Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 22 Korrik 2021:
V E N D I M
PËR
KRITERET E DHËNIES SË BURSAVE PËR SHTETASIT E HUAJ ME ORIGJINË SHQIPTARE, PËR TË STUDIUAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË, NGA AGJENCIA KOMBËTARE E DIASPORËS PËR VITIN AKADEMIK 2021-2022
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “ë”, të nenit 5, të ligjit nr.16/2018, “Për diasporën”, të ndryshuar, dhe të nenit 11, të ligjit nr.115/2017, “Për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Diasporës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Diasporën, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien e 9 (nëntë) bursave për shtetasit e huaj me origjinë shqiptare, të cilët përfitojnë bursa studimi nga Republika e Shqipërisë për vitin akademik 2021-2022.
2. Bursa e studimit për shtetasit e huaj me origjinë shqiptare përfshin mbulimin financiar për tarifën e studimeve, si dhe shpenzimet e akomodimit e të ushqimit për kohëzgjatjen e vitit akademik, në masën e përcaktuar në aneksin 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Për vitin akademik 2021-2022 të akordohen 9 (nëntë) bursa për shtetasit e huaj me origjinë shqiptare, për të studiuar në Republikën e Shqipërisë për vendet, si më poshtë vijon:
a) 2 (dy) bursa studimi për shtetasit e huaj me origjinë shqiptare nga Ukraina;
b) 2 (dy) bursa studimi për shtetasit e huaj me origjinë shqiptare të komunitetit arbëresh në Itali;
c) 2 (dy) bursa studimi për shtetasit e huaj me origjinë shqiptare në Kroaci;
ç) 2 (dy) bursa studimi për shtetasit e huaj me origjinë shqiptare nga Bullgari;
d) 1 (një) bursë studimi për shtetasit e huaj me origjinë shqiptare nga Turqia.
4. Misionet diplomatike dhe postet konsullore të Republikës së Shqipërisë, të akredituara në vendet e përmendura në pikën 3, të këtij vendimi, bëjnë propozimet për kandidatët për përfitimin e bursës për shtetasit e huaj me origjinë shqiptare për vitin akademik 2021-2022. Ato janë përgjegjëse për dërgimin e dokumentacionit të kërkuar për kandidatët përfitues të bursës.
5. Dokumentacioni që do të paraqitet nga aplikantët duhet të jetë i legalizuar në përputhje me legjislacionin që rregullon njohjen dhe përdorimin e dokumenteve zyrtare të lëshuara jashtë vendit.
6. Kriteret bazë për përfitimin e bursës që duhet të plotësojë aplikanti janë, si më poshtë vijon:
a) Të ketë mbaruar arsimin e mesëm të lartë me një mesatare të përgjithshme mbi 8 (tetë) ose të barasvlershme me të;
b) Të mos jetë i diplomuar në një program studimi të të njëjtit cikël studimi që aplikon;
c) Të jetë kandidat për student nga shtetasit e huaj me origjinë shqiptare nga vendet për të cilat ofrohen bursa, sipas pikës 3, të këtij vendimi.
7. Kriteret për përfitimin e bursave, sipas programeve ku do të studiojnë shtetasit e huaj me origjinë shqiptare, përcaktohen me marrëveshje ndërmjet Agjencisë Kombëtare të Diasporës (AKD) dhe Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL). Për ndjekjen e procesit dhe vlerësimin përfundimtar të dokumenteve të kandidatëve, të cilët do të përfitojnë bursë studimi, institucionin e arsimit të lartë dhe programin e studimit, ku do të studiojnë, krijohet Komisioni i Bursave për Diasporën, me urdhër të përbashkët të ministrit përgjegjës për diasporën, ministrit përgjegjës për arsimin dhe ministrit përgjegjës për Evropën dhe Punët e Jashtme. Ai përbëhet nga 3 (tre) anëtarë, të cilët do të propozohen nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (1 anëtar), Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (1 anëtar) dhe Agjencia Kombëtare e Diasporës (1 anëtar).
8. Agjencia Kombëtare e Diasporës të mbulojë tarifën për ndjekjen e këtij kursi.
9. Financimi i bursave në zbatim të këtij vendimi, për vitin akademik 2021-2022, ka një vlerë prej 71 520 (shtatëdhjetë e një mijë e pesëqind e njëzet) eurosh. Ky financim do të përballohet nga buxheti i Agjencisë Kombëtare të Diasporës.
