Në Zejmen të Lezhës ka përfunduar faza e parë e investimit në rrjetin elektrik, që mundësoi rikonstruksionin e rrjetit të tensionit të mesëm me gjatësi rreth 65 km, si dhe të rrjetit të tensionit të ulët. Përmes këtij investimi nga OSHEE prej 85 milionë lekësh u vendosën 150 shtylla të reja, 10 kabina të reja, ndërrim rrjeti me cilësi të lartë, u vendosën linja të reja, duke rritur sigurinë e furnizimit me energji elektrike për zonën.
Kryeministri Rama, i shoqëruar nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ishin në Zejmen, ku përfundimi i këtij investimi ka rritur sigurinë e furnizimit me energji elektrike. “Faza e parë e investimit që OSHEE ka ndërmarrë në zonën e Zejmenit ku preken 12 000 banorë në 6 fshatra ka rritur shifrën 85 milionë,” – tha ministrja Balluku.
Investimi i fundit në këtë zonë, ashtu si në shumë zona të tjera në Shqipëri, është bërë në vitin 1971. “Jo vetëm këtu, por në shumë zona, investimet e fundit janë bërë në fazën e elektrifikimit dhe faktikisht sistemi është sistemi i kohës së elektrifikimit, prandaj edhe një erë të fryjë, borë po e po, këputen linjat dhe duhet filluar nga e para”, – tha Kryeministri Rama.
Me përfundimin e fazës së parë pritet të nisë faza e dytë për këtë zonë, e cila parashikohet të ketë një vlerë investimi rreth 60 milionë lekë të reja. “Faza dytë brenda muajit mars, sepse planifikojmë që të gjitha rikonstruksionet të mbarohen para fillimit të sezonit të verës” – u shpreh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Balluku.
Impakti i këtyre investimeve prek direkt edhe turizmin, duke qenë se plazhet e Shëngjinit dhe të Tales frekuentohen nga pushues vendas e të huaj.