Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 22 Janar 2025:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E BUXHETIT PËR DREJTORINË E PËRGJITHSHME  TË PRONËSISË INDUSTRIALE, PËR VITIN 2025
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 189/c, të ligjit nr.9947, datë 7.7.2008, “Për pronësinë industriale”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e buxhetit për Drejtorinë e Përgjithshme të Pronësisë Industriale, për vitin 2025, sipas tabelës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
HEQJEN NGA FONDI PYJOR PUBLIK, NDRYSHIMIN E KATEGORISË SË PËRDORIMIT DHE PAKËSIMIN NË VOLUM   TË SIPËRFAQES PREJ 2.09 HA NË EKONOMINË PYJORE “ZARANIKË”, TË BASHKISË ELBASAN, PËR NDËRTIMIN  E RRUGËS “GJERGJ ARIANITI” NGA BASHKIA ELBASAN
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “b”, të pikës 4, të                nenit 5, të ligjit nr.57/2020, “Për pyjet”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Heqjen nga fondi pyjor publik, ndryshimin e kategorisë së përdorimit dhe pakësimin në volum të një sipërfaqeje prej 2.09 (dy pikë zero nëntë) ha, pjesë e ngastrave nr.124a, dhe 124c, të ekonomisë pyjore “Zaranikë”, që do të përdoret nga Bashkia Elbasan, për realizimin e projektzbatimit të rrugës “Gjergj Arianiti”, sipas lejes së zhvillimit, të miratuar nga Bashkia Elbasan, me nr.3991/1, datë 25.10.2024, listës së ngastrave, të paraqitura në                  lidhjen nr.1, si dhe planvendosjes me koordinatat përkatëse, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Struktura përgjegjëse për pyjet në Bashkinë Elbasan ka detyrimin:
a) të shënojë në terren poligonin me sipërfaqen pyjore, objekt i ndërtimit, e cila hiqet nga fondi pyjor publik;
b) të bëjë vlerësimet për pasuritë e tjera pyjore, që hiqen gjatë kryerjes së punimeve dhe të mbajë aktet përkatëse;
c) të monitorojë rehabilitimin e sipërfaqes pyjore, objekt ndërtimi, sipas planit të rehabilitimit dhe vlerësimit të ndikimit në mjedis paraprak.
3. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, Bashkia Elbasan ka detyrimin të rehabilitojë sipërfaqen dhe të pyllëzojë me fondet e veta një sipërfaqe prej 4.44 (katër pikë dyzet e katër) ha në ngastrat e përcaktuara nga struktura e menaxhimit të pyjeve të bashkisë ose të paguajë paraprakisht kostot e përllogaritura për pyllëzimin kompensues përkatës, si rezultat i ndryshimit të destinacionit të përdorimit të fondit pyjor, sipas legjislacionit në fuqi.
4. Bashkia Elbasan kryen pranë Drejtorisë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Elbasan veprimet për regjistrimin e sipërfaqes së hequr nga fondi pyjor publik, sipas parashikimeve të këtij vendimi, nga kategoria “pyll”, dhe e regjistron në kategorinë e re përkatëse të përdorimit, në pronësi publike.
5. Bashkia Elbasan bën ndryshimet në regjistrin kadastral të fondit pyjor për sipërfaqet, objekt i ndërtimit të rrugës, në përputhje me kërkesat e                         vendimit nr.171, datë 18.3.2022, të Këshillit të Ministrave,  “Për ngritjen e bazës së të dhënave për Regjistrin Kombëtar të Fondit Pyjor dhe Regjistrin e Fondit Kullosor, përcaktimin e strukturës, kritereve teknike për evidentimin dhe pasqyrimin e gjendjes dhe të ndryshimeve, mënyrës së mbajtjes së të dhënave në nivel vendor, rajonal e qendror, informacionit që duhet regjistruar, si dhe të afateve të përgatitjes e raportimit nga administratorët ose pronarët e pyjeve”.
6. Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Elbasan bën ndryshimin e kategorisë së përdorimit në të dhënat e regjistrit kadastral për sipërfaqen e përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi.
7. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Bashkia Elbasan, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Elbasan për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN KUVENDIT PËR EMËRIMIN E NJË ANËTARI TË KËSHILLIT DREJTUES TË AUTORITETIT TË KOMUNIKIMEVE ELEKTRONIKE DHE POSTARE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 14, të ligjit nr.54/2024, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin Kuvendit për emërimin e z. Gentian Sala anëtar të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.719, DATË 13.12.2023,   “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE    TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE,                 NË FUNKSION TË PROCESIT TË RINDËRTIMIT, NË ZONËN    E RE PËR ZHVILLIM NË NJËSINË ADMINISTRATIVE NR.11, UNIVERSITETI BUJQËSOR I TIRANËS, BASHKIA TIRANË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të     ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, dhe të vendimit nr.7, datë 6.1.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për kushtet dhe procedurat për shpronësimet dhe/ose shkëmbimin e pronës për interes publik në funksion të procesit të rindërtimit”, të ndryshuar, me propozimin  e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në pikat 3 dhe 4, të vendimit nr.719, datë 13.12.2023, të Këshillit të Ministrave, vlera “… 133 968 072.50 (njëqind e tridhjetë e tre milionë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e tetë mijë e shtatëdhjetë e dy pikë pesëdhjetë) lekë …” zëvendësohet me “… 133 945 087.5 (njëqind e tridhjetë e tre milionë e nëntëqind e dyzet e pesë mijë e tetëdhjetë e shtatë pikë pesë) lekë …”.
2. Të dhënat e numrit rendor 1, në tabelën bashkëlidhur vendimit, zëvendësohen me të dhënat në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Shpenzimet procedurale shtesë, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga buxheti i Bashkisë Tiranë.
4. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E STANDARDEVE PËR ZONAT DHE PARCELAT    E TOKËS, NË TË CILAT DO TË LEJOHET KULTIVIMI I BIMËS  SË CANNABIS-IT PËR QËLLIME MJEKËSORE DHE INDUSTRIALE
Në mbështetje të neneve 100 të Kushtetutës, të shkronjës “c”, të pikës 2, të                 nenit 9, të ligjit nr.61/2023, “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në këtë vendim, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a) “Standardet”, tërësia e kërkesave dhe kritereve që duhet të kenë zonat dhe parcelat e tokës për kultivimin e cannabis-it për qëllime mjekësore dhe industriale;
b) “Parcelë e tokës”, sipërfaqe e kufizuar e tokës, përfituar me aktin e fitimit të pronësisë, e cila do të përdoret për kultivimin e bimës së cannabis-it për qëllime mjekësore ose industriale, në zbatim të përcaktimeve të ligjit nr.61/2023, “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”;
c) “Ambient i mbrojtur”, një mjedis kultivues dhe i mbuluar, i cili krijon kushte të favorshme për rritjen e bimëve, duke mbrojtur ato nga ndikimet atmosferike të jashtme, si ndryshimet ekstreme të temperaturës, era apo reshjet e shiut. Ky ambient lejon depërtimin e rrezatimit diellor dhe zakonisht përfshin struktura, si sera ose tunele plastike, që ofrojnë një shkallë të caktuar kontrolli mbi temperaturën, lagështinë dhe dritën, në përputhje me udhëzimet e praktikat e mira të bujqësisë dhe të mbledhjes (GACP) të Agjencisë Evropiane të Barnave;
ç) “Ambient i mbyllur”, një mjedis plotësisht kultivues, i mbuluar dhe i izoluar nga ndikimet e jashtme atmosferike, i cili ofron kushte të favorshme për rritjen e bimëve, pa depërtimin e rrezatimit natyror diellor. Ky lloj ambienti përdor ndriçim artificial e sisteme kultivuese për parametrat, si: drita, lagështia, temperatura, ventilimi dhe për ndikimin e faktorëve të tjerë të jashtëm, duke siguruar kushte optimale për kultivimin, në përputhje me udhëzimet e praktikat e mira bujqësore dhe të grumbullimit (GACP) të Agjencisë Evropiane të Barnave;
d) “Zonë”, tërësia e parcelave të tokës, ku kultivohet bima e cannabis-it për qëllime mjekësore ose industriale;
dh) “Terren kultivues ose substrakt kultivues”, një material ose përzierje materialesh, natyrore ose të prodhuara, që siguron mbështetje fizike dhe furnizim me ushqyes për rritjen e  bimëve, që mund të përfshijë tokë natyrale, torfë, perlit, vermikulit, fibra kokosi apo substrakte të tjera, që krijojnë kushte të përshtatshme për rritjen e bimëve në një ambient kultivues, duke lejuar rregullimin e lagështisë, ajrimit dhe ushqyesve.
