Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 29 Maj 2019:

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIM FINANCIAR 2018 PËR PROJEKTIN “PROGRAMI SEKTORIAL I UJËRAVE/ FURNIZIMI ME UJË I ZONAVE RURALE IV””

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2018 për projektin “Programi sektorial i ujërave/furnizimi me ujë i zonave rurale IV””, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I 

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M

PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE PËR SHPALLJEN E ZONAVE TË VEÇANTA TË RUAJTJES

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 29, të ligjit nr.81/2017, “Për zonat e mbrojtura”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e rregullave për shpalljen e zonave të veçanta të ruajtjes (në vijim, ZVR), e cila të kryhet mbi bazë të kritereve të përcaktuara në pikën 1, të nenit 29, të ligjit “Për zonat e mbrojtura”, dhe të parashikimeve të këtij vendimi.

2. Shpallen ZVR edhe territoret që ndodhen brenda e jashtë sistemit kombëtar të zonave të mbrojtura mjedisore, si më poshtë vijon:

a) Zonat që gëzojnë statusin e zonës veçanërisht të mbrojtur si habitat i llojeve të shpendëve ujorë dhe përfshihen në listën e ligatinave me rëndësi ndërkombëtare (zonat “Ramsar”);
b) Zonat e rëndësishme për shpendët si habitat i shpendëve ujorë (IBA);
c) Zonat me interes për komunitetin evropian, ku përfshihen zona të veçanta të ruajtjes për:

i) habitatet dhe/ose llojet;
ii) shpendët.

ç) Zonat e veçanta të ruajtjes si pjesë e rrjetit ekologjik kombëtar, si dhe ekosisteme, habitate e peizazhe ose të lidhura me biokorridore me zonat e mbrojtura;
d) Zonat për llojet e faunës së egër, që gjenden në sipërfaqe të gjera dhe përputhen me territoret brenda shpërndarjes natyrore të këtyre llojeve e që përfaqësojnë faktorë fizikë dhe biologjikë, thelbësorë për jetën e riprodhimin e tyre;
dh) Zonat për llojet ujore, që gjenden në sipërfaqe të gjera, mund të propozohen vetëm në rastet kur janë qartësisht të identifikueshme dhe përfaqësojnë faktorët fizikë dhe biologjikë, të domosdoshëm për jetën e riprodhimin e tyre;
e) Zonat, rajoni biogjeografik apo llojet, që ndikojnë dukshëm në mirëmbajtjen apo rivendosjen e tipit të habitatit natyror, me interes për komunitetin evropian ose me një status ruajtjeje të favorshëm, brenda rajonit apo rajoneve biogjeografike;
ë) Zonat me interes të veçantë ruajtjeje (zonat “Emerald”), të identifikuara në kuadrin e zbatimit të konventës për ruajtjen e florës e faunës së egër dhe mjedisit natyror të Evropës (Konventa e Bernës), ku është palë Republika e Shqipërisë.

3. Ministria përgjegjëse për zonat e mbrojtura mjedisore, pas hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian, bashkërendon punën për fillimin e procesit të identifikimit të ZVR-së potenciale, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (në vijim, AKZM), Agjencinë Kombëtare të Mjedisit (në vijim, AKM), institucionet kërkimore e shkencore, ekspertë të fushës së mbrojtjes së natyrës, njësitë e qeverisjes vendore etj. Ky proces konsiston në prezantimin e listës fillestare ekzistuese, planin e aktiviteteve, si dhe afatet konkrete për përcaktimin e ZVR-së për Shqipërinë.

4. Për secilën zonë, AKZM-ja kryen studimin e biodiversitetit, hartën GIS dhe hartat e habitateve, me qëllim vlerësimin e zonave potenciale për t’u shpallur ZVR, duke përdorur bazën e të dhënave ekzistuese, përfshirë të dhënat ekzistuese për biodiversitetin, sipas metodikës dhe formatit të përcaktuar në Formën Standarde të të Dhënave (Standard Data Form), në shtojcën I, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe pjesë përbërëse e tij.

5. Ky proces i nënshtrohet procedurës së konsultimit me njësitë e qeverisjes vendore, ekspertë të fushës së mbrojtjes së natyrës dhe institucionet kërkimore e shkencore. Fillimisht, rezultatet paraprake të studimeve për secilën zonë paraqiten për shqyrtim e diskutim në takime të veçanta, në qarkun ku ndodhet zona e propozuar.

6. Pas konsultimit, AKZM-ja, brenda 6 (gjashtë) muajve, reflekton sugjerimet për secilën zonë të propozuar në Formën Standarde të të Dhënave dhe studimi i ripunuar respektiv për secilën zonë, pjesë paraprake të ZVR-së, i nënshtrohet vlerësimit të mëtejshëm teknik të elementeve të biodiversitetit me ekspertë të fushës së mbrojtjes së natyrës, sipas kërkesave të përcaktuara në shtojcën I, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
7. Në përfundim të këtij procesi, AKZM-ja i paraqet ministrisë përgjegjëse për zonat e mbrojtura mjedisore rezultatet e studimit përfundimtar dhe ministria përgjegjëse për zonat e mbrojtura mjedisore harton një listë paraprake të zonave që potencialisht plotësojnë kriteret për t’u shpallur si ZVR për Shqipërinë.

8. Ministria përgjegjëse për zonat e mbrojtura mjedisore, bazuar në listën paraprake të zonave që plotësojnë kriteret për t’u shpallur si ZVR, në bashkëpunim me AKZM-në dhe AKM-në, organizon diskutime dhe konsultime me ministrinë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore, grupet e interesit, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe institucionet kërkimore e shkencore për paraqitjen e propozimeve dhe marrjen e mendimeve për përmirësimin e listës së propozuar të zonave të veçanta të mbrojtjes.

9. Pas përfundimit të procesit të konsultimit dhe përgatitjes së dokumentacionit të përcaktuar në pikat 6 e 7, të këtij vendimi, ministri përgjegjës për zonat e mbrojtura mjedisore miraton, me urdhër, listën e zonave të veçanta të ruajtjes dhe, së bashku me të dhënat përkatëse për çdo zonë, në momentin e anëtarësimit, ia dërgon Komisionit Evropian.

10. Vendimi nr.897, datë 21.12.2011, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave për shpalljen e zonave të veçanta të ruajtjes”, shfuqizohet.

11. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E NDRYSHIMIT TË STATUSIT, NGA KATEGORIA E RESURSIT “TOKË BUJQËSORE” NË “TOKË URBANE”, TRUALL, TË PASURISË ME NUMËR 51/32, ZONA KADASTRALE 1914, BASHKIA SHIJAK

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5/2, të nenit 11/1, të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e ndryshimit të statusit, nga kategoria e resursit “tokë bujqësore” në “tokë urbane”, truall, të pasurisë me numër 51/32, zona kadastrale 1914, Bashkia Shijak, sipas certifikatës së pasurisë, hartës treguese dhe lidhjes nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi.

2. Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës, Qarku Durrës, të pasqyrojë në dokumentacionin kadastral (LN) ndryshimin e resursit, nga “tokë bujqësore” në “tokë urbane”, truall, të pasurisë me numër 51/32, zona kadastrale 1914, Bashkia Shijak.

3. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencia Shtetërore të Kadastrës dhe Këshilli i Qarkut Durrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE NR.3, ME SHKËMBIM LETRASH, TË MARRËVESHJES SË GRANTIT SUEDEZ NR.TF014255, ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), që vepron si administratorE E fondeve grant të siguruara NGA Suedia, e përfaqësuar nga Agjencia Suedeze PËR Bashkëpunim DHE ZHVILLIM Ndërkombëtar (SIDA), PËR BASHKëFINANCIMIN E projektiT Të burimeve ujore dhe ujitjes

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 12, 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin e marrëveshjes ndryshuese nr.3, me shkëmbim letrash, të marrëveshjes së grantit nr.TF014255, ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), që vepron si administratore e fondeve grant të siguruara nga Suedia, e përfaqësuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA), për bashkëfinancimin e projektit të burimeve ujore dhe ujitjes, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

VE N D I M

PËR

FUNKSIONIMIN DHE MËNYRËN E ZHVILLIMIT TË VEPRIMTARISË SË INSTITUTIT KOMBËTAR TË TRASHËGIMISË KULTURORE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 28, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, të ligjit nr.90/2019, “Për organizmin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, dhe të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Përcaktimin e funksionimit dhe të mënyrës së zhvillimit të veprimtarisë së Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (referuar më poshtë IKTK).

