Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 22 Nëntor 2017
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E DËMSHPËRBLIMIT FINANCIAR PËR ISH-TË DËNUARIT POLITIKË TË REGJIMIT KOMUNIST
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 9 e 10, të ligjit nr.9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e dëmshpërblimit financiar për ish-të dënuarit politikë, sipas listës “A. Dënim me Burg, Izolim në hetuesi, Izolim në institucion mjekësor”, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Masa e dëmshpërblimit për ish-të dënuarit politikë të bëhet me këste, sipas kritereve dhe kufijve të përcaktuar në nenin 12, të ligjit nr.9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar.
3. Shuma e llogaritur të transferohet në një llogari speciale në Bankën e Shqipërisë. Pagesa e dëmshpërblimit për secilin përfitues bëhet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në llogaritë personale të tyre, të hapura në bankat e nivelit të dytë, sipas përcaktimeve të ligjit nr.9831, datë 12.11.2017, të ndryshuar.
4. Ngarkohen ministri i Drejtësisë dhe ministri i Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË DOKUMENTIT NDRYSHUES TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT NDËRMJET SHQIPËRISË DHE SHOQATËS NDËRKOMBËTARE PËR ZHVILLIM (IDA) PËR PROJEKTIN “SIGURIA E DIGAVE”, TË RATIFIKUAR ME LIGJIN NR. 9965, DATË 24.7.2008
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 dhe 23 të ligjit nr.43/2016, datë 21.4.2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin, në parim, të dokumentit ndryshues të marrëveshjes së financimit ndërmjet Shqipërisë dhe Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA) për projektin “Siguria e digave”, të ratifikuar me ligjin nr.9965, datë 24.7.2008, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Vendimi nr.928, datë 28.12.2016, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin, në parim, të letërmarrëveshjes ndryshuese të Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Shqipërisë dhe Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA) për projektin “Siguria e digave””, të ratifikuar me ligjin nr.9965, datë 24.7.2008”, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË DOKUMENTIT NDRYSHUES TË MARRËVESHJES SË HUAS NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM (IBRD) PËR FINANCIMIN SHTESË TË PROJEKTIT “SIGURIA E DIGAVE”, TË RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.40/2012”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 dhe 23 të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin, në parim, të dokumentit ndryshues të marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD) për financimin shtesë të projektit “Siguria e digave”, të ratifikuar me ligjin nr.40/2012, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Vendimi nr.929, datë 28.12.2016, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin, në parim, të letërmarrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD) për financimin shtesë të projektit “Siguria e digave””, të ratifikuar me ligjin nr.40/2012”, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
EMËRIMIN E DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË AGJENCISË KOMBËTARE TË MJEDISIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 61, të ligjit nr.10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Edison Konomi emërohet Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KOMITETIT SHTETËROR PËR DIASPORËN
Në mbështetje të neneve 95, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shtetit për Diasporën, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ngritjen e Komitetit Shtetëror për Diasporën, këtu e në vijim Komiteti, si organ konsultativ i Këshillit të Ministrave për bashkërendimin e politikave e të veprimtarive shtetërore në fushën e diasporës.
2. Komiteti kryesohet nga Kryeministri dhe ka në përbërje të tij këta anëtarë:
a) Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme;
b) Ministrin e Brendshëm;
c) Ministrin e Financave dhe Ekonomisë;
ç) Ministrin e Drejtësisë;
d) Ministrin e Arsimit, Sportit dhe Rinisë;
dh) Ministrin e Kulturës;
e) Ministrin e Mjedisit dhe Turizmit;
ë) Ministrin e Shtetit për Diasporën;
f)Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë;
g) Kryetarin e Akademisë së Shkencave;
gj) Drejtorin e INSTAT-it.
3. Fusha e veprimtarisë së Komitetit përfshin:
a) përgatitjen e linjave orientuese për hartimin e politikave të reja aktive dhe përcaktimin e prioriteteve strategjike në fushën e diasporës;
b) propozimin e mekanizmave ligjorë dhe institucionalë për çështje që lidhen me përmirësimin e pozitës së anëtarëve të diasporës dhe mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të tyre në vendet ku jetojnë;
c) nxitjen dhe zhvillimin e dialogut për zbatimin e strategjisë, politikave dhe legjislacionit në fushën e zhvillimit të komuniteteve të diasporës;
ç) koordinimin dhe zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Diasporën;
d) mbështetjen dhe monitorimin e veprimtarisë së Agjencisë Kombëtare për Diasporën.
4. Komiteti mblidhet jo më pak se një herë në tre muaj dhe sa herë është e nevojshme, me kërkesë të Kryeministrit.
5. Në mbledhjet e Komitetit mund të ftohen të marrin pjesë dhe përfaqësues të grupeve parlamentare, të organeve të qeverisjes qendrore e vendore apo të institucioneve të tjera, pjesëmarrja e të cilëve çmohet e vlefshme për përmbushjen e misionit.
6. Veprimtaria e Komitetit mbështetet nga sekretariati teknik. Përbërja dhe detyrat e sekretariatit teknik përcaktohen me urdhër të Kryeministrit.
7. Urdhri nr.115, datë 11.5.2006, i Kryeministrit, “Për ngritjen dhe funksionimin e Komitetit Ndërministror të Migracionit”, shfuqizohet.
8. Ngarkohen anëtarët e Komitetit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E KONTRATËS, NDËRMJET MINISTRISË SË MBROJTJES SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE LOCKHEED MARTIN GLOBAL, INCORPORATED, SHBA, PËR BLERJEN E SISTEMIT TË INTEGRUAR TË VËZHGIMIT TË HAPËSIRËS AJRORE – FAZA I
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “a”, të pikës 1, të kreut III, të rregullores “Për procedurat që përdoren nga Ministria e Mbrojtjes për prokurimin e disa mallrave dhe shërbimeve të përjashtuara nga rregullat e përgjithshme të prokurimit publik”, të miratuar me vendimin nr.521,datë 8.8.2007, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurat e blerjes nga Ministria e Mbrojtjes të disa mallrave të përjashtuara nga rregullat e përgjithshme të prokurimit publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e kontratës, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe Lockheed Martin Global, Incorporated, SHBA, për blerjen e sistemit të integruar të vëzhgimit të hapësirës ajrore – Faza I, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KUSHTEVE DHE TË KËRKESAVE TEKNIKE QË DUHET TË PLOTËSOJË SUBJEKTI QË DO TË LICENCOHET PËR KATEGORINË “LOJËRA ELEKTRONIKE NË DISTANCË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 36, pika 9, dhe 70, pika 3, të ligjit nr.155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Ky vendim përcakton kushtet dhe kërkesat teknike që duhet të plotësojë subjekti që aplikon për t’u licencuar për kategorinë “Lojëra elektronike në distancë”.
2. “Lojëra elektronike në distancë”, për qëllime të këtij vendimi, janë lojërat e fatit on-line, ku lojtarët marrin pjesë nëpërmjet përdorimit të komunikimit në distancë, internetit, telefonit, por pa u kufizuar vetëm në to. Lojërat luhen në faqet zyrtare të internetit (web) të subjekteve të licencuara për kategorinë “Lojëra elektronike në distancë”.
3. Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, në vijim “Autoriteti”, është autoriteti i autorizuar për pajisjen e subjekteve me licencë për kategorinë “Lojëra elektronike në distancë”.
4. Fjalët dhe shprehjet e përdorura në këtë vendim do të kenë të njëjtin kuptim me atë të dhënë në ligj dhe aktet e tjera të dala në zbatim të tij, përveçse kur konteksti e kërkon apo kur, në përputhje me kontekstin e dhënë në këto akte, përcaktohet shprehimisht ndryshe.
5. Subjekti apo aksionarët e tij nuk mund të marrë/in pjesë drejtpërdrejt ose tërthorazi në një subjekt tjetër që aplikon për pajisjen me licencë në kategorinë “Lojëra elektronike në distancë”. Në rast se një gjë e tillë verifikohet, kjo do të sjellë refuzimin e të gjitha aplikimeve të këtij subjekti ose subjekteve ku ky i fundit apo aksionarët e tij bëjnë pjesë.
6. Autoriteti do të konsiderojë të licencuarin si pikën e vetme të kontaktit lidhur me çështjet që lidhen me licencën e dhënë.
7. Në çdo rast të transferimit të aksioneve të të licencuarit në kategorinë “Lojëra elektronike në distancë” merret miratimi paraprak i Autoritetit.
KREU II
APLIKIMI DHE FORMA E DOKUMENTEVE SHOQËRUESE
1. Aplikimi përbëhet nga tërësia e dokumenteve të përcaktuara në këtë vendim dhe nga çdo dokument apo informacion tjetër, të cilin Autoriteti e gjykon të nevojshëm t’ia kërkojë aplikantit gjatë shqyrtimit të aplikimit për pajisjen me licencë në kategorinë “Lojëra elektronike në distancë”.
2. Aplikimi kryhet me dorëzimin e kërkesës për pajisje me licencë pranë Autoritetit, së cilës i bashkëngjiten dokumentet shoqëruese, sipas parashikimeve të këtij vendimi.
3. Dokumentet shoqëruese duhet të dorëzohen në origjinal ose në kopje të njësuara me origjinalin dhe të jenë hartuar sipas formaliteteve të përcaktuara nga legjislacioni përkatës në fuqi.
4. Dokumentet shoqëruese, ku përfshihet edhe e gjithë korrespondenca, dhe dokumentet për këtë aplikim duhet të jenë në gjuhën shqipe. Aplikanti mund të depozitojë edhe dokumente në gjuhë të huaj, të shoqëruara me përkthimin e vërtetuar në gjuhën shqipe. Aktet zyrtare të juridiksioneve të huaja duhet të shoqërohen me përkthimin e vërtetuar në gjuhën shqipe dhe të legalizohen sipas ligjeve në fuqi dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë.
5. Aplikuesi do të përballojë të gjitha kostot, në lidhje me përgatitjen dhe dorëzimin e aplikimit, duke përfshirë, ndër të tjera, të gjitha kostot dhe shpenzimet në lidhje me përgatitjen e përgjigjeve të pyetjeve apo kërkesave për sqarime a takime të Autoritetit.
KREU III
KUSHTET, KËRKESAT TEKNIKE DHE DOKUMENTACIONI PËR PAJISJEN ME LICENCË PËR KATEGORINË “LOJËRA ELEKTRONIKE NË DISTANCË”
1. Çdo person juridik apo bashkim personash juridikë, vendas ose i huaj, që kërkon të pajiset me licencë në kategorinë “Lojëra elektronike në distancë”, duhet të përmbushë kriteret minimale, si më poshtë vijon:
a) Të jetë shoqëri aksionare, me seli në territorin e Republikës së Shqipërisë, e regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, në objektin e veprimtarisë të së cilës të pasqyrohet veprimtaria për lojëra fati në kategorinë “Lojëra elektronike në distancë”;
b) Shuma e kapitalit duhet të jetë jo më pak se 1 200 000 000 (një miliard e dyqind milionë) lekë;
c) Të deklarojë burimin e kapitalit që do të investohet për ushtrimin e veprimtarisë për kategorinë “Lojëra elektronike në distancë”;
ç) Subjekti aplikues ose, të paktën, njëri prej aksionarëve të tij të ketë përvojë në fushën e lojërave të fatit;
d) Të ketë kapacitetet e duhura financiare, administruese, organizative dhe besueshmërinë e aplikantit për t’u angazhuar me sukses në projekte të tilla;
dh) Të paraqesë kufizimet për ndryshimet e pronësisë së aksioneve për të licencuarit, në përputhje me parashikimet e këtij vendimi.
2. Për të vërtetuar plotësimin e kërkesave të parashikuara në pikën 1, të kreut III, të këtij vendimi, aplikuesi duhet të paraqesë këtë dokumentacion:
a) Kopje të noterizuar të certifikatës së regjistrimit me numrin unik të identifikimit të aplikuesit;
b) Statutin e shoqërisë dhe/ose aktin e themelimit;
c) Ekstrakt historik për të dhënat e subjektit, lëshuar nga Qendra Kombëtare e Biznesit, ku të vërtetohet se shoqëria është në status aktiv;
ç) Aplikuesi ose, të paktën, njëri prej aksionarëve të aplikuesit, që ka përvojë në fushën e lojërave të fatit, paraqet një listë të veprimtarive në fushën e lojërave të fatit, të shoqëruar me autorizimet, miratimet, licencat apo lejet, në bazë të të cilave i ushtron këto veprimtari;
d) Aplikuesi dhe aksionarët duhet të paraqesin dokumentacion për të vërtetuar origjinën e kapitaleve të tyre, të cilat do të investohet për ushtrimin e veprimtarisë;
dh) Vërtetim nga një institucion bankar, për të garantuar se subjekti ka kapacitetet e duhura financiare për të përmbushur detyrimet e garancisë pasurore, në favor të ministrisë përgjegjëse për financat dhe AMLF-së, në përputhje me nenet 19, shkronja “e”, dhe 47, pikat 1 e 2, të ligjit nr.155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
e) Aksionarët e shoqërisë, kur këta të fundit janë persona juridikë, duhet të paraqesin aktet e themelimit dhe statutet e tyre, së bashku me certifikatën, nga organi që mban regjistrin tregtar në vend, ku të jenë evidentuar emrat e aksionarëve të tyre, pronarët përfitues dhe përqindja që ata zotërojnë në kompani; emrat e aksionarëve që zotërojnë të drejta të veçanta; emrat e anëtarëve të organeve drejtuese si dhe të dhëna të tjera për organet drejtuese të tyre, në rast se kërkohet nga Autoriteti.
3. Nëse aksionarët e subjektit aplikues janë individë, ata duhet të paraqesin dokumentacionin, si më poshtë vijon:
a) Vërtetimin se individi nuk është i dënuar penalisht me vendim të formës së prerë dhe nuk është në ndjekje penale për vepra penale në fushën e krimit ekonomik, evazionit fiskal dhe/ose doganor, shpërdorim detyre, mitmarrje apo mitdhënie, vjedhje, trafik lëndësh narkotike apo armësh, eksplozivësh, mospagim gjobash apo për vepra të tjera penale, që kompromentojnë personin në nderin e personalitetin e tij;
b) Vërtetimin se individi nuk është në proces gjyqësor për vepra penale të parashikuara në shkronjën “a”, të kësaj pike;
c) Vërtetimin nga Zyra e Përmbarimit Gjyqësor se individi nuk është në proces ekzekutimi të detyrueshëm për detyrime pasurore të pashlyera;
Për vërtetimin e përmbushjes së këtyre kërkesave duhet të depozitohen dëshmi penaliteti, vërtetime nga gjykata, që nuk është në proces gjyqësor, nga prokuroria, që nuk është në procedim penal, dhe nga shërbimi përmbarimor, që nuk është në proces ekzekutimi të detyrueshëm.
ç) Aplikuesi duhet të paraqesë të dhëna financiare për kryerjen e biznesit të aksionarëve të aplikantit për tre vitet e fundit;
d) Aplikuesi duhet të dorëzojë dokumente për aksionarët e shoqërisë dhe të përfaqësuesit të saj, informacion për organet drejtuese, dokumente ku të vërtetohet se subjekti aplikant është me status aktiv dhe i padënuar penalisht, vërtetim që subjekti nuk është në procedura falimentimi. Aplikuesi duhet të dorëzojë, gjithashtu, edhe vërtetimet e lëshuara nga organet kompetente, sipas juridiksionit territorial për subjektin, si më poshtë vijon:
i. Se subjekti nuk është në ndjekje penale;
ii. Se subjekti nuk është në gjykim për vepra penale;
iii. Se subjekti nuk është në proces ekzekutimi të detyrueshëm për detyrime pasurore të pashlyera, nga Zyra e Përmbarimit Gjyqësor.
