Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 3 Nëntor 2021:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E AGJENDËS KOMBËTARE PËR TË DREJTAT E FËMIJËVE 2021-2026
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “b”, të nenit 39, të ligjit nr.18/2017, “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Agjendës Kombëtare për të Drejtat e Fëmijëve 2021-2026, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen të gjitha ministritë dhe institucionet përgjegjëse për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Znj. Albana Tole emërohet zëvendësministër i Arsimit dhe Sportit.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E FUSHËS SË PËRGJEGJËSISË SHTETËRORE TË MINISTRIT TË SHTETIT PËR RINDËRTIMIN DHE PROGRAMIN E REFORMAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.
2. Ministri i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave është përgjegjës për hartimin e ndjekjen e zbatimit të masave për eliminimin e pasojave dhe rindërtimin e objekteve të dëmtuara e të shkatërruara nga fatkeqësia natyrore, tërmeti i datës 26.11.2019.
Ministri i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave e ushtron veprimtarinë e tij në këto fusha përgjegjësie shtetërore:
a) Ndjek e bashkërendon veprimtarinë e ministrive dhe të institucioneve të tjera, publike e shtetërore, për:
i. hartimin e miratimin e programeve të procesit të rindërtimit të objekteve të dëmtuara dhe të shkatërruara;
ii. planifikimin e shpërndarjen e fondeve buxhetore për realizimin e programeve të procesit të rindërtimit;
iii. drejtimin e koordinimin operacional të strukturave dhe të njësive të veçanta, shtetërore dhe publike, të ngarkuara drejtpërdrejt për kryerjen e detyrave, në terren, në zbatim të programeve të procesit të rindërtimit;
iv. ndjekjen, koordinimin, monitorimin e zbatimit të përgjegjësive dhe të detyrave të ngarkuara autoriteteve përgjegjëse në zbatim të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019.
b) Kontakton e bashkërendon me organizatat shtetërore dhe organizmat kombëtarë e ndërkombëtarë, shoqatat, personalitetet publike dhe donatorë të ndryshëm, brenda dhe jashtë vendit, për:
i. prezantimin e gjendjes dhe të dëmeve të shkaktuara;
ii. përgatitjen e propozimin e projekteve, të përgjithshme e të veçanta, si pjesë e programeve të procesit të rindërtimit;
iii. detajimin e nevojave dhe paraqitjen e kërkesave për donacione financiare dhe mbështetje të specializuar njerëzore;
iv. informimin e secilit prej tyre për mënyrën e përdorimit dhe të eficiencës së arritur për çdo donacion apo mbështetje tjetër të ofruar prej tyre.
3. Nxit, bashkërendon e jep mendim për projektaktet që propozohen nga ministrat, të cilat trajtojnë, ndër të tjera, edhe çështje me interes ose brenda fushës së përgjegjësisë së tij.
4. Përfaqëson Këshillin e Ministrave në marrëdhëniet e informimit të publikut për çështjet brenda fushës së tij të përgjegjësisë.
5. Ministri i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave është përgjegjës për koordinimin dhe drejtimin e punës, ndërmjet ministrive dhe institucioneve, për hartimin e planit të përballimit të situatës ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID-19.
