Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 3 Dhjetor 2021:
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN E BAZËS SË TË DHËNAVE SHTETËRORE TË SISTEMIT TË MENAXHIMIT TË INFORMACIONIT PARAUNIVERSITAR (SMIP)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Krijimin e bazës së të dhënave shtetërore të Sistemit të Menaxhimit të Informacionit Parauniversitar (SMIP).
2. Institucioni administrues i bazës së të dhënave shtetërore SMIP është Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA).
3. Të dhënat e bazës shtetërore të pikës 1, të këtij vendimi, ndahen në të dhëna parësore dhe dytësore, si më poshtë vijon:
a) Të dhënat parësore të SMIP-së konsiderohen të dhënat e mbledhura nga QSHA-ja, që kanë të bëjnë me:
i. të dhënat e institucionit arsimor parauniversitar:
• emërtimi zyrtar i institucionit;
• akti zyrtar për krijimin e institucionit;
• NIPT-i i institucionit;
• vendndodhja;
• nivelet e arsimit parauniversitar;
• shkolla vartëse (nëse ka);
• të dhënat për godinën;
• infrastruktura e shkollës.
ii. të dhënat për kontratat e punës së mësuesve dhe nivelin e kualifikimit të tyre;
iii. të dhënat për kurikulat në arsimin parauniversitar;
iv. të dhënat për numrin e institucioneve arsimore parauniversitare, të nxënësve dhe të mësuesve.
b) Të dhënat dytësore të SMIP-së konsiderohen të dhënat që merren nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile, si më poshtë vijon:
i. Numri i identifikimit personal;
ii. Emri, atësia, mbiemri;
iii. Datëlindja, vendlindja.
4. Dhënës të informacionit për SMIP-në janë institucionet arsimore parauniversitare, zyrat vendore të arsimit parauniversitar dhe ministria përgjegjëse për arsimin.
5. Subjekte për sistemin SMIP janë institucionet arsimore parauniversitare, zyrat vendore të arsimit parauniversitar, ministria përgjegjëse për arsimin dhe institucionet në varësi të ministrisë përgjegjëse për arsimin.
6. Sistemi SMIP ndërvepron me bazën e të dhënave shtetërore të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile.
7. Të dhënat personale të transmetuara duhet të ruhen për aq kohë sa është e nevojshme për të përmbushur qëllimin për të cilin janë grumbulluar.
8. Niveli i aksesimit në sistemin SMIP bazohet në rolet e krijuara të përdoruesve:
a) Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimit:
i. shikon, krijon, modifikon kurikulën për arsimin profesional;
ii. shikon, krijon, modifikon lëndët kurikulare;
iii. kopjon/aktivizon kurikulat për vitin shkollor pasardhës.
b) Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar:
i. shikon, krijon, modifikon kurikulën për arsimin parauniversitar,
ii. shikon, krijon, modifikon lëndët kurikulare,
iii. kopjon/aktivizon kurikulat për vitin shkollor pasardhës.
c) Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar:
i. shikon, modifikon, fshin institucionet në varësi;
ii. shikon, modifikon të dhënat e punonjësve në varësi;
iii. gjeneron raporte dhe statistika për institucionet e punonjësit në varësi.
ç) Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar:
i. shikon, krijon, modifikon, fshin shkollat në varësi;
ii. shikon, krijon, modifikon të dhënat e punonjësve në varësi;
iii. shikon nxënësit e shkollave në varësi;
iv. gjeneron raporte dhe statistika për institucionet e punonjësit në varësi.
d) Ministria përgjegjëse për arsimin:
i. shikon, modifikon institucionet dhe punonjësit në varësi;
ii. shikon listën e nxënësve për shkollat në varësi;
iii. gjeneron raporte dhe statistika.
dh) Ministria përgjegjëse për arsimin profesional:
i. shikon, modifikon institucionet dhe punonjësit në varësi;
ii. shikon listën e nxënësve për shkollat në varësi;
iii. gjeneron raporte dhe statistika.
e) Qendra e Shërbimeve Arsimore ka të drejta të plota në administrimin e sistemit.