10. Ngarkohen ministri i Shtetit për Diasporën dhe Agjencia Kombëtare e Diasporës për zbatimin e këtij vendimi
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E ÇMIMEVE TË SHITJES DHE TË KATEGORIVE, QË PËRFITOJNË FALAS TEKSTET E BOTUARA NGA QENDRA E BOTIMEVE PËR DIASPORËN, “TREGIME TË MOÇME SHQIPTARE” DHE REVISTA LETRARE “LETRA NGA DIASPORA”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “a”, të nenit 5, të ligjit nr.16/2018, “Për diasporën”, të ndryshuar, të shkronjës “gj”, të nenit 21, të ligjit nr.9616, datë 27.9.2006, “Për librin në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe në vijim të pikave 10, shkronja “dh”, e 19, të vendimit nr.469, datë 26.7.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Qendrës së Botimeve për Diasporën”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Diasporën, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e çmimeve të shitjes të teksteve të botuara nga Qendra e Botimeve për Diasporën, botimi dygjuhësh “Tregime të moçme shqiptare” dhe revista letrare “Letra nga diaspora”, sipas listës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, me qëllim mundësimin e ruajtjes, të zhvillimit e të mësimit të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë.
2. Kategoritë, që i përfitojnë falas tekstet e botuara nga Qendra e Botimeve për Diasporën, janë nxënësit dhe mësuesit, sipas përcaktimeve në vendimin nr.443, datë 26.6.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për organizimin e procesit mësimor dhe përzgjedhjen e arsimtarëve në diasporë”.
3. Botimi dygjuhësh “Tregime të moçme shqiptare” dhe revista letrare “Letra nga diaspora”, të botuara nga Qendra e Botimeve për Diasporën, duhet të jenë të pajisura me logon e këtij institucioni.
4. Çmimi i teksteve të botuara nga Qendra e Botimeve të Diasporës “Tregime të moçme shqiptare” dhe “Letra nga diaspora” vendoset në kopertinat përkatëse, në përputhje me listën nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
5. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi, ku përfshihen botimi, ambalazhimi dhe shpërndarja, përballohen nga buxheti i miratuar për Qendrën e Botimeve për Diasporën, për vitin 2021.
6. Ngarkohet Qendra e Botimeve për Diasporën për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E ÇMIMEVE DHE TË KATEGORIVE QË PËRFITOJNË FALAS TEKSTET E BOTUARA NGA QENDRA E BOTIMEVE PËR DIASPORËN, PËR VITIN SHKOLLOR 2021–2022
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 5, të nenit 10, të ligjit nr.16/2018, “Për diasporën”, të ndryshuar, të ligjit nr.9616, datë 27.9.2006, “Për librin në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, dhe në zbatim të pikës 19, të vendimit nr.469, datë 26.7.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Qendrës së Botimeve për Diasporën”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Diasporën, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Me qëllim mbështetjen e mësimit të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë, Qendra e Botimeve për Diasporën boton, siguron dhe shpërndan për kategoritë që përfitojnë falas tekstet shkollore për vitin shkollor 2021–2022, sipas listës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Kategoritë, që përfitojnë falas tekstet shkollore të botuara, të siguruara nga Qendra e Botimeve për Diasporën, janë nxënësit dhe mësuesit, sipas përcaktimeve të vendimit nr.443, datë 26.6.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për organizimin e procesit mësimor dhe përzgjedhjen e arsimtarëve në diasporë”.
3. Tekstet shkollore të botuara, të siguruara nga Qendra e Botimeve për Diasporën, duhet të jenë të pajisura me logon dhe pullën me hologram përkatëse.
4. Çmimet e teksteve shkollore për mësimdhënien në diasporën shqiptare vendosen në kopertinën e tyre, në përputhje me listën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
5. Efektet financiare të këtij vendimi, ku përfshihen botimi, ambalazhimi dhe shpërndarja, të përballohen nga buxheti i miratuar për Qendrën e Botimeve për Diasporën.
6. Ngarkohen ministri i Shtetit për Diasporën dhe Qendra e Botimeve për Diasporën për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE ME SHKËMBIM LETRASH TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS EVROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT TË BYPASS-EVE TË RRUGËS SË FIERIT DHE VLORËS, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.8/2012
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 12, 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim letrash të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit të bypass-eve të rrugës së Fierit dhe Vlorës, ratifikuar me ligjin nr.8/2012, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË GRANTIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË TURQISË, PËR PËRMBYTJET DHE VËRSHIMET E UJËRAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë, për përmbytjet dhe vërshimet e ujërave, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
PROCEDURAT E PËRZGJEDHJES, MËNYRAT E KONTRAKTIMIT, FORMAT DHE KUSHTET E PËRGJITHSHME TË KONTRATËS PËR NDËRTIMIN E BANESAVE NË ZONAT E ZHVILLUARA ME QËLLIM STREHIMIN
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 52, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Objekti dhe rregullat e përgjithshme
1. Objekti i këtij vendimi është të rregullojë procedurat e përzgjedhjes dhe të kontraktimit të subjekteve private që do të hyjnë në marrëveshje me njësitë e vetëqeverisjes vendore për ndërtimin e banesave në zonat e zhvilluara me qëllim strehimin, sipas formave të përcaktuara në shkronjat “a” dhe “c”, të pikës 2, të nenit 52, të ligjit nr.22/2018.
