Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 23 Shkurt 2018:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË DOKUMENTIT NDRYSHUES TË MARRËVESHJES SË HUAS DHE PROGRAMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, E FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT DHE KFW FRANKFURT AM MAIN, PËR FINANCIMIN E PROGRAMIT “FONDI I INVESTIMEVE SOCIALE IV”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të dokumentit ndryshues të marrëveshjes së huas dhe programit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, e Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe KfW Frankfurt am Main, për financimin e programit “Fondi i investimeve sociale IV”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN DHE FUNKSIONIMIN E FONDIT SOCIAL
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 24, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, dhe të pikës 4, të nenit 47, të ligjit nr.121/2016, “Për shërbimet e kujdesit shoqëror”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ministrit të Brendshëm dhe ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Krijimin e fondit social të mekanizmit finanicar, nëpërmjet të cilit sigurohet mbështetje financiare për njësitë e vetëqeverisjes vendore, me qëllim përmirësimin e standardeve e të kapaciteteve administruese të shërbimeve ekzistuese të kujdesit shoqëror, planifikimin e krijimin e shërbimeve të reja, si dhe zhvillimin e politikave sociale.
2. Fondi social krijohet me burime financiare nga:
a) fondet e kushtëzuara, që akordohen nga ministria përgjegjëse për çështjet sociale;
b) fondet nga buxhetet e njësive të vetëqeverisjes vendore, të parashikuara për shërbimet shoqërore;
c) të ardhurat nga organizatat jofitimprurëse, individët e bizneset, si dhe donatorë të huaj e lokalë;
ç) tarifat për shërbimet për përfituesit e shërbimeve të kujdesit shoqëror.
3. Mekanizmi i financimit të shërbimeve të kujdesit shoqëror ndjek hapat e përcaktuar më poshtë, në përputhje me ciklin e buxhetit vjetor dhe të programit buxhetor afatmesëm.
4. Programimi dhe financimi i shërbimeve të kujdesit shoqëror
4.1. Njësia e vetëqeverisjes vendore vlerëson nevojat për ofrimin e shërbimeve të kujdesit shoqëror në nivel vendor, në përputhje me planin strategjik të zhvillimit dhe me programin buxhetor afatmesëm.
4.2. Njësia e vetëqeverisjes vendore vlerëson kapacitetet financiare dhe burimet njerëzore që mbështesin ofrimin e shërbimeve të kujdesit shoqëror në nivel vendor. Deri në miratimin e standardeve kombëtare, bashkitë duhet të marrin në konsideratë që të vazhdojnë ofrimin e të paktën atyre shërbimeve që kanë ofruar gjatë tri viteve të fundit.
4.3. Ministria përgjegjëse për çështjet sociale parashikon në buxhetin e saj fonde për financimin e shërbimeve të përkujdesjes shoqërore, të cilat u transferohen njësive të vetëqeverisjes vendore ku funksionojnë këto shërbime, bazuar në planet sociale të buxhetuara.
5. Ofrimi i shërbimeve të kujdesit shoqëror
5.1. Të gjitha shërbimet e përkujdesjes shoqërore, të parashikuara në kreun II, të ligjit për shërbimet e kujdesit shoqëror, të cilat konsiderohen si parësore nga bashkia, por që nuk mund të ofrohen prej saj, mund të ofrohen nga organizata jofitimprurëse, si ndërmarrje sociale apo struktura të ngjashme me to, që operojnë në këtë fushë private.
5.2. Njësia e vetëqeverisjes vendore prokuron shërbimet e kujdesit shoqëror dhe lidh kontratat me ofruesit e shërbimit, duke u dhënë përparësi ndërmarrjeve sociale në ofrimin e këtyre shërbimeve.
5.3. Ofruesit privatë, të kontraktuar nga njësia e vetëqeverisjes vendore dhe organizatat jofitimprurëse, ofrojnë shërbimet e kujdesit shoqëror, si pjesë e kontratës ose e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet palëve.
6. Monitorimi dhe raportimi për ofrimin e shërbimeve të kujdesit shoqëror
6.1. Njësia e vetëqeverisjes vendore raporton, çdo katër muaj, në lidhje me ofrimin e shërbimeve të kujdesit shoqëror, financuar me anë të fondit social, pranë Shërbimit Social Shtetëror.
6.2. Inspektorati që mbulon fushën e shërbimeve të kujdesit shoqëror, në përputhje me funksionet dhe kompetencat e parashikuara në nenin 35, të ligjit për shërbimet e kujdesit shoqëror, siguron zbatueshmërinë e standardeve të shërbimeve shoqërore të orfuara nga subjektet e kontraktuara nga njësitë e vetëqeverisjes vendore.
6.3. Njësia e vetëqeverisjes vendore, paralelisht, monitoron ofrimin e shërbimeve të kujdesit shoqëror, sipas standardeve e treguesve të performancës, përcaktuar në marrëveshjen kontraktuale me nënkontratorët privatë dhe sipas marrëveshjes së bashkëpunimit me organizatat jofitimprurëse.
7. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Brendshme, nëpërmjet njësive të vetëqeverisjes vendore, dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PRONËSI, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE BASHKIA TIRANË, TË PRONËS NR.75, ME EMËRTIM “AISM, REPARTI USHTARAK NR.6002”, ME VENDNDODHJE NË LINZË, TIRANË, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, shkronja “c”, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të neneve 3, 5, 7 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në pronësi, nga Ministria e Mbrojtjes te Bashkia Tiranë, të pronës nr.75, me emërtim “AISM, reparti ushtarak nr.6002”, me vendndodhje në Linzë, Tiranë, sipas planvendosjes, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për ta përdorur për ndërtimin e një shkolle të re.
2. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar, të hiqet prona nr.75, me emërtim “AISM, reparti ushtarak nr.6002”, me vendndodhje në Linzë, Tiranë, dhe të shtohet në listën e inventarit të pronave të paluajtshme që i kanë kaluar në pronësi ose në përdorim Bashkisë Tiranë.
3. Bashkisë Tiranë i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë atë ose t’ua japë në përdorim të tretëve.
4. Ngarkohen ministri i Mbrojtjes, kryetari i Bashkisë Tiranë, Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave të Paluajtshme dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
LIRIMIN, MANDATIMIN DHE RIMANDATIMIN E DISA ANËTARËVE TË KËSHILLIT KOMBËTAR TË KONTABILITETIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 20, të ligjit nr.9228, datë 29.4.2004, “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Lirimin nga funksioni, për shkak të përfundimit të mandatit, të anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit, si më poshtë vijon:
a) Z. Fran Brahimi;
b) Znj. Anila Çili;
c) Z. Agim Binaj;
ç) Znj. Vjollca Karapici.
2. Mandatimin, si anëtarë të Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit, të:
a) znj. Edlira Luçi, propozuar nga ministri i Financave dhe Ekonomisë;
b) znj. Greta Angjeli, propozuar nga organizatat e profesioneve të lira.
3. Rimandatimin, si anëtar të Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit, të z. Fran Brahimi, propozuar nga ministri i Financave dhe Ekonomisë.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES SË GRANTIT NR.TF0A1769, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, QË VEPRON SI ADMINISTRATORE E FONDEVE TË GRANTIT TË AKORDUAR NGA FONDI I MIRËBESIMIT ME SHUMË DONATORË, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT TË ZBATIMIT TË NISMËS PËR TRANSPARENCË NË INDUSTRINË NXJERRËSE NË SHQIPËRI (EITI)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së grantit nr.TF0A1769, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, që vepron si administratore e fondeve të grantit të akorduar nga Fondi i Mirëbesimit me Shumë Donatorë, për financimin e projektit të zbatimit të Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse në Shqipëri (EITI), sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NЁ PARIM, TЁ MARRËVESHJES SË GRANTIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS EVROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT “HEKURUDHAT SHQIPTARE – REHABILITIMI I LINJËS HEKURUDHORE TIRANË – DURRËS DHE NDËRTIMI I LINJËS HEKURUDHORE PËR NË AEROPORTIN NDËRKOMBËTAR TË TIRANËS”, NË KUADËR TË GRANTIT TË INVESTIMIT NGA FONDI I PËRBASHKËT EVROPIAN I BALLKANIT PERËNDIMOR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së grantit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit “Hekurudhat shqiptare – rehabilitimi i linjës hekurudhore Tiranë – Durrës dhe ndërtimi i linjës hekurudhore për në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës”, me një grant investimi nga Fondi i Përbashkët Evropian i Ballkanit Perëndimor, në shumën 35 435 000 (tridhjetë e pesë milionë e katërqind e tridhjetë e pesë mijë) euro, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES SË HUAS DHE PROJEKTIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, E OPERATORIT TË SISTEMIT TË TRANSMETIMIT, SH.A., SI AGJENCIA E ZBATIMIT TË PROJEKTIT, DHE KFW FRANKFURT AM MAIN, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT “LINJA E TRANSMETIMIT 400 KILOVOLT SHQIPËRI – KOSOVË (TIRANË – PRISHTINË)” NËPËRMJET NJË HUAJE PREJ 42 000 000 EUROSH
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huas dhe projektit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, e Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a., si agjencia e zbatimit të projektit, dhe KfW Frankfurt am Main, për financimin e projektit “Linja e transmetimit 400 kilovolt Shqipëri – Kosovë (Tiranë – Prishtinë)”, nëpërmjet një huaje prej 42 000 000 (dyzet e dy milionë) eurosh, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË (MARRËSI), PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË, DHE KFW FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR PROJEKTIN “FONDI PËR ARSIMIN DHE FORMIMIN PROFESIONAL (AFP) DHE PUNËSIMIN, QENDRA SHUMËFUNKSIONALE NË KAMËZ”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 22, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (marrësi), përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), për financimin e projektit “Fondi për arsimin dhe formimin profesional (AFP) dhe punësimin, qendra shumëfunksionale në Kamëz”, me një grant në shumën prej 4 500 000.00 (katër milionë e pesëqind mijë) eurosh, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË LETËRMARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, QË VEPRON SI ADMINISTRATORE E FONDEVE TË GRANTIT TË SIGURUAR NGA SEKRETARIATI I SHTETIT PËR ÇËSHTJET EKONOMIKE (SECO) I QEVERISË ZVICERANE, NËN FONDIN E BESIMIT ME SHUMË DONATORË, PËR FUQIZIMIN E KONTABILITETIT DHE TË MJEDISIT TË MIRËBESIMIT NË EVROPËN JUGORE DHE AZINË QENDRORE PËR PROJEKTIN E ZHVILLIMIT TË KONTABILITETIT NË SEKTORIN PUBLIK
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të letërmarrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, që vepron si administratore e fondeve të grantit të siguruar nga Sekretariati i Shtetit për Çështjet Ekonomike (SECO) i qeverisë zvicerane, nën Fondin e Besimit me Shumë Donatorë, për fuqizimin e kontabilitetit dhe të mjedisit të mirëbesimit në Evropën Jugore dhe Azinë Qendrore për projektin e zhvillimit të kontabilitetit në sektorin publik, me një grant në shumën 1 450 000 (një milion e katërqind e pesëdhjetë mijë) USD, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.848, DATË 7.12.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN E SHOQËRISË “ALBGAZ”, SH.A., DHE PËRCAKTIMIN E AUTORITETIT PUBLIK, QË PËRFAQËSON SHTETIN SI PRONAR TË AKSIONEVE TË SHOQËRIVE “ALBPETROL”, SH.A., DHE “ALBGAZ”, SH.A.”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 36, pikat 2 e 5, 50, pikat 2 e 4, 57 e 80, të ligjit nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, dhe të nenit 4, të ligjit nr.7926, datë 20.4.1995, “Për transformimin e ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pika 3, e vendimin nr.848, datë 7.12.2016, të Këshillit të Ministrave, riformulohet, si më poshtë:
“3. Autoriteti publik, që përfaqëson shtetin si pronar të 100% të aksioneve të shoqërisë “Albgaz” sh.a., është ministria përgjegjëse për infrastrukturën.”.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe shoqëria “Albgaz” sh.a. për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.982, DATË 25.10.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRYETARIT DHE EMËRIMIN E ANËTARËVE, PËRFAQËSUES TË PUSHTETIT QENDROR, NË KËSHILLIN DREJTUES TË FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.10130, datë 11.5.2009, “Për Fondin Shqiptar të Zhvillimit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Pika 2 e vendimit nr.982, datë 25.10.2013, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Emërimin e anëtarëve, përfaqësues të pushtetit qendror, në këshillin drejtues të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, si më poshtë vijon:
– Z. Artan Shkreli, zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë;
– Znj. Albana Shkurta, zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë;
– Z. Hajrulla Çeku, zëvendësministër i Turizmit dhe Mjedisit;
– Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë për Zhvillimin Ekonomik Rajonal (AZHER).”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.42, DATË 17.1.1998, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STATUTIT TË SHËRBIMIT KOMBËTAR TË PUNËSIMIT”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të pikës 4, të nenit 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 18, të ligjit nr.7995, datë 20.9.1995, “Për nxitjen e punësimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.42, datë 17.1.1998, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
1. Neni 12 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 12
Këshilli administrativ trepalësh është organi më i lartë vendimmarrës i Shërbimit Kombëtar të Punësimit. Ai përbëhet nga 11 anëtarë dhe kryesohet nga ministri përgjegjës për çështjet e punësimit. Anëtarë të tjerë të këshillit janë, si më poshtë vijon:
– 1 përfaqësues nga ministria përgjegjëse për financat;
– 1 përfaqësues nga ministria përgjegjëse për çështjet sociale;
– 1 përfaqësues nga ministria përgjegjëse për arsimin;
– 1 përfaqësues nga Inspektorati Shtetëror i Punës;
– 1 përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve;
– 1 përfaqësues nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore;
– 2 përfaqësues nga organizatat më të përfaqësuara të punëmarrësve;
– 2 përfaqësues nga organizatat më të përfaqësuara të punëdhënësve.