ë) Administratori i shkollës:
i. shikon, modifikon, shton të dhënat e shkollës;
ii. implementon kurikul në nivel shkolle dhe klase;
iii. gjeneron raporte dhe statistika;
iv. gjeneron dëftesa dhe certifikata;
v. shikon transferimet e nxënësve;
vi. shikon temat mësimore;
vii. shikon ecurinë shkollore për vitin shkollor.
f) Mësuesi:
i. shikon, modifikon, shton planin mësimor;
ii. shton temat mësimore;
iii. administron regjistrin për lëndën që jep mësim;
iv. administron klasën në kujdestari.
g) Prindërit shohin të dhënat e fëmijës/fëmijëve së/të regjistruar në sistem si nxënës (ecurinë në shkollë).
9. Palët do të ndërmarrin masa teknike dhe organizative të përshtatshme për të mbrojtur të dhënat personale nga shkatërrime të paligjshme, humbje aksidentale, për të mbrojtur aksesin ose përhapjen nga persona të paautorizuar, veçanërisht kur përpunimi i të dhënave bëhet në rrjet, si dhe nga çdo formë tjetër e paligjshme përpunimi. Çdo veprim në sistem lidhur me aksesin, ndryshimin, korrigjimin, përhapjen e të dhënave etj. duhet të lërë gjurmë, me qëllim garantimin e sigurisë dhe të konfidencialitetit të të dhënave.
10. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Qendra e Shërbimeve Arsimore, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar, Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimit, Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar, drejtoritë rajonale të arsimit parauniversitar, zyrat vendore të arsimit parauniversitar dhe institucionet arsimore parauniversitare për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN E BAZËS SË TË DHËNAVE SHTETËRORE TË SISTEMIT TË PROVIMIT TË SHTETIT (SPSH)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Krijimin e bazës së të dhënave shtetërore të Sistemit të Provimit të Shtetit (SPSH).
2. Institucioni administrues i kësaj baze të dhënash shtetërore është Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA).
3. Të dhënat e bazës shtetërore të pikës 1, të këtij vendimi, ndahen në të dhëna parësore dhe dytësore, si më poshtë vijon:
a) Të dhënat parësore të SPSH-së konsiderohen të dhënat e mbledhura nga QSHA-ja, që kanë të bëjnë me:
i. profesionin/profilin e kandidatit për provim shteti;
ii. numrin e pjesëmarrjeve në provim shteti;
iii. foton digjitale gjatë procedurës së hyrjes në provim;
iv. rezultatet e testimit dhe përgjigjet e dhëna nga kandidatët për çdo profesion/profil;
v. institucionin e arsimit të lartë (IAL), ku kandidati që do të kryejë provimin e shtetit ka kryer studimet e ciklit të parë “Bachelor” dhe/ose studimet e ciklit të dytë;
vi. Vitin e diplomimit (viti kur ka përfunduar studimet e ciklit të parë “Bachelor” dhe/ose studimet e ciklit të dytë kandidati që do të kryejë provimin e shtetit);
vii. postën elektronike/numrin e telefonit të kandidatit, ku do të marrë njoftime nga sistemi për statusin e aplikimit;
viii. drejtoritë rajonale të arsimit parauniversitar (DRAP)/zyrat vendore të arsimit parauniversitar (ZVAP), nga vjen kandidati i regjistruar për kryerjen e provimit të shtetit;
ix. fondet e pyetjeve të profesioneve/profileve me elementet specifike të kapitujve/pyetjeve;
x. procesverbalet e vendimet e mbajtura nga komisionet e provimit të shtetit dhe provimet të tjera të digjitalizuara për saktësime dhe ndryshime në pyetje, për skualifikime dhe parregullsi gjatë seancave të provimeve;
xi. ID-në e aplikimit të kandidatit (e vendosur në mënyrë automatike nga sistemi), nëpërmjet të cilës kandidati gjurmon statusin e aplikimit.
b) Të dhënat dytësore të SPSH-së konsiderohen të dhënat që merren nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile, si më poshtë vijon:
i. Numri i identitetit;
ii. Emri, atësia, mbiemri;
iii. Datëlindja;
iv. Gjinia;
v. Shtetësia;
vi. Vendlindja;
vii. Vendbanimi.
4. Dhënës të informacionit për SPSH janë:
a) ZVAP-të, DRAP-të:
i. për të dhëna në lidhje me diplomat e ciklit të parë dhe të dytë të studimeve.
b) urdhrat profesionalë:
i. për listën emërore në lidhje me profilin e provimit të shtetit të kandidatëve.
c) IAL-et:
i. për të dhëna lidhur me programet e studimit që ofrohen nga ana e tyre.
ç) hartuesit e fondeve të pyetjeve:
i. për fondin e pyetjeve të provimit të shtetit për profesionet e rregulluara.
d) komisionet e provimit të shtetit:
i. për programet orientuese dhe fondin e pyetjeve të provimit të shtetit për profesionet e rregulluara.
dh) palë të tjera të interesuara që mund të kërkojnë kryerjen e provimeve të digjitalizuara pranë QSHA-së.
5. Subjekte për sistemin SPSH janë kandidatët për provimin e shtetit, ZVAP-të, DRAP-të, urdhrat profesionalë, institucionet e arsimit të lartë, ministritë përgjegjëse, komisionet e provimit të shtetit, si dhe palë të tjera të interesuara për kryerjen e provimeve të digjitalizuara pranë QSHA-së, sipas kuadrit ligjor e nënligjor në fuqi.
6. Sistemi SPSH ndërvepron me bazën e të dhënave shtetërore të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile.
7. Të dhënat personale të transmetuara duhet të ruhen jo më tepër sa është e nevojshme për të përmbushur qëllimin për të cilin janë grumbulluar.
8. Niveli i aksesit të lejuar për përdoruesit e SPSH-së përcaktohet, si më poshtë vijon:
a) Menaxher përdoruesish (QSHA):
i. krijon përdorues e cakton rolet dhe të drejtat;
ii. kontrollon veprimtarinë e përdoruesve.
b) Administrator sistemi (QSHA):
i. krijon sezonin e provimit;
ii. krijon strukturat e provimeve;
iii. krijon seancat për provime;
iv. gjeneron raporte dhe statistika;
v. ngarkon fondin e pyetjeve.
c) Administrator salle (QSHA) që fut kandidat për provim sipas listës emërore.
ç) Menaxher pagesash (QSHA) që kontrollon nëse kandidatët për provim shteti kanë kryer pagesën e duhur.
d) Menaxher aplikimesh (ZVAP):
i. verifikon dokumentacionin e aplikantit për provim shteti;
ii. pas konfirmimit të dokumentacionit, përgatitet lista emërore e kandidatëve, e cila dërgohet pranë drejtorisë rajonale të arsimit parauniversitar respektiv.
dh) Menaxher aplikimesh (DRAP):
i. verifikon dokumentacionin e aplikantit për provim shteti nga zyra vendore e arsimit parauniversitar vartës;
ii. pas konfirmimit të dokumentacionit, përgatit listën emërore të kandidatëve, e cila dërgohet edhe pranë QSHA-së në rrugë zyrtare.
e) Menaxher aplikimesh (urdhrat profesionalë):
i. Verifikon dokumentacionin e aplikantit për provim shteti;
ii. pas konfirmimit të dokumentacionit, përgatitet lista emërore e kandidatëve, e cila dërgohet edhe pranë QSHA-së në rrugë zyrtare.
9. Palët do të ndërmarrin masa teknike dhe organizative të përshtatshme për të mbrojtur të dhënat personale nga shkatërrime të paligjshme, humbje aksidentale, për të mbrojtur aksesin ose përhapjen nga persona të paautorizuar, veçanërisht kur përpunimi i të dhënave bëhet në rrjet, si dhe nga çdo formë tjetër e paligjshme përpunimi. Çdo veprim në sistem lidhur me aksesin, ndryshimin, korrigjimin, përhapjen e të dhënave etj. duhet të lërë gjurmë, me qëllim garantimin e sigurisë dhe të konfidencialitetit të të dhënave.
10. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Qendra e Shërbimeve Arsimore, Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar, drejtoritë rajonale të arsimit parauniversitar, zyrat vendore të arsimit parauniversitar, institucionet arsimore parauniversitare, ministritë përgjegjëse, si autoritete kompetente të profesioneve të rregulluara, dhe urdhrat profesionalë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN E BAZËS SË TË DHËNAVE SHTETËRORE TË SISTEMIT TË VLERËSIMIT TË MATURËS SHTETËRORE (SVMSH)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Krijimin e bazës së të dhënave shtetërore të Sistemit të Vlerësimit të Maturës Shtetërore (SVMSH).
2. Institucioni administrues i bazës së të dhënave shtetërore të SVMSH-së është Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA).
3. Të dhënat e bazës shtetërore të SVMSH-së ndahen në të dhëna parësore dhe dytësore, si më poshtë vijon:
a) Të dhëna parësore të SVMSH-së konsiderohen të dhënat e krijuara dhe të mbledhura nga QSHA-ja, që kanë të bëjnë me:
i. të dhënat që i posedon institucioni arsimor në lidhje me maturantët, të cilat hidhen në sistem nga mbikëqyrësi i shkollës, në mënyrë që të gjenerohet ID-ja unike, e cila identifikon maturantin/kandidatin në sistem, gjatë plotësimit të formularit;
ii. vlerësimin në provimet e maturës;
iii. qendrat për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore;
iv. listat e provimeve të Maturës Shtetërore;
v. përcaktimin e notave të shkallëzuara në varësi të pikëve të fituara.
b) Të dhënat dytësore të SVMSH-së konsiderohen të dhënat që merren nga një bazë tjetër të dhënash, ku ato janë parësore. Të dhënat dytësore janë të dhënat që merren nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile, si më poshtë vijon:
i. Numri i identifikimit personal;
ii. Emri, atësia, mbiemri;
iii. Datëlindja e vendlindja.
4. Dhënës të informacionit për SVMSH-në janë institucionet arsimore parauniversitare, ZVAP-të, maturantët/kandidatët e çdo institucioni arsimor parauniversitar dhe ministria përgjegjëse për arsimin.
5. Subjekte për SVMSH-në janë maturantët/kandidatët, ministria përgjegjëse për arsimin, institucionet në varësi të ministrisë përgjegjëse për arsimin, të cilat nuk kanë akses në sistem.
6. Sistemi i SVMSH-së ndërvepron me bazën e të dhënave shtetërore, në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.
7. Të dhënat personale të transmetuara duhet të ruhen për aq kohë sa është e nevojshme për të përmbushur qëllimin për të cilin janë grumbulluar.
8. Niveli i aksesimit për subjektet e interesuara për SVMSH-në përcaktohet nga aksesi i lejuar për përdoruesit e këtij sistemi. Punonjësit e autorizuar të QSHA-së kanë akses të plotë në sistem. Mbikëqyrësi, punonjës i institucionit arsimor, ka rolin e krijimit të formularëve dhe të pasurimit të databazës tek user-i përkatës i institucionit arsimor, duke pasur akses të kufizuar në sistem, duke u emërtuar në sistem si mbikëqyrës i formularëve. Zyrat vendore të arsimit parauniversitar kanë akses në sistem vetëm për të deklaruar mbetësit vjetorë, që raportohen nga shkollat.
9. Palët marrin masa teknike dhe organizative të përshtatshme për të mbrojtur të dhënat personale nga shkatërrime të paligjshme, humbje aksidentale, për të mbrojtur aksesin ose përhapjen nga persona të paautorizuar, veçanërisht kur përpunimi i të dhënave bëhet në rrjet, si dhe nga çdo formë tjetër e paligjshme përpunimi. Çdo veprim në sistem lidhur me aksesin, ndryshimin, korrigjimin, përhapjen e të dhënave etj. duhet të lërë gjurmë, me qëllim garantimin e sigurisë dhe të konfidencialitetit të të dhënave.
10. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Qendra e Shërbimeve Arsimore, Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar, drejtoritë rajonale të arsimit parauniversitar, zyrat vendore të arsimit parauniversitar dhe institucionet arsimore parauniversitare për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË PREFEKTIT TË QARKUT TË FIERIT
Në mbështetje të neneve 100 e 114, të Kushtetutës, dhe të nenit 5, të ligjit nr.107/2016, “Për prefektin e qarkut”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Z. Baki Bala, prefekt i Qarkut të Fierit, lirohet nga kjo detyrë.
