Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 6 Qershor 2018:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NUMRIT TË PUNONJËSVE ME KONTRATË TË PËRKOHSHME, PËR SEZONIN E VERËS 2018, NË AGJENCINË KOMBËTARE TË ZONAVE TË MBROJTURA, PRANË MINISTRISË SË TURIZMIT DHE MJEDISIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 18, pika 2, dhe 18/1, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 5, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e 500 (pesëqind) punonjësve me kontratë të përkohshme për sezonin e verës 2018 në AgjenciNë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, për vendet e punës të përcaktuara në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Detajimi i numrit të punonjësve me kontratë të përkohshme sipas emërtesës së vendit të punës bëhet nga ministri i Turizmit dhe Mjedisit, me propozimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.
2. Periudha kohore e veprimtarisë sezonale, që do të kryejnë punonjësit me kontratë të përkohshme, është 2 muaj, korrik – gusht 2018.
3. Punonjësit me kontratë të përkohshme përfitojnë pagën bazë minimale, të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi.
4. Fondi i pagave për numrin e punonjësve të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2018, në shumën 35 010 000 (tridhjetë e pesë milionë e dhjetë mijë) lekë, i cili i akordohet programit buxhetor “Zhvillimi i turizmit”, me kod 04760.
5. Efektet financiare do të fillojnë në momentin e nënshkrimit të kontratës së përkohshme, ndërmjet Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, në cilësinë e punëdhënësit, dhe punëmarrësit.
6. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NDRYSHIMIT TË STATUSIT, NGA TOKË BUJQËSORE NË TOKË TRUALL, PËR NDËRTIMIN E NJË FABRIKE TË PRODHIMIT TË PANELEVE SANDUIÇE (KAPANON 1 KAT DHE ZYRA 2 KATE), STRUKTURË ME FUNKSION PRODHUES, INDUSTRIAL, PËRFSHIRË EDHE ATO ME MATERIAL POROSITËSI NGA SHOQËRIA “EMANTE”, SH.P.K.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 11/1, të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e ndryshimit të statusit, nga tokë bujqësore në tokë truall, të sipërfaqes prej 19 889 (nëntëmbëdhjetë mijë e tetëqind e tetëdhjetë e nëntë) m², sipas lidhjes 1, bashkëlidhur këtij vendimi, për ndërtimin e një fabrike të prodhimit të paneleve sanduiçe (kapanon 1 kat dhe zyra 2 kate), strukturë me funksion prodhues, industrial, përfshirë edhe ato me material porositësi nga shoqëria “Emante”, sh.p.k.
2. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës të Qarkut Durrës të pasqyrojë në dokumentacionin kadastral përkatës ndryshimet e kategorisë së resursit, nga tokë bujqësore në tokë truall, për sipërfaqen prej 19 889 (nëntëmbëdhjetë mijë e tetëqind e tetëdhjetë e nëntë) m², sipas pikës 1, të këtij vendimi.
3. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Qarkut Durrës, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës dhe Bashkia Durrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.547, DATË 9.8.2006, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN E AGJENCISË KOMBËTARE TË BURIMEVE NATYRORE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në pikën 3, të vendimit nr.547, datë 9.8.2006, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen shtesat, si më poshtë vijon:
a) Në fund të paragrafit “- Monitoron kontratat koncesionare për hidrocentralet” shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Monitorimi i prodhimit të energjisë elektrike do të kryhet çdo 5 vjet dhe, për efekt penaliteti, vlerësimi do t’i referohet mesatares së prodhimit të energjisë, duke filluar nga viti i parë i plotë financiar i vënies në punë të hidrocentralit.”.
b) Në fund të pikës shtohet paragrafi, si më poshtë vijon:
“ – Ndjek procesin e vlerësimit të investimeve të kryera për projektet e ndërtimit të kapaciteteve prodhuese të energjisë elektrike, në bashkëpunim me ekspertë vlerësues të pavarur, të caktuar nga ministri përgjegjës për sektorin e energjisë. Autoriteti kontraktues miraton raportin përfundimtar të vlerësimit. Shpenzimet për pagesën e ekspertëve vlerësues për llogaritjen e investimeve do të mbulohen nga subjekti që realizon projektin e ndërtimit të kapaciteteve prodhuese të energjisë elektrike.”.
2. Procedurat e hollësishme për zbatimin e pikës 1, të këtij vendimi, miratohen me udhëzim të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë.
3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.103, DATË 4.2.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN DHE MËNYRËN E ORGANIZIMIT E TË FUNKSIONIMIT TË INSPEKTORATIT SHTETËROR TË MJEDISIT DHE PYJEVE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 10, pika 1, dhe 11, pikat 1 e 2, të ligjit nr.10433, datë 16.6.2011, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 16, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.103, datë 4.2.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:
a) Në titull dhe në vendim, emërtimi “Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave” dhe akronimi “ISHMPU” zëvendësohen përkatësisht me “Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit” dhe “ISHMPUT”.
b) Kudo në vendim, fjalët “… ministria që mbulon fushën e mjedisit …” dhe “… ministri përgjegjës për mjedisin …” zëvendësohen me “… ministria që mbulon fushën e turizmit dhe mjedisit …” dhe “… ministri përgjegjës për turizmin dhe mjedisin …”.
c) Kudo në vendim, fjalët “… në fushën e mjedisit, pyjeve dhe ujërave …” zëvendësohen me “… në fushën e mjedisit, pyjeve, ujërave dhe turizmit …”.
ç) Pikat 1, 2, 3, të kreut të II, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“1. ISHMPUT-ja ka si mision garantimin e respektimit të kërkesave ligjore në fushën e mbrojtjes nga kundërvajtjet administrative të mjedisit, pyjeve, ujërave dhe turizmit.
2. ISHMPUT-ja është përgjegjëse për të gjitha funksionet e inspektimit që lidhen me dënimet për kundërvajtjet administrative në fushën përkatëse, në përputhje me përgjegjësitë e ministrisë përgjegjëse për turizmin dhe mjedisin.
3. Përveç sa parashikohet në pikën 2, të këtij kreu, ISHMPUT-ja është përgjegjëse për çdo funksion apo kompetencë tjetër të përcaktuar nga legjislacioni në fuqi, për inspektoratin shtetëror që mbulon fushën e turizmit dhe mjedisit, lidhur me kundërvajtjet administrative.”.
d) Shkronjat “dh” dhe “e”, të pikës 3, të kreut III, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“dh) siguron zbatimin dhe kontrollin e zbatimit të akteve ligjore dhe nënligjore që rregullojnë veprimtarinë në fushën e inspektimit të mjedisit, pyjeve, ujërave dhe turizmit lidhur me dënimin për kundërvajtjet administrative;
e) ushtron çdo funksion tjetër të përcaktuar në ligje të tjera të posaçme, që ka të bëjë me mbrojtjen e mjedisit dhe turizmin nga kundërvajtjet administrative.”.
dh) Në pikën 7, të kreut III, pas fjalëve “… drejtorin përgjegjës për inspektimin e ujërave;” shtohenn “… drejtorin përgjegjës për inspektimin në fushën e turizmit;”.
2. Nëpunësit civilë aktualë të Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, (ISHMT), të cilët kryejnë funksionet e inspektimit për kundërvajtjet administrative në fushën e turizmit, funksione të cilat kalojnë në Inspektoratin Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit, transferohen me përparësi pranë ISHMPUT-së, në zbatim të legjislacionit të nëpunësit civil, në rastin e mbylljes dhe të ristrukturimit të institucioneve.
3. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, shkronja “e”, e pikës 4, të kreut II, të vendimit nr.36, datë 20.1.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut”, shfuqizohet.
4. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit dhe Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI
***
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN “ZONË ME PËRPARËSI ZHVILLIMI” TË “BAZËS SË TUBOVE”, ZHUPAN, FIER, ME SIPËRFAQE 49 347 m2, NË PRONËSI TË SHOQËRISË “ALBPETROL”, SH.A.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 3, pika 19, dhe 8, pika 3, shkronja “dh”, të ligjit nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, dhe në vijim të pikave 4 e 5, të kreut II, të vendimit nr.1023, datë 16.12.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për nënsektorët strategjikë dhe zonat me përparësi zhvillimi”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen “Zonë me përparësi zhvillimi” të territorit të “Bazës së tubove”, me sipërfaqe 49 347 (dyzet e nëntë mijë e treqind e dyzet e shtatë) m², pjesë e zonës kadastrale nr.3934, në Zhupan, Fier, në përbërje të së cilës janë parcelat me numra pasurie sipas listës në shtojcën nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Shtrirja dhe kufijtë e kësaj zone përcaktohen në hartën treguese, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Ngarkohet shoqëria “Albpetrol”, sh.a., të ndjekë procedurat ligjore për zvogëlimin e kapitalit të shoqërisë dhe të bëjë zhvendosjen e pasurive të luajtshme, që ndodhen në këtë zonë.
4. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe shoqëria “Albpetrol”, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË BASHKËPUNIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KOMISIONIT NDËRKOMBËTAR PËR PERSONAT E ZHDUKUR (ICMP)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË (MARRËSI), PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË, DHE KFW, FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT “FONDI PËR ARSIMIN E FORMIMIN PROFESIONAL (AFP) DHE PUNËSIMIN, QENDRA SHUMËFUNKSIONALE NË KAMZË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19 e 22, të ligjit nr. 43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (marrësi), përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe KfW, Frankfurt am Main (KfW), për financimin e projektit “Fondi për arsimin e formimin profesional (AFP) dhe punësimin, Qendra Shumëfunksionale në Kamzë”, me një grant në shumën prej 4 500 000 (katër milionë e pesëqind mijë) eurosh, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletore zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DENONCIMIN E MARRËVESHJES NDËRKOMBËTARE, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIMIN FINANCIAR 2010, PËR PROJEKTIN “EFIÇENCA ENERGJETIKE PËRMES SEKTORIT BANKAR” RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.89/2015”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 29, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për denoncimin e marrëveshjes ndërkombëtare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin financiar 2010, për projektin “Efiçenca energjetike përmes sektorit bankar”, ratifikuar me ligjin nr.89/2015”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES KUADËR, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË MALIT TË ZI, PËR MARRËDHËNIET E NDËRSJELLA NË MENAXHIMIN E BURIMEVE UJORE NDËRKUFITARE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 18, të ligjit nr.111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes kuadër, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Malit të Zi, për marrëdhëniet e ndërsjella në menaxhimin e burimeve ujore ndërkufitare, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLAVE TË HOLLËSISHME PËR PRODHIMIN, KALIMIN, RREGULLAT PËRJASHTUESE TË PRODHIMIT DHE KONTROLLIN E PRODHIMIT BIOLOGJIK BIMOR DHE TË ALGAVE TË DETIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13, pika 3, 18, 24 e 33, të ligjit nr.106/2016, “Për prodhimin biologjik, etiketimin e produkteve biologjike dhe kontrollin e tyre”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullave të hollësishme për prodhimin, kalimin, rregullat përjashtuese të prodhimit dhe kontrollin e prodhimit biologjik bimor dhe të algave të detit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, trupat e kontrollit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLAVE PËR REGJISTRIMIN, TË PROCEDURËS DHE KRITEREVE TË VLERËSIMIT TË PRODUKTEVE PËR MBROJTJEN E BIMËVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 19, të ligjit nr.105/2016, “Për mbrojtjen e bimëve”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. TË PËRGJITHSHME, PËRKUFIZIME
1. Qëllimi i këtij vendimi është përcaktimi i rregullave për regjistrimin, procedurës dhe kritereve të vlerësimit të produkteve për mbrojtjen e bimëve (PMB), që do të importohen, do të vendosen në treg dhe do të përdoren në territorin e Republikës së Shqipërisë.
2. PMB-të vendosen në treg dhe përdoren brenda territorit të Republikës së Shqipërisë vetëm në rastet kur janë të regjistruara në përputhje me këtë vendim.
3. Përkufizimet e përdorura në ligjin nr.105/2016, “Për mbrojtjen e bimëve”, kanë të njëjtin kuptim edhe në këtë vendim, ndërsa përkufizimet shtesë, në kuptimin e këtij vendimi, janë:
3.1. “Lëndë vepruese”, lënda ose mikroorganizmi, përfshirë viruset, që ka një veprim, specifik ose të përgjithshëm te bimët, produktet e tyre dhe organizmat dëmtues;
3.2. “Lëndë vepruese teknike”, lënda e përdorur në prodhimin e PMB-së dhe që përmban lëndën vepruese të pastër, së bashku me papastërtitë, brenda kufijve të lejuar;
3.3. “Lëndë vepruese e re”, lënda vepruese e prodhuar dhe e patentuar nga një prodhues i caktuar, sipas rregullave ndërkombëtare që mbrojnë të drejtën e autorësisë për shpikje, e cila është e miratuar me urdhër të ministrit;
3.4. “Lëndë vepruese e vjetër”, lënda vepruese, prodhimi i së cilës, mbështetur në rregullat ndërkombëtare, është i lirë dhe i miratuar me urdhër të ministrit;
3.5. “Emër tregtar i PMB-së”, emri që i jepet një PMB-je, i cili mund të jetë një emër i krijuar, shkencor apo shkencor i shoqëruar nga një markë tregtare ose emri i mbajtësit të autorizimit të tregtimit, me të cilin PMB-ja është e propozuar nga aplikanti i saj dhe me të cilin ajo regjistrohet, etiketohet dhe ambalazhohet;
3.6. “Formulim”, një përzierje e lëndës/ve vepruese me shtues të caktuar (ngjitës, lagës, emulsionues, pezullues, tretës etj.). Në bazë të këtyre shtuesve përcaktohen edhe llojet (kodet) e formulimeve të PMB-ve;