2. IKTK-ja është person juridik publik buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore, me seli në Tiranë.

3. IKTK-ja financohet nga buxheti i shtetit dhe burime të tjera të ligjshme.

4. IKTK-ja ka si mision gjurmimin, hulumtimin, studimin, projektimin, konservimin, restaurimin, mbikëqyrjen, kolaudimin, promovimin, publikimin e trashëgimisë kulturore materiale.

5. IKTK-ja vepron në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, në fushat e përgjegjësisë, si më poshtë vijon:

a) Të trashëgimisë kulturore materiale;
b) Të arkeologjisë parandaluese të shpëtimit nëntokësor dhe nënujor;
c) Të pasurisë e peizazhit kulturor.

II. PËRGJEGJËSITË FUNKSIONALE TË INSTITUTIT KOMBËTAR TË TRASHËGIMISË KULTURORE, IKTK-SË

IKTK-ja ka përgjegjësi të organizojë punën për realizimin e detyrave dhe ushtrimin e përgjegjësive në fushën:

a) e trashëgimisë kulturore materiale në lidhje me gjurmimin, hulumtimin, studimin, projektimin, konservimin, restaurimin, mbikëqyrjen, kolaudimin, promovimin, publikimin e trashëgimisë kulturore materiale;
b) e arkeologjisë parandaluese e të shpëtimit dhe studimit të trashëgimisë arkeologjike, si rrjedhojë e planifikimit urban e territorial në Republikën e Shqipërisë.

III. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I INSTITUTIT KOMBËTAR TË TRASHËGIMISË KULTURORE, IKTK-SË

1. IKTK-ja e shtrin veprimtarinë e tij për trashëgiminë kulturore në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe organizohet në nivel qendror. Në përbërje të strukturës së tij ka edhe Qendrën Rajonale për Konservim dhe Restaurim.

2. IKTK-ja është institucion kombëtar i specializuar shkencor, i cili në përmbushje të funksioneve të veta bashkërendon punën me:

a) drejtoritë rajonale të trashëgimisë kulturore (DRTK);
b) njësitë e administrimit dhe të koordinimit të parqeve arkeologjike (NJAKPA);
c) institucionet e vetëqeverisjes vendore.

3. IKTK-ja drejtohet dhe përfaqësohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e IKTK-së dhe përgjigjet para ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore.

4. Struktura dhe organika e IKTK-së miratohen me urdhër të Kryeministrit, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.

5. IKTK-ja funksionon në bazë të ligjit për trashëgiminë kulturore dhe muzetë, të këtij vendimi, statutit dhe rregullores së miratuar me urdhër të ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore.

6. IKTK-ja realizon aktivitetin e saj në bashkëpunim me:

a) institucionet e tjera publike në varësi të ministrisë përgjegjëse të trashëgimisë kulturore, organet e administratës qendrore, organet e vetëqeverisjes vendore dhe institucione të tjera shkencore, kulturore, fetare, persona fizikë e juridikë për evidentimin, gjurmimin, konservimin, studimin dhe restaurimin e pasurive kulturore;
b) UNESCO-n, si dhe me organizata të tjera ndërkombëtare në lidhje me trajnimet për formimin profesional dhe specializimin e restauratorëve dhe operatorëve të rinj të trashëgimisë kulturore, pjesë të strukturave shtetërore dhe institucioneve të specializuara për trashëgiminë kulturore;
c) institucione të tjera të specializuara të sistemit të Akademisë së Shkencave, Akademinë e Studimeve Albanologjike, si dhe institucione homologe ose organizma ndërkombëtarë, në fushën e trashëgimisë kulturore.

7. Statuti dhe rregullorja, që përcaktojnë metodat e brendshme të punës së IKTK-së, miratohen me urdhër të ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore.

8. Marrëdhëniet e punës së drejtorit të Përgjithshëm dhe të nëpunësve të IKTK-së rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës.

9. Drejtori i Përgjithshëm i IKTK-së duhet të plotësojë kriteret profesionale, si më poshtë vijon:

a) Eksperiencë profesionale dhe të dokumentuar në fushën e tij të ekspertizës dhe të menaxhimit;
b) Nuk duhet të jetë dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale.

10. IKTK-ja kryen detyrat, si më poshtë vijon:

a) Monitoron dhe koordinon DRTK-të, si njësi përgjegjëse për mbarëvajtjen e tyre;
b) Konstaton verifikimin ose jo, të interesit kulturor për pasuritë e paluajtshme sipas procedurave përkatëse në ligjin për trashëgiminë kulturore;
c) Nëpërmjet sekretarisë teknike kryen verifikimet e natyrës teknike dhe siguron nga kërkuesit informacione të tjera shtesë në funksion të vendimmarrjes së Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale, lidhur me kërkesat për ndërhyrje;
ç) Vendos pezullimin e menjëhershëm të ndërhyrjeve kur me propozim të institucioneve të specializuara ose kryesisht konstaton kryerjen e punimeve në kundërshtim me ligjin;
d) Monitoron ushtrimin e veprimtarisë së subjekteve të licencuara;
dh) Kryen formimin e vazhdueshëm të personave të pajisur me licenca në fushën e projektimit e të zbatimit të punimeve në pasuritë kulturore materiale, veprimtarisë arkeologjike;
e) Kryen studime për shtrirjen e zonës së mbrojtur për pasuritë kulturore të paluajtshme ose grupimin e pasurive kulturore të paluajtshme;
ë) Vendos masat e mbrojtjes indirekte, sipas procedurës së parashikuar në ligj;
f) Propozon procedurën për kryerjen e hulumtimeve arkeologjike;
g) Koordinon planet e zhvillimit, të projekteve restauruese dhe konservuese, projekteve kërkimore-shkencore të NJAKPA-ve;
gj) Ndjek gjetjet rastësore arkeologjike gjatë zbatimit të projekteve zhvillimore ose punimeve të tjera të çfarëdollojshme dhe merr masa për shpëtimin e këtyre vlerave, sipas procedurës së parashikuar në ligj;
h) Nëpërmjet punonjësit të autorizuar pezullon punimet që mund të dëmtojnë vlerat arkeologjike deri në marrjen e një vendimi nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale, në rastin e zbulimeve të rëndësishme;
i) Regjistron njoftimet për gjetjet rastësore detare dhe nëntokësore;
j) Studion dhe përcakton kufijtë e zonave të mbrojtura të pasurive kulturore;
k) Konsulton ministrin përgjegjës për trashëgiminë kulturore lidhur me hapjen e procedurës së konkurrimit për dhënien në rijetëzim për vlerat kulturore të paluajtshme;
l) Së bashku me IKRTK-në harton masat për ruajtjen, mbrojtjen, mirëmbajtjen, administrimin, tjetërsimin dhe qarkullimin e objekteve muzeore dhe të koleksioneve muzeore;
ll) Kryesisht ose me propozim të institucioneve të specializuara të njësive të qeverisjes qendrore ose të vetëqeverisjes vendore fillon procedurën e vlerësimit, duke verifikuar ekzistencën e interesit të veçantë publik për pasuritë e peizazhit kulturor për pasuritë e paluajtshme dhe për zonat për të cilat është marrë iniciativa;
m) Lëshon lejet e peizazhit kulturor pas miratimit të kërkesës nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale, si dhe i sugjeron Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale vendosjen e distancave, masave/hapësirave dhe variante të projektit në fazë ekzekutimi të nevojshme për ruajtjen e vlerave të peizazhit;
n) Përgatit dhe realizon në mënyrë periodike botime të ndryshme shkencore, albume dhe udhërrëfyes;
nj) Nëpërmjet Qendrës Rajonale për Konservim dhe Restaurim formon dhe përditëson njohuritë e restauratorëve dhe të subjekteve të licencuara;
o) Nëpërmjet Qendrës Rajonale për Konservim dhe Restaurim harton dhe zbaton programe të kualifikimit të specialistëve në fushën e trashëgimisë kulturore materiale;
p) Çdo detyrë tjetër të përcaktuar me ligj.

