Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 29 Mars 2017
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KONFEDERATËS ZVICERANE, PËR PROJEKTIN “AFTËSI PËR PUNË, FAZA E PARË , 1 TETOR 2015 – 28 SHKURT 2019”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Konfederatës Zvicerane, për projektin “Aftësi për punë, faza e parë, 1 tetor 2015 – 28 shkurt 2019”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR 
LIRIMIN, MANDATIMIN DHE RIMANDATIMIN E DISA ANËTARËVE TË KËSHILLIT KOMBËTAR TË KONTABILITETIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 20, të ligjit nr.9228, datë 29.4.2004, “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Lirimin nga funksioni, për shkak të përfundimit të mandatit, të anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit, si më poshtë vijon:
– Z. Jorgji Bollano;
– Znj. Flutura Kalemi;
– Z. Limos Malaj.
2. Mandatimin, si anëtar të Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit, të:
– Znj. Ingrid Shuli, propozuar nga Instituti i Kontabilistëve të Miratuar;
– Znj. Elona Mullahi, propozuar nga Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë.
3. Rimandatimin si anëtar të Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit të z.Jorgji Bollano, propozuar nga Universiteti “Marin Barleti”.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES PËR BASHKËPUNIMIN TEKNIK, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E ZHVILLIMIT URBAN, DHE QEVERISË SË KONFEDERATËS ZVICERANE, PËRFAQËSUAR NGA AGJENCIA ZVICERANE PËR ZHVILLIM DHE BASHKËPUNIM, PËR PROGRAMIN E ZHVILLIMIT RAJONAL PËR SHQIPËRINË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 22, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I: 
Miratimin, në parim, të marrëveshjes për bashkëpunimin teknik, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Zhvillimit Urban, dhe qeverisë së Konfederatës Zvicerane, përfaqësuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, për programin e zhvillimit rajonal për Shqipërinë, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
 DHËNIEN E MIRATIMIT PËR LIDHJEN E KONTRATËS SË QIRASË ME TARIFËN 1 EURO/KONTRATA, NDËRMJET MINISTRISË SË ZHVILLIMIT EKONOMIK, TURIZMIT, TREGTISË DHE SIPËRMARRJES, SI QIRADHËNËS, DHE SHOQËRISË “ROZAFA”, SH.PK., SI QIRAMARRËS, PËR PASURINË “OBJEKTE DHE TRUALL, TË AGJENCISË SË REZERVAVE MATERIALE TË SHTETIT LABINOT, ELBASAN (PJESA E MBETUR)”, TË MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe në vijim të vendimit nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës dhe mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontratave të tjera të pasurisë shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien e miratimit për lidhjen e kontratës së qirasë me tarifën 1 euro/kontrata, ndërmjet Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, si qiradhënës, dhe shoqërisë “Rozafa”, sh.p.k., si qiramarrës, për pasurinë “Objekte dhe truall, të Agjencisë së Rezervave Materiale të Shtetit Labinot, Elbasan (pjesa e mbetur)”, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave të Shtetit, Drejtorisë Rajonale të Rezervave të Shtetit Elbasan, me sipërfaqe të përgjithshme 52 514 (pesëdhjetë e dy mijë e pesëqind e katërmbëdhjetë) m2, nga e cila 11 659.63 (njëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë e nëntë pikë gjashtëdhjetë e tre) m2 sipërfaqe e objekteve dhe 40 854.37 (dyzet mijë e tetëqind e pesëdhjetë e katër pikë tridhjetë e shtatë) m2, sipërfaqe funksionale, sipas genplanit dhe tekstit të kontratës bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Ngarkohet Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave të Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
      Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT (II), NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR  NGA MINISTRIA E FINANCAVE, “PËRFITUESI”, DHE KFW, FRANKFURT AM MAIN “KFW”, PËR MASAT SHOQËRUESE, KONTRIBUTI FINANCIAR II PËR PROGRAMIN III/IV “INFRASTRUKTURA BASHKIAKE, FURNIZIMI ME UJË DHE KANALIZIMET PËR QYTETET E BERATIT, KUÇOVËS, DELVINËS, GJIROKASTRËS, KAMZËS, LIBRAZHDIT DHE LUSHNJËS” 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit së Transportit dhe Infrastrukturës dhe ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit (II), ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, “Përfituesi”, dhe KFW, Frankfurt am Main “KFW”, për masat shoqëruese, kontributi financiar II për programin III/IV “Infrastruktura bashkiake, furnizimi me ujë dhe kanalizimet për qytetet e Beratit, Kuçovës, Delvinës, Gjirokastrës, Kamzës, Librazhdit dhe Lushnjës”, me një grant në shumën 2 000 000  (dy milionë) euro, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
HEQJEN NGA FONDI PYJOR DHE KULLOSOR PUBLIK DHE PAKËSIMIN NË VOLUM TË SIPËRFAQES PREJ 21.56 HA, NË OBJEKTIN “HOTOLISHT”, BASHKIA LIBRAZHD, QË DO TË PËRDORET NGA SHOQËRIA “ROSI CONSTRUCTION”, SH.P.K. PËR SHFRYTËZIMIN E MINERALIT TË GURIT DEKORATIV
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 17, të ligjit nr.9385, datë 4.5.2005, “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit dhe të ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Sipërfaqja pyjore publike prej 21.56 ha, në objektin “Hotolisht”, që do të përdoret nga shoqëria “Rosi Construction”, sh.p.k. për shfrytëzimin e mineralit të gurit dekorativ, të hiqet nga fondi pyjor dhe kullosor publik i Bashkisë Librazhd, të pakësohet në volum dhe çregjistrohet nga Regjistri i Kadastrës së Pyjeve dhe Kullotave. Lidhja 1, me të dhënat për sipërfaqet pyjore që pakësohen në volum dhe hiqen nga fondi pyjor e kullosor publik, dhe harta topografike, me koordinatat e poligonit të sipërfaqes objekt minerar, i bashkënlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.
