Fjala e Zëvendëskryeministrit Peleshi, në workshop-in mbi prioritetet e procesin e integrimit në Bashkimin Evropian për vitin 2014:
“Së pari dua të falënderoj Ministrinë e Integrimit për realizimin e këtij workshop-i i cili në këtë fazë intensive të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin europian, është i rëndësishëm. Dëshiroj të falënderoj gjithashtu edhe SMEI për kontributin e vazhdueshëm që i jep Shqipërisë në mbështetje të këtij procesi, i cili është një proces natyrisht i komplikuar, por po aq edhe i rëndësishëm. Dhe po kaq e rëndësishme është që dhe ne të ballafaqojmë procesin tonë, rrugën tonë, me rrugën e vendeve të tjera, të cilat shkojnë paralel me ne, ose janë disa hapa para nesh.
Unë dëshiroj gjithashtu të sjell në vëmendje, duke cituar zotin Sequi, një gjë shumë të vërtetë që ka të bëjë me suksesin.
Ky projekt, projekti i integrimit të Shqipërisë në BE, është projekti më i madh i Shqipërisë, që nga krijimi i shtetit shqiptar. Është një projekt, i cili kërkon një angazhim të madh, por para së gjithash kërkon atë që tha zoti ambasador, vizionin. Unë mendoj që në Shqipëri, klasa politike shqiptare ka një konsensus shembullor, në raport edhe me shumë vende të tjera të BE që janë anëtare të BE, për çështjen e integrimit.
Në Shqipëri nuk ekziston një parti politike e madhe apo e vogël, që të jetë kundër integrimit në BE. Në Shqipëri, shkalla e mbështetjes së këtij procesi, në radhët e shoqërisë, të komunitetit është ndër më të lartat në Evropë. Të gjitha qeveritë e deritanishme e kanë shpallur integrimin europian si një vizion të vetin.
Burimet ishin elementi i dytë që cilësoi zoti ambasador. Burimet, Shqipërisë nuk i mungojnë; potenciali i zhvillimit në, Shqipëri nuk ka munguar,madje është më i pasur edhe se disa vende të tjera, të cilat kanë ecur shumë më tepër se ne, në rrugën e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror.
Vullneti politik, gjithashtu nuk mungon nga qeveria shqiptare, nuk ka munguar edhe nga qeveritë e kaluara, por unë besoj se një element i katërt që do t’ja shtoja fjalës së zotit ambasador, një element që i ka munguar Shqipërisë këto vite, është orientimi nga rezultatet dhe jo nga procesi. Për të thënë të thënë të vërtetën shumëkush prej nesh e ka perceptuar procesin e integrimit europian, si një proces pa fund. E objektivat e vendosura nga KE, nga BE shpeshherë i kemi konsideruar si detyra shtëpie, madje shpeshherë i kemi quajtur kështu dhe në terminologjinë politike, në Shqipëri.
Qeveria e re shqiptare që në fillim të punës së saj, e ka shpallur procesin e integrimit evropian, jo vetëm një prioritet dhe vizionin e vet të zhvillimit, por detyrat e këtij procesi, si detyrat e veta, të planit të vet strategjik të zhvillimit kombëtar.
Ndaj dhe sot vjen si shumë i rëndësishëm, Plani Kombëtar për Integrimin Europian, si një udhërrëfyes, si dokumenti bazë dhe orientues i të gjitha politikave dhe strategjive, tona të zhvillimit kombëtar, i strategjive kombëtare, por edhe i strategjive sektoriale, të cilat tani janë në rishikim, në ndërtim e sipër dhe që përkojnë me të njëjtën periudhë, periudhën 2014-2020.
Është detyra jonë institucionale që çdo politikë, çdo strategji për çdo sektor të jetë në harmoni të plotë me këtë Plan; të jetë në harmoni të plotë me vizionin tonë kryesor që është integrimi në BE.
Në datën 6 mars zhvillohet dialogu i dytë i nivelit të lartë, ku prezantohet dokumenti “roadmap” për adresimin e 5 prioriteteve. Ky do të jetë udhëzuesi kyç në rrugën tonë drejt hapjes së negociatave. Ndaj do të kërkoja nga të gjithë ministrat, veçanërisht nga 5 ministra që kanë lidhje më të drejtpërdrejtë me të 5 prioritet të japin kontributin e tyre në plotësimin e këtij dokumenti.
Në mars, KE do të paraqesë në ministrinë e integrimit europian, pyetësorin, i cili është mundësia jonë më e mirë për të afishuar të gjitha masat dhe angazhimet, arritjet tona në këto muaj të qeverisjes. Duke pasur parasysh që jemi në një fazë shumë intensive, sa të rëndësishme aq edhe delikate për Shqipërinë, faza e pragut të marrjes së statusit kandidat të Shqipërisë në BE, serioziteti i të gjithë kabinetit, në plotësimin e pyetësorit, në të gjitha afatet që u parashtruan këtu në kuadër të hartimit të planit kombëtar të integrimit europian , bëhen edhe më të rëndësishme.
Dëshiroj të theksoj dy afate që do të duhen të mbahen shënim nga të gjithë. Nuk janë të një periudhe shumë të gjatë, përreth një muaj, pra, në datën 4 prill, siç e theksoi edhe ministrja Gjosha, çdo ministri, çdo ministër duhet të dorëzojë kontributin e vet për Planin Kombëtar të Integrimit Europian.