3.7. “Pajtueshmëri e PMB-së”, mundësia e bashkimit të dy ose më shumë PMB-ve gjatë trajtimit, por pa shkaktuar fitotoksicitet te bimët që trajtohen. Zakonisht, kjo pasqyrohet në dokumentacionin e PMB-së që regjistrohet;
3.8. “Vrasës me tërheqje”, një kurth i përbërë nga një feromon dhe një insekticid kontakti, në sasi të vogël, që përdoret, kryesisht, në programet e integruara të kontrollit të dëmtuesve;
3.9. “Periudhë e sigurisë”, intervali kohor, i shprehur në ditë, ndërmjet trajtimit të fundit dhe vjeljes, ndërsa, për produktet e magazinuara, ndërmjet trajtimit të fundit dhe vendosjes në treg;
3.10. “Periudhë e rihyrjes”, intervali kohor, i shprehur në ditë, nga çasti i kryerjes së trajtimit deri kur punëtori mund të hyjë në mjedisin ose zonën e trajtuar pa përdorur mjete mbrojtëse individuale;
3.11. “PMB me natyrë inorganike”, PMB-ja që ka në përmbajtje vetëm lëndë vepruese inorganike;
3.12. “Largues (Repelent)”, lënda vepruese që, për karakteristikat specifike të erës (aromës), ngjyrës, efektit mekanik etj. është e aftë të largojë fitoparazitë të caktuar;
3.13. “Aplikant ose mbajtës i dokumentit të regjistrimit”, personi apo subjekti që prodhon një PMB, i cili ia beson prodhimin e saj një të treti ose një personi të emëruar nga prodhuesi, si përfaqësues i tij ekskluziv, për regjistrimin e PMB-së;
3.14. “Efekt i padëshiruar”, përgjigjja e padëshiruar ose e dëmshme e bimës gjatë administrimit të një PMB-je në kushte normale përdorimi;
3.15. “Efekt i padëshiruar, serioz”, çdo efekt i padëshiruar, që rezulton në tharje të bimës;
3.16. “Efekt i padëshiruar, i papritur”, çdo efekt i padëshiruar, natyra, rëndësia ose rezultati i të cilit nuk është në përputhje me përmbledhjen e karakteristikave të PMB-së;
3.17. “Seri”, një sasi e caktuar e lëndës së parë, e materialit ambalazhues ose e produktit përfundimtar, e prodhuar gjatë një procesi të vetëm ose disa proceseve në seri, e cila siguron homogjenitetin e gjithë sasisë;
3.18. “Fletudhëzues”, fletëpalosja që përmban informacion për përdoruesin dhe që shoqëron PMB-në e gatshme për përdorim;
3.19. “Reklamim për PMB-në”, çdo formë informimi, veprimtari mbështetëse ose nxitëse e destinuar për të rritur informimin për përdorimin e PMB-së;
3.20. “Doza e përdorimit”, sasia e lëndës vepruese ose e PMB-së për njësinë e sipërfaqes, duke përcaktuar dhe sasinë e tretësirës spërkatëse që duhet të përdoret. Mund të shprehet edhe në përqindje;
3.21. “PMB me prejardhje bimore”, PMB-së, lënda vepruese e së cilës përmban një ose më shumë lëndë me prejardhje bimore, të kombinuara me një a më shumë përgatesa me prejardhje bimore;
3.22. “Farmakovigjilencë”, shkenca dhe veprimtaria që merret me zbulimin, evidentimin dhe vlerësimin e efekteve të padëshiruara dhe/ose të dëmshme të PMB-ve, për parandalimin e mundshëm të tyre, si dhe me çdo problem që lidhet me sigurinë dhe efektshmërinë e PMB-ve;
3.23. “Tërheqës (Feromon)”, substanca e sekretuar jashtë organizmit, shumë avulluese dhe që metabolizohet menjëherë, sapo kërkohet transmetimi i mesazhit, ndërmjet insekteve të së njëjtës specie. Është lëndë me erë karakteristike të femrave të dëmtuesit që do të kontrollohet, e cila përdoret për tërheqjen e meshkujve në “kurthe seksuale”. Përdoret, kryesisht, në programet e integruara të kontrollit të dëmtuesve si dhe në monitorimin e tyre.
II. REGJISTRIMI I PMB-ve
1. Të gjitha PMB-të, që vendosen në treg dhe përdoren në territorin e Republikës së Shqipërisë, duhet të jenë vetëm të regjistruara.
2. Në Republikën së Shqipërisë pranohen për regjistrim vetëm PMB-të që janë të regjistruara në një nga vendet e Bashkimit Evropian.
3. Regjistrimi i PMB-ve kryhet nga Komisioni i Regjistrimit të PMB-ve (KRPMB), i ngritur në ministri. Komisioni është organ kolegjial teknik, i përhershëm, i cili funksionon në mënyrë periodike në procedurën e regjistrimit të PMB-ve. Komisioni përbëhet nga 5 anëtarë, si më poshtë vijon:
a) zëvendësministri, i cili kryeson komisionin;
b) dy përfaqësues nga ministria;
c) një përfaqësues nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit;
ç) një përfaqësues nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV).
Sekretar i komisionit të regjistrimit të PMB-ve është specialisti që mbulon PMB-të pranë strukturës përgjegjëse të mbrojtjes së bimëve (SPMB).
4. Emrat e anëtarëve të komisionit, sipas shkronjave “c” e “ç”, të pikës 3, të këtij kreu, propozohen nga institucionet përkatëse. Komisioni ngrihet me urdhër të ministrit. Anëtarët e komisionit nuk duhet të kenë konflikt interesi në fushën e PMB-ve. Ata, paraprakisht, duhet të deklarojnë marrëdhëniet, nëse kanë, me subjektet e tregtimit të PMB-ve.
5. Komisioni është organ vendimmarrës dhe funksionon, si më poshtë vijon:
5.1 Komisioni mblidhet kur e kërkon kryetari ose 2/3 e anëtarëve të tij;
5.2 Radha e shqyrtimit të dokumentacionit për regjistrim të PMB-ve bëhet sipas datës së pranimit të tyre;
5.3 Komisioni i zhvillon mbledhjet me pjesëmarrjen e shumicës së thjeshtë të anëtarëve të tij dhe, pasi shqyrton mendimet e ISUV-it, merr vendim me 2/3 e anëtarëve të pranishëm;
5.4 Komisioni, në mbledhjet e tij, shqyrton:
a) etiketën përfundimtare të çdo PMB-je, bazuar në p/etiketën e paraqitur nga aplikanti;
b) regjistrimin e PMB-ve në procedurë regjistrimi;
c) riregjistrimin e PMB-ve që kanë përfunduar afatet dhe që janë në procedurë riregjistrimi;
ç) modifikimin e etiketës së PMB-së, për sa i përket:
i. zgjerimit të fushës së përdorimit;
ii. dozave të përdorimit;
iii. parazitëve që kontrollon;
iv. mënyrave të përdorimit;
v. ambalazhit bazë (forma, madhësia, lloji, treguesit cilësorë teknikë të tij);
vi. periudhës dhe kushteve të ruajtjes;
vii. kushteve të përdorimit për PMB-të që mund përbëjnë rrezik për shëndetin e përdoruesve, të bimëve ku përdoren, konsumatorëve, ndikimit në mjedis.
d) ndryshimin e formulimit dhe/ose të përmbajtjes në sasi ose përqindje të lëndës/ve vepruese të një PMB-je të regjistruar më parë.
5.5 Në përfundim të mbledhjes hartohet një procesverbal përmbledhës për vendimet e marra. Procesverbali mbahet në tri kopje, nga të cilat, dy kopje mbahen nga SPMB-ja dhe kopja e tretë depozitohet në arkivin e ministrisë, bashkë me një kopje të dokumenteve të regjistrimit (certifikatë dhe etiketë). Procesverbali nënshkruhet nga anëtarët pjesëmarrës në mbledhje;
5.6 Dokumentet e regjistrimit (certifikata dhe etiketa) të PMB-ve të miratuara përgatiten nga sekretari dhe firmosen nga kryetari i komisionit brenda 10 ditëve, nga data e mbledhjes së komisionit;
5.7 Dokumentet e regjistrimit të PMB-ve të miratuara u jepen aplikantëve nëpërmjet zyrës së protokollit të ministrisë, pas kryerjes së pagesës, duke shënuar numrin dhe datën e protokollit në ditën e marrjes së tyre.
