Fjala e kryeministrit Edi Rama në takimin me mësues, me temë “Zhvillimi profesional i mësuesisë”, i zhvilluar në Shkollën “E Kuqe”, Tiranë:
Mirëmbrëma të gjithëve!
Shumë faleminderit për mikpritjen!
Faleminderit drejtoreshës që na priti jashtë në të ftohtë e të gjithëve ju që jeni këtu të pranishëm në këtë moment të rëndësishëm, kur po flasim për një hap tjetër përpara në përpjekjen për të plotësuar procesin aspak të lehtë, jo të shkurtër të një reforme që ju e kujtoni shumë mirë se si nisi e kur nisi.
Pa diskutim që është shumë e rëndësishme çka kemi bërë, por gjithçka që kemi bërë dhe mund të bëjmë për sa i përket përmirësimit të infrastrukturës, përmirësimit të teksteve, përmirësimit të aksesit të nxënësve në arsim do të mbetej e paplotë e nuk do të na çonte në rezultatet e dëshiruara, nëse nuk do të përmirësonim në mënyrë të vijueshme atë që është më kryesorja, që është dija dhe aftësia e mësuesve për të qenë në lartësinë e detyrës. E sigurisht, në këtë pikë, mësuesit në Shqipëri, besoj në kushte jashtëzakonisht dramatike kanë bërë maksimumin e tyre, por nëse nuk ndihmohen dhe nëse nuk përfshihen në një sistem të qëndrueshëm edukimi në vazhdim, e kanë të pamundur që vetëm në përpjekjet e tyre të ndjekin ritmin e kohës dhe të përmbushin nevojat që koha sjell.
E kam thënë dhe një herë tjetër e ndoshta dikujt mund ti tingëllojë si përsëritje, por mua më ka bërë shumë përshtypje që sa në proporcion të drejtë është për kompanitë e mëdha sasia e trajnimeve që bëjnë gjatë një viti dhe rritja e tyre si kompani.
Janë vërtetë spektakolarë grafikët që përpiqen të shpjegojnë apo që tregojnë se si kompani shumë të mëdha, në një moment të caktuar kanë qenë në të njëjtin e pozicion e pastaj pas tre vitesh gjenden në pozicione të ndryshme, njëra më lart e tjetra më poshtë dhe aspak çuditërisht në fakt, kjo përkon me investimin e bërë brenda kompanive për trajnimin e njerëzve.
Në këtë aspekt, edhe ato që u thanë këtu, por dhe të gjitha të dhënat që ne kemi parë në vijimësi, kemi një fushë të tërë përpara për të përshkuar e për të kultivuar në mënyrë që të mbushim sa më shumë boshllëqet e të shkuarës, në raport me trajnimin e aftësimin në vazhdim të mësuesve.
Besoj shumë që kjo rrugë në këtë reformë tërësore të arsimit në tërësi, por posaçërisht të arsimit parauniveristar, edhe kaq sa është bërë do të kishte qenë e pamundur nëse nuk do të ishte bërë bashkë me mësuesit. Juve ju kujtohet shumë mirë që në fillimet e përpjekjes për të pastruar gjithë atë mori tekstesh shkollore, ne organizuam një pyetësor dhe kërkuam vlerësim nga mësuesit në rang republike për tekstet. 600 tekste që u hoqën në fillim, ishin vendim i marrë bazuar mbi gjykimin e bërë nga mësuesit dhe vlerësimin e dhënë prej tyre që ishte plotësisht negativ lidhur me ato tekste. Juve ju kujtohet shumë mirë që tekstet shkonin duke u shumuar, jo bazuar në çfarë ishte kërkesa e brendshme e sistemit e çfarë ishin nevojat e mësuesve, as bazuar në ndonjë konsultim me mësuesit, por thjeshtë bazuar në një logjikë perverse të një tregu të brendshëm të krijuar për të prodhuar sa më shumë libra e për të shitur sa më shumë libra, rëndom kopje të përkthyera shumë keq të librave të marrë lart e poshtë, pa marrë parasysh fare as metodikën e brendshme të një sistemit të integruar, pa marrë parasysh fare shumë nga parametrat elementarë që duhet të përmbushi.
Nga ana tjetër, ju jeni dëshmitarë se sa shumë u turbullua uji, nëse do ta bënim krahasimin me ujin, i gjithë prurjeve në arsim për shkak të rënies krejtësisht të çdo dige, në raport me aftësinë, në raport më meritat, në raport me formimin përkatës, aq sa u arrit që në sistem të penetronin mijëra njerëz që s’kishin arsimin përkatës, apo që merrnin një detyrë për të dhënë mësim jashtë profilit të tyre. Sigurisht, që njëra anë e medaljes ishte si të bëhej pastrimi i kësaj pjese nga sistemi, por ana tjetër e medaljes ishte si të garantohej që prurjet e reja të vinin në një rrugë që garantohej nga konkurrenca dhe të përcaktohej nga merita. E kështu ne krijuam portalin “Mësues për Shqipërinë” që është një instrument i cili ka dhënë rezultate të qarta, të cilin po e përmirësojmë sepse eksperienca ka treguar që ka ende nevojë për t’u përmirësuar, në mënyrë që jo vetëm rekrutimi i mësuesve me kohë të plotë, por dhe gjithë pjesa tjetër e kontratave të përkohshme të bëhet në mënyrë objektive.
Paralelisht, ne po përgatitemi për reformimin e gjithë sistemit të drejtorive arsimore. Nuk do kemi më këtë numër drejtorish arsimore. Do jenë vetëm 4 në rang republike, të ndara në 4 rajone sipas një harte që ne e kemi ndërtuar mbi rajonet, jo në sensin e ndarjes administrative, por në sensin e zhvillimit ekonomik dhe social. Roli i drejtorive ashtu sikundër dhe roli i zyrave arsimore do të ndryshojë në mënyrë të qenësishme. Drejtoritë e zyrave arsimore nuk do jenë më zyra emërimesh dhe shkarkimesh, nuk kanë pse të merren më me atë punë. Drejtoria arsimore dhe zyrat arsimore do jenë faktikisht garant të cilësisë, në funksion të realizimit të programit të ministrisë së arsimit për të gjithë aktorët që janë në fushën e edukimit dhe të ndërveprimit mes tyre.
Dhe nga zyra që janë aty në pozita pritëse dhe që merren me mësuesit që kanë nevojë të lëvizin nga një vend në një vend tjetër, që merren me mësuesit që duan të hyjnë në punë, do të jenë zyra që do merren me programin e arsimit, jo me mësuesit.
Portali do të objektivizohet në pikën që do ta bëjë të panevojshme ndërhyrjen njerëzore. Do të jetë një bazë të dhënash me të gjitha pikët e testeve, të gjitha kreditet e mësueseve dhe çdo spostim apo çdo zëvendësim pasi dikush del në pension do të bëhet në mënyrë kompjuterike, jo më në mënyrë mikse. Natyrisht që portali do të garantojë që kur një mësues thotë “jo unë s’jam e gatshme që do shkoj atje”, radha do i kalojë dikujt tjetër e kështu me radhë. Te gjitha këto do bëjnë që së pari përfundimisht çdo mësues të garantohet që askush nuk e lëviz dot dhe se çon dot askund për sa kohë është në krye të detyrës dhe bën detyrën.
Së dyti, që zëvendësimet do të bëhen në bazë të meritës dhe në funksion të cilësisë. Natyrisht që gjithçka ne bëjmë dhe do të bëjmë për mësuesit është e paplotë nëse ne nuk ndryshojmë rrënjësisht profilin dhe cilësinë e drejtimit nga ana e drejtuesve të shkollave.
Ne kemi drejtorë dhe drejtorë shkollash që janë model, po ne kemi dhe një numër drejtuesish shkollash që s’kanë lidhje, faktikisht. Drejtues shkollash që janë aty aksident politik. Një aksident politik i ndodhur dikur që vazhdon në sytë e kolektivit të mësuesve, në sytë e nxënësve si një monument i të shkuarës.
Faktikisht nga një testim shumë i thjeshtë, 300 drejtorë shkollash kanë rezultuar që të jenë nën nivelin mesatar mes tyre. Niveli mesatar mes tyre të themi të vërtetën, nuk është maksimumi që mund të presim për një mesatare të caktuar. Por, njësoj si për mësuesit vlen e njëjta gjë. Jam i bindur që në shumicën e tyre, drejtuesit e shkollave nëse futen në një proces normal trajnimi, për çfarë duhet të bëjnë drejtuesit e shkollave, sigurisht që mund t’i rrisin në një kohë relativisht të shpejtë aftësitë e tyre.
Nga ana tjetër, është shumë e rëndësishme që edhe procesin e zgjedhjes së drejtuesve të shkollave, ne ta objektivizojmë dhe ta largojmë përfundimisht nga duart e partive. Çfarë ndodhi? Ne shpëtuam, le të themi në 90 % sistemin nga interferencat politike për mësuesit sepse tek mësuesit u bë shumë e vështirë për shkak të portalit për të bërë përzgjedhje selektive, për të bërë ndërhyrje në radhë, për të bërë qoka, etj. Mirëpo u hapën qokat për drejtorë. U bë më e lehtë të bëhesh drejtor ose nëndrejtor sesa të bëhesh mësues. Jo njëherë e kemi dëgjuar që “po mirë dakord, nëse mësues nuk ma bën dot, ma bëj drejtor të paktën.”
Rëndom, – dhe ata që duhet ta kenë parasysh më shumë se gjithë të tjerët janë njerëzit që janë të zgjedhur, deputetët, – kush zgjedh një mësues nuk është rasti për të futur dikë në punë, por është përgjegjësia për të dhënë opinion dhe për të nxitur futjen në punë të dikujt që mund ti rregullojë ose mund t’i prishi punë për gjithë jetën breza të tërë të nxënësve. Është njësoj si me mjekun.
Në këtë aspekt kemi pasur vështirësi, por jemi shumë të vendosur që të mos tërhiqemi përpara këtyre vështirësive, dhe me thënë të drejtën ka qenë më e lehtë sesa ç’ mund të mendohet, të paktën për sa i përket grupit tonë parlamentar që të gjejmë mirëkuptim me deputetët që tek mësuesit nuk mund të preket. E faktikisht, kjo është dhe arsyeja pse portali i ka rezistuar furtunave të traditës që ngrinin mësues dhe ulnin mësues. Mere e çoje në një destinacion shumë larg për të hapur vendin për dikë nga larg.
Por, pjesa e kontratave të përkohshme dhe disa elementë të tjerë aty, kanë krijuar një hapësirë për abuzim dhe këtë hapësirë portali do ta mbylli. Ama, kur vjen puna tek drejtuesit e shkollave, kemi një mal të tërë për të ngjitur sepse nëse për mësuesit mirë apo keq, edhe në të shkuarën janë bërë ca përpjekje për trajnimin, – pavarësisht se kanë qenë përpjekje që krijuan një rrugë, që në fund nuk mund të sillte sukses, me ato agjencitë private, me ato historitë e tjera, – për drejtorët s’është bërë kurrë asgjë, asnjëherë.
E për këtë arsye, ne do të themelojmë shkollën e drejtorëve që të jetë një shkollë siç është shkolla e administratës publike. Drejtorët do të trajnohen në mënyrë të vazhdueshme, do të testohen në mënyrë të vazhdueshme dhe të gjithë atyre mësuesve që do të duan të ngjiten në nivelin e drejtuesve, do t’u jepet mundësia që ta bëjnë këtë gjë. Që do të thotë nuk do mjaftojë që të emërohesh drejtor dhe të ngelesh aty gjithë jetën siç ndodh me mësuesin, por në vazhdimësi do të duhet të konfirmosh që ti je më i zoti në atë territor, se përndryshe një mësuese vjen dhe të zë vendin sepse është më e zonja se ty. Zëvendësimi i këtyre rreth 300 drejtorëve që kanë dalë shumë keq në atë test, do të bëhet nga mësuesit që kanë dalë më mirë në test.
Pra, do t’i ofrohet mësuesve që kanë dalë më mirë mundësia që të bëhen drejtorë, direkt. Kuptohet, mund të ketë nga ata që do të thonë, “jo unë s’dua”, por përzgjedhja do të bëhet në nivelin më të lartë të mësuesve për të kaluar në drejtorë ose në nëndrejtorë shkollash.