2. Standardet për zonat dhe parcelat e tokës për kultivimin e bimës së                    cannabis-it për qëllime mjekësore janë:
a) parcelat e tokës, pjesë e njësisë së prodhimit, që nuk mund të shtrihen brenda kufirit të zonave:
i. të mbrojtura e të zonave me përparësi zhvillimin e turizmit, të shpallura si të tilla me vendim të Këshillit të Ministrave;
ii. të pyjeve, kullotave dhe livadheve;
iii. ushtarake;
iv. të përcaktuara si sistem urban në dokumentet e planifikimit vendor të territorit.
b) parcelat e tokës, pjesë e njësisë së prodhimit, që duhet të jenë në largësi prej të paktën 3 (tre) km, në rrugë ajrore nga parqet e bletëve, të miratuara sipas legjislacionit për bletarinë;
c)  parcelat e tokës, pjesë e njësisë së prodhimit, që duhet të jenë në largësi prej të paktën 3 km në rrugë ajrore nga zonat ushtarake dhe pasuritë/pronat në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes;
ç)  përqendrimi i metaleve të rënda në tokë apo në terrene kultivuese (substrakte kultivuese), ku kultivohet cannabis-i për qëllime mjekësore, që nuk duhet të kalojë vlerat maksimale, të përcaktuara në shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
d) toka apo terrenet kultivuese (substraktet kultivuese), ku kultivohet cannabis-i mjekësor, që duhet të plotësojnë standardet e parashikuara në udhëzuesit për praktikat e mira bujqësore e të grumbullimit të Agjencisë Evropiane të Barnave dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë, si dhe në standardet e parashikuara nga Organizata Ndërkombëtare për Standardizim (ISO).
3. Standardet për zonat dhe parcelat e tokës për kultivimin e bimës së                 cannabis-it për qëllime industriale janë:
a) parcelat e tokës, pjesë e njësisë së prodhimit, që nuk mund të shtrihen brenda kufirit të zonave:
i. të mbrojtura dhe të zonave me përparësi zhvillimin e turizmit, të shpallura si të tilla me vendim të Këshillit të Ministrave;
ii. të pyjeve, kullotave dhe livadheve;
iii. ushtarake;
iv. të përcaktuara si sistem urban nga dokumentet e planifikimit vendor të territorit.
b) parcelat e tokës, pjesë e njësisë së prodhimit, që duhet të jenë në largësi prej të paktën 3 (tre) km në rrugë ajrore nga parqet e bletëve, të miratuara sipas legjislacionit për bletarinë;
c) parcelat e tokës, pjesë e njësisë së prodhimit, që duhet të jenë në largësi prej të paktën 3 (tre) km në rrugë ajrore nga zonat ushtarake dhe pasuritë/pronat në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes.
4. Në rastet kur, për ushtrimin e aktivitetit parashikohet kryerja e ndërhyrjeve ndërtimore në parcelën e tokës, pjesë e njësisë së prodhimit, ndërtimi kryhet sipas përcaktimeve të legjislacionit të planifikimit dhe zhvillimit të territorit.
5. Në rastet, kur parcela e tokës përdoret për kultivimin e cannabis-it për qëllime mjekësore apo industriale, ajo duhet të jetë e pajisur me aktin e fitimit të pronësisë, në zbatim të përcaktimeve të Kodit Civil dhe të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”.
6. Standardet e parashikuara në pikat 2, shkronjat “a”, nënndarja “iv”, dhe “b”, e 3,  shkronjat “a”, nënndarja “iv”, dhe “b”, të këtij vendimi, nuk aplikohen kur kultivimi kryhet në ambiente të mbyllura.
7. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it dhe subjektet e licencuara dhe me leje për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
PJESËMARRJEN E FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË OPERACIONIN USHTARAK “INTERFLEX”  NË MBRETËRINË E BASHKUAR TË BRITANISË SË MADHE DHE IRLANDËS SË VERIUT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 7, të ligjit nr.9363,                               datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “ç”, të nenit 11, të ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pjesëmarrjen në operacionin ushtarak ndërkombëtar “Interflex” në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut të 8 (tetë) ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
2. Misioni është trajnimi i rekrutëve të rinj të Ukrainës, komandantëve të skuadrave deri në nivel toge për përdorimin e armëve të këmbësorisë, të xhenios, dhënien e ndihmës së parë, lidership, luftë në qendra të banuara dhe taktikë.
3. Venddislokimi është në bazën Wretham, Norfolk, Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut.
4. Kohëzgjatja e këtij misioni është 1 (një) vit, afat që fillon të llogaritet nga data e dërgimit të personelit të parë në mision. Periudha e qëndrimit në mision, për çdo përfaqësues, është me sistem rotacioni në çdo 6 (gjashtë) muaj, periudhë së cilës i shtohen edhe ditët e qëndrimit për ndërrimin me kontingjentin e radhës (marrje dhe dorëzim detyre, vonesa të transportit strategjik).