2. Njësitë e vetëqeverisjes vendore analizojnë paraprakisht dhe bëjnë planifikimin e zonave që do të zhvillohen për strehim në territorin e tyre, mbështetur në planin e detajuar vendor të zhvillimit urban të miratuar ose, në mungesë të tij, në planin e përgjithshëm vendor, në nevojat për ndërtim banesash në përgjithësi dhe ato sociale në veçanti, si edhe në fondet e përcaktuara për të përballuar zhvillimin e zonës me të ardhurat e veta.
3. Me miratimin e planit të detajuar vendor ose, në mungesë të tij, planin e përgjithshëm vendor, struktura përgjegjëse në njësinë e vetëqeverisjes vendore identifikon pronësinë e tokës në zonën që do të zhvillohet me qëllim strehimi.
4. Njësitë e vetëqeverisjes vendore ngrenë një grup pune që do të kryejë studimin paraprak për hartimin e termave të referencës të projekteve për zhvillimin e zonës/ave me qëllim strehimin. Në përbërje të këtij grupi pune janë ekspertë nga strukturat e njësisë së vetëqeverisjes vendore që janë përgjegjëse për strehimin, buxhetin, urbanistikën, pronat. Studimi paraprak i përgatitur nga grupi i punës bazohet në:
a) planin e përgjithshëm dhe atë të detajuar vendor të zhvillimit urban;
b) nevojat dhe kërkesat për banesa në treg dhe nevojat për banesa sociale;
c) koston totale dhe atë për metër katror të ndërtimit për realizimin e projektit sipas parametrave urbanë të zonës;
ç) vlerësimin, me ekspertë të licencuar për vlerësimin e pasurisë së paluajtshme, të vlerës së truallit dhe të truallit me infrastrukturë dhe vlerën dysheme të këmbimit të truallit me sipërfaqe ndërtimi.
5. Mbështetur në analizën e kryer nga grupi i punës i ngritur për studimin e zonës që do të zhvillohet për strehim, sipas pikës 2, të këtij kreu, me qëllim shtimin e fondit publik të banesave sociale, njësia e vetëqeverisjes vendore vlerëson nëse ka mundësi financiare për ta realizuar me të ardhurat e veta zhvillimin e zonës, ose ka nevojë për bashkëpunim dhe bashkëfinancim nga subjekte private ose nga buxheti i shtetit.
II. Procedura e përzgjedhjes së subjektit privat në rastin e shkëmbimit të truallit në pronësi të njësisë së vetëqeverisjes vendore me sipërfaqe ndërtimi
1. Procedura në rastin e financimit të banesave nga subjekti privat në truallin në pronësi të njësisë së vetëqeverisjes vendore, me qëllim shkëmbimin e vlerës së truallit me sipërfaqe ndërtimi, sipas shkronjës “a”, të pikës 2, të nenit 52, të ligjit nr.22/2018, kryhet vetëm me konkurrim për:
a) ndërtimin e objektit sipas projektit të parapërgatitur nga njësia e vetëqeverisjes vendore ose;
b) projektin e ndërtimit/zhvillimit të përgatitur nga subjekti privat së bashku me ndërtimin e objektit.
2. Procedura konkurruese synon që trualli në pronësinë e njësisë së vetëqeverisjes vendore të shkëmbehet me sipërfaqe ndërtimore sipas vlerës më të lartë të shkëmbimit, kur ndërtimi realizohet me financim të subjekteve private.
3. Thirrja për konkurrim botohet në Buletinin e Njoftimeve Publike, në website-in e njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe përmban, si më poshtë vijon:
a) Qëllimin e thirrjes, ku jepet përshkrimi i ndërtimit dhe projektit që synohet të realizohet,
b) Objektin e kontratës dhe kohëzgjatjen e saj;
c) Kërkesat për kualifikim në lidhje me kapacitetet administrativo-ligjore, teknike dhe ekonomike-financiare;
ç) Specifikimet lidhur me projektin në rastin kur është parapërgatitur nga njësia e vetëqeverisjes vendore ose kur kërkohet të përgatitet nga subjekti privat;
d) Vendndodhjen e zonës ku do të realizohet investimi dhe kushtet zhvillimore, sipas kuptimit të legjislacionit mbi planifikimin dhe zhvillimin e territorit;
dh) Përqindjen e llogaritur të sipërfaqes së ndërtimit që i takon njësisë së vetëqeverisjes vendore në këmbim të truallit në pronësi të saj, llogaritur sipas shkronjës “ç”, të pikës 4, të kreut I, të këtij vendimi, e cila përdoret si nivel ‘dysheme’ në vlerësimin e ofertave;
e) Formularin e ofertës, i cili plotësohet nga kandidatët/ofertuesit dhe përmban konfirmimin e kandidatit/ofertuesit se ai/ajo e ka pranuar përmbajtjen e dokumenteve të procedurës konkurruese dhe deklarimin se çdo e dhënë e rreme përbën shkak ligjor për skualifikim të kandidatit/ofertuesit;
ë) Vendin, datën dhe orën për dorëzimin e ofertave dhe hapjen e tyre;
f) Metodologjinë e vlerësimit për përzgjedhjen e ofertës më të mirë, si dhe kriteret e shpalljes së fituesit;
g) Informacionin për sa i përket procedurës së rishikimit dhe dorëzimit të ankesave.
4. Pas përfundimit të afatit të dorëzimit të ofertave, kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore nxjerr urdhrin për fillimin e procedurave për përzgjedhjen e zhvilluesit, ku përcaktohen:
a) njësia përgjegjëse për organizimin e procedurave konkurruese dhe përgatitjen e dokumentacionit, që përbëhet nga jo më pak se 3 (tre) persona me të paktën 1 (një) jurist në përbërjen e saj; dhe
b) Komisioni i Vlerësimit të Ofertave (Komisioni), i cili përbëhet nga kryetari dhe katër anëtarë: një inxhinier/arkitekt, një ekonomist, një jurist, dhe një specialist nga struktura përgjegjëse për strehimin. Anëtarë të Komisionit caktohen persona të cilët nuk ndodhen në kushtet e konfliktit të interesit. Kryetar i Komisionit është nënkryetari i bashkisë.
5. Kriteret për kualifikim janë të grupuara, si më poshtë vijon:
A) Kriteret administrativo-ligjore:
a) Çdo kandidat/ofertues për të marrë pjesë në procedurat e vlerësimit do të kualifikohet pasi të dorëzojë ekstraktin e Regjistrit Tregtar për të Dhënat e Subjektit, si dhe ekstraktin mbi historikun e subjektit, të lëshuara nga Qendra Kombëtare e Biznesit, dhe vërtetimin e lëshuar nga administrata tatimore, me qëllim që të bëhet verifikimi për përmbushjen e kritereve të mëposhtme:
i. Të mos jetë në proces falimentimi dhe likuidimi të shoqërisë tregtare;
ii. Të mos jetë dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për vepra që lidhen me veprimtarinë profesionale;
iii. Të mos jetë debitor për pagimin e detyrimeve tatimore, në përputhje me legjislacionin shqiptar ose me dispozitat e zbatueshme në shtetin e origjinës;
B) Kriteret teknike që lidhen me eksperiencën në ndërtime për banesa dhe objekte të ngjashme të realizuara dhe të përfunduara me sukses; licencat profesionale që lidhen me ekzekutimin e punimeve sipas objektit të kontratës; kualifikimet arsimore dhe profesionale të stafit përgjegjës për drejtimin e punimeve.
C) Kriteret financiare që lidhen me qëndrueshmërinë financiare të subjektit konkurrues, e cila vërtetohet me kopje të certifikuara të bilanceve të 3 (tre) viteve të fundit, të paraqitura në autoritetet përkatëse edhe raportet e auditit financiar, të certifikuara nga një subjekt i licencuar auditimi dhe kopje të deklaratave të xhiros vjetore për 3 (tre) vitet e fundit.
6. Kriteret për vlerësim janë:
a) Kur NJVV-ja kërkon në thirrjen për konkurrim që projekti të paraqitet së bashku me ofertën për këmbimin e truallit me ndërtim vlerësimi bëhet, si më poshtë:
i. Deri në 30 (tridhjetë) pikë për zgjidhjen teknike, ku vlerësohen zgjidhjet e qëndrueshme dhe efiçente për ndërtimin dhe shfrytëzimin e objektit; shkalla e performancës energjetike të godinës; përdorimi i materialeve dhe teknologjive qarkulluese/ricikluese;
ii. Jo më pak se 70 (shtatëdhjetë) pikë për përqindjen më të lartë të shkëmbimit të vlerës së truallit në pronësi të njësisë së vetëqeverisjes vendore me sipërfaqe ndërtimi.
b) Kur projekti është hartuar nga njësia e vetëqeverisjes vendore vlerësimi bëhet për përqindjen më të lartë të shkëmbimit të sipërfaqes së ndërtimit që do të sigurohet në këtë formë bashkëpunimi.