6. Vendimi për refuzimin e regjistrimit mund të ankimohet pranë ministrit.
7. SPMB-ja pёrgatit listёn e PMB-ve tё regjistruara sa herё qё pёson ndryshime dhe e publikon nё faqen zyrtare tё ministrisё.
8. Lista pёrmban tё dhёnat, si më poshtë vijon:
a) Emrin tregtar tё PMB-sё;
b) Emrin e lёndёs/ve vepruese tё saj;
c) Aplikantin e PMB-sё;
ç) Prodhuesin e PMB-sё;
d) Klasifikimin e PMB-sё sipas parazitёve qё kontrollon (insekticid, herbicid, fungicid etj.);
dh) Datёn dhe numrin e regjistrimit tё PMB-sё.
9. Tarifat administrative pёr regjistrimin e PMB-ve pёrballohen nga aplikantёt dhe derdhen nё buxhetin e shtetit.
10. Tarifat administrative pёrcaktohen me udhёzim tё pёrbashkёt tё ministrit dhe tё ministrit përgjegjës për financat.
III. KËRKESAT E PËRGJITHSHME PËR REGJISTRIM
1. Një PMB regjistrohet nëse përmbush këto kërkesa:
a) Lënda/ët vepruese në përmbajtje të saj të jenë të miratuara me urdhër të ministrit;
b) Tё jetё mjaftueshmёrisht efektive pёr kontrollin e organizmave tё dёmshёm, tё pёrcaktuar nё dosjen e PMB-sё;
c) Tё mos ketё efekte tё papranueshme (tё dёmshme) nё bimёt apo produktet bimore ku pёrdoret;
ç) Tё mos shkaktojё vuajtje dhe dhimbje tё papranueshme te vertebrorёt qё i kontrollon;
d) Tё mos ketё efekt tё dёmshёm, tё drejtpёrdrejtё ose tё tёrthortё, mbi shёndetin e njerёzve apo kafshёve, qё e marrin atё nёpёrmjet ujit tё pijshёm a ushqimit, ose tek ujёrat nёntokёsore;
dh) Tё mos ketё ndikim tё papranueshёm në mjedis, veçanёrisht, pёr sa i pёrket:
i. shpёrndarjes nё mjedis, me referim tё veçantё nё ndotjen e ujёrave, pёrfshirё ujin e pijshёm dhe ujёrat freatike;
ii. ndikimit te speciet e bimёve e tё kafshёve, qё nuk janё objekt trajtimi;
iii. pёrcaktimit tё distancave tё largёsisё qё duhen respektuar nё momentin e pёrdorimit tё PMB-ve, pёr mbrojtjen e burimeve ujore, bimёve dhe kafshёve.
e) Tё plotёsojë kёrkesat pёr paketimin dhe etiketimin e saj sipas legjislacionit në fuqi;
ë) Vetitё fiziko-kimike të PMB-sё tё jenё tё pranueshme pёr qёllimin e pёrdorimit dhe tё magazinimit;
f) Metodat e pёrcaktimit tё lёndёve vepruese, tё papastёrtive, tё mbetjeve toksike ose ekologjikisht tё dёmshme, mbetjeve nё tokё, ujё, ajёr, bimё ose produkt bimor, të jenё pjesё e dosjes sё regjistrimit;
g) Mbetjet e bimёve apo tё produkteve bimore, qё pёrdoren si ushqim pёr kafshёt ose pёr njerёzit, tё mos tejkalojnё kufijtё e lejuar;
gj) Tё plotёsojё standardet sipas specifikimeve tё Organizatës për Ushqim dhe Bujqësi (FAO) pёr produktet e mbrojtjes sё bimёve;
h) Tё mos emёrtohet me njё emёr tregtar, i cili:
i. i korrespondon emrit tregtar tё njё PMB-je tё regjistruar mё parё;
ii. mund tё çojё nё konfuzion ose mashtrim lidhur me efektin dhe vetitё e njё PMB-je.
2. Regjistrimi duhet tё saktёsojё kёrkesat e tregtimit e tё pёrdorimit tё PMB-sё dhe, tё paktёn, ato tё nevojshmet, pёr tё qenё në rregull me kёrkesat e shkronjave “b” deri në “e”, të pikёs 1, tё kёtij kreu.
IV. PËRMBAJTJA E DOSJES SË PMB-SË. APLIKIMI PËR REGJISTRIM
1. Aplikimi për regjistrimin e PMB-së përmban:
a) kërkesën e aplikantit për regjistrimin e PMB-së, në gjuhën shqipe;
b) të dhënat teknike të dosjes së regjistrimit të PMB-së, në gjuhën shqipe ose angleze, në dosje dhe në formë elektronike (CD), të miratuara me urdhër të ministrit;
c) tё dhёnat që provojnё se PMB-ja është e regjistruar nga aplikanti në një nga vendet e Bashkimit Evropian ose aplikanti ka marrë me shkrim aksesin e përdorimit të regjistrimit nga subjekti që e ka regjistruar në një nga vendet e Bashkimit Evropian, të cilat janë: certifikata e regjistrimit ose vërtetimi i lëshuar nga institucionet zyrtare kompetente, numri i regjistrimit, sipas adresës elektronike të shtetit që e ka regjistruar PMB-në, dhe etiketa përkatëse. Etiketa të jetë e përkthyer dhe në gjuhën shqipe;
ç) dokumentacionin për të dhënat e sigurisë (MSDS), sipas përcaktimeve të ligjit nr.27/2016, “Për menaxhimin e kimikateve”. MSDS-ja të jetë e përkthyer edhe në gjuhën shqipe.
2. Për PMB-të, të cilat në përmbajtje të tyre kanë lëndë vepruese të vjetra, të miratuara me urdhër të ministrit, kërkesat sipas shkronjës “b”, të pikës 1, të këtij kreu, plotësohen në mënyrë të përmbledhur.
Në rastet kur aplikanti ka mbrojtur në institucionin përgjegjës në BE lëndën/ët vepruese në përmbajtje të PMB-së, në kërkesat e shkronjës “b”, të pikës 1, të kёtij kreu, nuk kërkohen të dhënat për lëndën vepruese, por vetëm dokumenti që provon se ajo është mbrojtur në BE nga aplikanti.
3. Për PMB-të, të cilat në përmbajtje të tyre kanë lëndë vepruese me prejardhje bimore, acidesh yndyrore etj., dhe që përdoren si tërheqëse, vrasëse me tërheqje, larguese (repelentë) etj., të miratuara me urdhër të ministrit, kërkesat sipas shkronjës “b”, të pikës 1, të këtij kreu, plotësohen në mënyrë të përmbledhur vetëm për PMB-në. Regjistrimi bëhet me miratim nga Komisioni i Regjistrimit të PMB-ve, pa kaluar dokumentacioni në ISUV.
4. Për PMB-të, të cilat në përmbajtje të tyre kanë lëndë vepruese të reja, të miratuara me urdhër të ministrit, aplikimi kryhet vetëm nga patentuesit e tyre ose aplikantët e autorizuar prej tyre dhe kërkesat, sipas shkronjës “b”, të pikës 1, të këtij kreu, plotësohen në mënyrë të përmbledhur, vetëm për PMB-në.
5. Për PMB-të me natyrë inorganike si dhe ato, që në përmbajtje të tyre kanë vajra minerale, dokumentacioni teknik, sipas kërkesave të shkronjës “b”, të pikës 1, të këtij kreu, përfshin, në mënyrë të përmbledhur, vetëm të dhënat për PMB-në.