2. Vlerat përkatëse të pakësimit në volum të lëndës drusore, produkteve të tjera pyjore e kullosore dhe të investimeve të kryera në vite, objekt i këtij vendimi, paguhen nga shoqëria “Rosi Construction”, sh.p.k., në bazë të lidhjes 4, të vendimit nr.391, datë 21.6.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e tarifave në sektorin e pyjeve dhe kullotave”, të ndryshuar, dhe derdhen në llogarinë bankare të Bashkisë Librazhd.
3. Shoqëria “Rosi Construction”, sh.p.k., brenda pesë viteve nga data e nënshkrimit të marrëveshjes me Bashkinë Librazhd, të pyllëzojë me fondet e veta, me drurë pyjorë, një sipërfaqe prej 14 ha.
4. Bashkia Librazhd dhe shoqëria “Rosi Construction”, sh.p.k. nënshkruajnë marrëveshjen e bashkëpunimit jo më vonë se 60 ditë nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Një kopje e marrëveshjes, së bashku me projektet e miratuara, dërgohet për monitorim në Ministrinë e Mjedisit, jo më vonë se 10 ditë nga data e nëshkrimit të saj.
5. Sipërfaqet pyjore sipas lidhjes 1, të këtij vendimi, mbeten pronë publike e shtetit dhe regjistrohen në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë.
6. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme bën çregjistrimin e sipërfaqes pyjore të identifikuar sipas lidhjes 1, të këtij vendimi, nga kategoria “Tokë e zënë pyjore” dhe e regjistron në kategorinë “Tokë e zënë, objekt i aktivitetit minerar të shfrytëzimit të gurit dekorativ”.
7. Me përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara në planin e rehabilitimit, sipas lejes mjedisore, nga shoqëria “Rosi Construction”, sh.p.k., sipërfaqja e rehabilituar të regjistrohet në fondin pyjor dhe kullosor publik të Bashkisë Librazhd.
