Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 21 Tetor 2026: 
V E N D I M 
PËR
EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Znj. Anila Rexha emërohet zëvendësministër i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të  ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Kevin Bufi emërohet zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
 PËR
PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE, TË KRITEREVE                                           DHE TË RREGULLAVE PËR SUBVENCIONIMIN E SHPENZIMEVE                 TË UDHËTIMIT, RASTET E PËRFITIMIT DHE MASËN E PAGESËS PËR PJESËMARRJE NË KURSET E FORMIMIT PROFESIONAL
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 11, pika 4, dhe 12,                   pika 3, të ligjit nr.15/2019, “Për nxitjen e punësimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Ky vendim përcakton procedurat, kriteret dhe rregullat për subvencionimin e shpenzimeve të udhëtimit, rastet e përfitimit dhe masën e pagesës për pjesëmarrje në kurset e formimit profesional.
2. Mbështetja financiare përfshin pagesën për pjesëmarrje në kurset e formimit profesional dhe subvencionimin e shpenzimeve të udhëtimit për punëkërkuesit e papunë, në raste të veçanta.
3. Pjesëmarrësit në këtë program fitojnë kompetenca, në përputhje me kërkesat e tregut të punës. Në përfundim të kursit, ata pajisen me certifikatë që njihet në nivel kombëtar.
II. KRITERET PËR PËRFITUESIT E PROGRAMIT
1. Përfituesit e programit janë punëkërkuesit e papunë nga “grupet e veçanta”, të përcaktuara në ligjin nr.15/2019, “Për nxitjen e punësimit”.
2. Punëkërkuesit e papunë, pjesëmarrës në program, përfitojnë mbështetje vetëm për një kurs brenda 12 muajve nga ky program.
III. MBËSHTETJA FINANCIARE
1. Për punëkërkuesit e papunë, pjesëmarrës në këtë program, ofrohet financim i pagesës për pjesëmarrje në kurs formimi profesional për çdo orë mësimore të frekuentuar nga kursanti, në masën 50% të pagës minimale orare në shkallë vendi.
2. Punëkërkuesve të papunë, pjesëmarrës në këtë program, të cilët kanë vendbanimin mbi 2 (dy) km larg nga institucioni i formimit profesional, ku zhvillohet kursi, u subvencionohet një bonus për mbulimin e shpenzimeve të transportit, në vlerën 1 800 (një mijë e tetëqind) lekë në muaj.
3. Këto pagesa bëhen çdo muaj në llogarinë bankare të përfituesit gjatë gjithë kohëzgjatjes së kursit pas depozitimit të dokumentit të pjesëmarrjes nga institucioni i formimit profesional, ku është ndjekur kursi.
4. Nëse kursantët përfitues të këtij programi largohen me dëshirë nga kursi ose bëjnë mungesa më shumë se 20% të orëve mësimore, pagesa për pjesëmarrjen në formimin profesional ndërpritet menjëherë, duke humbur të drejtën e përfitimit për muajin aktual e në vijim.
IV. RREGULLAT DHE PROCEDURAT E ZBATIMIT
1. Drejtoria Rajonale e Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (DRAKPA) publikon informacionin e nevojshëm në faqen zyrtare të     AKPA-s.
2. DRAKPA-ja vlerëson nevojat e çdo punëkërkuesi të papunë nga grupet e veçanta për t`i referuar në një kurs formimi profesional.
3. DRAKPA-ja mbështet financimin e punëkërkuesve të papunë nga grupet e veçanta, brenda fondeve të miratuara për këtë program.
4. Institucioni i formimit profesional është përgjegjës për monitorimin e pjesëmarrjes në kurs nga momenti i regjistrimit deri në certifikim si dhe për administrimin e dokumentacionit të frekuentimit për pjesëmarrjen e përfituesve në këtë program.
5. Institucioni i formimit profesional duhet të dërgojë dokumentacionin zyrtar mbi pjesëmarrjen në kurs pranë DRAKPA-së, brenda 3 ditëve punë të muajit pasardhës.
6. DRAKPA-ja, brenda 7 (shtatë) ditëve të punës nga marrja e dokumentacionit zyrtar mbi pjesëmarrjen në kurs, kryen pagesën për kursantët që plotësojnë kushtet për përfitim sipas frekuentimit.
7. Në rast se konstatohet që kursanti mungon gjatë zhvillimit të programit, institucioni i formimit profesional, pasi ka kryer të gjithë procedurën e këshillimit të pjesëmarrësit për të vazhduar kursin, njofton DRAKPA-në për ecurinë e kursantit.
8. Kohëzgjatja e mbështetjes financiare për pjesëmarrjen në kurs është për aq kohë sa vazhdon kursi i formimit profesional.
9. Përfituesit e këtij programi ndjekin një kurs formimi profesional, sipas kualifikimeve që ofrojnë institucionet e formimit profesional.
10. Programet e hartuara në kuadër të zbatimit të programit të të nxënit në vendin e punës nuk përfshihen në këtë mbështetje.
11. Ministri përgjegjës për çështjet e punësimit dhe aftësive përcakton çdo vit kurset e formimit profesional, që përfitojnë nga mbështetja financiare për punëkërkuesit e papunë nga grupet e veçanta si dhe fondet buxhetore të vëna në dispozicion për këtë program.
V. DISPOZITA TË FUNDIT
1. AKPA-ja përgatit raportin vjetor brenda datës 31 mars të vitit pasardhës dhe ia paraqet ministrisë përgjegjëse për çështjet e punësimit dhe aftësive.
2. Vlerësimi i ndikimit të programeve kryhet çdo katër vjet nga ministria përgjegjëse për çështjet e punësimit dhe aftësive, nëpërmjet ekspertëve ose organizatave me përvojë në këtë fushë.
3. Afati i zbatimit të programit është 5 (pesë) vjet nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
4. Ngarkohet titullari i institucionit përgjegjës për punësimin dhe aftësitë për hartimin e rregullores për zbatimin e këtij programi, brenda 3 (tre) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
5. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i shtetit, programi “Tregu i punës”.
6. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit si dhe Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA KËSHILLI                  I MINISTRAVE, DHE BORDIT TË PAQES, NË LIDHJE                                ME PJESËMARRJEN NË FORCËN NDËRKOMBËTARE                              TË STABILIZIMIT NË GAZA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të  nenit 7, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.1/2026, “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”, dhe të ligjit nr.98/2026, “Për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në operacionin ushtarak të Forcës Ndërkombëtare të Stabilitetit në Gaza”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave, dhe Bordit të Paqes, në lidhje me pjesëmarrjen në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE NR.2                                 ME SHKËMBIM NOTASH TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË ITALISË, MBI NJOHJEN                      E NDËRSJELLË TË LEJEVE TË DREJTIMIT, ME QËLLIM KONVERTIMI, MIRATUAR ME VENDIMIN NR.209, DATË 29.3.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes ndryshuese nr.2 me shkëmbim notash të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë, mbi njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit, me qëllim konvertimi, miratuar me vendimin nr.209, datë 29.3.2021, të Këshillit të Ministrave, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare’’.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.732,                      DATË 16.11.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE,                                  “PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E INSTITUTIT                          TË SIGURISË USHQIMORE DHE VETERINARISË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, dhe të pikës 1, të               nenit 123, të ligjit nr.10465, datë 29.9.2011, “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.732, datë 16.11.2022, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Kudo në përmbajtje të vendimit, shkurtesa “OIE” zëvendësohet me emërtimin “Organizata Botërore e Shëndetit të Kafshëve “WOAH””.
2. Në pikën 2, të kreut III, bëhen ndryshimet dhe shtesa e mëposhtme:
a) Shkronjat “ç” dhe “d” ndryshohen, si më poshtë vijon:
“ç) Kryen analiza laboratorike në zbatim të programeve kombëtare, në zbatim të strategjive sektoriale në fushën e veterinarisë, ushqimit dhe ushqimit për kafshë dhe fitosanitetit, planeve kombëtare të monitorimit, programeve të mbikëqyrjes, kontrolleve zyrtare për të cilat është i autorizuar dhe, sa herë është e nevojshme, në të gjitha fushat e përgjegjësisë së tij, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
d) Kryen analiza laboratorike:
i. me kontraktim, sipas legjislacionit në fuqi, në raste të veçanta dhe të justifikuara teknikisht, kur:
– analizat nuk kryhen në laborator;
– metodat nuk janë të akredituara;
– aparaturat janë jashtë funksioni për shkak të dëmtimit;
– ka kërkesa për analizim të treguesve të rinj;
– ka raste emergjencash me origjinë nga ushqimi, kafshët dhe bimët;
ii. rikonfirmuese në rastet e shpërthimeve të sëmundjeve ose epidemive të ndryshme, si dhe të dëmtuesve karantinorë në bimë, produkte bimore dhe objekte të tjera nga laboratorë ndërkombëtarë të Bashkimit Evropian, të akredituar dhe të autorizuar nga autoritetet kompetente të vendeve përkatëse.”.
b) Pas shkronjës “dh” shtohet shkronja “e”, me këtë përmbajtje:
“e) Siguron testet e provës së aftësisë (proficiency testing), në mënyrë të drejtpërdrejtë, nga ente ndërkombëtare të akredituara dhe laboratorë reference të Bashkimit Evropian (EURL), sipas nevojave për ruajtjen dhe zgjerimin e akreditimit laboratorik.”.
II. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.787, DATË 19.10.2026,                       TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DHËNIE SHPËRBLIMI PUNONJËSVE TË POLICISË SË SHTETIT DHE PËR NJË SHTESË                     NË BUXHETIN E MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, MIRATUAR PËR VITIN 2026”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 14, të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.787, datë 19.10.2026, të Këshillit të Ministrave, “Për dhënie shpërblimi punonjësve të Policisë së Shtetit dhe për një shtesë në buxhetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, miratuar për vitin 2026”, bëhen këto ndryshime:
a)   Në pikën 1, numri “2 750 (dy mijë e shtatëqind e pesëdhjetë)” zëvendësohet me “2 821 (dy mijë e tetëqind e njëzet e një)”.
b) Në pikat 2 dhe 3, fondi “740 080 000 (shtatëqind e dyzet milionë e tetëdhjetë mijë) lekë” zëvendësohet me “759 187 520 (shtatëqind e pesëdhjetë e nëntë milionë e njëqind e tetëdhjetë e shtatë mijë e pesëqind e njëzet) lekë”.
2. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
 Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E DOKUMENTIT TË PROGRAMIT BUXHETOR AFATMESËM  2027 – 2029, TË RISHIKUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 28, të ligjit nr.9936,                  datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e dokumentit të programit buxhetor afatmesëm për                           periudhën 2027 – 2029, të rishikuar, sipas dokumentit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLAVE PËR PËRMBAJTJEN DHE FORMËN           E REGJISTRIT ELEKTRONIK TË KONCESIONEVE                                     DHE PARTNERITETIT PUBLIK PRIVAT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 17, të                            ligjit nr.88/2025, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, dhe të                   nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ngritjen, funksionimin, administrimin dhe mirëmbajtjen e Regjistrit Elektronik të Koncesioneve/Partneriteteve Publike Private (REKP) dhe publikimin e tij në faqen zyrtare të internetit të Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve dhe Partneritetit Publik Privat si institucioni përgjegjës për koncesionet dhe partneritetet publike private (këtu e në vijim “Institucioni”), në adresën zyrtare elektronike të institucionit.