Mandati i anëtarëve të këshillit është trevjeçar dhe miratimi i tyre, pas propozimit nga institucionet/organizatat e sipërpërmendura, bëhet me urdhër të ministrit përgjegjës për çështjet e punësimit. Përfaqësuesit e institucioneve shtetërore duhet të jenë në nivel zëvendësministri ose nëpunës të kategorisë së lartë drejtuese. Shpërblimi për pjesëmarrjen në mbledhjet e këshillit bëhet sipas legjislacionit në fuqi. Këshilli e ushtron veprimtarinë e tij sipas rregullores së funksionimit të tij.”.
2. Neni 13 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 13
Këshilli mblidhet, të paktën, 4 (katër) herë në vit. Mbledhja e këshillit thirret dhe drejtohet nga kryetari i këshillit administrativ, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të SHKP-së.
Mbledhja është e vlefshme kur janë të pranishëm më shumë se gjysma e anëtarëve të këshillit por, në çdo rast, duhet të jenë të pranishëm, të paktën, 1 (një) anëtar, përfaqësues i organizatave të punëdhënësve, dhe 1 (një) anëtar, përfaqësues i organizatave të punëmarrësve. Vendimet e këshillit administrativ trepalësh nënshkruhen nga kryetari i këshillit.
Mbledhja e këshillit administrativ trepalësh dokumentohet nga sekretariati.”.
3. Neni 23 ndryshohet, si më poshtë:
“Neni 23
SHKP-ja bashkëpunon me institucione të ndryshme shtetërore si edhe me organizata joqeveritare, shqiptare apo të huaja, që kryejnë veprimtari në fushën e punësimit ose në fusha të ngjashme me të dhe mund të lidhë marrëveshje, në përputhje me legjislacionin në fuqi.”.
4. Kudo në vendim, emërtimet “Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë” dhe “Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë” zëvendësohen me fjalët “… ministria përgjegjëse për çështjet e punësimit …” dhe “… ministri përgjegjës për çështjet e punësimit …”.
II. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Shërbimi Kombëtar i Punësimit për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MËNYRËN E ORGANIZIMIT E TË FUNKSIONIMIT TË AGJENCIVE PRIVATE TË PUNËSIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Veprimtaria private e ndërmjetësimit në punë të ushtrohet vetëm nga agjencitë private të punësimit (në vijim, agjencia), të licencuara, pas përmbushjes së kërkesave të përcaktuara në legjislacionin për licencat, në përputhje me parashikimin e pikës 3, të këtij vendimi.
2. Agjencia private e punësimit regjistrohet si person fizik/juridik, privat, dhe e ushtron veprimtarinë e ndërmjetësimit në punë, nëpërmjet këtyre shërbimeve:
a) Informimit, këshillimit, si dhe vlerësimit të kërkesave e të aplikimeve për ndërmjetësim për punësim;
b) Kërkimit të vendeve të punës;
c) Ndërmjetësimit për përcaktimin e kushteve dhe të lidhjeve e të marrëdhënieve të punës, ndërmjet punëkërkuesit dhe punëdhënësit.
3. Për të ushtruar aktivitetin e saj, agjencia duhet të pajiset me licencën e kategorisë X.2.A, “Ndërmjetësim në tregun e punës”, në zbatim të ligjit nr.10081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të vendimit nr.538, datë 26.5.2009, të Këshillit të Ministrave”, “Për licencat dhe lejet që trajtohen nga apo nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe disa rregulla të tjera nënligjore të përbashkëta”.
4. Për punësimin e shtetasve shqiptarë jashtë shtetit, agjencia zbaton të gjitha marrëveshjet dypalëshe të qeverisë shqiptare me vendet përkatëse.
5. Shërbimet e agjencisë për punëkërkuesit janë falas. Agjencia nuk e ngarkon punëkërkuesin me asnjë detyrim financiar, të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, me përjashtim të pagesës së shpenzimeve të nevojshme për plotësimin e dosjes administrative të çdo punëkërkuesi.
6. Shpenzimet për shërbimin e ndërmjetësimit, të kryer nga agjencia, të përballohen nga pala punëdhënëse.
7. Agjencia siguron trajtim të barabartë për të gjithë punëkërkuesit.
8. Punëkërkuesi i ndërmjetësuar në punë nga agjencia gëzon të drejtën për negociimin kolektiv, pagën minimale, kohën dhe kushtet e punës, përfitimet e sigurimeve shoqërore, mbrojtjen e pasurisë dhe të shëndetit në punë.
9. Agjencia duhet të njoftojë punëkërkuesin për kushtet e punës dhe të punësimit, përpara fillimit të marrëdhënieve të punës.
10. Agjencia nuk duhet të ndërmjetësojë për punëkërkuesin në vende pune, që paraqesin rrezik e pasiguri për jetën dhe shëndetin e tij apo ku mund të jetë subjekt abuzimi apo trajtimi diskriminues.
11. Personeli i agjencisë, për shërbimet që ofron, duhet të ketë kualifikimin dhe trajnimin e nevojshëm.
12. Agjencia bashkëpunon me zyrat shtetërore të punësimit për:
a) mbledhjen, shkëmbimin e të dhënave dhe përdorimin e terminologjisë së përbashkët, për përmirësimin e transparencës së funksionimit të tregut të punës;
b) shkëmbimin e njoftimeve për vendet e lira të punës;
c) lidhjen e marrëveshjeve për zbatimin e veprimtarive të ndryshme;
ç) trajnimin e stafit.
13. Në rastet kur agjencia/personi fizik/juridik (ortaku, aksionari apo anëtari i organeve drejtuese të tij):
a) ka qenë i dënuar për vepra penale të kryera me dashje;
b) ka shkelur parimin e barazisë, duke diskriminuar punëkërkuesin;
c) provohet se ka kërkuar tarifa nga punëkërkuesi për shërbimet e ofruara drejtpërdrejt apo tërthorazi ose ka pranuar pagesa, mallra apo shërbime nga punëkërkuesi, përveç pagesës së parashikuar në pikën 5, të këtij vendimi;
ç) reklamon njoftime të rreme ose mashtruese për ndërmjetësimin;
d) bën deklarata, dëshmi të rreme ose përdor dokumente të falsifikuara;
dh) nxit drejtpërdrejt apo tërthorazi punëkërkuesin për t’u transferuar në një vend tjetër pune, përveç rastit kur transferimi është në interes të punëkërkuesit;
e) ndikon ose përpiqet të ndikojë çdo punëdhënës ose ndërmarrje për të mos punësuar disa persona;
ë) ofron shërbimet e veta për të miturit;
f) angazhohet të ndërmjetësojë për punëkërkuesin në vende pune, që cenojnë dinjitetin e Republikës së Shqipërisë;
g) pengon ose përpiqet të pengojë inspektimin e organeve përkatëse;
gj) nuk përmbush detyrimet për sigurimet shoqërore apo kontratat e punës për punëmarrësit e vet;
h) nuk respekton dispozitat e këtij vendimi,
ministria përgjegjëse për çështjet e punësimit njofton Qendrën Kombëtare të Biznesit për revokimin e licencës, sipas akteve të përmendura në pikën 3, të këtij vendimi.
14. Përpunimi i të dhënave të punëkërkuesit nga agjencia bëhet duke respektuar konfidencialitetin dhe përdorimin e të dhënave, sipas natyrës së punës dhe nuk përhapet për asnjëlloj tjetër qëllimi, përveç atij për të cilin janë dhënë, duke përjashtuar rastet kur është dhënë pëlqimi me shkrim nga personi që e jep informacionin.
15. Agjencia nuk duhet të regjistrojë në dosje apo regjistra të dhëna vetjake të punëkërkuesit, që nuk janë të nevojshme për të vlerësuar prirjen e tij për vendin e punës.
16. Agjencia duhet t’i ruajë të dhënat vetjake të një punëkërkuesi, vetëm për aq kohë sa justifikohet nga qëllimet e veçanta, për të cilat janë mbledhur këto të dhëna, apo për aq kohë sa punëkërkuesi dëshiron të mbetet në listën e kandidatëve të mundshëm për një vend pune.
17. Agjencia, përveç rasteve kur lidhet drejtpërdrejt me kërkesat për një profesion të veçantë apo me pëlqimin e punëkërkuesit të interesuar, nuk duhet të kërkojë, të ruajë apo të përdorë të dhëna për gjendjen mjekësore të një punëkërkuesi ose të përdorë një të dhënë të tillë për përcaktimin e përshtatshmërisë së tij për punësim.
18. Inspektorati Shtetëror i Punës kryen inspektime periodike për të përcaktuar përputhshmërinë e veprimtarisë së agjencisë me legjislacionin përkatës dhe, kur vëren shkelje, njofton ministrinë përgjegjëse për çështjet e punësimit.
19. Vendimi nr.708, datë 16.10.2003, i Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e licencimit dhe të funksionimit të agjencive private të punësimit”, shfuqizohet.
20. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Inspektorati Shtetëror i Punës, Qendra Kombëtare e Biznesit dhe Shërbimi Kombëtar i Punësimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE PËR EMËRIMIN, SHKARKIMIN DHE SHPËRBLIMIN E KRYETARIT DHE TË ANËTARËVE TË KËSHILLIT DREJTUES TË AGJENCISË KOMBËTARE TË DIASPORËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 7, të ligjit nr.115/2017, “Për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Diasporës”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Diasporën, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Anëtarët e këshillit drejtues të Agjencisë Kombëtare të Diasporës emërohen dhe shkarkohen me urdhër të ministrit përgjegjës për diasporën, me propozim të ministrit përkatës, sipas përbërjes së përcaktuar në pikën 2, të nenit 7, të ligjit nr.115/2017, “Për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Diasporës”.
2. Ministri përgjegjës për diasporën emëron kryetar të këshillit drejtues njërin nga anëtarët e tij.
3. Kryetari dhe anëtarët e këshillit drejtues duhet të jenë drejtues të nivelit të lartë në ministri apo anëtarë të kabinetit të ministrit.
4. Kryetari dhe anëtari i këshillit drejtues shkarkohet para mbarimit të mandatit 4-vjeçar:
a) kur lirohet ose shkarkohet nga funksioni drejtues që ushtronte në ministrinë që përfaqëson;
b) me propozim të ministrit përkatës, për shkak të ndryshimit të misionit e të detyrave, që ai kryen në ministri;
c) kur neglizhon kryerjen e detyrave dhe pjesëmarrjen e rregullt në mbledhjet e këshillit drejtues.
5. Ministri përgjegjës për diasporën, 30 (tridhjetë) ditë para mbarimit të mandatit 4-vjeçar ose menjëherë pas shkarkimit të anëtarit, i kërkon ministrisë së përfaqësuar në këshillin drejtues të Agjencisë Kombëtare të Diasporës paraqitjen e emrit të kandidatit për anëtar të këtij këshilli.
6. Kryetari dhe anëtarët e këshillit drejtues të Agjencisë Kombëtare të Diasporës shpërblehen sipas vendimit nr.418, datë 27.6.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e masës së shpërblimit të anëtarëve të këshillave, bordeve ose komisioneve të njësive të qeverisjes qendrore”, të ndryshuar.
7. Ministrat përkatës dërgojnë propozimet për anëtarët e këshillit drejtues të Agjencisë Kombëtare të Diasporës, brenda një afati 10-ditor nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
8. Ngarkohen ministri i Shtetit për Diasporën, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Brendshme, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Kulturës, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.640, DATË 7.9.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN E SPORTELEVE TË FONDIT TË SIGURIMIT TË DETYRUESHËM TË KUJDESIT SHËNDETËSOR NË ADMINISTRIM TË AGJENCISË SË OFRIMIT TË SHËRBIMEVE PUBLIKE TË INTEGRUARA (ADISA)”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 2 e 3, të nenit 50, të ligjit nr.13/2016, “Për mënyrën e ofrimit të shërbimeve publike në sportel në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në fund të pikës 1, të vendimit nr.640, datë 7.9.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, pas fjalës “…. Gjirokastër …” shtohen fjalët “… dhe Shkodër …”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.