Besoj që nga e thëna në të bërë edhe në këtë rast është një mundim i madh, por e rëndësishme është që kjo është rruga. E më vjen shumë mirë që mësuesit në tërësi e dëshirojnë një gjë të tillë, ata që realisht janë të përkushtuar dhe nuk janë rastësisht mësues, por janë mësues për zgjedhje dhe për pasion e dëshirojnë një gjë të tillë. Ne do të bëjmë çmos që cilësia e trajnimeve të jetë sa më e mirë, por njëkohësisht unë besoj që ministrja dhe gjithë ekipi drejtues i ministrisë, do të jenë vazhdimisht me veshët hapur për të dëgjuar përshtypjet e mësuesve, lidhur me trajnimet për të marrë sugjerime, për të marrë vërejtje, për të bërë rregullime, në varësi të përshtypjes që vetë mësuesit do të japin në raport me atë që përftojnë dhe në raport me atë që do të donin të përfitojnë në këto trajnime.
Gjithmonë e më shumë besoj që fakti që ministrja është e para ministre në 27 vjet që nuk ka një titull të madh kështu me “shkenca” dhe me “profesorlllëk”, por që vjen nga bota e mësuesve është aseti më i rëndësishëm në këtë proces, pasi ka treguar se ka të gjithë ndjeshmërinë e kësaj kategorie të cilës i ka përkitur deri vonë. E njëkohësisht ka arritur që të mos sillet ndryshe nga çfarë i takon, si një pjesëtare e komunitetit që në një periudhë kohe ka privilegjin që të drejtojë punët e këtij komuniteti mësuesish.
Kjo është një vlerë e shtuar dhe kjo është dhe një garanci që në vazhdimësi dialogu mes ministrisë, ministres, drejtuesve të tjerë të ministrisë dhe komunitetit të mësuesve do të vazhdojë dhe do të jetë në funksion të përmirësimit të vazhdueshëm të gjithë procesit të reformës. Sepse tjetër gjë është ta bësh një reformë në letër duke marrë edhe modelet më të mira, atë finlandez p.sh. – sepse të gjithë e kanë me atë modelin finlandez, – dhe tjetër gjë është që pastaj të sillesh si finlandez kur e zbaton që të jesh konsekuent dhe të jesh besnik i asaj që shkruhet në letër, siç janë finlandezët , kur e shkruajnë në letër dhe thonë, kjo është gjëja që do të bëjmë.
Unë dhe njëherë ju shpreh mirënjohjen, për gjithçka keni bërë dhe bëni jo formalisht, por sepse, po të mendosh se në çfarë kushtesh dhe se në çfarë lloj katrahure është zhvilluar procesi i reformimit të arsimit në vite, kur ka ndodhur që edhe brenda një mandati të së njëjtës forcë politike ka pasur dy Strategji Kombëtare për Arsimin, vetëm se ka pasur dy ministra të ndryshëm, atëherë sistemin e ka mbajtur në këmbë vetëm pasioni heroik i mësuesve që pavarësisht të gjithë llojeve të vështirësive dhe pavarësisht dhe pasigurisë ekstreme që u krijua për shkak të politikës që, “sot je, nesër s’je, me kë je, me kë s’je, dil aty pse s’dole atje”, është vërtet për t’u vlerësuar me mirënjohje.
Kjo kohë ka ikur. Ajo që na takon nuk është thjesht që të mendojmë sa mirë që iku ajo kohë, por që së bashku të sjellim kohën e re që ende e kemi përpara, por nuk e kemi bërë plotësisht pjesë të funksionimit të sistemit tonë arsimor. Për këtë kohë të re, baza është eksperienca e mësuesve dhe mësueseve dhe pasioni i tyre, ndryshe edhe reforma më e bukur në letër nuk do të kishte asnjë shans të realizohej në realitet.
Shpresoj që do më mirëkuptoni që duartrokitjen të mos ta bëni për mua, por për drejtoreshën, sepse është hera e parë që një zonjë shtëpie hap derën për kaq shumë njerëz, nuk thotë gjysmë fjale dhe pa thënë gjysme fjale do çohet tani dhe do më përcjellë mua bashkë me ju tek dera. Edhe për këtë meriton edhe një duartrokitje tjetër.