2. Regjistri Elektronik i Koncesioneve/Partneriteteve Publike Private (REKP) do të administrohet nga institucioni.
3. REKP-ja përfshin:
a) si të dhëna parësore, të gjitha të dhënat e mbledhura nga institucioni, si më poshtë vijon:
i. Të dhëna që lidhen me autoritetin/entin kontraktues;
ii. Të dhëna që lidhen me objektin e kontratës së koncesionit/PPP-së;
iii. Llojin e kontratës;
iv. Vendndodhjen;
v. Kohëzgjatjen e kontratës;
vi. Vlerën e investimit;
vii. Vlerën e kontratës;
viii. Çmimin e shërbimit për përfituesit fundorë, kur është i zbatueshëm;
ix. Tarifën e koncesionit, paguar autoritetit/entit kontraktues, nëse ka;
x. Tekstin e plotë të kontratës, së bashku me shtojcat dhe anekset, për pjesët që lejohen të publikohen sipas pikës 5 të këtij vendimi;
xi. Garancinë e ekzekutimit të kontratës;
xii. Studimin e fizibilitetit, për pjesët e tij që lejohen të publikohen sipas  pikës 5 të këtij vendimi;
xiii.Dokumentacionin e tenderit ose, kur ky dokumentacion është i publikuar në një sistem tjetër elektronik shtetëror, referencën elektronike që mundëson aksesin në të;
xiv.Çdo ndryshim në kontratë;
xv. Transferimin e kontratës;
xvi.Të dhënat dhe dokumentacionin mbi nënkontraktimin që, sipas ligjit nr.88/2025, dokumenteve të tenderit ose kontratës, i paraqiten ose miratohen nga autoriteti/enti kontraktues;
xvii.Përfundimin e kontratës;
xviii.Të dhënat dhe dokumentacionin mbi të drejtat pronësore që lidhen drejtpërdrejt me zbatimin e kontratës dhe administrohen nga autoriteti/enti kontraktues;
xix.Raportin vjetor dhe raportin përfundimtar të parashikuar në pikën 5 të nenit 60, të ligjit nr.88/2025, ‘Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”.
b) si të dhëna dytësore, të dhëna identifikuese të regjistrimit dhe të statusit juridik të koncesionarit/partnerit privat, të cilat sigurohen nëpërmjet ndërveprimit të REKP-së me regjistrat përkatës të administruar nga Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB). Fushat konkrete të të dhënave dhe modalitetet teknike të ndërveprimit përcaktohen në specifikimet teknike përkatëse.
4. Ofruesit e informacionit janë të gjitha autoritetet kontraktuese/entet kontraktuese, në kuptim të ligjit nr.88/2025, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”.
4.1. Autoritetet/entet kontraktuese janë përgjegjëse për saktësinë, plotësinë dhe përditësimin në kohë të të dhënave dhe dokumentacionit që i paraqesin institucionit për regjistrim dhe publikim në REKP.
4.2. Për të dhënat që disponohen në regjistra ose sisteme të tjera shtetërore dhe që mund të sigurohen nëpërmjet ndërveprimit, institucioni i siguron ato drejtpërdrejt, pa ua kërkuar autoriteteve/enteve kontraktuese. Kur të dhëna të caktuara të pikës 3 të këtij vendimi mund të nxirren dhe të strukturohen nga dokumentacioni i paraqitur nga autoriteti/enti kontraktues, institucioni kryen strukturimin e tyre për qëllime të regjistrimit në REKP, pa kërkuar paraqitjen e të njëjtit informacion në një formë të veçantë raportimi.
5. REKP-ja është publike, e aksesueshme dhe pa pagesë, nëpërmjet faqes zyrtare të internetit të institucionit, për autoritetet/entet kontraktuese, partnerët privatë dhe për çdo person të interesuar. Qasja në të dhënat dhe dokumentacionin e publikuar në REKP bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për të drejtën e informimit, mbrojtjen e të dhënave personale dhe informacionin e klasifikuar. Nuk publikohen të dhënat ose dokumentet që, sipas nenit 18 të ligjit nr.88/2025 dhe legjislacionit tjetër në fuqi, trajtohen si konfidenciale ose publikimi i të cilave kufizohet me ligj.
6. Institucioni merr masat e nevojshme për publikimin në REKP të të dhënave dhe dokumentacionit që, sipas pikës 5 të këtij vendimi dhe legjislacionit në fuqi, lejohet të publikohen.
7. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) merr masat e nevojshme për zhvillimin, mirëmbajtjen teknike dhe sigurinë e REKP-së dhe të të dhënave të përmbajtura në të, në përputhje me legjislacionin në fuqi për qeverisjen elektronike.
8. Autoritetet/entet kontraktuese janë të detyruara t’i paraqesin institucionit, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve punë nga data e nënshkrimit të kontratës së koncesionit/partneritetit publik privat, të dhënat dhe dokumentacionin e përcaktuar në shkronjën “a”, të pikës 3, të këtij vendimi, që lidhen me procedurën e dhënies dhe kontratën e lidhur dhe që janë të disponueshme deri në momentin e nënshkrimit të saj. Dokumentacioni duhet të shoqërohet nga një përmbledhje e të dhënave kryesore, në përputhje me formatin që do të shfaqet në faqen zyrtare të internetit, të përmendur në pikën 1 të këtij vendimi.
9. Autoritetet/entet kontraktuese i paraqesin institucionit një kopje të çdo ndryshimi të kontratës së koncesionit/partneritetit publik privat, së bashku me shtojcat dhe anekset përkatëse, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve punë nga data e hyrjes së tij në fuqi. Kur ndryshimi nuk parashikon një datë të veçantë të hyrjes në fuqi, afati llogaritet nga data e nënshkrimit të tij.
10. Për kontratat e koncesionit/partneritetit publik privat, të lidhura përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi, autoritetet/entet kontraktuese nuk kanë detyrim të ridorëzojnë të dhënat dhe dokumentacionin që disponohen nga institucioni ose që transferohen dhe integrohen në REKP, sipas pikës 15, të këtij vendimi. Pas transferimit dhe verifikimit të të dhënave ekzistuese, kur institucioni konstaton mungesë dokumentacioni, informacioni ose nevojën për përditësimin e tyre për një kontratë konkrete, i kërkon autoritetit/entit kontraktues përkatës plotësimin ose përditësimin e tyre. Autoriteti/enti kontraktues i paraqet të dhënat ose dokumentacionin e kërkuar brenda 30 (tridhjetë) ditëve punë nga marrja e kërkesës.
11.Institucioni, brenda 10 (dhjetë) ditëve punë nga marrja e dokumentacionit, verifikon përputhshmërinë formale të tij me kërkesat e këtij vendimi. Në rast se konstatohen mangësi ose pasaktësi, njofton autoritetin/entin kontraktor për plotësimin ose korrigjimin e tyre brenda 10 (dhjetë) ditëve punë. Pas verifikimit të dokumentacionit të plotë, institucioni regjistron dhe publikon të dhënat përkatëse në Regjistrin Elektronik të Koncesioneve dhe Partneriteteve Publike Private, brenda 5 (pesë) ditëve punë. Verifikimi formal i kryer nga institucioni nuk cenon përgjegjësinë e autoritetit/entit kontraktues, sipas pikës 4.1, të këtij vendimi.