8. Ngarkohen Ministria e Mjedisit, Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Bashkia Librazhd dhe Shoqëria “Rosi Construction”, sh.p.k. për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË NDRYSHIMIT TË MARRËVESHJES SË GRANTIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, DHE BANKËS EVROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, SI ADMINISTRATORE E FONDEVE GRANT TË SIGURUARA NGA QEVERI TË NDRYSHME NËN FONDIN E PËRBASHKËT EVROPIAN TË BALLKANIT PERËNDIMOR, PËR PROJEKTIN E DETAJUAR TË LINJËS HEKURUDHORE DURRËS – TIRANË DHE VLERËSIMIN FINANCIAR/EKONOMIK TË TË GJITHË RRJETIT HEKURUDHOR NË SHQIPËRI, TË RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.63/2015
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozim të ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës dhe ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të ndryshimit të marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si administratore e fondeve grant të siguruara nga qeveri të ndryshme nën Fondin e Përbashkët Evropian të Ballkanit Perëndimor, për projektin e detajuar të linjës hekurudhore Durrës – Tiranë dhe vlerësimin financiar/ekonomik të të gjithë rrjetit hekurudhor në Shqipëri, të ratifikuar me ligjin nr.63/2015, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PRONËSI, NGA MINISTRIA E ZHVILLIMIT EKONOMIK, TURIZMIT, TREGTISË DHE SIPËRMARRJES TE BASHKIA TIRANË, TË PASURISË ME NR.2/377, VOL.37, FQ.133, ZK.8380, ME EMËRTIM “GODINË NJËKATËSHE” E DHOMËS SË TREGTISË DHE INDUSTRISË TIRANË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të nenit 3, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit  të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në pronësi, nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes te Bashkia Tiranë, të pasurisë me nr.2/377, vol.37, faqe 133, zona kadastrale 8380, me emërtim “Godinë njëkatëshe” e Dhomës së Tregtisë  dhe Industrisë Tiranë, me sipërfaqe të përgjithshme 1 042 (një mijë e dyzet e dy) m2, nga të cilat 766 (shtatëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë) m2 sipërfaqe ndërtimore dhe 276 (dyqind e shtatëdhjetë e gjashtë) m2 sipërfaqe truall funksional, me vendndodhje në Rrugën e Kavajës, Tiranë, sipas dokumentacionit bashkëlidhur këtij vendimi, në funksion të ushtrimit të veprimtarive në fushën e përgjegjësisë së këtij institucioni, me të gjitha të drejtat dhe detyrimet, në momentin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministria e Punëve të Brendshme, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Bashkia Tiranë dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
LËVIZJEN JASHTË TERRITORIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË TË 18 VEPRAVE TË ARTIT NË PIKTURË DHE VIZATIM, PJESË E FONDIT TË GALERISË KOMBËTARE TË ARTEVE, ME QËLLIM REALIZIMIN E EKSPOZITAVE “DOCUMENTA14”, QË DO TË ZHVILLOHEN NË AMBIENTET E MUZEUT KOMBËTAR TË ARTIT BASHKËKOHOR ATHINË, GREQI, DHE NË MUZEUN E ARTEVE TË BUKURA, NEUE GALERIE, KASSEL, GJERMANI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 19, të ligjit nr.9048, datë 7.4.2003, “Për trashëgiminë kulturore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Lejimin e lëvizjes jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë të 15 (pesëmbëdhjetë) veprave të artit në pikturë dhe vizatim, pjesë e fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve, me qëllim realizimin e ekspozitës që do të zhvillohet në ambientet e Muzeut Kombëtar të Artit Bashkëkohor, Athinë, Greqi, sipas tabelës I, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Lejimin e lëvizjes jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë të 3 (tre) veprave të artit në pikturë dhe vizatim, pjesë e fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve, me qëllim realizimin e ekspozitës që do të zhvillohet në ambientet e Muzeut të Arteve të Bukura, Neue Galerie, Kassel Gjermani, sipas tabelës II, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Lejimi i lëvizjes të bëhet nga data 31 mars 2017 deri më 6 gusht 2017, për veprat e artit, pjesë e fondit të Galerisë Kombëtare të Artit, që kërkohen të ekspozohen në Muzeun e Artit Bashkëkohor Athinë, Greqi.
4. Lejimi i lëvizjes të bëhet nga data 2 maj 2017 deri më 8 tetor 2017, për veprat e artit, pjesë e fondit të Galerisë Kombëtare të Artit, që kërkohen të ekspozohen në Muzeun e Arteve të Bukura, Neue Galerie, Kassel, Gjermani.
5. Ekspozimi jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë të bëhet në përputhje me udhëzimin nr.2, datë 18.3.2004, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurat e lëvizjes së objekteve të trashëgimisë kulturore, të luajtshme, me vlera të veçanta kombëtare dhe unikale, për ruajtjen, restaurimin, studimin dhe ekspozimin jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”.
6. Ngarkohet Galeria Kombëtare e Arteve të kryejë shoqërimin dhe kthimin e veprave në vendin e origjinës, pas mbarimit të veprimtarisë, dhe Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore të kryejë regjistrimin e lëvizjes së objekteve.