Data 11 prill është afati tjetër për kontributin tuaj për Progres Raportin.
Grupet ndërinstitucionale të integrimit që funksionojnë nën drejtimin e zëvendësministrave, në fakt, sot duhet të marrin më shumë forcë.
Duhet të marrin forcë nga vetë ministrat. Nuk duhet të kthehen në grupe pune për të mos zgjidhur një problem, sepse rëndom në Shqipëri ndodh që, kur ngre një grup pune, ai bëhet pjesë e problemit dhe jo pjesë e zgjidhjes. Ne nuk kemi luksin që të dështojmë në këto grupe pune. Ndaj, afatet, periodiciteti i mbledhjes së tyre, serioziteti me të cilin këto grupe pune duhet të adresojnë dhe të përmbushin kërkesat duhet të jetë maksimal.
Edhe në emër të Kryeministrit, u kërkoj gjithë ministrave sot, të marrin kontakt të menjëhershme me zëvendësministrat që drejtojnë grupet ndërinstitucionale të integrimit dhe të vihen vetë në krye dhe në shtyrje përpara të punës së tyre, të këtij procesi, nëpërmjet takimeve, raportimit dhe monitorimit të punës së tyre, në mënyrë të drejtpërdrejt.
Së fundi, natyrisht nuk mjafton ndonjëherë thjesht puna e qeverisë, serioziteti, angazhimi, masat tona dhe arritjet në këtë proces.
Natyrisht, ne duhet të bëjmë edhe promovimin e punës sonë, marketingun e asaj që qeveria ka arritur gjatë këtyre muajve dhe që do të arrijë në të ardhmen. Por së pari duhet të korrigjojmë vetveten, së pari duhet të jemi serioze e rezultativë në përmbushjen e objektivave, sepse është një ngjarje e mundur të bindësh vendet e anëtare të Bashkimit Europian për rezultatet që ke arritur, ndërkohë që është një ngjarje e pamundur të bindësh Bashkimin Europian, vendet anëtare, parlamentet respektive, për atë që nuk e ke arritur.
Ne duhet ta ndjejmë dhe e ndjejmë procesin në Bashkimin Europian jo thjesht e vetëm si një detyrë dhe e ritheksoj këtë, por si vizionin tonë të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të Shqipërisë. Kultura e re që qeveria e re shqiptare është duke implementuar me shpejtësi në të gjitha ministritë, në të gjitha agjencitë qeveritare dhe në institucionet e shtetit, pra, kultura e orientuar drejt rezultateve të arritura dhe afateve dhe jo drejt një procesi pafund do të jetë garancia e katërt e suksesit, së bashku me vizionin, burimet, po edhe vullnetin politik të qeverisë shqiptare.
Qeveria shqiptare nuk e ndan klasën politike shqiptare në përgjithësi, përfshi edhe opozitën nga ky proces. Ky nuk është një proces që mbaron brenda një mandati politik, mbase edhe jo brenda dy mandateve. Ky nuk është një proces që shkon në dobinë elektorale të një partie politike apo të një partie tjetër, në qeverisje apo jo. Ky është një proces që shkon në dobi të Shqipërisë, ky është një detyrim i brezave, ky është një hipotekë e garantuar e zhvillimit dhe e prosperitetit të Shqipërisë, për dhjetëra e dhjetëra vite në vazhdim.
Natyrisht që është një proces i komplikuar dhe unë dëshiroj ta ritheksoj rëndësinë e fjalëve të zotit Lazovski, i cili tha se ne duhet të përgatitemi të ngremë kapacitetet tona institucionale, për t’ju përgjigjur në kohë burokracisë së pashmangshme e të domosdoshme të këtij procesi, i cili ndryshon dhe ka dinamikën e vet. Në qoftë se i paraprijmë me fuqizimin tonë institucional, gjithë komplikimit që vjen e shtohet sa më tepër ne avancojnë në procesin e integrimit europian, ne do mund të jemi rezultativë e të kemi arritjet tona, në kohën e parashikuar në këtë proces.
E përmbyll fjalën duke falënderuar përsëri Ministrinë e Integrimit Europian, por edhe të gjithë ministrat, të cilët, për hir të së vërtetës, në këto muaj të qeverisjes kanë treguar seriozitetin maksimal dhe një angazhim shumë të lartë, në arritjen e rezultateve të dukshme e konkrete të pesë prioriteteve që i kërkohen Shqipërisë të përmbushë.
Ndaj edhe për ne, marrja e statusit në qershor nuk është një ngjarje që e presim me skepticizëm, por e presim me optimizëm, sepse, siç e thashë, na duhet të bindim vendet e Bashkimit Europian për rezultate të arritura. Natyrisht që puna nuk ka përfunduar, natyrisht që ne kemi ende sfida të tjera, për të përmbushur pesë prioritetet, por edhe përtej tyre, por serioziteti me të cilin qeveria e trajton çështjen e integrimit në Bashkimin Europian është edhe garancia për të përmbushur çdo detyrim e për t’i dhënë rrugës tonë të prosperitetit dhe të zhvillimit ekonomik e shoqëror një shpejtësi të re. Shpejtësinë e Bashkimit Europian.
Ju faleminderit.