12.Sistemi gjeneron raporte periodike dhe ofron informacione që mbështesin detyrimet e raportimit nga përdoruesit e autorizuar, sipas roleve të përcaktuara në këtë vendim.
13.Përdoruesve u ofrohen kredenciale individuale nga institucioni dhe qasja e tyre është e kufizuar sipas roleve.
14.Sistemi funksionon në role të tilla si administratori i sistemit, administratori lokal, auditori, stafi institucional dhe koncesionari/partneri privat.
15.Të dhënat, dokumentacioni dhe regjistrimet e deritanishme të gjeneruara në zbatim të vendimit nr.211, datë 16.3.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin dhe administrimin e regjistrit elektronik të koncesionit/partneritetit publik privat”, transferohen dhe integrohen plotësisht në Regjistrin Elektronik të Koncesioneve dhe Partneriteteve Publike Private (REKP), të krijuar në bazë të këtij vendimi.
16. Shpenzimet për zhvillimin dhe mirëmbajtjen teknike të REKP-së përballohen nga buxheti i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe planifikimin buxhetor përkatës. Shpenzimet, që lidhen me administrimin funksional të REKP-së, përballohen nga buxheti i institucionit.
17.Vendimi nr.211, datë 16.3.2016, i Këshillit të Ministrave, “Për krijimin dhe administrimin e regjistrit elektronik të koncesionit/partneritetit publik privat”, shfuqizohet me hyrjen në fuqi të këtij vendimi.
18. Ngarkohen autoritetet/entet kontraktuese, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe institucioni me zbatimin e këtij vendimi.
      Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.391,                       DATË 3.5.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE,                                       “PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE TË REGJISTRIMIT                       DHE TË PUBLIKIMIT NË QENDRËN KOMBËTARE TË BIZNESIT”,                      TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 76, të ligjit nr.9723,                    datë 3.5.2007, “Për regjistrimin e biznesit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.391, datë 3.5.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave të regjistrimit dhe të publikimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Në kreun 1 “Portali “e-Albania””, pas pikës 1 shtohen pikat 1/1 dhe 1/2, me këtë përmbajtje:
“1/1. Termat e përdorur në këtë vendim kanë të njëjtin kuptim me ato të përcaktuar në legjislacionin e zbatueshëm për shndërrimin, bashkimin dhe ndarjen ndërkufitare të shoqërive tregtare”, në vijim “Ligji për operacionet ndërkufitare”.
1/2  “Direktiva” është direktiva (BE) 2017/1132 e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, e 14 qershorit 2017, lidhur me disa aspekte të së drejtës së shoqërive tregtare (kodifikim), ndryshuar kryesisht nga:
a) direktiva (BE) 2019/1151 e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, e 20 qershorit 2019, që ndryshon direktivën (BE) 2017/1132 sa i përket përdorimit të mjeteve dhe proceseve digjitale në të drejtën e shoqërive tregtare;
b) direktiva (BE) 2019/2121 e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, e 27 nëntorit 2019, që ndryshon direktivën (BE) 2017/1132 sa i përket shndërrimeve, bashkimeve dhe ndarjeve ndërkufitare” dhe rregullorja zbatuese (BE) 2021/1042 e Komisionit, datë 18 qershor 2021, “Për përcaktimin e specifikimeve teknike dhe procedurave për sistemin e ndërlidhjes së regjistrave të shoqërive” (BRIS).
2. Në kreun IV “Procedurat e aplikimit pranë sportelit elektronik” bëhen këto shtesa:
a) Pas pikës 27 shtohet pika 27/1, me këtë përmbajtje:
“27/1. Për regjistrimin fillestar të llojeve të shoqërive të përcaktuara sipas ligjit për regjistrimin, aplikantët plotësojnë dhe nënshkruajnë aktthemelimin në mënyrë elektronike, duke përfshirë përdorimin e formateve standarde.”.
b) Pas pikës 32 shtohet pika 32/1, me këtë përmbajtje:
“32/1. Kur është e justifikueshme në mbrojtje të interesit publik, për të parandaluar keqpërdorimin ose ndryshimin e identitetit, QKB-ja, për qëllime të verifikimit të identitetit të një aplikanti,  merr masa për të kërkuar  praninë fizike të atij aplikanti për të trajtuar çdo aspekt të procedurave në internet të përmendura në këtë ligj, duke përfshirë hartimin e aktit të themelimit të një shoqërie. Prania fizike e aplikantit  kërkohet vetëm rast pas rasti kur ekzistojnë arsye për të dyshuar për falsifikim të identitetit dhe që çdo hap tjetër i procedurës të realizohet në internet.”.
c) Në pikën 38, pas shkronjës “d” shtohet shkronja “dh”, me këtë përmbajtje:
“dh) gjeneron identifikuesin unik evropian (EUID), në përputhje me standardin ISO 6523 dhe me elementet e mëposhtme:
Elementi i EUID Përshkrimi Përshkrim shtesë
Kodi i shtetit Elemente që mundësojnë identifikimin e Republikës së Shqipërisë I detyrueshëm
Identifikuesi i Regjistrit Elemente që mundësojnë identifikimin e regjistrit tregtar të origjinës së shoqërisë/degës I detyrueshëm
Numri i regjistrimit Numri unik i identifikimit të subjektit të shoqërisë/degës I detyrueshëm
3. Kreu VIII “Dispozitat e posaçme për depozitimin e pasqyrave financiare” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“VIII “Dispozitat e posaçme për depozitimin e pasqyrave financiare”
61. Çdo subjekt i regjistruar në regjistrin tregtar, që ka detyrim për hartimin dhe paraqitjen e pasqyrave financiare sipas legjislacionit në fuqi për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare, depoziton pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit pasqyrat financiare vjetore dhe dokumentacionin shoqërues përkatës, në përputhje me afatet e përcaktuara në ligj.
62. Dokumentacioni që depozitohet përfshin, sipas rastit:
a) pasqyrat financiare vjetore;
b) raportin e ecurisë së veprimtarisë;
c) raportin e auditimit ligjor, kur auditimi është i detyrueshëm sipas legjislacionit në fuqi;
63. Depozitimi i pasqyrave financiare dhe dokumentacionit shoqërues kryhet në mënyrë elektronike nëpërmjet portalit “e-Albania”, në përputhje me formatet dhe strukturën elektronike të miratuar sipas legjislacionit për kontabilitetin dhe raportimin financiar.
64. Dokumentet depozitohen në format elektronik të strukturuar, ndërsa dokumentacioni shoqërues paraqitet në format elektronik PDF, sipas legjislacionit në fuqi për kontabilitetin.
64/1. Qendra Kombëtare e Biznesit kryen verifikimin formal të dokumentacionit të depozituar vetëm për plotësinë e dokumenteve dhe përputhjen e tyre me kërkesat formale të këtij vendimi.
64/2. Në rast konstatimi të mangësive ose pasaktësive në dokumentacionin e depozituar, QKB-ja refuzon aplikimin, duke sqaruar arsyet e refuzimit. Riparaqitja e aplikimit për depozitimin e pasqyrave financiare, pas refuzimit trajtohet si aplikim i ri.
64/3. Pas depozitimit të pasqyrave financiare, të dhënat përkatëse transmetohen automatikisht nga sistemi elektronik i QKB-së te Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nëpërmjet platformave ndërinstitucionale të shkëmbimit të të dhënave.
64/4. Shkëmbimi elektronik i të dhënave ndërmjet institucioneve përfshin të paktën:
a)  të dhënat identifikuese të subjektit;
b) pasqyrat financiare vjetore;
c) dokumentacionin shoqërues;
ç) datën e depozitimit të dokumenteve.
64/5. Specifikimet teknike për strukturën elektronike të të dhënave, formatet e dokumenteve dhe mënyrën e shkëmbimit automatik të informacionit miratohen me marrvëshje nga QKB-ja dhe administrata tatimore, në përputhje me legjislacionin për ndërveprimin elektronik në administratën publike.
4. Pas kreut IX “Shkëmbimi i të dhënave me institucionet e tjera” shtohen krerët IX/1, IX/2, IX/3, IX/4, IX/5, me këtë përmbajtje:
 “IX/1.SHKËMBIMI I TË DHËNAVE ME SISTEMIN E NDËRLIDHJES
68/1. Sistemi i ndërlidhjes (BRIS) ka kuptimin sipas ligjit të regjistrimit të biznesit. QKB-ja regjistron nëpërmjet sistemit të ndërlidhjes:
a) Të dhënat e degëve të regjistruara në Republikën e Shqipërisë dhe të shoqërive me degë të regjistruara në Bashkimin Evropian, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
b) Të dhënat mbi shndërrimet ndërkufitare, sipas shtojcës nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
c) Të dhënat mbi bashkimet ndërkufitare, sipas shtojcës nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
ç) Të dhënat mbi ndarjet ndërkufitare, sipas shtojcës nr.4, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
d) Të dhënat mbi administratorët e ndaluar, sipas shtojcës nr.5, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Kreu IX/2. VEPRIME ME SISTEMIN E NDËRLIDHJES LIDHUR ME DEGËT
68/2. Njoftimi për publikimin e të dhënave të degës:
a) QKB-ja, nëpërmjet sistemit të ndërlidhjes, vendos menjëherë në dispozicion informacionin mbi hapjen dhe mbylljen e çdo procedure likuidimi ose falimentimi dhe mbi çregjistrimin nga regjistri i saj të një shoqërie të regjistruar në Republikën e Shqipërisë dhe që ka degë të regjistruara në shtete të Bashkimit Evropian (“informacioni i publikuar”);
b) Për degët e regjistruara në Republikën e Shqipërisë, QKB-ja kërkon informacionin e publikuar lidhur me një shoqëri të huaj të regjistruar në një shtet të Bashkimit Evropian. Kjo kërkesë përbëhet nga tregimi i platformës së shoqërive, për të cilat QKB-ja (si regjistri i degës) është e interesuar të marrë informacionin e publikuar.
68/3. Njoftimi për regjistrimin  e degës:
a) QKB-ja dërgon menjëherë njoftim në mënyrë elektronike përmes sistemit të ndërlidhjes te regjistri i shoqërisë së regjistruar në Bashkimin Evropian për të njoftuar mbi regjistrimin e një dege në Republikën e Shqipërisë (“njoftim për regjistrimin e degës”).
b) QKB-ja, me marrjen e një njoftimi se një degë e një shoqërie të regjistruar në Republikën e Shqipërisë është regjistruar në një shtet të Bashkimit Evropian njofton  në mënyrë elektronike për konfirmimin e marrjes së njoftimit (“konfirmim i marrjes së njoftimit për regjistrimin e degës”).
68/4. Njoftimi për mbylljen e degës:
a) QKB-ja për degët e regjistruara në Republikën e Shqipërisë të shoqërive të regjistruara në një shtet të Bashkimit Evropian njofton në mënyrë elektronike përmes sistemit të ndërlidhjes te regjistri i shoqërisë për mbylljen e degës (“njoftim për mbylljen e degës”).
b) QKB-ja, me marrjen e një njoftimi se një degë e një shoqërie të regjistruar në Republikën e Shqipërisë është mbyllur, do të njoftojë në mënyrë elektronike për konfirmimin e marrjes së njoftimit (“konfirmim i marrjes së njoftimit për mbylljen e degës”).
68/5. Njoftimi për ndryshime në dokumentet dhe informacionin mbi shoqërinë:
a) QKB-ja vendos në dispozicion të sistemit të ndërlidhjes pa vonesë informacionin mbi ndryshimet dhe të dhënat e shoqërive të regjistruara në Republikën e Shqipërisë (“informacioni i publikuar”).
b) QKB-ja kërkon informacion nëpërmjet sistemit të ndërlidhjes për degët e regjistruara në Republikën e Shqipërisë, të themeluara nga shoqëri të regjistruara në shtete të Bashkimit Evropian. Kjo kërkesë  bëhet nga tregimi i shoqërive për të cilat QKB-ja si regjistri i degës dëshiron të marrë informacionin e publikuar.
c) Me marrjen e informacionit të publikuar, QKB-ja si regjistri i degës njofton në mënyrë elektronike për konfirmimin e marrjes së njoftimit (“konfirmim i marrjes së njoftimit për ndryshimet në dokumentet dhe të dhënat për shoqërinë”).
Kreu IX/3. NDËRVEPRIMI ME DHOMËN EKONOMIKE KOMBËTARE
68/6. Kodi NVE në regjistrimin fillestar:
a) Gjatë aplikimit për regjistrim fillestar në regjistrin tregtar, subjekti deklaron objektin e veprimtarisë, sipas klasifikimit të kodit NVE. Deklarimi bëhet në formularin elektronik të aplikimit në Regjistrin Tregtar nëpërmjet portalit “e-Albania”.
b) Procesi i identifikimit dhe certifikimit të kodit NVE kryhet nga DHEK-u paralelisht me procesin e regjistrimit fillestar.
c) Certifikimi i kodit NVE nuk përbën kusht për pajisjen e subjektit me NIPT.
ç) Subjekti është i detyruar të depozitojë në portalin “e-Albania” certifikatën e kodit NVE brenda 30 ditëve kalendarike nga data e regjistrimit. Kur ka mospërputhje ndërmjet deklarimit fillestar dhe certifikatës së DHEK-ut, subjekti është i detyruar të bëjë saktësimin përkatës në formularin e aplikimit.
d) Në rast mangësish, QKB-ja pezullon aplikimin dhe njofton subjektin. Subjekti duhet të plotësojë mangësitë brenda 21 ditëve kalendarike nga data e njoftimit të vendimit të pezullimit.
dh) Në rast se subjekti nuk ngarkon certifikatën e lëshuar nga DHEK-u brenda afatit, sistemi i regjistrit tregtar vendos automatikisht statusin “i pezulluar”. Statusi hiqet pas depozitimit të certifikatës së kodit NVE.
68/7. Procedura e verifikimit vjetor të kodit NVE:
a) Subjektet e regjistruara në regjistrin tregtar janë të detyruara të kryejnë verifikimin periodik vjetor të kodit NVE.
b) Subjekti aplikon duke ngarkuar certifikatën e rinovuar nga                DHEK-u, brenda 30 ditëve kalendarike nga përfundimi i vlefshmërisë njëvjeçare të certifikatës së fundit. Në rast se certifikata e rinovuar përmban ndryshime të kodit NVE, subjekti përditëson kodet në formularin e aplikimit, sipas certifikatës së DHEK-ut.
68/8. Kodi NVE në rast ndryshimi të objektit të veprimtarisë:
a) Në rast ndryshimi të objektit të veprimtarisë, subjekti aplikon për regjistrimin e ndryshimit pranë QKB-së.
b) Aplikimi shoqërohet me certifikatën e kodit NVE, dokumentacionin shoqërues dhe me saktësimet e kodeve në formularin e aplikimit, sipas certifikatës së lëshuar nga DHEK-u.
c) Certifikata duhet të depozitohet brenda 30 ditëve nga data e lëshimit të saj nga DHEK-u.
ç) Në rast mangësish, QKB-ja pezullon aplikimin dhe njofton subjektin.
d) Subjekti duhet të plotësojë mangësitë brenda 21 ditëve kalendarike nga data e njoftimit të vendimit të pezullimit.
dh)Nëse mangësitë nuk plotësohen brenda këtij afati, aplikimi refuzohet.
68/9. Certifikimi i kodit NVE për subjektet ekzistuese:
a) Subjektet e regjistruara në regjistrin tregtar përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi dhe që nuk janë të pajisura me certifikatën e kodit NVE nga Dhoma Ekonomike Kombëtare (DHEK) janë të detyruara të aplikojnë për pajisjen me këtë certifikatë.
b) Subjektet duhet të depozitojnë certifikatën e kodit NVE në Regjistrin Tregtar, nëpërmjet portalit “e-Albania” brenda 1 viti kalendarik, duke filluar nga data e bërjes efektive dhe plotësimit të kushteve që lidhen me anën teknike të sistemit dhe ndërveprimin ndërinstitucional.
c) Aplikimi për depozitimin e certifikatës kryhet nëpërmjet shërbimit elektronik përkatës në portalin “e-Albania” dhe shoqërohet me certifikatën e lëshuar nga DHEK-u.
ç) Në rast se certifikata e kodit NVE përmban ndryshime në klasifikimin e objektit të veprimtarisë së subjektit, subjekti është i detyruar të përditësojë kodet përkatëse në formularin elektronik të aplikimit në regjistrin tregtar.
d) Në rast mosdepozitimi të certifikatës së kodit NVE brenda afatit të përcaktuar në shkronjën “b”, të këtij neni, sistemi i regjistrit tregtar vendos automatikisht statusin e subjektit “i pezulluar”, deri në përmbushjen e këtij detyrimi.
dh)Pas depozitimit të certifikatës së kodit NVE, statusi i subjektit rikthehet në status aktiv.
KREU IX/4. “DEKLARIMI I VENDNDODHJES SË USHTRIMIT TË VEPRIMTARISË DHE PËRDORIMI I TË DHËNAVE GJEOHAPËSINORE”
68/10. Në momentin e regjistrimit fillestar në regjistrin tregtar, subjekti deklaron vendndodhjen e ushtrimit të veprimtarisë, duke specifikuar adresën e plotë të vendit/selisë ku ushtron veprimtarinë. Deklarimi i adresës së subjektit kryhet nëpërmjet formularit elektronik të aplikimit në portalin “e-Albania”, në përputhje me strukturën e të dhënave të përcaktuara nga sistemi i regjistrit tregtar.
68/11. Për qëllime të verifikimit administrativ dhe identifikimit të saktë të vendndodhjes së ushtrimit të veprimtarisë, sistemi elektronik i regjistrimit të Qendrës Kombëtare të Biznesit gjeneron ose regjistron koordinatat gjeografike (GPS) të adresës së deklaruar nga subjekti.
68/12. Koordinatat gjeografike (GPS) gjenerohen, regjistrohen ose verifikohen elektronikisht nga platforma e regjistrimit të QKB-së në ndërveprim me sistemet shtetërore të informacionit gjeohapësinor, në përputhje me standardet dhe specifikimet teknike të miratuara nga Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor.
68/13. Përpunimi dhe përdorimi i koordinatave gjeografike kryhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
68/14. Në rast ndryshimi të vendndodhjes së ushtrimit të veprimtarisë, subjekti është i detyruar të aplikojë për regjistrimin e ndryshimit pranë regjistrit tregtar dhe të deklarojë adresën e re.
68/15. Gjatë regjistrimit të ndryshimit të adresës, sistemi elektronik i regjistrimit përditëson automatikisht koordinatat gjeografike (GPS) të vendndodhjes së re, të deklaruar nga subjekti.