7. Ngarkohet ministri i Kulturës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
LIRIMIN NGA DETYRA TË PREFEKTIT TË QARKUT TË FIERIT
Në mbështetje të neneve 100 e 114 të Kushtetutës dhe të nenit 5, të ligjit nr.107/2016, “Për prefektin e qarkut”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Xhevit Bushaj, prefekt i Qarkut të Fierit, lirohet nga kjo detyrë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
 MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE MBRETËRISË SË BASHKUAR TË BRITANISË SË MADHE E IRLANDËS SË VERIUT, QË PLOTËSON KONVENTËN EVROPIANE PËR EKSTRADIMIN, TË VITIT 1957
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8 e 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe e Irlandës së Veriut, që plotëson Konventën Evropiane për Ekstradimin, të vitit 1957, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES ME SHKËMBIM NOTASH, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR PROJEKTIN “MENAXHIMI I INTEGRUAR I MBETJEVE TË NGURTA DHE EKONOMIA RICIKLUESE NË RESPEKT TË MJEDISIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 12, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes me shkëmbim notash, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për projektin “Menaxhimi i integruar i mbetjeve të ngurta dhe ekonomia ricikluese në respekt të mjedisit”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS DHE KOMISIONIT EVROPIAN, PËR PROGRAMIN E VEPRIMIT TË BASHKËPUNIMIT NDËRKUFITAR IPA II SHQIPËRI – KOSOVË 2014-2020, ALOKIMET PËR VITIN 2016
    Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8 e 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Integrimit Evropian, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Komisionit Evropian, për programin e veprimit të bashkëpunimit ndërkufitar IPA II Shqipëri – Kosovë 2014-2020, alokimet për vitin 2016, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES ME SHKËMBIM NOTASH, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR PROJEKTIN “RUAJTJA E AGROBIODIVERSITETIT NË SHQIPËRINË RURALE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 12, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes me shkëmbim notash, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për projektin “Ruajtja e agrobiodiversitetit në Shqipërinë rurale”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR 
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIM FINANCIAR 2011, PËR PROJEKTIN “PROGRAMI I INFRASTRUKTURËS KOMUNALE III”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës dhe ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2011, për projektin “Programi i infrastrukturës komunale III”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR 
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIM FINANCIAR 2012, PËR PROJEKTIN “PROGRAMI I INFRASTRUKTURËS KOMUNALE IV”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2012, për projektin “Programi i infrastrukturës komunale IV”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR 
MIRATIMIN, NË PARIM, TË NDRYSHIMIT NR.1 TË MARRËVESHJES SË KREDISË PËR EKSPORT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, QË VEPRON NË EMËR TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE PËRFAQËSOHET NGA MINISTRIA E FINANCAVE, DHE UNICREDIT BANK AUSTRIA AG, LIDHUR ME FINANCIMIN E PROJEKTIT “MODERNIZIMI I SISTEMIT ARSIMOR NË SHQIPËRI NËPËRMJET E-EDUKIMIT”, TË RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.79/2014 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 11, pika 2, e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit dhe ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin, në parim, të ndryshimit nr.1 të marrëveshjes së kredisë për eksport, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, që vepron në emër të Republikës së Shqipërisë dhe përfaqësohet nga Ministria e Financave, dhe UniCredit Bank Austria AG, lidhur me financimin e projektit “Modernizimi i sistemit arsimor në Shqipëri nëpërmjet e-edukimit”, të ratifikuar me ligjin nr.79/2014, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Shfuqizimin e vendimit nr.170, datë 8.3.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese nr.1 të marrëveshjes së kredisë për eksport, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, që vepron në emër të Republikës së Shqipërisë dhe përfaqësohet nga Ministria e Financave, dhe UniCredit Bank Austria AG, lidhur me financimin e projektit “Modernizimi i sistemit arsimor në Shqipëri nëpërmjet e-edukimit”, të ratifikuar me ligjin nr.79/2014”.
    Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.500, DATË 6.7.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR EMËRIMIN E KRYETARIT DHE TË ANËTARËVE TË KËSHILLIT DREJTUES TË AUTORITETIT TË AVIACIONIT CIVIL”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 5, të ligjit nr.10233, datë 11.2.2010, “Për Autoritetin e Aviacionit Civil’, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në pikën 1, të vendimit nr.500, datë 6.7.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, në numrat rendorë 1, 3 dhe 4, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
 “Z. Bujar Tollkuçi, kryetar” zëvendësohet me “Z.Petrit Sulaj, kryetar”;
 “Z. Engjëll Agaçi, anëtar” zëvendësohet me “Z.Sander Lleshi, anëtar”.
 “Z. Krislen Keri, anëtar” zëvendësohet me “Z.Klajdi Mati, anëtar”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR 
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.681, DATË 28.9.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “TIRANË – ELBASAN (RRËSHQITJA NË FSHATIN IBË)””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të   ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në tabelën bashkëlidhur vendimit nr.681, datë 28.9.2016, të Këshillit të Ministrave, të dhënat e pronarit dhe të pasurisë në nënndarjen nr.4 ndryshohen  sipas lidhjes që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR 
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.748, DATË 11.6.2009, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR TRAJTIMIN ME PAGË DHE SHTESA MBI PAGË PËR PUNONJËSIT E PERSONELIT AKADEMIK NË  INSTITUCIONET PUBLIKE TË ARSIMIT TË LARTË”, TË NDRYSHUAR 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, dhe të ligjit nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I: 
1. Në vendimin nr.748, datë 11.6.2009, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
a) Lidhja nr.1, “Struktura dhe nivelet e pagave sipas kategorive të vendeve të punës, për nëpunësit e institucioneve publike të arsimit të lartë”, që përmendet në pikën 1, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe titull, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
b) Në pikën 7, pagesa për çdo orë mësimore mbi normën e miratuar me dispozitë, e përcaktuar në shkronjat “a”, “b”, “c”, “ç” dhe “d”, të kësaj pike, ndryshon, si më poshtë vijon:
“a) Kur janë në kategorinë “Profesor”, përfitojnë 1 320 (një mijë e treqind e njëzet) lekë për çdo orë 60-minutëshe;
b) Kur janë në kategorinë “Profesor i Asociuar”, përfitojnë 1 210 (një mijë e dyqind e dhjetë) lekë për çdo orë 60-minutëshe;
c) Kur janë në kategorinë  “Docent”, përfitojnë 1 100 (një mijë e njëqind) lekë për çdo orë 60-minutëshe;
ç) Kur janë “Lektor i parë”, përfitojnë 880 (tetëqind e tetëdhjetë) lekë për çdo orë 60-minutëshe;
d) Kur janë “Lektor”, përfitojnë 660 (gjashtëqind e gjashtëdhjetë) lekë për çdo orë 60-minutëshe.”.
2. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për vitin 2017, të përballohen nga fondet e politikës për rritjen e pagave, të përcaktuara në ligjin nr.130/2016,  “Për buxhetin e vitit 2017”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 mars 2017.
K R Y E M I N I S T R I 
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.661, DATË 8.10.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR, “SKELË – UJI I FTOHTË, BASHKIA VLORË”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në tabelën e dytë, me titullin “Zona II, Shkolla e Marinës-Uji i Ftohtë”, që i bashkëlidhet vendimit nr.661, datë 8.10.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, numri rendor 4 (katër) bëhet sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Vlera shtesë prej 10 297 105.40 (dhjetë milionë e dyqind e nëntëdhjetë e shtatë mijë e njëqind e pesë pikë dyzet) lekësh e kësaj pasurie do të përballohet nga “Fondi i shpronësimeve”, në llogarinë e shpronësimeve në Bankën e Shqipërisë.
    Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PLANIT TË VEPRIMIT KUNDËR KULTIVIMIT DHE TRAFIKIMIT TË KANABISIT 2017-2020
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, ministrit të Drejtësisë, ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe të ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Planit të Veprimit kundër Kultivimit dhe Trafikimit të Kanabisit 2017-2020, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen të gjitha ministritë dhe institucionet qendrore, për të cilat në Planin e Veprimit janë përcaktuar detyra të veçanta, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR 
MIRATIMIN E PLANIT KOMBËTAR TË FREKUENCAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 9, dhe 63, të ligjit nr.9918, datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të pikës 3, të nenit 22, të ligjit nr.97, datë 4.3.2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozim të ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Planit Kombëtar të Frekuencave, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Administrimi dhe përdorimi i frekuencave bëhet sipas përcaktimeve të Planit Kombëtar të Frekuencave.
3. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare dhe Autoriteti i Mediave Audiovizive, të vënë në dispozicion të publikut, në formë elektronike, gjendjen e brezave që kanë në administrim.
4. Brezat e frekuencave që administrohen nga dy ose më shumë institucione rregullohen me marrëveshje ndërmjet tyre.
5. Vendimi nr.466, datë 27.2.2013, Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Planit Kombëtar të Frekuencave”, shfuqizohet.
6. Ngarkohen ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Shërbimi Informativ i Shtetit, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare dhe Autoriteti i Mediave Audiovizive për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR 
DHËNIEN ME QIRA, ME TARIFË TË REDUKTUAR, TË SALLËS SË KONCERTEVE TË PALLATIT TË KONGRESEVE, TEATRIT KOMBËTAR TË OPERAS, BALETIT DHE ANSAMBLIT POPULLOR 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 784 e 801, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, dhe në vijim të pikës 8, të kreut III, të vendimit nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës e të mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Lejimin e dhënies me qira, me tarifë të reduktuar, të sallës së koncerteve të Pallatit të Kongreseve, Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor për zhvillimin e aktiviteteve të tij artistike deri në përfundim të rikonstruksionit të mjediseve të këtij teatri.
2. Tarifa e qirasë së sallës së koncerteve do të jetë në masën ekuivalente të shpenzimeve operative të kryera respektivisht për çdo aktivitet, gjatë gjithë periudhës së dhënies me qira.
3. Shpenzimet për pagesën e qirasë, sipas këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i vitit 2017, miratuar për Ministrinë e Kulturës.
4. Ngarkohen Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor dhe Ministria e Kulturës për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E NDRYSHIMIT NR.1 TË MARRËVESHJES SË KREDISË PËR EKSPORT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, QË VEPRON NË EMËR TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE PËRFAQËSOHET NGA MINISTRIA E FINANCAVE, DHE UNICREDIT BANK AUSTRIA AG, LIDHUR ME FINANCIMIN E PROJEKTIT “SHËNDETËSIA ELEKTRONIKE NË SHQIPËRI-REGJISTRI MBARËKOMBËTAR I SHËNDETËSISË ELEKTRONIKE”, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.69/2014”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, dhe të neneve 17 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e ndryshimit nr.1 të marrëveshjes së kredisë për eksport, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, që vepron në emër të Republikës së Shqipërisë dhe përfaqësohet nga Ministria e Financave, dhe Unicredit Bank Austria AG, lidhur me financimin e projektit “Shëndetësia elektronike në Shqipëri-Regjistri Mbarëkombëtar i Shëndetësisë Elektronike”, ratifikuar me ligjin nr.69/2014”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR HUAN E POLITIKËS SË ZHVILLIMIT TË SEKTORIT FINANCIAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave,
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për huan e politikës së zhvillimit të sektorit financiar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESH
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT (SECO II), NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, “PËRFITUESI”, DHE KFW FRANKFURT AM MAIN, “KFW”, PËR PROGRAMIN III / IV TË INFRASTRUKTURËS BASHKIAKE, FURNIZIMI ME UJË DHE KANALIZIME PËR QYTETET E BERATIT, KUÇOVËS, DELVINËS, GJIROKASTRËS, KAMZËS, LIBRAZHDIT DHE LUSHNJËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit së Transportit dhe Infrastrukturës dhe ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit (Seco II), ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, “Përfituesi”, dhe KfW Frankfurt am Main “KfW”, për programin III / IV të infrastrukturës bashkiake, furnizimi me ujë dhe kanalizime për qytetet e Beratit, Kuçovës, Delvinës, Gjirokastrës, Kamzës, Librazhdit dhe Lushnjës, në shumën 10 400 000  (dhjetë milionë e katërqind mijë) euro, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR 
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES ME SHKËMBIM NOTASH, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR PROJEKTIN “SHËRBIMET E FURNIZIMIT ME UJË DHE TË KANALIZIMEVE TË ORIENTUARA  DREJT KONSUMATORIT DHE PERFORMANCËS”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 12, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes me shkëmbim notash, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për projektin “Shërbimet e furnizimit me ujë dhe të kanalizimeve të orientuara drejt konsumatorit dhe performancës”, nëpërmjet një granti prej 2 200 000 (dy milionë e dyqind mijë) eurosh, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.7, DATË 11.1.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PUNONJËSIT ME KONTRATË TË PËRKOHSHME PËR VITIN 2017 NË NJËSITË E QEVERISJES QENDRORE” 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 11, të ligjit nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.7, datë 11.1.2017, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:
1. Në pikën 1, të vendimit, numri i punonjësve dhe praktikantëve me kontratë të përkohshme ndryshon dhe bëhet “…2 375 punonjës.”.
2. Në lidhjen nr.1, të përmendur në pikën 1, të vendimit, bëhen këto shtesa:
a) Në ndarjet “Gr.10, Ministria e Financave”, “Gr.14, Ministria e Drejtësisë”, “Gr.94, Ministria e Zhvillimit Urban”, dhe “Gr.87, Institucione të tjera qeveritare”, shtohen nënndarjet përkatëse, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
b) Pas ndarjes “Gr.94, Ministria e Zhvillimit Urban”, shtohet ndarja “Gr.95, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit”, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
c) Periudha kohore për emërtesën “operatorë”, në ndarjen “Gr.14, Ministria e Drejtësisë”, bëhet 6-mujore.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I 
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.230, DATË 13.3.2015, “PËR TRAJTIMIN ME PAGESË TË QIRASË PËR DISA FAMILJE  QË PREKEN NGA ZBATIMI I PROJEKTIT “UNAZA E MADHE E TIRANËS”, SEGMENTI “KOMUNA E PARISIT –RRUGA E KAVAJËS””, TË NDRYSHUAR 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 30 e 33, të ligjit nr.9232, datë 13.5.2004, “Për programet sociale të strehimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pas pikës 1, të  vendimit nr.230, datë 13.3.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohet një paragraf  1/1, si më poshtë:
 “ Subjektet e lidhjes 2, përfitojnë shtesë për periudhën e qirasë edhe një vit nga momenti i mbarimit të afatit.”.