4. Përveç sa më lart, duhet të dorëzohet dhe dokumentacioni, si më poshtë vijon:
a) Dëshmi penaliteti, të dorëzuar nga aplikanti/administratorët dhe aksionarët e shoqërisë në momentin e aplikimit; vërtetime që nuk janë në proces gjyqësor apo që nuk janë dënuar penalisht me një vendim të formës së prerë për vepra penale në fushën e krimit ekonomik, evazionit fiskal dhe/apo doganor, shpërdorim detyre, mitmarrje apo mitdhënie, vjedhje, trafik lëndësh narkotike apo armësh, eksplozivësh, mospagim gjobash apo për vepra të tjera penale, që kompromentojnë personat në nderin e personalitetin e tyre. Në rastet kur aplikuesi, administratori apo aksionari janë persona fizikë/juridikë të huaj dhe këto dokumente/vërtetime nuk lëshohen nga institucionet përkatëse të origjinës, atëherë mjafton një deklaratë me shkrim;
b) Një marrëveshje paraprake, të paktën me njerën nga bankat e nivelit të dytë, me seli në territorin e Republikës së Shqipërisë, për arkëtimin, depozitimin dhe transferimin e pagesave;
c) Çdo informacion tjetër, të cilin Autoriteti i autorizuar e gjykon të nevojshëm t’ia kërkojë aplikantit për fushën e veprimtarisë në kategorinë “Lojëra elektronike në distancë”.
ç) Përveç dokumentacionit të sipërcituar, aplikuesi duhet të paraqesë një vetëdeklarim se nuk është në ndjekje penale si dhe një dokument që vërteton se subjekti aplikues ka shlyer:
– detyrimet fiskale, lëshuar nga administrata tatimore;
– të gjitha detyrimet e sigurimeve shoqërore, lëshuar nga administrata tatimore.
d) Deklaratën e subjektit aplikues, me anë të së cilës subjekti merr përsipër dhe garanton vërtetësinë e të dhënave dhe dokumenteve të paraqitura në dosje;
dh) Deklaratë që subjekti aplikues nuk rezulton debitor ndaj institucioneve shtetërore dhe ka shlyer detyrimet në përputhje me legjislacionin përkatës në fuqi;
e) Deklaratë se subjekti aplikues nuk ka në përbërjen e tij ortakë/aksionarë, përfaqësues ligjorë ose anëtarë të organeve drejtuese të veta, individë apo persona që kanë qenë ortakë/aksionarë, përfaqësues ligjorë apo anëtarë të organeve drejtuese të subjekteve të lojërave të fatit që rezultojnë debitorë ndaj institucioneve shtetërore;
ë) Deklaratë që subjekti aplikues nuk ka ortakë/aksionarë, përfaqësues ligjorë ose anëtarë të organeve drejtuese të veta, individë apo persona që kanë qenë ortakë /aksionarë, përfaqësues ligjorë apo anëtarë të organeve drejtuese të subjekteve të lojërave të fatit që rezultojnë të dënuar penalisht me një vendim gjyqësor të formës së prerë, për veprat penale të parashikuara në ligjin nr.155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
f) Draftrregulloren e lojës, të hartuar sipas kërkesave të nenit 23, të ligjit nr.155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
g) Përveç certifikatës së regjistrimit, që vërteton regjistrimin e subjektit, dokumentet që vërtetojnë kriteret e parashikuara në legjislacionin e lojërave të fatit dhe në këtë vendim duhet të jenë lëshuar/miratuar nga organet përkatëse, brenda 3 muajve të fundit nga data e aplikimit.
5. Autoriteti ka të drejtë të verifikojë çdo informacion dhe dokument të depozituar nga aplikuesi. Për këtë, aplikuesi përfshin në aplikimin e tij një autorizim, që autorizon Autoritetin për të bërë, pa asnjë kufizim, verifikimin e dokumentacionit dhe/ose të informacionit të dhënë në aplikim. Dështimi i aplikuesit për të dhënë një autorizim të tillë sjell refuzimin e aplikimit.
KREU IV
KËRKESA TEKNIKE
1. Subjekti aplikues duhet të paraqesë dokumente për kapacitetet organizative dhe administrative, si më poshtë vijon:
a) Deklaratë për fuqinë mesatare punëtore dhe për numrin e stafit drejtues;
b) Informacion për mjetet e pajisjet teknike që ka në dispozicion apo që mund t’i vihen në dispozicion aplikuesit, për të përmbushur detyrimet që rrjedhin nga licenca;
c) Informacion dhe të dhëna teknike për pajisjet elektronike që përdoren apo do të përdoren nga aplikanti, të cilat duhet të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare, me qëllim dhënien e aksesit AMLF-së në kohë reale në sistemin back office, për çdo transaksion që do të kryhet ndërmjet subjektit dhe lojtarëve, xhiron e fitimin si dhe çdo të dhënë që do të kërkohet nga Autoriteti.
2. Subjekti aplikues ose, të paktën, njëri prej aksionarëve të aplikuesit duhet të provojë se ka eksperiencë në fushën e lojërave të fatit, duke paraqitur një informacion të detajuar për këtë eksperiencë, të shoqëruar edhe me një listë të licencave, kualifikimeve dhe stafit kryesor të tij, si dhe çdo dokument tjetër mbështetës që vlerësohet si i nevojshëm.
3. Subjekti aplikues duhet të dorëzojë listën e deklaratave në lidhje me:
– software-in që përdor apo propozohen të përdoren;
– modele të licencave dhe certifikatave SSL që përdor apo propozohen të përdoren;
– çdo standard apo certifikim të njohur ndërkombëtarisht ISO 9001, 27001 etj.
4. Subjekti aplikues duhet të paraqesë pranë AMLF-së, për miratim, informacionin e detajuar lidhur me sistemin ku do të zhvillohen lojërat elektronike në distancë, ku të përfshihen:
a) platforma skematike e komunikimit server-klient;
b) siguria që do të instalohet për këtë sistem;
c) të dhënat e plota teknike për serverat, pajisjet në platformat-klient dhe të gjitha pajisjet e tjera që shërbejnë për rout-in, pajisjet për ruajtjen e informacionit (back up), DRC (Disaster Recovery), BCC (Business Continuity Center) dhe sigurinë e instaluar në këtë platformë.
5. Sistemi duhet të operojë mbi një server të monitorueshëm on-line nga AMLF-ja. Serveri në fjalë duhet të përmbushë të gjitha kushtet e nivelit të lartë të sigurisë të sistemeve mbrojtëse kundrejt ndërhyrjeve nga elemente të rrezikshme për dëmtimin e të dhënave dhe daljen jashtë pune të këtyre serverave.
6. Organizatori duhet të garantojë respektimin e parashikimeve të ligjit nr.155/2015, të ndryshuar, lidhur me monitorimin on-line nga Sistemi Qendror i Monitorimit On-line në momentin e funksionimit të tij.
KREU V
PROCEDURA E LICENCIMIT
1. Çdo aplikues duhet të përgatisë një kërkesë me shkrim pranë Autoritetit (AMLF), të shoqëruar me të gjithë dokumentacion e kërkuar në këtë vendim.
2. Dokumentacioni duhet të dorëzohet në dy kopje (origjinale dhe fotokopje).
3. Aplikuesi, që kërkon sqarime për kushtet dhe kërkesat teknike të parashikuara në ligjin për lojërat e fatit, aktet nënligjore në zbatim të tij apo këtë vendim, mund ta njoftojë me shkrim Autoritetin. Autoriteti merr në shqyrtim kërkesën e paraqitur nga aplikuesi dhe i kthen përgjigje brenda 5 ditëve kalendarike, nga paraqitja e kërkesës.
4. Autoriteti njofton subjektin lidhur me çdo kërkesë që mund të ketë apo dokumentacion shtesë, që e gjykon si të nevojshëm. Ai mund të thërrasë aplikantin për informacion më të detajuar.
5. Autoriteti merr dosjen në shqyrtim brenda 30 ditëve, nga data e depozitimit të dokumentacionit. Ky afat nuk mund të zgjatet më shumë se 15 ditë kalendarike.
