Qeveria parashikon që Buxheti 2024 do të jetë 735,9 miliardë lekë (rreth 7 mld euro), duke mbështetur zhvillimin e mëtejshëm ekonomik, nxitjen e punësimit dhe mbrojtjes sociale, si edhe duke vijuar në të njëjtën kohë me konsolidimin fiskal.
Buxheti 2024 parashikon mbështetjen për një rritje domethënëse të pagave, duke bërë të mundur që brenda vitit 2024 të realizohet objektivi i vendosur për të arritur një nivel page mesatare prej 900 euro në muaj. Gjithashtu, parashikohet rritje e mëtejshme në kuadër të rritjes së pagave për mjekët e përgjithshëm, infermierët dhe punonjësit e tjerë shëndetësorë; mësuesve në arsimin parauniversitar; forcave të rendit, të mbrojtjes dhe niveleve zbatuese të administratës qendrore dhe vendore. Në total, efekti i përgjithshëm në buxhet për financimin e kësaj reforme madhore sa i përket e pagave kap vlerën 39 miliardë lekë. Ndërkohë 1/3 e shpenzimeve të përgjithshme publike të parashikuara në buxhetin 2024 do të shkojnë për mbrojtjen sociale dhe kategoritë në nevojë, nga më të moshuarit, te foshnjat e porsalindura.
Investimet publike për vitin 2024
–Investimet Publike për vitin 2024 janë planifikuar në masën 5.3% e PBB ose 128.5 miliardë lekë, rreth 4.6 miliardë lekë më shumë se plani fillestar i vitit 2023. Shumica e shpenzimeve kapitale për vitin 2024 shkon për financimin e projekteve të rëndësishme të infrastrukturës në vazhdim si: Unaza e madhe e Tiranës, Ndërtimi i Tunelit të Llogarasë, Rruga e Arbrit, Segmenti Orikum-Dukat, apo projektet e nisura në infrastrukturën e ujësjellës-kanalizimeve, si dhe projektet e zhvillimit urban të implementuara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Gjithashtu, do të vijojë edhe financimi i rindërtimit.
Infrastruktura
Buxheti për infrastrukturën në total shkon në vlerën 52.87 miliard lekë, nga të cilat shpenzime korrente janë në vlerën mbi 5.67 miliard lekë, ndërkohë që shpenzime kapitale janë në vlerën 47.2 miliard lekë. Shpenzimet kapitale përbëhen nga financimi i brendshëm në vlerën 27.66 miliard lekë dhe nga financim i huaj në vlerën 19.54 miliard lekë. Gjatë vitin 2024 paga për elektricistët që punojnë në terren do të shkojë në 70 mijë lekë. Kësaj shifre do t’i shtohet edhe koeficienti i vjetërsisë së punës për çdo punonjës.
Arsimi (Rritja e pagave për 30 mijë mësues)
– Projekt-buxheti i vitit 2024 për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit parashikohet në vlerën 52 miliard e 223 milion lekë, me një shtesë fondi prej 5 miliard e 49 milion lekë ndaj buxhetit fillestar të vitit 2023, ose një rritje prej 10.7%. Duke përfshirë edhe fondin e rritjes së pagave për mësuesit për vitin 2024, i cili parashikohet në shumën 4 miliard lekë, projektohet buxheti i MAS për 2024 në shumën 56 miliardë e 223 milion lekë ose 9 miliard e 49 milion lekë më shumë se buxheti fillestar i vitit 2023.
Përveç rritjes së pagave të parashikuar për mësuesit në korrik të vitit 2024, do të ofrohet më shumë financim për tekste shkollore falas, transportin e nxënësve dhe mësuesve, përmirësimin e infrastrukturës së shkollave në arsimin parauniversitar, si dhe një rritje të fondeve grant për sistemin universitar publik. Buxheti i parashikuar për arsimin do të zgjerojë financimin për programet e arsimit të lartë, programet e ndërkombëtarizimit dhe kërkimit shkencor, si dhe do të sigurojë mbështetjen e studentëve. Buxheti 2024 do të mbështesë gjithashtu sportin, duke investuar në disiplinat sportive në shkolla, programet e masivizimit të sportit dhe sportit elitar.
Shëndetësia
Buxheti 2024 do të vijojë të mbështesë bluzat e bardha, me rritjen e pagave, përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e autonomisë spitalore. Qeveria ka parashikuar që me buxhetin e ri do të vijojë rritja e pagave për rreth 22 mijë punonjës shëndetësorë që shërbejnë në këtë sektor. Rritja e parashikuar e fondeve për shëndetësinë do të përqendrohet në financimin kryesisht të:
-Rritjes së pagave për personelin mjekësor
-Shërbimeve shëndetësore parësore e spitalore
-Paketave të miratuara të shërbimit spitalor në spitalet publike e jopublike
-Infrastrukturës së shërbimeve spitalore publike
Bujqësia
Buxheti 2024 për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural mbështet ndërtimin e një të ardhme të qëndrueshme për bujqësinë shqiptare. Ky buxhet adreson një fond prej 14.18 miliardë lekë dhe mbështet 9 programe zhvillimore në të gjithë sektorët e saj: Rritjen e pagave; Zgjerimin e hartës së eksporteve për bujqësinë, blegtorinë e peshkimin; Përmirësimin e infrastrukturës së Ujitje-Kullimit; Fuqizimin e sigurisë ushqimore; Rritjen e Financimit nga Skema Kombëtare e Mbështetjes; Menaxhimin e qëndrueshëm të tokave bujqësore përmes digjitalizimit; Këshillimin dhe rritjen e asistencës për fermerët”.