6. Për PMB-të, të cilat në përmbajtje të tyre kanë lëndë vepruese që nuk janë me status të përcaktuar, të miratuara me urdhër të ministrit, kërkesat sipas shkronjës “b”, të pikës 1, të këtij kreu, plotësohen në mënyrë të përmbledhur. Nëse lënda vepruese në përmbajtje të PMB-së është e re, aplikimi kryhet sipas kërkesave të pikës 4, të këtij kreu.
7. Të dhënat sipas përcaktimeve të pikës 1, të këtij kreu, mbahen në arkivin e SPMB-së.
V. PROCEDURA E REGJISTRIMIT TË PMB-ve
1. Sekretari merr në dorëzim dosjen e regjistrimit dhe e fut në procedurë regjistrimi kur ajo përmbush kërkesat e përgjithshme, të përcaktuara në këtë vendim, verifikimi i të cilave bëhet brenda 20 ditëve, nga dita e marrjes në dorëzim të dosjes. Nëse dosja nuk është e plotë ose nuk përmbush kërkesat e përgjithshme, sipas dispozitave të këtij vendimi, brenda 20 ditëve, nga dita e marrjes në dorëzim të dosjes, aplikanti vihet në dijeni, ku i paraqiten edhe arsyet e mospranimit ose kërkesat për të dhëna shtesë.
2. Në rastet e përmbushjes së kërkesave të përgjithshme, të përcaktuara në këtë vendim, dokumentacioni teknik i PMB-së, në dosje dhe në formë elektronike (CD), dërgohet në ISUV menjëherë pas përfundimit të verifikimit të kryer nga sekretari, por jo më shumë se 25 ditë, nga data e marrjes në dorëzim të dosjes.
3. Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV) bën vlerësimin e dokumentacionit teknik të PMB-ve në procesin e regjistrimit të tyre.
Vlerёsimi bёhet nё bazё tё njohurive bashkёkohore tekniko-shkencore dhe nё bazё tё pёrmbajtjes e tё vlerёsimit tё dokumentacionit teknik si dhe duke pasur parasysh tё gjitha kushtet normale tё pёrdorimit dhe pasojat nga pёrdorimi.
ISUV-i bën këtë vlerësim brenda 25 ditëve, nga data e marrjes së dokumentacionit teknik, dhe dërgon me shkrim mendimin në SPMB.
4. Sekretari përgatit materialin përmbledhës për mbledhjen e radhës së KRPMB-së brenda 10 ditëve, nga ardhja e mendimeve të ISUV-it.
5. Sekretari përgatit dokumentin e regjistrimit për çdo PMB të miratuar. Kryetari i komisionit njofton aplikantin për regjistrimin ose jo të PMB-së.
VI. DOKUMENTI I REGJISTRIMIT
1. Dokumenti i regjistrimit të PMB-së përmban certifikatën e regjistrimit dhe etiketën me fletudhëzuesin. Certifikata e regjistrimit të PMB-së lëshohet nga kryetari i komisionit, jo më vonë se 5 ditë nga data e mbledhjes së komisionit dhe shoqërohet me etiketën dhe fletëudhëzuesin.
Dokumenti i regjistrimit të PMB-së mbahet në tri kopje origjinale, nga të cilat njëra mbahet në arkivin e ministrisë, njëra në arkivin e SPMB-së ndërsa kopja tjetër i jepet aplikantit.
1.1. Certifikata e regjistrimit, e cila plotësohet në gjuhën shqipe, përmban:
a) emrin tregtar të PMB-së;
b) numrin dhe datën e regjistrimit;
c) emrin e aplikantit dhe adresën e tij;
ç) emrin e prodhuesit dhe adresën e tij;
d) emrin/at dhe adresën/at e fabrikimit të PMB-së;
dh) emrin e lëndës/ve vepruese të tij;
e) tipin e PMB-së (p.sh., fungicid, insekticid, nematocid etj.);
ë) klasifikimin e PMB-së (shumë helmues, helmues etj.), duke theksuar shënimin për PMB-të me rrezikshmëri të lartë;
f) përmbajtjen e lëndës/ve vepruese në %, gr/lit ose gr/kg;
g) tipin e formulimit;
gj) pamjen e jashtme të PMB-së (granula me ngjyrë …, lëng me ngjyrë …., pluhur me ngjyrë …., etj.);
h) kushtёzimet, qё, eventualisht, mund tё shoqёrojnё regjistrimin;
i) afatin e përfundimit të regjistrimit;
j) mënyrën e përdorimit të PMB-së (me shënimin: shih etiketën dhe fletudhëzuesin bashkëlidhur).
1.2. Etiketa e PMB-së përmban:
a) emrin tregtar dhe përcaktimin “Produkt për mbrojtjen e bimëve”;
b) emrin dhe adresën e mbajtësit të dokumentit të regjistrimit (aplikantit);
c) për PMB-të e klasifikuara “PMB me rrezik të lartë”, shprehjet: “PMB me rrezik të lartë”, “Të përdoret vetëm nga përdorues profesionistë”;
ç) emrin dhe adresën e prodhuesit të PMB-së;
d) emrin/at e zakonshëm të lëndës/ve vepruese;
dh) përmbajtjen e lëndës/ve vepruese te PMB-ja;
e) numrin e serisë ose shenja tё tjera identifikuese;
ë) rreziqet e veçanta pёr shёndetin e njerёzve, tё kafshёve e ndikimit nё mjedis, sipas legjislacionit në fuqi që rregullon klasifikimin, ambalazhimin dhe etiketimin e kimikateve;
f) tipin e formulimit;
g) tipin e PMB-sё (p.sh., insekticid, herbicid etj.);
gj) sasinë neto të PMB-sё apo lёndёs vepruese, qё ndodhet nё ambalazhin bazё;
h) llojin e ambalazhit bazё (pёr formulimet lёngje, COEX ose HDPE; pёr formulimet e ngurta, material 3-shtresor pёr mbrojtjen nga lagёshtia);
i) datën e skadencёs sё PMB-sё, ruajtur sipas kёrkesave tё pёrcaktuara nё dosje;
j) rekomandimet pёr kushtet e ruajtjes;
k) fjalët “Lexo fletudhëzuesin para pёrdorimit”.
1.3. Fletudhëzuesi i PMB-së, përveç të dhënave të etiketës, sipas pikës 1.2 tё kёtij kreu, përmban përshkrimet për:
a) masat pёr mbrojtjen e njerёzve, të kafshёve dhe mjedisit, sipas legjislacionit në fuqi, që rregullon klasifikimin, ambalazhimin dhe etiketimin e kimikateve;
b) shenjat e pёrgjithshme, nё rast helmimi, udhёzime pёr ndihmёn e parё dhe kёshilla pёr mjekun;
c) pёrdorimin, pёr tё cilin PMB-ja ёshtё e regjistruar;
ç) udhëzimet pёr pёrdorimin si dhe dozat e pёrdorimit, tё shprehura nё sistemin metrik, pёr kulturat dhe kushtet specifike bujqёsore, agroteknike e mjedisore;
d) kushtet specifike bujqёsore, tё mjedisit dhe tё shёndetit tё bimёve, nё tё cilat PMB-ja mund tё pёrdoret ose jo;
dh) rekomandimet lidhur me shmangien e rezistencёs;
e) periudhën e sigurisё ndёrmjet kohёs sё pёrdorimit tё PMB-sё dhe:
i. mbjelljes sё bimёs, ku pёrdoret;
ii. mbjelljes sё bimёve pasardhёse;
iii. rihyrjes sё njerёzve apo kafshёve nё zonёn ku ёshtё pёrdorur PMB-ja;
iv. vjeljes sё prodhimit;
v. pёrdorimit tё bimёs pёr shitje ose pёr konsum (periudha e sigurisё ose karenca);
vi. pёrdorimit tё PMB-ve tё tjera nё tё njёjtёn zonё ose mbi tё njёjtёn bimё.