11. Drejtori i Përgjithshëm i IKTK-së ka kompetencat dhe përgjegjësitë, si më poshtë vijon:

a) Analizon, zbërthen dhe siguron zbatimin e vendimeve lidhur me politikat e ministrisë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore;
b) Është përgjegjës për hartimin e objektivave dhe zbatimin e planeve strategjike në përputhje me objektivat dhe misionin e IKTK-së;
c) Monitoron dhe kontrollon faktorët e riskut që venë në rrezik arritjen e objektivave të IKTK-së;
ç) Planifikon, drejton dhe koordinon funksionimin e përgjithshëm të institucionit;
d) Shpërndan punën brenda institucionit dhe siguron arritjen e rezultateve në kohë dhe me cilësi, sipas objektivave të planifikuara;
dh) Është sekretar i Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale;
e) Jep udhëzime lidhur me trajtimin e kërkesave që i kalojnë për shqyrtim Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale;
ë) Ndjek dhe raporton për detyrimet që rrjedhin nga marrëveshjet ndërkombëtare dhe institucionet e tjera;
f) Emëron dhe shkarkon punonjësit e IKTK-së, në bazë të Kodit të Punës dhe të rregullores së brendshme të IKTK-së;
g) Ndjek rregullisht proceset administrative dhe merr masa për zgjidhjen e problemeve.

12. IKTK-ja ka stemën, logon dhe vulën e saj zyrtare. Stema e IKTK-së përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë me shënimet “Republika e Shqipërisë”, Ministria e Kulturës, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore.”

13. Vula e IKTK-së ka formën dhe elementet e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për rregullat e prodhimit, të administrimit, të kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare. Vula prodhohet, administrohet dhe ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.

IV. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

1. Ngarkohet ministri i Kulturës që, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të fillojë procedurën për propozimin e strukturës dhe të organikës së IKTK-së.

2. Drejtuesit e institucioneve aktuale që ristrukturohen në funksion të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore”, me urdhër të përbashkët, krijojnë një komision për realizimin e procesit të ristrukturimit dhe të riorganizimit të punonjësve aktualë të Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe Agjencisë Shërbimit Arkeologjik, sipas strukturës dhe organikës së re. Ky proces udhëhiqet nga drejtues të lartë të Ministrisë së Kulturës, nën mbikëqyrjen e ministrit të Kulturës.

3. Deri në fillimin e funksionimit të plotë të IKTK-së, sipas këtij vendimi, strukturat aktuale vazhdojnë funksionimin e tyre sipas strukturave dhe organikave të miratuara.

4. Ngarkohet Ministria e Kulturës që, në përputhje me ligjin nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të bëjë transferimin e fondeve buxhetore nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Agjencia e Shërbimit Arkeologjik te IKTK-ja.

5. Ngarkohen ministri i Kulturës dhe Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore si dhe institucionet e tjera në fushën e trashëgimisë kulturore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES SË HUAS (DATË 30 QERSHOR 2008, MARRËVESHJE HUAJE NR.ABA-P3), NDËRMJET QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS JAPONEZE PËR BASHKËPUNIM NDËRKOMBËTAR (TË ZËVENDËSUAR NGA AGJENCIA JAPONEZE E BASHKËPUNIMIT NDËRKOMBËTAR, NË TETOR 2008), PËR PROJEKTIN “PËRMIRËSIMI I SISTEMIT TË KANALIZIMEVE PËR TIRANËN E MADHE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huas (datë 30 qershor 2008, marrëveshje huaje Nr.ABA-P3), ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (të zëvendësuar nga Agjencia Japoneze e Bashkëpunimit Ndërkombëtar, në tetor 2008), për projektin “Përmirësimi i sistemit të kanalizimeve për Tiranën e madhe”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M

PËR

KRITERET E DHËNIES SË SUBVENCIONIT TË QIRASË PËR KATEGORITË QË GËZOJNË PËRPARËSI NË SUBVENCIONIMIN E QIRASË NË TREGUN E LIRË, NËPËRMJET BUXHETIT TË SHTETIT, DHE MËNYRËN E LLOGARITJES SË TIJ

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 37, pika 2, e 38, pika 3, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Qëllimi i këtij vendimi është përcaktimi i:

a) kritereve për dhënien e subvencionimit të qirasë të banesave në pronësi të pronarit social, nëpërmjet buxhetit të shtetit, për individët/familjet, që gëzojnë përparësi në përfitimin e këtij programi të strehimit social;
b) mënyrës së llogaritjes së subvencionimit të qirasë në tregun e lirë, sipas shtojcës “A”, bashkëlidhur dhe pjesë përbërëse e këtij vendimi.

2. Përparësi në subvencionimin e qirasë, sipas sistemit të pikëzimit, kanë, por pa u kufizuar në to, kategoritë e përcaktuara në nenet 33 dhe 34/3 të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”, përfshirë individët, që dalin nga sistemi i përkujdesjes alternative, si më poshtë vijon:

a) Individët me statusin e jetimit;
b) Personat me aftësi të kufizuar;
c) Të moshuarit;
ç) Invalidët e punës;
d) Familjet e policëve të rënë në detyrë;
dh) Emigrantët e rikthyer;
e) Punëtori emigrant;
ë) Azilkërkuesit;
f) Familjet e komunitetit rom;
g) Familjet e komunitetit egjiptian;
gj) Viktimat e dhunës në familje;
h) Viktimat e trafikimit/viktimat e mundshme të trafikimit;
i) Prindërit e vetëm, që kanë në ngarkim fëmijë;
j) Individët, që i përkasin komunitetit LGBTI;
k) Të miturit, 14-18 vjeç, dhe të rinjtë, 18-21 vjeç, në konflikt me ligjin;
l) Vajzat nëna, pas daljes nga programi i banesave sociale të specializuara;
ll) Familjet me statusin e qiramarrësit në banesa ish-pronë private, sipas Aktit Normativ me Fuqinë e Ligjit nr.3, datë 1.3.2012.

2.1. Radha e përparësisë së këtyre kategorive përcaktohet në përputhje me sistemin e pikëzimit, që miratohet me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore. Pesha e pikëve që njësia e vetëqeverisjes vendore i ngarkon kategorive të referuara në pikën 2, të këtij vendimi, varet nga përqindja që zë secila kategori ndaj totalit, bazuar në numrin e përgjithshëm të aplikimeve të këtyre kategorive.

2.2. Ministria përgjegjëse për strehimin përcakton kategoritë që gëzojnë përparësi për përfitimin e subvencionimit të qirasë, kur financon ose bashkëfinancon nga buxheti i shtetit. Përparësitë përcaktohen çdo vit, bazuar në prioritetet e programeve qeveritare.

3. Që një familje/individ të përfitojë subvencionimin e qirasë duhet të plotësojë kriteret e përcaktuara në njërin prej rasteve të shkronjës “a”, të nenit 16, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”, dhe të mos ketë të ardhura më të larta se ato të përcaktuara në nenin 20, të tij.

4. Njësia e vetëqeverisjes vendore përcakton vlerën konkrete të subvencionimit të qirasë për banesat në pronësi të pronarit social në tregun e lirë, bazuar në:

a) vlerën mesatare të qirasë në tregun e lirë, e cila vlerësohet sipas zonave të ndryshme urbane e rurale të një njësie të vetëqeverisjes vendore;
b) të ardhurat familjare, sipas kategorizimit të pikës 44, të nenit 2, të ligjit nr.22/2018;
c) aftësinë e familjes për të përballuar pagesat mujore të qirasë, sipas përcaktimeve të nenit 3, të ligjit nr.22/2018.

5. Masa e subvencionimit të qirasë për çdo individ/familje llogaritet si diferenca ndërmjet qirasë reale, që paguan familja, dhe aftësisë së individit/familjes për të përballuar pagimin e qirasë, e cila llogaritet për 12 muajt e fundit. Qiraja reale nuk mund të jetë më e lartë se qiraja mesatare, sipas shkronjës “a”, të pikës 4, të këtij vendimi.

5.1. Masa e subvencionimit të qirasë është:

a) e plotë, për të gjithë vlerën e qirasë të përcaktuar për familjet pa të ardhura, sipas përcaktimit të shkronjës “ç”, të pikës 45, të nenit 2, të ligjit nr.22/2018;
b) e pjesshme dhe në raport të zhdrejtë me të ardhurat mesatare të individit/familjes, në përputhje me kategorizimin e parashikuar nga shkronjat “b” e “c”, të pikës 45, të nenit 2, të ligjit nr.22/2018, sipas formulës në shtojcën “A”, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Kur subvencioni i qirasë është i pjesshëm, shihet mundësia e uljes së tij pas tre muajve, në varësi të të ardhurave që mund të vijnë nga punësimi apo burime të tjera të ligjshme për individët/familjet që përfitojnë prej tyre;
c) e barabartë me zero, kur një familje me të ardhura mujore mesatare shpenzon më pak se 25% të të ardhurave mujore për pagesën e qirasë.

5.2 Shtojca “A”, bashkëlidhur këtij vendimi, paraqet një shembull të llogaritjes së subvencionimit të qirasë për një familje me të ardhura të ulëta, sipas klasifikimit të pikës 45, të nenit 2, të ligjit nr.22/2018.

6. Ministria përgjegjëse për strehimin, mbështetur në kërkesat e njësive të vetëqeverisjes vendore, garanton fondet buxhetore vjetore për subvencionimin e qirasë për banesat e pronarëve socialë në tregun e lirë.

7. Ngarkohen ministria përgjegjëse për strehimin dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E HARTËS SË PËRDITËSUAR TË KUFIJVE ADMINISTRATIVO-TERRITORIALË TË NJËSIVE TË VETËQEVERISJES VENDORE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 93, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e hartës së përditësuar të kufijve administrativo-territorialë të njësive të vetëqeverisjes vendore, sipas standardeve të përcaktuara gjeohapësinore, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Harta e përditësuar me koordinata të njësive të vetëqeverisjes vendore publikohet në Gjeoportalin Kombëtar, administruar nga Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG).

3. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor, Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M

PËR

LIRIMIN DHE EMËRIMIN E NJË ANËTARI TË KËSHILLIT DREJTUES TË AGJENCISË SHTETËRORE TË KADASTRËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 8, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Znj. Majlinda Dhuka, anëtar i këshillit drejtues të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, përfaqësues i Kryeministrisë, lirohet nga kjo detyrë.

2. Znj. Elira Kokona emërohet anëtar i këshillit drejtues të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, përfaqësues i Kryeministrisë.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M

PËR

PËRCAKTIMIN E SPECIFIKIMEVE TË MEDALJEVE TË MIRËNJOHJES PUBLIKE DHE TË VLERËSIMIT PROFESIONAL QË JEPEN NGA KRYEMINISTRI

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 2, 13, dhe 26, pika 1, të ligjit nr.112/2013, “Për dekoratat, titujt e nderit, medaljet dhe titujt vendorë të nderit në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Modeli dhe përshkrimi i medaljeve që jepen nga Kryeministri janë sipas specifikimeve të përcaktuara në shtojcën 1, bashkëlidhur këtij vendimi.

2. Dhënia e medaljeve shoqërohet me një certifikatë. Formati i certifikatës është një letër format A4, me peshë 160 gr, me logon e institucionit, e kornizuar me ngjyrat e shiritit të medaljes. Në qendër vendoset shenja e medaljes dhe teksti me këtë përmbajtje: “Z./Znj._____, Kryeministër i Shqipërisë, i akordon z./znj._____ llojin e medaljes, nr. rendor. Tiranë, më ___/___/___.”.

3. Medalja e Kryeministrit për Mirënjohje Publike përbëhet nga tri klasa:

– I: Kordoni i Madh me Yll i Mirënjohjes Publike;
– II: Ylli i Madh i Mirënjohjes Publike;
– III: Ylli i Mirënjohjes Publike.

4. Medalja e Kryeministrit për Vlerësim Profesional është e përbërë nga tre klasa:

– I: E Artë;
– II: E Argjendtë;
– III: E Bronztë.

5. Dhënia e medaljeve bëhet me një ceremoni zyrtare, e cila organizohet nga autoriteti që jep medaljen.

6. Individët të cilët janë dalluar me Medaljen e Mirënjohjes Publike përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi asimilohen me mbajtësit e klasit III – Ylli i Mirënjohjes Publike dhe kanë të drejtë të mbajnë shenjat përkatëse, sipas parashikimeve në këtë vendim.

7. Medalja e Kryeministrit për Mirënjohje Publike i hiqet titullarit të saj për arsyet e mëposhtme:

a) Ka dënim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre të rëndë penale;
b) Ka dënim gjyqësor të formës së prerë me burgim pa kusht, për një vit ose më shumë.

8. Medalja mund t’i hiqet titullarit të saj ose të jetë objekt pezullimi pa afat kur titullari është dënuar për një vepër penale që cenon figurën, ndershmërinë dhe moralin e tij si dhe besueshmërinë tek të tretët. Titullari është i detyruar të kthejë shenjat e medaljes me të cilën ka qenë i dekoruar.

9. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i miratuar për Kryeministrinë.

10. Ngarkohet Kryeministria për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.669, DATË 7.8.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE PËR PËRCAKTIMIN, KRIJIMIN DHE REALIZIMIN E KORNIZËS REFERUESE SHQIPTARE (KRGJSH), SI METADATË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 1 e 4, të nenit 13, të ligjit nr.72/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Në vendimin nr.669, datë 7.8.2013, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2. Ngarkohet Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor për zbatimin e këtij vendimi.”.

2. Në tekstin e rregullave, bashkëlidhur vendimit, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

a) Pika 9, e nenit 2, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“9. Rrjeti shtetëror i pozicionimit global” është rrjeti që mundëson pozicionimin, bazuar në sistemet GNSS.”.

b) Pika 1, e nenit 3, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Sistemi referues gjeodezik që do të përdoret në Republikën e Shqipërisë do të quhet Korniza Referuese Gjeodezike Shqiptare ose shkurt KRGJSH.”.

c) Shkronja “a”, e pikës 1, të nenit 5, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“a) rrjetin shtetëror të pozicionimit global;”.

ç) Shkronja “e”, e pikës 1, të nenit 6, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“e) sistemin shtetëror për ndarjen dhe emërtesën e fletëve të hartave (nomenklatura), që përcaktohet me vendim të ASIG-ut.”.

d) Në nenin 8 termi “GPS” zëvendësohet me fjalët “ï pozicionimit global”.

dh) Pas nenit 8/1 shtohet neni 8/1/a, me këtë përmbajtje:

“Neni 8/1/a
Stacionet e rrjetit aktiv të pozicionimit global ALBPOS, që posedohet nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, kalojnë në administrim të ASIG-ut dhe integrohen në rrjetin aktiv të stacioneve CORS.”.

e) Neni 9 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 9
Radha e kryerjes së punimeve dhe përgatitja e instruksioneve me kërkesat teknike për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrjeteve të parashikuara në nenin 5, përcaktohen dhe miratohen nga ASIG-u.”.