Ministri i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave është përgjegjës për:
a) koordinimin, drejtimin e ndjekjen e veprimtarisë së ministrive dhe të institucioneve të tjera, publike e shtetërore, për hartimin e planit të përballimit të situatës ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID-19;
b) evidentimin e burimeve financiare të jashtme dhe përcaktimin e mënyrës së përthithjes së tyre, për përballimin e situatës ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID-19 dhe propozimin për miratim në Këshillin e Ministrave të projektakteve përkatëse, për përdorimin e këtyre burimeve;
c) koordinimin e drejtimin e strukturave e të njësive, shtetërore dhe publike, të ngarkuara drejtpërdrejt për kryerjen e detyrave, për zbatimin e planit të përballimit të situatës ekonomike, të shkaktuar nga infeksioni COVID-19;
ç) prezantimin e gjendjes dhe të situatës ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID-19;
d) përgatitjen e propozimin e projekteve, të përgjithshme dhe të veçanta, si pjesë të planit të përballimit të situatës ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID-19;
dh) detajimin e nevojave për përballimin e situatës ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID-19;
e) koordinimin e drejtimin e punës, si dhe rekomandimin e institucioneve për përgatitjen e paraqitjen për miratim në Këshillin e Ministrave të projektakteve ligjore e nënligjore për përballimin e situatës ekonomike të shkaktuar nga COVID-19;
ë) nxitjen, bashkërendimin e dhënien e mendimit për projektaktet që propozohen nga ministritë, të cilat trajtojnë, ndër të tjera, edhe çështje me interes ose brenda fushës së përgjegjësisë së tij;
f) thirrjen për raportim të strukturave, të cilat kanë lidhje me situatën ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID-19;
g) krijimin e drejtimin e grupeve të punës dhe organizimin e veprimtarive për hartimin e planit të përballimit të situatës ekonomike të shkaktuar nga COVID-19;
gj) bashkërendimin me ministritë dhe institucionet shtetërore për sigurimin e të dhënave të nevojshme dhe përcjelljen e porosive në funksion të realizimit të planit të përballimit të situatës ekonomike të shkaktuar nga COVID-19;
h) informimin, vazhdimisht dhe në kohë, të Kryeministrit, kur është rasti, edhe Këshillin e Ministrave, për hartimin e planit të përballimit të situatës ekonomike të shkaktuar nga COVID-19.
6. Ministri i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave është përgjegjës për:
a) hartimin e programit të reformave në çdo sektor sipas fushave përkatëse të institucioneve përgjegjëse, në bashkëpunim me këto të fundit;
b) koordinimin e institucioneve përgjegjëse për hapat që duhet të ndërmerren, me qëllim realizimin e programit të reformave;
c) monitorimin, në mënyrë periodike, të ecurisë së programit të reformave nga institucionet përgjegjëse;
ç) mbikëqyrjen e dhënien e rekomandimeve përkatëse për institucionet përgjegjëse, me qëllim përmirësimin e zbatimit të reformave të ndërmarra apo të atyre në vijim;
d) prezantimin e ecurisë së zbatimit të programit të reformave te Kryeministri, në bashkëpunim me institucionin përgjegjës.
7. Ministri i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, për realizimin e fushës së përgjegjësisë, ka këto kompetenca:
a) Merr pjesë në mbledhjet e Komitetit të Emergjencave Civile;
b) Thërret për raportim e ngarkon me detyra strukturat e mbrojtjes civile;
c) Krijon grupet e punës dhe organizon veprimtarinë për hartimin e miratimin e programeve të procesit të rindërtimit;
ç) Bashkërendon me ministritë e institucionet shtetërore për sigurimin e të dhënave të nevojshme dhe përcjelljen e porosive në funksion të realizimit të programeve të procesit të rindërtimit;
d) Drejton e koordinon, në nivel qendror, strukturat operacionale për përballimin e pasojave dhe zbatimin e programeve të procesit të rindërtimit;
dh) Informon vazhdimisht dhe në kohë Kryeministrin, kur është rasti, edhe Këshillin e Ministrave, për realizimin e programeve të procesit të rindërtimit e të përdorimit të burimeve materiale e njerëzore;
e) Kontakton në vijimësi dhe për çështje të veçanta me organizatat ndërkombëtare dhe donatorë të ndryshëm, brenda dhe jashtë vendit, për garantimin e ekspertizës së hartimit e për realizimin e programeve të procesit të rindërtimit;
ë) Monitoron në mënyrë periodike ecurinë e programit të reformave të institucioneve përgjegjëse;
f) Mbikëqyr dhe jep rekomandime për institucionet përgjegjëse, me qëllim përmirësimin e zbatimit të reformave.
8. Vendimi nr.11, datë 10.1.2020, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të ministrit të Shtetit për Rindërtimin”, i ndryshuar, shfuqizohet.
9. Ngarkohet ministri i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
LIRIM NGA DETYRA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Oltion Rrumbullaku, zëvendësministër i Arsimit dhe Sportit, lirohet nga kjo detyrë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E LLOJEVE TË QENDRAVE/INSTITUCIONEVE SHËNDETËSORE, PUBLIKE APO PRIVATE, SI DHE TË KRITEREVE QË ATO DUHET TË PLOTËSOJNË PËR LIDHJEN E MARRËVESHJEVE ME INSTITUCIONET E ARSIMIT TË LARTË, NË FUSHËN E SHËNDETËSISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 28, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit dhe të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Institucionet e arsimit të lartë (IAL) në fushën e shëndetësisë lidhin marrëveshje, për të gjitha ciklet e studimit, me qendrat/institucionet e kujdesit shëndetësor, publike apo private, të licencuara dhe të akredituara, sipas llojit e që plotësojnë kriteret e përcaktuara me këtë vendim.
