. Vlerësimi maksimal është 100 pikë. Vlerësimi i kandidatëve bëhet sipas një procedure që përfshin pikët maksimale për secilën nga fazat e mëposhtme:
a) Vlerësimin e jetëshkrimit të kandidatëve, që përfshin vlerësimin e arsimimit, të përvojës dhe trajnimeve të lidhura me fushën si dhe vlerësimet e arritjeve vjetore, deri në 70 pikë, sipas pikës 11, të këtij vendimi;
b) Intervistën e strukturuar me gojë, deri në 30 pikë.
10. Çdo anëtar i komisionit ad-hoc të përzgjedhjes jep vlerësimin e tij individual për secilin kandidat. Vlerësimi përfundimtar për kandidatin llogaritet si mesatare e pikëve të vendosura nga secili prej anëtarëve.
11. Metoda e vlerësimit të jetëshkrimit të kandidatëve do të jetë, si më poshtë vijon:
11.1. Vlerësimi i jetëshkrimit të kandidatëve për anëtar të Komisionit të Prokurimit Publik, i cili do të kryhet në bazë të:
a) diplomës së shkollës së lartë:
i. jurist: 10 pikë;
ii. inxhinieri, ekonomik: 8 pikë;
iii. diplomë e nivelit master, doktoraturë etj: nga 2 deri në 5 pikë shtesë;
iv. certifikata apo kualifikime të tjera: 3 deri në 10 pikë.
b) përvojës në punë, që duhet të jetë 8 (tetë) vjet: 10 pikë, si dhe:
i. përvojës mbi 8 (tetë) vjet:  nga 2-5 pikë shtesë;
ii. përvojës në pozicione drejtuese: nga 2-5 pikë shtesë;
iii. përvojës si gjyqtar, ndërmjetësues apo arbitër: 2-5 pikë shtesë.
c) përvojës në prokurime, që duhet të jetë 3 (tre) vjet: 10 pikë, si dhe:
i. mbi 3 vjet: 2 pikë shtesë;
ii. 5-10 vjet: 5 pikë shtesë;
iii. mbi 10 vjet: 10 pikë shtesë.
11.2. Vlerësimi i jetëshkrimit të kandidatëve për kryetar të Komisionit të Prokurimit Publik, që do të kryhet në bazë të:
a) diplomës së shkollës së lartë, jurist: 10 pikë, si dhe:
i. për diplomën e nivelit master, doktoraturë etj: deri në 3 pikë shtesë;
ii. për certifikatën apo kualifikimet e tjera: deri në 3 pikë shtesë.
b) përvojës në punë, që duhet të jetë 8 (tetë) vjet: 10 pikë, si dhe:
i. mbi 8 (tetë) vjet përvojë pune: 2 pikë shtesë;
ii. përvojë si gjyqtar, ndërmjetësues apo arbitër: 2-5 pikë shtesë.
c) përvojës 2 (dy) vjet në pozicione drejtuese: 10 pikë, si dhe:
i. përvojës në nivelin e lartë drejtues (TND): 2 pikë shtesë;
ii. përvojës mbi 2 vjet: nga 2 deri në 5 pikë shtesë.
ç) përvojës në prokurime, 3 (tre) vjet: 10 pikë, si dhe:
i. mbi 3 vjet: 2 pikë shtesë;
ii. 5-10 vjet: 5 pikë shtesë;
iii. mbi 10 vjet: 10 pikë shtesë.
12. Në përfundim të vlerësimit, komisioni ad-hoc i përzgjedhjes rendit kandidatët në bazë të pikëve të marra dhe ia dërgon listën Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave për vendimmarrje të mëtejshme nga Këshilli i Ministrave. Me qëllim vijimin e procedurave për zgjedhjen e anëtarëve dhe kryetarit të Komisionit të Prokurimit Publik, Këshilli i Ministrave dërgon në Kuvend listën e kandidatëve të kualifikuar sipas renditjes dhe listën e kandidatëve që nuk plotësojnë kriteret për t’u emëruar.
13. Ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, që, me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, të nisë procedurat për ngritjen e komisionit ad-hoc të përzgjedhjes së kandidaturave për kryetar dhe anëtarë të KPP-së, në përputhje me pikën 4, të tij.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E LISTËS KOMBËTARE TË PROFESIONEVE (LKP), TË RISHIKUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 12/2, të ligjit nr.9180, datë 5.2.2004, “Për statistikat zyrtare”, të ndryshuar, dhe në vijim të pikës 7, të vendimit nr.426, datë 15.5.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për ngritjen, funksionimin dhe detyrat e Komisionit Kombëtar për Nomenklaturën”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
7. Miratimin e Listës Kombëtare të Profesioneve (LKP), të rishikuar, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
8. Klasifikimi i Listës Kombëtare të Profesioneve, e njohur shkurtimisht si “LKP”, zbatohet për mbledhjen, klasifikimin dhe publikimin e të dhënave statistikore zyrtare.
9. Lista Kombëtare e Profesioneve (LKP) zbatohet nga agjencitë statistikore, ministritë e linjës, institucionet qendrore dhe vendore, personat fizikë dhe juridikë, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
10. Kodet statistikore të Listës Kombëtare të Profesioneve (LKP), të përdorura deri para hyrjes në fuqi të këtij vendimi, zëvendësohen me kodet e parashikuara në Listën Kombëtare të Profesioneve (LKP), bashkëlidhur këtij vendimi.
11. Instituti i Statistikave dhe agjencitë e tjera statistikore kryejnë përditësimin e informacionit statistikor zyrtar, duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
12. Ngarkohen institucionet dhe subjektet e përmendura në pikën 3, për marrjen e masave përgatitore për zbatimin e Listës Kombëtare të Profesioneve (LKP), brenda gjashtë muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E PËRBËRJES SË KËSHILLIT KOMBËTAR TË TERRITORIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “a”, të pikës 6, të nenit 6, të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Këshilli Kombëtar i Territorit, si autoritet kombëtar i planifikimit dhe zhvillimit të territorit, kryesohet nga Kryeministri dhe ka në përbërje:
– Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë                                                                   anëtar;
– Ministrin e Financave dhe Ekonomisë                                                                       anëtar;
– Ministrin e Drejtësisë                                                                                                 anëtar;
– Ministrin e Kulturës                                                                                                    anëtar;
– Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural                                                                  anëtar;
– Ministrin e Turizmit dhe Mjedisit anëtar;
– Ministrin e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes                                                        anëtar;
– Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë së
Zhvillimit të Territorit                                                                                           anëtar dhe sekretar.
2. Kur, për shkaqe të arsyeshme, Kryeministri apo ministri anëtar nuk mund të marrë pjesë në mbledhje, atëherë në vend të tij merr pjesë, përkatësisht, me të drejtë vote,:
– personi i autorizuar nga Kryeministri, i cili kryeson mbledhjen;
– zëvendësministri, përfaqësues i ministrit në mungesë.
3. Anëtarët e Këshillit Kombëtar të Territorit, për çdo pjesëmarrje në mbledhje, shpërblehen me 20 000 (njëzet mijë) lekë.
4. Shpërblimi i anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Territorit të përballohet nga buxhetet e miratuara për çdo institucion përkatës, që ata përfaqësojnë.
5. Brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve kalendarike, nga dita e zhvillimit të mbledhjes, Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT) zbardh vendimet e KKT-së, të cilat ua dërgon për nënshkrim Kryeministrit, në cilësinë e kryetarit të Këshillit, dhe ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë.
6. Vendimi nr.1097, datë 28.12.2015, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e përbërjes së Këshillit Kombëtar të Territorit”, shfuqizohet.
7. Ngarkohen të gjitha institucionet, përfaqësuesit e të cilave janë përcaktuar në pikën 1, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI
***
V E N D I M 
PËR
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË DREJTËSISË TË NJË PJESE TË GODINËS KU USHTRON VEPRIMTARINË KONTROLLI I LARTË I SHTETIT, PËR KOLEGJIN E POSAÇËM TË APELIMIT, INSTITUCION I RIVLERËSIMIT TË GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË, I PARASHIKUAR NGA LIGJI NR.84/2016
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 69, të ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, dhe të neneve 10, 13, 14, e 15, shkronja “c”, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Drejtësisë të një pjese të godinës ku ushtron veprimtarinë Kontrolli i Lartë i Shtetit, për sistemimin me mjedise pune dhe mbarëvajtjen e veprimtarisë administrative të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, institucion i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, i parashikuar nga ligji nr.84/2016, sipas të dhënave të pasurisë dhe planimetrisë që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ministria e Drejtësisë nuk mund ta ndryshojë destinacionin e pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë apo t’ua japë në përdorim të tretëve.
3. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE. 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.