Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 24 Prill 2025:

 

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E NDËRTIMIT TË CENTRALIT GJENERUES TË ENERGJISË ELEKTRIKE FOTOVOLTAIKE DHE VEPRAVE NDIHMËSE, I CILI NUK ËSHTË OBJEKT KONCESIONI, NË ZONËN SHEQ MARINAS, NJËSIA ADMINISTRATIVE TOPOJË, BASHKIA FIER, QARKU FIER, NGA SHOQËRIA “GEMTECH ALBANIA”, SH.P.K.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 49, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, në zonën Sheq Marinas, njësia administrative Topojë, Bashkia Fier, Qarku Fier, nga shoqëria “GEMTECH ALBANIA”, sh.p.k., me elementet, si më poshtë vijon:

a) Emri i aplikuesit: Shoqëria “GEMTECH ALBANIA”, sh.p.k.;
b) NIPT/NUIS: M02215032T;
c) Tipi i centralit: Fotovoltaik;
ç) Kapaciteti i instaluar: 10 MW;
d) Afati i pritshëm i vënies në punë dhe pajisja me leje ndërtimi: Koha për ndërtimin, pajisjen me lejen e ndërtimit dhe vënien në operim të impiantit fotovoltaik do të jetë brenda 36 (tridhjetë e gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
dh) Vendndodhja e burimit gjenerues të energjisë: Në zonën Sheq Marinas, njësia administrative Topojë, Bashkia Fier, Qarku Fier;
e) Afati i operimit: 49 (dyzet e nëntë) vjet nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
ë) Koordinatat e tokës dhe planvendosja sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
f) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe të dokumentacionit të projektit;
g) Shoqëria “GEMTECH ALBANIA”, sh.p.k., ka detyrimin që:

i. të paraqesë periodikisht (çdo tre muaj) pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore informacion për ecurinë e ndërtimit të centralit fotovoltaik;
ii. të respektojë kushtet e cituara në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare;
iii. të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës ndërmjet shoqërisë “GEMTECH ALBANIA”, sh.p.k., dhe ministrisë. Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet, në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera që lidhen me zbatimin e saj;
iv. t’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 (dy) %, të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare, shuma duhet të derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit;
v. të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.

2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqëria “GEMTECH ALBANIA”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

SHPALLJE DITË ZIE KOMBËTARE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 4, të ligjit nr.8926, datë 22.7.2002, “Për formën dhe përmasat e flamurit kombëtar, përmbajtjen e himnit kombëtar, formën dhe përmasat e stemës së Republikës së Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpalljen ditë zie kombëtare ditën e shtunë, datë 26.4.2025, në shenjë dhimbjeje, respekti e mirënjohjeje për Atin e Shenjtë, Papa Françesku, i cili ndërroi jetë pas një sëmundjeje.

2. Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të ulet flamuri kombëtar në gjysmështizë.

3. Ftohen të gjitha stacionet radiotelevizive, publike dhe private që gjatë ditës së zisë kombëtare të transmetojnë muzikë funebër.

4. Ngarkohen të gjitha institucionet shtetërore dhe publike për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRЁVESHJES NDRYSHUESE ME SHKËMBIM LETRASH TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDЁRMJET REPUBLIKЁS SЁ SHQIPЁRISЁ DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR FINANCIMIN SHTESË PËR PROJEKTIN E ZHVILLIMIT TË INTEGRUAR URBAN DHE TURIZMIT, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.70/2022

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 26 e 27, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të neneve 10, 12 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim letrash të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin shtesë për projektin e zhvillimit të integruar urban dhe turizmit, ratifikuar me ligjin nr.70/2022, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.119, DATË 1.3.2023, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDEVE PUBLIKE PËR TRANSPORTIN E PUNONJËSVE ARSIMORË QË PUNOJNË DHE TË NXËNËSVE QË MËSOJNË JASHTË VENDBANIMIT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19 e 37, pika 5, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Në vendimin nr.119, datë 1.3.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për përdorimin e fondeve publike për transportin e punonjësve arsimorë që punojnë dhe të nxënësve që mësojnë jashtë vendbanimit”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Shkronja “b” e pikës 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“b) nxënësve që ndjekin procesin mësimor në IAP-të publike të arsimit bazë ose kopshtet publike, që udhëtojnë nga adresa e vendbanimit të përhershëm mbi 2 km larg IAP-ve publike më të afërta (shkollë/kopsht) dhe në këtë vendbanim nuk u ofrohet transport qytetës, sipas përcaktimeve në ligjin nr.8308, datë 18.3.1998, “Për transportet rrugore”, të ndryshuar;”.

2. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2. Zyrat vendore të arsimit parauniversitar (ZVAP), bazuar në informacionin që marrin nga drejtuesit e IAP-ve publike, dërgojnë, pranë njësive të vetëqeverisjes vendore, të dhëna për numrin e fëmijëve/nxënësve dhe të punonjësve arsimorë të tyre, që planifikohen të përfitojnë nga shërbimi i transportit, sipas kritereve të përmendura në pikën 1 të këtij vendimi.

Njësitë e vetëqeverisjes vendore miratojnë, brenda muajit tetor, linjat dhe oraret e transportit rrethqytetës për realizimin e këtij shërbimi në vitin e ardhshëm buxhetor, duke u bazuar në informacionin që u dërgohet nga ZVAP-të dhe ofruesit e arsimit profesional publik sipas kësaj pike.

Drejtoritë rajonale të arsimit parauniversitar (DRAP) realizojnë procedurën e prokurimit publik brenda muajit nëntor për vitin e ardhshëm buxhetor, mbështetur në kërkesat zyrtare të dërguara nga ZVAP-të.

Ofruesit e arsimit profesional publik dërgojnë, brenda muajit tetor të çdo viti shkollor, pranë njësive të vetëqeverisjes vendore, listat për numrin e nxënësve dhe të punonjësve arsimorë të tyre, që planifikohen të përfitojnë nga shërbimi i transportit, sipas kritereve të përmendura në pikën 1 të këtij vendimi, për miratimin e linjave dhe të distancave të transportit rrethqytetës.”.

3. Fjalia e dytë e pikës 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Përllogaritja e fondeve që prokurohen kryhet mbi bazën e numrit të ditëve mësimore, numrit të punonjësve arsimorë, që përfitojnë shërbim transporti, vetëm për ata punonjës arsimorë që udhëtojnë brenda linjave të transportit rrethqytetës, numrit të nxënësve që përfitojnë shërbimin e transportit dhe të tarifës/çmimit të biletës për linjat rrethqytetëse të transportit, të cilat subvencionohen, bazuar në shkronjën “b”, të nenit 10, të ligjit nr.8308, datë 18.3.1998, “Për transportet rrugore”, të ndryshuar, sipas distancave dhe tarifave të miratuara me vendimin nr.92, datë 21.2.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e tarifave të transportit rrugor ndërqytetës të udhëtarëve me autobus”, duke shtuar, vetëm për nxënësit/fëmijët e arsimit të përgjithshëm, edhe 50 (pesëdhjetë) për qind mbi çmimin e biletës, si dhe në bazë të akteve të tjera ligjore e nënligjore në fuqi.”.

4. Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“4. ZVAP-të, mbështetur në të dhënat e dërguara nga drejtuesit e institucioneve arsimore parauniversitare, paguajnë çdo muaj shpenzimet e transportit të nxënësve dhe të punonjësve arsimorë, nëpërmjet llogarive bankare në bankat e nivelit të dytë të prindërve të nxënësve, kujdestarëve ligjorë apo të përfituesve me prokurë të posaçme dhe të punonjësve arsimorë të institucioneve publike, ose nëpërmjet shërbimit postar, vetëm për ato zona ku shërbimi bankar mungon apo është jo lehtësisht i aksesueshëm, në përputhje me pikën 2 të këtij vendimi, deri në dërgimin e kontratës së nënshkruar nga DRAP-ja me operatorët ekonomikë për realizimin e shërbimit të transportit.

ZVAP-të dhe ofruesit e arsimit profesional publik kryejnë pagesat vetëm për ditët e punës të realizuara në fakt nga punonjësit arsimorë dhe ditët që nxënësit kanë ndjekur procesin mësimor, konfirmuar zyrtarisht nga drejtuesit e IAP-ve publike, në përputhje me planin mësimor vjetor të miratuar nga ministri përgjegjës për arsimin.”.

5. Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“5. Pagesa për punonjësit arsimorë, të cilët janë të punësuar në IAP-të publike, si dhe nxënësit që ndjekin arsimin profesional publik, jashtë territorit të bashkisë së vendbanimit të tyre, në distancat, sipas përcaktimeve të pikës 1 të këtij vendimi, kryhet në bazë të vendimit nr.92, datë 21.2.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e tarifave të transportit rrugor ndërqytetës të udhëtarëve me autobus”, në llogaritë e tyre bankare, të prindit apo të kujdestarit ligjor, si dhe kjo kategori punonjësish e nxënësish nuk përfshihet në përllogaritjen e fondit për procedurën e prokurimit publik, sipas pikës 2 të këtij vendimi.”.

6. Në pikën 6, fjalët “… sipas paragrafit 4.a), të pikës 4, të vendimit nr.175, datë 8.3.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të punonjësve mësimorë dhe të punonjësve të tjerë jomësimorë, në arsimin parauniversitar”, të ndryshuar, për distancat, si më poshtë vijon: … ” zëvendësohen me “… sipas shkronjës “a”, të pikës 11, të vendimit nr.425, datë 26.6.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës dhe të niveleve të pagave të punonjësve mësimorë dhe të punonjësve të tjerë jomësimorë në institucionet arsimore dhe në institucionet plotësuese të sistemit arsimor parauniversitar”, për distancat, si më poshtë vijon: … ”.

7. Pika 7 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“7. Punonjësit arsimorë, të cilët janë punësuar në IAP-të publike të arsimit të përgjithshëm, kur punojnë jashtë qendrës urbane, në distancë nga vendbanimi i tyre mbi 50 km, dhe kthehen brenda ditës në vendbanim, përfitojnë fonde publike për mbulimin e shpenzimeve të transportit, sipas pikës 1 të këtij vendimi, si dhe përfitojnë kompensim mujor, sipas shkronjës “a”, të pikës 11, të vendimit nr.425, datë 26.6.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës dhe të niveleve të pagave të punonjësve mësimorë dhe të punonjësve të tjerë jomësimorë në institucionet arsimore dhe në institucionet plotësuese të sistemit arsimor parauniversitar”.

Punonjësit arsimorë, të cilët janë punësuar në IAP-të publike, në distancë nga vendbanimi mbi 50 km, të cilët nuk kthehen brenda ditës në vendbanim, që nuk përfitojnë fonde publike për mbulimin e shpenzimeve të transportit, sipas këtij vendimi, përfitojnë kompensim mujor, sipas shkronjës “b”, të pikës 11, të vendimit nr.425, datë 26.6.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës dhe të niveleve të pagave të punonjësve mësimorë dhe të punonjësve të tjerë jomësimorë në institucionet arsimore dhe në institucionet plotësuese të sistemit arsimor parauniversitar”.”.

8. Pas pikës 8 shtohet pika 8/1, me këtë përmbajtje:

“8/1. Për bashkitë, me të cilat ministria përgjegjëse për arsimin ka lidhur marrëveshje për kalimin e përgjegjësive në fushën e arsimit parauniversitar, sipas kohëzgjatjes së tyre, transporti për punonjësit arsimorë dhe fëmijët/nxënësit, sipas përcaktimeve të këtij vendimi, sigurohet nga bashkitë ku ndodhen institucionet arsimore parauniversitare, që shkojnë punonjësit arsimorë dhe fëmijët/nxënësit. Ministria përgjegjëse për arsimin transferon fondet e nevojshme te njësitë e vetëqeverisjes vendore, të cilat përllogariten mbi bazën e numrit të ditëve mësimore të planifikuara, të numrit të punonjësve arsimorë, të numrit të nxënësve që ndjekin arsimin parauniversitar dhe të çmimit mesatar të biletës, sipas distancave dhe tarifave të miratuara me vendimin nr.92, datë 21.2.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e tarifave të transportit rrugor ndërqytetës të udhëtarëve me autobus”. Zyrat vendore të arsimit parauniversitar monitorojnë realizimin e procedurave nga bashkitë përkatëse dhe raportojnë në ministrinë përgjegjëse për arsimin në çdo 4 muaj, si dhe në përfundim të vitit shkollor.
Përjashtimisht, për vitin shkollor 2024-2025, njësitë e vetëqeverisjes vendore realizojnë procedurat ende të pakryera nga DRAP-të dhe ZVAP-të, sipas këtij vendimi.”.

II. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, drejtoritë rajonale të arsimit parauniversitar, zyrat vendore të arsimit parauniversitar, ofruesit e arsimit profesional publik dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

PEZULLIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË BJELLORUSISË, PËR HEQJEN RECIPROKE TË KËRKESAVE PËR VIZË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 30, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Pezullimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Bjellorusisë, për heqjen reciproke të kërkesave për vizë, miratuar me vendimin nr.152, datë 19.2.2020, të Këshillit të Ministrave.

2. Vendimi nr.295, datë 15.5.2024, i Këshillit të Ministrave, “Për pezullimin e pjesshëm të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Bjellorusisë, për heqjen reciproke të kërkesave për vizë”, shfuqizohet.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.730, DATË 20.10.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES PËR KUSHTET, KRITERET, TARIFAT, AFATET DHE PROCEDURËN PËR KLASIFIKIMIN E STRUKTURAVE AKOMODUESE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 45, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin” , të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Në vendimin nr.730, datë 20.10.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

1. Pas pikës 2 shtohet pika 2.1, me këtë përmbajtje:

“2.1 Paraqitja e aplikimeve përmes portalit qeveritar “e-Albania”, si dhe kthimi i përgjigjeve për aplikimet nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”, me vulë elektronike, hyn në fuqi pas ngritjes dhe funksionimit të plotë të Sistemit të Informacionit për Menaxhimin e Turizmit. Deri në ngritjen dhe funksionimin e plotë të sistemit, paraqitja e aplikimeve, si dhe përgjigjet për aplikimet dërgohen sipas përcaktimeve në fuqi në kohën e paraqitjes së tyre.”.

2. Në pikën 3, emërtimi “Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes” zëvendësohet me “Ministria e Turizmit dhe Mjedisit”.

3. Në rregulloren për kushtet, kriteret, tarifat, afatet dhe procedurën për klasifikimin e strukturave akomoduese, që i bashkëlidhet vendimit, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

a) Kudo në përmbajtjen e rregullores, fjalët “kërkesa/kërkesën/kërkesës” dhe “kërkuesi/kërkuesit/kërkuesin” zëvendësohen përkatësisht me “aplikimi/aplikimin/aplikimit” dhe “aplikuesi/aplikuesit/aplikuesin”;
b) Në pikën 1, të nenit 1, fjalët “… dhe kategorizimin …” hiqen;
c) Në pikën 2, të nenit 3, bëhen ndryshimet e mëposhtme:

i. Shkronja “a” ndryshohet, si më poshtë vijon:

“a) “Aplikim nga subjekti ose sipërmarrësi turistik”, është aplikimi on-line, nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania” për klasifikim, riklasifikim, rinovim të vlerësimit të strukturës akomoduese, si dhe ndryshim të të dhënave në certifikatë.”.

ii. Shkronja “c/1” shfuqizohet.

ç) Titulli i kreut II ndryshohet, si më poshtë vijon:

“KLASIFIKIMI I STRUKTURAVE AKOMODUESE”.

d) Neni 4 shfuqizohet;
dh) Në nenin 5 bëhen këto ndryshime:

i. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Çdo sipërmarrës turistik, që ushtron veprimtarinë si strukturë akomoduese, pajiset me certifikatë klasifikimi për ushtrimin e këtij aktiviteti.”.

ii. Pas pikës 1 shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:

“1/1. Komisioni klasifikon çdo strukturë akomoduese, mbështetur në kushtet dhe kriteret e parashikuara në këtë rregullore dhe në aneksin nr.1 “Kushtet dhe kriteret e klasifikimit”, bashkëlidhur këtij vendimi.”.

e) Pika 1, e nenit 6, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Sipërmarrësi turistik, që ushtron veprimtarinë strukturë akomoduese, duhet të paraqesë nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania” aplikimin për pajisjen me certifikatë klasifikimi, duke plotësuar formularin elektronik.”.

ë) Në nenin 7 bëhen këto ndryshime:

i. Në pikat 2 dhe 3, pas fjalëve “… ministria njofton kërkuesin …” shtohen “… elektronikisht, nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania” …”;
ii. Në pikën 7, fjalët “… me shkrim …” zëvendësohen me “… elektronikisht, nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania” …”.

f) Në nenin 8 bëhen këto ndryshime:

i. Në pikën 2, fjalët “… një njoftim me shkrim …” zëvendësohen me “… njoftimin elektronikisht, nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania” …”;
ii. Në shkronjën “a”, të pikës 3, pas fjalëve “Lëshimin e certifikatës së klasifikimit …” shtohen “… me vulë elektronike, nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania” …”.

g) Në nenin 9 bëhen këto ndryshime:

i. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Komisioni, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga marrja e vendimit për përcaktimin e nivelit të klasifikimit, përgatit certifikatën e klasifikimit me nënshkrim elektronik/dhe me vulë elektronike dhe ia dërgon aplikuesit nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”.”.

ii. Fjalia hyrëse e pikës 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Certifikata e klasifikimit nënshkruhet elektronikisht nga ministri ose personi i autorizuar prej tij dhe përmban:”.

iii. Pika 3 shfuqizohet.

gj) Pika 1, e nenit 12, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Sipërmarrësi turistik, i cili zotëron një certifikatë klasifikimi, në rastet kur kanë ndodhur ndryshime në të dhënat e paraqitura për marrjen e saj ose çdo ndryshim, që mund të ndikojë në klasifikimin e strukturës akomoduese, brenda 7 (shtatë) ditëve nga ndodhja e tyre, aplikon në portalin qeveritar “e-Albania”.”.

II. Ngarkohet Ministria e Turizmit dhe Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

TRANSFERIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË TIRANË TË NJË PJESE TË PASURISË NR.77, ZONA KADASTRALE 2380, ME VENDNDODHJE NË NJËSINË ADMINISTRATIVE DAJT, DHE PËR NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.219, DATË 21.3.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE TË PJESSHME (PJESA E PARË + PJESA E DYTË) TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM TË NJËSISË ADMINISTRATIVE TIRANË, BASHKIA TIRANË, TË QARKUT TË TIRANËS”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 7 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Transferimin në pronësi të Bashkisë Tiranë të një pjese të pasurisë nr.77, zona kadastrale 2380, me vendndodhje në njësinë administrative Dajt, sipas formularit dhe planit të rilevimit, që i bashkëlidhen këtij vendimi, me qëllim për t’u përdorur për realizimin e funksioneve të shërbimit funeral.

2. Pasuria e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, i shtohet listës përfundimtare të pjesshme të pronave të paluajtshme publike shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.219, datë 21.3.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pjesshme (pjesa e parë + pjesa e dytë) të pronave të paluajtshme publike shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të njësisë administrative Tiranë, Bashkia Tiranë, të Qarkut të Tiranës”, të ndryshuar.
3. Bashkia Tiranë të plotësojë kushtet teknike, që lidhen me linjën e tensionit të lartë, dopjo qark, L 220-5/6 (Tirana 1 – Elbasan 1) dhe me shtyllën nr.19, si më poshtë vijon:

a) Në bazamentin e shtyllës plus 2 (dy) m të mos kryhen punime;
b) Në distancën 6 (gjashtë) m me përcjellësin anësor të linjës të mos ndërtohen objekte shërbimi;
c) Të sigurohet rrugë aksesi deri në bazamentin e shtyllës për operimin dhe shfrytëzimin e linjës.

4. Bashkisë Tiranë i ndalohet ndryshimi i destinacionit, tjetërsimi dhe dhënia në përdorim të të tretëve të pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi.

5. Ngarkohen Bashkia Tiranë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.