2. Vlera shtesë për një vit e pagesës së qirasë për subjektet e listës emërore, sipas lidhjes 2, do të përballohet nga buxheti i vitit 2017 dhe 2018, i  Ministrisë së Zhvillimit Urban.
3. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban, Enti Kombëtar i Banesave dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KATEGORIVE TË INDIVIDËVE QË PLOTËSOJNË KRITERET E PRANIMIT NË NJË PROGRAM TË CIKLIT TË PARË TË STUDIMEVE, NË NJË PROGRAM TË INTEGRUAR TË STUDIMEVE OSE NË NJË PROGRAM TË STUDIMEVE PROFESIONALE, QË PËRJASHTOHEN NGA TARIFA VJETORE E SHKOLLIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, të nenit 8, të ligjit nr.8098, datë 28.3.1996, “Për statusin e të verbrit”, të ndryshuar, të neneve 1 dhe  5, të  ligjit nr.8153, datë 31.10.1996, “Për statusin e jetimit”, të ndryshuar, të neneve 2 dhe 8, të ligjit nr.8626, datë 22.6.2000, “Për statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar, të neneve 1 dhe 15, të ligjit nr.7889, datë 14.12.1994, “Për statusin e invalidit”, të ndryshuar, të nenit 5, të ligjit nr.10289, datë 17.6.2010, “Për mënyrën e trajtimit ekonomik e financiar dhe për dhënie ndihme të menjëhershme familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe të Policisë së Burgjeve, që humbin jetën në krye apo për shkak të detyrës”, të ligjit nr.7748, datë 29.7.1993, “Për statusin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga sistemi komunist”, të ndryshuar, dhe të neneve 5 dhe 7, të ligjit nr.9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar,  të ligjit nr.9642, datë 20.11.2006, “Për ratifikimin e konventës së Këshillit të Evropës “Për masat kundër trafikimit të qenieve njerëzore””, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përjashtohen nga tarifa vjetore e shkollimit studentët të cilët janë pranuar në një program të ciklit të parë të studimeve, në një program të integruar të studimeve ose në një program të studimeve profesionale, në institucionet publike të arsimit të lartë, të kategorive të mëposhtme:
a) Studentët me aftësi të kufizuara, të vërtetuar me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë, si dhe studentët fëmijë të personave/familjes me aftësi të kufizuara, të vërtetuar me vendim të KMCA-së për punë, familjet e të cilëve trajtohen/përfitojnë nga ligji nr.9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar, ndihmë ekonomike të plotë apo të pjesshme nga njësitë e vetëqeverisjes vendore;
b) Studentët familjet e të cilëve trajtohen/përfitojnë ndihmë ekonomike të plotë apo të pjesshme nga njësitë bazë të vetëqeverisjes vendore, si dhe studentëve deri në moshën 25 vjeç, që kanë vetëm njërin nga prindërit, pasi prindi tjetër është ndarë nga jeta, me të ardhura vjetore të familjes të pamjaftueshme për përballimin e kostos së studimeve;
c) Studentët që kanë përfituar statusin e jetimit, deri në moshën 25 vjeç;
ç) Studentët deri në moshën 25 vjeç, që kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate të formës së prerë;
d) Studentët deri në moshën 25 vjeç, që janë identifikuar si viktima të trafikut të qenieve njerëzore dhe kanë përfituar statusin ligjor për trajtim si viktima të trafikut të qenieve njerëzore;
dh) Studentët fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës, të konfirmuar nga ministria përgjegjëse për punët e brendshme dhe ajo e mbrojtjes;
e) Studentët romë dhe ballkano–egjiptianët, të konfirmuar si të tillë nga ministria përgjegjëse për mirëqenien sociale;
ë) Studentët fëmijë të ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga sistemi komunist ose fëmijë me prindër të dënuar politikë me heqje lirie;
f) Studentët e shkëlqyer që rezultojnë me notën mesatare vjetore 10 (dhjetë), për studentët e regjistruar në vitet pas të parit, notë mesatare maksimale do të konsiderohet nota 10 (dhjetë), e përllogaritur si mesatare e notave të të gjitha provimeve/detyrimeve të shlyera dhe të parashikuara për programin përkatës të studimit për vitet pararendëse. Këta studentë duhet të kenë shlyer të gjitha detyrimet akademike të parashikuara për vitet e mëparshme të programit të studimit përkatës, brenda përfundimit të vitit akademik paraardhës;
g) Studentët e shkëlqyer, me notë mesatare maksimale nga sistemi i arsimit të mesëm të lartë, që ndjekin studimet në një program studimi të ciklit të parë, në programet e studimeve me karakter profesional dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë në institucionet publike të arsimit të lartë. Notë mesatare maksimale do të konsiderohet nota 10 (dhjetë) e përllogaritur si mesatare e notave të të gjitha viteve të arsimit të mesëm të lartë, përfshirë dhe rezultatet e provimeve të Maturës Shtetërore. Lista e studentëve të shkëlqyer hartohet nga Agjencia Kombëtare e Provimeve dhe dërgohet në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit si dhe në institucionet publike të arsimit të lartë.
2. Studentët sipas kategorive të individëve që plotësojnë kriteret e pikës 1, të këtij vendimi, përjashtohen nga tarifa vjetore e studimit, pas paraqitjes së dokumentacionit vërtetues për statusin e tyre ligjor, me vendim të Bordit të Administrimit të Institucionit Publik të Arsimit të Lartë.
     Bordi i Administrimit të institucionit shqyrton dhe miraton për çdo vit akademik, jo më vonë se muaji dhjetor, listën e studentëve të kategorive të individëve që plotësojnë kriteret e pikës 1, të këtij vendimi. Për vitin akademik 2016-2017, ky vendim duhet të realizohet brenda muajit prill 2017. Vendimi i Bordit të Administrimit të Institucionit Publik të Arsimit të Lartë i njoftohet Agjencisë Kombëtare së Financimit të Arsimit të Lartë (AKFAL) dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e marrjes së vendimit.
3. Individët që kanë përfunduar një program studimi, kanë të drejtë të ndjekin një program të dytë studimi të të njëjtit cikël. Në këtë rast, kandidatët përballojnë koston e plotë të studimeve. Nga ky rregull përjashtohen studentët e shkëlqyer.
4. Studentit përsëritës i ndërpritet mbështetja nga fondet publike, me përjashtim të rasteve të forcave madhore.
5. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mbrojtjes si dhe institucionet publike të arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË POGRADEC, NË NJËSINË ADMINISTRATIVE ÇËRRAVË, TË PASURISË ME NR.77, NË ZONËN KADASTRALE 2420, ME SIPËRFAQE 5 900 M2 DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.417, DATË 8.6.2011, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM TË KOMUNËS ÇËRRAVË, TË QARKUT TË KORÇËS”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të neneve 3, shkronja “e”, 5, 7, 8 e 17, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.417, datë 8.6.2011, të Këshillit të Ministrave, kudo, në titull dhe në përmbajtjen e vendimit, fjalët “…të komunës Çërravë…”   zëvendësohen me “…në njësinë administrative Çërravë, Bashkia Pogradec…”.
2. Transferimin në pronësi të Bashkisë Pogradec, në njësinë administrative Çërravë, të pasurisë me nr.77, e ndodhur në zonën kadastrale 2420, me sipërfaqe 5 900 (pësë mijë e nëntëqind) m2, sipas planimetrisë bashkëlidhur këtij vendimi, me qëllim ndërtimin e stacionit të transferimit të mbetjeve të ngurta.
3. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.417, datë 8.6.2011, të Këshillit të Ministrave, të shtohet prona e përmendur në pikën 2.
4. Bashkisë Pogradec i ndalohet të ndryshojë destinacionin e pronës së përcaktuar në pikën 2, të këtij vendimi, ta tjetërsojë atë ose t’ua japë në përdorim të tretëve.
5. Ngarkohen ministri i Punëve të Brendshme, kryetari i Bashkisë Pogradec dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR 
TRANSFERIMIN E PRONËSISË SË 45.11% TË KUOTAVE TË SHOQËRISË “QENDRA TREGTARE E ZHVILLIMIT KULTUROR”, SH.P.K., TIRANË, NGA MINISTRIA E ZHVILLIMIT EKONOMIK, TURIZMIT, TREGTISË DHE SIPËRMARRJES TE BASHKIA E TIRANËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit nr.7926, datë 20.4.1995, “Për transformimin e ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare”, të ndryshuar, dhe të neneve 3 e 4, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Transferimin e pronësisë së 45.11% (dyzet e pesë pikë njëmbëdhjetë), të kuotave të shoqërisë “Qendra Tregtare e Zhvillimit Kulturor”, sh.p.k., Tiranë, nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes te Bashkia e Tiranës.
2. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Bashkia e Tiranës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.