ë) Shtesa II shfuqizohet.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.594, DATË 9.10.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR EMËRIMIN E KRYETARIT DHE TË ANËTARËVE TË KËSHILLIT DREJTUES TË FONDIT SHQIPTAR PËR ZHVILLIMIN E DIASPORËS”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 9, të ligjit nr.32/2018, “Për Fondin Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Diasporën, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në pikën 1, të vendimit nr.594, datë 9.10.2018, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:

a) Për pjesën e mbetur të mandatit, sipas pikës 4, të nenit 9, të ligjit nr.32/2018:

i. Znj. Fjoralba Caka emërohet në vend të Znj. Teuta Vodo, si përfaqësuese nga ministria përgjegjëse për drejtësinë;
ii. Z. Kostandin Shkurti emërohet në vend të Znj. Besa Shahini, si përfaqësues nga ministria përgjegjëse për arsimin;
iii. Znj. Kozeta Angjeliu emërohet në vend të Znj. Mimoza Hysa Çuliqi, si përfaqësuese nga ministria përgjegjëse për kulturën.

b) Pas përfaqësuesit nga ministria përgjegjëse për kulturën bëhet shtesa, si më poshtë vijon:

“iv. Znj. Anila Hyka Smorgrav emërohet si përfaqësuese nga Këshilli Koordinues i Diasporës.”.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M

PËR

DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.730, DATË 20.10.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES PËR KUSHTET, KRITERET, TARIFAT, AFATET DHE PROCEDURËN PËR KLASIFIKIMIN E STRUKTURAVE AKOMODUESE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 45, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Në tekstin e rregullores të miratuar me vendimin nr.730, datë 20.10.2016, të Këshillit të Ministrave, bëhen shtesat si vijon:

1. Në nenin 1 pas pikës 3 shtohet pika 4, me këtë përmbajtje:

“4. Kategorizimin e strukturave akomoduese.”.

2. Në nenin 3 pas shkonjës “c” shtohet c/1, me këtë përmbajtje:

“c/1 Certifikatë kategorizimi, dokumenti i leshuar nga komisioni i standardizimit të veprimtarive turistike për llojin e stukturës akomoduese.”.

3. Në nenin 4, pas pikës 2 shtohen pikat 3 dhe 4, me këtë përmbajtje:

“3 Çdo sipërmarrës turistik që ushtron veprimtarinë si strukturë akomoduese duhet të pajiset me certifikatë kategorizimi.

4. Mënyra dhe procedurat e kategorizimit të strukturave akomoduese përcaktohen me urdhër ministri.”.

4. Pas nenit 7 shtohet neni 7/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 7/1

Për strukturat akomoduese me 4 apo 5 yje që janë mbajtëse të një marke tregtare të regjistruar dhe të njohur ndërkombëtarisht “Brand name”, vlerësimi për klasifikimn e tyre bëhet nga ministria përgjegjëse për turizmin, me kërkesë të vetë sipërmarrësit turistik, deri në nënshkrimin e marrëveshjes me agjenci apo organizata ndërkombëtare, të mirënjohura në fushën e vlerësimit të strukturave akomoduese, sipas përcaktimeve të bëra në pikën 1, të nenit 7, të rregullores.”.

5. Ngarkohet Ministria e Turizmit dhe Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare’.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.345, DATË 4.5.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKONSTRUKSION I RRUGËS TRANSBALLKANIKE VLORË, FAZA II””

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Në vendimin nr.345, datë 4.5.2016, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Në tabelën bashkëlidhur vendimit ndryshohen numrat rendorë 6, 15, 47, 53, 71, 86, 106 e 112 dhe shtohen numrat rendorë 134, 135, 136, 137, 138, 139, 140, 141, 142, 143, 144, 145, 146 e 147, përkatësisht sipas tabelave A dhe B, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

2. Në pikat 3 dhe 4, të vendimit, vlerës së përgjithshme të shpronësimit i zbritet shuma prej 11 011 609 (njëmbëdhjetë milionë e njëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e nëntë) lekësh dhe i shtohet shuma prej 18 701 314 (tetëmbëdhjetë milionë e shtatëqind e një mijë e treqind e katërmbëdhjetë) lekësh, sipas tabelave A dhe B, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Vlera shtesë, prej 7 689 705 (shtatë milionë e gjashtëqind e tetëdhjetë e nëntë mijë e shtatëqind e pesë) lekësh, të përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.

3. Shpenzimet procedurale shtohen në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë dhe do të përballohen nga buxheti i vitit 2019, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

4. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Bashkia Vlorë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M

PËR

DHËNIE NDIHME FINANCIARE, NGA KËSHILLI I MINISTRAVE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PËR KËSHILLIN KOMBËTAR SHQIPTAR NË SERBI, PËR MBËSHTETJEN E FUNKSIONIMIT TË KËTIJ KËSHILLI SI DHE TË ZYRAVE TË TIJ NË PRESHEVË DHE MEDVEGJË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, me propozimin e Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Dhënien e ndihmës financiare, nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë për Këshillin Kombëtar Shqiptar në Serbi, në masën 30 000 (tridhjetë mijë) euro, për mbështetjen e funksionimit të këtij këshilli si dhe të zyrave të tij në Preshevë dhe Medvegjë.

2. Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në buxhetin e miratuar për vitin 2019, në programin “Shpenzime diplomatike jashtë shtetit”, në zërin “Shpenzime korrente”, t’i shtohet kundërvlera në lekë e fondit prej 30 000 (tridhjetë mijë) eurosh, sipas pikës 1, të këtij vendimi.

3. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2019.

4. Ngarkohen Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES PËR REDUKTIMIN E ÇMIMIT TË SHËRBIMEVE ROAMING NË RRJETET PUBLIKE TË KOMUNIKIMIT CELULAR NË RAJONIN E BALLKANIT PERËNDIMOR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin e marrëveshjes për reduktimin e çmimit të shërbimeve roaming në rrjetet publike të komunikimit celular në rajonin e Ballkanit Perëndimor, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M

PËR

PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE TË ZHVENDOSJES SË INDIVIDËVE/FAMILJEVE NGA VENDBANIMI A STREHIMI I TYRE, NË RASTET E PARASHIKUARA NË LIGJ, DHE TË BASHKËPUNIMIT INSTITUCIONAL

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 6, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Për zhvendosjen e individëve/familjeve nga vendbanimi a strehimi i tyre, në rastet e parashikuara në ligj, zbatohen parimet e mëposhtme procedurale:

1.1. Procedurat e zhvendosjes realizohen në respektim të së drejtës për një proces të rregullt ligjor, si dhe të të drejtave e lirive të njeriut të garantuara në Republikën e Shqipërisë e sipas standardeve ndërkombëtare të zbatueshme në vend, përfshirë të drejtën për kushte të përshtatshme strehimi.

1.2. Të gjithë individët/familjet e prekur/a nga zhvendosja gëzojnë mbrojtje juridike të njëjtë, pavarësisht nëse gëzojnë apo jo titull pronësie mbi banesën apo pronën nga e cila zhvendosen, në përputhje me ligjin nr.22/2018, “Për strehimin social”.

1.3. Njësitë e vetëqeverisjes vendore, gjatë procedurës së zhvendosjes, respektojnë, mbrojnë dhe përmbushin të gjitha të drejtat e liritë themelore të njeriut, duke garantuar, si më poshtë vijon:

a) individët/familjet, që i nënshtrohen procedurës së zhvendosjes, përfitojnë strehim të përshtatshëm, sipas përcaktimeve në ligjin nr.22/2018, dhe gëzojnë mjetin ligjor mbrojtës ndaj vendimmarrjes për zhvendosje të parashikuar nga legjislacioni në fuqi;
b) strehimi i përshtatshëm i garantohet, në përputhje me ligjin nr.22/2018, pa diskriminim për shkak gjinie, race, feje, etnie, gjuhe, bindjeje politike, fetare a filozofike, gjendjeje ekonomike, arsimore, sociale ose përkatësie prindërore, ngjyre, shtetësie, orientimi seksual, shtatzënie, përgjegjësie prindërore, moshe, gjendjeje familjare ose martesore, gjendjeje civile, vendbanimi, gjendjeje shëndetësore, predispozicioni gjenetik, aftësie të kufizuar, përkatësie në një grup të veçantë, ose për çdo shkak tjetër, cilitdo/cilësdo individi/familjeje që i nënshtrohet procedurës së zhvendosjes;
c) individi/familja, që nuk e gëzon të drejtën e pronësisë, gëzon të drejtën për risistemim e ristrehim, në përputhje me kriteret, si: siguria, aksesueshmëria, kostoja e përballueshme e banesës, kushtet e banimit, shprehja e identitetit kulturor dhe aksesi në shërbime bazë, kujdesi social, shëndetësor dhe arsimi;
ç) individi/familja, që gëzon të drejtën e pronësisë mbi pronën nga e cila zhvendoset, gëzon të drejtën për kompensim të drejtë, në përputhje me legjislacionin për shpronësimet;
d) individët/familjet, që u nënshtrohen procedurave të zhvendosjes, informohen, pa kërkesë, në përputhje me legjislacion në fuqi për të drejtën e informimit, përmes mjeteve të ndryshme të informimit e duke garantuar aksesin në informacion edhe për grupe vulnerabël apo pakica, përfshirë edhe personat me aftësi të kufizuar.