2. Qendrat/institucionet e kujdesit shëndetësor, me të cilat lidhen marrëveshje, janë të llojeve të mëposhtme:
a) Spitale rajonale dhe terciare;
b) Struktura spitalore që ofrojnë shërbime shëndetësore, sipas përcaktimeve të bëra nga ministri përgjegjës për shëndetësinë;
c) Struktura ambulatore të specializuara.
3. Ministri përgjegjës për shëndetësinë përcakton kapacitetet pritëse të qendrave/institucioneve të kujdesit shëndetësor, të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi, përpara se ata të lidhin marrëveshje me IAL-et, sipas standardeve shtetërore për sigurimin e cilësisë në institucionet e arsimit të lartë.
4. Qendrat/institucionet e kujdesit shëndetësor, të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi, me përjashtim të qendrave spitalore universitare, mund të lidhin marrëveshje me institucionet e arsimit të lartë në fushën e shëndetësisë, për qëllime mësimore dhe kërkimore-shkencore. Për ndjekjen e praktikave mësimore dhe kërkimore-shkencore pranë qendrave/institucioneve të kujdesit shëndetësor, me përjashtim të qendrave spitalore universitare, IAL-i i paguan qendrës/institucionit të kujdesit shëndetësor tarifën përkatëse, të përcaktuar me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për shëndetësinë, të ministrit përgjegjës për arsimin dhe të ministrit përgjegjës të financave. Të ardhurat e përfituara nga këto tarifa konsiderohen të ardhura dytësore për qendrat/institucionet e kujdesit shëndetësor.
5. Mënyra e ndjekjes së praktikave mësimore dhe kërkimore-shkencore, sipas cikleve të studimit, përcaktohet në marrëveshjen që do të lidhin qendra/institucioni i kujdesit shëndetësor dhe institucioni i arsimit të lartë në fushën e shëndetësisë.
6. Qendra/institucioni i kujdesit shëndetësor, i përcaktuar në pikën 2, të këtij vendimi, duhet të plotësojë kushtet dhe kriteret e mëposhtme:
a) Objekti, për të cilin është ngritur e funksionon, përfshin edhe objektin e marrëveshjes së propozuar për nënshkrim;
b) Të jetë licencuar dhe akredituar sipas legjislacionit në fuqi për akreditimin e institucioneve të kujdesit shëndetësor;
c) Të ketë normativë të shfrytëzimit të kapacitetit të qendrës/institucionit të kujdesit shëndetësor mbi 60 (gjashtëdhjetë) %;
ç) Të ketë personel mjekësor, me kualifikimet e nevojshme akademike e profesionale, sipas kuadrit ligjor e nënligjor në fuqi;
d) Të ketë kapacitetet profesional në funksion të plotësimit të kërkesave për një mësim, sipas standardit të përcaktuar. Procedurat praktike të jenë sipas standardeve shtetërore për sigurimin e cilësisë në institucionet e arsimit të lartë;
dh) Të plotësojë kushtet infrastrukturore, teknologjike dhe fizike, sipas natyrës së institucionit e të shërbimeve që ofron;
e) Të ketë strukturë organizative me kapacitetet e nevojshme profesionale, si dhe kapacitetet organizative, për të pritur numrin e praktikantëve, bazuar në marrëveshjet e lidhura ndërmjet IAL-eve dhe qendrave/institucioneve të kujdesit shëndetësor të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi;
ë) Të respektojë kapacitetin pritës të institucionit dhe të qendrës shëndetësore, duke mos cenuar veprimtarinë normale të qendrës/institucionit të kujdesit shëndetësor dhe plotësimin e nevojave të institucionit të arsimit të lartë për qëllime mësimore cilësore, brenda kohës së punës, përcaktuar në Kodin e Punës.
7. Stafi akademik që drejton studentët nuk ofron kujdes shëndetësor në këto struktura shëndetësore, përveç rasteve kur është pjesë e stafit të institucionit.
8. Ministria përgjegjëse për shëndetësinë publikon listën e qendrave/institucioneve të kujdesit shëndetësor, të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi, që mund të lidhin marrëveshje me institucionet e arsimit të lartë në fushën e shëndetësisë, sipas natyrës së shërbimeve shëndetësore që ofrojnë qendrat/institucionet e kujdesit shëndetësor.
9. Qendrat/institucionet e kujdesit shëndetësor, për çdo marrëveshje të lidhur, njoftojnë brenda 10 (dhjetë) ditëve ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë, ndërsa institucionet e arsimit të lartë njoftojnë brenda 10 (dhjetë) ditëve ministrinë përgjegjëse për arsimin.
10. Palët përgjigjen reciprokisht për përmbushjen e detyrimeve dhe të kushteve të parashikuara deri në fund të marrëdhënieve, sipas marrëveshjes së nënshkruar. Çdo mosmarrëveshje ndërmjet palëve zgjidhet nga gjykata kompetente.
11. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Arsimit dhe Sportit, qendrat/institucionet e kujdesit shëndetësor, si dhe institucionet përkatëse të arsimit të lartë në fushën e shëndetësisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE NR.2, TË KONTRATËS FINANCIARE, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS EVROPIANE TË INVESTIMEVE, PËR PROJEKTIN E NDËRTIMIT TË BYPASS-IT TË FIERIT, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.80/2012
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes ndryshuese nr.2, të kontratës financiare, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve, për projektin e ndërtimit të bypass-it të Fierit, ratifikuar me ligjin nr.80/2012, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRDORIMIN E MJETEVE LËVIZËSE MOTORIKE DHE TË MJETEVE TË BLINDUARA PËR SHËRBIME TË VEÇANTA TË GARDËS SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË E PËRCAKTIMIN E NGJYRËS DHE TË SHENJAVE DALLUESE TË TYRE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 62, të ligjit nr.33/2021, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Mjetet e transportit në përdorim të Gardës së Republikës janë mjete të uniformuara dhe jo të uniformuara, të cilat klasifikohen në:
a) mjete rrugore;
b) mjete lundruese;
c) mjete ajrore.
2. Mjetet e uniformuara në përdorim të Gardës së Republikës përbëhen nga:
a) ngjyra dhe shenja dalluese, të përcaktuara sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
b) sisteme shtesë zanore për alarmin dhe sisteme shtesë për sinjalizimin pamor;
c) targat e mjeteve rrugore, të përcaktuara për mjetet e Ministrisë së Brendshme, sipas akteve ligjore në fuqi.
3. Mjetet e pauniformuara kanë në përbërje sisteme portative, të sinjalizimit pamor dhe zanore të alarmit.
4. Përdorimi i mjeteve lëvizëse motorike dhe i mjeteve të blinduara për shërbime të veçanta kryhet sipas përcaktimeve të lidhjes nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
5. Ngjyra, logoja dhe disenjoja në mjetet e Gardës së Republikës janë unike dhe me të drejtë përdorimi vetëm nga Garda e Republikës së Shqipërisë.
6. Të gjitha mjetet janë të kompletuara me pajisje speciale për sigurimin e jetës e realizimin e detyrës.
7. Garda e Republikës, për shërbime të veçanta, përdor mjete lëvizëse të blinduara.
8. Numri limit i mjeteve, afati përdorimit të tyre dhe limiti vjetor kilometrik miratohen me urdhër të ministrit të Brendshëm.
9. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Garda e Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KRITERET E HARTIMIT TË PLANEVE TË MENAXHIMIT DHE PËR PËRCAKTIMIN E EKOSISTEMEVE, HABITATEVE E LLOJEVE TË FAUNËS SË EGËR ME STATUS MBROJTJEJE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 8, të ligjit nr.10006, datë 23.10.2008, “Për mbrojtjen dhe konservimin e faunës së egër”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Planet e menaxhimit të ekosistemeve dhe të habitateve me status mbrojtjeje, të cilat ndodhen brenda territorit administrativ të njësive të vetëqeverisjes vendore, hartohen nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, duke u mbështetur në kriteret e mëposhtme:
a) Të përshkruhet territori i ekosistemeve dhe i habitateve si një kompleks dinamik, duke përfshirë bimësinë, kafshët e mikroorganizmat, pyjet, kullotat, ligatinat, sipërfaqet ujore dhe bregdetare, vlerat e kërcënimet e tyre, të cilat ndërveprojnë ndërmjet tyre si një njësi funksionale;
b) Të përshkruhen veprimtaritë ekonomike që janë kërcënuese për zonën;
c) Të parashikohen masa rregullatore ose administrative të nevojshme për të shmangur ose për të pakësuar kërcënimet e identifikuara në ekosistem;
ç) Të parashikohen masat për menaxhimin e habitatit, të ekosistemeve, objektivat e menaxhimit masat e veprimet e menaxhimit, programet e monitorimit, inventarizimit dhe kërkimit shkencor brenda habitateve dhe ekosistemeve;
d) Të ketë afat zbatimi 10-vjeçar nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, komuniteti lokal, si dhe subjektet që ushtrojnë veprimtaritë e miratuara në territorin përkatës, sipas pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.10006, datë 23.10.2009, “Për mbrojtjen dhe konservimin e faunës së egër”, të ndryshuar.
2. Ekosistemet dhe habitatet propozohen për t’u shpallur me status mbrojtjeje, nëse territori plotëson, të paktën, njërin prej kritereve të mëposhtme:
a) Të ketë diversitet të llojeve me status mbrojtjeje;
b) Të ketë dendësi të ulët të llojeve;
c) Të ketë vlera shkencore dhe edukative;
ç) Të përfaqësohet si bioqendra dhe biokorridori me rëndësi rajonale e vendore;
d) Të ketë rrezikshmëri të lartë, të cilat janë kërcënuar nga ndërhyrjet e veprimtarive njerëzore, deri në tjetërsimin e habitateve dhe të ekosistemeve;
dh) Të ketë mundësi për ruajtjen e jetës së egër;
e) Të përdoret nga llojet shtegtare;
f) Të ketë minimumin kritik të madhësisë së habitatit e të ekosistemit.
3. Kriteret për përcaktimin e popullatave të faunës së egër për shpalljen e tyre të mbrojtur mbështeten në të dhënat e reja dhe në ato ekzistuese, të siguruara nga strategjia e plani i veprimit të biodiversitetit, nga rrjeti i inventarizimit dhe monitorimit të biodiversitetit, si dhe nga burime zyrtare ndërkombëtare.
4. Llojet e faunës së egër përcaktohen me status mbrojtjeje, nëse plotësojnë, të paktën, njërin prej kritereve të mëposhtme:
a) Janë shpallur të mbrojtur nga instrumente ndërkombëtare, ku Republika e Shqipërisë është palë;
b) Kanë një status ruajtjeje të pafavorshëm;
c) Ka të dhëna të pamjaftueshme statistikore;
ç) Popullatat kanë pësuar ulje drastike dhe, për pasojë, paraqitet një rrezik serioz për ruajtjen e mjedisit natyror;
d) Shtrirja natyrore e llojeve është zvogëluar dhe ka ende mundësi të zvogëlohet në të ardhmen e afërt.
5. Ngarkohen ministria përgjegjëse për faunën dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË PROTOKOLLIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË TURQISË, PËR FUNKSIONIMIN E PËRBASHKËT TË SPITALIT RAJONAL “MEMORIAL” NË FIER, GJATË FAZËS KALIMTARE
Në mbështetje të nenit 100, të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të protokollit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë, për funksionimin e përbashkët të spitalit rajonal “Memorial” në Fier, gjatë fazës kalimtare, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
RISHPËRNDARJEN E NUMRIT TË PUNONJËSVE ORGANIKË DHE TË FONDEVE BUXHETORE NË NJËSITË E QEVERISJES QENDRORE, PËR VITIN 2021
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 12 e 17, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Numri i punonjësve të aparatit të Kryeministrisë, për vitin 2021, pakësohet me 5 (pesë) punonjës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të Kryeministrisë në 172 (njëqind e shtatëdhjetë e dy) punonjës.
2. Numri i punonjësve të Njësisë Speciale Antikorrupsion dhe Evazion, për vitin 2021, pakësohet me 7 (shtatë) punonjës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të institucioneve në varësi të Kryeministrisë në 1 198 (një mijë e njëqind e nëntëdhjetë e tetë) punonjës.
3. Numri rezervë i punonjësve për vitin 2021 pakësohet me 9 (nëntë) punonjës, duke e çuar numrin e përgjithshëm rezervë në 11 (njëmbëdhjetë) punonjës.
