Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 25 Maj 2021:

 

V E N D I M
PËR

HEQJEN NGA FONDI PYJOR PUBLIK DHE ZVOGËLIMIN NË VOLUM TË SIPËRFAQES PREJ 5.3749 HA, NË OBJEKTIN “KRASTË-THEKËN”, TË BASHKISË BULQIZË, QË DO TË PËRDORET NGA SHOQËRIA “KOXHERRI”, SH.P.K., PËR SHFRYTËZIMIN E MINERALIT TË KROMIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “b”, të pikës 4, të nenit 5, të ligjit nr.57/2020, “Për pyjet”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Sipërfaqja pyjore publike prej 5.3749 (pesë pikë tre mijë e shtatëqind e dyzet e nëntë) ha, që do të përdoret nga shoqëria “Koxherri”, sh.p.k., për shfrytëzimin e mineralit të kromit në objektin “Krastë-Thekën”, Bashkia Bulqizë, të hiqet nga fondi pyjor publik i bashkisë, të zvogëlohet në volum dhe të çregjistrohet nga Regjistri i Kadastrës së Pyjeve dhe Kullotave. Lidhja nr.1 me të dhënat për sipërfaqet pyjore që zvogëlohen në volum dhe hiqen nga fondi pyjor publik, si dhe harta topografike me koordinatat e poligonit të sipërfaqes, objekt i shfrytëzimit minerar, i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.

2. Vlerat përkatëse të volumit të materialit drusor dhe të produkteve të tjera pyjore në sipërfaqen, objekt shfrytëzimi, paguhen nga shoqëria “Koxherri”, sh.p.k., në llogarinë rrjedhëse të Bashkisë Bulqizë, në bazë të vendimit nr.391, datë 21.6.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e tarifave në sektorin e pyjeve dhe kullotave”, të ndryshuar.

3. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, shoqëria “Koxherri”, sh.p.k., detyrohet të rehabilitojë sipërfaqet sipas kushteve të lejes mjedisore, të pyllëzojë me fondet e veta një sipërfaqe pyjore prej 12.14 (dymbëdhjetë pikë katërmbëdhjetë) ha në ngastrat e përcaktuara në marrëveshje me Bashkinë Bulqizë.

4. Bashkia Bulqizë dhe shoqëria “Koxherri”, sh.p.k., nënshkruajnë marrëveshjen e bashkëpunimit jo më vonë se 60 (gjashtëdhjetë) ditë nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Një kopje e marrëveshjes së bashku me projektet e miratuara për pyllëzimin dërgohet në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit jo më vonë së 10 (dhjetë) ditë nga data e nënshkrimit të saj.

5. Sipërfaqet pyjore, sipas lidhjes 1, të këtij vendimi, mbeten pronë publike e shtetit dhe regjistrohen në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

6. Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Dibër bën çregjistrimin e sipërfaqes pyjore të identifikuar, sipas lidhjes 1, të këtij vendimi, nga kategoria “tokë e zënë pyjore” dhe e regjistron në kategorinë “tokë e zënë, objekt shfrytëzimi për ndërtimin e fabrikës së pasurimit të kromit”.

7. Me përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara në planin e rehabilitimit, sipas lejes mjedisore nga shoqëria “Koxherri”, sh.p.k., sipërfaqja e rehabilituar të regjistrohet në fondin pyjor publik të Bashkisë Bulqizë.

8. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Bulqizë, Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Dibër dhe shoqëria “Koxherri”, sh.p.k, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

HEQJEN NGA FONDI PYJOR PUBLIK DHE ZVOGËLIMIN NË VOLUM TË SIPËRFAQES PREJ 2.874 HA, NË OBJEKTIN “RUBIK”, TË BASHKISË MIRDITË, QË DO TË PËRDORET NGA SHOQËRIA “VUTHAJ”, SH.P.K., PËR SHFRYTËZIMIN E MINERALIT TË BAZALTIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “b”, të pikës 4, të nenit 5, të ligjit nr.57/2020, “Për pyjet”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Sipërfaqja pyjore publike prej 2.874 (dy pikë tetëqind e shtatëdhjetë e katër) ha, që do të përdoret nga shoqëria “Vuthaj”, sh.p.k., për shfrytëzimin e mineralit të bazaltit në objektin “Rubik”, Bashkia Mirditë, të hiqet nga fondi pyjor publik i bashkisë, të zvogëlohet në volum dhe të çregjistrohet nga Regjistri i Kadastrës së Pyjeve dhe Kullotave. Lidhja nr.1 me të dhënat për sipërfaqet pyjore që zvogëlohen në volum e hiqen nga fondi pyjor publik, si dhe harta topografike me koordinatat e poligonit të sipërfaqes, objekt i shfrytëzimit minerar, i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.

2. Vlerat përkatëse të volumit të materialit drusor dhe të produkteve të tjera pyjore, në sipërfaqen objekt shfrytëzimi, paguhen nga shoqëria “Vuthaj”, sh.p.k., në llogarinë rrjedhëse të Bashkisë Mirditë, bazuar në vendimin nr.391, datë 21.6.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e tarifave në sektorin e pyjeve dhe kullotave”, të ndryshuar.

3. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, shoqëria “Vuthaj”, sh.p.k., detyrohet të rehabilitojë sipërfaqet sipas kushteve të lejes mjedisore, të pyllëzojë me fondet e veta një sipërfaqe pyjore prej 7.652 (shtatë pikë gjashtëqind e pesëdhjetë e dy) ha në ngastrat e përcaktuara në marrëveshje me Bashkinë Mirditë.

4. Bashkia Mirditë dhe shoqëria “Vuthaj”, sh.p.k., të nënshkruajnë marrëveshjen e bashkëpunimit jo më vonë se 60 (gjashtëdhjetë) ditë nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Një kopje e marrëveshjes së bashku me projektet e miratuara për pyllëzimin dërgohen në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit jo më vonë së 10 (dhjetë) ditë nga data e nënshkrimit të saj.

5. Sipërfaqet pyjore, sipas lidhjes 1, të këtij vendimi, mbeten pronë publike e shtetit dhe regjistrohen në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

6. Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Lezhë bën çregjistrimin e sipërfaqes pyjore të identifikuar, sipas lidhjes 1, të këtij vendimi, nga kategoria “tokë e zënë pyjore” dhe e regjistron në kategorinë “tokë e zënë, objekt shfrytëzimi për bazalte”.

7. Me përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara në planin e rehabilitimit sipas lejes mjedisore nga shoqëria “Vuthaj”, sh.p.k., sipërfaqja e rehabilituar të regjistrohet në fondin pyjor publik të Bashkisë Mirditë.

8. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Mirditë, Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Lezhë dhe shoqëria “Vuthaj”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E LLOJEVE TË ARMATIMIT, TË LËNDËVE NEUROPARALIZUESE DHE TË MJETEVE TË TJERA TË PËRDORIMIT TË FORCËS NGA POLICIA E SHTETIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 99, të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e llojeve të armatimit, të lëndëve neuroparalizuese dhe të mjeteve të tjera të përdorimit të forcës nga Policia e Shtetit, sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Deri në rinovimin e plotë të armatimit, strukturat e Policisë së Shtetit të pajisen me armatimin dhe pajisjet aktuale.

3. Vendimi nr.293, datë 8.4.2015, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e llojeve të armatimit, të lëndëve neuroparalizuese dhe të mjeteve të tjera të përdorimit të forcës nga Policia e Shtetit”, shfuqizohet.
4. Ngarkohet Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË MBRETËRISË SË ARABISË SAUDITE, PËR NJOHJEN E NDËRSJELLË TË LEJEVE TË DREJTIMIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Mbretërisë së Arabisë Saudite, për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË, (HUAMARRËSI), DHE KFW FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR MBËSHTETJEN E REFORMËS NË SEKTORIN ENERGJETIK-FAZA I

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, dhe të neneve 26 e 27, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, (huamarrësi), dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), për mbështetjen e reformës në sektorin energjetik-faza I, me një hua në shumën 100 000 000 (njëqind milionë) euro, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË PROJEKTVENDIMIT TË KËSHILLIT TË STABILIZIM-ASOCIIMIT BASHKIMI EVROPIAN – SHQIPËRI, QË NDRYSHON MARRËVESHJEN E STABILIZIM-ASOCIIMIT MIDIS KOMUNITETEVE EVROPIANE DHE SHTETEVE TË TYRE ANËTARE, NGA NJËRA ANË, DHE REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, NGA ANA TJETËR, DUKE ZËVENDËSUAR PROTOKOLLIN 4 TË TIJ NË LIDHJE ME PËRKUFIZIMIN E KONCEPTIT TË “PRODUKTEVE ORIGJINUESE” DHE METODAT E BASHKËPUNIMIT ADMINISTRATIV

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të projektvendimit të Këshillit të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, që ndryshon Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit midis Komuniteteve Evropiane dhe shteteve të tyre anëtare, nga njëra anë, dhe Republikës së Shqipërisë, nga ana tjetër, duke zëvendësuar protokollin 4 të tij në lidhje me përkufizimin e konceptit të “produkteve origjinuese” dhe metodat e bashkëpunimit administrativ, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË GARANCISË, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS EVROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM (BERZH), PËR MARRËVESHJEN E HUAS, NDËRMJET AGJENCISË SË SIGURIMIT TË DEPOZITAVE DHE BANKËS EVROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR LINJËN E KREDISË PËR AGJENCINË E SIGURIMIT TË DEPOZITAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 27, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së garancisë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për marrëveshjen e huas, ndërmjet Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për linjën e kredisë për Agjencinë e Sigurimit të Depozitave, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.18, DATË 20.1.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E MIRATUAR PËR VITIN 2021 PËR AKADEMINË E SHKENCAVE TË SHQIPËRISË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008,“Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Pika 1, e vendimit nr.18, datë 20.1.2021, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Akademisë së Shkencave, në buxhetin e saj të miratuar për vitin 2021, i shtohet fondi total prej 100 000 000 (njëqind milionë) lekësh, i cili detajohet, si më poshtë vijon:

a) 96 000 000 (nëntëdhjetë e gjashtë milionë) lekë në zërin “shpenzime korrente”;
b) 4 000 000 (katër milionë) lekë në zërin “shpenzime kapitale”,

për financimin e hartimit e të botimit të 3 (tri) veprave madhore albanologjike dhe enciklopedike, përkatësisht:

i. Enciklopedia shqiptare;
ii. Fjalori i madh i shqipes;
iii. Historia e shqiptarëve.”.
2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.