2. Z. Lefter Shehaj emërohet prefekt i Qarkut të Fierit.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MEMORANDUMIT TË MIRËKUPTIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË MBRETËRISË SË SPANJËS, PËR BASHKËPUNIMIN E PËRBASHKËT NË ARSIMIN E LARTË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Mbretërisë së Spanjës, për bashkëpunimin e përbashkët në arsimin e lartë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.35, DATË 27.1.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PLANIN VJETOR TË PRANIMIT, PËR VITIN 2021, NË INSTITUCIONET E ADMINISTRATËS SHTETËRORE, PJESË TË SHËRBIMIT CIVIL”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pika 1, e vendimit nr.35, datë 27.1.2021, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet si më poshtë vijon:
“1. Numri i vendeve vakante të planifikuara për rekrutim gjatë vitit 2021 është,
gjithsej, 889 (tetëqind e tetëdhjetë e nëntë), të ndara sipas kategorive të
mëposhtme:
a) Për trupën e nëpunësve civilë të nivelit të lartë drejtues 8;
b) Për kategorinë e mesme drejtuese 60;
c) Për kategorinë e ulët drejtuese 169;
ç) Për kategorinë ekzekutive 652.”.
2. Ngarkohet Departamenti i Administratës Publike, në cilësinë e njësisë përgjegjëse, me zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AUTORITETIT KOMBËTAR TË INVESTIGIMIT PËR SIGURINË E OPERIMIT NË AVIACIONIN CIVIL DHE RREGULLAT PËR PROCESIN E INVESTIGIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 100, pika 2, e 101, të ligjit 96/2020, “Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Objekt i këtij vendimi është miratimi i:
a) organizimit dhe funksionimit të Autoritetit të Investigimit për Sigurinë e Operimit në Aviacionin Civil (këtu e në vijim Autoriteti i Investigimit) si person juridik publik buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për transportin ajror (këtu e në vijim ministri), me seli në Tiranë;
b) rregullave për procesin e investigimit sipas përcaktimit në Kodin Ajror të Republikës së Shqipërisë.
2. Autoriteti i Investigimit financohet nga buxheti i shtetit dhe nga burime të tjera të ligjshme.
3. Autoriteti i Investigimit ka si mision përmirësimin e sigurisë ajrore dhe parandalimin e aksidenteve dhe incidenteve, nëpërmjet investigimit të tyre dhe nxjerrjes së shkaqeve, në zbatim të legjislacionit në fuqi.
4. Rregullat për investigimin dhe parandalimin e aksidenteve dhe incidenteve në aviacionin civil përcaktohen në rregulloren sipas shtojcës, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
II. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I AUTORITETIT TË INVESTIGIMIT
1. Autoriteti i Investigimit organizohet në nivel qendror dhe e shtrin veprimtarinë e tij për të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
2. Autoriteti i Investigimit ka si përgjegjësi funksionale të tij kryerjen e procesit të investigimit dhe nxjerrjes së shkaqeve të aksidenteve e të incidenteve të rënda dhe dhënien e rekomandimeve për sigurinë ajrore.
3. Autoriteti i Investigimit drejtohet nga drejtori, i cili organizon e drejton të gjithë veprimtarinë e tij dhe përgjigjet përpara ministrit. Drejtori i autoritetit e përfaqëson atë në marrëdhënie me të tretët.
4. Drejtori i Autoritetit të Investigimit emërohet dhe lirohet me urdhër të Kryeministrit, pas propozimit të ministrit përgjegjës për transportin ajror dhe duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme:
a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
c) Të ketë diplomë të nivelit “Master Shkencor” apo “Master Profesional”, të përfituar në fund të studimeve të ciklit të dytë me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 vite akademike ose të barasvlefshme me to, sipas legjislacionit për arsimin e lartë;
ç) Të ketë përvojë profesionale e aftësi teknike e menaxheriale, të paktën 5 (pesë) vjet në fushën e aviacionit civil për çështje rregullatore dhe ato të sigurisë së operimit;
d) Të shquhet për figurë të pastër etiko- morale;
dh) Të mos ketë qenë i angazhuar në funksione drejtuese partiake, të paktën 4 (katër) vite përpara emërimit;
e) Ndaj tij të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga puna, që nuk është shuar sipas legjislacionit në fuqi;
ë) Të mos jetë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
f) Të mos ketë konflikt interesi me detyrën në përputhje me legjislacionin e konfliktit të interesave.
5. Drejtori i Autoritetit të Investigimit lirohet nga detyra kur:
a) plotësohet mosha për pensionin e plotë të pleqërisë;
b) dënohet me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
c) deklarohet i paaftë për punë nga komisioni kompetent mjekësor;
ç) gjendet në një situatë të konfliktit të vazhdueshëm të interesit;
d) jep dorëheqjen nga detyra;
dh) kryen shkelje të rënda gjatë kryerjes së detyrës.
6. Marrëdhëniet e punës së drejtorit dhe punonjësve të Autoritetit të Investigimit rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës.
7. Drejtori i Autoritetit të Investigimit kryen detyrat, si më poshtë vijon:
a) Përcakton objektivat vjetorë dhe harton planin vjetor të punës së institucionit;
b) Drejton procesin e planifikimit buxhetor dhe të raportit vjetor të punës;
c) Raporton në mënyrë periodike dhe sa herë që kërkohet te ministri për veprimtarinë e institucionit;
ç) Drejton punën për përgatitjen e rregullores që përcakton metodat e brendshme të punës dhe sjelljen e personelit të autoritetit dhe/apo ndryshimet e saj dhe e dërgon atë për miratim te ministri;
d) Përgatit kërkesat e veçanta të vendit të punës për rekrutimin e nëpunësve/punonjësve të autoritetit dhe emëron nëpunësit dhe punonjësit, në përputhje me Kodin e Punës në Republikën e Shqipërisë;
dh) Nxjerr akte të brendshme për menaxhimin administrativ, financiar, të burimeve njerëzore dhe akte të tjera të brendshme të detyrueshme për nëpunësit e autoritetit dhe për realizimin e funksioneve të tij;
e) Nënshkruan marrëveshjet e bashkëpunimit me organe homologe dhe organizata të ndryshme të huaja në përputhje me parashikimet ligjore;
ë) Autorizon me shkrim delegimin e pjesshëm apo të plotë të kompetencave, në rast të mungesës së tij;
f) Çdo detyrë tjetër të ngarkuar nga legjislacioni në fuqi dhe ministri.
8. Autoriteti i Investigimit, në funksion të ushtrimit të kompetencave të tij, kryen detyrat sipas përcaktimeve në Kodin Ajror të Republikës së Shqipërisë, të këtij vendimi, si dhe çdo detyrë tjetër të ngarkuar nga legjislacioni në fuqi.
9. Rregullorja, që përcakton metodat e brendshme të punës dhe sjelljen e personelit të Autoritetit të Investigimit dhe/apo ndryshimet e saj, miratohet nga ministri, pas propozimit të drejtorit të autoritetit.
10. Struktura dhe organika e Autoritetit të Investigimit miratohen me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.
11. Autoriteti i Investigimit ka stemën, logon dhe vulën e vet zyrtare. Stema e autoritetit përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet “Republika e Shqipërisë, Ministria…. (emri i ministrisë përgjegjëse për transportin ajror), Autoriteti Kombëtar i Investigimit për Sigurinë e Operimit në Aviacionin Civil.
12. Vula e Autoritetit të Investigimit ka formën dhe elementet e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare. Vula prodhohet, administrohet dhe ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
III. DISPOZITA TË FUNDIT
1. Për nëpunësit civilë aktualë të Organit Kombëtar të Investigimit të Aksidenteve/ Incidenteve Ajrore në Aviacionin Civil zbatohen dispozitat e legjislacionit për nëpunësin civil në rastin e mbylljes dhe të ristrukturimit të institucionit.
2. Vendimi nr.686, datë 2.6.2010, i Këshillit të Ministrave, “Për krijimin e Organit Kombëtar të Investigimit të Aksidenteve/ Incidenteve Ajrore në Aviacionin Civil”, shfuqizohet.
3. Deri në miratimin dhe vënien në zbatim të strukturës së re të Autoritetit të Investigimit sipas legjislacionit në fuqi, Organi Kombëtar i Investigimit të Aksidenteve/Incidenteve Ajrore në Aviacionin Civil të vijojë funksionimin e tij sipas strukturës dhe organikës aktualisht në fuqi.
4. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Departamenti i Administratës Publike për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PROJEKTDOKUMENTIT TË PROGRAMIT BUXHETOR AFATMESËM 2022 –2024
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 25, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e projektdokumentit të programit buxhetor afatmesëm për periudhën 2022-2024, sipas dokumentit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PROTOKOLLIT TË BASHKËPUNIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, PËR KRIJIMIN E SEKRETARIATIT KOORDINUES NDËRQEVERITAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e protokollit të bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për krijimin e Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.615, DATË 7.9.2011, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KONTRATAT E TREGTIMIT NË LARGËSI TË SHËRBIMEVE FINANCIARE PËR KONSUMATORËT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 36 e 61, të ligjit nr.9902, datë 17.4.2008, “Për mbrojtjen e konsumatorëve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.615, datë 7.9.2011, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Pas shkronjës “b”, të pikës 2, shtohet shkronja “c”, me këtë përmbajtje:
“c) Mjet i komunikimit në largësi është çdo mjet, që, pa praninë fizike të njëkohshme të tregtarit dhe të konsumatorit, mund të përdoret për lidhjen e kontratës ndërmjet palëve.”.
2. Pas pikës 7 shtohet pika 7.1, me këtë përmbajtje:
“7.1. Përjashtimisht sa më sipër, pika 7, e këtij vendimi, lidhur me informimin nuk aplikohet, me përjashtim të nënndarjeve “iii-vii”, të shkronjës “b”; nënndarjeve “i” dhe “iv”, të shkronjës “c” dhe nënndarjes “ii”, të shkronjës “ç”, të kësaj pike, në rastet kur dispozitat përkatëse të ligjit në fuqi për shërbimet e pagesave gjejnë zbatim.”.
3. Në pikën 17, pas fjalës “… përcaktuar”, fjalët “… në pikën 3, të nenit 37, të ligjit nr.9902, “Për mbrojtjen e konsumatorëve”…” zëvendësohen me “… në pikën 1, të nenit 37/1, të ligjit nr.9902, “Për mbrojtjen e konsumatorëve”, të ndryshuar.”…”.
4. Në pikën 18, pas fjalës “… jetës” hiqen fjalët “… sipas përcaktimeve në shkronjën “c”, të pikës 3, të nenit 37, të ligjit nr.9902, “Për mbrojtjen e konsumatorëve”…”.
5. Në pikën 22, pas fjalëve “… të parashikuara në nenet …” fjalët “…37, pika 4, …” zëvendësohen me “… 37/7 …”.
6. Pas pikës 24 shtohet pika 24.1, me këtë përmbajtje:
“24.1. Në rastin kur konsumatori heq dorë nga një kontratë sigurimi, tregtari nuk i kërkon konsumatorit të paguajë asnjë shumë.”.
7. Shkronja “c”, e pikës 33, të këtij vendimi, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“c) Mjetet e tjera të komunikimit në largësi, kur ato lejojnë komunikimet individuale, përveç atyre të përcaktuara në shkronjat “a” dhe “b”, të kësaj pike:
i. nuk do të autorizohen nëse nuk është marrë pëlqimi i konsumatorëve; ose
ii. mund të përdoren vetëm nëse konsumatori nuk ka shprehur kundërshtimin e tij.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
HAPJEN E PROCEDURËS SË PRANIMIT TË DREJTPËRDREJTË NË TND EDHE PËR KANDIDATË TË TJERË JASHTË SHËRBIMIT CIVIL DHE PËR PËRDORIMIN E PROCEDURËS SË PRANIMIT TË DREJTPËRDREJTË NË TND PËR VITIN 2021
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 5, të nenit 27, dhe të pikës 1, të nenit 29, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, si dhe në vijim të pikave 2, 3 e 4, të kreut V, të vendimit nr.118, datë 5.3.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurat e emërimit, menaxhimit dhe përfundimit të marrëdhënies në shërbimin civil të nëpunësve civilë të nivelit të lartë drejtues dhe të anëtarëve të TND-së”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përjashtimisht, për vitin 2021, procedura e pranimit të drejtpërdrejtë në TND është e hapur edhe për kandidatë të tjerë jashtë shërbimit civil, që plotësojnë kërkesat specifike për pranimin në TND.
2. Për vitin 2021, pranimi në TND të bëhet në mënyrë të drejtpërdrejtë nëpërmjet një konkursi kombëtar.
3. Numri i pozicioneve, për të cilat do të përdoret procedura e pranimit të drejtpërdrejtë në TND, është 8 (tetë).
4. Kriteret minimale të pranimit për këtë procedurë për kandidatët nga jashtë shërbimit civil janë, si më poshtë vijon:
a) Të plotësojnë kushtet e përgjithshme të pranimit në shërbimin civil, të përcaktuara në shkronjat “a” deri në “dh”, të nenit 21, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar.
b) Të zotërojnë një diplomë të nivelit “Master shkencor” apo “Master profesional” të përfituar në fund të studimeve të ciklit të dytë me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 (dy) vite akademike ose të barasvlefshme me to, sipas legjislacionit të arsimit të lartë. Diplomat, të cilat janë marrë jashtë vendit, duhet të jenë të njohura paraprakisht pranë institucionit përgjegjës për njësimin e diplomave, sipas legjislacionit në fuqi.
c) Të kenë të paktën 3 (tre) vjet përvojë pune në pozicione të mesme drejtuese ose të barasvlefshme në:
– institucione të administratës publike;
– institucione bankare të nivelit të dytë e që aktualisht nuk kanë detyrime ndaj shtetit ose nuk janë në proces kundër tij;
– shoqëri tregtare, të cilat, sipas legjislacionit në fuqi, konsiderohen si biznes i madh e që aktualisht nuk kanë detyrime ndaj shtetit ose nuk janë në proces kundër tij;
– organizata jofitimprurëse, të cilat kanë të paktën 5 (pesë) vjet që janë krijuar.
Përjashtimisht, kandidatët nga jashtë shërbimit civil, të cilët kanë punuar dhe/ose punojnë:
– në institucione ndërkombëtare brenda vendit;
– në profesion jashtë vendit;
– pedagogë në institucione të arsimit të lartë;
– avokatë, noterë apo kontabilistë të miratuar brenda ose jashtë vendit,
duhet të kenë të paktën 5 (pesë) vite përvojë pune, përkatësisht në këto institucione ose në profesion.
ç) Të mos kenë procese gjyqësore, civile, penale, administrative të cilat janë në proces, si edhe të mos jenë në ndjekje penale nga prokuroria.
5. Ngarkohet Departamenti i Administratës Publike për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN NË PRONËSI, NGA MINISTRIA E BRENDSHME TE BASHKIA LIBRAZHD, TË NJË PJESE TË PASURISË 7/136, ME EMËRTIMIN “KOMISARIATI I POLICISË LIBRAZHD”, ME SIPËRFAQE TRUALLI 1900 M2 DHE SIPËRFAQE NDËRTESE 513 M2, ME VENDNDODHJE NË ZONËN KADASTRALE 2446, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.250, DATË 24.4.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, TË NDRYSHUAR, SI DHE PËR NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.1086, DATË 28.10.2009, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 3, shkronja “g”, 5 dhe 8 të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Transferimin në pronësi, nga Ministria e Brendshme te Bashkia Librazhd, të një pjese të pasurisë 7/136, me emërtimin “Komisariati i Policisë Librazhd”, me sipërfaqe trualli 1900 (një mijë e nëntëqind) m2 dhe sipërfaqe ndërtese 513 (pesëqind e trembëdhjetë) m2, me vendndodhje në zonën kadastrale 2446, sipas formularit, gjithsej 1 (një) fletë, dhe planrilevimit, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij, me qëllim përmirësimin e infrastrukturës publike, për ndërtimin e një parku publik.
2. Pasuria e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, hiqet nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme publike, të miratuar me vendimin nr.250, datë 24.4.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Rendit Publik”, të ndryshuar, dhe i shtohet listës së inventarit të pronave të paluajtshme publike, të miratuar me vendimin nr.1086, datë 28.10.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që transferohen, në pronësi ose në përdorim, të Bashkisë Librazhd, të Qarkut të Elbasanit”, të ndryshuar.
3. Ministria e Brendshme/Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Bashkia Librazhd, para dorëzimit të sipërfaqes së truallit dhe ndërtesës, sipas përcaktimeve të pikës 1, të këtij vendimi, të lidhin marrëveshje me objekt:
a) sigurimin e ambienteve të nevojshme, transferimin dhe ruajtjen e mjeteve të sekuestruara, të cilat ndodhen aktualisht në këtë pasuri, pa kosto financiare për Policinë e Shtetit;
b) sigurimin, për Ministrinë e Brendshme, të një sipërfaqeje toke të mjaftueshme, për t’u përdorur për parkimin e mjeteve që bllokohen nga shërbimet e Policisë së Shtetit;
c) ndërtimin e murit të ri rrethues dhe rehabilitimin e fasadave të objekteve të Komisariatit të Policisë Librazhd, në harmoni me zonën që do të zhvillohet.
4. Bashkisë Librazhd i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit, ta tjetërsojë ose t’ua japë në përdorim të tretëve pasurinë e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi.
5. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Bashkia Librazhd dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