4. Numri i punonjësve të Ministrisë së Drejtësisë, për vitin 2021, shtohet me 21 (njëzet e një) punonjës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të ministrisë në 5 352 (pesë mijë e treqind e pesëdhjetë e dy) punonjës.
5. Në buxhetin e vitit 2021, të miratuar për grupin buxhetor nr.87, “Institucionet në varësi të Kryeministrisë”, në programin “Shërbime të tjera”, pakësohet fondi prej 13 808 365 (trembëdhjetë milionë tetëqind e tetë mijë e treqind e gjashtëdhjetë e pesë) lekësh, në zërin “shpenzime korrente”.
6. Në buxhetin e vitit 2021, të miratuar për Ministrinë e Drejtësisë, në programin “Planifikimi, menaxhimi dhe administrimi”, shtohet fondi prej 13 808 365 (trembëdhjetë milionë tetëqind e tetë mijë e treqind e gjashtëdhjetë e pesë) lekësh, në zërin “shpenzime korrente”.
7. Ngarkohen Kryeministria, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
RISHPËRNDARJE TË NUMRIT TË PUNONJËSVE ORGANIKË, PËR VITIN 2021, NDËRMJET MINISTRISË SË DREJTËSISË DHE MINISTRISË SË SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 12, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Numri i punonjësve të Ministrisë së Drejtësisë, për vitin 2021, pakësohet me 3 (tre) punonjës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të sistemit të ministrisë në 5328 (pesëmijë e treqind e njëzet e tetë) punonjës.
2. Numri i punonjësve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për vitin 2021, shtohet me 3 (tre) punonjës për Shërbimin Social Shtetëror, duke e çuar numrin e përgjithshëm të sistemit të ministrisë në 4296 (katërmijë e dyqind e nëntëdhjetë e gjashtë) punonjës.
3. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.618, DATË 20.10.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN, ORGANIZIMIN E FUNKSIONIMIN E RRJETIT TË KOORDINATORËVE KUNDËR KORRUPSIONIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 24, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në kreun IV, të vendimit nr.618, datë 20.10.2021, të Këshillit të Ministrave, pas pikës 15, shtohet pika 16, me këtë përmbajtje:
“16. Përveç pagës mujore, nëpunësit në strukturën përgjegjëse kundër korrupsionit në Ministrinë e Drejtësisë përfitojnë një shtesë për natyrë të veçantë pune, në masën:
a) 60 000 (gjashtëdhjetë mijë) lekë në muaj, në pozicionet “drejtor i përgjithshëm”, si dhe “drejtor drejtorie”, “përgjegjës sektori” e “specialist”, në drejtorinë që mbulon Rrjetin e Koordinatorëve Kundër Korrupsionit;
b) 75 000 (shtatëdhjetë e pesë mijë) lekë në muaj, në pozicionet “drejtor drejtorie” dhe “specialist”, në drejtorinë që mbulon njësinë operacionale të verifikimit në terren;
c) 40 000 (dyzet mijë) lekë në muaj, në pozicionet “Drejtor drejtorie”, “përgjegjës sektori” dhe “specialist”, në drejtorinë që mbulon projektet e programet në fushën kundër korrupsionit.”.
2. Ngarkohet Ministria e Drejtësisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PARAQITJES, TË FORMËS DHE TË SPECIFIKIMEVE TEKNIKE TË GRADAVE, SI DHE PËRCAKTIMIN E SIMBOLEVE, TË UNIFORMËS, TË SHENJAVE DALLUESE DHE NORMAVE TË VESHMBATHJES SË PUNONJËSVE TË GARDËS SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 33, pika 2, 58, pika 2, dhe 59, pika 3, të ligjit nr.33/2021, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Paraqitja, forma dhe specifikimet teknike të gradave janë sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Flamuri dhe stema e Gardës së Republikës janë sipas lidhjes nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Uniforma për punonjësit e Gardës së Republikës është sipas lidhjes nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Për shërbime të veçanta, punonjësit e Gardës përdorin veshje civile.
4. Shenjat dalluese të Gardës së Republikës janë sipas lidhjes nr.4, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
5. Normat e furnizimit me veshmbathje për punonjësit e Gardës së Republikës janë sipas lidhjes nr.5, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
6. Vendimi nr.136, datë 11.2.2009, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e uniformës, të formës dhe elementeve të gradave e të shenjave dalluese të efektivave të Gardës së Republikës së Shqipërisë”, shfuqizohet.
7. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Garda e Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA