Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 30 Dhjetor 2020:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E KËRKESAVE, KUSHTEVE, PROCEDURAVE, FONDEVE TË NEVOJSHME BUXHETORE PËR KRIJIMIN, MBAJTJEN, MENAXHIMIN DHE PËRDITËSIMIN E KADASTRËS KOMBËTARE TË BURIMEVE UJORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 88, të ligjit nr.111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, të ndryshuar, të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, dhe të nenit 26, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Qëllimi i këtij vendimi është miratimi i kërkesave, kushteve, procedurave, fondeve të nevojshme buxhetore për krijimin, mbajtjen, menaxhimin dhe përditësimin e Kadastrës Kombëtare të Burimeve Ujore.
2. Të gjithë termat e përcaktuar në ligjin nr.111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, të ndryshuar, kanë të njëjtin kuptim edhe në këtë vendim, ndërsa termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a) “Administrator”, struktura pranë Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore (AMBU), e ngarkuar për administrimin, menaxhimin, përditësimin dhe mirëmbajtjen e Kadastrës Kombëtare të Burimeve Ujore;
b) “Autoritet publik” janë:
i. organet e qeverisjes qendrore dhe vendore apo organet e tjera të administratës publike, përfshirë organizmat këshillues publikë, në nivel kombëtar, rajonal apo vendor;
ii. çdo person, fizik apo juridik, që ushtron funksione administrative publike, përfshirë edhe detyra, veprimtari ose shërbime specifike që kanë të bëjnë me mjedisin;
iii. çdo person juridik, që ka përgjegjësi a funksione publike apo që siguron shërbime publike, që kanë të bëjnë me aktivitete ose shërbime në lidhje me ujërat dhe janë nën kontrollin e një organizmi apo personi që përfshihet në grupimet e përcaktuara në nënndarjet “i” dhe “ii”, të kësaj shkronje;
c) “Baza e të dhënave shtetërore”, i njëjti kuptim, sipas përcaktimit
në ligjin nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”;
ç) “Dataset”, grumbull të dhënash me karakteristika të lidhura
logjikisht, duke përfshirë të dhënat e përpunuara;
d) “Dokument”, regjistrim i çdo lloji, forme dhe teknike (shkrim,
të shtypura, imazhe, tinguj, film ose video, të dhënat elektronike etj.,
strukturën dhe përmbajtjen e të cilit e bën një entitet i veçantë;
dh) “Dokumentacioni teknik”, studim, projekt, plan, hartë,
përshkrimi teknik dhe specifikime, udhëzime dhe dokument lidhur me
objekte, pajisje, sistemet teknike dhe procedurat;
e) “Dhënësi i informacionit”, i njëjti kuptim sipas ligjit nr.10325,
datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”;
ë) “Gjenerues privat i të dhënave”, subjekte përdoruese të burimeve
ujore, të cilët kanë në administrimin e tyre pajisje të matjeve
hidrometeorologjike, të dhëna historike apo në kohë reale, të cilat duhet të përfshihen në Kadastrën Kombëtare të Burimeve Ujore;
f) “Informacion”, të dhëna të përpunuara, fotografi, vizatime, film,
raporte, akte, tabela, grafikë, skica apo të tjera të përafërta, pavarësisht
nëse është i ruajtur në një dokument apo jo, dhe, pavarësisht nga burimi,
data e origjinës, vendi i ruajtjes, mënyra e zbulimit me urdhrin e të cilit,
në emrin e të cilit, për llogari të të cilit informacioni është i ruajtur;
g) “Informacioni i klasifikuar”, të dhëna, që nuk mund të shpërndahen
për publikun e gjerë për shkak të kërkesave të konfidencialitetit, të sigurisë
kombëtare apo çështje të tjera që kërkohen nga ligji;
gj) “Kapaciteti maksimal gravitacional i derdhjes”, sasia maksimale
e ujit që derdhet për shkak të gravitacionit dhe jo të pompimit apo të
ndonjë forme tjetër;
h) “Kadastra”, Kadastra Kombëtare e Burimeve Ujore;
i) “Nyjet hidrografike”, nyje, kryqëzime apo ndarje të rrjedhave ujore, brenda një rrjeti hidrografik;
j) “Pellgu zonal i ujërave nëntokësore/sipërfaqësore”, pellgu, i cili përfshin pellgje të tjera më të vogla;
k) “Pellgu natyror i supozuar”, pellgu natyror, i cili nuk është
saktësisht i gjeometrizuar, por i përafrohet shumë pellgut të vërtetë
natyror;
l) “Përrua”, ujërat sipërfaqësore natyrore në formën e një rrjedhe ujore natyrore.
ll) “Përrua sekondar”, përrua që derdhet në një përrua tjetër, ku
ky i fundit derdhet direkt në lumë, apo në ndonjë trup tjetër ujor, liqen,
det;
m) “Rrjedhë e sipërme lumore”, rrjedha e lumit mbi 800 (tetëqind) m nga
kuota absolute/niveli i detit.
n) “Rrjedhë e mesme lumore”, rrjedha e lumit nga 200 (dyqind) – 800 (tetëqind) m nga kuota absolute/niveli i detit;
nj) “Rrjedhë e poshtme lumore”, rrjedha e lumit më e vogël se 200 m nga kuota absolute/niveli i detit;
o) “Rrjedhë sekondare”, të gjitha rrjedhat që i shmangen drejtimit
kryesor të rrjedhës në aksin e lumit ose kanalit;
p) “Sifon”, strukturë tubacioni që shërben për të përcjellë lëngje
nga një nivel më i lartë në një nivel më të ulët, duke shfrytëzuar presionin
diferencial që të detyrojë një kolonë lëngu të një niveli më të lartë para
se të derdhet në dalje;
q) “Subjekt i interesuar”, i njëjti kuptim sipas përcaktimit në ligjin nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”;
r) “Shtresa gjeohapësinore”, të dhënat gjeohapësinore të organizuara sipas tipologjive të caktuara;
rr) “Të dhëna”, i njëjti kuptim, sipas përcaktimit të nenit 7, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”;
s) “Të dhëna gjeohapësinore”, të dhëna me një referencë të
drejtpërdrejtë apo të tërthortë në një vend të veçantë ose zonë
gjeografike;
sh) “Të dhëna gjeohapësinore të përcaktuara” janë një koleksion i
identifikueshëm i të dhënave gjeohapësinore.
II. KËRKESAT DHE KUSHTET PËR KRIJIMIN DHE MBAJTJEN E KADASTRËS KOMBËTARE TË BURIMEVE UJORE
1. Kadastra krijohet e mbahet mbi bazën e të dhënave elektronike për burimet ujore, nëpërmjet sistemit dhe arkivit elektronik. Baza e të dhënave, e cila është përcaktuar në pikën 2, të nenit 88, të ligjit nr.111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, të ndryshuar, strukturohet sipas strukturës së përcaktuar në pikën 2, të kreut II, të këtij vendimi.
2. Baza e të dhënave shtetërore për burimet ujore ndahet për:
a) ujërat sipërfaqësore;
b) ujërat nëntokësore;
c) ujërat detare;
ç) strukturat e ujit;
d) përdorimi i ujit;
dh) mbrojtja e ujit;
e) zonat e mbrojtura ujore;
ë) monitorimi i ujit;
f) monitorimi meteorologjik;
g) modele të tjera.
3. Kërkesat për modulin për trupat ujorë sipërfaqësorë, përfshirë ujërat detare, janë sipas shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
4. Kërkesat për modulin për ujërat nëntokësorë janë sipas shtojcës 2, që
bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
5. Kërkesat për modulin për strukturat e ujit janë sipas shtojcës 3, që i
bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
6. Kërkesat për modulin për përdorimin e ujit janë sipas shtojcës 4, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
7. Kërkesat për modulin për mbrojtjen e ujit janë sipas shtojcës 5, që i
bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
8. Kërkesat për modulin për zonat e mbrojtura ujore dhe habitatet ujore janë
sipas shtojcës 6, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse
e tij.
9. Kërkesat për modulin për monitorimin e ujit, janë sipas shtojcës 7, që i
bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
10. Kërkesat për modulin për monitorimin meteorologjik janë sipas shtojcës 8, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
11. Përcaktimet për hedhjen e të dhënave nga burimi i disponimit të tyre në
Kadastër janë sipas shtojcës 9, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është
pjesë përbërëse e tij.
12. Kadastra do të përmbajë të dhëna parësore/dytësore, sipas përcaktimit në
nenin 7, të ligjit nr.10325, datë 23.09.2010, “Për bazat e të dhënave
shtetërore”.
13. Në shtojcën nr.9 të këtij vendimi janë përcaktuar institucionet që
detyrohen të popullojnë Kadastrën me të dhëna sipas fushës së tyre të
përgjegjësisë, të dhëna parësore/dytësore, sipas përcaktimit të ligjit nr.10325, datë 23.09.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”.
III. PROCEDURAT PËR MENAXHIMIN DHE PËRDITËSIMIN E KADASTRËS KOMBËTARE TË BURIMEVE UJORE
1. Kadastra menaxhohet dhe përditësohet nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, nëpërmjet sistemit dhe arkivit elektronik.
2. Të gjitha të dhënat gjeohapësinore që përmban Kadastra do të vihen në dispozicion të ASIG-ut sipas legjislacionit në fuqi.
3. Të gjitha institucionet, entet dhe subjektet e tjera, publike ose jopublike, që merren me menaxhimin e burimeve ujore, detyrohen të caktojnë një përfaqësues të përhershëm që mban marrëdhënie me Agjencinë e Menaxhimit të Burimeve Ujore, duke raportuar në mënyrë periodike çdo 3 (tre) muaj mbi ecurinë e përditësimit me të dhënat në Kadastër. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore përgatit raportin në nivel kombëtar, të cilin ia paraqet Këshillit Kombëtar të Ujit me sugjerimet përkatëse.
4. Administrimi i Kadastrës kryhet nga Administratori, i cili kryen këto funksione:
a) është përgjegjës për sigurimin e vazhdueshmërisë së pandërprerë dhe mirëfunksionimin e Kadastrës;
b) mbikëqyr e monitoron veprimet që kryhen në Kadastër në përgjithësi;
c) është përgjegjës për strukturën e bazës së të dhënave dhe administrimin e saj;
ç) ka të drejtë të ndryshojë apo anulojë nivelin e aksesit të një përdoruesi
pa njoftim, kur vëren se ai nuk zbaton rregullat e përdorimit ose
dyshohet se po i shkakton dëm sistemit në përgjithësi;
d) harton udhëzime dhe manuale për përdoruesit e sistemit;
dh) bën propozime për avancimin e programeve të përdorura dhe
avancimin e sistemit në përgjithësi, në konsultim me Agjencinë
Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit;
e) krijon dhe administron nivelet e aksesit në Kadastër;
ë) krijon përdoruesit e të gjitha niveleve me privilegjet përkatëse për të punuar në sistem;
f) shpërndan privilegjet për përdoruesit dhe u heq të drejtën për të punuar
në sistem në rast të largimit të tyre nga funksioni;
g) krijon virtualisht institucionet në sistem, vendos varësitë, ndryshon
varësitë e institucionit, fshin institucionin në rastin e mbylljes së tij dhe
kalon të dhënat në arkivin historik;
gj) monitoron dhe auditon mbledhjen, sistemimin, organizimin,
koordinimin e të dhënave gjeohapësinore, grafike, elektronike, letër
dhe të tjera lidhur me sektorin e ujërave, në një trajtë uniforme, efikase
dhe të përgjegjshme;
h) arkivon në mënyrë të sigurt dhe me metoda alternative të dhënat, si dhe
ruan periodikisht kopje të të dhënave në mjedis rezervë, të shkëputur
e të pavarur nga sistemi kryesor;
i) përmbush detyrimet për shkëmbimin dhe hyrjen në informacion;
j) krijon mundësinë e gjenerimit të raporteve nga sistemi në institucionet
e administratës publike, sipas nevojave të tyre.
5. Dhënia e informacionit/dhënësit e informacionit për Kadastrën u nënshtrohen këtyre përcaktimeve:
a) Të gjitha institucionet shtetërore, autoritetet dhe entet publike, subjektet fizike dhe juridike, vendas e të huaj, sipas fushës së tyre të përgjegjësisë dhe aktivitetit që ato zhvillojnë në fushën e ujërave, detyrohen të regjistrohen si të tillë në Agjencinë e Menaxhimit të Burimeve Ujore dhe të popullojnë e përditësojnë Kadastrën me të dhënat që ata disponojnë në këtë fushë. Të dhënat hidhen në mënyrë periodike, në standardin e kërkuar, në përputhje me rregullat e përcaktuara në këtë vendim;
b) Të gjitha përdoruesit e burimeve ujore, subjekte private apo subjekte juridike me kapital shtetëror, të cilët, me financimin dhe infrastrukturën e tyre, disponojnë e përpunojnë të dhëna që janë pjesë e atributeve të Kadastrës, janë të detyruar t’i hedhin këto të dhëna në Kadastër. Ndërveprimi dhe procesi i ndërveprimit ose i shkëmbimit të të dhënave ndërmjet bazave të të dhënave realizohet përmes platformës qeveritare të ndërveprimit.
c) Të gjitha hidro-elektro-centralet (HEC) e ndërtuara, përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi apo të planifikuar për t’u ndërtuar, duhet që:
i. në secilën nga veprat e marrjes, prurja llogaritëse e të cilave është më e madhe se 150 l/sek, të instalojnë një stacion hidrologjik, automatik, që mat prurjet e nivelet ditore me një frekuencë 2 (dy) herë në ditë;
ii. pranë godinës së centralit, të instalojnë një stacion meteorologjik, automatik, i cili mat të paktën temperaturën, reshjet dhe lagështinë, me frekuencë ditore.
Brenda datës 30.6.2021, subjekti duhet të njoftojë AMBU-në për të verifikuar instalimin e këtyre stacioneve dhe funksionalitetin e tyre në kuptim të gjenerimit e transmetimit të të dhënave, në përputhje me përcaktimet e neneve 53 e 72, të ligjit nr.111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, të ndryshuar.
Të dhënat e gjeneruara sipas nënndarjes “i”, të kësaj shkronje, dërgohen në kohë reale në IGJEUM dhe AMBU. Në pamundësi të kësaj mënyre, të dhënat mujore të digjitalizuara dërgohen çdo datë 1 të muajit pasardhës, në formë elektronike, pranë IGJEUM-it dhe AMBU-së;
ç) Në rastet kur një subjekt i interesuar ndërron statusin e tij, ai është i detyruar të bëjë çregjistrimin e tij me shkrim pranë Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore;
d) Lista e dhënësve të informacionit në Kadastër përditësohet në mënyrë ë
vazhdueshme nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore;
dh) Detyrimet e dhënësit të informacionit të Kadastrës konsistojnë në:
i. saktësinë dhe besueshmërinë e të dhënave e informacioneve në fushën e menaxhimit të ujit, me anë të kontrollit të afateve kohore, si dhe për të konfirmuar cilësinë e tyre;
ii. hartimin e zbatimin e procedurave për menaxhimin e të dhënave/informacionit (përgatitjen, inputet, përditësimin, përpunimin, prezantimin, disponueshmërinë);
iii. mundësimin e të dhënave të përputhshmërisë dhe grumbullimin e të dhënave gjeohapësinore, grafike, elektronike, letër e të tjera dhe shërbimet e informacionit;
iv. detyrimin për hyrjen dhe shkëmbimin e informacionit;
v. respektimin e të gjitha standardeve në fuqi të legjislacionit shqiptar në fushën e informacionit gjeohapësinor.
e) Në rastet kur dhënësi i informacionit nuk realizon në kohë kompletimin
ose pengon futjen e të dhënave në Kadastër me të dhënat e përshkruara më lart apo të dhëna të tjera lidhur direkt/indirekt me ujin, ai mban përgjegjësi administrative, sipas legjislacionit përkatës në fuqi. Në këto raste, mbi bazën e njoftimit zyrtar të dërguar nga titullari i Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore, institucioni përkatës nis procesin, ku shqyrtohet përgjegjësia administrative e personit përgjegjës;
ë) Mosrespektimi i detyrimeve dhe afateve të përcaktuara në shkronjat “b”
dhe “c”, të kësaj pike, bën pjesë në mospërmbushjen e kushteve të lejes për përdorimin e burimit ujor dhe shoqërohet me masat administrative që përcakton ligji nr.111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, i ndryshuar;
f) Të drejtën e përdorimit të të dhënave dhe informacioneve lidhur me aktivitetet që nuk kanë përfunduar e kanë:
i. personat përgjegjës të përfshirë në aktivitete të tilla;
ii. personat që mbikëqyrin personin tjetër të autorizuar.