68/16. Sistemi elektronik i regjistrit tregtar ruan të dhënat gjeohapësinore të subjekteve të regjistruara si pjesë e të dhënave identifikuese të regjistrit tregtar.
68/17. Specifikimet teknike për gjenerimin dhe administrimin e koordinatave gjeografike (GPS), si dhe ndërveprimi ndërinstitucional me sistemet shtetërore të informacionit gjeohapësinor përcaktohen nga               QKB-ja në bashkëpunim me ASIG-un.
Kreu IX/5. “EKSTRAKTET E REGJISTRIT TREGTAR DHE DOKUMENTACIONI SHOQËRUES”.
68/18. Ekstraktet e regjistrit tregtar:
a) Qendra Kombëtare e Biznesit konfirmon të dhënat e regjistruara në regjistrin tregtar nëpërmjet lëshimit të ekstrakteve të regjistrit tregtar në format elektronik.
b) Ekstraktet e regjistrit tregtar lëshohen pa pagesë dhe mund të gjenerohen:
i. në faqen zyrtare elektronike të QKB-së; ose
ii. nëpërmjet portalit “e-Albania”, të pajisura me vulë elektronike.
c) Kërkesa për pajisje me ekstrakt të regjistrit tregtar mund të paraqitet nga:
i. subjekti të cilit i përkasin të dhënat; ose
ii. çdo personi tjetër të interesuar, pa kufizim.
68/19. Ekstrakti i thjeshtë i regjistrit tregtar përmban të dhënat bazë të subjektit, të cilat përfshijnë:
a) numrin unik të identifikimit të subjektit (NUIS);
b) emrin e subjektit;
c) formën ligjore;
ç)  datën e regjistrimit dhe datën e themelimit;
d) kohëzgjatjen e shoqërisë, kur është e përcaktuar;
dh)adresën e zyrës qendrore;
e) statusin e subjektit;
ë) kapitalin e regjistruar;
f) objektin e veprimtarisë, sipas të dhënave të regjistrit tregtar;
g) të dhëna bazë mbi organet përfaqësuese, pjesëmarrësit në kapital dhe administratorët, në masën që këto pasqyrohen në regjistrin tregtar.
gj) identifikuesin EUID;
h) informacionin nëse personat e autorizuar për të përfaqësuar subjektin mund ta përfaqësojnë atë individualisht apo kërkohet përfaqësim i përbashkët.
68/20. Informacioni mbi çdo degë të hapur nga subjekti në një shtet tjetër anëtar, duke përfshirë emrin, numrin e regjistrimit, EUID-in dhe shtetin anëtar, ku është regjistruar dega. Përveç ekstraktit të thjeshtë, QKB-ja lëshon edhe ekstrakt historik, i cili përmban të dhëna të zgjeruara të subjektit, duke përfshirë çdo të dhënë ose informacion të regjistruar nga data e regjistrimit të subjektit deri në datën e lëshimit të ekstraktit.
68/21. Kërkesa për pajisje me ekstrakt historik paraqitet nëpërmjet portalit “e-Albania” nga subjekti ose nga çdo person tjetër i interesuar pa kufizim dhe pa pagesë.
68/22. Dokumentacioni shoqërues:
a) Qendra Kombëtare e Biznesit lëshon vërtetime të dokumenteve shoqëruese që gjenden në regjistrin tregtar, si kopje të njëjta me dokumentet elektronike të depozituara në regjistër.
b) Dokumentet shoqëruese mund të lëshohen në format shkresor si kopje të njëjta me dokumentin elektronik që gjendet në regjistrin tregtar.
c) Për dokumentacionin që lidhet me regjistrimet e një subjekti dhe historikun e tij në regjistrin tregtar, QKB-ja lëshon kopje të dokumenteve shoqëruese si kopje të vërtetuara të të dhënave të regjistruara.
ç) Kërkesa për pajisje me dokumentacion shoqërues mund të paraqitet nga subjekti, të cilit i përkasin të dhënat ose nga çdo person tjetër i interesuar, nëpërmjet portalit “e-Albania”.
d) Kur kërkesa paraqitet nga një person i interesuar, i ndryshëm nga subjekti, kërkuesi deklaron arsyen e përdorimit për qëllime informimi, pa përbërë kusht pengues për pajisjen me dokumentacionin.
dh) Dokumentacioni shoqërues i kërkuar nga persona të tretë vihet në dispozicion nga QKB-ja brenda 10 (dhjetë) ditëve punë nga momenti i pagesës së tarifës së shërbimit.
e) Tarifa e shërbimit për lëshimin e dokumenteve shoqëruese përcaktohet në vendimin nr.503, datë 1.8.2007, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e tarifave për shërbimet funksionale të Qendrës Kombëatre të Regjistrimit”, të ndryshuar.
ë) Kur kërkesa për dokumentacion shoqërues paraqitet nga subjekti të cilit i përkasin të dhënat ose nga institucionet publike, dokumentet vihen në dispozicion pa pagesë dhe në çdo kohë.
f) Në rastet kur të dhënat dhe dokumentet e depozituara në regjistrin tregtar vihen në dispozicion të publikut, të dhënat personale i nënshtrohen anonimizimit përpara publikimit ose dhënies së aksesit, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.”.
II. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”, me përjashtim të dispozitave të kreut IX/1, të kreut IX/2, si dhe të pikës 38, shkronja “dh”, që lidhen me funksionimin e sistemit të ndërlidhjes së regjistrave tregtarë të Bashkimit Evropian (BRIS), të cilat hyjnë në fuqi pas anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, pa cenuar afatet e veçanta të hyrjes në fuqi, të përcaktuara në pikën III, të këtij vendimi.
III. Dispozitat e kreut VIII, kreut IX/3, të kreut IX/4 dhe të kreut IX/5 me përjashtim të shkronjës “gj”, të pikës  68/19, dhe të fjalisë së parë të                        pikës 68/20, hyjnë në fuqi më 1 janar 2027 dhe zbatohen pas plotësimit të kushteve teknike të sistemit dhe të ndërveprimit ndërinstitucional.
IV. Kërkesat dhe procedurat që preken nga ky projektakt do të zbatohen pas përmirësimit të sistemit të QKB-së.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.896, DATË 29.12.2022,                          TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN,              PËR INTERES PUBIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE                                 TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “RISHIKIMI I PROJEKTIT                                      PËR SEGMENTIN RRUGOR TË VAZHDIMIT TË UNAZËS                             SË MADHE TIRANË NGA SHESHI SHQIPONJA – BULEVARDI                    I RI” DHE “RIKUALIFIKIMI I UNAZËS LINDORE” PËR LOTET 4, 5, 6”, (FAZA 2)”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të                                ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.896, datë 29.12.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Rishikimi i projektit për segmentin rrugor të vazhdimit të Unazës së Madhe të Tiranës nga Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri” dhe “Rikualifikimi i Unazës Lindore për lotet 4, 5, 6”, (Faza 2)”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
a) Në pikën 3, togfjalëshi “… prej 181 310 655,4 (njëqind e tetëdhjetë e një milionë e treqind e dhjetë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë e pesë pikë katër) lekësh.” zëvendësohet me “… prej 182 882 647.3 (njëqind e tetëdhjetë e dy milionë e tetëqind e tetëdhjetë e dy mijë e gjashtëqind e dyzet e shtatë pikë tre) lekësh.”.
b) Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 182 882 647.3 (njëqind e tetëdhjetë e dy milionë e tetëqind e tetëdhjetë e dy mijë e gjashtëqind e dyzet e shtatë pikë tre) lekësh, përballohet, si më poshtë vijon:
a) Vlera prej 143 632 865.70 (njëqind e dyzet e tre milionë e gjashtëqind e tridhjetë e dy mijë e tetëqind e gjashtëdhjetë e pesë pikë shtatëdhjetë) lekësh përballohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
b) Vlera prej 39 249 781.6 (tridhjetë e nëntë milionë e dyqind e dyzet e nëntë mijë e shtatëqind e tetëdhjetë e një pikë gjashtë) lekësh përballohet nga buxheti i shtetit, llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.”.
c) Në tabelën bashkëlidhur vendimit, të dhënat për shpronësim të numrit rendor 6 zëvendësohen me të dhënat për shpronësim, sipas tabelës, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Shpenzimet procedurale, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
3. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Rurale 1, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
          Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PROCEDURAVE DHE TË KRITEREVE PËR NDARJEN E ÇMIMEVE KOMBЁTARE, KATEGORITË E ÇMIMEVE DHE MASËN E SHPËRBLIMIT FINANCIAR PËR VULLNETARËT                  E VITIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 40, të                           ligjit nr.94/2025, “Për vullnetarizmin”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Ky vendim përcakton procedurat dhe kriteret për ndarjen e çmimeve, kategoritë e çmimeve dhe masën e shpërblimit financiar për vullnetarët e vitit në Republikën e Shqipërisë.
2. “Vullnetarët e vitit” janë individët që kanë dhënë kontribut të veçantë në veprimtarinë vullnetare gjatë vitit kalendarik, të përzgjedhur në përputhje me këtë vendim.
II. KATEGORITË E ÇMIMEVE DHE KRITERET E PËRZGJEDHJES
1. Çmimet për vullnetarët e vitit ndahen çdo vit në këto kategori:
a) Çmimi i vullnetarit për kontribut të shquar në veprimtari vullnetare afatgjatë;
b) Çmimi i vullnetarit për kontribut të shquar në veprimtari vullnetare afatshkurtër.
 Për çdo kategori shpallet 1 (një) fitues.
2. Përzgjedhja e fituesve bazohet në këto kritere:
a) Ndikimi dhe kontributi në komunitet (40 pikë), ku vlerësohen:
• ndikimi i veprimtarisë vullnetare në përmirësimin e mirëqenies së komunitetit dhe adresimin e nevojave sociale;
• ndikimi i veprimtarisë vullnetare në nxitjen e pjesëmarrjes aktive të të rinjve, zhvillimin e aftësive të tyre dhe forcimin e përfshirjes sociale;
• kontributi në promovimin e kulturës së vullnetarizmit dhe angazhimit qytetar në komunitet;
b) Përkushtimi, qëndrueshmëria dhe vazhdimësia e angazhimit (30 pikë);
c) Integriteti dhe respektimi i parimeve etike (30 pikë).
III. DOKUMENTACIONI, AFATET DHE PROCEDURAT
1. Ofruesit e vullnetarizmit paraqesin çdo vit pranë institucionit përgjegjës për çështjet e punësimit dhe aftësive listën e kandidatëve të propozuar për ҫdo kategori, të shoqëruar me raportin e aktivitetit që provon aktivitetin dhe arritjet e tyre për vitin paraardhës. Formulari tip për aplikim jepet në shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Afati për paraqitjen e nominimeve është deri më 31 mars të çdo viti.
3. Institucioni përgjegjës për çështjet e punësimit dhe aftësive krijon një Komision Vlerësimi, i përbërë nga:
a) Një përfaqësues i ministrisë përgjegjëse për çështjet e punësimit;
b) Dy përfaqësues të institucionit përgjegjës për punësimin dhe aftësitë.
4. Komisioni shqyrton kandidaturat dhe përzgjedh fituesit në bazë të kritereve të këtij vendimi.
5. Komisioni i paraqet drejtorit të përgjithshëm të institucionit përgjegjës për çështjet e punësimit dhe aftësive raportin përfundimtar të vlerësimit dhe listën e fituesve për miratim.
6. Procesi i vlerësimit përfundon brenda datës 30 prill të çdo viti.
7. Lista e fituesve publikohet në faqen zyrtare të institucionit përgjegjës për punësimin dhe aftësitë.
IV. MASA E SHPËRBLIMIT
Masa e shpërblimit financiar për secilin fitues të çmimeve të vullnetarëve të vitit është:
a) 100 000 (njëqind mijë) lekë për fituesin e ҫmimit sipas shkronjës “a”, të pikës 1, të kreut II, të këtij vendimi;
b) 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë për fituesin e ҫmimit sipas shkronjës “b”, të pikës 1,  të kreut II, të këtij vendimi.
V. DISPOZITA TË FUNDIT
1. Financimi i shpërblimeve përballohet nga fondet e miratuara në buxhetin vjetor të institucionit përgjegjës për punësimin dhe aftësitë.
2. Një individ nuk mund të shpallet fitues i çmimit për dy vite radhazi brenda të njëjtës kategori.
3. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.