Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Zëvendëskryeministri i Republikës së Shqipërisë, Z. Niko Peleshi, priti sot në një takim Zëvendëskryeministrin e Republikës së Maqedonisë, Z. Musa Xhaferi. Të dy zëvendëskryeministrat biseduan për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë duke theksuar nevojën për thellimin e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, infrastrukturës, energjisë dhe kulturës, por edhe për këmbimin e përvojave në fushën e integrimit europian dhe bashkëpunimit rajonal.

Zëvendëskryeministri Niko Peleshi u shpreh se qeveria shqiptare inkurajon zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, pasi vlerëson që faktori shqiptar në Maqedoni, ashtu sikundër pakica maqedonase në Shqipëri, mund, dhe duhet, të jenë faktorë bashkimi, faktorë të intensifikimit e të forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Duke iu referuar potencialit të madh për bashkëpunim që ekziston mes dy vendeve Zëvendëskryeministri shqiptar theksoi se nismat rajonale në fushën e infratrukturës, energjitikës dhe turizmin do të krijonin një sinergji dhe një vlerë të shtuar në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendeve tona. Ai shtoi po ashtu se rruga e integrimit europian është garancia më e mirë për prosperitetin e vendeve tona dhe për ndërtimin e një të ardhmeje me të mirë për të gjithë qytetarët e dy vendeve.

Nga ana e tij, Zëvendëskryeministri Musa Xhaferri e vlerësoi gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të thelluar bashkëpunimin dhe theksoi nevojën për shkëmbimin e përvojës mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, duke shtuar se në disa fusha si integrimi evropian, nxitja e investimeve të huaja, reformat në bujqësi dhe projektet rajonale Maqedonia ka pasur një përvojë të mirë. Ai shprehu dëshirën për një komunikim sa më intensiv dhe konkret  midis institucioneve në të gjitha nivelet, çka do të ishte në favor të të dy vendeve.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.