g) Nëse të dhënat që disponohen nuk plotësojnë kërkesat për nga përmbajtja dhe standardi, nga institucionet përkatëse, brenda muajit mars të çdo viti, bëhet vlerësimi i nevojave teknike dhe financiare për të plotësuar këto kërkesa, në përputhje me Kadastrën. Këto kërkesa paraqiten si pjesë e kërkesave buxhetore, në përputhje me përcaktimet e ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe një kopje e relacionit përkatës i dërgohet zyrtarisht edhe Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore;
gj) AMBU-ja përgatit programin vjetor të monitorimit, ku adreson të gjitha
nevojat e paraqitura nga institucionet monitoruese dhe ato që evidentohen nga raporti vjetor i përditësimit të Kadastrës.
6. Niveli i aksesimit për institucionet, entet publike e private dhe subjektet përdoruese të burimeve ujore, të cilat popullojnë me të dhëna Kadastrën, u nënshtrohet këtyre përcaktimeve:
a) Hyrja në të dhëna dhe informacioni për menaxhimin e burimeve ujore
është:
i. hyrje e drejtpërdrejtë në burim;
ii. kopjim i të dhënave;
iii. marrja e një informacioni të përpunuar.
b) Të dhënat dhe informacionet e hedhura të jenë në formë elektronike;
c) Të drejtën për hedhjen e të dhënave dhe informacioneve në Kadastër e kanë punonjësit e Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore, si dhe autoritetet e tjera publike, në përputhje me nivelin e lejuar nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore;
ç) Dhënësi i informacionit cakton personin përgjegjës, që do të ketë të
drejtën e detyrimin e hedhjes së të dhënave në Kadastër. Ky person
pajiset me të drejtën e përdoruesit nga administratori i Kadastrës. Autentifikimi në Kadastër do të realizohet ndërmjet integrimit me platformën Single Sign On të AKSHI-t;
d) Institucioni që posedon informacionin përkatës, duhet të vërë në dispozicion këtë informacion, në kohën e duhur, në çdo rast të kërkuar nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore.
7. Shkëmbimi i informacionit/ndërveprimi me bazat e tjera të të dhënave
realizohet sipas këtyre përcaktimeve:
a) Kadastra përfshihet në GIS-in kombëtar dhe publikohet në Gjeoportalin Kombëtar të administruar nga ASIG-u, sipas procedurave dhe rregullave të përcaktuara në ligjin nr.72/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë”, dhe akteve nënligjore në zbatim të tij;
b) Informacioni nga Kadastra shkëmbehet dhe përdoret pa pagesë ndërmjet institucioneve shtetërore publike;
c) Për rastet e paparashikuara në këtë vendim, informacioni nga Kadastra shkëmbehet dhe përdoret ndërmjet institucionit shtetëror dhe enteve ose subjekteve joshtetërore, në përputhje me marrëveshjet e ndërsjella;
ç) Informacioni në dispozicion të personave fizikë dhe juridikë, vendas
apo të huaj, është i hapur, i dukshëm, i papërpunueshëm dhe i
pashkarkueshëm;
d) Dhënësit e informacionit mund të japin të dhëna dhe informacione vetëm
brenda kufijve të kompetencave të tyre.
8. Informacioni i klasifikuar apo informacionet, të cilat nuk janë në
dispozicion për subjekte të tjera, janë:
a) informacioni i cilësuar si i klasifikuar, mbështetur në legjislacionin në fuqi;
b) informacioni i dhënë nga kompanitë dhe individët, të cilët kanë kërkuar fshehtësinë apo kufizim në përdorim të njëjtë, për arsye të sekretit profesional dhe mbrojtjes së të dhënave personale, sipas legjislacionit në fuqi.
9. Përditësimi i Kadastrës bëhet, si më poshtë vijon:
a) Autoritetet përgjegjëse për çdo modul të bazës së të dhënave, sipas fushës së tyre të përgjegjësisë, do të bëjnë rregullisht përditësimet e të dhënave çdo muaj;
b) Të gjitha përditësimet, mbas hedhjes për herë të parë të të dhënave, duhet të kryhen të paktën katër muaj pas aplikimit të ndryshimit të grupeve të të dhënave burimore, pavarësisht se për përditësimet e të dhënave të menaxhimit të burimeve ujore specifike janë caktuar periudha të ndryshme në standardet përkatëse të temës.
IV. FONDET BUXHETORE DHE DISPOZITAT E FUNDIT
1. Mirëmbajtja dhe përmirësimi i sistemit elektronik mbulohen nga fondet e miratuara në buxhetin për institucionin e ngarkuar me përgjegjësi për administrimin e këtij sistemi (AKSHI).
2. Ngarkohen Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, institucionet publike që përcaktohen në këtë vendim dhe në shtojcat e tij, subjektet private dhe subjektet juridike me kapital shtetëror për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PROGRAMIT TË PËRGJITHSHËM ANALITIK TË PROJEKTAKTEVE, QË DO TË PARAQITEN PËR SHQYRTIM NË KËSHILLIN E MINISTRAVE GJATË VITIT 2021
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 27, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e programit të përgjithshëm analitik të projektakteve, që do të paraqiten për shqyrtim në Këshillin e Ministrave gjatë vitit 2021, sipas tabelave që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MONITORIMIN SHKENCOR PASVAKSINAL TË KAFSHËVE TË VAKSINUARA, NË KUADËR TË PROJEKTIT IPA 2017, “KONTROLLI DHE ÇRRËNJOSJA E SËMUNDJES SË TËRBIMIT – FAZA III”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.61/2016, “Për shpalljen e moratoriumit të gjuetisë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Lejimin e gjuetisë së dhelprës së kuqe, për arsye të monitorimit shkencor pasvaksinal, që realizohet në kuadër të projektit IPA 2017, “Kontrolli dhe çrrënjosja e sëmundjes së tërbimit – faza III”, të financuar nga Bashkimi Evropian.
2. Gjuetia e dhelprës së kuqe, me qëllim marrjen e kampionëve nga dhelprat, të kryhet në të gjithë territorin e vendit, me përjashtim të territorit të zonave të mbrojtura, në periudhën dhjetor 2020 – shkurt 2021, përgjatë 40 (dyzet) ditëve kalendarike, duke filluar nga dita e hyrjes në fuqi të këtij vendimi. Brenda kësaj periudhe, gjuetia të kryhet në ditët e enjte, e premte dhe e shtunë.
3. Për vrasjen e dhelprave të kuqe, nëpërmjet gjuajtjes së tyre, të angazhohen në të gjithë vendin 39 (tridhjetë e nëntë) punonjës të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, të pajisur me shenjë dalluese për këtë proces, që do të sigurojnë në total 324 (treqind e njëzet e katër) kampionë të dhelprave të kuqe. Numri i personave që do të realizojnë vrasjen në çdo qark, si dhe numri i kampionëve të dhelprave që do të sigurohen për secilin qark jepen në listën që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Detajimi i punonjësve përkatës që do të marrin pjesë në këtë proces të bëhet nga drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura. Marrja e kampionëve nga dhelprat e kuqe bëhet nga Shërbimi Veterinar Rajonal i zonës përkatëse.
4. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, pajis me autorizimin përkatës për marrjen e kampionëve të dhelprës së kuqe, për çdo qark punonjësit e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, që do të marrin pjesë në këtë proces.
5. Gjatë të gjithë kohës së kryerjes së kësaj veprimtarie në zonat ku do të kryhet vrasja dhe marrja e kampionëve nga dhelprat, procesi do të kontrollohet nga strukturat vendore përgjegjëse për pyjet në njësitë e vetëqeverisjes vendore, shërbimet veterinare përkatëse dhe Policia e Shtetit.
6. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të bashkërendojë punën për marrjen e kampionëve të dhelprave të kuqe, dërgimin e tyre në laboratorët përkatës, analizimin dhe nxjerrjen e rezultateve, si dhe raportimin për përfundimin e kësaj faze të procesit të monitorimit pasvaksinal kundër sëmundjes së tërbimit të dhelprës së kuqe në Shqipëri.
7. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Brendshme, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, si dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË KONVENTËS TË KËSHILLIT TË EVROPËS PËR AKSESIN NË DOKUMENTE ZYRTARE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të Konventës të Këshillit të Evropës për Aksesin në Dokumente Zyrtare, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjёherё.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA