Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 3 Korrik 2024: 
V E N D I M
PËR
SHTIMIN E KATEGORIVE TEMATIKE TË GRUPEVE TË TË DHËNAVE ME VLERË TË MADHE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 16, të                              ligjit nr.33/2022, “Për të dhënat e hapura dhe ripërdorimin e informacionit të sektorit publik”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Qëllimi i këtij vendimi është:
a) shtimi i të dhënave me vlerë të madhe të lëvizshmërisë;
b) përcaktimi i grupeve specifike të të dhënave me vlerë të madhe të lëvizshmërisë dhe të transportit publik;
c) përcaktimi i masave për publikimin e ripërdorimin, kushtet e zbatueshme për ripërdorim dhe kërkesat minimale për shpërndarjen e të dhënave nëpërmjet ndërfaqeve të përdorimit të aplikimit (në vijim, API).
2. Termat e përdorur në këtë vendim kanë të njëjtin kuptim me përkufizimet e dhëna në nenin 6, të ligjit nr.33/2022, “Për të dhënat e hapura dhe ripërdorimin e informacionit të sektorit publik”.
3. Grupet e të dhënave me vlerë të madhe, të lëvizshmërisë dhe të transportit publik përfshijnë:
a) të dhënat e rrjeteve të transportit publik: rrugor, hekurudhor, ajror, ujor dhe infrastrukturat e lidhura me to, përfshirë ato të përcaktuara si pjesë e rrjeteve të transportit transevropian, Ten-T;
b) të dhënat statike të rrugëve ujore të brendshme;
c) të dhënat dinamike të rrugëve ujore të brendshme.
4. Të dhënat specifike për të dhënat e rrjeteve të transportit, sipas shkronjës “a”, të pikës 3, të këtij vendimi, janë të dhënat e përcaktuara me standardin e miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, në zbatim të ligjit për të dhënat gjeohapësinore për grupet tematike për rrjetet e transportit.
5. Të dhënat specifike statike për rrugët e brendshme ujore sipas shkronjës “b”, të pikës 3, të këtij vendimi, janë:
a) karakteristikat e rrugës së lirë (fairway);
b) pengesat afatgjata në rrugë dhe besueshmëria;
c) pagesat e tarifave të infrastrukturës së rrugëve ujore;
ç) kufizime të tjera fizike në rrugët ujore;
d) koha e rregullt e funksionimit të bllokimit dhe të urës;
dh) vendndodhja e karakteristikat e porteve dhe të vendeve të transportit;
e) lista e mjeteve ndihmëse të lundrimit dhe të shenjave të trafikut;
ë) rregullat e rekomandimet e lundrimit.
6. Të dhënat specifike dinamike për rrugët e brendshme ujore, sipas                    shkronjës “c”, të pikës 3, të këtij vendimi, janë, si më poshtë vijon:
a) Konturet e thellësive të ujit në kanalin e lundrimit;
b) Pengesat e përkohshme në rrugë të lirë;
c) Nivelet e tanishme dhe të ardhshme të ujit në matës;
ç)  Gjendja e lumenjve, e kanaleve dhe e urave;
d) Kufizimet e shkaktuara nga përmbytjet dhe akulli;
dh) Ndryshimet afatshkurtra të kohës së funksionimit e të bllokimit të urës;
e) Ndryshimet afatshkurtra të mjeteve ndihmëse në lundrim;
ë) Hartat elektronike dhe naviguese të brendshme, sipas standardit ECDIS;
f) Aksi i rrugës ujore me tregues kilometrash;
g) Lidhja me skedarët “xml” të jashtëm me kohë funksionimi të strukturave kufizuese;
gj)  Vendndodhja e porteve dhe e vendeve të transportit;
h) Të dhënat e referencës për matësit e nivelit të ujit, që lidhen me lundrimin;
i) Bregu ujor në nivelin mesatar të ujit;
j) Vija bregdetare;
k) Konturet e digave;
l) Kufijtë e rrugës së lirë/kanalit të lundrimit;
ll) Rreziqet e izoluara në rrugën e lirë/kanalin e lundrimit nën dhe mbi ujë;
m) Ndihma zyrtare për lundrim (p.sh. bova, fener, drita, shenja njoftimi).