ë) tё dhёnat pёr fitotoksicitetin, ndjeshmёrinё e kultivarёve tё ndryshёm dhe ndaj çdo efekti tё padёshirueshёm serioz ose tё papritur, tё drejtpёrdrejtё ose tё tёrthortё, mbi produktet bimore ose ato me origjinё bimore, bashkёrisht me intervalet e vёrejtura ndёrmjet aplikimit dhe mbjelljes sё kulturёs nё fjalё ose tё kulturёs pasardhёse;
f) tё dhёnat pёr pajtueshmёrinё e PMB-sё;
g) instruksionet pёr asgjёsimin e PMB-sё dhe tё ambalazheve;
gj) instruksionet pёr pёrdorimin pa rrezik tё PMB-sё apo tё ambalazhit tё saj, sipas legjislacionit në fuqi që rregullon klasifikimin, ambalazhimin dhe etiketimin e kimikateve.
2. Etiketa e ambalazhit tё PMB-sё nuk duhet tё pёrmbajё shёnime tё tilla si: “jo helmues”, “i padёmshёm” ose shёnime tё tjera tё ngjashme, apo figura të bimëve, pjesëve të bimëve, produkteve bimore, insekteve si dhe objekteve të tjera, të cilat tërheqin vëmendjen e njerëzve dhe, sidomos, të fëmijëve.
3. Nё etiketё duhet tё shënohet nёse PMB-ja mund tё pёrdoret kur bletёt ose insektet e dobishme janё nё aktivitet apo kur kulturat dhe/ose bimёt e dёmshme janё nё lulёzim, ose tё vendosen shёnime tё tjera analoge, qё njoftojnё pёr mbrojtjen e bletёve dhe tё insekteve tё dobishme, nёse regjistrimi parashikon qartёsisht pёrdorimin gjatё periudhave tё pranisё sё bletёs ose tё organizmave tё tjerë tё specifikuar, dhe qё rreziqet pёr to janё tё parёndёsishme. Duhet tё shënohet, gjithashtu, edhe distanca e largёsisё nga burimet ujore, qё duhet respektuar pёr mbrojtjen nga pёrdorimi i PMB-ve.
4. Piktogramet e rrezikut si dhe përcaktimet për rrezikun e kujdesin vendosen sipas legjislacionit që rregullon klasifikimin, ambalazhimin dhe etiketimin e kimikateve.
5. Përmbajtja e etiketës duhet të jetë në gjuhën shqipe.
VII. AFATET, RISHIKIMI, MODIFIKIMI, PEZULLIMI, ÇREGJISTRIMI DHE RIREGJISTRIMI I PMB-ve
1. Afatet e vlefshmёrisё sё regjistrimit tё PMB-ve janё, si më poshtë vijon:
a) 1 vit mё shumё se afatet e lёndёs/ve vepruese nё pёrmbajtje tё tyre, të miratuara me urdhër të ministrit;
b) 3-vjeçare, deri në marrjen e statusit përfundimtar të lëndës/ve vepruese që nuk janë me status të përcaktuar, të miratuara me urdhër të ministrit;
c) të pёrditёsuara, sipas urdhrit tё ministrit pёr pёrditёsimin e lёndёs/ve vepruese nё pёrmbajtje tё PMB-ve.
2. Ministri, nё rastet emergjente, kur kontrolli i njё paraziti gjykohet se nuk realizohet me PMB-tё e regjistruara, me propozimin e SPMB-së urdhёron lejimin e pёrkohshёm, pёr njё periudhё deri nё 120 (njëqind e njëzet) ditё, tё tregtimit ose pёrdorimit tё njё sasie tё caktuar e tё kontrolluar tё njё PMB-je tё paregjistruar, e cila ka nё pёrmbajtje tё saj lёndё vepruese të miratuara me urdhër të ministrit.
3. Rishikimi i regjistrimit tё njё PMB-je kryhet nё rastet kur:
a) njё nga kushtet ku ёshtё bazuar regjistrimi, nё pёrputhje me kёrkesat e kёtij vendimi, ёshtё ndryshuar nё mёnyrё thelbёsore;
b) aplikanti e kёrkon njё gjё tё tillё, duke paraqitur dokumentacionin shtesё pёr dosjen e regjistrimit;
c) pёrdorimi i PMB-sё mund tё sjellё rreziqe pёr shёndetin e njerёzve, tё kafshёve ose tё mjedisit.
4. Modifikimi i dokumentit të regjistrimit të një PMB-je kryhet kur ka ndryshim të:
a) emrit tregtar të PMB-së;
b) mbajtësit të dokumentit të regjistrimit (aplikantit) të PMB-së;
c) prodhuesit të PMB-së;
ç) prodhimit të PMB-së (shtim, transferim në një stabiliment tjetër prodhues);
d) sasisë neto të PMB-së, qё ndodhet nё ambalazhin bazë;
dh) mënyrave të përdorimit dhe sasive të përdorura të PMB-së;
e) periudhës dhe kushteve të ruajtjes së PMB-së;
ë) tipit dhe materialit të ambalazhit bazë të PMB-së;
f) formulimit të PMB-së;
g) zgjerimit të fushёs sё pёrdorimit të PMB-së;
gj) përmbajtjes në sasi ose përqindje të lëndës/ve vepruese të PMB-së.
Në të gjitha rastet e përcaktuara në këtë pikë, aplikanti duhet të paraqesë kërkesë në gjuhën shqipe.
5. Pezullimi i regjistrimit të një PMB-je kryhet nga kryetari i komisionit, në rastet kur:
a) PMB-ja nuk plotëson kushtet për të qenë e regjistruar, sipas kërkesave të parashtruara në këtë vendim;
b) vërehet se në dosjen e regjistrimit janë paraqitur të dhëna false ose të gabuara;
c) ka të dhëna se PMB-ja është futur në treg përpara se të ketë filluar procedura për regjistrim;
ç) aplikanti e kёrkon vetë një gjë të tillë;
d) në sistemin e farmakovigjilencës,:
i. PMB-ja nuk plotёson performancat e parashikuara dhe efektet qё priteshin, sipas specifikimeve tё dhёna nё dosjen e saj;
ii. tё dhёnat e reja specifike tregojnё se tregtimi dhe pёrdorimi i kёsaj PMB-je pёrbёn njё rrezik, qё vlerësohet i papranueshёm.
5.1. Në rastet kur pezullohet regjistrimi, aplikanti njoftohet për arsyet e marrjes së kёtij vendimi.
5.2. Pas pezullimit tё regjistrimit, nëse PMB-ja është në treg, ajo duhet të përdoret brenda afateve të skadencës së saj.
6. Çregjistrimi i një PMB-je kryhet nga kryetari i komisionit, në rastet kur:
a) PMB-ja përmban lëndë vepruese, të cilat janë të hequra me urdhër të ministrit;
b) aplikanti e kërkon, me shkrim, një gjë të tillë;
c) ka përfunduar afati i regjistrimit të saj dhe nuk është bërë kërkesë nga aplikanti për pёrditёsim ose riregjistrim;
ç) nuk plotësohen nga aplikanti kërkesat sipas pikës 5, të këtij kreu.