1.4. Procedura e zhvendosjes duhet:

a) të realizohet në përputhje me parashikimet e ligjit nr.22/2018;
b) të kryhet në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut të ratifikuara me ligj;
c) të kryhet vetëm për qëllim të përkrahjes së mirëqenies së përgjithshme;
ç) të jetë e arsyeshme dhe proporcionale;
d) të miratohet e të zbatohet në mënyrë të tillë që të mundësojë kompensim të drejtë.

1.5. Njësitë e vetëqeverisjes vendore, në aktet që përmbajnë fitimin e pronësisë dhe të të drejtave reale mbi pasuritë e paluajtshme, përfshijnë shprehimisht referimin e identitetit dhe të cilësimit si bashkëpronar të secilit anëtar madhor të familjes dhe/ose të dy bashkëshortëve, në përputhje me Kodin e Familjes dhe ligjin për regjistrimin e pasurive të paluajtshme, në bazë të certifikatës së gjendjes familjare.

1.6. Individi/familja, ndaj të cilit/së cilës fillon procesi administrativ i zhvendosjes, nuk duhet të mbetet i/e pastrehë ose të vihet në një situatë që e bën atë vulnerabël ndaj shkeljes së të drejtave të tjera të njeriut. Zhvendosja nuk zbatohet pa siguruar më parë sistemimin me strehim të përshtatshëm të individëve/familjeve që zhvendosen dhe nuk përfitojnë shpronësim. Njësia e vetëqeverisjes vendore garanton dhe ofron një strehim të përshtatshëm alternativ, risistemim në një vend tjetër ose akses në tokë prodhuese, sipas rastit, sa më pranë vendbanimit fillestar e burimit të jetesës së të zhvendosurve.

1.7. Njësia e vetëqeverisjes vendore merr të gjitha masat për risistemim, si: ndërtimi i banesave, sigurimi i furnizimit me ujë, furnizimi me energji elektrike, sigurimi i higjienës, i shkollimit, aksesi në infrastrukturë rrugore dhe mjedise të përbashkëta komunitare, në pajtim me parimet e politikave të strehimit, përcaktuar në ligjin nr.22/2018, dhe i siguron ato përpara se individi/familja të zhvendoset nga banesa e vet fillestare.

2. Procedura e zhvendosjes realizohet nga njësia e vetëqeverisjes vendore.

2.1. Kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore ngre grupin e punës për ndjekjen e një procedure konkrete zhvendosjeje, në përbërje të së cilës ka punonjës nga struktura përgjegjëse për strehimin, planifikimin e territorit, mbrojtjen sociale, buxhetin dhe një nënkryetar të njësisë së vetëqeverisjes vendore që koordinon grupin e punës. Njësitë e vetëqeverisjes vendore rregullojnë në mënyrë të detajuar veprimtarinë e këtyre grupeve të punës në rregulloret e tyre të brendshme.

2.2. Në vendimin e ngritjes së grupit të punës përcaktohet emri i drejtuesit/drejtueses së këtij grupi pune. Emri, mbiemri dhe kontakti i drejtuesit/drejtueses dhe i të gjithë anëtarëve të grupit të punës i njoftohet individit/familjes me fillimin e procedimit administrativ të zhvendosjes.

3. Individët/familjet, që preken nga zhvendosja, përfitojnë ndihmë juridike në përputhje me legjislacionin në fuqi për ndihmën juridike të garantuar nga shteti.

3.1. Njësia e vetëqeverisjes vendore, në aktin e njoftimit individit/familjes për fillimin e procedurave administrative të zhvendosjes, i njofton ata edhe për mundësinë e përfitimit nga ndihma juridike e garantuar nga shteti, duke i informuar edhe për organin publik të krijuar për administrimin e kësaj ndihme, si dhe kontaktin e këtij organi.

4. Njësia e vetëqeverisjes vendore zbaton zhvendosjen, pasi siguron sistemimin me strehim të përshtatshëm të individëve/familjeve që zhvendosen dhe nuk përfitojnë shpërblim në përputhje me procedurat e shpronësimit. Këto individë/familje përfitojnë strehim sipas njërit prej programeve sociale të strehimit për një periudhë të pacaktuar deri në momentin e konstatimit të përmirësimit të gjendjes ekonomike.

4.1. Njësia e vetëqeverisjes vendore informon me shkrim individin/familjen për mundësitë alternative të strehimit dhe kërkon mendimin me shkrim të individit/familjes për aplikimin e njërës prej këtyre mundësive. Mendimi i individit/familjes vlen si njëra prej rrethanave këshilluese për njësinë e vetëqeverisjes vendore në nxjerrjen e vendimit përfundimtar të organit publik për aplikimin e mundësisë së strehimit. Individit/familjes i jepet një vërtetim i marrjes së mendimit sugjerues.

4.2. Njësia e vetëqeverisjes vendore ofron atë mundësi strehimi që i përshtatet më mirë individit/familjes nga pikëpamja ekonomike, sociale, familjare e kulturore.

4.3. Njësia e vetëqeverisjes vendore ofron strehimin përmes subvencionimit të qirasë, vetëm pasi ka siguruar kontrata me pronarin social.

5. Për çdo individ/familje të zhvendosur, njësia e vetëqeverisjes vendore miraton një plan të hollësishëm të zhvendosjes, në të cilin përfshihen të gjitha elementet e vlerësimit, masat e identifikuara për risistemim, kthim, rehabilitim, si dhe formën e miratuar për strehim alternativ.

5.1. Plani i zhvendosjes i njoftohet individit/familjes 30 (tridhjetë) ditë para nxjerrjes së aktit administrativ të zhvendosjes.

6. Njësia e vetëqeverisjes vendore miraton vlerësimin e “ndikimit të zhvendosjes”, ku përfshihet edhe shqyrtimi i alternativave dhe i strategjive për minimizimin e dëmit.

6.1. Njësia e vetëqeverisjes vendore, më së pari, tenton të arrijë një marrëveshje administrative me shkrim me individin/familjen për të cilin/cilën parashikon të miratojë vendimin e zhvendosjes për alternativën e përshtatshme të strehimit të propozuar. Nëse nuk realizohet një marrëveshje e tillë, njësia e vetëqeverisjes vendore vijon procedurën e zhvendosjes.

7. Procedura e zhvendosjes realizohet duke respektuar procesin e rregullt ligjor.

7.1. Njësia e vetëqeverisjes vendore njofton me shkrim individin/familjen për arsyet e zhvendosjes 30 (tridhjetë) ditë para nxjerrjes së aktit administrativ për zhvendosjen nga banesa. Njoftimi përmban këto të dhëna:

a) Arsyet e zhvendosjes nga banesa;
b) Adresën postare dhe/ose elektronike të organit publik të njësisë së vetëqeverisjes vendore që zhvillon procedurën dhe emrin/emrat e nëpunësit/nëpunësve përgjegjës për këtë procedurë;
c) Informacion lidhur me kompetencën e njësisë së vetëqeverisjes vendore për procedurën e zhvendosjes, qëllimin e procedurës dhe çështjet për të cilat do të merren vendime;
ç) Informacionin për mundësitë alternative të strehimit;
d) Saktësimin e individit/familjes palë në procedurën administrative të zhvendosjes;
dh) Informacion për të drejtën e individit/familjes për njohjen e dosjes së krijuar për procedurën e zhvendosjes dhe zyrën ose vendin ku dhe kohën kur mund të realizohet kjo e drejtë;
e) Informacion për të drejtën e individit/familjes për t’u dëgjuar para nxjerrjes së aktit administrativ të zhvendosjes, përfshirë mënyrat dhe afatin e ushtrimit të kësaj të drejte.

7.2. Njësia e vetëqeverisjes vendore, brenda afatit 30-ditor, sipas nënpikës 7.1, të këtij vendimi, ka barrën e shfrytëzimit të të gjitha mjeteve të kërkimit të provave administrative për mbledhjen e të gjitha provave të nevojshme për nxjerrjen e një akti objektiv administrativ të zhvendosjes në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative. Të gjitha dokumentet që vërtetojnë akte, fakte, cilësi apo gjendje subjektive, të nevojshme për zhvillimin e hetimit administrativ për zhvendosjen e individit/familjes, administrohen kryesisht nga grupi i punës i caktuar për realizimin e procedurës administrative të zhvendosjes, kur janë në administrim të njësisë së vetëqeverisjes vendore që po realizon këtë procedurë ose edhe kur janë në administrim të cilitdo organi tjetër publik në Republikën e Shqipërisë. Në rast nevoje, grupi i punës mund t’i kërkojë individit/familjes elementet e nevojshme për identifikimin e këtyre provave.

7.3. Individi/familja që njoftohet për arsyet e zhvendosjes sipas nënpikës 7.1, të këtij vendimi, ka të drejtë të kërkojë nga njësia e vetëqeverisjes vendore kryerjen e një inventari për të llogaritur vlerën e pasurive të tij/tyre, të investimeve dhe të të mirave të tjera materiale që mund të dëmtohen nga zhvendosja, si dhe për të vlerësuar e dokumentuar humbjet jomonetare, të cilat do të kompensohen nga njësia e vetëqeverisjes vendore në rastet kur humbjet ndodhin gjatë zhvendosjes për fajin e kësaj të fundit.

7.4. Individi/familja, ndaj të cilës nis procesi administrativ i zhvendosjes, ka të drejtën e zhvendosjes së pasurive që mund të shkëputen nga prona para prishjes së saj për të minimizuar dëmet e shkaktuara. Shpenzimet, në raste të tilla, përballohen nga fondet e njësisë së vetëqeverisjes vendore.

8. Akti administrativ për zhvendosjen miratohet nga njësia e vetëqeverisjes vendore pas 30 (tridhjetë) ditëve pas njoftimit të arsyeve të zhvendosjes, sipas nënpikës 7.1, të këtij vendimi.

8.1. Akti administrativ për zhvendosjen përmban edhe:

a) emrin e njësisë së vetëqeverisjes vendore, që nxjerr aktin e zhvendosjes;
b) identifikimin e individit/familjes, palë së cilës i drejtohet;
c) datën e miratimit;
ç) arsyetimin e zhvendosjes;
d) bazën ligjore;
dh) formën e miratuar për strehim, në rastet kur familja nuk përfiton kompensim;
e) masën e kompensimit, në rastet kur familja përfiton kompensim për pronën;
ë) kohën e hyrjes në fuqi të aktit;
f) të drejtën e ankimit të individit/familjes ndaj aktit të zhvendosjes, gjykatën ku mund të paraqitet ankimi, afatin dhe mënyrën e përllogaritjes së afatit për paraqitjen e ankimit.

9. Akti administrativ për zhvendosjen ekzekutohet pas kalimit të 45 (dyzet e pesë) ditëve nga njoftimi i tij individit/familjes që do të zhvendoset.

9.1. Personi/personat përgjegjës i/të ngarkuar me ekzekutimin e aktit administrativ të zhvendosjes identifikohet/n përpara individit/personave që po zhvendosen dhe u paraqesin atyre autorizimin zyrtar për zhvendosjen.

9.2. Njësia e vetëqeverisjes vendore njofton në faqen e vet të internetit apo në buletine vendore procedurën e zhvendosjes për të gjitha palët e interesuara në proces.

9.3. Gjatë zhvendosjes, njësia e vetëqeverisjes vendore merr masa që të mënjanojë çdo veprim apo sjellje që shkel dinjitetin e të drejtat e njeriut për jetë dhe siguri të personave të prekur.

9.4. Grupi i punës për ekzekutimin e aktit administrativ të zhvendosjes merr masa që gratë e vajzat të mos i nënshtrohen dhunës me bazë gjinore ose diskriminimit gjatë zhvendosjes, të drejtat e njeriut të fëmijëve të mbrohen, të moshuarit të ndihmohen e të mos keqtrajtohen dhe që personat me aftësi të kufizuar të trajtohen në përputhje me nevojat e tyre.

9.5. Në rastet kur paraqitet e nevojshme, çdo përdorim i ligjshëm i forcës duhet të jetë në respektim të parimeve të nevojës dhe të proporcionalitetit. Punonjësit e zbatimit të ligjit nuk tejkalojnë asnjë parim bazë të përdorimit të forcës dhe respektojnë legjislacionin në fuqi për përdorimin e armëve.

9.6. Nuk lejohet asnjë zhvendosje të ekzekutohet në mot të keq, gjatë orarit nga ora 19:00 pasdite deri 7:00 të mëngjesit, gjatë festave ose pushimeve fetare, gjatë fushatave zgjedhore ose gjatë, ose deri dy muaj përpara provimeve përfundimtare të shkollimit të detyrueshëm.

9.7. Gjatë ekzekutimit të zhvendosjes, grupi i punës, si dhe të gjithë punonjësit e tjerë të përfshirë në procesin e zhvendosjes, sipas këtij vendimi, marrin masa për të garantuar që askush të mos jetë objekt i sulmeve të drejtpërdrejta ose jo të drejtpërdrejta, i akteve të tjera të dhunës, veçanërisht ndaj grave, fëmijëve, personave me aftësi të kufizuar, moshës së tretë, romëve e egjiptianëve, si dhe garantojnë që askush të mos privohet në mënyrë arbitrare nga pronat ose zotërimet për shkak të shembjeve, zjarrit dhe formave të tjera të shkatërrimit të qëllimshëm, neglizhencës ose çdo forme dënimi kolektiv.

9.8. Punonjësit e njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe punonjësit e tjerë të përfshirë në procesin e zhvendosjes, sipas këtij vendimi, marrin masa që prona dhe zotërimet e lëna pas në mënyrë të pavullnetshme nga individi/familja që zhvendoset, të mbrohen nga shkatërrimi dhe përvetësimi arbitrar dhe i paligjshëm, zënia ose përdorimi i tyre.

9.9. Gjatë ekzekutimit të zhvendosjes, punonjësit e njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe punonjësit e tjerë të përfshirë në procesin e zhvendosjes, sipas këtij vendimi, nuk u kërkojnë, në asnjë rast, të zhvendosurve, ose nuk i detyrojnë ata, të shembin banesat e tyre ose struktura të tjera. Nëse kjo lehtëson rifitimin e zotërimeve dhe të materialit të ndërtimit, personave të zhvendosur duhet t’u jepet mundësia për ta bërë një gjë të tillë. Shpenzimet për prishjen e ndërtimit nuk i ngarkohen në asnjë rast subjektit të zhvendosur.

10. Në varësi të situatës dhe të zgjidhjes së dhënë, përveç rasteve të forcës madhore, njësia e vetëqeverisjes vendore, ministria përgjegjëse për investimet publike, subjekti privat apo cilido organ publik duhet të sigurojnë, përpara zhvendosjes, njërën nga zgjidhjet e mëposhtme:
a) Kompensimin e drejtë;
b) Strehimin e përshtatshëm alternativ;
c)  Kthimin, kur është i mundur.

10.1. Minimalisht, pavarësisht kushteve dhe pa diskriminuar, autoritetet kompetente duhet të garantojnë që personat ose grupet e zhvendosura, veçanërisht ata që kanë të ardhura të ulëta dhe shumë të ulëta, personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit, fëmijët e gratë shtatzëna të kenë akses të sigurt e të mbrojtur në:

a) ushqim, ujë të pijshëm dhe higjienë bazë;
b) strehim dhe akomodim bazë;
c) veshje të përshtatshme;
ç) shërbime mjekësore bazë;
d) burime jetese;
dh) ushqim për bagëtinë dhe akses në burime të pronës së përbashkët nga të cilat vareshin dikur;
e) arsim për fëmijët dhe ambiente për kujdesin ndaj fëmijëve.

Njësia e vetëqeverisjes vendore duhet të garantojë gjithashtu mosndarjen e anëtarëve të së njëjtës familje për shkak të zhvendosjes.

11. Njësia e vetëqeverisjes vendore garanton pjesëmarrjen e barabartë të vajzave dhe grave në të gjitha proceset e planifikimit dhe shpërndarjen e shërbimeve e furnizimeve bazë.

12. Në rastet e zhvendosjes, njësia e vetëqeverisjes vendore siguron kompensim të drejtë për çdo humbje të pronës me karakter pasuror e pronësor të lidhur me tituj pronësie.

12.1. Të gjithë të zhvendosurit kanë të drejtë kompensimi për humbjen, rikuperimin dhe transportin e sendeve e të pronave të prekura, përfshirë banesën fillestare dhe çdo pasuri të luajtshme të dëmtuar gjatë zhvendosjes.

12.2. Për çdo zhvendosje mbahet një procesverbal i identifikimit të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme.

12.3. Në rastin e zhvendosjes së familjeve, bashkëshortët janë së bashku bashkëpërfitues për të gjitha paketat e kompensimeve të identifikuara për rastin.

12.4. Në vlerësimin e dëmit ekonomik, njësia e vetëqeverisjes vendore merr në konsideratë humbjet dhe kostot, si: atë të parcelave të tokës dhe strukturave të banimit, tërësinë e sendeve të banesës, infrastrukturën, hipotekat ose penalitete të tjera të lidhura me detyrimet apo debitë, strehimin e përkohshëm, tarifat për shërbimet e zyrave të shtetit dhe ato ligjore, strehimin alternativ, mundësitë e munguara për arsim, kujdesin shëndetësor dhe mjekësor, kostot e risistemimit dhe transportit (veçanërisht në rast rivendosjeje larg nga burimi i jetesës). Në rastet kur banesa dhe toka sigurojnë një burim jetese për banorët e zhvendosur, vlerësimi i ndikimeve dhe i humbjeve duhet të përfshijë edhe vlerën e humbjeve të biznesit, pajisjeve/inventarit, bagëtisë, tokës, pemëve/kulturave dhe të ardhurat e pakësuara.

13. Kur kushtet e lejojnë, njësia e vetëqeverisjes vendore i jep përparësi kthimit të pronës te të gjithë personat, grupet dhe komunitetet që u nënshtrohen zhvendosjeve të detyruara. Personat, grupet dhe komunitetet nuk detyrohen kundër vullnetit të tyre të kthehen në banesat, tokat apo vendet e origjinës së tyre nga të cilat janë zhvendosur.

13.1. Personat, grupet dhe komunitetet që zhvendosen nga prona për të cilën gëzojnë tagrin e pronësisë, mbi të cilën do të investohet përsëri me banesa apo ambiente të tjera, kanë të drejtën të përfitojnë të parët nga kthimi.
13.2. Në rastet kur kthimi është i mundur ose nuk ofrohet risistemimi i përshtatshëm në pajtim me rregullat e detajuara në këtë vendim, autoritetet kompetente duhet të përcaktojnë kushte e të sigurojnë mjetet, përfshirë ato financiare, për kthimin vullnetar, të sigurt dhe të mbrojtur e me dinjitet në banesat ose vendbanimet e zakonshme.
13.3. Njësia përgjegjëse në njësinë e vetëqeverisjes vendore lehtëson riintegrimin e personave të kthyer dhe përpiqet për të garantuar pjesëmarrjen e plotë të personave, grupeve dhe komuniteteve të prekura në proceset e planifikimit dhe menaxhimit të kthimit. Njësitë e vetëqeverisjes vendore garantojnë pjesëmarrjen e barabartë dhe efikase të vajzave/grave në proceset e riintegrimit dhe kthimit ose të kthimit të pronave për të kapërcyer paragjykimet ekzistuese familjare, të komunitetit, institucionale, administrative, ligjore ose të llojeve të tjera, të cilat kontribuojnë në margjinalizimin ose përjashtimin e grave/vajzave.
13.4 Njësia e vetëqeverisjes vendore, në bashkëpunim me qeverisjen qendrore, kanë detyrën dhe përgjegjësinë t’i ndihmojnë personat, grupet ose komunitetet që kthehen për të rikuperuar maksimalisht pronën e zotërimet që kanë lënë pas gjatë zhvendosjes së tyre.
13.5. Nëse kthimi në vendbanim ose rikuperimi i pronës dhe i zotërimeve nuk është i mundur, autoritetet përgjegjëse duhet t’u ofrojnë ose t’i ndihmojnë të zhvendosurit që të marrin kompensimin e duhur ose forma të tjera kompensimi të drejtë.

14. Njësia e vetëqeverisjes vendore i jep përparësi së drejtës së individit/familjes të zhvendosur për t’u kthyer ose, kur rrethanat e pamundësojnë këtë, krijojnë kushtet e risistemimit të personave, të grupeve dhe të komuniteteve të veçanta për shkak të zhvendosjeve për interes publik. Ky risistemim duhet të kryhet në mënyrë të drejtë dhe të paanshme.

15. Kundër vendimit të njësisë së vetëqeverisjes vendore, për zhvendosje nga banesa, mund të bëhet ankim në gjykatën administrative kompetente, në përputhje me legjislacionin në fuqi për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative.

16. Njësia e vetëqeverisjes vendore, menjëherë, me fillimin e identifikimit të nevojës për zhvendosje, njofton ministrinë përgjegjëse për çështjet e qeverisjes vendore, ministrinë përgjegjëse për çështjet sociale, si dhe të strehimit, për çdo procedurë zhvendosjeje. Ky njoftim është i detyrueshëm edhe kur zhvendosja vjen si pasojë e një situate të kërkuar apo për shkak të një procesi të nisur nga një institucion qendror.

17. Institucionet qendrore, në rastet kur ka projekte investimi që sjellin si pasojë zhvendosjen e individëve/familjeve, menjëherë, me miratimin e projektit, informojnë njësinë përkatëse të vetëqeverisjes vendore, si dhe individët/familjet në banesat e të cilëve projekti sjell pasoja. Në çdo rast, informimi realizohet të paktën një vit para fillimit të zbatimit të projektit.

18. Njësia e vetëqeverisjes vendore njofton Policinë Bashkiake dhe Policinë e Shtetit për çdo procedurë zhvendosjeje dhe kërkon, sipas rastit, mbështetjen e tyre gjatë procedurës së zhvendosjes. Njësia e vetëqeverisjes vendore dhe struktura përgjegjëse e Policisë së Shtetit lidhin një marrëveshje bashkëpunimi për koordinimin e veprimeve mes tyre.

19. Njësia e vetëqeverisjes vendore njofton Avokatin e Popullit për çdo procedurë zhvendosjeje të nisur. Në rastet kur Avokati i Popullit, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, miraton rekomandime, ato publikohen edhe në faqen zyrtare të internetit të njësisë së vetëqeverisjes vendore.

20. Njësia e vetëqeverisjes vendore njofton prefektin e qarkut për çdo procedurë zhvendosjeje që ndodh brenda juridiksionit të këtij të fundit. Për çdo procedurë zhvendosjeje, prefekti ngarkon një përfaqësues për të ndjekur punën e grupit të punës të ngritur nga njësia e vetëqeverisjes vendore, si dhe të gjithë procedurën e kryer.

21. Procedurat e zhvendosjeve janë të hapura për organizatat e shoqërisë civile. Njësia e vetëqeverisjes vendore, ku zhvillohet procedura e zhvendosjes, bën një njoftim publik, përmes të cilit fton organizatat e shoqërisë civile të interesuara të ndjekin procedurën e zhvendosjes. Në rastet kur organizatat e shoqërisë civile hartojnë raport për procedurën e zhvendosjes, kujdesen që t’i paraqesin një kopje të këtij raporti njësisë së vetëqeverisjes vendore.

22. Ngarkohen njësitë e vetëqeverisjes vendore, institucionet qendrore, Policia Bashkiake, Policia e Shtetit dhe prefektët e qarqeve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletore zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.