6. Autoriteti njofton me shkrim aplikuesin për pranimin ose refuzimin e aplikimit brenda afatit të parashikuar më sipër.
7. Në rast refuzimi, aplikuesi ka të drejtë, brenda 30 ditëve nga data që ka marrë njoftim apo nga data kur ka marrë dijeni për njoftimin e refuzimit, të bëjë ankesë te ministri përgjegjës për financat, i cili duhet të kthejë përgjigje brenda 30 ditëve, nga data e marrjes së ankimit. Vendimi i ministrit është përfundimtar nga ana administrative.
8. Në rast të pranimit të aplikimit, AMLF-ja informon subjektin për miratimin e kërkesës për licencim dhe fton aplikuesin të:
a) paguajë tarifën, sipas përcaktimeve të udhëzimit nr.3, datë 9.1.2017, të ministrit të Financave, “Për mënyrën dhe afatet për kryerjen e pagesës së tarifës së licencimit për secilën kategori të lojërave të fatit”;
b) bëjë ngurtësimin e fondit të garancisë për fituesin e lojërave të fatit si dhe të fondit të garancisë për shlyerjen e detyrimeve periodike ndaj institucioneve shtetërore, sipas përcaktimeve të nenit 47, të ligjit nr.155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Mosngurtësimi i fondeve të garancisë apo mospagesa e tarifës përbën shkak për pezullimin dhe/apo heqjen e licencës nga AMLF-ja.
KREU VI
DISPOZITA ZBATUESE
Ngarkohen Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES ME NDARJE PRODHIMI, PËR KËRKIMIN, ZHVILLIMIN DHE PRODHIMIN E HIDROKARBUREVE NË TOKË, NË SHQIPËRI, BLLOKU I VELÇËS, NDËRMJET “ALBPETROL”, SH.A. DHE “PENNINE PETROLEUM CORPORATION”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 13, të ligjit nr.7746, datë 28.7.1993, “Për hidrokarburet (kërkimi dhe prodhimi)”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e marrëveshjes me ndarje prodhimi, për kërkimin, zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në tokë, në Shqipëri, blloku i Velçës, ndërmjet “Albpetrol”, sh.a. dhe “Pennine Petroleum Corporation”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, NË KUADËR TË ANËTARËSIMIT NË BASHKIMIN EVROPIAN
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10 të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, në kuadër të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E METODOLOGJISË PËR PËRCAKTIMIN E ÇMIMIT VJETOR TË BLERJES SË ENERGJISË ELEKTRIKE, QË DO T’U PAGUHET PRODHUESVE EKZISTUES ME PËRPARËSI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 2 e 3, të nenit 22, të ligjit nr.7/2017, “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Metodologjia për llogaritjen e çmimit vjetor të blerjes së energjisë elektrike, që do t’u paguhet prodhuesve ekzistues me përparësi, përcaktohet në pikat 2 dhe 3 të këtij vendimi. Prodhuesit ekzistues me përparësi janë prodhuesit me përparësi, që, në bazë të pikës 1, të nenit 22, të ligjit nr.7/2017, “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”, janë pajisur me certifikatën e pranimit të veprës së centralit elektrik, brenda datës 31 dhjetor 2020.
2. Kriteret, ku bazohet metodologjia për llogaritjen e çmimit, sipas pikës 3 të këtij vendimi, janë si më poshtë:
a) “Referenca në çmimin e tregut të vitit përkatës të bursës hungareze HUPX të energjisë elektrike”, që përfaqëson çmimin mesatar vjetor të tregut të ditës në avancë (HUPX DAM) të energjisë elektrike në profilin bandë (baseload) të bursës së Hungarisë HUPX, ashtu siç publikohet në raportin vjetor të kësaj burse për këtë produkt.
b) “Referenca në normën mesatare e shkëmbimit euro/lekë të vitit të fundit”, që përfaqëson kursin mesatar vjetor të këmbimit nga euro/lekë, i publikuar nga Banka e Shqipërisë për vitin përkatës.
c) “Bonusi për promovimin e burimeve të rinovueshme”, që merr në konsideratë:
i. normën mesatare të kthimit të arsyeshëm të vlerës së investimeve të burimeve të rinovueshme, reduktimin e humbjeve teknike në rrjetin e transmetimit dhe të shpërndarjes, si pasojë e furnizimit të energjisë elektrike në pikat e lidhjes së këtyre hidrocentraleve me rrjetin energjetik të tensionit të lartë dhe/ose të mesëm;
ii. kostot e shmangura të shërbimit të transmetimit;
iii. kostot e alokimit të kapaciteteve të interkoneksionit të energjisë nga importi.
ç) “Niveli minimal i çmimit të llogaritur të blerjes së energjisë elektrike”, në çdo rast, nuk do të jetë më i ulët se i çmimit të miratuar nga Enti Rregullator i Energjisë për vitin 2016 për këta prodhues.
d) “Niveli maksimal i çmimit të llogaritur të blerjes së energjisë elektrike”, në çdo rast, nuk do të jetë më i lartë se 15% e çmimit të miratuar nga ERE për vitin 2016 për këta prodhues.
3. Metodologjia për llogaritjen e çmimit të blerjes së energjisë elektrike është si më poshtë:
Çmimi vjetor i blerjes (lekë/kWh) = Çmimi mesatar vjetor i tregut të ditës në avancë (HUPX DAM), i energjisë elektrike në profilin bandë (baseload) i vitit përkatës të bursës hungareze (HUPX) të energjisë elektrike në euro cent/kWh x bonusin për promovimin e burimeve të rinovueshme në masën 1.30 x normën mesatare të këmbimit në euro/lekë për vitin e fundit.
4. Ngarkohet ministria përgjegjëse për energjinë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.36, DATË 16.1.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR CAKTIMIN E ANËTARËVE TË BORDIT DREJTUES TË ZYRËS SË REGJISTRIMIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 12, tëligjit nr.33/2012, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, të ndryshuar, dhe të pikës 5, të kreut II, të vendimit nr.752, datë 2.11.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurës dhe kritereve për caktimin e anëtarëve të bordit drejtues të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, si dhe të masës së shpërblimit të tyre”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shkronja “c” e pikës 1 të vendimit nr.36, datë 16.1.2013, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet si më poshtë vijon:
“c) Z. Artan Lame, përfaqësues i ministrit të Drejtësisë”.
2. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe bordi drejtues i saj për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË NDRYSHIMIT TË MEMORANDUMIT TË MIRËKUPTIMIT TË NËNSHKRUAR ME BASHKIMIN EVROPIAN, MË 28 SHTATOR 2016, PËR PJESËMARRJEN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË PROGRAMIN E DREJTËSISË, DUKE SHTUAR EDHE PJESËN E KATËRT TË KOMPONENTIT “POLITIKA E LUFTËS KUNDËR DROGAVE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10 të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të ndryshimit të memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar me Bashkimin Evropian, më 28 shtator 2016, për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin e drejtësisë, duke shtuar edhe pjesën e katërt të komponentit “Politika e luftës kundër drogave”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
RIORGANIZIMIN E AGJENCISË KOMBËTARE TË SHOQËRISË SË INFORMACIONIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, dhe të nenit 11, të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Dispozita të përgjithshme
1. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, më poshtë AKSHI, është institucion publik qendror, person juridik, me seli në Tiranë, në varësi të Kryeministrit.
2. AKSHI financohet nga buxheti i shtetit dhe të ardhura të tjera të ligjshme, përfaqëson pronarin shtet dhe administron çdo sistem dhe infrastrukturë hardware dhe software në fushën TIK, për institucionet dhe organet e administratës buxhetore nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave, si dhe institucionet jobuxhetore për të cilat do të përdoren tarifa shërbimi.
3. AKSHI ofron politika, strategji dhe rregullon sektorin TIK duke përjashtuar fushën e komunikimeve elektronike. AKSHI është ofrues i shërbimeve TIK dhe i shërbimeve elektronike për qytetarët, bizneset dhe administratën publike.
4. Për pajisjet, sistemet në të cilat përpunohet informacion i klasifikuar “sekret shtetëror”, NATO, BE, shtete dhe organizata të tjera ndërkombëtare, AKSHI ndjek dhe zbaton politikat dhe strategjitë e hartuara nga DSIK-ja për këtë qëllim, e cila kryen mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit në fuqi për informacionin e klasifikuar.
II. Kompetencat, detyrat dhe përgjegjësitë e AKSHI-t
5. AKSHI, në funksion të përmbushjes së veprimtarisë së saj, ushtron kompetencat kryesore, si më poshtë vijon:
a) Promovon teknologji të reja, harton strategji dhe planveprime për zbatimin e politikave në fushën e teknologjisë së informacionit e të komunikimit elektronik e-GOV;
b) Zhvillon politika e strategji në sektorin e shoqërisë së informacionit (më poshtë SHI) dhe në veçanti të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (më poshtë TIK), si dhe nxit investimet në fushën e SHI-së;
c) Bashkërendon programe në fushën e SHI-së, si edhe jep kontribut në edukimin dhe nxitjen e përdorimit të TIK-ut nga publiku;
ç) Garanton një nivel të lartë të sigurisë kibernetike dhe zgjidhjet ndaj incidenteve të sigurisë kompjuterike duke bashkërenduar me “CSIRT”, si ekipi përgjegjës ndaj incidenteve të sigurisë kompjuterike për institucionet dhe organet e administratës shtetërore nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave;
d) Është autoritet rregullator koordinues, përgjegjës i bazave të të dhënave shtetërore;
dh) Riorganizon dhe menaxhon strukturat përgjegjëse TIK, në institucionet dhe organet e administratës shtetërore nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave;
e) Ofron shërbime të përqendruara nëpërmjet teknologjisë së informacionit e komunikimit (TIK) për qeverisjen elektronike, për administratën shtetërore, qytetarët, bizneset, të cilat janë të detajuara sipas listës nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi;
ë) Ofron shërbimin e nënshkrimit elektronik, së bashku me pajisjen përkatëse dhe vulën digjitale, për organet dhe institucionet e administratës publike dhe subjektet private, sipas tarifave të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave.
Përcaktimi i tarifave sipas kësaj shkronje bëhet me propozimin e AKSHI-t dhe miratimin e ministrit përgjegjës për financat dhe ekonominë;
f) Ngre dhe ofron shërbime elektronike për sportelet fizike të institucioneve dhe organeve të administratës shtetërore nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave, të cilat ofrojnë shërbime publike;
g) Ofron sisteme IT, infrastrukturë hardware dhe TIK për ADISA-n, në kuadër të ofrimit të shërbimeve publike në sportele fizike nga ana e saj;
gj) Ngre, mirëmban dhe administron sisteme dhe aplikacione të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, infrastrukturën e qendërzuar dhe infrastrukturën TIK, përfshirë edhe ato të klasifikuara si “sekret shtetëror”, për institucionet dhe organet e administratës shtetërore nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave;
h) Ndërmerr, kryesisht ose mbi bazën e kërkesave të institucioneve të administratës shtetërore të interesuara, nisma për procesin e riinxhinerimit elektronik të shërbimeve nëpërmjet platformës qeveritare të ndërveprimit, në varësi të nevojës për përmirësim të procedurave, riorganizimit të proceseve të punës, me qëllim thjeshtimin, rritjen e efiçencës dhe efikasitetit të administratës publike, si edhe të zhvillimeve teknologjike;
i) Organizon, kryen prokurimet e qendërzuara dhe lidh kontratat për sistemet, pajisjet software dhe hardware, mirëmbajtjen, si dhe shërbimet e internetit dhe intranetit me vlerë mbi kufirin monetar të prokurimeve me vlera të vogla, për institucionet në zbatim të ligjit nr.9643 datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, sipas listës nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi;
j) Organizon, kryen prokurimet e përqendruara dhe lidh kontratat për pajisjet TIK përfshirë edhe ato të klasifikuara si “sekret shtetëror”, për institucionet sipas listës nr.2, bashkëlidhur këtij vendimi.
6. AKSHI, në ushtrim të veprimtarisë së saj, kryen edhe këto detyra e përgjegjësi të veçanta, si më poshtë vijon:
a) Merr pjesë në hartimin e strategjive të agjendës digjitale;
b) Bashkërendon planin e veprimit të strategjisë së agjendës digjitale për ofrimin e shërbimeve elektronike në organet dhe institucionet e administratës publike, për qytetarët, si dhe subjektet private;
c) Përcakton standardet shqiptare të TIK-ut, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe evropiane, të adoptuara, të cilat do të ndiqen nga administrata shtetërore. Këto standarde botohen në Buletinin e Njoftimeve Publike;
ç) Përcakton standardet shqiptare të shërbimeve publike elektronike (e-shërbime), në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe evropiane, të adoptuara, të cilat do të ndiqen nga administrata shtetërore dhe subjektet private;
d) Ofron shërbimet e autentifikimit, nënshkrimit elektronik dhe vulës digjitale për organet dhe institucionet e administratës publike dhe subjektet private;
dh) Ofron shërbimet e përqendruara të TIK-ut për institucionet dhe organet e administratës shtetërore nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave. Ky shërbim i ofrohet edhe institucioneve të tjera publike, me kërkesë të vetë institucionit;
e) Ofron shkëmbimin e të dhënave në mënyrë elektronike me bazat e të dhënave të ndërlidhura në platformën qeveritare të ndërveprimit si dhe të shërbimeve elektronike në portal dhe në modulin e tij për nëpunësit e administratës publike, për çdo person fizik dhe juridik që ushtron funksionin në përputhje me legjislacionin në fuqi, sipas tarifave të miratuara me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat dhe ekonominë;
ë) Mundëson përmes platformës qeveritare të ndërveprimit shkëmbimin e të dhënave të sistemeve elektronike (baza të dhënash shtetërore) në përputhje me kushtet e siguruara, si vijon:
– Çdo sistem elektronik (bazë të dhënash shtetërore) ka të drejtë të përdorë shërbimin e dërgimit të të dhënave parësore (të cilat janë informacione specifike, të mbledhura në përputhje me aktin e krijimit të bazës së të dhënave) nëpërmjet platformës qeveritare të ndërveprimit, duke pranuar transmetimin e këtyre të dhënave, nga administratori i kësaj platforme.
– Transmetimi i të dhënave merret përsipër nga platforma në kohë reale dhe pa të drejtë përpunimi për shpërndarjen tek marrësi i tyre me një mesazh të dhënash që është shënuar në mënyrë elektronike dhe përmban datën dhe kohën e marrjes së tyre;
f) Administron kodin burim të çdo sistemi, si përfaqësues i pronarit shtet që është Këshilli i Ministrave;
g) Nxjerr nga përdorimi një sistem dhe/ose një infrastrukturë hardware dhe/ose software;
gj) Bashkërendon projektet në fushën e SHI-së, që zbatohen në të gjitha institucionet publike;
h) Jep mendim të detyrueshëm për institucionet publike, me qëllim zbatimin efektiv dhe bashkërendimin e projekteve në fushën e TIK-ut;
i) Përgjigjet për ngritjen, mirëmbajtjen dhe administrimin e sistemeve dhe aplikacioneve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, për infrastrukturën e qendërzuar dhe infrastrukturën TIK, për institucionet dhe organet e administratës shtetërore nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave. Ai organizon prokurimin e përqendruar për pajisjet TIK, me vlerë mbi kufirin monetar të prokurimeve me vlera të vogla, dhe për institucionet dhe organet e administratës shtetërore nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave, të cilët, jo më vonë se data 30 qershor, i dërgojnë kërkesë me shkrim AKSHI-t për nevojat e tyre për projektet dhe pajisjet TIK për vitin pasardhës;
j) Jep mendim për institucionet e tjera të administratës publike, me kërkesë të tyre, për:
– specifikimet teknike të prokurimeve, që do të realizohen me fonde të buxhetit të shtetit, hua dhe/ose grante të dhëna nga donatorë;
– procedurat që kanë lidhje me projektpropozime/projekte të ndryshme, dhurata apo ndihma materiale.
AKSHI jep mendim brenda afatit prej 20 ditësh pune nga data e marrjes së dokumentacionit të sipërpërmendur;
k) Zhvillon, administron dhe mirëmban infrastrukturën hardware dhe software të shërbimeve të qeverisjes elektronike, e cila përbëhet nga:
– portali unik qeveritar e-Albania, platforma qeveritare e ndërveprimit për ofrimin e shërbimeve të qeverisjes elektronike, sipas tipologjisë: qeveri – qeveri; qeveri – qytetar; qeveri – biznes;
– sistemet e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit;
– Regjistri Kombëtar i Shërbimeve Qeveritare on-line;
– Regjistri Kombëtar i Bazave të të Dhënave Shtetërore;
– Regjistri Kombëtar i Marrëveshjeve qeveri – qeveri; qeveri – privat; qeveri – partnerë ndërkombëtarë;
– qendra e të dhënave qeveritare (Datacenter-i qeveritar);
– qendra e rivendosjes dhe/ose vazhdueshmërisë së punës së datacenter-it qeveritar, në rast fatkeqësie (Disaster Recovery Center);
– qendra e vazhdueshmërisë së punës (Business Continuity Center, BCC) dhe qendra e ruajtjes së informacionit (Back-up Center), me qëllim mundësimin e ofrimit të shërbimeve pa ndërprerje, 24 orë në 24 orë për 7 ditë të javës;
– rrjeti qeveritar (Govnet);
– çelësi publik dhe menaxhimi i certifikatave digjitale për administratën publike dhe subjektet private. Me garancinë financiare si institucion qeveritar, AKSHI siguron pajtueshmërinë me nenin 19, të ligjit nr.9880, datë 25.2.2008, “Për nënshkrimin elektronik”, të ndryshuar;
– Sistemi i administrimit të dokumentit elektronik, përfshirë protokollin dhe arkivin elektronik;
l) Rregullon dhe koordinon procesin e regjistrimit të bazës së të dhënave shtetërore, me qëllim ekspozimin e të dhënave parësore, në platformën qeveritare të ndërveprimit, auditimin e bazës së të dhënave shtetërore, në përputhje me përcaktimet e ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, dhe të akteve nënligjore në zbatim të tij;
ll) Merr pjesë në hartimin e strategjisë ndërsektoriale të agjendës digjitale dhe bashkërendon punën për zbatimin e saj;
m) Merr pjesë në hartimin e dokumentit të politikës së zhvillimit në fushën e komunikimeve elektronike e-GOV, si një nga komponentët e rëndësishëm të infrastrukturës TIK;
n) Merr pjesë në përgatitjen e akteve rregullatore, ligjore e nënligjore, për zhvillimin e SHI-së dhe të TIK-ut;
nj) Ndihmon në hartimin e ndryshimeve dhe përmirësimin e kuadrit ligjor dhe nënligjor në fushën e komunikimeve elektronike e-GOV;
o) Mbështet dhe bashkërendon projektet për digjitalizimin e bazës ligjore të fushës, të dokumentacionit, të arkivave, të bibliotekave etj;
p) Nxit dhe mbështet zhvillimin e biznesit on-line (e-bussiness);
q) Nxit dhe mbështet politika për zhvillimin e infrastrukturës së TIK-ut dhe të investimeve private në këtë fushë;
r) Promovon përhapjen e internetit dhe aksesin e publikut në shërbimet on-line;
rr) Promovon dhe mbështet rritjen e aftësive për përdorimin e kompjuterit dhe të internetit nga qytetarët;
s) Bashkëpunon në fushën e SHI-së me institucione të tjera shtetërore dhe ndërkombëtare, shoqërinë civile dhe sektorin privat;
sh) Nxit veprimtaritë e sektorit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në kuadër të detyrimeve, konventave dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, dypalëshe dhe shumëpalëshe, në fushën e komunikimeve elektronike e-GOV;
t) Nxit, në bashkëpunim me DSIK-në, veprimtarinë për komunikimin elektronik e-GOV, në kuadër të detyrimeve që lindin nga marrëveshjet ndërkombëtare, NATO dhe BE, për pajisjet, sistemet në të cilat përpunohet informacioni i klasifikuar “sekret shtetëror”, NATO, BE, shteteve dhe organizatave të tjera ndërkombëtare;
th) Aplikon, zhvillon dhe menaxhon projekte në fushën TIK, që mbështeten nga financime apo donacione të huaja;
u) Përcakton standarde të zbatueshme për institucione të tjera publike që kërkojnë ofrimin e shërbimeve nga agjencia;
v) Kërkon ndryshimin e sistemeve dhe të proceseve elektronike në to, si dhe krijimin e shërbimeve të reja elektronike, me qëllim ofrimin e shërbimeve publike sa më cilësore nga portali qeveritar e-Albania;
x) Monitoron përdorimin dhe mbarëvajtjen e portalit e-Albania, të përshtatur për nëpunësit e administratës publike, institucionet publike dhe për çdo person fizik a juridik privat, që ushtron një funksionin publik në përputhje me legjislacionin në fuqi;
xh) Harton planin e transferimit nën administrimin e AKSHI-t të aseteve që preken nga fusha e veprimit të këtij vendimi;
y) Administron nga ana teknike sistemin informatik të institucioneve të përmendura në shkronjën “i”, të pikës 6, në përputhje me parashikimet e këtij vendimi. Regjistrat e të dhënave të këtyre institucioneve që përbëhen nga bazat e të dhënave mbeten nën administrim të institucioneve respektive;
z) Për prokurimet e përqendruara për pajisjet TIK, me vlerë nën kufirin monetar të prokurimeve me vlera të vogla, do të merret miratimi i AKSHI-t për specifikimet teknike.
7. AKSHI mundëson ekspozimin e web service-ve të bazave të të dhënave me qëllim aksesimin e të dhënave parësore për subjektet e interesuara për ndërveprimin në platformën qeveritare të ndërveprimit.
8. Në kuadër të monitorimit për përdorimin dhe mbarëvajtjen e portalit e-Albania, AKSHI merr masa administrative ndaj shkelësve apo keqpërdoruesve, sipas legjislacionit në fuqi.
III. Funksionimi dhe organizimi i AKSHI-t
9. AKSHI është administrator i çdo sistemi TIK që ka si përdorues institucionet apo organet e administratës shtetërore nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave, sipas listës nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
10. Në përbërje të AKSHI-t, pranë çdo institucioni dhe organi të administratës shtetërore nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave, krijohen dhe funksionojnë njësitë e teknologjisë së informacionit e të komunikimit (NJTIK), si strukturë organizativo-teknike për projektimin, zbatimin dhe administrimin e qeverisjes elektronike, në institucion, nëpërmjet teknologjisë së informacionit e të komunikimit (TIK).
11. Njësia e teknologjisë së informacionit e të komunikimit është përgjegjëse për:
a) administrimin e infrastrukturës, sistemeve dhe shërbimeve TIK në ministritë e linjës dhe në institucionet e varësisë, në rast se nuk detajohet ndryshe. Për pajisjet, sistemet në të cilat përpunohet informacioni i klasifikuar “sekret shtetëror”, NATO, BE, shteteve dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, administrimi i kësaj infrastrukture kryhet sipas legjislacionit në fuqi për informacionin e klasifikuar;
b) ofrimin e shërbimit të asistencës të nivelit 1, për infrastrukturën fizike, pajisjet TIK dhe funksionimin e sistemit për institucionin ku funksionon njësia.
12. AKSHI drejtohet nga Drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e kësaj agjencie.
13. Drejtori i Përgjithshëm i AKSHI-t emërohet, lirohet ose shkarkohet me urdhër të Kryeministrit.
14. Pranë AKSHI-t krijohet dhe funksionon bordi për teknologjinë e informacionit dhe komunikimit (BTIK), si organ këshillimor për zhvillimin e politikave e të strategjive kombëtare për teknologjinë e informacionit dhe komunikimit. Bordi asistohet në punën e tij nga një sekretariat teknik.
15. Përbërja dhe rregulla më të hollësishme për mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të BTIK-së dhe sekretariatit teknik, përcaktohen me urdhër të Kryeministrit.
16. Marrëdhëniet e punës së punonjësve të AKSHI-it rregullohen me Kodin e Punës.
17. Struktura dhe organika e AKSHI-t miratohen me urdhër të Kryeministrit.
IV. Dispozita kalimtare dhe të fundit
18. Institucionet e përmendura në shkronjën “i”, të pikës 6, të këtij vendimi duhet të dorëzojnë pranë AKSHI-t, 1 (një) kopje të dokumentacionit të plotë të çdo sistemi dhe infrastrukture TIK ekzistuese dhe kodin e burimit. Sistemet dhe infrastruktura TIK ekzistuese kalojnë nën administrimin dhe inventarin e AKSHI-t, së bashku me të drejtat dhe detyrimet juridiko-civile përkatëse.
Kalimi do të bëhet në dy faza. Faza e parë do të jetë brenda datës 31 dhjetor 2017, sipas listës nr.2. Faza e dytë brenda datës 30 qershor 2018. Për mënyrën e kalimit dhe planin e veprimit, AKSHI përgatit një marrëveshje kuadër dhe protokoll të punës për ofrimin e shërbimeve e cila nënshkruhet sipas veçantive përkatëse nga çdo institucion i përmendur në listën nr.2.
19. Për sistemet dhe infrastrukturat TIK të cilat kalojnë në administrim dhe inventar të AKSHI-t dhe që zhvillohen ose mirëmbahen nëpërmjet marrëveshjeve ose kontratave të nënshkruara nga institucionet me palë të treta, të reflektohen ndryshimet përkatëse në këto akte.
20. Harton planin e transferimit nën administrimin e AKSHI-t të aseteve që preken nga fusha e veprimit të këtij vendimi.
21. Për sistemet IT, që janë ngritur dhe funksionojnë në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë është palë, AKSHI njeh dhe zbaton të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga këto marrëveshje.
22. Për kompetencat, detyrat dhe përgjegjësitë, për të cilat nuk është lidhur kontrata për vitin 2017, si dhe për nevojat për projektet dhe pajisjet e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit për vitin 2018, institucionet dhe organet e administratës shtetërore nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave të dërgojnë kërkesat e tyre pranë AKSHI-t, brenda 1 jave nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
23. Strukturat përgjegjëse TIK bëhen pjesë të strukturës së AKSHI-t. Punonjësit aktualë të njësive të teknologjisë së informacionit e të komunikimit (NJTIK), në përbërje të strukturave të institucioneve dhe organeve të administratës shtetërore nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave, kalojnë tek AKSHI, brenda datës 31.12.2017 dhe do të trajtohen në bazë të përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për nëpunësit civil, në rastin e mbylljes dhe ristrukturimit të institucionit, apo Kodit të Punës.
AKSHI vendos në dispozicion të institucioneve të përmendura në shkronjën “i”, të pikës 6, personelin e mjaftueshëm dhe të certifikuar sipas legjislacionit në fuqi, për të mbajtur në funksion optimal sistemet të cilat nuk preken nga fusha e veprimit të këtij vendimi.
24. Fondet buxhetore për shërbimet sipas shkronjës “i”, të pikës 6, të këtij vendimi, për institucionet dhe organet e administratës shtetërore nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave, do të parashikohen në buxhetin vjetor të AKSHI-t. Për të gjitha institucionet jobuxhetore, AKSHI do t’i ofrojë shërbimet kundrejt tarifave.
Efektet financiare të kësaj pike fillojnë më 1 janar 2019.
25. Deri në miratimin e strukturës dhe të organikës së re, sipas këtij vendimi, AKSHI do të funksionojë sipas strukturës dhe organikës në fuqi.
26. Vendimi nr.703, datë 29.10.2014, i Këshillit të Ministrave, “Për Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit”, vendimi nr.303, datë 31.3.2011, i Këshillit të Ministrave, “Për krijimin e njësive të teknologjisë së informacionit e të komunikimit në ministritë e linjës dhe institucionet e varësisë”, si dhe shkronja “g”, e pikës 1, e vendimit nr.28, datë 14.1.2015, e Këshillit të Ministrave, “Për ngarkimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për kryerjen e procedurave të prokurimit publik, në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, ministrive dhe institucioneve të varësisë, për disa mallra e shërbime”, i ndryshuar, shfuqizohen.
27. Ngarkohen Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Departamenti i Administratës Publike, Ministria e Financave dhe Ekonomisë si dhe institucionet e tjera të përmendura në këtë vendim për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLORES SË PLANIFIKIMIT TË TERRITORIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 6, të nenit 15, të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullores së planifikimit të territorit, e cila i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen autoritetet e planifikimit, të përcaktuara në ligjin nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “MBROJTJA LUMORE E QYTETIT NGA PËRMBYTJA, EROZIONI I LUMIT OSUM DHE REHABILITIMI URBAN I KËSAJ ZONE”, URA VAJGURORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, ligjit nr. 130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, dhe të neneve 5, pika 1, 20 dhe 21 të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Mbrojtja lumore e qytetit nga përmbytja, erozioni i lumit Osum dhe rehabilitimi urban i kësaj zone”, Ura Vajgurore.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Ura Vajgurore.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë sipërfaqe “tokë truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 4 430 527 (katër milion e katërqind e tridhjetë mijë e pesëqind e njëzet e shtatë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 4 430 527 (katër milion e katërqind e tridhjetë mijë e pesëqind e njëzet e shtatë) lekësh, do të përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve” në Bankën e Shqipërisë.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2017, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.
7. Pronarët e listës, që i bashkëlidhet këtij vendimi, do të kompensohen për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Bashkisë Ura Vajgurore.
8. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Berat, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Ura Vajgurore, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjnë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.
9. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Berat të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin që të realizohet procesi i hedhjes se gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit, si dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
10. Projekti t’u nënshtrohet kërkesave ligjore në fuqi për vlerësimin e ndikimit në mjedis, përpara se të nisë faza e zbatimit të tij.
11. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Berat dhe Bashkia Ura Vajgurore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.250, DATË 24.4.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË RENDIT PUBLIK”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 8, pika 3, 10 e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.250, datë 24.4.2003, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:
a) Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Brendshme, për Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, shtohen pronat sipas formularëve që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Lista përbëhet nga 5 (pesë) fletë dhe është pjesë përbërëse e këtij vendimi.
b) Në listën bashkëlidhur vendimit, përmasat e pronave zëvendësohen me përmasat e përcaktuara në formularët që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Lista përbëhet nga 31 (tridhjetë e një) fletë dhe është pjesë përbërëse e këtij vendimi.
2. Ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Ministria e Brendshme dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2017, MIRATUAR PËR DREJTORINË E SHËRBIMEVE QEVERITARE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe të nenit 13, të ligjit nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, në buxhetin e miratuar për vitin 2017, i shtohet fondi prej 14 978 760 (katërmbëdhjetë milionë e nëntëqind e shtatëdhjetë e tetë mijë e shtatëqind e gjashtëdhjetë) lekësh për organizimin e eventeve në kuadër të “Vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut”, për periudhën nëntor-dhjetor 2017.
2. Efekti financiar, i parashikuar në pikën 1, të këtij vendimi, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2017.
3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E STRATEGJISË AFATMESME TË MENAXHIMIT TË BORXHIT 2018-2020
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 6 të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Strategjisë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit 2018-2020, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.187, DATË 8.3.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS DHE TË NIVELEVE TË PAGAVE TË NËPUNËSVE CIVILË/NËPUNËSVE, ZËVENDËSMINISTRIT DHE NËPUNËSVE TË KABINETEVE NË KRYEMINISTRI, APARATET E MINISTRIVE TË LINJËS, ADMINISTRATËN E PRESIDENTIT, KUVENDIT, KOMISIONIT QENDROR TË ZGJEDHJEVE, GJYKATËN E LARTË, PROKURORINË E PËRGJITHSHME, DISA INSTITUCIONE TË PAVARURA, INSTITUCIONET NË VARËSI TË KRYEMINISTRIT, INSTITUCIONET NË VARËSI TË MINISTRAVE TË LINJËS DHE ADMINISTRATËN E PREFEKTIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, të pikës 2, të nenit 7, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, të ligjit nr.9584, datë 17.7.2006, “Për pagat, strukturat dhe shpërblimet e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.187, datë 8.3.2017, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
a) Në pikën 1/1 shtohet emërtesa“Komisioni i Prokurimit Publik”.
b) Në pikën 1/2 bëhen ndryshimet dhe shtesa e mëposhtme:
– Emërtesa “Agjencia për Menaxhimin e Qendrave për Hapje dhe Dialog” zëvendësohet me “Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje”;
– Emërtesat “Agjencia Kombëtare Bërthamore”, “Agjencia për Zbatimin e Reformës Territoriale” dhe “Komisioni i Prokurimit Publik” shfuqizohen;
– Shtohet emërtesa “Agjencia e Zhvillimit të Territorit”.
c) Në shkronjën “a”, të pikës 1/3, bëhen shtesa dhe ndryshimi i mëposhtëm:
i. Shtohen emërtesat “Agjencia Kombëtare Bërthamore” dhe “Agjencia për Zbatimin e Reformës Territoriale”;
ii. Shfuqizohet emërtesa “Agjencia e Zhvillimit të Territorit”.
ç) Në shkronjën “b”, të pikës 1/3, emërtesa “Qendra e Publikimeve Zyrtare” zëvendësohet me “Qendra e Botimeve Zyrtare”.
d) Pikat 4/2, 4/12 dhe 4/13 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“4/2. Në Kryeministri, nëpunësit civilë në pozicionet, “Drejtor i Departamentit të Zhvillimit dhe Mirëqeverisjes”, “Drejtor i Departamentit Rregullator dhe Përputhshmërisë”, “Drejtor i Departamentit të Burimeve, Transparencës dhe Administrimit”, “Drejtor njësie, jurist dhe koordinator në Departamentin Rregullator dhe të Përputhshmërisë”, “Drejtor njësie, drejtor drejtorie dhe koordinator në Departamentin e Zhvillimit dhe Mirëqeverisjes”, “Drejtor njësie dhe koordinator në Njësinë e Transparencës dhe Antikorrupsionit”, “Drejtor i Njësisë së Burimeve Kombëtare për Zhvillim”, “Drejtor i Njësisë së Buxhetit dhe Administrimit” dhe “Drejtor i Drejtorisë së Administrimit të Brendshëm”, në masën 10 000 (dhjetë mijë) lekë në muaj.”.
“4/12. Në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, nëpunësit civilë në pozicionet “Sekretar i Përgjithshëm”, “Drejtor i Përgjithshëm”, “Drejtor drejtorie”, “Përgjegjës sektori” dhe “Specialist” në njësitë teknike të përmbajtjes, si dhe funksionarët në pozicionet “Drejtor i kabinetit të ministrit”, “Zëdhënës” dhe “Këshilltar”, në masën 10 000 (dhjetë mijë) lekë.”.
“4/13. Në Drejtorinë e Përgjithshme të Kodifikimit dhe Harmonizimit të Legjislacionit, në Ministrinë e Drejtësisë, nëpunësit civilë në pozicionet “Drejtor i Përgjithshëm”, “Drejtor drejtorie”, “Përgjegjës sektori” dhe “Specialist”, në masën 10 000 (dhjetë mijë) lekë.”.
dh) Në pikën 4/16, emërtesa “Drejtor i Departamentit të Legjislacionit, Monitorimit të Programeve dhe Antikorrupsionit” shfuqizohet.
e) Në pikën 6, emërtesa “Kryendihmës në kabinetin e Kryeministrit” zëvendësohet me “Analist në kabinetin e Kryeministrit”.
ë) Pas pikës 8/4 shtohen pikat 8/5 dhe 8/6, me këtë përmbajtje:
“8/5. Kategoritë e pagave të pozicioneve të punës së nëpunësve për emërtesat “specialist” deri në “Titullar i institucionit”, në Agjencinë Telegrafike Shqiptare, janë sipas lidhjes nr.5/5, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
8/6. Kategoritë e pagave të pozicioneve të punës së nëpunësve për emërtesat “specialist” deri në “Titullar i institucionit”, në Agjencinë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, janë sipas lidhjes nr.5/6, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.”.
f) Në lidhjen nr.7, që përmendet në pikën 10, emërtesat “Kancelar në universitet” dhe “Kancelar në fakultet” zëvendësohen, përkatësisht, me “Administrator në universitet” dhe “Administrator në fakultet”.
g) Në pikën 10/5, emërtesa “Sekretar i Përgjithshëm” zëvendësohet me “Koordinator i Përgjithshëm”.
gj) Në lidhjen nr.7/5, që përmendet në pikën 10/5, emërtesa “Sekretar i Përgjithshëm në Prefekturë”, – kategoria III-a, zëvendësohet me “Koordinator i Përgjithshëm”, – kategoria III-a.
h) Në pikën 12, fjalët “… të bordeve të kullimit …” zëvendësohen me “… të drejtorive të ujitjes dhe kullimit …”.
i) Në lidhjen nr.9, që përmendet në pikën 12, bëhen këto shtesa:
– Në kategorinë III-b, pas emërtesës “Drejtor i Drejtorisë së Bujqësisë” shtohet “Drejtor i drejtorive të ujitjes dhe kullimit”;
– Në kategorinë IV-a, pas emërtesës “Përgjegjës sektori në drejtoritë e bujqësisë” shtohet “Përgjegjës sektori në drejtoritë e ujitjes dhe kullimit”;
– Në kategorinë IV-b, pas emërtesës “Specialist në drejtoritë e bujqësisë” shtohet “Specialist në drejtoritë e ujitjes dhe kullimit”.
j) Lidhja nr.9/1, që përmendet në pikën 12/1, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe titull, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi:
– Për përcaktimet në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 1, të këtij vendimi, për Komisionin e Prokurimit Publik, të fillojnë nga data 1 janar 2018.
– Për përcaktimet në shkronjat “b” dhe “ë”, të pikës 1, të këtij vendimi, për Agjencinë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, të fillojnë nga momenti i emërimit të nëpunësve në detyrë dhe të përballohen nga fondet e miratuara për këtë institucion për vitin 2017.
– Për përcaktimet në shkronjat “b” dhe “c”, të pikës 1, të këtij vendimi, për Agjencinë Kombëtare Bërthamore, Agjencinë për Zbatimin e Reformës Territoriale dhe Agjencinë e Zhvillimit të Territorit të fillojnë nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
– Për përcaktimin në shkronjën “ç”, të pikës 1, të këtij vendimi, të fillojnë nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
– Për përcaktimet në shkronjat “d” dhe “dh”, të pikës 1, të këtij vendimi, të fillojnë nga data e transferimit, përkatësisht, të nëpunësve civilë të Kryeministrisë, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Kodifikimit dhe Harmonizimit të Legjislacionit, në Ministrinë e Drejtësisë, në pozicionet e reja të punës.
– Për përcaktimin në shkronjën “e”, të pikës 1, të këtij vendimi, të fillojnë nga data 1 nëntor 2017.
– Për përcaktimin në shkronjën “ë”, të pikës 1, të këtij vendimi, për Agjencinë Telegrafike Shqiptare të fillojnë nga data 1 nëntor 2017 dhe të përballohen nga fondet e miratuara për këtë institucion për vitin 2017.
– Për përcaktimet në shkronjat “f”, “g” dhe “gj”, të pikës 1, të këtij vendimi, të fillojnë nga momenti i transferimit të nëpunësve në pozicionet e reja.
– Për përcaktimet në shkronjat “h” dhe “i”, të pikës 1, të këtij vendimi, të fillojnë nga momenti i fillimit të funksionimit të drejtorive të ujitjes dhe kullimit dhe të përballohen nga fondet e miratuara për këto institucione për vitin 2017.
– Për përcaktimin në shkronjën “j”, të pikës 1, të këtij vendimi, të fillojnë nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi dhe të përballohen nga fondet e miratuara në ligjin nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, të ndryshuar, për politikat e reja të pagave.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.