6.1. Aplikanti duhet të njoftohet nё rastet e çregjistrimit.
6.2. Pas çregjistrimit, nëse PMB-ja është ende në treg, ajo duhet të përdoret brenda afateve të skadencës së saj.
7. Rinovimi i regjistrimit (riregjistrimi) të një PMB-je mund tё kryhet kur:
a) mbaron afati i regjistrimit tё saj;
b) kjo kërkohet nga aplikanti, para përfundimit të afatit të regjistrimit.
8. Pёr riregjistrim, aplikanti paraqet:
a) dokumentacionin me të dhënat e sigurisë së PMB-së (MSDS);
b) të dhëna të tjera lidhur me etiketën e saj, nëse ka ndryshime nga regjistrimi i mëparshëm;
c) tё dhёnat që provojnё se është e regjistruar nga aplikanti në një nga vendet e Bashkimit Evropian ose se aplikanti ka marrë me shkrim aksesin e përdorimit të regjistrimit nga subjekti që e ka regjistruar në një nga vendet e Bashkimit Evropian.
Rinovimi i regjistrimit kryhet direkt, me miratim nga komisioni, pa kaluar dosja në ISUV.
VIII. EFEKTET E RREZIKSHME, MBROJTJA (REZERVIMI) E TË DHËNAVE DHE KONFIDENCIALITETI
1. Aplikanti duhet tё vërё nё dijeni SPMB-nё pёr PMB-nё nё procedurё regjistrimi ose tё regjistruar pёr çdo informacion tё ri, pёr mbetjet e saj ose pёr lёndёn/t vepruese, pёr efektet potenciale tё rrezikshme pёr shёndetin e njerёzve ose tё kafshёve, pёr ujёrat nёntokёsore dhe pёr mjedisin.
2. Nё regjistrimin e njё PMB-je, tё dhёnat e dosjes sё regjistrimit nuk pёrdoren nё favor tё aplikantёve tё tjerё, nёse nuk është dhënë autorizimi nga prodhuesi ose mbajtësi i dokumentit të regjistrimit të PMB-së.
3. Konsiderohet konfidencial informacioni për:
a) metodat e prodhimit;
b) specifikimin e papastërtive të lëndës/ve vepruese teknike, përveç papastërtive të spikatura;
c) rezultatet e llojeve të prodhimit të lëndës/ve vepruese, përfshirë papastërtitë;
ç) metodat e analizave të papastërtive në lëndën/t vepruese teknike, përveç metodave të papastërtive të spikatura;
d) lidhjet ndërmjet një prodhuesi ose importuesi dhe aplikantit ose mbajtësit të autorizimit;
dh) të dhënat për përbërjen e plotë të produktit për mbrojtjen e bimëve;
e) emrat dhe adresat e personave të përfshirë në testimin e kafshëve kurrizore.
Nёse aplikanti zbulon pёrdorimin e informacionit konfidencial, informon menjёherё drejtuesin e SPMB-sё.
4. Nuk vlerёsohen konfidenciale tё dhёnat, si mё poshtё vijon:
a) Emri dhe pёrmbajtja e lёndёs/ve vepruese dhe emri i PMB-sё;
b) Emri i lёndёve tё tjera tё rrezikshme;
c) Informacioni bazё pёr tё plotёsuar kёrkesat pёr etiketimin;
ç) Tё dhёnat fiziko-kimike pёr lёndёt vepruese dhe PMB-tё;
d) Metodat e pёrdorura pёr tё bёrё tё padёmshme lёndёt vepruese dhe PMB-tё, pёrfshirё antidotet dhe mjetet pёr trajtimin e rasteve tё helmimit nё njerёz e kafshё nga kёto PMB dhe lёndё vepruese;
dh) Pёrmbledhja e rezultateve tё provave pёr sigurinё e lёndёve vepruese dhe tё PMB-ve te njerёzit, kafshёt e mjedisi, si dhe efikasiteti i tyre te bimёt;
e) Metodat e rekomanduara dhe masat pёr tё ulur rrezikun qё mund tё vijё nga pёrdorimi, ruajtja e transporti i tyre si dhe pёr tё shmangur rrezikun e ndezjes ose tё ndonjё natyre tjetёr;
ë) Metodat e analizёs;
f) Metodat pёr largimin dhe bёrjen tё padёmshme tё PMB-ve, lёndёve vepruese dhe/ose tё ambalazhit tё tyre;
g) Masat pёr pastrimin, nё rast tё rrjedhjeve aksidentale;
gj) Masat e ndihmёs sё shpejtё, nё rast helmimi tё personave;
h) Tё dhёnat për efikasitetin e PMB-sё;
i) Tё dhёnat pёr rrezikun nё mjedis.
IX. INFORMIMI DHE REKLAMIMI
1. Ministria informon në median e shkruar ose elektronike veprimtaritë e organizuara lidhur me sigurinë, cilësinë, efektshmërinë, përdorimin dhe parandalimin e rreziqeve nga tregtimi dhe përdorimi i PMB-ve.
2. Reklamimi lejohet vetёm pёr PMB-tё e regjistruara dhe nё pёrputhje me dokumentin e regjistrimit.
3. Reklamimi nё median e shkruar ose elektronike miratohet nga drejtuesi i SPMB-së, pas kërkesës së paraqitur nga mbajtësi i dokumentit të regjistrimit.
4. Nё varёsi tё tipit tё reklamёs, tekstet dhe piktogramet duhet tё jenё tё lexueshme e tё dёgjueshme qartё, veçanёrisht kur ato kanё tё bёjnё me mbrojtjen e njerёzve, tё kafshёve dhe mjedisit.
5. Reklamimi i veçantë për PMB-të që dëmtojnë ose jo bletёt apo insektet e dobishme kryhet:
a) kur ato janё nё aktivitet;
b) kur kulturat dhe/ose bimёt e dёmshme janё nё lulёzim;
c) për kujdesin e mbrojtjes së insekteve pjalmuese në kultivimin e perimeve në mjedise të mbrojtura.
6. Reklamimi nuk mund të përfshijë:
a) të dhënat konfidenciale të PMB-ve;
b) shёnime tё tilla si: “jo helmues”, “i padёmshёm”, ose shёnime tё tjera tё ngjashme; figura të bimëve, pjesëve të bimëve, produkteve bimore, insekteve si dhe objekteve të tjera, të cilat tërheqin vëmendjen e njerëzve dhe, sidomos, të fëmijëve;
c) sponsorizimet për kongrese, konferenca shkencore, takime promovuese, që ndiqen nga profesionistët e PMB-ve, në bazë të kontratave ligjërisht të rregullta ndërmjet palëve.
7. Subjektet, që organizojnë veprimtari sipas përcaktimeve të shkronjës “c”, të pikës 6, të këtij kreu, janë të detyruara të raportojnë një herë në vit te SPMB-ja në lidhje me këto veprimtari.
X. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
1. Për shqyrtimin e aplikimeve për regjistrimin e PMB-ve të paraqitura përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi do të zbatohen dispozitat në fuqi në momentin e aplikimit.
2. Vendimi nr.1555, datë 12.11.2008, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave të regjistrimit dhe të kritereve të vlerësimit të produkteve për mbrojtjen e bimëve”, i ndryshuar, shfuqizohet.
3. Ngarkohet Ministria e Bujqёsisё dhe Zhvillimit Rural pёr zbatimin e kёtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE TË HOLLËSISHME PËR KUSHTET DHE MËNYRËN E ZGJEDHJES SË PËRFAQËSUESVE TË KËSHILLIT KOORDINUES TË DIASPORËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 20, të ligjit nr.16/2018, “Për diasporën”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Diasporën, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përcaktimin e rregullave të hollësishme për kushtet dhe mënyrën e zgjedhjes së 15 përfaqësuesve të Këshillit Koordinues të Diasporës.
2. Përfaqësuesit e diasporës, kandidatë për anëtarë në Këshillin Koordinues të Diasporës, përveç kritereve të parashikuara në ligjin nr.16/2018, “Për diasporën”, duhet të jenë:
a) persona të spikatur në fushat e arsimit, shkencës, teknologjisë, kulturës, sportit etj. apo të suksesshëm në fushën e biznesit;
b) persona të njohur në fushën e filantropisë dhe të kenë kontribuar në çështje që lidhen me diasporën apo vendin e origjinës;
c) pjesë aktive e forumeve organizative të diasporës në vendet pritëse.
3. Për procedurën e propozimit e të zgjedhjes duhet të zbatohen edhe dispozitat e legjislacionit në fuqi për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike.
4. Numri i kandidaturave duhet të jetë jo më pak se dyfishi i numrit të përfaqësimit, duke iu referuar rendit të përcaktuar në pikën 2, të nenit 20, të ligjit nr.16/2018, “Për diasporën”.
5. Ambasadorët e jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë, të akredituar jashtë vendit, nëpërmjet ministrit përgjegjës për punët e jashtme, i propozojnë ministrit përgjegjës për diasporën kandidatët për Këshillin Koordinues të Diasporës.
6. Ambasadorët bashkëpunojnë me organizatat e diasporës, të njohura e të regjistruara sipas legjislacionit të vendit pritës, për gjetjen e kandidaturave.
7. Për raste të veçanta ose në mungesë të kandidaturave të propozuara, propozimi për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Koordinues të Diasporës (jo më shumë se 3 propozime) mund të bëhet drejtpërdrejt nga ministri përgjegjës për diasporën.
8. Propozimet duhet të shoqërohen me jetëshkrime e dokumente, kualifikime dhe vlerësime të nevojshme të veprimtarisë së përfaqësuesit tё propozuar.
9. Në vijim të propozimeve të ardhura, ministri përgjegjës për diasporën përzgjedh 15 kandidatët për anëtarë të Këshillit Koordinues të Diasporës dhe ia përcjell për miratim Këshillit të Ministrave.
10. Të paktën 30 për qind e anëtarësisë duhet të jetë e përfaqësuar nga gjinia femërore.
11. Përfaqësuesit e Këshillit Koordinues të Diasporës zgjidhen për një periudhë 4-vjeçare, me të drejtë rizgjedhjeje jo më shumë se dy herë.
12. Anëtari i Këshillit Koordinues të Diasporës lirohet para mbarimit të mandatit 4-vjeçar, në rastet kur:
a) jep dorëheqjen, me kërkesë individuale;
b) ushtron veprimtarinë në kushtet e konfliktit të interesit;
c) lirohet për shkaqe të tjera.
13. Anëtari i Këshillit Koordinues të Diasporës shkarkohet para mbarimit të mandatit 4-vjeçar, në rastet kur:
a) neglizhon kryerjen e detyrave dhe pjesëmarrjen e rregullt në mbledhjet e këshillit drejtues;
b) nuk përmbush funksionet e parashikuara nga ligji nr.16/2018, “Për diasporën”, dhe nga ky vendim;
c) nuk merr pjesë, pa arsye, në mbledhje për më shumë se 2 herë radhazi;
ç) bëhet i paaftë për të kryer funksionet e ngarkuara për shkak të sëmundjeve fizike ose mendore;
d) gjatë ushtrimit të funksioneve të tij, vepron në kundërshtim me interesat e Këshillit Koordinues të Diasporës.
14. Ministri përgjegjës për diasporën, jo më vonë se 30 ditë pune para mbledhjes së ardhshme të Këshillit Koordinues të Diasporës, i propozon Këshillit të Ministrave kandidatët e rinj, për të zëvendësuar anëtarin e liruar apo të shkarkuar. Mandati i zëvendësuesit llogaritet i plotë, nga dita e emërimit të tij.
15. Përjashtimisht për zgjedhjet e para, propozimet duhet të dorëzohen para fundit të muajit gusht 2018.
16. Ngarkohen ministri përgjegjës për diasporën, ministri përgjegjës për punët e jashtme dhe Agjencia Kombëtare për Diasporën për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI
***
V E N D I M
PËR
KRITERET DHE MËNYRËN E NDARJES SË ÇMIMIT “AMBASADOR I KOMBIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 15, të ligjit nr.16/2018, “Për diasporën”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Diasporën, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përcaktimin e kritereve dhe të mënyrës së ndarjes të çmimit “Ambasador i Kombit”.
2. Ndarja e çmimit “Ambasador i Kombit” udhëhiqet nga parimet e vlerësimit të kontributit, meritokracisë, transparencës, mirënjohjes publike. Kriteret, që duhet të plotësojnë pjesëtarët e suksesshëm të diasporës për marrjen e çmimit, janë:
a) integriteti dhe reputacioni në komunitetin ku ai/ajo jeton;
b) përfaqësimi i suksesshëm në diasporë në:
– veprimtari humanitare;
– arsim, shkencë, teknologji;
– kulturë apo sport;
– biznes.
c) kontributi i veçantë për Republikën e Shqipërisë apo diasporën.
3. Ambasadorët e Republikës së Shqipërisë, të akredituar jashtë vendit, nëpërmjet ministrit përgjegjës për punët e jashtme, i propozojnë ministrit përgjegjës për diasporën përfaqësuesit më të suksesshëm të komuniteteve shqiptare jashtë vendit për dhënien e çmimit “Ambasador i Kombit”.
4. Propozimet duhet të shoqërohen me biografinë dhe vlerësime të nevojshme të veprimtarisë së subjektit tё propozuar.
5. Ministri përgjegjës për diasporën vlerëson propozimet e ardhura, së bashku me rekomandimet për dhënien e çmimit, dhe ia propozon ato, zyrtarisht, Kryeministrit.
6. Çmimi “Ambasador i Kombit” jepet nga Kryeministri.
7. Çmimi “Ambasador i Kombit” i dorëzohet personalisht personit që merr çmimin, por, në raste të veçanta, mund t’i dorëzohet edhe familjarëve apo përfaqësuesve të tij.
8. Çmimi “Ambasador i Kombit” nuk ka vlerë monetare.
9. Çmimi “Ambasador i Kombit” jepet në formën e një certifikate.
10. Forma e certifikatës “Ambasador i Kombit” është sipas formatit bashkëlidhur këtij vendimi.
11. Përjashtimisht, për raste të veçanta, propozimi për çmimin “Ambasador i Kombit” mund të bëhet drejtpërdrejt nga ministri përgjegjës për diasporën, në përputhje me këtë vendim, dhe, në këtë rast, nuk do të zbatohet parashikimi i pikës 3.
12. Ngarkohen ministri përgjegjës për diasporën, ministri përgjegjës për punët e jashtme dhe Agjencia Kombëtare për Diasporën për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI