Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 3 Maj 2017:
V E N D I M
PËR NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2017, MIRATUAR PËR KOMISIONIN QENDROR TË ZGJEDHJEVE, PËR FINANCIMIN E SHPENZIMEVE TË ZGJEDHJEVE PËR KUVENDIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË 18 QERSHORIT 2017, DHE FINANCIMIN E FUSHATËS ZGJEDHORE TË SUBJEKTEVE PËRKATËSE PJESËMARRËSE NË KËTO ZGJEDHJE, SI EDHE PËR FINANCIMIN E ZGJEDHJEVE TË PJESSHME VENDORE PËR KRYETAR TË BASHKISË KAVAJË, TË 7 MAJIT 2017
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 86, pika 2, e 87, pika 1, të ligjit nr.10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 13, të ligjit nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, si dhe të vendimit nr.51/2017 të Kuvendit të Shqipërisë, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në buxhetin e miratuar për vitin 2017, t’i shtohet fondi prej 133 000 000 (njëqind e tridhjetë e tre milionë) lekësh, për organizimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, të datës 18 qershor 2017.
2. Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për financimin e fushatës zgjedhore për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, të datës 18 qershor 2017, t’i jepet fondi prej 65 000 000 (gjashtëdhjetë e pesë milionë) lekësh, i cili t’u shpërndahet subjekteve zgjedhore pjesëmarrëse në këto zgjedhje, në programin “Mbështetje për partitë politike”.
3. Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në buxhetin e miratuar për vitin 2017, t’i shtohet fondi prej 7 290 000 (shtatë milionë e dyqind e nëntëdhjetë mijë) lekësh, për organizimin e zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar të Bashkisë Kavajë, të datës 7 maj 2017.
4. Efekti financiar prej 205 290 000 (dyqind e pesë milionë e dyqind e nëntëdhjetë mijë) lekësh, i parashikuar në pikat 1, 2 dhe 3, të këtij vendimi, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2017.
5. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN E SË DREJTËS SË PRONËSISË PËR PARCELAT E OBJEKTEVE TË LEGALIZUARA DHE KOMPENSIMIN FINANCIAR TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME QË PREKEN PREJ TYRE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 17, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, të nenit 163, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 10, të ligjit nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, si dhe të shkronjës “ç”, të nenit 4, të ligjit nr.7980, datë 27.7.1995, “Për shitblerjen e trojeve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e kalimit të së drejtës së pronësisë, në favor të subjekteve përfitues, për 352 (treqind e pesëdhjetë e dy) parcela ndërtimore të objekteve të legalizuara dhe kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken prej tyre, sipas shtojcës bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Kalimin e së drejtës së pronësisë, sipas shtojcës bashkëlidhur këtij vendimi, si më poshtë:
a) Për Qarkun Shkodër (ZVRPP-ja Shkodër), numri i parcelave ndërtimore është 6 (gjashtë), me sipërfaqe të përgjithshme 2 554 (dy mijë e pesëqind e pesëdhjetë e katër) m²;
b) Për Qarkun Tiranë (ZVRPP-ja Tiranë), numri i parcelave ndërtimore është 86 (tetëdhjetë e gjashtë), me sipërfaqe të përgjithshme 19 292 (nëntëmbëdhjetë mijë e dyqind e nëntëdhjetë e dy) m²;
c) Për Qarkun Berat (ZVRPP-të Berat dhe Kuçovë), numri i parcelave ndërtimore është 6 (gjashtë), me sipërfaqe të përgjithshme 1 443 (një mijë e katërqind e dyzet e tre) m²;
ç) Për Qarkun Gjirokastër (ZVRPP-të Gjirokastër dhe Tepelenë), numri i parcelave ndërtimore është 31 (tridhjetë e një), me sipërfaqe të përgjithshme 7 348 (shtatë mijë e treqind e dyzet e tetë) m²;
d) Për Qarkun Kukës (ZVRPP-të Kukës dhe Has), numri i parcelave ndërtimore është 23 (njëzet e tre), me sipërfaqe të përgjithshme 4 820 (katër mijë e tetëqind e njëzet) m²;
dh) Për Qarkun Lezhë (ZVRPP-ja Lezhë), numri i parcelave ndërtimore është 33 (tridhjetë e tre), me sipërfaqe të përgjithshme 11 018 (njëmbëdhjetë mijë e tetëmbëdhjetë) m²;
e) Për Qarkun Durrës (ZVRPP-ja Durrës), numri i parcelave ndërtimore është 10 (dhjetë), me sipërfaqe të përgjithshme 4 806 (katër mijë e tetëqind e gjashtë) m²;
ë) Për Qarkun Korçë (ZVRPP-të Korçë dhe Kolonjë), numri i parcelave ndërtimore është 9 (nëntë), me sipërfaqe të përgjithshme 4 796 (katër mijë e shtatëqind e nëntëdhjetë e gjashtë) m².
f) Për Qarkun Fier (ZVRPP-ja Fier), numri i parcelave ndërtimore është 52 (pesëdhjetë e dy), me sipërfaqe të përgjithshme 20 316 (njëzet mijë e treqind e gjashtëmbëdhjetë) m²;
g) Për Qarkun Elbasan (ZVRPP-të Elbasan, Librazhd dhe Peqin), numri i parcelave ndërtimore është 95 (nëntëdhjetë e pesë), me sipërfaqe të përgjithshme 30 070 (tridhjetë mijë e shtatëdhjetë) m².
3. Për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet pa leje, sipas shtojcës bashkëlidhur këtij vendimi:
a) Masa e kompensimit është 13 028,35 (trembëdhjetë mijë e njëzet e tetë presje tridhjetë e pesë) m² dhe vlera totale e kompensimit financiar është 125 106 277,75 (njëqind e njëzet e pesë milionë e njëqind e gjashtë mijë e dyqind e shtatëdhjetë e shtatë presje shtatëdhjetë e pesë) lekë;
b) Vlera e miratuar e kompensimit financiar për pasuritë: nr.41/11, në zonën kadastrale 1986, nr.907/6, në zonën kadastrale 2569, nr.1/156, në zonën kadastrale 8120, nr.4/711, në zonën kadastrale 8180, nr.20/239, në zonën kadastrale 8523, nr.4/175, në zonën kadastrale 1594, sipas seksionit të veçantë të shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronës, pas miratimit nga kreditori, sipas pikës 12, të vendimit nr.465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave dhe rregullave për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objekteve informale”.
4. Zyrat vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme Shkodër, Tiranë, Berat, Kuçovë, Gjirokastër, Tepelenë, Kukës, Has, Lezhë, Durrës, Korçë, Kolonjë, Fier, Elbasan, Librazhd dhe Peqin të regjistrojnë, brenda 5 (pesë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, kalimin e së drejtës së pronësisë së parcelave ndërtimore dhe hipotekën ligjore mbi to, në përputhje me përcaktimet e pikave 15 e 16, të vendimit nr.1095, datë 28.12.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave të bashkërendimit të punës, ndërmjet ALUIZNI-t dhe ZQRPP-së, dhe të procedurave apo kufizimeve që zbatohen për efekt të regjistrimit të pasurive të legalizuara”.
5. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban, Ministria e Drejtësisë, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, Agjencia e Trajtimit të Pronës, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe Bashkia Shkodër për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN E FONDIT TË SIPËRMARRJES TURISTIKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të neneve 4, 5, 6, 7 e 9, të ligjit nr.8957, datë 17.10.2002, “Për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”, të ndryshuar, të neneve 5 e 7, të ligjit nr.10303, datë 15.7.2010, “Për krijimin dhe mënyrën e organizimit e të funksionimit të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA)”, dhe të ligjit nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Krijimin e Fondit të Sipërmarrjes Turistike, me vlerë të përgjithshme 30 000 000 (tridhjetë milionë) lekë, për periudhën 2017-2019. Vlera e fondit për secilin vit do të jetë 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë.
2. Fondi i Sipërmarrjes Turistike u jep ndihmë financiare të drejtpërdrejtë ndërmarrjeve mikro e të vogla, që operojnë në sektorin e turizmit. Në varësi të projektit konkurrues, të përgatitur nga aplikantët, skema mbulon nga 60 për qind deri në 80 për qind të kostove të pranueshme dhe të miratuara, por jo më shumë se 1 000 000 (një milion) lekë.
3. Fondi i Sipërmarrjes Turistike, përveç fondeve të parashikuara në buxhetin e shtetit, mund të ketë si burim financimi edhe donatorë të ndryshëm apo institucione financiare ndërkombëtare.
4. Fondi ka për qëllim dhënien e ndihmës financiare në mbështetje të sipërmarrjeve turistike që zhvillojnë veprimtarinë e tyre në:
a) struktura akomoduese të llojit bujtinë, në zonat rurale;
b) agroturizëm dhe shërbime kulinare tradicionale të zonës.
5. Përfitojnë nga Fondi i Sipërmarrjes Turistike ndërmarrjet që plotësojnë kushtet e mëposhtme:
a) Janë ndërmarrje të klasifikuara si mikro ose të vogla, sipas ligjit nr.8957, datë 17.10.2002, “Për ndërmarrjet e vogla e të mesme”, të ndryshuar;
b) Kanë selinë ose vendin kryesor të ushtrimit të aktivitetit brenda territorit të vendit.
c) Ofrojnë shërbime turistike brenda vendit;
ç) Paraqesin një projektpropozim ose planbiznesi duke demonstruar se aktivitetet e parashikuara për mbështetje nga Fondi i Sipërmarrjes Turistike janë të rëndësishme për zhvillimin e biznesit të tyre, duke pasur parasysh përdorimin e fondit për një investim afatgjatë;
d) Janë të regjistruara në QKB dhe nuk kanë detyrime tatimore e doganore të papagura;
dh) Plotësojnë kriteret e legjislacionit të ndihmës shtetërore për ndihmën “De minimis”;
e) Përfitojnë biznese që operojnë në tregun turistik, jo më pak se 1 vit.
6. Në kostot e pranueshme, të cilat mund të bashkëfinancohen, përfshihen kostot për:
a) përmirësimin dhe rinovimin e kapaciteteve akomoduese të bujtinave, pajisjeve dhe mobilimeve, bazuar në karakteristikat tradicionale të zonës turistike;
b) përmirësimin e mjediseve e të pajisjeve, në përputhje me trashëgiminë kulturore dhe historike të zonës;
c) përmirësimin e mjediseve e të pajisjeve për përgatitjen dhe shërbimin e ushqimit, në përputhje me standardet e turizmit;
ç) certifikimet, në përputhje me standardet që zbatohen në sektorin e turizmit.
7. Pagesa e subvencionit bëhet 50 për qind me miratimin e projektit dhe 50 për qind në fund të zbatimit të tij. Pagesa në fund të projektit do të bëhet kundrejt faturave të shpenzimeve të kryera për vlerën e përgjithshme të projektit.
8. Ngarkohet Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) për menaxhimin e Fondit të Sipërmarrjes Turistike.
9. Procedurat e aplikimit dhe kriteret për përzgjedhjen e përfituesve përcaktohen në rregulloren e funksionimit të Fondit të Sipërmarrjes Turistike, e cila miratohet nga ministri përgjegjës për ekonominë.
10. Aplikuesit janë të detyruar të raportojnë pranë AIDA-s lidhur me zhvillimin e projektit dhe qëllimin për të cilin është përfituar ky fond, sipas afateve që do të përcaktohen në rregulloren e funksionimit të Fondit të Sipërmarrjes Turistike.
11. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i ministrisë përgjegjëse për ekonominë, e cila krijon një zë të veçantë për këtë qëllim, për llogari të AIDA-s.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AGJENCISË KOMBËTARE TË FINANCIMIT TË ARSIMIT TË LARTË (AKFAL)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 11, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë (AKFAL) të organizohet dhe të funksionojë si person juridik publik, në varësi të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, me seli në Tiranë.
2. AKFAL-i ka për mision shpërndarjen e fondeve publike për mbështetjen e veprimtarisë së institucioneve publike të arsimit të lartë, mbështetjen me bursa studimi për studentët dhe garantimin e skemës së kredive studentore, sipas kuadrit ligjor dhe nënligjor në fuqi.
3. AKFAL-i ka këto detyra dhe përgjegjësi:
a) Propozon në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit kriteret dhe formulën për shpërndarjen e fondeve publike, të cilat miratohen nga kjo ministri;
b) Në bazë të kritereve e të formulës së miratuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, AKFAL-i:
i. shpërndan fondin për mbështetjen e institucioneve të arsimit të lartë dhe infrastrukturën akademike;
ii. shpërndan fondin për projektet konkurruese për zhvillimin e institucioneve të arsimit të lartë;
iii. shpërndan fondin e mbështetjes studentore.
c) Garanton skemën e kredive studentore, sipas akteve nënligjore në fuqi;
ç) Miraton paraprakisht hapjen e programeve të reja të studimit në një institucion publik të arsimit të lartë, kur kërkohet që këto programe të financohen nga buxheti i shtetit;
d) Boton raporte periodike për aspekte të funksionimit administrativ dhe financiar të IAL-së, si numri i studentëve, numri i pedagogëve, infrastruktura e kërkimit, numri i studentëve të diplomuar që punësohen, numri i patentave etj;
dh) Paraqet në institucionet e arsimit të lartë “dokumentin e prioriteteve”, ku përcaktohet struktura e shpenzimit të fondit publik për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, në përputhje me prioritetet e vendit, 6 muaj përpara financimit;
e) Nënshkruan me çdo institucion të arsimit të lartë që financon kontratën e garancisë e të llogaridhënies, e cila përmban kushtet specifike të institucionit, financimin përkatës, edukimin akademik që institucioni do të ofrojë nëpërmjet këtij fondi, strukturat e brendshme financiare të institucionit të arsimit të lartë, skemën e kontrollit të brendshëm financiar dhe mënyrën e kontrollit të jashtëm financiar;
ë) Boton çdo vit udhëzuesin, i cili përmban informacionet e nevojshme që duhet të përfshijnë institucionet e arsimit të lartë në raportin e tyre vjetor financiar;
f) Publikon udhëzime lidhur me mënyrat dhe format e menaxhimit të qëndrueshëm financiar të institucioneve të arsimit të lartë;
g) Kryen për çdo institucion të arsimit të lartë të financuar vlerësimin e riskut dhe qëndrueshmërisë financiare, sipas procedurave të auditimit publik;
gj) Kryen vlerësimin e kushteve që duhet të plotësojnë institucionet e arsimit të lartë për aplikim për kredimarrje;
h) Vlerëson respektimin e kushteve të skemës së kredisë studentore nga institucionet kredidhënëse;
i) Publikon raportin e financimit të institucioneve të arsimit të lartë për çdo vit akademik;
j) Administron të dhënat statistikore për institucionet e arsimit të lartë.
4. AKFAL-i financohet nga buxheti i shtetit dhe nga çdo burim tjetër financiar i ligjshëm.
5. Organet e Agjencisë Kombëtare të Financimit të Arsimit të Lartë (AKFAL) janë Bordi Drejtues dhe Drejtori i Përgjithshëm i AKFAL-it, të cilët drejtojnë dhe administrojnë agjencinë.
Bordi Drejtues është organi kolegjial vendimmarrës i AKFAL-it, që përbëhet nga:
– Nëpunësi i parë autorizues i Ministrisë Financave;
– Nëpunësi autorizues i ministrisë përgjegjëse për arsimin;
– Dy rektorë nga IAL-ja, propozuar nga Konferenca e Rektorëve;
– Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave.
Bordi i Drejtues asistohet nga sekretariati, që përbëhet nga nëpunës të AKFAL-it, të përcaktuar nga drejtori i Përgjithshëm.
6. Funksionet e Bordit Drejtues janë:
a) Propozon kriteret për shpërndarjen e fondeve publike në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit;
b) Propozon “dokumentin e prioriteteve” në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit;
c) Miraton shpërndarjen e fondit për institucionet, pjesë e grantit të mësimdhënies;
ç) Miraton shpërndarjen e fondit të mbështetjes studentore, pjesë e grantit të mësimdhënies;
d) Miraton format e garantimit të skemës së kredive studentore;
dh) Miraton hapjen e programeve të reja të studimit në institucionet publike të arsimit të lartë, kur kërkohet financim nga buxheti i shtetit;
e) Miraton raportet periodike për aspekte të funksionimit administrativ dhe financiar të IAL-ve;
ë) Miraton udhëzuesin lidhur me informacionet e nevojshme që duhet të përfshijë IAL-ja në raportin e tyre vjetor financiar;
f) Miraton udhëzimet për mënyrat dhe format e menaxhimit të qëndrueshëm financiar të IAL-ve;
g) Miraton vlerësimet e riskut dhe qëndrueshmërisë financiare të IAL-ve;.
gj) Kryen vlerësimin e kushteve që duhet të plotësojnë IAL-të për aplikim për kredimarrje;
h) Vlerëson respektimin e kushteve të skemës së kredisë studentore nga institucionet kredidhënëse;
i) Miraton raportin e financimit të IAL-ve, për çdo vit akademik;
j) Miraton rregulloren e brendshme të Bordit Drejtues të AKFAL-it.
7. Anëtarët e Bordit Drejtues të AKFAL-it shpërblehen në masën 30 000 (tridhjetë mijë) lekë për mbledhje, për jo më shumë se 12 mbledhje. Drejtori i Përgjithshëm merr pjesë në mbledhjet e Bordit Drejtues pa të drejtë vote.
8. AKFAL-i drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e kësaj agjencie dhe përgjigjet para ministrit të Arsimit dhe Sportit.
9. Drejtori i Përgjithshëm i AKFAL-it është titullari i institucionit dhe e përfaqëson atë në marrëdhënie me të tretë.
10. Drejtori i Përgjithshëm i AKFAL-it emërohet, lirohet nga detyra, sipas përcaktimeve të legjislacionit të shërbimit civil.
11. Funksionimi i brendshëm i AKFAL-it bëhet sipas rregullores përkatëse të miratuar nga ministri i Arsimit dhe Sportit.
12. Struktura dhe organika e AKFAL-it miratohen me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit.
13. AKFAL-i ka stemën, logon dhe vulën e vet zyrtare, të cilat miratohen nga ministri i Arsimit dhe Sportit, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të AKFAL-it.
14. Stema përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet: “Republika e Shqipërisë, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë”, në përputhje me vendimin nr.474, datë 10.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës, si dhe raportin e përmasave të saj”, të ndryshuar.
15. Vula zyrtare e AKFAL-it ka formën dhe elementet e përcaktuara në pikën 11, të vendimit nr.390, datë 6.8.1993, të Këshillit të Ministrave, “Për rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare”, të ndryshuar. Vula e AKFAL-it prodhohet, administrohet dhe ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
16. Ngarkohet Ministria e Arsimit dhe Sportit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
DHËNIEN E MIRATIMIT PËR KALIMIN E KONTRATËS SË QIRASË NR.455 REGJ., NR.151 PROT., DATË 5.5.2014, NË KONTRATË ME TARIFËN 1 EURO/KONTRATA, NDËRMJET MINISTRISË SË ZHVILLIMIT EKONOMIK, TURIZMIT, TREGTISË DHE SIPËRMARRJES, SI QIRADHËNËS, DHE SHOQËRISË “ARDIT”, SH.P.K., SI QIRAMARRËS, PËR PASURINË “DEPO TË SHEQERIT, DEPO TË BËRSIVE, REPART AMBALAZHI, DEPO DHE SIPËRFAQE FUNKSIONALE”, TË SHOQËRISË “KOMBINATI I SHEQERIT”, SH.A., MALIQ
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe në vijim të vendimit nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës dhe mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontratave të tjera të pasurisë shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien e miratimit për kalimin e kontratës së qirasë nr.455 regj., nr.151prot., datë 5.5.2014, në kontratë me tarifën 1 euro/kontrata, ndërmjet Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, si qiradhënës, dhe shoqërisë “ARDIT”, sh.p.k., si qiramarrës, për pasurinë “Depo të sheqerit, depo të bërsive, repart ambalazhi, depo dhe sipërfaqe funksionale”, në administrim të shoqërisë “Kombinati i Sheqerit”, sh.a., Maliq, me sipërfaqe të përgjithshme 5 773 (pesë mijë e shtatëqind e shtatëdhjetë e tre) m2, sipas genplanit, nga e cila, 3 133 (tre mijë e njëqind e tridhjetë e tre) m2 sipërfaqe nën objekt dhe 2 640 (dymijë e gjashtëqind e dyzet) m2 sipërfaqe funksionale, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe shoqëria “Kombinati i Sheqerit”, sh.a. për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PER
LIRIMIN NGA DETYRA TË PREFEKTIT TË QARKUT TË ELBASANIT
Në mbështetje të neneve 100 e 114, të Kushtetutës dhe të nenit 5, të ligjit nr.107/2016, “Për prefektin e qarkut”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Arben Kamami, prefekt i Qarkut të Elbasanit, lirohet nga kjo detyrë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
LIRIMIN NGA DETYRA TË PREFEKTIT TË QARKUT TË KORÇËS
Në mbështetje të neneve 100 e 114, të Kushtetutës dhe të nenit 5, të ligjit nr.107/2016, “Për prefektin e qarkut”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Ardit Konomi, prefekt i Qarkut të Korçës, lirohet nga kjo detyrë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
LIRIMIN NGA DETYRA TË PREFEKTIT TË QARKUT TË BERATIT
Në mbështetje të neneve 100 e 114, të Kushtetutës dhe të nenit 5, të ligjit nr.107/2016, “Për prefektin e qarkut”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Fadil Nasufi, prefekt i Qarkut të Beratit, lirohet nga kjo detyrë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
LIRIMIN NGA DETYRA TË PREFEKTIT TË QARKUT TË DIBRËS
Në mbështetje të neneve 100 e 114, të Kushtetutës dhe të nenit 5, të ligjit nr.107/2016, “Për prefektin e qarkut”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Halit Palamani, prefekt i Qarkut të Dibrës, lirohet nga kjo detyrë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
LIRIMIN NGA DETYRA TË PREFEKTIT TË QARKUT TË DURRËSIT
Në mbështetje të neneve 100 e 114, të Kushtetutës dhe të nenit 5, të ligjit nr.107/2016, “Për prefektin e qarkut”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Rolant Xhelilaj, prefekt i Qarkut të Durrësit, lirohet nga kjo detyrë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
LIRIMIN NGA DETYRA TË PREFEKTIT TË QARKUT TË TIRANËS
Në mbështetje të neneve 100 e 114, të Kushtetutës dhe të nenit 5, të ligjit nr.107/2016, “Për prefektin e qarkut”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Sadi Vorpsi, prefekt i Qarkut të Tiranës, lirohet nga kjo detyrë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.503, DATË 1.8.2007, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E TARIFAVE PËR SHËRBIMET FUNKSIONALE TË QENDRËS KOMBËTARE TË BIZNESIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 13, të ligjit nr.9723, datë 3.5.2007, “Për regjistrimin e biznesit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në tabelën nr.1, që i bashkëlidhet vendimit nr.503, datë 1.8.2007, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, pas tarifës së shërbimit sipas pikës 20, “Çdo veprim tjetër i parashikuar nga ligji dhe i papërmendur më sipër”, të shtohet shërbimi sipas pikës 21:
Shërbimi Tarifa në lekë
21 Kryerja e veprimeve nëpërmjet sportelit elektronik 0 lekë
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.515, DATË 19.7.2006 TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR RISTRUKTURIMIN E INSTITUTEVE KËRKIMORE-SHKENCORE, NË VARËSI TË MINISTRISË SË BUJQËSISË, USHQIMIT DHE MBROJTJES SË KONSUMATORËVE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 12, 13 e 14, të ligjit nr.7893, datë 22.12.1994, “Për shkencën dhe zhvillimin teknologjik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Fjalia e dytë e pikës 5, të vendimit nr.515, datë 20.6.2006, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshon, si më poshtë vijon:
“Detyrat kryesore të tij janë:
a) Kërkimi në nivel ferme, për problemet e ngritura nga kultivuesit e duhanit, dhe demonstrimi i teknologjive të reja të kultivimit;
b) Trajnimi i fermerëve, specialistëve të bujqësisë, që përfshihen në strukturat e bashkive, në drejtoritë e bujqësisë, dhe i subjekteve të tjera të interesuara në zonat kultivuese të duhanit;
c) Sigurimi i ekspertizës teknike për strukturat e shërbimit këshillimor dhe fermerët.”.
2. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe Agjencia Kombëtare e Duhan-Cigareve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.543, DATË 27.7.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR LEJIMIN E PËRDORIMIT TË BRIGJEVE NË FUNKSION TË REALIZIMIT TË PROJEKTIT INVESTUES STRATEGJIK “NEW BORN””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 29, të ligjit nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.543, datë 27.7.2016, të Këshillit të Ministrave, bëhen disa shtesa dhe ndryshime:
a) Pas pikës 2 shtohen pikat 2.1 dhe 2.2, me këtë përmbajtje.
“2.1 Bashkia Durrës, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës së investitorit strategjik “Mane TCI”, lidh kontratën përkatëse për lejimin e përdorimit të brigjeve të detit në përputhje me sipërfaqet dhe destinacionin e kërkuar nga subjekti, brenda koordinatave të sipërfaqes së lejuar nga vendimi i Komitetit të Investimeve Strategjike.
2.2. Së bashku me kërkesën, investitori strategjik “Mane TCI” duhet të paraqesë pranë Bashkisë Durrës edhe dokumentacionin e mëposhtëm:
– Ekstrakt të 3 muajve të fundit nga Qendra Kombëtare e Biznesit;
– Planvendosje të sipërfaqes për të cilën subjekti kërkon të lidhë kontratë me njësinë e qeverisjes vendore;
– Përshkrim të aktivitetit që do të realizojë në sipërfaqen për të cilën kërkon të lidhë kontratë.”.
b) Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Përdorimi i brigjeve të kryhet përgjatë periudhës së sezonit veror 15 maj – 30 shtator të çdo viti, përkundrejt pagesës së tarifës në përputhje me tarifën e plazheve, të përcaktuar në vendimin e Këshillit Bashkiak Durrës. Kjo tarifë të aplikohet vetëm mbi sipërfaqen, objekt kontrate, sipas pikave 2.1 dhe 2.2, më sipër, të lidhur me Bashkinë Durrës, përgjatë periudhës së përmendur në këtë pikë.”
2. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve dhe Bashkia Durrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.682, DATË 29.7.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDEVE PUBLIKE PËR TRANSPORTIMIN E PUNONJËSVE ARSIMORË QË PUNOJNË DHE TË NXËNËSVE QË MËSOJNË JASHTË VENDBANIMIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 21, pika 4, 22, pika 2, 23, pika 2, 24, pika 4, dhe 25, pika 4, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, neneve 5, 6, 19 dhe 28, të ligjit nr.69, datë 21.6.2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, kreut II, të ligjit nr.8308, datë 18.3.1998, “Për transportin rrugor”, të ndryshuar, ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, me propozim të ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.682, datë 29.7.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
a) Shkronja “a”, e pikës 1, ndryshohet, me këtë përmbajtje:
“a) Punonjësve mësimorë të arsimit parauniversitar, ku përfshihen punonjësit e arsimit parashkollor, arsimit fillor, arsimit të mesëm të ulët dhe të arsimit të mesëm të lartë (drejtor, nëndrejtor, mësues, edukator), të institucioneve arsimore publike, që punojnë jashtë qendrave urbane, qytetit/fshatit, larg vendbanimit të përhershëm të tyre, në largësinë mbi 5 km dhe kthehen brenda ditës në vendbanim;”.
b) Pika 2 ndryshohet, me këtë përmbajtje:
“2. Njësitë e vetëqeverisjes vendore, në bashkëpunim me njësitë arsimore (drejtoritë rajonale arsimore/zyrat arsimore) miratojnë hartën e linjave, mbështetur në numrin e punonjësve mësimorë, nxënësve dhe fëmijëve që planifikohen të përfitojnë nga shërbimi i transportit, sipas kritereve të përmendura në pikën 1, të këtij vendimi. Njësitë arsimore (drejtoritë rajonale arsimore/zyrat arsimore), pas hartimit të listave të përfituesve, i konfirmojnë ato edhe te njësitë e vetëqeverisjes vendore për distancën nga vendbanimi i përhershëm.”.
c) Pika 3 ndryshohet, me këtë përmbajtje:
“3. Njësitë arsimore (drejtoritë rajonale arsimore/zyrat arsimore), mbështetur në ligjin nr.9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, prokurojnë fondet publike për shërbimin e transportit të fëmijëve, nxënësve dhe punonjësve arsimorë sipas hartës së linjave të shërbimit të transportit publik, të licencuara nga njësitë e vetëqeverisjes vendore ose qendrore.”.
ç) Pika 4 ndryshohet, me këtë përmbajtje:
“4. Në rastet kur njësitë arsimore vendore nuk realizojnë me sukses procedurat e prokurimit publik të shërbimit të transportit të punonjësve arsimorë dhe nxënësve, të parashikuar në pikën 3 të këtij vendimi, njësitë arsimore vendore realizojnë mbulimin e shpenzimeve për shërbimin e transportit të mësuesve, nxënësve e fëmijëve përfitues drejtpërdrejt, nëpërmjet llogarive bankare, në bankat e nivelit të dytë.
Masa e shpenzimeve mujore që përfiton çdo nxënës dhe punonjës mësimor përllogaritet mbi bazën e numrit të ditëve mësimore, numrit të nxënësve dhe mësuesve që kanë ndjekur mësimin, çmimit mesatar të biletës për linjat ndërqytetase apo rrethqytetase të shërbimit të transportit, të miratuara me vendimin nr.146, datë 26.2.1998, të Këshillit të Ministrave, “Për ndryshimin e tarifave të transportit të udhëtareve”, të ndryshuar, indeksimit të çmimeve të shërbimit të transportit, të botuara çdo vit nga INSTAT-i, si dhe në bazë të akteve të tjera ligjore e nënligjore në fuqi.”.
d) Pika 5 ndryshohet, me këtë përmbajtje:
“5. Punonjësit mësimorë të arsimit parauniversitar, që përfitojnë fonde publike për mbulimin e shpenzimeve të transportit të siguruar nga njësitë arsimore vendore, të parashikuar në pikën 1, të këtij vendimi, përfitojnë shpërblim mujor të diferencuar, sipas pikës 4, të vendimit nr.175, datë 8.3.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të punonjësve mësimorë në arsimin parauniversitar”, sipas distancave, si më poshtë vijon:
a) në masën 1 000 (njëmijë) lekë në muaj, kur largësia nga vendbanimi i përhershëm i tyre/qendra e punës deri në institucionin arsimor publik është në distancën mbi 5 km deri në 10 km;
b) në masën 1 500 (njëmijë e pesëqind) lekë në muaj, kur largësia nga vendbanimi i përhershëm/qendra e punës deri në institucionin arsimor publik është në distancën mbi 10 km deri në 20 km;
c) në masën 2 700 (dymijë e shtatëqind) lekë në muaj, kur largësia nga vendbanimi i përhershëm/qendra e punës deri në institucionin arsimor publik është në distancën mbi 20 km.”.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti vjetor i miratuar për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, pa efekte financiare shtesë në buxhetin e shtetit.
3. Për njësitë e vetëqeverisjes vendore, të cilat kanë nënshkruar kontrata për shërbimin e transporit të nxënësve dhe mësuesve për vitin buxhetor 2017 para datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi, ky vendim do të zbatohet duke filluar nga data 1.1.2018. Për të gjithë rastet e tjera, vendimi do të zbatohet duke filluar nga data 1.7.2017.
4. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Financave, njësitë arsimore vendore dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.1108, DATË 30.12.2015TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR TRANSFERIMIN, NGA MINISTRIA E BUJQËSISË, ZHVILLIMIT RURAL DHE ADMINISTRIMIT TË UJËRAVE TE BASHKITË, TË INFRASTRUKTURËS SË UJITJES DHE KULLIMIT, TË PERSONELIT DHE TË ASETEVE TË LUAJTSHME E TË PALUAJTSHME TË BORDEVE RAJONALE TË KULLIMIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.115/2014,“Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, dhe të neneve 3, shkronja “dh”, e 5, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe të ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në tabelën 2, “Tabela e Aseteve të Qëndrueshme”, bashkëlidhur vendimit nr.1108, datë 30.12.2015, të Këshillit të Ministrave, të hiqet nënndarja, si vijon:
Bordi i Kullimit
Tiranë Bashkia Tiranë 1 – Zyra 6587 212
2 – Ambjente të tjera 1095
2. Asetet e qëndrueshme të Bordit të Kullimit, Tiranë, që përmenden në pikën 1, të këtij vendimi, mbeten në administrim të Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave.
3. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe ministri i Shtetit për Çështjet Vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E PAGËS MINIMALE NË SHKALLË VENDI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 111, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të pikës 1, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat në caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Paga bazë minimale, mujore, për punonjësit, në shkallë vendi, që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo person juridik a fizik, vendas ose i huaj, të jetë 24 000 (njëzet e katër mijë) lekë.
2. Paga bazë minimale mujore jepet për 174 orë pune në muaj, të kryera gjatë kohës normale të punës.
3. Paga bazë minimale, orare, të jetë 138 (njëqind e tridhjetë e tetë) lekë.
4. Shtesat me karakter të përhershëm jepen mbi pagën bazë.
5. Vendimi nr.573, datë 3.7.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi”, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI, NGA DREJTORIA E SHËRBIMEVE QEVERITARE TE MINISTRIA E ARSIMIT DHE SPORTIT, PËR AGJENCINË KOMBËTARE TË KËRKIMIT SHKENCOR DHE INOVACIONIT (AKKSHI), TË PRONËS SË PALUAJTSHME SHTETËRORE, APARTAMENTET NR.15, NR.16, NR.17 DHE NR.18, TË NDODHURA NË GODINËN NR.57, NË BULEVARDIN “ZOGU I PARË”, TIRANË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare te Ministria e Arsimit dhe Sportit, për Agjencinë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI), të pronës së paluajtshme shtetërore, apartamentet nr.15, nr.16, nr.17 dhe nr.18, të ndodhura në godinën nr.57, në bulevardin “Zogu i Parë”, Tiranë, sipas planimetrive që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Ministrisë së Arsimit dhe Sportit i ndalohet të ndryshojnë destinacionin e pronës së përcaktuar në këtë vendim, ta tjetërsojë atë ose t’ua japë në përdorim të tretëve.
3. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për ndjekjen e zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE TË REGJISTRIMIT DHE TË PUBLIKIMIT NË QENDRËN KOMBËTARE TË BIZNESIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 76, të ligjit nr.9723, datë 3.5.2007, “Për regjistrimin e biznesit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. ORGANIZIMI I SPORTELEVE
1. Termat e përdorur në këtë vendim kanë të njëjtin kuptim me ato të përcaktuar në nenin 2, të ligjit nr.9723, datë 3.5.2007, “Për regjistrimin e biznesit”, të ndryshuar, në vijim “Ligji i regjistrimit të biznesit”.
2. Aplikimi për regjistrim në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) bëhet pranë sporteleve të përcaktuara sipas ligjit nr.131/2015, “Për Qendrën Kombëtare të Biznesit”, në vijim “Ligji i QKB-së”, si më poshtë vijon:
– Pranë sportelit qendror të QKB-së;
– Pranë sporteleve të shërbimit në territor;
– Pranë sportelit elektronik.
3. QKB-ja bën publike, me mjete të ndryshme komunikimi, listën e sporteleve të shërbimit në territor, të hapura në përputhje me parashikimet e ligjit të QKB-së.
4. QKB-ja bën publike, me mjete të ndryshme komunikimi, mënyrën e aksesit të sportelit elektronik, si dhe manualin për funksionimin e këtij sporteli.
II. KËRKESA TË PËRGJITHSHME TË APLIKIMIT
5. Aplikimi për regjistrim pranë QKB-së bëhet nga personat e autorizuar, sipas përcaktimit të nenit 26, të ligjit të regjistrimit të biznesit.
6. Aplikantët deklarojnë, nëpërmjet plotësimit të aplikimit, të gjitha të dhënat sipas fushave të detyrueshme të formularëve të miratuar në përputhje me ligjin e regjistrimit të biznesit për kryerjen e regjistrimit të kërkuar dhe paraqesin dokumentacionin shoqërues përkatës.
7. Aplikantët, që aplikojnë për kryerjen e regjistrimit fillestar në regjistrin tregtar, sipas ligjit të regjistrimit të biznesit, deklarojnë edhe të dhënat e detyrueshme, në përputhje me dispozitat që rregullojnë fushën tatimore, statistikore, të sigurimeve shoqërore e shëndetësore e të inspektoratit të punës. Këto deklarime kryhen sipas kërkesave të përcaktuara në formularët e aplikimit në përputhje me formatin e miratuar.
8. Të gjitha dokumentet e lidhura me aplikimet e kryera pranë QKB-së ruhen dhe arkivohen nga QKB-ja vetëm në formatin elektronik.
9. Çdo individ, pasi të jetë identifikuar elektronikisht, ka të drejtë të kryejë aplikime nëpërmjet sportelit elektronik, në përputhje me parashikimet e ligjit të regjistrimit të biznesit.
III. PROCEDURAT E APLIKIMIT PRANË SPORTELIT QENDROR DHE SPORTELEVE TË SHËRBIMIT NË TERRITOR
10. Personi, që kërkon të kryejë një aplikim, përpara paraqitjes në sportel paguan tarifën përkatëse sipas llojit të regjistrimit të kërkuar.
11. Me paraqitjen në sportel, personi vërteton identitetin e tij/saj me një dokument të vlefshëm identifikimi, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
12. Pasi nëpunësi i sportelit ka verifikuar pagesën e tarifës përkatëse dhe identitetin e personit të paraqitur në sportel, kërkon të dhëna për llojin e regjistrimit për të cilin aplikohet dhe në vijim hap dosjen elektronike në sistemin e informatizuar të QKB-së, e cila mban numrin përkatës (një numër për çdo dosje ose aplikim), të dhënë automatikisht nga sistemi (numri i çështjes CN). Nëpunësi i sportelit ngarkon në dosjen elektronike dokumentin e pagesës së tarifës dhe dokumentin e identitetit të personit, duke i konvertuar në format elektronik nëpërmjet marrjes së pamjes së tyre elektronike me pajisjet përkatëse.
13. Pas veprimeve të sipërpërmendura, nëpunësi i sportelit i kërkon personit të paraqitur në sportel të dhënat e nevojshme për plotësimin e formularit të miratuar për llojin e regjistrimit që kërkohet të kryhet, të paktën në të gjitha rubrikat e detyrueshme të tij. Nëpunësi i sportelit hedh në formularin elektronik të sistemit të informatizuar të QKB-së të dhënat e deklaruara nga personi i paraqitur në sportel.
14. Nëpunësi i sportelit, në vijim, i kërkon personit të paraqitur në sportel dorëzimin e dokumentacionit shoqërues me anë të të cilit personi provon të dhënat që regjistrohen. Këto dokumente dorëzohen në format shkresor dhe konfirmohen nga personi i paraqitur në sportel, në prani të nëpunësit të sportelit, duke i nënshkruar në çdo faqe dhe duke vendosur shënimin “aplikanti”, emrin, mbiemrin dhe nënshkrimin.
15. Dokumentacioni shoqërues mund të dorëzohet në sportel nga personi, edhe në format elektronik, nëpërmjet transmetimit elektronik me mjete të sigurta për komunikimin dhe nënshkrimin elektronik, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Në këtë rast, dokumentacioni shoqërues i dorëzuar në format elektronik ngarkohet automatikisht nga sistemi i informatizuar i QKB-së në dosjen elektronike të hapur sipas pikës 12, të këtij vendimi. Për çdo dokument të ngarkuar në dosjen elektronike sipas kësaj pike, sistemi i informatizuar i QKB-së vendos një kod identifikimi elektronik të sigurt, që lidh dokumentin me të dhënat e identifikimit elektronik të personit të paraqitur në sportel.
16. Nëpunësi i sportelit, në çdo rast, vazhdon procesin e plotësimit të formularit, të paktën në të gjitha rubrikat e detyrueshme sipas formularit të miratuar për llojin e regjistrimit që kërkohet të kryhet, edhe kur të dhënat që duhet të deklarohen në një apo më shumë rubrika janë të pasakta apo nuk vërtetohen nga dokumentet shoqëruese të dorëzuara nga personi i paraqitur në sportel.
17. Pas hedhjes të të dhënave, të paktën në të gjitha rubrikat e detyrueshme të formularit të miratuar për llojin e regjistrimit që kërkohet të kryhet dhe pas plotësimit në formular të listës së dokumenteve shoqëruese, të dorëzuar sipas pikës 14 ose 15, nëpunësi i sportelit i kërkon personit të paraqitur në sportel të konfirmojë nëse të dhënat e hedhura në formular si dhe lista e dokumenteve shoqëruese janë të sakta ose jo.
18. Konfirmimi sipas pikës 17 kryhet nëpërmjet nënshkrimit të formularit të aplikimit në format shkresor nga personi që paraqitet në sportel, si dhe nga nëpunësi i sportelit në rubrikën e rezervuar për përdorim zyrtar. Ky konfirmim mund të kryhet në sportel edhe me mjete të sigurta për komunikimin dhe nënshkrimin elektronik, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
19. Nëpunësi i sportelit ngarkon në dosjen elektronike të hapur në sistemin e informatizuar të QKB-së, të konvertuar në format elektronik, dokumentet shoqëruese, të dorëzuara në format shkresor nga personi i paraqitur në sportel, duke marrë pamjen e tyre elektronike me pajisjet përkatëse.
20. Me kryerjen e veprimeve të parashikuara në pikat e mësipërme, nëpunësi i sportelit, pasi verifikon nëse aplikimi është në përputhje me kërkesat e pikës 1, të nenit 54, të ligjit të regjistrimit të biznesit, i dorëzon personit të paraqitur në sportel konfirmimin përkatës për kryerjen e aplikimit, të lëshuar nga sistemi i informatizuar i QKB-së, sipas formatit të miratuar dhe të nënshkruar nga nëpunësi i sportelit. Konfirmimi i kryerjes së aplikimit lëshohet edhe nëse nëpunësi i sportelit vëren mangësi në aplikim apo në dokumentet shoqëruese.
21. Konfirmimi i kryerjes së aplikimit përmban edhe numrin e dhënë automatikisht nga sistemi i informatizuar i QKB-së në momentin e hapjes së dosjes elektronike (numri i çështjes CN), i cili i mundëson aplikantit të ndjekë në çdo kohë gjendjen e procesit të regjistrimit.
22. Së bashku me dorëzimin e konfirmimit të kryerjes së aplikimit, nëpunësi i sportelit i dorëzon personit që paraqitet në sportel dokumentet shoqëruese të paraqitura në format shkresor sipas pikës 14, dokumentin që provon pagesën e tarifës së zbatueshme për regjistrimin, si dhe formularin e aplikimit të konfirmuar në format shkresor.
23. Me lëshimin e konfirmimit të kryerjes së aplikimit, nëpunësi i sportelit ua kalon aplikimin dhe dokumentet shoqëruese, në format elektronik, nëpunësve të autorizuar (regjistruesve) të QKB-së, për shqyrtim e vendimmarrje.
IV. PROCEDURAT E APLIKIMIT PRANË SPORTELIT ELEKTRONIK
24. Personi, që kërkon të kryejë një aplikim nëpërmjet sportelit elektronik të QKB-së, në cilësinë e aplikantit apo të personit të autorizuar, duhet të identifikohet elektronikisht nëpërmjet autentifikimit nga portali unik i shërbimeve qeveritare e-Albania < https://www.e-albania.al/>.
25. Pasi është autentifikuar sipas pikës 24, personi akseson sportelin elektronik të QKB-së dhe zgjedh llojin e regjistrimit që kërkohet të kryhet. Pas përzgjedhjes së llojit të regjistrimit, sistemi i informatizuar i QKB-së shfaq formularin përkatës të aplikimit, sipas formatit të miratuar, dhe hap dosjen elektronike, e cila mban numrin përkatës (një numër për çdo dosje ose aplikim), të dhënë nga sistemi i informatizuar i QKB-së (numri i çështjes CN).
26. Pas shfaqjes së formularit dhe hapjes së dosjes elektronike, personi i autentifikuar plotëson elektronikisht formularin, të paktën në të gjitha rubrikat e detyrueshme, sipas llojit të regjistrimit që kërkohet të kryhet.
27. Personi i autentifikuar ngarkon në dosjen e hapur sipas pikës 25 dokumentet shoqëruese të krijuara apo të konvertuara prej tij në format elektronik. Për çdo dokument të ngarkuar në dosjen elektronike nga personi i autentifikuar, sistemi i informatizuar i QKB-së vendos një kod identifikimi elektronik të sigurt që lidh dokumentin me të dhënat e autentifikimit të personit.
28. Pasi personi i autentifikuar verifikon se të dhënat e plotësuara në formular dhe dokumentet shoqëruese të ngarkuara në dosjen elektronike sipas pikës 27, janë të sakta, i konfirmon ato me mjete elektronike që garantojnë autenticitetin e origjinës dhe pacenueshmërinë e përmbajtjes së dokumenteve në format elektronik, të paktën nëpërmjet nënshkrimit elektronik të avancuar, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për nënshkrimin elektronik.
29. Pas konfirmimit elektronik të aplikimit sipas pikës 28, sistemi i informatizuar i QKB-së jep konfirmimin automatik të kryerjes së aplikimit nga sporteli elektronik, i cili përmban numrin e dhënë automatikisht nga sistemi i informatizuar i QKB-së (numrin e çështjes CN), i cili i mundëson aplikantit të ndjekë në çdo kohë gjendjen e procesit të regjistrimit.
30. Sistemi i informatizuar i QKB-së njofton gjithashtu personin e autentifikuar, në postën elektronike të deklaruar pranë portalit unik të shërbimeve qeveritare e-Albania, duke i dërguar kopje elektronike të formularit të aplikimit, të plotësuar, dhe të konfirmimit të kryerjes së aplikimit nga sporteli elektronik.
31. Me lëshimin e konfirmimit të kryerjes së aplikimit, sistemi i informatizuar i QKB-së ua kalon, për shqyrtim e vendimmarrje, nëpunësve të autorizuar aplikimin dhe dokumentet shoqëruese, të paraqitura nëpërmjet sportelit elektronik. Aplikimet e paraqitura nëpërmjet sportelit elektronik trajtohen në vijim sipas procedurave të parashikuara në kreun V “Procedurat e vlerësimit të aplikimit”.
32. Dispozitat e kreut II “Kërkesa të përgjithshme të aplikimit” zbatohen edhe për kryerjen e veprimeve në sportelin elektronik të QKB-së, sipas parashikimeve të këtij kreu.
V. PROCEDURAT E VLERËSIMIT TË APLIKIMIT
33. Aplikimi dhe dokumentet shoqëruese në format elektronik, dërguar sipas parashikimeve të pikës 23 apo pikës 32, të këtij vendimi, merren në shqyrtim nga nëpunësit e autorizuar të QKB-së për vendimmarrje, sipas radhës së paraqitjes së tyre.
34. Nëpunësi i autorizuar (regjistruesi) i QKB-së verifikon me hollësi nëse aplikimi dhe dokumentet shoqëruese janë në përputhje me kërkesat e pikës 1, të nenit 54, të ligjit të regjistrimit të biznesit, si dhe verifikon veprimet e kryera nga nëpunësi i sportelit apo nga personi i autentifikuar elektronikisht, në rastin e aplikimit nëpërmjet sportelit elektronik.
35. Gjatë shqyrtimit të aplikimit, nëpunësi i autorizuar (regjistruesi) i QKB-së vlerëson vetëm plotësimin e kërkesave të përcaktuara në pikën 1, të nenit 54, të ligjit të regjistrimit të biznesit. Në këtë vlerësim, nëpunësi i autorizuar (regjistruesi) nuk mund të shqyrtojë saktësinë e të dhënave, vërtetësinë e dokumenteve, që i bashkëlidhen aplikimit për regjistrim apo përputhshmërinë e përmbajtjes së tyre me kërkesat e ligjit në fuqi. Përgjegjësia për saktësinë e të dhënave të deklaruara ose vërtetësinë e dokumenteve shoqëruese, që i bashkëlidhen aplikimit, mbahet nga personat që kanë bërë aplikimin ose që kanë hartuar aktin, sipas dispozitave ligjore në fuqi.
36. Nëpunësi i autorizuar (regjistruesi) i QKB-së nuk mund ta refuzojë regjistrimin, nëse aplikimi është dorëzuar sipas parashikimeve të ligjit të regjistrimit të biznesit.
37. Nëse nëpunësi i autorizuar (regjistruesi) i QKB-së, pas verifikimeve sipas pikave të mësipërme, vëren se aplikimi është në përputhje me kërkesat e ligjit të regjistrimit të biznesit, miraton aplikimin dhe kryerjen e regjistrimit jo më vonë se 1 ditë nga data e paraqitjes së aplikimit.
38. Me miratimin e aplikimit dhe kryerjen e regjistrimit, sistemi i informatizuar i QKB-së automatikisht:
a) lëshon vërtetimin e kryerjes së regjistrimit;
b) përditëson të dhënat e subjektit në regjistrin tregtar;
c) lëshon certifikatat e regjistrimit, sipas parashikimeve të ligjit të regjistrimit të biznesit, si dhe në rastin e regjistrimit fillestar;
ç) krijon të dhënat e subjektit në regjistrin tregtar;
d) gjeneron Numrin Unik të Identifikimit të Subjektit (NUIS).
39. Nëse nëpunësi i autorizuar (regjistruesi) i QKB-së, pas verifikimeve sipas pikave 35, 36 dhe 37, të këtij vendimi, vëren se aplikimi nuk është në përputhje me kërkesat e ligjit të regjistrimit të biznesit, pezullon regjistrimin dhe i njofton aplikantit shkaqet e pezullimit, sipas pikës 50, të këtij vendimi, jo më vonë se 1 ditë nga data e paraqitjes së aplikimit.
40. Në rastin e pezullimit të aplikimit, QKB-ja i jep aplikantit një afat prej 21 ditësh kalendarike për plotësimin ose ndreqjen e mangësive që pengojnë regjistrimin. QKB-ja gjatë afatit të pezullimit nuk mund të paraqesë mangësi të tjera, të ndryshme nga ato të njoftuara.
41. Aplikanti në çdo kohë, brenda afatit të përcaktuar në pikën 41, të këtij vendimi, mund të plotësojë ose të ndreqë mangësitë duke dorëzuar dokumentet shoqëruese të nevojshme, nëpërmjet paraqitjes së një formulari të veçantë, në përputhje me procedurat e parashikuara sipas kreut III ose IV. QKB-ja vlerëson aplikimin për plotësimin ose ndreqjen e mangësive që pengojnë regjistrimin në përputhje me parashikimet e mësipërme të këtij kreu.
42. Në rastin kur pas pezullimit të regjistrimit, aplikanti ka plotësuar ose ka ndrequr mangësitë brenda afatit të përcaktuar në pikën 41, të këtij vendimi, QKB-ja kryen regjistrimin dhe vepron sipas pikave 38 dhe 39. Në këto raste, regjistrimi mban datën e paraqitjes së aplikimit të parë.
43. Nëse nëpunësi i autorizuar (regjistruesi) i QKB-së, pas verifikimeve sipas pikave 35, 36 dhe 37, vëren se të dhënat që kërkohen të regjistrohen janë të ndryshme nga të dhënat e kërkuara nga dispozitat e ligjit, refuzon regjistrimin jo më vonë se 1 ditë nga data e paraqitjes së aplikimit. QKB-ja i njofton aplikantit shkaqet e refuzimit sipas kreut VI, të këtij vendimi.
44. Nëpunësi i autorizuar (regjistruesi) i QKB-së vepron sipas pikës 44 edhe në rastin kur:
a) aplikanti nuk ka plotësuar ose nuk ka ndrequr mangësitë që pengojnë regjistrimin, brenda afatit të përcaktuar në pikën 41;
b) aplikimi i paraqitur sipas pikës 42 nuk është paraqitur në përputhje me procedurat e parashikuara sipas kreut III ose IV apo nuk plotëson ose nuk ndreq mangësitë që pengojnë regjistrimin, në përputhje me shkaqet e përcaktuara sipas pikës 40.
45. Në rastin kur brenda afatit maksimal prej 1 dite nga data e paraqitjes së aplikimit, nëpunësi i autorizuar (regjistruesi) i QBK-së nuk ka kryer regjistrimin, nuk ka vendosur pezullimin apo refuzimin e një aplikimi për regjistrim, përfshirë këtu aplikimin për plotësimin ose ndreqjen e mangësive që pengojnë regjistrimin, sipas pikës 42, të këtij vendimi, atëherë aplikimi quhet i pranuar menjëherë me përfundimin e këtij afati dhe sistemi i informatizuar i QKB-së kryen automatikisht veprimet e përcaktuara në pikat 39 dhe 53, të këtij vendimi.
VI. DISPOZITA MBI NJOFTIMIN E VENDIMEVE
46. Çdo vendim i QKB-së në lidhje me miratimin, pezullimin apo refuzimin e një aplikimi i njoftohet me shkrim aplikantit në çdo sportel, pavarësisht nga vendi i kryerjes së aplikimit, si dhe në faqen zyrtare të QKB-së, jo më vonë se 1 ditë nga data e paraqitjes së aplikimit.
47. Në rastet e miratimit të aplikimit, QKB-ja i dorëzon aplikantit në çdo sportel, pavarësisht nga vendi i kryerjes së aplikimit, edhe dokumentet e tjera sipas përcaktimit të pikës 39, të këtij vendimi. Nëse aplikimi është pezulluar apo refuzuar, sipas parashikimeve të kreut V, QKB-ja i dorëzon aplikantit aktin e shkruar të pezullimit apo refuzimit, me shkaqet përkatëse, në përputhje me formatin e miratuar.
48. Në rastin e paraqitjes së një aplikimi sipas kreut IV, vendimi i njoftohet me shkrim aplikantit edhe në adresën e postës elektronike të deklaruar pranë portalit unik të shërbimeve qeveritare e-Albania nga personi i autentifikuar që ka bërë aplikimin nëpërmjet sportelit elektronik.
49. Aplikanti, brenda afatit të paraqitjes së ankimit administrativ, sipas neni 71, të ligjit të regjistrimit të biznesit, mund t’i drejtohet sektorit të informimit dhe asistencës së QKB-së, nëse dëshiron të diskutojë apo të sqarojë shkaqet e një vendimi për pezullimin apo refuzimin e një aplikimi. Në këto raste, nëpunësit e sektorit të informimit dhe asistencës i japin sqarime paraprake aplikantit në lidhje me vendimin për pezullimin apo refuzimin e aplikimit.
50. Nëse në vijim të diskutimit apo sqarimit të shkaqeve të një vendimi për pezullimin apo refuzimin e një aplikimi, aplikanti nuk është dakord me vendimin e QKB-së, atëherë aplikanti ka të drejtë të paraqesë ankim administrativ, sipas nenit 71, të ligjit të regjistrimit të biznesit.
51. Ushtrimi i së drejtës së aplikantit për të diskutuar apo sqaruar shkaqet e një vendimi nuk është kusht për paraqitjen e një ankimi administrativ. Aplikanti mund të paraqesë menjëherë një ankim administrativ sipas nenit 71, të ligjit të regjistrimit të biznesit, ndaj një vendimi të QKB-së.
VII. DISPOZITA MBI PUBLIKIMIN ELEKTRONIK DHE MARRJEN E INFORMACIONIT
52. Sistemi i informatizuar i QKB-së publikon në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare të Regjistrimit të dhënat e regjistrimit në formatet e miratuara, brenda 1 dite nga data e kryerjes së regjistrimit, sipas këtij vendimi. Buletini i Njoftimeve Zyrtare të Regjistrimit është lirisht i aksesueshëm për publikun në faqen zyrtare të internetit të QKB-së.
53. Të gjitha veprimet e kryera në regjistrin tregtar, në përputhje me ligjin e regjistrimit të biznesit dhe me dispozitat e këtij vendimi, si dhe pamja e plotë elektronike e çdo dokumenti shoqërues pasqyrohen në mënyrë elektronike dhe janë lirisht të aksesueshme për publikun në faqen zyrtare të internetit të QKB-së, me përjashtim të të dhënave për adresën e individëve.
54. Gjatë afatit të shqyrtimit dhe vlerësimit të aplikimit, QKB-ja i mundëson aplikantit ndjekjen e statusit të aplikimit në faqen zyrtare të internetit të QKB-së nëpërmjet përdorimit të numrit të çështjes (CN), të dhënë me konfirmimin e kryerjes së aplikimit.
55. Çdo person i interesuar, pa qenë i detyruar të identifikohet, mund të kryejë, pa pagesë, kërkime në bazën e të dhënave elektronike të QKB-së, për çdo të dhënë të regjistruar, me përjashtim të adresës së banimit të individëve. Këto kërkime mund të kryhen elektronikisht apo pranë çdo sporteli të QKB-së.
56. Çdo person i interesuar, pa qenë i detyruar të identifikohet, ka të drejtë të marrë pa pengesa, kundrejt pagesës së tarifës përkatëse, ekstrakte për të dhënat e regjistruara të çdo subjekti, si dhe kopje të dokumenteve shoqëruese, të depozituara në regjistër, me përjashtim të adresës së banimit të individëve. Nëse personi dëshiron të marrë ekstrakte dhe/ose kopje të dokumenteve shoqëruese në format elektronik, atëherë atij/asaj mund t’i kërkohet të identifikohet elektronikisht nëse është e nevojshme kryerja e pagesës së një tarife nëpërmjet mjeteve elektronike.
57. Ekstraktet mund të lëshohen, sipas formatit të miratuar, për të dhëna të caktuara të subjekteve dhe/ose për historikun e veprimeve të kryera nga një subjekt.
58. Ekstraktet dhe kopjet e dokumenteve shoqëruese në format shkresor, si rregull, lëshohen nga QKB-ja si kopje e vërtetuar e të dhënave të regjistruara apo të dokumenteve shoqëruese përkatëse, përveç rastit kur personi i interesuar heq dorë nga marrja e këtij vërtetimi.
59. Ekstraktet dhe kopjet e dokumenteve shoqëruese në format elektronik, si rregull, lëshohen nga QKB-ja si kopje e pavërtetuar e të dhënave të regjistruara apo të dokumenteve shoqëruese përkatëse, përveç rastit kur personi i interesuar shprehimisht kërkon ta marrë këtë vërtetim.
60. QKB-ja lëshon ekstraktin në format shkresor, menjëherë në sportelin ku bëhet kërkesa. QKB-ja lëshon menjëherë ekstraktin në format elektronik, me paraqitjen e kërkesës elektronike.
VIII. DISPOZITA TË POSAÇME PËR DEPOZITIMIN E PASQYRAVE FINANCIARE
61. Subjektet, që kanë detyrimin e hartimit të pasqyrave financiare vjetore, të raportit të ecurisë së veprimtarisë dhe të raportit të auditimit, të mbajtura sipas kërkesave ligjore, në rastet kur mbajtja e këtyre dokumenteve është e detyrueshme, dhe që nuk i kanë depozituar më parë sipas afatit të parashikuar në pikën 5, të nenit 22, të ligjit të regjistrimit të biznesit, detyrohen në çdo rast t’i depozitojnë këto dokumente jo më vonë se 7 muaj nga data e mbylljes së çdo viti financiar.
62. Nëse një subjekt nuk përmbush detyrimin, sipas pikës 61, të këtij kreu, atëherë QKB-ja, së bashku me zbatimin e sanksionit të parashikuar në pikën 3, të nenit 74, të ligjit të regjistrimit të biznesit, vepron në përputhje me parashikimet e shkronjës “ë”, të nenit 54, të po atij ligji.
63. Pika 62 nuk zbatohet për subjektet që kanë njoftuar pezullimin e veprimtarisë, në përputhje me nenin 44, të ligjit të regjistrimit të biznesit.
64. Në përputhje me legjislacionin në fuqi, afati përfundimtar për depozitimin e pasqyrave financiare vjetore, të raportit të ecurisë së veprimtarisë dhe të raportit të auditimit, sipas shkronjës “a”, të nenit 43/3, të ligjit të regjistrimit të biznesit, është data 31 korrik e çdo viti.
IX. SHKËMBIMI I TË DHËNAVE ME INSTITUCIONET E TJERA
65. Pas kryerjes së regjistrimit fillestar të një subjekti, në përputhje me ligjin e regjistrimit të biznesit, QKB-ja, në kohë reale, njofton në mënyrë elektronike për regjistrimin e subjektit të ri në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe zyrat tatimore të njësive përkatëse të qeverisjes vendore, për regjistrimin e subjektit të ri dhe dërgon të gjitha të dhënat e regjistrimit, të deklaruara në formularin përkatës, dhe të dhënat e detyrueshme, sipas dispozitave në fushën tatimore të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, e statistikore. QKB-ja i dërgon, gjithashtu, në mënyrë elektronike, Inspektoratit Shtetëror të Punës, të gjitha të dhënat e detyrueshme, sipas dispozitave që rregullojnë fushën e inspektimit të punës.
66. Për njësitë përkatëse të qeverisjes vendore, me të cilat nuk është krijuar një lidhje elektronike on-line, për transmetimin e të dhënave në kohë reale, njoftimet e mësipërme kryhen nga QKB-ja brenda 2 ditësh pune nga momenti i regjistrimit.
67. QKB-ja njofton në të njëjtën mënyrë autoritetet e sipërpërmendura, edhe për çdo ndryshim në të dhënat e regjistrimit tregtar dhe për të dhënat e tjera të detyrueshme, sipas ligjit të regjistrimit të biznesit.
68. QKB-ja mund të lidhë marrëveshje me institucione të tjera publike shqiptare për shkëmbimin e të dhënave, që kanë të bëjnë me regjistrimin e subjekteve të përcaktuara nga ligji i regjistrimit të biznesit.
X. PROCEDURAT E KORRIGJIMIT TË GABIMEVE
69. Pasaktësitë, gabimet teknike ose gabimet e tjera të bëra gjatë regjistrimeve, të cilat rezultojnë qartë nga dokumentacioni i depozituar dhe nuk cenojnë vlefshmërinë e regjistrimit, mund të korrigjohen nga vetë QKB-ja, kryesisht apo me kërkesë të personit të interesuar.
70. Kërkesa për korrigjimin e gabimit mund të bëhet nga çdo person i interesuar, me aplikim, sipas formatit të miratuar. Aplikimi për korrigjimin e gabimit paraqitet në sportelin e shërbimit nga personi i interesuar dhe kryhet pa pagesë.
71. Kryerja e korrigjimit dhe të dhënat e korrigjuara shpallen në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare të Regjistrimit të QKB-së dhe për këto njoftohet subjekti me shkrim, në përputhje me parashikimet e kreut VI, në sportel, pavarësisht nga vendi i kryerjes së aplikimit.
72. Ndryshimi i të dhënave të pasakta, të cilat nuk rezultojnë qartë nga dokumentacioni i depozituar ose cenojnë vlefshmërinë e regjistrimit, kryhet nëpërmjet një aplikimi të ri apo në bazë të një vendimi gjyqësor.
XI. SHFUQIZIME
73. Vendimi nr.864, datë 21.5.2015, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave të regjistrimit dhe të publikimit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”, udhëzimet e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes nr.739, datë 26.1.2015, “Për procedurat e regjistrimit dhe publikimit në mënyrë elektronike”, dhe nr.7552/1, datë 16.10.2015, “Për miratimin e ofrimit të disa shërbimeve funksionale të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit vetëm në sportelin elektronik”, si dhe çdo akt tjetër nënligjor, që bien në kundërshtim me këtë vendim, shfuqizohen.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË Protokollit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës, ër zbatimin e Marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komunitetit Evropian, për ripranimin e personave ME qëndrIMTË paautorizuar
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8 e 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të protokollit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës, për zbatimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komunitetit Evropian, për ripranimin e personave me qëndrim të paautorizuar, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË FINANCIMIT (II), NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, “PËRFITUESI”, DHE KFW FRANKFURT AM MAIN, “KFW”, PËR FINANCIMIN E MASAVE SHOQËRUESE PËR PROGRAMIN E INFRASTRUKTURËS BASHKIAKE III/IV FURNIZIMI ME UJË DHE KANALIZIME PËR VENDNDODHJET E PROJEKTEVE BERAT- KUÇOVË, DELVINË, GJIROKASTËR, KAMËZ, LIBRAZHD DHE LUSHNJË”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit, “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit (II), ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, “Përfituesi”, dhe KfW Frankfurt am Main “KfW”, për financimin e masave shoqëruese pë programin e infrastrukturës bashkiake III/IV, furnizimi me ujë dhe kanalizimet për vendndodhjet e projekteve Berat-Kuçovë, Delvinë, Gjirokastër, Kamëz, Librazhd dhe Lushnjë” për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIM FINANCIAR 2016 PËR PROJEKTIN “FONDI ARSIMOR PËR FORMIMIN PROFESIONAL DHE PUNËSIMIN””
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, dhe nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2016 për projektin “Fondi arsimor për formimin profesional dhe punësimin””, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, “HUAMARRËSI”, DHE KFW FRANKFURT AM MAIN, “KFW”, PËR PROGRAMIN E INFRASTRUKTURËS BASHKIAKE III/IV, FURNIZIMI ME UJË DHE KANALIZIME PËR VENDNDODHJET E PROJEKTEVE BERAT-KUÇOVË, DELVINË, GJIROKASTËR, KAMËZ, LIBRAZHD DHE LUSHNJË”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, “Huamarrësi”, dhe KfW Frankfurt am Main, “KfW”, për financimin e programit të infrastrukturës bashkiake III/IV, furnizimi me ujë dhe kanalizime për vendndodhjet e projekteve Berat-Kuçovë, Delvinë, Gjirokastër, Kamëz, Librazhd dhe Lushnjë”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË FINANCIMIT (SECO II), NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, “PËRFITUESI”, DHE KFW FRANKFURT AM MAIN, “KFW”, PËR FINANCIMIN E PROGRAMIT TË INFRASTRUKTURËS BASHKIAKE III/IV, FURNIZIMI ME UJË DHE KANALIZIME PËR QYTETET E BERATIT, KUÇOVËS, DELVINËS, GJIROKASTRËS, KAMZËS, LIBRAZHDIT DHE LUSHNJËS”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimi (SECO II), ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, “Përfituesi”, dhe KfW Frankfurt am Main, “KfW”, për financimin e programit të infrastrukturës bashkiake III/IV, furnizimi me ujë dhe kanalizime për qytetet e Beratit, Kuçovës, Delvinës, Gjirokastrës, Kamzës, Librazhdit dhe Lushnjës”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “REHABILITIMI URBAN I SHESHEVE TË FSHATRAVE ALLAMBREZ, CUKALAT, KUTALLI DHE POSHNJE”, URA VAJGURORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rehabilitimi urban i shesheve të fshatrave Allambrez, Cukalat, Kutalli dhe Poshnje”, Ura Vajgurore.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Ura Vajgurore.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë tokë “truall” dhe “arë”, me një vlerë të përgjithshme prej 751 100 (shtatëqind e pesëdhjetë e një mijë e njëqind) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 751 100 (shtatëqind e pesëdhjetë e një mijë e njëqind) lekësh, të përballohet nga fondet e Bashkisë Ura Vajgurore.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2017, miratuar për Ministrinë e Zhvillimit Urban.
6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe të përfundojë me mbylljen e punimeve.
7. Pronarët e listës që i bashkëlidhet këtij vendimi të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Bashkisë Ura Vajgurore.
8. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Berat, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Ura Vajgurore, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.
9. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Berat të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit si dhe kalimi i pronësisë, për pasuritë e shpronësuara.
10. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Berat dhe Bashkia Ura Vajgurore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “PËR NDËRTIM KOPSHTESH DHE AMBULANCASH NË TERRITORIN E BASHKISË URA VAJGURORE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Për ndërtim kopshtesh dhe ambulancash në territorin e Bashkisë Ura Vajgurore”.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Ura Vajgurore.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë tokë “truall”, me një vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 156 100 (njëqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë e njëqind) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 156 100 (njëqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë e njëqind) lekësh, të përballohet nga fondet e Bashkisë Ura Vajgurore.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2017, miratuar për Ministrinë e Zhvillimit Urban.
6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe të përfundojë me mbylljen e punimeve.
7. Pronarët e listës që i bashkëlidhet këtij vendimi të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Bashkisë Ura Vajgurore.
8. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Berat, brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Ura Vajgurore, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.
9. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Berat të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit në hartën kadastrale si dhe kalimi i pronësisë, për pasuritë e shpronësuara.
10. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Berat dhe Bashkia Ura Vajgurore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
DiSA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.544, DATË 27.7.2016, TË kËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR LEJIMIN E PËRDORIMIT TË BRIGJEVE NË FUNKSION TË REALIZIMIT TË PROJEKTIT INVESTUES STRATEGJIK “GREEN COAST””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 29, të ligjit nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.544, datë 27.7.2016, të Këshillit të Ministrave, bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:
1. Pas pikës 2 shtohen pikat 2.1 dhe 2.2, me këtë përmbajtje:
“2.1 Bashkia Himarë ka detyrimin që brenda 15 ditëve, nga data e paraqitjes së kërkesës së investitorit strategjik “Green Coast”, të lidhin kontratën përkatëse për lejimin e përdorimit të brigjeve të detit, në përputhje me sipërfaqet dhe destinacionin e kërkuar nga subjekti, brenda koordinatave të sipërfaqes së lejuar nga vendimi i KIS-it.
2.2 Së bashku me kërkesën, investitori strategjik “Green Coast” duhet të paraqesë pranë Bashkisë Himarë edhe dokumentacionin e mëposhtëm:
– Ekstrakt të 3 muajve të fundit nga Qendra Kombëtare e Biznesit;
– Planvendosje të sipërfaqes, për të cilën subjekti kërkon të lidhë kontratë me njësinë e vetëqeverisjes vendore;
– Përshkrim të aktivitetit që do të realizojë në sipërfaqen për të cilën kërkon të lidhë kontratë.”.
2. Pika 3 riformulohet, si më poshtë vijon:
“3. Përdorimi i brigjeve do të kryhet përgjatë periudhës së sezonit veror, 15 maj – 30 shtator të çdo viti, përkundrejt pagesës së tarifës, në përputhje me tarifën e plazheve, të përcaktuar në vendimin e Këshillit Bashkiak të Bashkisë Himarë. Kjo tarifë do të aplikohet vetëm mbi sipërfaqen objekt kontrate, sipas pikave 2.1 dhe 2.2, më sipër, të lidhur me Bashkinë Himarë, përgjatë periudhës së përmendur në këtë pikë.”
3. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve dhe Bashkia Himarë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2017, MIRATUAR PËR MINISTRINË E KULTURËS, PËR MBULIMIN E SHPENZIMEVE FINANCIARE QË U KRYEN NË KUADËR TË ORGANIZIMIT TË AKTIVITETEVE PËR KRYERJEN E CEREMONIALIT FUNEBËR, NË NDERIM TË TË NDJERIT DRITËRO AGOLLI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në buxhetin e vitit 2017, miratuar për Ministrinë e Kulturës, të shtohet fondi prej 3 300 000 (tre milionë e treqind mijë) lekësh, me qëllim mbulimin e shpenzimeve financiare të realizimit të ceremonialit funebër, në nderim të të ndjerit Dritëro Agolli.
2. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.
3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ministria e Kulturës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.