7. Publikimi i të dhënave me vlerë të madhe të lëvizshmërisë bëhet, si më poshtë vijon:
a) Organet e sektorit publik dhe privat, kur kryejnë funksione publike, që mbajnë grupe të dhënash me vlerë të madhe, të listuara në pikën 3, të këtij vendimi, sigurojnë që grupet e të dhënave të përshkruara ose të referuara në të, kur janë të ruajtura në një bazë të të dhënave shtetërore, të vihen në dispozicion në format të lexueshëm nga pajisje kompjuterike nëpërmjet API-ve, që plotësojnë nevojat e ardhshme për ripërdorim;
b) Grupet e të dhënave me vlerë të madhe të lëvizshmërisë vihen në dispozicion dhe në formën e një shkarkimi të vetëm voluminoz (bulk download) kur të dhënat nuk ruhen në baza të të dhënave shtetërore;
c) Organet e sektorit publik të përmendura në shkronjën “a”, të kësaj pike, përcaktojnë dhe publikojnë kushtet e përdorimit të API-së dhe kriteret e cilësisë së shërbimit për performancën, kapacitetin dhe disponueshmërinë e tij;
ç) Kushtet e përdorimit të jenë të disponueshme në një format të lexueshëm nga njeriu dhe nga kompjuteri, që, bashkë me kriteret e cilësisë së shërbimit, të jenë në përputhje me marrëveshjet për ripërdorimin e grupeve të të dhënave me vlerë të lartë, në përputhje me pikën  3, të këtij vendimi;
d) Kushtet e përdorimit të API-së shoqërohen me dokumentacionin e duhur në një format të hapur, të lexueshëm nga njeriu dhe kompjuteri, sipas standardeve të njohura;
dh) Organet e sektorit publik të përmendura në shkronjën “a”, të kësaj pike, caktojnë një pikë kontakti për çështjet që lidhen me API-në, për të siguruar disponueshmërinë dhe mirëmbajtjen e API-së dhe publikimin efektiv të grupeve të të dhënave me vlerë të madhe;
e) Organet e sektorit publik e privat, kur kryejnë funksione publike, që mbajnë grupe të dhënash me vlerë të madhe sipas këtij vendimi, sigurojnë që grupet e të dhënave të klasifikohen si grupe të dhënash me vlerë të madhe, në përshkrimin e tyre të metadatave.
8. Ripërdorimi i kategorisë së grupeve të të dhënave me vlerë të madhe të lëvizshmërisë dhe transportit publik bëhet, si më poshtë vijon:
a) Çdo përjashtim, në përputhje me pikën 4, të nenit 17, të                                       ligjit nr.33/2022, “Për të dhënat e hapura dhe ripërdorimin e informacionit të sektorit publik”, publikohet on-line në faqen e internetit të institucionit përkatës dhe, për aq sa është e mundur, në portalin unik qeveritar të të dhënave të hapura, në përputhje me parashikimet e pikës 3, të nenit 10, të ligjit nr.33/2022, “Për të dhënat e hapura dhe ripërdorimin e informacionit të sektorit publik”;
b) Për të lehtësuar disponueshmërinë e grupeve të të dhënave për ripërdorim, që mbulojnë periudha më të gjata kohore, detyrimet e vendosura sipas këtij dokumenti do të zbatohen gjithashtu për grupet ekzistuese të të dhënave me vlerë të madhe të lexueshme nga kompjuteri, të krijuara përpara datës së zbatimit të këtij vendimi;
c) Grupet e të dhënave me vlerë të madhe për lëvizshmërinë vihen në dispozicion për ripërdorim sipas kushteve të licencës përkatëse për të drejtën e ripërdorimit të miratuar në zbatim të ligjit nr.33/2022, “Për të dhënat e hapura dhe ripërdorimin e informacionit të sektorit publik”. Organi publik licencues për ripërdorimin e të dhënave me vlerë të madhe për lëvizshmërinë ka të drejtën e atribuimit për vendosjen e një karakteristike të objektit ose të një grupi të dhënash të entitetit, të tilla si një emër ose kod kombëtar identifikimi.
ç) Grupet e të dhënave me vlerë të madhe për lëvizshmërinë, siç përcaktohet në pikën 6, të këtij vendimi, vihen në dispozicion, në përputhje me rregullat për publikimin e ripërdorimin, sipas                               ligjit nr.33/2022, “Për të dhënat e hapura dhe ripërdorimin e informacionit të sektorit publik”.
9. Publikimi i grupit të të dhënave për rrjetet e transportit dhe bërja e disponueshme e tyre për ripërdorim bëhet, si më poshtë vijon:
a) Menjëherë pas përditësimit të fundit;
b) Sipas kushteve të licencës “Creative Commons BY 4.0” ose ndonjë licence të hapur ekuivalente ose më pak kufizuese;
c) Në një format të hapur, të lexueshëm nga kompjuteri, të njohur ndërkombëtarisht;
ç) Përmes API-ve dhe në formën e një shkarkimi të vetëm voluminoz “bulk download”;
d) Në versionin e tyre më të përditësuar.
9.1. Metadatat, që përshkruajnë grupet e të dhënave të rrjetit të transportit, duhet të përmbajnë të paktën elementet e metadatave të përcaktuara, sipas legjislacionit në fuqi për të dhënat e hapura:
a) Datasetet do të përshkruhen në një dokumentacion të plotë dhe të disponueshëm në internet, i cili përshkruan të paktën strukturën dhe semantikën e të dhënave;
b) Grupet e të dhënave përdorin fjalorin dhe taksonominë sipas praktikës evropiane ose standardeve të njohura ndërkombëtarisht e të dokumentuara publikisht, aty ku ka.
10. Publikimi i grupit të të dhënave për rrugët ujore të brendshme dhe bërja e disponueshme e tyre për ripërdorim bëhet, si më poshtë vijon:
a) sipas kushteve të licencës “Creative Commons BY 4.0” ose ndonjë licence të hapur ekuivalente ose më pak kufizuese;
b) në formatin e përcaktuar sipas praktikës së harmonizuar me Bashkimin Evropian:
i. nëpërmjet API-së dhe në formën e një shkarkimi të vetëm voluminoz “bulk download”;
ii. duke përfshirë atributin e kodit të vendndodhjes së Standardit Ndërkombëtar të Raportimit të Anijeve (“ISRS”);
iii. në përputhje me frekuencën e përditësimit dhe afatin kohor të specifikuar në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi;
iv. në zbërthimin e detajuar, sipas përcaktimeve në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
10.1. Metadatat, që përshkruajnë grupet e të dhënave të rrugëve ujore të brendshme, duhet të jenë të plota dhe të disponueshme në web të organit të sektorit publik dhe në portalin unik qeveritar të të dhënave të hapura, në një format të hapur, të lexueshëm nga kompjuteri, të njohur ndërkombëtarisht ose në Bashkimin Evropian;
10.2. Dokumentacioni i grupeve të të dhënave të rrugëve ujore të brendshme, duhet të jetë në përputhje me masat dhe standardet e harmonizuara me Bashkimin Evropian.
11. Organet e sektorit publik, që mbajnë të dhënat sipas përcaktimeve të këtij vendimi, paraqesin informacionin e nevojshëm te Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Aty ku është e përshtatshme, informacioni mund të sigurohet nëpërmjet referencave në metadatat përkatëse.
12. Organet publike përgjegjëse për mbajtjen e grupeve të të dhënave me vlerë të madhe sipas këtij vendimi marrin masa për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.270, DATË 2.5.2019,                                 TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PJESËMARRJEN                                E PERSONELIT TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË MISIONIN E KOMBEVE TË BASHKUARA                    NË SUDANIN E JUGUT (UNMISS)”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 2 e 5, të nenit 6, të                          ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të shkronjës “ç”, të nenit 11, të ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të aktit normativ nr.1, datë 20.3.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për pjesëmarrjen e personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në misionin e Kombeve të Bashkuara në Sudanin e Jugut (UNMISS)”, miratuar me ligjin nr.23/2019, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në pikën 1, të vendimit nr.270, datë 2.5.2019, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, data “15.3.2024” ndryshohet dhe bëhet “15.3.2027”.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga fondet e miratuara për buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes.
3. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.386,               DATË 1.6.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E FUSHAVE DHE TË PROGRAMEVE TË STUDIMIT, QË PËRBËJNË PRIORITET KOMBËTAR, DHE MBËSHTETJEN FINANCIARE                       TË STUDENTËVE TË SHKËLQYER E TË STUDENTËVE,                               QË NDJEKIN KËTO PROGRAME NË INSTITUCIONET PUBLIKE               TË ARSIMIT TË LARTË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 112, të                            ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.386, datë 1.6.2022, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Shkronja “c”, e pikës 2, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“c) Studenti, i cili ka zgjedhur të ndjekë një prej programeve të studimit, që përbën prioritet kombëtar, të përcaktuara nga komisioni ad hoc, i ngritur pranë ministrisë përgjegjëse për arsimin, për çdo vit akademik, sipas fushave të studimit të miratuara në shtojcën   nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.”.
b) Pas pikës 4 shtohet pika 4/1, me këtë përmbajtje:
“4/1. Studenti përfitues sipas shkronjës “c”, të pikës 2, të këtij vendimi, për vitin e parë të studimeve përfiton mbështetje financiare me bursë, në masën e pagës bazë minimale mujore, të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, sipas programeve që përbëjnë prioritet kombëtar për vitin akademik. Pas vitit të parë të studimeve, studenti përfiton mbështetje financiare me bursë deri në masën e pagës bazë minimale mujore, mbi bazën e arritjeve akademike, si më poshtë vijon:
a) Me ruajtjen e notës mesatare mbi 8.00, përfiton 100% të masës së pagës minimale;
b) Me ruajtjen e notës mesatare nga 6.5 deri në 8.00, përfiton 60% të masës së pagës minimale;
c) Me ruajtjen e notës mesatare deri në 6.5, përfiton 30% të masës së pagës minimale.
Studenti duhet të ketë shlyer të gjitha detyrimet akademike të vitit përkatës akademik për përllogaritjen e notës mesatare vjetore.”.
c) Pika 6/1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“6/1. Për përcaktimin e programeve prioritare të studimit dhe kuotave të financimit për këto programe në institucionet publike të arsimit të lartë për studentët përfitues sipas shkronjës “c”, të pikës 2, të këtij vendimi, për çdo vit akademik, mbështetur në fondin e vitit përkatës buxhetor dhe në nevojat e vlerësimet periodike të                      IAL-së, si dhe prioritetet lokale, rajonale e kombëtare, pranë Ministrisë së Arsimit dhe Soprtit ngrihet komision ad hoc, i përbërë nga 5 (pesë) anëtarë, me përfaqësues të ministrisë përgjegjëse për arsimin, AKFAL-i dhe institucionet publike të arsimit të lartë.
Komisioni ad hoc përcakton, sipas fushave të përcaktuara në shtojcën nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi, programet prioritare të studimit në institucionet publike të arsimit të lartë, sipas nevojës për vitin akademik, dhe kuotat e financimit për këto programe, bazuar në buxhetin e miratuar të AKFAL-it, përpara fillimit të procesit të pranimit të studentëve në vitin akademik përkatës.
Programet prioritare dhe kuotat e financimit për çdo institucion publik të arsimit të lartë i dërgohen AKFAL-it nga komisioni                     ad hoc, i cili shpërndan për çdo IAL publike fondin e transferuar për këtë qëllim.
Përzgjedhja e studentëve përfitues, sipas shkronjës “c”, të pikës 2, të këtij vendimi, bëhet nga IAL-të publike për çdo program prioritar në bazë të renditjes, sipas notës mesatare në pranim, nëse numri i kërkuesve është më i madh se kuotat e miratuara.”.
ç) Pika 7 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“7. IAL-të, sipas këtij vendimi, depozitojnë tek AKFAL-i, çdo vit, listën e notave dhe vërtetimin për shlyerjen e të gjitha detyrimeve të studentëve përfitues për vitin e parë dhe vijues të studimeve.”.
d) Shtojca nr.1, që përmendet në pikën 1, zëvendësohet me shtojcën me të njëjtin numër, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe institucionet publike të arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet nga viti akademik 2024-2025 e në vijim.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RAPORTIT VJETOR PËR NDIHMAT SHTETËRORE TË VITIT 2023
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 32, të ligjit nr.9374, datë 21.4.2005, “Për ndihmën shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e raportit për ndihmat shtetërore të vitit 2023, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
RREGULLAT E DETAJUARA PËR REGJISTRIMIN                                        E KIMIKATEVE NGA PRODHUESIT DHE IMPORTUESIT, DETYRIMET PËR TË RAPORTUAR NË REGJISTRIN ELEKTRONIK TË KIMIKATEVE, SI DHE MIRËMBAJTJEN E REGJISTRIT                        TË KIMIKATEVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 27, të                                  ligjit nr.27/2016, “Për menaxhimin e kimikateve”, dhe të nenit 4, të                                     ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Objekt i këtij vendimi është përcaktimi i rregullave të detajuara:
a) për regjistrimin e kimikateve nga prodhuesit dhe importuesit;
b) për të raportuar në Regjistrin Elektronik të Kimikateve;
c) për mirëmbajtjen e regjistrit të kimikateve.
2. Përveç përkufizimeve të dhëna në ligjin në fuqi për menaxhimin e kimikateve, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a) “Administrator”, Zyra e Kimikateve, e cila është njëkohësisht edhe përdoruese e regjistrit të kimikateve në nivel qendror;
b) “Dhënës të informacionit”, në kuptim të këtij vendimi, janë prodhuesit, importuesit, përdoruesit profesionalë dhe eksportuesit e kimikateve;
c) “Subjekte të interesuara”, në kuptim të këtij vendimi dhe në kuptim të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazën e të dhënave shtetërore”, që kanë akses në bazën e të dhënave me të drejta sipas roleve përkatëse janë:
i. struktura përgjegjëse për hartimin e politikave në fushën e kimikateve nën ministrinë përgjegjëse për mjedisin;
ii. Shërbimi i Toksikologjisë Klinike në QSUT;
iii. Instituti i Shëndetit Publik;
iv. struktura përgjegjëse inspektuese në fushën e mjedisit;
v. inspektorati shtetëror përgjegjës për tregtinë;
vi. inspektorati shtetëror përgjegjës për industrinë;
vii. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave;
viii. autoritetet përgjegjëse për regjistrimin e kimikateve, si: produktet e mbrojtjes së bimëve, produktet biocide dhe produktet plehëruese, në përputhje me legjislacionin e tyre specifik.
Subjektet e interesuara janë subjektet, që aksesojnë në nivel “përdorues” regjistrin e kimikateve.
ç) “Të dhëna parësore”, sipas kuptimit në ligjin nr.10325,                                    datë 23.9.2010, “Për bazën e të dhënave shtetërore”;
d) “Të dhëna dytësore”, sipas kuptimit në ligjin nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazën e të dhënave shtetërore”;
dh) “Ndërveprim”, sipas kuptimit në ligjin nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazën e të dhënave shtetërore”;
e) “Zyra e Kimikateve”, sipas kuptimit në nenin 6, të ligjit 27/2016, “Për menaxhimin e kimikateve”;
ë) “Përdoruesi profesional”, çdo person fizik ose juridik, i cili përdor kimikatet për qëllime të përpunimit, të formulimit, përzierjes, rimbushjes në kontejnerë, transferimit nga një kontejner në një tjetër dhe i vendos ato në tregun shqiptar nën emrin e tij a markën e tij tregtare.
II. RREGULLAT PËR REGJISTRIMIN E KIMIKATEVE NGA PRODHUESIT DHE IMPORTUESIT
1. Prodhuesit dhe importuesit kanë detyrimin të regjistrojnë në Regjistrin Elektronik të Kimikateve (në vijim, Regjistri), të krijuar pranë Zyrës së Kimikateve, të dhënat e kimikateve, të cilat prodhohen apo importohen në Republikën e Shqipërisë, sipas pikës 3, të këtij kreu.
2. Përjashtimisht, të dhënat e kimikateve, sipas pikës 4, të këtij kreu, për produktet për mbrojtjen e bimëve, produktet plehëruese dhe produktet biocide regjistrohen nga autoritetet përgjegjëse, sipas legjislacionit specifik të tyre në fuqi.
3. Afatet për regjistrimin e të dhënave për kimikatet fillojnë:
a) nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, për subjektet që importojnë/prodhojnë kimikate në sasi më shumë se 100 tonë në vit;
b) një vit pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi, për subjektet që importojnë/prodhojnë kimikate në sasi më shumë se 10 tonë në vit deri në 100 tonë në vit;
c) 2 (dy) vjet pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi, për subjektet që importojnë/prodhojnë kimikate në sasi më shumë se 1 ton në vit deri në 10 tonë në vit.
4. Të dhënat për kimikatet që regjistrohen në Regjistër janë të dhëna parësore dhe të dhëna dytësore:
4.1.Të dhënat parësore janë:
a) të dhënat për identifikimin e kimikatit/produktit që përmban kimikate;
b) të dhënat për kontaktet e furnizuesit, sipas dokumentit me të dhënat e sigurisë së kimikatit (në vijim, MSDS) si: adresa e plotë fizike, numri i telefonit të furnizuesit, si dhe një adresë e-mail-i e një personi kompetent përgjegjës për MSDS-në. Nëse furnizuesi nuk ka vendndodhje në Republikën e Shqipërisë, ku substanca ose përzierja vendoset në treg dhe ai ka emëruar një person përgjegjës në vend, do të jepet adresa e plotë dhe numri i telefonit i atij personi përgjegjës;
c) kodi i kimikatit sipas Nonmenklaturës së Kombinuar të Mallrave (NK) në rastin kur kimikati eksportohet apo importohet;
ç) përbërja/informacioni mbi përbërësit;
d) informacioni për përdorimet përkatëse të identifikuara të substancës ose të përzierjes dhe përdorimet që nuk këshillohen;
dh) ngjyra(t) gjendja(et) fizike e/të përzierjes/kimikatit, siç ofrohet, dhe pH (aty ku është e aplikueshme);
e) informacioni për përdorimin (konsum të përgjithshëm, profesional, industrial ose një kombinim i ndonjë prej të treve);
ë) informacioni për klasifikimin dhe etiketimin (piktogramet e rrezikut, fjalët sinjalizuese, deklaratat e rrezikut dhe deklaratat parandaluese);
f) informacioni toksikologjik për përgjigje ndaj emergjencave. Ky informacion duhet të jetë në përputhje me seksionin 11, të                MSDS-së së produktit, nëse aplikohet ose seksionin 11, të                 shtojcës II, të vendimit nr.9, datë 9.1.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për rregullat e detajuara dhe metodat për kryerjen e vlerësimit të sigurisë së kimikatit, si edhe kërkesat specifike, përmbajtja dhe formati i dokumentit me të dhënat e sigurisë”.
g) sasia e prodhuar, e importuar, e eksportuar e kimikatit për vitin paraardhës dhe sasia stok e magazinuar;
gj) informacioni për sigurinë kimike, në rastin e përzierjeve kimike, që ofrohet nga prodhuesit/importuesit /përdoruesit profesionalë, që vendosin në treg përzierjet, me qëllim hartimin/përgatitjen e masave parandaluese dhe kurative, veçanërisht në rastet e përgjigjeve të emergjencave shëndetësore. Informacioni për sigurinë kimike përfshin informacionin për rrezikun në shëndetin njerëzor, informacionin për rrezikun fiziko-kimik, informacionin për rrezikun në mjedis, informacionin për qëndrueshmërinë, bioakumulimin, toksicitetin (QBT) dhe shumëqëndrueshmërinë dhe shumëbioakumulimin (shQshB), sipas pikës 3, të kreut III, të vendimit nr.9, datë 9.1.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për rregullat e detajuara dhe metodat për kryerjen e vlerësimit të sigurisë së kimikatit, si edhe kërkesat specifike, përmbajtja dhe formati i dokumentit me të dhënat e sigurisë” .
4.2. Të dhëna dytësore janë:
a) të dhënat e regjistrit tregtar për emrin, numrin unik të identifikimit, adresën dhe statusin për subjektet, që prodhojnë, importojnë kimikate në territorin e Republikës së Shqipërisë, objekt i regjistrimit të kimikateve, sipas nenit 27, të ligjit nr.27/2016, “Për menaxhimin e kimikateve”;
b) të dhënat për produktet e mbrojtjes së bimëve, që regjistrohen në përputhje me vendimin nr.335, datë 6.6.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave për regjistrimin, të procedurës dhe kritereve të vlerësimit të produkteve për mbrojtjen e bimëve”:
Informacioni që sigurohet nga autoritetet janë të dhënat e certifikatës së regjistrimit, sipas përcaktimeve të kreut VI, të vendimit nr.335, datë 6.6.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave për regjistrimin, të procedurës dhe kritereve të vlerësimit të produkteve për mbrojtjen e bimëve”, përfshirë MSDS-në, sipas përcaktimeve të ligjit nr.27/2016, “Për menaxhimin e kimikateve”.
c) Të dhënat për produktet biocide, që sigurohen nga autoritetet përgjegjëse, të cilat autorizojnë vendosjen në tregun shqiptar të tyre. Informacioni që sigurohet nga autoritetet përgjegjëse, janë të dhënat sipas shkronjës “b”, të pikës 1, të kreut III, të                vendimit nr.933 datë 25.11.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave për kriteret e vlerësimit të produkteve biocide dhe të procedurës së dhënies së autorizimit të vendosjes së tyre në treg”;
ç) Të dhënat për produktet plehëruese, sipas shkronjës “ç”, të nenit 8, të ligjit nr.17/2020, “Për produktet plehëruese”.
5. Baza e të dhënave administrohet, mirëmbahet e përditësohet nga Zyra e Kimikateve.
6. Baza e të dhënave të Regjistrit Elektronik të Kimikateve ndërvepron me të dhënat për produktet e mbrojtjes së bimëve, produktet plehëruese dhe produktet biocide, që sigurohen nga autoritetet përgjegjëse, që autorizojnë vendosjen e tyre në tregun shqiptar të tyre.
7. Baza e të dhënave ndërvepron nëpërmjet Platformës Qeveritare të Ndërveprimit me Bazën e të Dhënave të Regjistrit Tregtar.
8. Niveli i aksesimit nënkupton:
a) aksesimin në nivel qendror ose në atë të “administratorit”, ku përfshihen administratori/ët i/e regjistrit në Zyrën e Kimikateve. Niveli i aksesimit dhe funksionet e të drejtat për secilën kategori përdoruesi të sistemit janë në përputhje me pozicionin e punës së punonjësit të Zyrës së Kimikateve;
b) aksesimin në nivel “dhënës të informacionit”, sipas përcaktimit në shkronjën “b”, të pikës 2, të kreut I, të këtij vendimi;
c) aksesimin në nivel “përdorues”, sipas përcaktimit në shkronjën “c”, të pikës 2, të kreut 1, të këtij vendimi.
III. DETYRIMET PËR TË RAPORTUAR NË REGJISTRIN ELEKTRONIK TË KIMIKATEVE
1. Importuesit, prodhuesit, përdoruesit profesionalë dhe eksportuesit raportojnë të dhënat për kimikatet, që importohen, prodhohen, përdoren në vend apo eksportohen jashtë Republikës së Shqipërisë. Përjashtimisht, të dhënat për produktet për mbrojtjen e bimëve, produktet plehëruese dhe produktet biocide, që importohen, prodhohen apo eksportohen, raportohen nga autoritetet përgjegjëse, sipas legjislacionit specifik të tyre në fuqi.
2. Përjashtohen nga detyrimi për raportim të dhënat për:
a) kimikatet, sipas përcaktimeve të pikave 2 dhe 4, të nenit 4, të                      ligjit nr.27/2016, “Për menaxhimin e kimikateve”;
b) kimikatet, që importohen ose prodhohen në territorin e Republikës së Shqipërisë në sasi më të vogël se 100 kg për vit për çdo subjekt importues apo prodhues;
c) kimikatet, që përdoren për studime dhe hulumtime shkencore, të cilat nuk vendosen në treg, por përdoren në mënyrë të kontrolluar, në përputhje me legjislacionin specifik për kushtet në mjediset e punës dhe mjedisin.
3. Subjektet dhe autoritetet e përcaktuara në pikën 1, të këtij kreu, raportojnë në Regjistrin Elektronik të Kimikateve, nëpërmjet portalit unik qeveritar                “e-Albania”, me anë të shërbimit elektronik “Regjistrimi i kimikateve”, brenda datës 31 mars të vitit vijues, për sasinë e prodhuar, të importuar, të eksportuar të kimikateve për vitin e kaluar dhe të dhënat sipas                      nënpikave 4.1 dhe 4.2, të kreut II, të këtij vendimi, për kimikatet që regjistrohen për herë të parë në këtë regjistër. Për kimikatet që shoqërohen me dokumentacionin me të dhënat e sigurisë, sipas nenit 15, të ligjit nr.27/2016, “Për menaxhimin e kimikateve”, informacioni i raportuar të jetë në përputhje me atë dokumentacion.
4. Administratori harton raportin vjetor të detajuar për kimikatet e regjistruara, i cili është pjesë e raportit për gjendjen e mjedisit, që përgatitet nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit (në vijim, AKM).
5. Raportimi i Regjistrit nga administratori bëhet 1 (një) herë në vit pranë INSTAT-it, sipas standardit kombëtar të statistikave zyrtare dhe sa herë që kërkohet nga persona të interesuar, duke u mbështetur në legjislacionin për të drejtën për informim.
IV. MIRËMBAJTJA E REGJISTRIT TË KIMIKATEVE
1. Regjistri Elektronik i Kimikateve mirëmbahet dhe administrohet nga Zyra e Kimikateve si institucioni administrues, në kuptim të ligjit nr.27/2016, “Për menaxhimin e kimikateve”.
2. Përdoruesit e Regjistrit Elektronik të Kimikateve, sipas shkronjës “c”, të pikës 8, të kreut II, të këtij vendimi, ruajnë konfidencialitetin dhe besueshmërinë e këtyre të dhënave personale, në përputhje me nenin 28, të ligjit nr.9887, datë 10.3.2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, të ndryshuar.
V. DISPOZITA TË FUNDIT
1. Ngarkohen ministria përgjegjëse për mjedisin, ministria përgjegjëse për bujqësinë, ministria përgjegjëse për shëndetësinë, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Shërbimi i Toksikologjisë Klinike në QSUT, Instituti i Shëndetit Publik, struktura përgjegjëse inspektuese në fushën e mjedisit, inspektorati shtetëror përgjegjës për tregtinë dhe inspektorati shtetëror përgjegjës për industrinë, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.
2. Struktura përgjegjëse inspektuese në fushën e mjedisit është institucioni përgjegjës për kontrollin e plotësimit të detyrimeve për regjistrimin e kimikateve nga prodhuesit dhe importuesit, në përputhje me dispozitat e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet pas vënies në funksion të sistemit elektronik për regjistrimin e kimikateve.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.