5. Ministria e Mbrojtjes, për ushtarakët pjesëmarrës në këtë operacion, përballon shpenzimet për:
a) dieta për ditët e qëndrimit, në masën 12 000 (dymbëdhjetë mijë) lekë në ditë, përveç pagës mujore;
b) sigurimin e jetës;
c) siguracionin shëndetësor jashtë zonës së operacionit;
ç) mbështetjen shëndetësore;
d) shërbime interneti;
dh) transportimin e individëve të shkëputur nga misioni për në atdhe, në rast vdekjeje, sëmundjeje ose thyerje disipline;
e) aktivitete social-kulturore, në rastet e festave kombëtare, gjatë kohës së kryerjes së misionit;
ë) çdo shpenzim tjetër për mbarëvajtjen e kryerjes së operacionit.
6. Transporti i personelit, që shërben në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, ndërsa nis, ndryshon dhe përfundon detyrën për t’u kthyer në Shqipëri, mbështetja shëndetësore, akomodimi, ushqimi dhe lavanderia përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, me përjashtim të rasteve, ku do të arrihet nënshkrimi i marrëveshjes dy- ose shumëpalëshe, ku pala tjetër merr përsipër përballimin e këtyre shpenzimeve.
7. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes.
8. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PROGRAMIT TË REFORMAVE EKONOMIKE (ERP) 2025-2027
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e Programit të Reformave Ekonomike (ERP) 2025-2027, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË PROTOKOLLIT   SHTESË 7 PËR ZGJIDHJEN E MOSMARRËVESHJEVE    TË MARRËVESHJES PËR AMENDIMIN DHE ADERIMIN NË MARRËVESHJEN E TREGTISË SË LIRË TË EVROPËS QENDRORE, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.9696, DATË 21.3.2007
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të protokollit shtesë 7 për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të marrëveshjes për amendimin dhe aderimin në marrëveshjen e tregtisë së lirë të Evropës Qendrore, ratifikuar me ligjin nr.9696, datë 21.3.2007, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE  TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKUALIFIKIMI URBAN  I BLLOKUT “LORD BAJRONI” – “RIZA CUKA” – “PANDI DARDHA” – “DRITAN HOXHA”, BASHKIA TIRANË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të       ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikualifikimi urban i bllokut “Lord Bajroni” – “Riza Cuka” – “Pandi Dardha” – “Dritan Hoxha”, Bashkia Tiranë”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Tiranë.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 14 840 576 (katërmbëdhjetë milionë e tetëqind e dyzet mijë e pesëqind e shtatëdhjetë e gjashtë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 14 840 576 (katërmbëdhjetë milionë e tetëqind e dyzet mijë e pesëqind e shtatëdhjetë e gjashtë) lekësh, përballohet nga buxheti i Bashkisë Tiranë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Bashkisë Tiranë.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Tiranë.
8. Bashkia Tiranë kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Tiranë.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Tirana Veri, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Tiranë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tirana Veri, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.250, DATË 24.4.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE,  TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË BRENDSHME”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, e 13, të                  ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, bashkëlidhur vendimit nr.250, datë 24.4.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë Brendshme”, të ndryshuar, shtohet prona me emërtimin “Komisariati i Policisë Ersekë”, ndodhur në zonën                    kadastrale 1594, me numër pasurie 3/124, Kolonjë, sipas formularit, 1 (një) fletë, dhe planrilevimit, 1 (një) fletë, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
 PËR
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2025,  MIRATUAR PËR KOMISIONIN QENDROR TË ZGJEDHJEVE,  PËR ORGANIZIMIN E ZGJEDHJEVE PËR KUVEND TË DATËS 11 MAJ 2025
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të pikёs 3, tё nenit 14, të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në buxhetin e miratuar për vitin 2025, i shtohet fondi prej 2 500 000 000 (dy miliardë e pesëqind milionë) lekësh, për organizimin e zgjedhjeve për Kuvend të datës 11 maj 2025, i cili detajohet, si më poshtë vijon:
– 2 460 000 000 (dy miliardë e katërqind e gjashtëdhjetë milionë) lekë, në zërin “Shpenzime korrente”, në programin buxhetor 01620 “Zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale”;
– 40 000 000 (dyzet milionë) lekë, në zërin “Shpenzime kapitale”, në programin buxhetor 01620 “Zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale”.
2. Efekti financiar, i përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, përballohet nga fondi për zgjedhjet e përgjithshme, miratuar për vitin 2025.
3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.