7. Njësia përgjegjëse për hartimin e dokumenteve të konkurrimit që do të përdoren gjatë procedurave të përzgjedhjes së zhvilluesit, parashikuar në shkronjën “a”, të pikës 4, të kreut II, përgatit dokumentacionin e nevojshëm për konkurrim, si më poshtë vijon:
a) Formulari i sigurimit të ofertës në formën e një depozite apo garancie, të lëshuar nga një bankë ose një shoqëri sigurimi e licencuar nga shteti për të ushtruar këtë aktivitet, i cili parashikon masën prej 3 (tre) për qind të vlerës së truallit, të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave. Sigurimi i ofertës duhet të jetë pa kushte dhe i vlefshëm për 150 (njëqind e pesëdhjetë) ditë nga afati përfundimtar për dorëzimin e ofertave.
b) Formulari i njoftimit të fituesit. Pas përzgjedhjes kandidati/ofertuesi fitues njoftohet me shkrim duke u informuar për emrin dhe adresën e saktë të kandidatit/ofertuesit të shpallur fitues, përshkrimin e projektit apo shërbimit të zhvilluesit, kohëzgjatjen e kontratës dhe vlerën e kontratës, termat e kontratës, emrat dhe vlerën e kandidatëve/ofertuesve të tjerë, emrat e kandidatëve/ofertuesve të skualifikuar dhe arsyet e skualifikimit, si dhe kërkesën për fillimin e negociimit të kontratës, me kusht që të jetë bërë sigurimi i kontratës në masën prej 10 (dhjetë) për qind të vlerës së kontratës.
c) Formulari i skualifikimit të ofertuesve përmban shkaqet kur një kandidat/ofertues nuk do të kualifikohet në procedurën konkurruese sepse oferta është e pavlefshme.
ç) Formulari i publikimit të termave kryesorë të kontratës me zhvilluesin përmban kushtet e përgjithshme dhe të veçanta të kontratës, objektin e kontratës dhe të drejtat e detyrimet që lidhen me ekzekutimin, mbikëqyrjen dhe administrimin e kontratës, të përcaktuara në kreun IV, të këtij vendimi.
8. Ofertat duhet të dorëzohen dorazi në adresën e përcaktuar në dokumentet e procedurës konkurruese dhe brenda afatit. Çdo ofertë e dorëzuar pas afatit të përcaktuar do t’i kthehet e pahapur ofertuesit.
9. Ofertat do të dorëzohen në dy zarfe të vulosura me vulën e kandidatit/ofertuesit pjesëmarrës në konkurrim, ku në njërin duhet të jetë shënuar “Origjinal” dhe te tjetri “Kopje”. Mosparaqitja sipas përcaktimit bën që oferta të skualifikohet dhe dokumentacioni nuk do t’i kthehet kandidatit/ofertuesit.
10. Afati për paraqitjen e ofertave është jo më pak se 30 (tridhjetë) ditë kalendarike nga data në të cilën është botuar formulari për njoftimin e kontratës.
11. Hapja e ofertave është publike dhe bëhet nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, duke lexuar në prani të kandidatëve/ofertuesve emrin dhe adresën e secilit prej tyre. Pasi hap zarfin, lexon me zë të lartë dokumentet e kualifikimit administrativo-ligjor, teknik dhe financiar. Më pas, hap ofertat teknike dhe ofertat financiare. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave u komunikon përfaqësuesve ditën, vendin dhe orën për klasifikimin përfundimtar të kandidatëve/ofertuesve.
12. Bazuar në ofertat e pranuara, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga fillimi i procedurës së konkurrimit harton renditjen përfundimtare. Nëse më shumë se një ofertë ka të njëjtën numër pikësh, atëherë fituesi do të përcaktohet me short, në prani të kandidatëve/ofertuesve. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga përfundimi i vlerësimit, përgatit raportin përmbledhës dhe ia propozon fituesin titullarit të institucionit përgjegjës.
13. Konkurruesit e skualifikuar nga konkurrimi ose jofitues kanë të drejtën e ankimit kundër vendimeve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, brenda 7 (shtatë) ditëve nga dita e nesërme e punës nga data kur ankimuesi është vënë në dijeni ose duhet të ishte vënë në dijeni për vendimin, pa cenuar të drejtën e ankimit të tyre në Gjykatën Administrative. Ankimi paraqitet te kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore, i cili ngre një komision për shqyrtimin e ankesave. Komisioni i shqyrtimit të ankesave merr vendim dhe kthen përgjigje brenda 7 (shtatë) ditëve nga marrja e saj.
14. Njësia e vetëqeverisjes vendore fton kandidatin/ofertuesin e shpallur fitues të fillojë procedurat e negociimit të kontratës menjëherë pas publikimit të njoftimit të fituesit, të cilat përfundojnë jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga përfundimi i afatit të publikimit.
III. Procedura në rastin e bashkëfinancimit për ndërtimin e banesave në zonat e zhvilluara me qëllim strehimi
1. Bashkëpunimi ndërmjet njësive të vetëqeverisje vendore dhe subjekteve private për bashkëfinancimin e ndërtimit mbi truall privat, mbështetur në shkronjën “c”, të pikës 2, të nenit 52, të ligjit nr.22/2018, realizohet me njërën prej formave:
a) Me kërkesën e subjektit privat për leje ndërtimi/zhvillimi mbi truallin në pronësi private;
b) Me thirrjen publike të njësisë së vetëqeverisjes vendore për shprehjen e interesit të subjekteve private për ndërtim.
A) Procedura me kërkesë të subjektit privat për leje ndërtimi/zhvillimi mbi truallin në pronësi private.
2. Procedura me kërkesë zhvillohet në rastet e bashkëfinancimit të investimit për zhvillimin e zonës me qëllim strehimi në troje që janë në pronësi private, mbështetur në kërkesën e subjektit privat për leje zhvillimi dhe ndërtimi, të parashikuara nga legjislacioni për planifikimin dhe zhvillimin e territorit dhe rregullorja përkatëse.
3. Struktura përkatëse në njësinë e vetëqeverisjes vendore, përgjegjëse për shqyrtimin e kërkesave për leje zhvillimi/ndërtimi, njofton menjëherë strukturën përgjegjëse për strehimin dhe atë përgjegjëse për buxhetin vendor, duke i vënë në dispozicion dokumentacionin tekniko-ekonomik të objektit në mënyrë që të vlerësohen mundësitë e bashkëfinancimit.
4. Kur strukturat përgjegjëse sipas pikës 3, të këtij kreu, vlerësojnë se bashkëfinancimi nga të ardhurat e bashkisë është i mundur, brenda 3 (tri) ditëve pune i paraqesin raportin kryetarit të njësisë së vetëqeverisjes vendore për vendimmarrje.
5. Kryetari i njësisë ngre menjëherë një komision negociimi, në përbërje të të cilit janë jo më pak se 3 (tre) specialistë me profil ekonomist, jurist dhe arkitekt ose inxhinier. Komisioni i propozon zhvilluesit mundësinë e bashkëfinancimit. Nëse zhvilluesi bie dakord për bashkëfinancimin, llogaritja e sipërfaqes së ndërtimit që i takon secilit prej bashkëfinancuesve ndahet sipas përqindjes së financimit pasi janë zbritur sipërfaqet që i takojnë pronarit të tokës dhe 3% kontribut për bashkinë.
B) Procedura e përzgjedhjes me thirrje për shprehje interesi nga subjekte private për bashkëfinancim
6. Procedura e përzgjedhjes me ftesë publike për shprehje interesi nga subjektet private për bashkëfinancim zbatohet kur njësia e vetëqeverisjes vendore ka në dispozicion fonde investimi për banesa sociale, por nuk disponon truall në pronësi të saj për ndërtim dhe synon integrimin e familjeve në nevojë nëpërmjet përzierjes sociale.
7. Shpallja e ftesës publike për shprehje interesi nga subjekte private për bashkëfinancim bëhet nëpërmjet shpalljes në një kënd të posaçëm për njoftimet në selinë e organit dhe në degët ose në zyrat e tij vendore, si dhe në çdo vend ku mendohet se do të merret dijeni nga palët e interesuara. Shpallja qëndron e publikuar për shtatë ditë rresht në median e shkruar dhe vizive me shikueshmërinë ose tirazhin më të lartë të botimit brenda vendit dhe në faqen e internetit të njësisë së vetëqeverisjes vendore, në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare vendore dhe Buletinin e Njoftimeve Publike.
8. Thirrja përmban shumën e fondeve që njësia e vetëqeverisjes vendore ka në dispozicion për investimin në banesa sociale dhe sipërfaqen minimale që pret përkundrejt kësaj shume. Sipërfaqja minimale përcaktohet si raport i shumës së fondeve që do të vërë në dispozicion bashkia dhe vlerës mesatare të shitblerjes së banesave në njësinë vendore përkatëse.
9. Në rastin kur thirrjes publike i përgjigjen më shumë se një zhvillues/investitor, njësia e vetëqeverisjes vendore vendos për të bashkëfinancuar subjektin që ofron kombinimin më të mirë të parametrave, si më poshtë vijon:
a) Sipërfaqen më të madhe të ndërtimit;
b) Vendndodhjen më të përshtatshme.
IV. Kushtet e përgjithshme të kontratës për ndërtimin e banesave në zonat e zhvilluara me qëllim strehimin
1. Kontrata e shkëmbimit, sipas shkronjës “a”, të nenit 52, të ligjit nr.22/2018, dhe kreut II, të këtij vendimi, dhe ajo e bashkëfinancimit për ndërtimin e banesave në zonat e zhvilluara me qëllim strehimin, sipas shkronjës “c”, të pikës 2, të nenit 52, të ligjit nr.22/2018, dhe kreut III, të këtij vendimi, lidhet ndërmjet kryetarit të njësisë së vetëqeverisjes vendore ose personit të autorizuar prej tij dhe përfaqësuesit ligjor të subjektit privat zhvillues/investitor dhe përmban:
a) objektin e punimeve që do të kryhen për ndërtimin dhe zhvillimin e truallit për strehim;
b) afatin e kryerjes së punimeve;
c) të drejtat dhe detyrimet e palëve;
ç) përcaktimin e pronësisë mbi truallin në momentin e lidhjes së kontratës dhe raportet e pronësisë mbi ndërtesën dhe truallin pas ndërtimit dhe zhvillimit;
d) të dhënat që identifikojnë vendndodhjen e njësive në objekt (si hyrja, kati, orientimi) që do të përfitohen nga njësia e vetëqeverisjes vendore;
dh) rastet e mosmarrëveshjeve dhe drejtimi tek organet kompetente mbi mospërmbushjen e detyrimeve;
e) të drejtat e palëve për të monitoruar punët që duhet të kryhen dhe shërbimet që duhet të jepen nga zhvilluesi;
ë) çdo kufizim ose kusht të zbatueshëm për transferimin e të drejtave dhe të detyrimeve të ndërtuesit, sipas kontratës;
f) përcaktimin e risqeve që lidhen me ndërtimin, të cilat rëndojnë mbi zhvilluesin privat nga zbatimi i kontratës mbështetur në parashikimet e Kodit Civil për kontratën e sipërmarrjes. Përcaktimi i rrezikut mbështetet në parimin që rreziku rëndon mbi palën që është në pozitë më të mirë për të përballuar riskun dhe/ose për të minimizuar pasojat e tij, duke u kujdesur për balancimin e fitimeve dhe humbjeve në mënyrë të drejtë mes palëve kontraktore;
g) mosmarrëveshjet që do të ndeshen si pasojë e moszbatimit të kontratës/ave ndërmjet institucionit publik dhe subjektit privat do të zgjidhen sipas dispozitave ligjore në fuqi.
2. Është pjesë përbërëse e kontratës edhe planvendosja e objektit, e hartuar nga eksperti topograf i licencuar dhe i konfirmuar nga njësia e vetëqeverisjes vendore nën juridiksionin e së cilës është territori që do të shpallet zona, ku të jenë përcaktuar qartë sipërfaqja e truallit gjithsej, sipërfaqja nën ndërtesë, si dhe planimetria e detajuar e objekteve në qoftë se ka. Kostot për hartimin e planit të detajuar përballohen nga njësia e vetëqeverisjes vendore.
3. Kontrata e bashkëfinancimit për ndërtimin e banesave në zonat e zhvilluara me qëllim strehimin, e parashikuar në shkronjën “c”, të pikës 2, të nenit 52, të ligjit nr.22/2018, dhe kreu III, i këtij vendimi, në rastin kur paraqitet kërkesa për leje zhvillimi ose ndërtimi, në truallin, pronë e subjekteve private, përveç elementeve standarde të kontratës, parashikuar në pikën 1, të kreut IV, të këtij vendimi përmban edhe:
a) vlerën e kontratës (shuma e shprehur në shifra dhe fjalë), e cila përfaqëson shumën e bashkëfinancimit të njësisë së vetëqeverisjes vendore si dhe metodën e pagesës;
b) detyrimin e njësisë së vetëqeverisjes vendore për moskrijimin e vonesave në kryerjen e financimit;
c) detyrimin e subjektit privat për t’i dorëzuar njësisë së vetëqeverisjes vendore sipërfaqen e ndërtimit, të konvertuar në njësi banimi sipas normave në fuqi, dhe marrëveshjes së dakordësuar.
4. Kontrata shkëmbimit për ndërtimin e banesave në zonat e zhvilluara me qëllim strehimin, nëpërmjet ndërtimit nga subjekti privat në truallin në pronësi të njësisë së vetëqeverisjes vendore në këmbim të përfitimit nga njësia vendore të një përqindjeje të caktuar sipërfaqe ndërtimi, të përshtatur në apartamente, sipas normave të strehimit, si kundërvlerë e vlerës së truallit të pajisur me infrastrukturë, mbështetur në shkronjën “a”, të pikës 2, të nenit 52, të ligjit nr.22/2018, dhe kreun II, të këtij vendimi, përveç elementeve standarde të kontratës, të parashikuar në pikën 1, të kreut IV, të këtij vendimi, përmban edhe:
a) mënyrën ose skemën e bashkëpunimit dhe të investimit;
b) përqindjet ose raportet e shkëmbimit të vlerës së truallit me sipërfaqe ndërtimi të konvertuar në apartamente sociale, sipas normave dhe standardeve të përcaktuara nga njësia e vetëqeverisjes vendore;
c) detyrimin e subjektit privat për të dorëzuar sipërfaqen e ndërtimit, të konvertuar në njësi banimi sipas normave në fuqi dhe, sipas rastit, sipërfaqet e mjediseve të shërbimit, në varësi të kushteve të rëna dakord në marrëveshje.
5. Kontratat, sipas pikës 1, të kreut IV, të këtij vendimi, lidhur mes palëve me akt noterial, regjistrohen në regjistrin kadastral, sipas procedurave të përcaktuara në nenin 50, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”. Me mbarimin dhe materializimin e objektit të ndërtuar dhe me pajisjen me certifikatën e përdorimit, në përputhje me kërkesat e ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, pronësia kalon në mënyrë të ndërsjellë në favor të njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe në favor të subjektit privat si mbi truallin, ashtu edhe mbi apartamentet sipas kushteve të përcaktuara ne kontratë.
6. Ngarkohen njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës me zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PROJEKTDOKUMENTIT TË PROGRAMIT BUXHETOR AFATMESËM 2022 –2024
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 25, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e projektdokumentit të programit buxhetor afatmesëm për periudhën 2022-2024, sipas dokumentit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RAPORTIT TË KATËRT PERIODIK KOMBËTAR PËR ZBATIMIN E PAKTIT NDËRKOMBËTAR PËR TË DREJTAT EKONOMIKE, SOCIALE DHE KULTURORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 25, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, dhe të pikës 1, të nenit 16, të paktit ndërkombëtar “Për të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore”, aderuar me ligjin nr.7511, datë 8.8.1991, “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e raportit të katërt periodik kombëtar për zbatimin e Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLORES PËR PARAPAKETIMET
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 35, të ligjit nr.126/2020, “Për metrologjinë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullores për parapaketimet, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Shfuqizimin e vendimit nr.1352, datë 3.10.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores për parapaketimet”.
3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë dhe Inspektorati i Mbikëqyrjes së Tregut për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “ZGJERIMI TERRITORIAL I VARREZAVE TË QYTETIT TË DURRËSIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Zgjerimi territorial i varrezave të qytetit të Durrësit”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Durrës.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen, në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasurinë e llojit “arë”, me një vlerë të përgjithshme prej 17 543 430 (shtatëmbëdhjetë milionë e pesëqind e dyzet e tre mijë e katërqind e tridhjetë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 17 543 430 (shtatëmbëdhjetë milionë e pesëqind e dyzet e tre mijë e katërqind e tridhjetë) lekësh, të përballohet nga buxheti i Bashkisë Durrës për vitin 2021.
5. Shpenzimet procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga Bashkia Durrës.
6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Durrës.
8. Bashkia Durrës të kryejë procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Durrës.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, të nisë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes se gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit dhe kalimi i pronësive në favor të shtetit për pasuritë e shpronësuara.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Durrës, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Durrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E TAVANEVE PËRFUNDIMTARE TË SHPENZIMEVE TË PROGRAMIT BUXHETOR AFATMESËM 2022 – 2024
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 23, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 11, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e tavaneve përfundimtare të shpenzimeve të programit buxhetor afatmesëm 2022-2024, sipas lidhjes nr.1 “Tavanet e ministrive dhe institucioneve buxhetore”, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen të gjitha njësitë e qeverisjes qendrore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE